Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Bashkinë e Beratit paraqiti sot ekspozitën “Rrugëtimi i Autoqefalisë Ortodokse Shqiptare në dokumentet e AQSH”.
Në këtë aktivitet, të zhvilluar në Sallën e Konferencave të Bashkisë së Beratit, qenë të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, kryebashkiaku Ervin Demo, përfaqësues të institucioneve bashkëpunuese, akademikë dhe qytetarë të interesuar mbi tematikën.
Fjala përshëndetëse u mbajt nga Demo, i cili vlerësoi kontributin e DPA-së në përkujtimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme, që shënon një faqe të lavdishme për kombin shqiptar. Në fjalën e marrë, Bido prezantoi punimin studimor të titulluar “Kongresi i Beratit dhe shpallja e Autoqefalisë”, kryer prej tij dhe Msc. Myrteza Sharra, përgjegjës i Sektorit të Sallës së Studimit. “Kongresi i Beratit është moment kyç i historisë sonë bashkëkohore dhe datë e rëndësishme për komunitetin ortodoks dhe për mbarë kombin. Me shpalljen e Autoqefalisë, u kurorëzuan përpjekjet e komunitetit ortodoks dhe të drejtuesve politikë shqiptarë, të cilëve iu besua kjo betejë. U zgjodh që Kongresi të mbahej në Berat, ndonëse qendër e ortodoksisë ishte Korça. Berati u pa si një epiqendër përbashkuese e papërfshirë në betejën mes tri rrymave në radhët e ortodoksëve.”- shpjegoi Bido lidhur me studimin e botuar, që përmbledh të gjitha dokumentet që gjenden në DPA mbi shpalljen e Autoqefalisë.
Mandej, u prezantua ekspozita e përgatitur prej Dr. Denald Prifti, specialist pranë Sektorit të Komunikimit në DPA. Dokumente e ekspozuara dëshmojnë orvatjet e Kishës Ortodokse Shqiptare në rrugëtimin drejt mëvetësimit dhe kombëtarizimit. Narrativa e Autoqefalisë Ortodokse Shqiptare bazuar në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), duke nisur nga periudha që i paraprin mbajtjes së Kongresit dhe deri në marrjen e pëlqimit nga Patriarkana. Mes dokumenteve të paraqitura për publikun bëjnë pjesë:
Informacioni nga Prefektura e Beratit drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme për delegatët e ardhur dhe për zhvillimin e Kongresit; Telegrami nga Berati drejtuar Bashkisë së Shkodrës që informohet për hapjen e punimeve të Kongresit; Telegrami nga Berati drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme për shpalljen e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare; Njoftimi dërguar Kryeministrisë mbi zgjedhjen e kryetarit kanonik, Atë Josifin e Korçës; Qarkorja e Ministrisë së Punëve të Brendshme drejtuar prefekturave dhe bashkive të vendit për shpalljen e autoqefalisë nga Kongresi i Ortodoksëve; Protokolli, mbarëvajtja dhe vendimet e Kongresit të Ortodoksëve; Fotoja e delegatëve të Kongresit; Qarkorja drejtuar prefekturave nga Ministria e Punëve të Brendshme mbi njohjen e vendimeve të Kongresit të ortodokseve në Berat prej Këshillit të Ministrave; Informacioni nga Zv. Ministri i Drejtësisë dhe Ministri i Punëve të Jashtme përcjellë Këshillit të Ministrave, lidhur me hyrjen në negocim të Komisionit të Lartë Shtetëror me Patriarkanën dhe Tomi nga Patriarkana (Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë zyrtarisht e njohur në v. 1936).
Ky aktivitet u mbajt me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. /KultPlus.com