Botohet në italisht, me titullin “La guerra di Scutari – da un manoscritto sconosciuto di Marino Barlezio” (“Lufta e Shkodrës – nga një dorëshkrim i panjohur i Marin Barletit”), dalë më parë në shqip, me titullin “Barleti i hershëm”, sipas një dorëshkrimi të panjohur të Marin Barletit.
Akademia e Shkencave bën me dije se mundësoi daljen në dritë të kësaj vepre edhe në gjuhën italiane, nismë dhe projekt i “Njësisë së kërkim-studimit për arbëreshët, arvanitët dhe arbneshët” që funksionon pranë saj dhe kryesohet nga akademikët Francesco Altimari e Matteo Mandalà.
Dorëshkrimi i panjohur i Barletit (variant i mëhershëm se teksti që përmban vepra “Rrethimi i Shkodrës”), u zbulua nga prof. dr. Aurel Plasari në Bibliotekën e Parisit. Studimi hyrës u realizua nga prof. dr. Lucia Nadin. Botimi i plotë, që përfshin edhe riprodhimin anastatik të dorëshkrimit, përveç përkujdesjes kritike-filologjike, u përgatit nga dy autorët Nadin e Plasari. Po ashtu dhe pajisja me shenjime të natyrës historiografike, gjuhësore dhe kulturore.
Parathënia është shkruar nga Matteo Mandalà dhe ent botues në Itali është e mirënjohura “Viella”.
Me botimin e këtij dorëshkrimi autograf të Marin Barletit zgjidhet përfundimisht problemi i autorësisë së veprës “Rrethimi i Shkodrës”, çështje e hapur dhe e mbetur pezull në diskutime shkencore albanologjike prej më shumë se një shekulli.
Botimi kontribuon për zgjerimin e bibliografisë së literaturës për Shqipërinë dhe shqiptarët në bibliotekat dhe burimet albanologjike europiane. Shekujt e humanizmit europian dhe të qendresës antiosmane në këtë anë të Adriatikut gjejnë një tjetër referencë të re themelore./atsh/KultPlus.com
Historiani i shquar Marin Barleti, njihet si figura më e madhe e lëvizjes së humanistëve shqiptarë të shekujve XV-XVI. Ai lindi rreth vitit 1460 në Shkodër. Fare i ri, më 1478, mori pjesë me armë në luftën për mbrojtjen e qytetit të lindjes nga rrethimi i forcave osmane.
Heroizmi i bashkatdhetarëve i mbeti në sy e në mendje, derisa e përjetësoi në veprat e tij historike kushtuar luftrave për të mbrojtur atdheun “nga kujtimi i të cilit,- shkruan ai,- tani përtërihem si për mrekulli, por edhe për të cilin s’mund të shkruaj pa lot në sy”.
Rënia e Shkodrës, që ishte një nga kalatë e fundit të qëndresës shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut, e detyroi Barletin, si shumë të tjerë, të mërgonte në Venedik më 1504. Por vepra që i dha emër Barletit në kulturën shqiptare dhe në botë ishte “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, shkruar në latinisht dhe e botuar në Romë, rreth viteve 1508-1510.
Kjo vepër në kohën e vet u ribotua latisht tri herë, u përkthye në shumë gjuhë evropiane dhe u bë burim i një literature të gjerë për heroin tonë kombëtar, të shkruar në gjuhë të ndryshme të botës, që nga italishtja, spanjishtja, rusishtja, frengjishtja, greqishtja e deri në japonisht. F.S.Noli ka shkruar me të drejtë, se vepra e Barletit “fitoi këndonjës anembanë botës dhe e bëri të pavdekshëm kujtimin e Skënderbeut në Evropë”.
Më poshtë, sjellim të shkëputur prej saj, një fragment ku Barleti përshkruan Himarën dhe shqiptarët e kësaj krahine:
“Ata janë të siguruar vetëm me mbrojtjen natyrore të vendit; aty s’ka bërë gjë dora apo mjeshtria e njeriut. Ata i kanë përbuzur gjithmonë me sukses turqit e harbuar pas nënshtrimit të Epirit me vdekjen e Skënderbeut dhe kanë jetuar gjer në atë kohë, pa e njohur sundimin e huaj, me njëfarë lirie të pashoqe të natyrës.”
Marin Barleti, “Historia e Skënderbeut”/ KultPlus.com
Më 10 janar 1504 në Venedik u botua latinisht vepra e Marin Barletit, “De obsidione Scodrensi”- “Rrethimi i Shkodrës”, një nga veprat më të njohura historike që bëri të njohur luftën e shqiptarëve kundër perandorisë osmane në mesjetë.
I mbështetur në kujtimet e veta, si dhe të pjesëmarrësve të tjerë në ngjarjet që rrëfen, Barleti ia kushton librin jetës politike e ushtarake gjatë rrethimit të dytë të Shkodrës, më 1478.
Vepra “De obsidione Scodrensi”- “Rrethimi i Shkodrës“, është e ndarë në tre kapituj, aspo siç quheshin pas zakonit të shkrimtarëve antikë, në tre libra. Në librin e parë kemi parathënien, kushtuar dukës së Venedikut Leonard Loredano, ndërsa më pas bën fjalë për prejardhjen e turqve, deri me pushtimin e Konstantinopojës me 1453 dhe mbaron me shënimet historike rreth Shkodrës dhe përshkrimin e pozitës së saj.
Libri i dytë është më voluminozi apo më mirë të themi pjesa qendrore, mbi rrethimin e Shkodrës në vitin 1474 dhe 1478, ku përshkruhen operacionet e rrethimit, sulmet, dhe mbrojtja heroike e Kalasë nga shqiptarët. Ndërsa në fund, në librin e tretë, prezantohen në formë të sintezës ngjarjet e rrethimit të Shkodrës, si dhe dorëzimin e saj nga ana e venedikasve përfaqësuesve të Perandorisë Osmane.
Duke lexuar veprën “De obsidione Scodrensi” – “Rrethimi i Shkodrës”, del qartë se autori ka marrë shënime në formë ditari, edhe pse si i tillë nuk na paraqitet në libër.
Por, nëse në rrethimin e parë ishte dëshmitarë okular, në ate të dytin merr pjesë aktive si bashkëluftëtar në mbrojtjen e saj. Si e tillë kjo vepër është përgatitur për një kohë të gjatë, si vëzhgues okular, por edhe në saje të kujtimeve të bashkëvendasve të tij pasi u vendosen në Venedik, ku përfundimisht u botua në vitin 1504.
Edhe pse autori ishte prift, ai na rrëfen ngjarjet e rrethimit të Shkodrës, si rrallë kush deri më tash. Madje, ky botim është informacioni i vetëm dhe autentik i këtyre ngjarjeve deri më tash. Në libër prezantohen të dhëna të mjaftueshme për rrethimin e këtij qyteti nga Perandoria Osmane, municionet e përdorura, luftimet, vrasjet, krimet dhe heroizmin e shkodraneve në mbrojtje të Kalasë së Rozafatit.
Ajo u mbrojt me dinjitet, sakrificë e ndjenjë fetare dhe kombëtare. Ajo ishte kështjellë e pamposhtuar e krenarisë kombëtare, ku nuk mundi ta pushtojë as sulltani ma famëkeq i kohës më ushtrinë dhe artilerinë ma të madhe të kohës. Ajo iu dorëzua Perandorisë nga ana e Venedikut në sajë të marrëveshjes së arritur në janar të vitit 1479.
Pasojat e dorëzimit të Shkodrës, janë të njohura për opinionin, sepse me dorëzimin e saj së bashku me venedikasit u largua edhe paria e Shkodrës, ku llogaritet se në drejtim të Venedikut shkoj edhe pjesa dërrmuese e popullsisë së qytetit.
Me heroizmin e treguar Shkodra mbeti lavdia e shqiptarëve dhe pengesa e osmanlinjve në drejtim të Perëndimit. Lufta që zhvilluan shkodranet nuk ishte vetëm një luftë e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj, por kishte përmasat më të gjëra sepse ajo njëherit ishte një luftë e krishterëve kundër turqve myslimanë.
Marin Barleti, prift katolik, historian, shkrimtar e patriot shqiptar i kohës së humanizmit, botës kulturore i ka dhuruar një vepër më vlerë të jashtëzakonshme për historinë e popullit shqiptar në njërën prej kohëve më të vështira e të errëta të historisë që ka përjetuar.
Së bashku me kujtimin e luftës heroike në mbrojtje të Shkodrës, vepra e tij është dëshmi autentike e luftës heroike të popullit shqiptar për liri dhe si e tillë është vepër tejet e rëndësishme e historiografisë shqiptare në shek. XV.
E kujtojmë se vepra “Rrethimi i Shkodrës” e Marin Barletit, është shkruar në latinisht (De obsidione Scodrensi) dhe u botua për herë të parë në Venedik më 1504, pothuajse 100 vjet pas lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Veprën e përktheu në shqip për herë të parë studiuesi i shquar Henrik Lacaj më 1962, në përvjetorin e 50-të të Pavarësisë së Shqipërisë. Më vonë është ribotuar në gjuhën shqipe shtëpia botuese Onfuri më 2012, duke u mundësuar lexuesve shqiptarë për ta njohur përmes saj historinë e vendit e vlerat e kombit shqiptar.
Mbi librin
Është viti 1478. Evropa po sulmohet. Dhjetë vjet pas vdekjes së Skënderbeut, shqiptarët dhe venedikasit vazhdojnë t’u rezistojnë osmanëve, duke mbrojtur atdheun e tyre dhe duke i dhënë kohë Evropës Perëndimore për t’u përgatitur për sulmin e pashmangshëm. Historia botërore e ka anashkaluar mjaft heroizmin e shqiptarëve dhe faktin që ata u bënë pengesë dhe i vonuan osmanët në synimin e tyre për të pushtuar gjithë Europën. Marin Barleti i jep, pra, botës një rrëfim të drejtpërdrejtë heroizmi përballë një pushtimi mizor: burra të thjeshtë e gra që luftojnë për familjet, për tokën dhe besimin e tyre.
Shikoni nga bedenat e kështjellës hordhitë osmane që zbardhin fushat përreth me çadra e ushtarë. Mësoni se si ishin përgatitur jeniçerët e se si topat bombardues u futën në historinë e luftërave. Mrekullohuni duke lexuar se si një grusht luftëtarësh i thyen sulmet e egra të qindra e mijëra ushtarëve turq.
Sulltani i mundur detyrohet të tërhiqet, por Shkodrën e mban të rrethuar derisa në fund, senati venedikas ia dorëzon atij si një ultimatum paqeje. Atëherë, shkodranët, të zhgënjyer, zgjedhin mërgimin, për të mos u dorëzuar dhe lundrojnë përmes Adriatikutm për në portet e sigurta të Venedikut.
Marin Barletit, siç mund të kuptohet lehtë, i duhej të shkruante në latinisht, sepse vepra duhej të qarkullonte dhe të njihej nëpër Europë. Ashtu siç edhe ndodhi, pasi pas botimit më 1504 në Venedik, u rishtyp disa herë në Zvicër (1556), Gjermani (1578 dhe 1596). Pas botimeve në latinisht do të vijnë përkthimet në italisht (1565), polonisht (1569), frëngjisht (1576).
Mbi autorin
Dom Marin Barleti (rreth 1450 – 1512), i njohur edhe si Dom Marinus Barletius, çmohet si historiani i parë shqiptar. Prift katolik dhe qytetar i Shkodrës, ai qe dëshmitar e luftëtar në dy rrethime osmane të këtij qyteti. Kur Venediku, së fundmi, ua dorëzoi Shkodrën osmanëve, si shumë bashkatdhetarë të tjerë të rinj, ai emigroi në Itali. U vendos në Padova e në këtë dioqezë kishtare, Dom Marin Barleti, apo Barleci, shërbeu i prift famullitarë e më vonë, si rektor i Kishës së Shën Shtjefnit.
Megjithëse “Rrethimi i Shkodrës” ishte vepra e tij e parë, ai njihet më shumë për veprën e tij të dytë “Historia e Skënderbeut”. Barleti tërhoqi vëmendjen e lexuesit europian të shekullit XVI, i cili me turqit në portat e Vjenës më 1529, po shqetësohej gjithnjë e më shumë për mundësinë e pushtimit të të gjithë Europës Perëndimore nga osmanët. / KultPlus.com