(Adil Olluri “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, Parnas, Prishtinë, 2015)
Shkruan Izet Abdyli.
Udhëtim përditshëm me tren të jep komoditetin të soditësh peizazhet e bukura të natyrës që shtrihen në të dy anët e hekurudhës, por edhe të meditosh e t’i hapësh rrugë imagjinatës duke nxjerr ndonjë varg të bukur poezie. Herë-herë ke mundësinë të lexosh ndonjë libër dhe koha prej 35 minutave sa zgjatë udhëtimi në relacionin Drenas-Prishtinë ose anasjelltas, ikën saora. Kështu më iku edhe mua kjo javë duke lexuar romanin “Bartësi i shpirtrave të përzënë” të shkrimtarit Adil Olluri. Madje si për koincidencë leximi në tren korrespondon me ngjarjet e romanit të cilat zhvillohen në tren. Por ka dallimi “treni i Ollurit” dhe “treni im”. Përderisa “treni i Ollurit” bartë njerëz të frikësuar, me fytyra të ngrysura, me fëmijë e gra në buzavajë e burra që orë e çast mund të rrëmbehen nga njerëzit e zinj e me një rafal automatike të rrëzohen përdhe, “treni im” bart fytyra të qeshura, të rinj e të reja që mësyjnë të lirë kryeqytetin për të marr dituri, punëtor që ngarendin në punë për të siguruar vetën e familjen, por edhe fëmijë të gëzuar e pensionistë që për pikë qejfi duan ta kalojnë ditën në kryeqytet.
Por, t’i kthehemi romanit. Çfarë ofron romani, cili është syzheu, çka e bënë të veçantë lëndën që ka shtjelluar autori? Ngjarjet e romanit shtrihen në tri ambiente: Në qytetin e izoluar të Prishtinës pas bombardimeve të NATOS, ku mbizotëron frika e tmerri. Në trenin si rrangallë e hekurt që bart njerëzit që braktisin shtëpitë e banesat për të shpëtuar kokën e tyre dhe Kampi i Bllacës, i mbytur në baltë,ku shpresa për jetë firon e gjallë.
Vetë gjetja metaforike e titullit të romani, të intrigon dhe të cytë për ta lexuar dhe hyrë në botën e tij, e që fillim e fund ka obsesionin e frikës së kryepersonazhit Bardhylit. Ngjarjet e romanit zhvillohen gjatë luftës së fundit në Kosovë. Karakteristikë e narracionit të romanit është rrëfimi në veten e dytë. Kjo është zgjedhja e shkrimtarit i cili përmes monologëve na shpie në situatat ku shpaloset bota individuale e njeriut të gjendur në situata të absurdit, ku jetën dhe vdekjen e ndanë një pe i hollë. Dhe kjo varet nga ata që kanë formën e njeriut por në brendi të shpirtit të tyre rri zgjuar pasioni i bishave. I gjendur në këtë katrahurë frika e kryepersonazhit mund të duket e natyrshme, por kur ajo tejkalon përmasat reale me mendimet fiktive dhe parashikimet ndjellakëqija që i sillen vërdallë mbi kokë bëjnë që njeriu nganjëherë del jashtë vetvetes. Ndaj imagjinata jep mundësi të krijimit të situatave të paqena, sado që ngjarjet reale që ndodhin ngjasojnë shumë me ato që janë krijuar në psikikën e Bardhylit. Ky roman psikologjik përshkohet me situata ku gjithçka mbërthehet nga një rrjet i errësirës dhe drita në fund të tunelit duket larg. Mbyllja brenda mureve të banesës në Prishtinë dhe droja se orë e çast siluetat e zeza herë të maskuar e herë me shirita kobësjellës mund të trokasin apo shkallmojnë dyert bëhen përditshmëri duke mbajtur përherë në presion psikologjik deri në traumë shpirtërore. Kulmi i tërë kësaj arrin kur tërë ngarkesa psikike nganjëherë zbrazet në dialogun me veten … Bardhyl, ti po flet me veten… i thotë gruaja, sado që ai mohon këtë duke u munduar të shfajësohet për diçka që tashmë po i përsëritet në jetën e tij. Janë imazhet e përditshme rrugëve të qytetit ku tallja e pushtetmbajtësve me qytetarin e thjeshtë fillon nga një absurd i tekeve të tyre për çështje banale deri të marrja e jetës në mënyrën me çnjerëzore. Pasiguria për veten, gruan dhe vajzën e vogël Jetën, bënë që edhe Bardhyli të ketë të njëjtin fat me tjerët, duke u përfshirë në valën e eksodit. Peripecitë e tij në “Bartësin e shpirtrave të përzënë” japin dramën e një populli. Prandaj edhe drama kryesore e romanit zhvillohet në tren, përkatësisht në aktin e dytë, siç e ka bërë autori konceptin e romanit në tri akte, e që lirisht mund të adaptohet edhe si një skenar filmi apo drame. “Treni i Ollurit” tashmë bart njerëz drejt një Golgote, ku shpresa për të mbijetuar e gjithsecilit udhëtarë, që në këtë rast janë të barabartë, sikur zbehet kur shohin se si para syve të tyre rrëmbehet profesori dhe jeta e tij për pak minuta shuhet nga krismat e shurdhëta, që mezi ndihen nga uturima e trenit, apo si fiket jeta e plakut brenda në tren pa pasur mundësi për ndihmë mjekësore. Po edhe vajet e fëmijëve, madje edhe vajzës së Bardhylit, e cila e ndrydhur në atë “gërdallë të hekurt” kërkon kthimin në banesë pa qenë e vetëdijshme për rrezikun qe mund t’u kanoset atje.
Udhëtimi drejt kufirit, sado që zgjat disa orë, Bardhylit i duket sikur janë ditë. I stërlodhur nga pagjumësia, atij herë i parafytyrohen skena tmerri, madje edhe vetën për disa çaste e sheh të rrëmbyer në tren, duke e zbritur e futur në një bodrum me njerëz të tjerë të rrahur e të dërmuar që presin aktin e pushkatimit. Pikërisht në momentin kur pritej të zbrazeshin rafalët mbi të, si shpëtimtare i vjen gruaja Valdetja, e cila e tund nga kjo ëndërr trishtuese, ,,Zgjohu se arritëm” i thotë ajo. Por ndjenja e frikës nuk mposhtet lehtë, ngase ajo tashmë ka hyrë në palcë dhe e përcjellë deri në çastin kur këmbët e tyre shkelin në baltën e Bllacës. Akti tretë si një epilog përmbyll dramacitetin e ngjarjeve të romanit, ku obsesioni i frikës individuale më nuk ka vend, por brenga e shqetësimi për njerëzit e mbetur në malet e Kosovës gëlon në shpirtrat e përzënë. Me këtë roman ku jepet vetëm një anë e medaljes së luftës së fundit në Kosovë, mund të themi se Olluri ka arritur me sukses të ndërtojë një strukturë romani për luftën, mbase një nga më të veçantët me këtë temë.
Në Vendlindje
16 dhjetor 2017