Barbarët e historisë së kulturës kosovare (VIDEO)

Katër objekte shekullore që u bënë ballë luftërave, nuk i rezistuan edhe lirisë.

Në më pak se tetë muaj, katër ndërtesa të trashëgimisë kulturore u kapluan nga flakët, ani se që të gjitha ishin në mbrojtjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

E bashkë me to u dogj edhe një pjesë e rëndësishme e kulturës dhe historisë që mbartin ato me dekada të tëra.

Më 14 mars, në orët e hershme të mëngjesit, shkolla e parë shqipe në Ferizaj, apo ish-gjimnazi “Ismail Qemali”, u përfshi nga flakët.

Flakët e kapluan atë vetëm 24 orë nga koha kur edhe kishte nisur restaurimi i saj.

Dëmet ishin të mëdha, derisa kjo ishte hera e pestë e djegies së këtij institucioni historik arsimor.

Për këto zjarre që kapluan objektin e shkollës shqipe, u fol shumë e u aludua se ishin të qëllimshme. Madje sipas qytetarëve në Ferizaj, zjarrvëniet e 2017 e 2019 kishin cak shkatërrimin e objektit, por në mënyrë që në atë tokë të ndërtohen ndërtesa të larta.

Por edhe pse kanë kaluar kaq shumë muaj, ende nuk është arrestuar askush, megjithëse thuhet se zjarrin e shkaktoi një person me probleme psikike.

Pak muaj më vonë, në Gjakovë, një tjetër objekt historik pati fatin e shkollës së parë shqipe.

Muzeu i muzikës në Gjakovë, i vetmi i këtij lloji në rajon, u bë shkrumb e hi.

Intervenimet e shpejta të zjarrfikësve në natën e 30 gushtit, nuk arritën të shpëtonin asgjë. Objekti ishte i ndërtuar nga druri dhe kjo bëri që flakët të përpinin në pak minuta.

Fati tragjik i objekteve të vjetra, që janë kryesisht në zonat me interes të ndërtimit të lartë e preku edhe një objekt tjetër.

Pa kaluar dy muaj, Mitrovica u zgjua në flakë, shtëpia më e vjetër në këtë qytet, ajo e familjes Koroglu, u dogj e tëra.

Historia ishte pothuajse e njëjtë me atë të djegies së shkollës së parë shqipe në Ferizaj, edhe në objektin e familjes Koroglu kishin nisur punime për konservimin e saj, pasi nga lagështia shtëpia kishte humbur një pjesë të saj.

Flakët e 31 tetorit ishin të pamëshirshme.

Listës së ndërtesave të djegura të trashëgimisë kulturore në muajin shtator iu shtua edhe djegia e shtëpisë më të vjetër në Gjilan, e cila kishte 200 vjet qëndresë.

Edhe kjo shtëpi ishte në mbrojtje të përkohshme të Trashëgimisë Kulturore të Republikës së Kosovës dhe po ashtu u tha se shkaktar i zjarrit ishte njeriu.

Megjithatë, për krejt këto vepra që konsiderohen penale, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nuk është arrestuar ende askush.

E sipas të dhënave të Policisë së Kosovës edhe gjatë vitit të kaluar, katër monumente të tjera ishin cak i dëmtimeve e shkatërrimeve, nga persona të panjohur.

Ndërkaq, gjatë vitit 2021, ishin dy të tilla. /Klankosova.tv/KultPlus.com