Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) në bashkëpunim me Teatrin Metropol dhe me dy shkollat e mesme të Tiranës, “Ismail Qemali” dhe “Qemal Stafa” sollën takimin poetik “Poezia bashkëkohore arbëreshe”.
Aktiviteti u zhvillua në sallën “Shkespir” të Teatrit të Metropolit.
Ky takim poetik synoi transmetimin tek brezat e rinj të trashëgimisë shpirtërore arbëreshe, si pjesë e rëndësishme e kulturës sonë kombëtare.
Aktiviteti pati në fokus poezinë bashkëkohore arbëreshe, ku ishin përzgjedhur për interpretim poezi prej 22 poetëve më të rëndësishëm të arealit arbëresh në ditët e sotme.
Vënia në skenë e këtyre poezive, është faza përmbyllëse e projektit të nisur tre muaj më parë në këto dy shkolla të kryeqytetit. Në fazën e parë të projektit, u zhvilluan leksione të hapura mbi kulturën arbëreshe, të cilat ndikuan në informimin e mëtejshëm të nxënësve mbi këtë letërsi.
Sot ishin protagonistë vetë nxënësit, duke sjellë atmosferën poetike të emrave më të spikatur të poezisë arbëreshe. Së shpejti, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët do ta shtrijë këtë projekt edhe në shkolla të tjera shqiptare./atsh/KultPlus.com





