Banesa e Musine Kokalarit e rrënuar, premtimet për restaurim nuk janë mbajtur

Katër vite pas djegies dhe shkatërrimit të plotë të banesës karakteristike të shkrimtares dhe disidentes Musine Kokalari, pas një zjarri të papritur që shkatërroi gjithçka, banesa trekatëshe në lagjen “Palorto” në qytetin e Gjirokastrës është lënë krejtësisht në harresë.

Të vetmit që po kujdesen për rrënojat e mbetura të banesës 120-vjeçare, të shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, janë trashëgimtarët e shkrimtares.

Arieta Kokalari, pasardhëse e kësaj familjeje dhe ideatore e muzeut “Kokalari”, pohon se pavarësisht premtimeve të dhëna për restaurimin e banesës, nuk ka pasur asnjë interesim nga institucionet përgjegjëse.

Keqardhja e saj është dëmtimi i qëllimshëm që po i bëhet banesës. Sot shtëpia i ka të dyja hyrjet të izoluara e të bllokuara nga gurët e hedhur nga brenda banesës prej fqinjëve. Kjo e bën të pamundur hyrjen në të. Zjarri i papritur i katër viteve më parë zhduku sende të rralla të hershme të banesës si dhe shkatërroi tavanet origjinale të ndërtuara në fillim të shekullit të kaluar. Ajo çka ka mbetur janë vetëm muret anësorë e qendrorë të banesës dhe premtimet e pambajtura për restaurimin dhe ringritjen e muzeut të disidentes Musine Kokalari.

Në shkurt të 2017-ës, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro në 100-vjetorin e lindjes se Musines Kokalarit, deklaroi se është bërë projekti për restaurimin e banesës nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, por ndonëse ka kaluar një vit e gjysmë asgjë nuk është bërë. (BalkanWeb) / KultPlis.com