Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër solli në vëmendje një nga banesat karakteristike shkodrane, banesën e familjes “Idriz Dallnesi”.
Bëhet fjalë për një ndër banesat tipike e përfaqësuese të ndërtimtarisë së shek. XX, shpallur monument kulture kategoria I (1973) nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës.
Banesa e familjes Dallnesi, mbi 200-vjeçare, ndodhet në lagjen Perash, Shkodër. Ndonëse nuk ka një datë të saktë të ndërtimit, vendndodhja e saj i paraprin zgjerimit të qytetit dhe krijimit të zonave të reja të banuara të Shkodrës, si qendra qytetare relativisht të reja.
Banesa, dykatëshe, ruan mjaft mirë skemën planimetriko- funksionale të banesës karakteristike që i përket periudhës së shek XIX-XX, që reflekton edhe zgjerimin e marrëdhënieve kapitaliste në Shqipëri.
Ajo ka trashëguar 3 mjedise karakteristike si mjedisi i odës së miqve, oxhaku i plazmuar, ornamentika e zbukurimores së mjediseve ku veçohen gdhendjet e drurit dhe pikturimi në material drusor. Në këtë banesë spikat trajtimi i kujdesshëm i pamjes së jashtme të banesës duke u larguar nga dekori i rëndë i tipologjisë së banesave karakteristike shkodrane me prani të shtuar të ornamenteve.
Kati përdhe është i ndërtuar me gur, po kështu edhe kolonatet e katit të dytë, ndërsa së brendshmi mbizotëron druri i gdhendur dhe i pikturuar. /atsh / KultPlus.com











