Gëzim Myshketa me dedikim emocionues pas “Ta zbardhi ftyrën”: Unë nuk kam lindur në Prishtinë, ama këtu mu duk se rilinda

Edicioni i pestë i mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” këtë vit u shënua me baritonin Gëzim Myshketa, mbrëmje kjo që dhuroi tejet emocion e që po vazhdon edhe më tej.

Tejet i emocionuar nga kjo mbrëmje ka mbetur edhe baritoni Gëzim Myshketa i cili sot i ka dedikuar një shkrim në shenjë falënderimi, organizatorëve të këtij eventi KultPlus-it dhe themelueses Ardianë Pajaziti.

Myshketa është shprehur se në këtë mbrëmje është rilindur shpirtërisht dhe ka ndjerë një dashuri të pakusht.

Ai gjithashtu është shprehur se popullin e Kosovës e do pa patriotizëm të kotë e të pa vend.

Ky është postimi i plotë i baritonit Myshketa:

Katër Ungjijtë e shenjtë dekretojnë :

“nemo propheta in patria” – “askush nuk është profet në vendin e tij”…

Nuk ndodh gjithnjë kështu ose të paktën jo kështu ( krejtësisht ) …

Unë nuk kam lindur në Prishtinë por në Durrës… ama këtu mu duk se rilinda!!!

Rilinda shpirtërisht e gjithë zymtësia e javëve të fundit jetese “në botën e pasur e të përparuar“ u venit.

U rilinda me shpresë e vrull të ri nga një dashuri e dëshiruar e pakufijtë e sinqertë…

Ndjeva të më duan aq shumë deri “siklet” , një “siklet” i ëmbël …privilegjues…

Ju dua populli im i Kosovës , i Prishtinës!

Ju dua pa patriotizëm të kotë e të pa vend!

Ju dua thjesht se më deshët!

Ju dua se emocionin që zinte fill nga gryka ime drejt jush ma keni kthyer 100 fish në kohë reale përgjatë të gjithë mbrëmjes e më pas, e tani , e nesër akoma.

Ju dua se po ndërtoni me shumë sakrifica të ardhmen TUAJ , ndaj mos kini asnjë shenjë të zbehtë ngurrimi a inferioriteti ndaj askujt !!! Jeni më të mirë e keni më shumë vlera se mjaft popuj të cilët “lluksin” e lirisë e kanë të tyrin prej shekujsh…

I Falem Nderit që më bëtë: KultPlus.com
Ardianë Pajaziti, Kult Plus, Lule Elezi, Elikona Hysaj Shala, Meriton Ferizi, Arsim Halili, Fëllënza Citaku!!!

Flm maestro LULE ELEZI.

Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës
Radion Televizioni i Kosovës- RTK
Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Emocion, bashkëbisedim dhe performancë nesër te “Ta zbardhi ftyrën” me Gëzim Myshketën

Pas katër edicioneve të suksesshme, KultPlus nesër po sjellë edicionin e pestë me radhë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”.

“Ta zbardhi ftyrën” është një prej ngjarjeve më të bukura që përjetohen në kryeqytetin e Kosovës pasi që deri më tani ka arritur të sjell emra të mëdhenj të artit shqiptar të cilët kanë dhuruar emocione të forta e kanë rrëfyer histori të padëgjuara më herët.

Pas katër edicioneve të suksesshme me artistë që kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare, si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli dhe Gjon’s Tears, këtë vit vjen baritoni i famshëm shqiptar, Gëzim Myshketa.

Emocion, bashkëbisedim dhe performancë ju pret në këtë mbrëmje të veçantë, ku baritoni Myshketa, do të shoqërohet nga pianistja e mirënjohur Lule Elezi.

Perlat shqiptare do të ju rrëqethin gjatë kësaj mbrëmje e për t’i dhënë edhe më shumë madhështi, në skenë do të ngjitet edhe grupi i fëmijëve “Okarina” të cilët do të këndojnë bashkë me baritonin Myshketa.

Kjo mbrëmje ka sponsor medial Radio Televizionin Publik të Kosovës dhe do të transmetohet direkt prej orës 20:10 minuta.

“Ta zbardhi ftyrën” vjen nesër, më datë 7 dhjetor 2022, në ora 19:30 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

Hyrja do të jetë e lirë, por për të rezervuar vendin tuaj, ju lutem shkruani në emailin [email protected] pasi vendet janë të limituara.

Edicioni i sivjetmë i “Ta zbardhi ftyrën” mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

“Ramë Lahaj & Friends” mblodhi mbrëmë yjet e mëdhenj botërorë për të përthekuar magjishëm edicionin e dytë të RLIOF

Uranik Emini

Opera ka pësuar ndryshime të vazhdueshme nëpër vite, që nga krijimi i saj në shekullin e 16-të, duke arritur që të bëhet një stil gjithëpërfshirës i artit të cilin e njohim sot. Teksti, i njohur sikurse “libretto”, muzika, këndimi dhe vënia në skenë janë disa prej pjesëve thelbësorë të një opere. Të gjitha këto u vënë bashkë në mënyrë magjike për të shpalosur madhështinë e edicionit të dytë të “Rame Lahaj Opera Music Festiva”, shkruan KultPlus.

Në opera përshkruhen të gjitha ndjenjat njerëzore. Tre temat kryesore të saj janë shpesh dashuria, tragjedia dhe vdekja. Njerëzit ndeshen me rrethana të jashtëzakonshme dhe tërhiqen nga emocionet e tyre të shtuara, shpesh të ndarë midis impulseve dhe detyrimeve të tyre. Të gjitha ekstremet janë të mundshme, duke përfshirë dashurinë me shikim të parë, vetëmohimin, magjepsjen, trimërinë, vetëvrasjen dhe vrasjen. Disa personazhe ndëshkohen për veprimet e tyre, ndërsa të tjerë gjejnë falje ose pendohen dhe herë pas here arrihet një përfundim i lumtur!

Mbrëmë në sheshin “Skënderbeu”, fundi, përveç gëzimit, i mërziti të pranishmit që po shijonin këtë festival të Rame Lahajt, i cili kishte mbledhur miqtë e tij me famë botërore, për t’i sjellë në Kosovë dhe për t’u dëshmuar se Kosova ka një histori të jashtëzakonshme.

© Arben Llapashtica

I pari për të hapur këtë mbrëmje padyshim që ishte Lahaj, i cili mes tjerash u uroi mirëseardhje të pranishmëve, të cilin ishin në numër të madh.

“Ju falënderoj shumë të gjithëve që keni ndarë kohë për të ardhur këtu dhe për të shijuar këtë ambient. Dua të them se kjo do të ishte e pamundshme pa miqtë e mij, të cilën e bënë të mundur këtë festival. Kemi soprano që kanë udhëtuar 15-16 orë për të ardhur në Kosovë dhe për të performuar këtu. Ndërkaq, planet kanë ndryshuar dhe ka pësuar ndryshim edhe pjesa e performancave”, thotë Lahaj, duke shpjeguar se sopranoja Pretty Yende ka ardhur si rezultat i infektimit me COVID-19 të yllit, Angela Gheorghiu.

Lidhjet e hershme të karrierës mund të jenë përcaktuese për jetën.

“Ramë Lahaj & Friends” mblodhi yjet e mëdha botërore duke filluar nga sopranot e famshëm: Pretty Yende, Anna Bondarenko, Maestro Jean Bernard Thomas, ndërsa Franco Vassallo si bariton, të gjithë të udhëhequr nga dirigjenti dhe miku i kahmotshëm i Ramës, Valerio Galli.

Dirigjenti Maestro Valerio Galli shfrytëzoi fuqinë e tij të jashtëzakonshme sugjestive të muzikës për të hapur në mënyrë të suksesshme natën Gala dhe për të krijuar në anën tjetër atmosferë të veçantë me veprën “Nabucco”, në koordinim total me Filharmoninë e Kosovës, për të cilët Rama ishte shumë falënderues.

© Arben Llapashtica

“Përtej universit”

Mehmet Murat Ildan ka thënë se nëse doni të përjetoni diçka përtej universit, duhet të shkoni në opera. E këtë për publikun e solli tenori tanimë me famë botërore, Rame Lahaj, me veprën “La Boeheme”, duke shprehur emocione të papërshkrueshme dhe portretizimin total të karakterit të tij.

© Arben Llapashtica

Zë unik e paraqitje briliante

Radhën për të ngjitur skenën e kishte Pretty Yende, një mike e cila ishte e pranishme për Ramen në momentin kur ky kishte më së shumti nevojë. Paraqitja e saj ishte briliante dhe kaloi pritshmërinë e të gjithëve, me ç ‘rast u përcoll me shumë duartrokitje.

© Arben Llapashtica

Forma e artit total

Pas disa veprave solo, Franco Vassallo me Rame Lahaj, bashkuan aftësitë dhe ekspertizën e tyre për të krijuar formën e artit total, ashtu siç edhe përshkruhet shpesh herë opera.

“Nexhmija e madhe”

Që kur ka filluar karrierën e saj muzikore, Erza Muqolli ka pasur përkrahje të vazhdueshme nga tenori Lahaj. Këtë gjë e ka dëshmuar edhe në koncertin e parë, atëherë kur Muqolli ishte prezente. Gjatë prezantimeve të shkurtëra të cilat Lahaj i bënte për njerëzit që po performonin, ai tha për Erzën se është “Nexhmija e madhe”. Të dy performuan bashkë këngën “O moj bukuroshe”.

Opera është në thelb një lloj tregimi vokal dhe muzikor.

Sopranoja nga Ukraina, Anna Bondarenko rrënqethi publikun e pranishëm me performancën e saj. Opera, në thelbin e saj, është një mënyrë për të treguar një histori përmes muzikës dhe këndimit.

Fotografi nga profili i Përparim Ramës

Qershia mbi tortë

Bashkëpunimi i Korit të Zërave të Bardhë “Okarina” dhe Rame Lahajt, të cilët njëzëri performuan këngën “O moj e bukura Arbëri”, ishte pikërisht ajo që i dha kësaj mbrëmje bukurinë dhe shkëlqimin e duhur.

Fotografi nga profili i Përparim Ramës

Lulëzimi përfundimtar

Për të mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme, Rame Lahaj ftojë të gjithë miqtë në skenë dhe të gjithë bashkë e dërguan publikun nga realiteti i përditshëm në një botë e në një dimension tjetër, ku muzika dominon.

***

Në një prononcim për KultPlus, Maestro Jean Bernard Thomas, njoftoi se është hera e parë që po vjen në Kosovë dhe është i lumtur e i befasuar nga numri i talentëve që Kosova ka.

“Jam shumë i befasuar dhe i lumtur që Kosova ka kaq shumë talentë, unë kalova disa ditë me ta dhe u befasova. Shpresoj që një ditë të kthehem dhe të jap edhe më shumë kontributin tim”.

Janë bërë shumë vite që punojmë bashkë me Ramen, mund të them që ne punojmë çdo ditë përkundër faktit që nuk jemi afër me njëri tjetrin. E bëjmë këtë gjë, çdo ditë përmes rrjeteve sociale. Ju duhet të mësoni çdo ditë dhe të mos ndaleni asnjëherë.

Thomas u befasua nga mikpritja e njerëzve në Kosovë dhe njoftoi se do të flas për Kosovën vazhdimisht, kudo që të jetë.

“Njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe të mirë këtu, është e jashtëzakonshme se sa të thjesht janë njerëzit këtu. Ejani në Kosovë. Ata janë njerëz të hapur dhe të sjellshëm. Janë njerëzit më të mirë që i kam parë ndonjëherë në jetën time sa i përket sjelljes. Njerëzit këtu duan të bëjnë diçka, duan të bëhen dikush dhe kjo gjë më lumturon mua. Tani unë do të flas për Kosovën ngado që të shkoj”/

Fotografi nga profili i Përparim Ramës

Anna dhe Ninna Krasniqi, anëtaret e korit “Okarina” u shfaqën teper të lumtura pas koncertit.

“Ishte një ndjenjë e mrekullueshme. Të performojmë bashkë me një emër sikurse Rame Lahaj është gëzim i madh dhe shpresojmë që të vazhdojmë sukseset tona”.

FOTO: KultPlus

Ndërkaq, edhe e pranishme në këtë mbrëmje ishte edhe sopranoja Marigona Qerkezi, tha për KultPlus se ishte me të vërtet një mbrëmje magjike.

“U kënaqëm sonte dhe me të vërtet ishte një natë magjike. I përgëzoj të gjithë organizatorët, me Ramën në krye, i uroj një jetëgjatësi festivalit me suksese të njëjta dhe më të mëdha se ky. Festivalet e tilla i duhen edhe më shumë Kosovë”, tha Qerkezi, duke shtuar edhe një herë pjesën se gjithçka ishte e mrekullueshme.

Opera ofron një përvojë të përbashkët, multikulturore dhe magjepsëse që bashkon artin me virtuozitetin, fuqinë, epikën dhe personalen, derisa ajo vazhdimisht po e ripërcakton veten si “ekspozita” më e madhe në botë e arteve interpretuese e potencialit njerëzor. /KultPlus.com

Fotografi nga profili i Përparim Ramës

Kur Avni Mula i këndonte Valësit të Lumturisë (VIDEO)

Avni Mula ishte ndër kompozitorët më të shquar shqiptar, shkruan KultPlus.

‘Gjigandi jonë fluturoi në Valsin e Perjetësisë!
Për një përshendetje me dorë në zemër, homazhet kryen nesër, 30 tetor, ora 11:00-13:00 në hollin e Universitetit të Arteve, Tiranë.
Avni Mula 04.01.1928 – 29.10.2020
‘, shkruajti dikur Inva Mula.

Ai ishte një nga figurat më të rëndësishme të historisë së teatrit operistik shqiptar. Një kontribut të veçantë ai e ka dhënë edhe në fushën e kompozicionit.

Është e njohur kënga e tij “Valsi i lumturisë”, të cilën KultPlus e sjell sonte.

Ndër interpretimet e spikatura në karrierën e tij mund të përmëndim ato në operat Mrika, Skënderbeu, Pranvera, Lulja e kujtimit, Heroina, Komisari, Jolanda, Berberi i Seviljes, La Traviata, Rigoleto, Kavaleria Rustikana, Karmen, Peshkatarët e perlave, La Boheme, Le nozze di Figaro, Simfonia IX e Bethovenit etj. / KultPlus.com

Një vit nga vdekja e kompozitorit dhe baritonit të shquar shqiptar, Avni Mula

Sot shënohet një vit nga vdekja e kompozitorit dhe baritonit të mirënjohur shqiptar, Avni Mula, shkruan KultPlus.

Ai ishte një nga figurat më të rëndësishme të historisë së teatrit operistik shqiptar. Një kontribut të veçantë ai e ka dhënë edhe në fushën e kompozicionit.

Është e njohur kënga e tij “Valsi I lumturisë”.

Ndër interpretimet e spikatura në karrierën e tij mund të përmëndim ato në operat Mrika, Skënderbeu, Pranvera, Lulja e kujtimit, Heroina, Komisari, Jolanda, Berberi i Seviljes, La Traviata, Rigoleto, Kavaleria Rustikana, Karmen, Peshkatarët e perlave, La Boheme, Le nozze di Figaro, Simfonia IX e Bethovenit etj. / KultPlus.com

Gazeta e famshme italiane “La Stampa” shkruan për Gëzim Myshketan, e quan “bariton të jashtëzankonshëm”

Këngëtari i njohur shqiptar Gëzim Myshketa, i cili ka korrur mjaft suksese dhe ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj dirigjentësh si Bruno Aprea, Fasolis Diego, Daniel Oren, Dante Ferretti, e të tjerë, sot ka zënë vend në faqen e gazetës së famshme italiane “La Stampa” e cila i ka kushtuar artikull të veçantë Myshtekës, e veç tjerash atë e ka cilësuar si “bariton të jashtëzakonshëm” /KultPlus