Bashkëshorti i Hajrie Rondos: Nuk u kujtua askush për të

“Po të lë amanet fëmijët. Ki kujdes për ta!”

Këto kanë qenë fjalët e fundit që aktorja e mirënjohur Hajrie Rondos i ka thënë të shoqit para se të ndahej nga jeta në moshën 66-vjeçare.

Rondo, u shua në Himarë, në shtëpi, ndërsa pranë vetes kishte të bijën, Klean dhe të shoqin, Kiço.

I prekur dhe i dobët, ai tha për “GSH” se “Ishte e ndërgjegjshme deri në çastet e fundit. Madje në mëngjes, rreth orës 9:00 më la disa porosi. Mu duk se e ndjeu. Tha që t’i kem kujdes fëmijët, ta nderojmë”.

Aktorja prej muajsh vuante nga një sëmundje e rëndë, madje dy muaj më parë ajo i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje të vështirë.

“Nuk u kujdes askush për të. E harruan të gjithë. E harroi edhe politika. Pati një ndërhyrje kirurgjike të vështirë kohët e fundit. Kush u kujtua për të? Askush!”, tha Kiço Rondo për “GSH.

Kanë jetuar një jetë së bashku. Ai ka qenë pranë saj në ditët më të suksesshme të bashkëshortes, kur imazhi në skenë e ekran ngrihej bashkë me rolet ku shkëlqente, duke sjellë dritë në jetën e spektatorëve dhe shikuesve. Ishin bashkë deri në çastin e mbramë, kur frymëmarrjet e Hajries, u ngadalësuan.
“Unë do ta mbaj mend si grua të përkryer”, thotë Kiço Rondo, duke shtuar “Ju gazetarët mund të flisni më mirë se unë për të. Ju e keni njohur mbase edhe më shumë se unë. Bëjeni si të mendoni”./ KultPlus.com