Baki Buxhovi arrin të largohet nga bombardimet në Ukrainë: Ishte një rrugëtim drejt ferrit

Bashkim Buxhovi

Tek tash mbas nji maratoni aq të mundimshëm përjekjesh për me ikë bombardimeve dhe njikohësisht tue iu bashkangjitë kolonave të mija e mija ukrainasish të cilët kan braktisë vandbanimet e tyne për me gjetë shpëtim përmes gjithfar mjetesh transporti ashtu që të mbërrijnë ma në fund deri në pjesën perëndimore të Ukraines. Nuk dojsha me u largue për shkaqe shëndetsore, por kur mora vesh që dy fëmijët e mij paskan mbetë në mes të rruges dhe se jan në rrezik, menjiher u ngrita dhe bashk me të shoqen time u lëshova në kët avanturë të cilen nuk ia kisha dëshirue askujtë në kët botë. Ikje nga lufta, haosi dhe panika që mbretnon në at mes, qenka nji përjetim apo rrugëtim i përjetuem drejt botes së Aides (ferrit të nertokes). Me këtë ndjenjë edhe un mes tyne u malltretova shpirtnisht dhe u këputa fizikisht, por ma në fund arrijtem deri në vendin kufitar Uzhgorod, dhe tash po pres ndonji lajm të mirë nga udhëtimi i gjatë i fëmijëve të mij që të bashkohen këtu me ne, e mandej të mendojmë se si me e kalue kufinin e bllokuem me dhetra kilometra nga banorët e Ukraines. Pak si fshirë por do të përpiqemi mandej gjith së bashku me e vazhdue maratonin e mundimeve për shpëtim e mbijetesë. Kërkoj falje që për dy dit rresht kam qenë pa internet dhe nuk kisha mundësi me u lajmërue. Ju përshëndes dhe fati qoft me ne. /KultPlus.com

Kosovari i ngujuar në Ukrainë: Jam i sëmurë dhe s’mundem me u largu, le të më shpëtojnë fëmijët

Kosovari Bashkim Buxhovi ka mbetur i ngujuar në një bodrum në Kiev, teksa kanë nisur bombardimet ruse në Ukrainë.

Buxhovi, në “Info Magazine”, tha se bombardimet ruse janë duke ndodhur shumë afër vendit ku po qëndron bashkë me gruan dhe vjehrrën, teksa dy fëmijët e tij janë nisur drejt Polonisë mëngjesin e sotëm.

“Unë me gruan dhe vjehrrën jemi në Kiev. Mirëpo, vajza ime dhe djali veçse janë nisur për rrugë. Për mua është me rëndësi që ata të shpëtojnë dhe të dalin përtej kufirit, pasi nga Kievi deri në kufi janë rreth 700 kilometra. Ata e kanë shumë të vështirë të dalin përtej kufirit, pasi deri atje ka shumë pengesa”.

“Ata janë nisur në mëngjes, më kanë lajmëruar më herët që janë 200 kilometra larg nga Kievi, por kanë shumë rrugë për të bërë”.

“Bombardimet janë duke vazhduar dhe po ka bombardime të forta. Shumë afër meje janë tanket ruse duke luftuar me ukrainasit dhe të njëjtit janë duke u bërë ballë. Kievi është i rrethuar dhe rusët janë duke u munduar që në çdo mënyrë të depërtojnë në të gjitha anët – por ukrainasit janë duke rezistuar dhe është duke u bërë një luftë e madhe”.

Tutje, Buxhovi tha se meqë është i sëmurë kronik, e ka të pamundur që të largohet nga Kievi, për atë edhe është ngujuar në një bodrum, teksa deklaron se për të është e rëndësishme vetëm t’i shpëtojnë fëmijët.

“Unë jam i sëmurë kronik dhe e kam shumë të vështirë të largohem, për atë nuk kam mundur të udhëtoj dhe jemi duke qëndruar në një bodrum. Për mua ka rëndësi vetëm që fëmijët të më shpëtojnë”, tha Buxhovi. / KultPlus.com