Kush ishte Ibrahim Fehmiu, babai i Bekim Fehmiut

FAMILJA E BEKIM FEHMIUT

Babai i Bekimit, Ibrahim Fehmiu, u lind më 1892 në Gjakovë, në një familje tregtare dhe shumë fetare dhe kreu shkollën e mësuesisë dhe Medresenë në Shkup.

Me pushkë në krah dhe libër në dorë, ai ishte dora e djathtë e Bajram Currit, udhëheqësit të kryengritjes kombëtare në luftë kundër turqve më 1912. Si njëri ndër mësuesit e parë shqiptarë, ai iu dedikua hapjes së shkollave shqipe në Kosovë dhe Shqipëri, për çka atëherë pushteti serbo-malazez e gjykon me vdekje.

Ishte i ndjekur si bashkëpunëtor i Bajram Currit dhe Fan S. Nolit. Në vitin 1929, ai privohet nga liria prej pushtetit serbo-malazez dhe izolohet në Valevë (Serbi). Në atë kohë familja e tij jetonte në Gjakovë, më pas e gjithë familja, në vitin 1931, shkon në Sarajevë, ku, përveç tre fëmijëve që kishte, i lindin edhe 3 djemtë e tjerë, Arsimi, Fatmiri dhe Bekimi.

Pas okupimit të Shqipërisë nga forcat italiane në vitin 1939, familja shpërngulet në Shkodër (Shqipëri) ku lind edhe një vajzë, Afërdita.

Me shpërbërjen e mbretërisë jugosllave në vitin 1941, familja kthehet në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, ku Ibrahimi edhe vazhdon angazhimin e tij patriotik dhe atdhetar.

Edhe në kohën e Jugosllavisë së pasluftës, ai torturohet dhe pas një procesi të montuar, ai gjykohet me burgim. Shumë pak kohë pas daljes nga burgu, në vitin 1951, ai vdes.

Besa, Shpresa, Afërdita, Luljeta, Bashkimi, Arsimi, Fatmiri dhe Bekimi.

Djali i madh, Bashkim Fehmiu ishte arkitekti i parë shqiptar…
Prof.Arsim Fehmiu doajen i sportit kosovar…
Prof. Fatmir Fehmiu ekspert i së Drejtës Kushtetuese
Aktori, Bekim Fehmiu i njohur në botën mbarë… / KultPlus.com

Bashkim Fehmiu, arkitekti që ka projektuar kampusin e UP-së, lagjet “Dardania”, “Ulpiana” dhe “Bregu i Diellit”

Kuadrot e para profesionale të shumë fushave në Kosovë janë formuar vetëm pas Luftës së Dytë Botërore.

Kjo vlen edhe për arkitekturën, meqë arkitekti i parë i shkolluar në Kosovë erdhi si i diplomuar nga Universiteti i Beogradit, vetëm në vitin 1958. Ai ishte Bashkim Fehmiu, vëllai i aktorit të mirënjohur Bekim Fehmiu.

Me t’u kthyer në Prishtinë, Bashkim Fehmiu do të bëhej themeltar i disa prej institucioneve kyçe që lidhen me arkitekturën në Kosovë, si Enti i Urbanizmit të Prishtinës, para se të përfshihej si ligjërues në Universitetin e Prishtinës derisa u pensionua më 1991.

Bashkim Fehmiu ka projektuar kampusin e Universitetit të Prishtinës, lagjet “Dardania”, “Ulpiana” dhe “Bregu i Diellit” të Prishtinës, hotelin “Grand” dhe të tjera projekte arkitekturore e urbanistike në Kosovë. Ai ka vdekur në vitin 2008, por Bashkim Fehmiu vazhdon të kujtohet si një prej arkitektëve më të shquar që ka pasur Kosova./ KultPlus.com