Personalitetet që janë kthyer në imazhe të parasë shqiptare

Kartëmonedhat e një vendi janë pjesë e identitetit kombëtar të tij.

Në cilësinë e emetueses së vetme të monedhës dhe kartëmonedhës shqiptare, Banka e Shqipërisë ka përzgjedhur të ndjekë konceptin e pasqyrimit të epokave historike nëpërmjet paraqitjes së portreteve të personaliteteve simbol të tyre në serinë aktuale të kartëmonedhave.

Në broshurën e publikuar së fundi nga Banka e Shqipërisë prezantohen gjashtë personalitetet që janë kthyer në imazhe të parasë shqiptare, teksa shpjegohet edhe simbolika që shoqëron secilën prej kartëmonedhave aktualisht në qarkullim.

Seria aktuale e kartëmonedhave përfshin këto periudha:

Kartëmonedha 2000 Lekë përfaqëson periudhën ilire (portreti i Mbretit Ilir Gent)
Kartëmonedha 5000 Lekë përfaqëson periudhën e Skënderbeut (portreti i tij)
Kartëmonedha 1000 Lekë përfaqëson Mesjetën (portreti i Pjetër Bogdanit)
Kartëmonedha 200 Lekë përfaqëson Rilindjen (portreti i Naim Frashërit)
Kartëmonedha 500 Lekë përfaqëson Pavarësinë (portreti i Ismail Qemalit)
Kartëmonedha 10000 Lekë pasqyron simbolet e flamurit kombëtar dhe himnit (portreti i Asdrenit)

Historia e monedhës kombëtare shqiptare nis në një kohë me krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e konsistuar më 2 shtator të vitit 1925. Banka u krijua me nënshkrimin e konventës përkatëse midis grupit financiar italian, të kryesuar nga Mario Alberti, dhe Qeverisë së Ahmet Zogut.

Ndërsa për herë të parë, Shqipëria pati një institucion të bankës qendrore në vitin 1913, si rezultat i marrëveshjes së Qeverisë së Ismail Qemalit./ KultPlus.com

Banka e Shqipërisë hedh në qarkullim dy kartëmonedha të reja

Nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë, është bërë me dije se gjatë javës së ardhshme, në 15 qershor 2021, ora 11:00, në ambientet e Bankës së Shqipërisë do të organizohet prezantimi i dy prerjeve të radhës së serisë së re të kartëmonedhës shqiptare, përkatësisht 1.000 Lekë dhe 10.000 Lekë.

Risi do të jetë kartëmonedha 10.000 lekë e cila nuk është përdorur më parë në vendin tonë. përcjell KultPlus.

Nga 30 shtatori i vitit 2019 në vend u hodh në treg kartëmonedha me vlerë 200 dhe 5000 lekë, ndërsa kartëmonedha me vlerë 2000 lekë pritet të hidhet në qarkullim gjithashtu përgjatë vitit 2021.

Ndërkohë, kartëmonedha 500 Lekë pritet të hidhet në qarkullim duke filluar nga viti 2022. / KultPlus.com

Dy monedha numizmatike prej argjendi, në përkujtim të Ditës së Evropës

Banka e Shqipërisë ka publikuar sot, foto të 2 monedhave numizmatike prej argjendi, në përkujtim të Ditës së Europës.

Në vitin 2001, për të nderuar përpjekjet dhe aspiratat e vendit tonë në rrugën drejt familjes së përbashkët evropiane, Banka e Shqipërisë ka prodhuar 2 monedha numizmatike prej argjendi, me temën “Integrimi i Shqipërisë në Europë”.

Dita e Europës, e mbajtur çdo vit më 9 Maj, është caktuar nga Bashkimi Europian për të festuar paqen, prosperitetin dhe unitetin e arritur brenda Europës.

Data shënon përvjetorin e deklaratës historike të Schuman-it. Në vitin 1950, në një fjalim të mbajtur në Paris, Robert Schuman, ministri i Jashtëm francez, shpalosi idenë e tij për një formë të re bashkëpunimi politik në Europë, e cila do të shmangte luftën mes kombeve të saj. Vizioni i tij ishte krijimi i një institucioni europian që do të bashkonte dhe menaxhonte prodhimin e qymyrit dhe çelikut.

Traktati që krijoi një organizëm të tillë (Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut) u nënshkrua vetëm një vit më vonë, më 18 prill 1951, në Paris. Propozimi i Schuman-it konsiderohet të jetë gjeneza e atij që ne sot e njohim si Bashkimi Europian. / atsh/ KultPlus.com