Botohet “Distopia e Kadaresë” nga studiuesi Besnik Jaha

Bard Books sapo e ka botuar librin monografik për romanin “Pallati i Ëndrrave, “Distopia e Kadaresë”, të studiuesit Besnik Jaha.

Ag Apolloni librin “Distopia e Kadaresë” të Besnik Jahës e ka vlerësuar si monografinë më të plotë për kryereomanin distopik të shkrimtarit të njohur botëror.

“Duke pasur për objekt romanin alegorik Pallati i Ëndrrave, studiuesi Besnik Jaha ka lexuar paralelisht tekstin dhe kontekstin, e, gjithashtu, ka komentuar edhe interpretimet letrare dhe ideologjike që kanë bërë të tjerët për këtë roman”, ka thënë mes tjerash Apolloni.

Besnik Jaha (Prishtinë, 1988) ka kryer studimet baçelor dhe master për Letërsi Shqipe në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës, ku vazhdon edhe studimet e doktoratës. Ka botuar studime dhe artikuj të ndryshëm për letërsinë shqipe dhe atë botërore, si dhe hulumtime për fenomene të ndryshme nga fusha e gjuhës dhe e letërsisë. Nga viti 2020 është editor në revistën kulturore Symbol dhe në shtëpinë botuese Bard Books./ KultPlus.com

Romani “Klepsidra” i Danillo Kishit botohet për herë të parë me emrin e përkthyesit, Jusuf Gërvalla

Romani “Klepsidra” i Danillo Kishit, i përkthyer nga shkrimtari, muzikanti, aktivisti dhe atdhetari Jusuf Gërvalla (1943-1982), është botuar për herë të parë në Kosovë më 1977, por pa emër përkthyesi. Ndërkaq, tashmë vjen i botuar nga ‘BardBooks’ për herë të parë me emrin e përkthyesit, dyzet vjet pas vrasjes së tij nga Shërbimi Sekret Jugosllav, i njohur si UDB, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur shkrimtari i njohur Ag Apolloni i cili në këtë ditë ka përkujtuar Gërvallën. Ndërkaq, libri do të dalë nëpër librari nga fundi i muajit.

Kujtojmë se 17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë mizorisht vëllezërit Gërvalla është një datë e dhimbshme në historinë e shqiptarëve. Sot, shënohen 41 vjet nga vrasja e tyre.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Apollonit:

Një roman i përkthyer nga Jusuf Gërvalla, i cili u vra më 17 janar 1982
Romani “Klepsidra” i Danillo Kishit, i përkthyer nga shkrimtari, muzikanti, aktivisti dhe atdhetari Jusuf Gërvalla (1943-1982), është botuar për herë të parë në Kosovë më 1977, por pa emër përkthyesi. Kjo është hera e parë që botohet me emrin e përkthyesit, dyzet vjet pas vrasjes së tij nga Shërbimi Sekret Jugosllav, i njohur si UDB.
Për arsye teknike, libri do të dalë nëpër librari nga fundi i muajit. Falënderoj tre anëtarët e Bard Books për punën e zellshme në përgatitjen e këtij libri: Mirjetë Sadikun, që e ka transkriptuar e korrektuar, Eronita Kqikun që e ka redaktuar, dhe Liridon Zekajn që e ka konceptuar dhe dizajnuar.
Shtëpia botuese Bard Books, gjithashtu ka botuar librin “Mansarda” të Danillo Kishit, dhe do të vazhdojë t’i botojë edhe veprat e tjera të këtij autori jugosllav me prejardhje hebreje, vepra e të cilit është vlerësuar lart nga Milan Kundera, Philip Roth, Susan Sontag etj.
Gjithashtu, për disa sqarime mbi përkthyesin, falënderoj zonjën Suzana Gërvalla./ KultPlus.com

Botohen tre libra nga shtëpia botuese ‘Bard Books’

Shtëpia botuese ‘Bard Books’ ka botuar librat ‘Zoti në Kinema’, të shkrimtarit Dritan Dragusha, ‘Metamorfoza e Autorit’ e shkrimtares Orjela Stafasani, si dhe përkthimin e librit ‘Hyrje në metodën e Leonardo da Vinçit’ i shkrimtarit, studiuesit dhe filozofit Paul Valery, shkruan KultPlus.

Një libër për Zotin dhe filmat

Libri Zoti në kinema i autorit Dritan Dragusha, vjen si një koleksion esesh mbi filmat që trajtojnë problemin e Zotit dhe të religjionit. Në të trajtohen momente kinematografike nga filmat e Bergmanit, Scorseses, Costa-Gavras, Meirelles etj. Në një shënim për librin, Ag Apolloni thotë: “Libri Zoti në kinema vjen me një titull goditës. Vetëm në dukje është efektiv, pasi në analizat, përqasjet, komentet, reflektimet e tij, Dragusha e tejkalon diskursin gazetaresk dhe strehohet aty ku ndihet rehat: në filozofi. Filozofia është pika e pozicionimit të tij, kinematografia është ekrani përballë tij, ndërsa mediat i përdor për t’i ruajtur ca lidhje me realitetin aktual, por edhe për ta shtuar dozën e qasjes spektrale. Eseja e parë dhe disa ese për filma që trajtojnë në mënyrë specifike relacionin me Zotin, janë ato që i japin formën librit, i cili qëllimisht, për çështje larmie, nganjëherë e tejkalon temën e premtuar në titull. Meqenëse Zoti në shkrimet e Dritanit është temë e përhershme dhe problem i pashmangshëm, ai s’kishte si të mungonte edhe në krye të titullit të librit të tij të parë. Këta dy kanë çfarë të thonë për njëri-tjetrin, kanë një histori të gjatë (mos)marrëveshjeje. Përderisa i pari (Zoti) ka vendosur të heshtë, i dyti (Dritani) ka vendosur të flasë. Dhe ky është vetëm fillimi”.

Dritan Dragusha ka përfunduar studimet për filozofi në Universitetin e Prishtinës. Ka publikuar shkrime nëpër revista të ndryshme shkencore. Është redaktor në revistën kulturore Symbol. Gjithashtu, bashkëpunon me disa portale, ka qenë një nga drejtuesit e emisionit Filozofema në RTK, kurse nga viti 2018 drejton emisionin Prizma në T7.

Një monografi për metamorfozën e një autori

Libri Metamorfoza e autorit është një studim analitik, komparativ dhe intertekstual i tre romaneve të Vath Koreshit: Haxhiu i Frakullës, Ulku dhe Uilli, Një grua me të verdha në pyllin e Buddha-s. Ky libër synon të kalojë nga një paraqitje gjenerale e krijimtarisë së Koreshit, në një analizë të detajuar të tre romaneve të sipërpërmendur. Krijimtaria e Vath Koreshit shtrihet në dy etapa të ndryshme politike (komunizëm – demokraci) dhe në dy etapa të ndryshme letrare (realizëm socialist – letërsi postkomuniste). “Qasja mbi romanin, si forma më e komplikuar dhe më e elaboruar e ligjërimit letrar, mbetet një ndër rrugët më të vështira të ndjekura nga një kritik a historian letërsie. Dhe Orjela Stafasani e përshkon me sukses këtë rrugë, duke përdorur të gjithë instrumentet e kësaj teknologjie të vështirë”, thotë studiuesi i artit dhe letërsisë, Stefan Çapaliku. Ndërsa studiuesi tjetër i letërsisë shqipe, Arben Prendi, e sheh këtë studim si një model të qasjes ndaj teksteve letrare: “Në këtë studim, përmes analizave dhe interpretimeve teoriko-kritike është bërë objekt vepra letrare e shkrimtarit Vath Koreshi në relacion me veten, me procesin letrar shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, por edhe me kryevepra letrare botërore. Në rrafshin e relacionit të kësaj vepre me veten, studiuesja arrin në përfundimin se arritjet më të rëndësishme letrare të autorit i gjejmë në romanet Haxhiu i Frakullës, Ulku dhe Uilli dhe Një grua me të verdha në pyllin e Buddha-s; në rrafshin e relacionit me procesin letrar shqiptar vihet në dukje se këto arritje përkojnë kryesisht me shkëputjen apo shmangien nga realizmi socialist; ndërsa në rrafshin e relacionit me kryevepra letrare botërore, kemi hapjen e kësaj vepre ndaj përvojave të letërsisë evropiane. Te kjo e fundit studiuesja ka parashtruar lidhjet e këtyre romaneve me elemente të letërsisë moderne dhe postmoderne, duke veçuar se romani Ulku dhe Uilli është romani më përfaqësues i këtij autori dhe një ndër përfaqësuesit e dukurisë postmoderne në romanin shqiptar të pas vitit 1990. Ndërkohë, duke u mbështetur në modelet e kritikës dhe teorive letrare moderne e postmoderne, studiuesja Orjela Stafasani na ka dhënë një vepër studimore me vlerë, veçanërisht sa i përket autorit të bërë objekt studimi, por edhe mënyrës se si mund t’i qasemi tashmë veprës letrare shqiptare duke u nisur së pari nga teksti letrar dhe vlera e tij e njëmendtë estetike. Në këtë studim përvijohen edhe veçori e tipare të vetë letërsisë shqiptare bashkëkohore”.

Orjela Stafasani është studiuese dhe përkthyese e letërsisë. Ka kryer studimet bachelor dhe master për letërsi në Universitetin e Tiranës, dhe studimet master për Projektim dhe Menaxhim të Multimedias për Komunikim në Universitetin e Torinos, në Itali. Në vitin 2018 ka doktoruar për letërsi në Akademinë e Studimeve Albanologjike, në Tiranë. Ka përkthyer në gjuhën shqipe vepra të shkrimtarëve të njohur botërorë si: Unamuno, Lorca, Pirandello, Pavese, Borges, Sabato, Vargas Llosa etj.

Një kryevepër studimore për kryemjeshtrin e pikturës

Libri Hyrje në metodën e Leonardo da Vinçit i shkrimtarit, studiuesit dhe filozofit Paul Valery është një nga studimet referenciale për të gjithë ata që interesohen për krijimtarinë e piktorit më të madh të të gjitha kohëve. “I frymëzuar nga pikturat e Da Vinçit, Valery e përshkroi atë si përbindësh të lirisë së pastër”, thotë Maurice-Merleau Ponty. Ndërsa filozofi rumun Emil Cioran e sheh këtë studim si rezultat të perfeksionit: “Hyrje në metodën e Leonardo da Vinçit, që daton më 1894, provon se në fillimet e veta, Valery ishte perfekt dhe i pjekur si shkrimtar. Dhe si të gjitha mendjet perfekte, ishte i kufizuar në disa tema, nga të cilat nuk hiqte dorë. Ndoshta ngaqë ishte në konflikt me vetveten, me kufijtë e tij aq të dukshëm, ishte i kapluar nga fenomeni i një mendjeje universale, nga gjasa e mezidallueshme për një shumësi talentesh që lulëzojnë pa dëmtuar njëri-tjetrin dhe pa u penguar mes vete. S’kishte si të mos puqej me Leonardon”. Në një shënim që bën Ag Apolloni për këtë libër, nënvizon kujdesin e Valerysë ndaj gjuhës dhe terminologjisë, duke e parë hulumtimin si një formë të mëkatimit të domosdoshëm: “Titulli i këtij studimi ndalet te hyrja për ta paralajmëruar metodën. Pse nuk quhet thjesht Metoda e Da Vinçit? Sepse e ka shkruar gramaticieni më i kujdesshëm i gjuhës frënge, Paul Valery. Metoda nënkupton udhën dhe cakun, ndërsa ky studim vetëm bën me gisht shtegun. Në rregull, kjo mund të jetë edhe rezultat i një modestie të tepruar të Valerysë, i cili sikur kërkon falje për shpjegimin e aktit kreativ të piktorit të tij të preferuar. Prandaj, me stilin e tij tipik thotë: kam frikë se kjo mund të shpjegohet. Është hera e parë që një studiues e ndien erën e mëkatit përtej vellos misterioze”.

Paul Valéry (1871-1945), shkrimtar dhe filozof francez, ka shkruar vepra të zhanreve të ndryshme, që kanë ushtruar ndikim te shumë shkrimtarë dhe intelektualë të mëvonshëm. Njihet për poezinë simboliste, për stilin e rafinuar, esetë filozofike dhe romanet Zoti Teste dhe Varreza detare. Studimi Hyrje në metodën e Leonardo da Vinçit është një libër ku kombinohen piktura, arkitektura, matematika, mekanika e fizika, dhe strukturohet si një skicë e filozofisë dhe estetikës së tij. Këtë libër në gjuhën shqipe e ka sjellë përkthyesi Belgzim Kamberi./  KultPlus.com