Bashkim Shehu, një nga autorët e rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqipe, prezantoi romanin e tij më të ri: “Kryevepra të pakryera”. Romani i botuar nga Toena, u prezantua në një ceremoni në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.
“Historia e një shkrimtari vjen përmes një narracioni shkëlqyes të një udhëtimi në botën e pafundme të artit, përmes një stili plot kulture”, thuhet në faqen online të QKLL për “Kryeveprat e pakryera”.
Eventi letrar u moderua nga Majlinda Toçi dhe për veprën e fundit të Bashkim Shehut, folën prof. Dhurata Shehri dhe poeti e botuesi Krenar Zejno.
Bashkim Shehu lindur më 1955 në Tiranë, është një nga shkrimtarët shqiptarë më produktivë të ditëve tona. Deri më 1981 punoi si skenarist në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Prej vitit 1997 ai jeton në Barcelonë. Aktualisht punon si këshilltar për Europën Lindore në Qendrën e Kulturës Bashkëkohore të Barcelonës. Disa prej librave të shkrimtarit Bashkim Shehu janë botuar në gjuhë të ndryshme: Rrugëtimi i mbramë i Ago Ymerit (roman); Rrëfim ndanë një varri të zbrazët (roman autobiografik); Vjeshta e ankthit (roman); Gostia (roman) dhe dy përmbledhje me tregime. / atsh / KultPlus.com
Ese nga: Ernesto Sabato Përkthyen nga origjinali: Edlira Hoxholli dhe Bashkim Shehu
Është fatalitet që arti të jetë i lidhur në ndonjëfarë mënyre me shoqërinë, sepse arti bëhet duke u nisur nga njeriu, ndërsa njeriu (edhe nëse është gjeni) nuk është i izoluar: ai jeton, mendon dhe ndjen në raport me rrethanat e tij.
Por kjo “në ndonjëfarë mënyre” nënkupton një lloj të caktuar vjege pafundësisht më komplekse dhe më të stërholluar se i famshmi “pasqyrim”. Sipas kësaj doktrine, e cila pretendon se është realiste, por tekefundit është fantastike, arti është pasqyrim i shoqërisë në të cilën shfaqet. Këta doktrinarë, të cilët e titullojnë veten marksistë, me sa duket nuk e kanë menduar se, nëqoftëse kjo teori do të ishte e drejtë, nuk do të mund të shpjegohej as vetë marksizmi: i përftuar nga intelektuali borgjez Karl Marks, i cili, sikurse edhe bashkëpunëtori i tij, industrialisti Engels, ka jetuar në një shoqëri tipike borgjeze, të dy trashëgimtarë (të vetëdijshëm dhe krenarë) të një kulture të madhe gjithashtu borgjeze, si do të mund ta shpiknin apo ta zbulonin teorinë e revolucionit proletar?
Një karikaturë e tillë duket se nuk mund të merret seriozisht. E megjithatë konsiderohet e vlefshme, përdoret për analizë, për të dhënë rekomandime, për të formuluar akuza çdo ditë. Vetë Lenini i thoshte Gorkit, në lidhje me Tolstoin, se “asnjëherë s’ishte përshkruar kaq thellë muzhiku gjersa doli ky kont”. Leksion që, megjithatë, duket se nuk i ka shërbyer as vetë Gorkit, që shpiku të famshmin realizëm socialist.
Pa dyshim, ekziston njëfarë lidhjeje ndërmjet artistit dhe rrethanave të tij dhe është e vetëkuptueshme se Prusti nuk mund të formohej në një tribu eskimezësh. Herë-herë, kjo lidhje është e thjeshtë, sikurse ajo që ekziston midis shfaqjes së klasës borgjeze dhe lulëzimit të përpjesëtimeve e të perspektivës në pikturë. Po shumicën e herëve lidhja është shumë më komplekse dhe, mbi të gjitha, kontradiktore, ngase artisti është përgjithësisht qenie kundërshtuese, antagonike, dhe ngase në një masë të konsiderueshme pikërisht ky mospëlqim i realitetit në të cilin i takon të jetojë e bën të krijojë një realitet tjetër në artin e tij; realitet që përputhet me të parin po aq pak sa ëndrra me zhgjëndrrën dhe për shkaqe të ngjashme. Njeriu nuk është objekt pasiv dhe, prandaj, nuk mund të kufizohet në pasqyrimin e botës: ai është qenie dialektike dhe (ashtu siç vërtetohet në rastin e ëndrrave) jo vetëm që nuk e pasqyron, po përballet me të dhe i kundërvihet. Dhe ky atribut i përgjithshëm i njeriut paraqitet me një mprehtësi të madhe histerike tek artisti, individ përgjithësisht anarkik dhe antisocial, ëndërrues dhe i papërshtatur.
Si t’i shpjegojmë përndryshe kaq shumë kontradikta? Mu në sallonet e shekullit XVIII, njerëz që i përkisnin pikërisht asaj shoqërie të stërholluar e dekadente, shkrimtarë të admiruar e të nderuar, krijojnë libra që përgatisin shkatërrimin e kësaj shoqërie. Madje as edhe në mënyrë koherente, me një fizionomi të vetme e të përcaktuar, po në lëvizje aq kontradiktore me njëra-tjetrën sa natyralizmi i Rusoit dhe racionalizmi shkencor i enciklopedistëve.
Pastaj ndodh Revolucioni, ndërsa arti që duhet ta përfaqësojë zyrtarisht është piktura reaksionare dhe neoklasike e Davidit, një art që do të përfundojë në mënyrë qesharake me helmetat e tij të famshme të zjarrfikësve. Art i sipërfaqshëm, sikurse çdo art konformist dhe zyrtar. Ndërsa artistët e mëdhenj dhe të vërtetë, si gjithmonë, do të kenë një krijimtari refraktare dhe heretike. Letërsia, sidomos letërsia, është në njëfarë mënyre e kundërta e shoqërisë: në epoka teokratike është shpeshherë antiklerikale, siç e tregojnë fabliaux në Mesjetë; dhe, anasjelltas, asnjëherë nuk lind një letërsi aq thellësisht fetare sa ajo e epokave laiciste. Kujtoni cilësinë e letërsisë katolike në Francën e Republikës së Tretë ose në Anglinë e sotme protestante.
Metju Arnoldi [Mattheë Arnold] ka vënë në dukje tashmë se në periudha konvencionalizmi dhe racionalizmi të thatë ngadhënjen tekefundit nevoja për pasion, për ndjenja të zjarrta e të larta; dhe anasjelltas. Ndërsa Erih Kaler [Erich Kahler] tregon se në historinë e njerëzimit, çdo herë që ndonjë parim çohet gjer në rrjedhojat e tij të mbrame, kthehet kundër vetes.
Nga ana tjetër, shoqëria funksionon si diçka shumë më e ndërlikuar se një shtresim klasash me karakter ekonomik. Gjithë duke pranuar se në një moment të dhënë ekzistojnë fisnikëria, borgjezia dhe proletariati, problemi i artit ndërlikohet pafundësisht si rrjedhojë e këtyre faktorëve:
Grupet vertikale. Teksa ithtarët e pasqyrimit marrin parasysh vetëm klasat horizontale, këto grupe kanë peshë të madhe në prodhimin, tipologjinë dhe tonalitetin e artit. Këto ndarje, që e përshkojnë shoqërinë nga maja në fund, qoftë si ndarje moshe, feje, seksi apo temperamenti, kanë një pasojë vendimtare mbi krijimet e holla të shpirtit njerëzor, që reagon jo vetëm në varësi të problemeve ekonomike, po edhe të shqetësimeve karakteristike për moshën apo seksin, të problemeve të fesë përkatëse apo të moralit përkatës, etj. Lalo dhe sociologë të tjerë kanë vënë në dukje se fëmijët, për shembull, janë përgjithësisht ruajtës të mirë për sa i takon artit. Ginjoli dhe marionetat janë vazhdimësi e personazheve të komedisë së vjetër italiane; fabulat dhe përrallat janë mbetje mitesh të lashta; lojërat e tyre janë shumë të moçme dhe të përbotshme (fëmija tibetian luan me të njëjtët guralecë dhe me të njëjtat rregulla si çunaku argjentinas që luante “intenti” në fëmijërinë time); instrumente të lashtë si zarbatana, hobeja apo shigjeta vazhdojnë ta ruajnë prestigjin e tyre krahas mitralozit; në fushën muzikore janë ruajtur instrumente arkaike, si tamburi apo rrakja.
Edhe pleqtë, fshatarët dhe grupet fetare janë konservatorë, ndonëse për shkaqe të tjera; kjo është arsyeja pse priftërinjtë tanë vazhdojnë të vishen si në Mesjetë dhe shumica dërrmuese e kishave tona vazhdojnë të ndërtohen në stilin romanik ose gotik.
Ndërsa adoleshentët, të rinjtë dhe një lloj i caktuar të rriturish (neurotikët, inatçorët, të papërshtaturit, të shqetësuarit, të varfrit) janë revolucionarë.
Përveç grupeve konservatore dhe revolucionare, janë edhe përhapësit: njerëz të fesë, tregtarë, shtete kolonizatorë, sekte artistike, raca shtegtare si hebrenjtë. Kësisoj, në rastin e stilit gotik, përhapja e tij ka qenë vepër e ipeshkvinjve cistersianë dhe e studentëve të Universitetit të Parisit. Po kështu, muhamedanët e transformuan arkitekturën e Indisë duke i sjellë minarenë dhe kubenë bulbore. Si mund të shpjegohen këto objekte apo modalitete artistike duke u nisur vetëm nga realiteti ekonomik i një vendi? Në përgjithësi, ndikimi i fesë mbi artin është shumë më i fuqishëm se ai i çdo faktori tjetër social: ndalimi për të paraqitur hyjninë u hoqi myslimanëve mundësinë e një plastike si ajo e katolikëve, ndërsa nga ana tjetër nxiti arabeskën dhe arkitekturën; për shkaqe të ngjashme, në Holandë, piktori u hodh te peizazhi dhe te protreti i borgjezit; dhe, pas gjasash, për mendimin tim, ndalimi luteran i figurave, duke e çliruar artistin nga një pjesë e madhe e shqetësimeve të shprehjes, ka qenë shkaku ose një nga shkaqet e zhvillimit të spikatur të muzikës duke filluar nga Reforma.
Një tjetër ndërlikim që nuk ka të bëjë fare me klasat është ai i transfuzioneve kulturore, qoftë nëpërmjet pushtimeve apo luftërave, tregtisë apo emigrimit, qoftë, së fundi, nëpërmjet mbërritjes së një feje prestigjioze në një territor të ri. Krijime të panumërta, disa prej tyre me një rëndësi dhe fuqi të jashtëzakonshme, vijnë nga të tilla transfuzione: muzika zezake në Amerikë, me sintezën e saj të koraleve luterane, të këngëve skoceze apo irlandeze dhe të traditës së vjetër afrikane, përbën shembullin më domethënës. Në disa raste, kultura indigjene plagoset për vdekje, siç shihet në komunitete të pushtuara egërsisht nga kolonizimi i turpshëm evropian, me artikujt e tij të pazarit dhe pëlhurat e prodhuara masivisht në metropol. Po në përgjithësi ndodh hibridizimi dhe, ashtu sikurse evropianët hyjnë në Afrikë, edhe afrikanët hyjnë në Evropë dhe arti zezak depërton mprehtësisht në kulturën e pushtuesve.
Përveç ndikimeve që vijnë nga grupet vertikale, përveç faktorëve të temperamentit të çdo individi, që mund t’i hasim në çdo klasë të shoqërisë, në art ekziston edhe një forcë e brendshme që pouthajse nuk ka të bëjë me shoqërinë: veprimi i lodhjes dhe i trillit. Ashtu si modat e të veshurit, shumë nga risitë e artit vijnë nga shterja psikike, nga mërzitja, nga kënaqësia thjesht për t’iu kundërvënë brezit paraardhës apo armiqve të fuqishëm brenda vetë sferës së artit, thjesht nga ëndja për ndryshim. Dhe, për shkaqe të afërta me ato që e bëjnë një fëmijë të ndihet më i lidhur me gjyshin se me të atin (në saje të këtyre dy lloj mllefeve të njëpasnjëshme): Prusti nuk rrjedh nga Balzaku, po nga Sen-Simoni.
Së fundi, “koha artistike” nuk përkon me kohën astronomike, as me kohën sociale, as me kohën psikologjike, përveçse në raste shumë të jashtëzakonshme: odeja pindarike lindi si rrjedhojë e lojërave kombëtare, porse u zhduk edhe kur këto lojëra vazhduan të mbeteshin. Për më tepër, koha nuk është e njëjtë në artet e ndryshme, edhe nëse kanë lindur sinkronikisht dhe nga një shtysë e përbashkët: tempulli grek (qoftë për shkak të shpirtit konservator të feve, qoftë për shkaqe materiale dhe fizike) nuk ndryshoi në pothuajse njëmijë vjet; dhe, prandaj, gjurma e cikleve të mëdhenj në arkitekturë mund të ndiqet më lehtësisht se në pikturë apo në letërsi, ku lufta e brezave apo e shkollave është më e dukshme dhe më aktive.
Pra, është absurde të kërkosh paralelizma të qarta midis artit dhe organizimit shoqëror të kohës së tij. Edhe po të supozojmë se kushtet ekonomike apo klasore ndikojnë tek artisti, ky ndikim shpeshherë është me kah të kundërt dhe, veç asaj, te shpirti ushtrojnë ndikim të njëkohshëm tradita, veprat apo modalitetet e një kulture rivale, ose pushtuese, ose paradigmatike, temperamenti i krijuesit, mosha e tij, krizat e tij vetjake, feja e tij apo filozofia e tij, lodhja apo entuziazmi, mllefet e tij sektare. / KultPlus.com
Është promovuar dje në Tiranë romani më i ri i shkrimtarit Bashkim Shehu “Triptiku i magjistarëve”. Në të ai ndërthur pushtete të ndryshme në tri vende, duke sjellë realitete paralele Duke mohuar notat autobiografike, në mos janë të pavetëdijshme, ai vë përkrah, magjistarin e Hitlerit, një murg budist në Kinën e revolucionit kulturor, shkencëtarë të vjetër e të rinj, në Moskë dhe në Tiranë.
Lidhja mes tyre, pohon vetë autorit, është prania e një lloji të caktuar personazhi në çdonjërin prej tyre; e dikujt që mund të quhet magjistar a çudibërës, njeri më aftësi mendore të mistershme për të parashikuar të ardhmen ose që shihet si i tillë dhe nga raporti i pushtetit të tyre me njerëz të pushtetshëm në kuptimin e zakonshëm që i japim fjalës pushtet”, – vëren Shehu.
Ai tha se ka shfrytëzuar për veprën librin “Magjistarët e Hitlerit”- Astrologë e Fatthënës në shërbim të Rajhut të III duke e plotësuar me të dhëna nga ‘parashikuesi çifut i Hitlerit” nga Erik Jan Hamsen. Një tjetër ‘ndihmë’ në krijimin e shtratit letrar të veprës ka qenë edhe Jung Chan dhe Jon Halliday me “Mao, historia e panjohur’. Për të plotësuar “triptikun” e tij, Shehu ka shqyrtuar edhe kumtesat e konferencës shkencore “Okultizmi në kulturën moderne ruse e sovjetike’. Pos ‘magjistarëve’ të Evropës gjermane dhe Lindjes së largët Kineze, ai vë në vepër edhe “Hijen” Shqiptare.
Qoftë vetëm për të grishur nga pjesa shqiptare e veprës, po përmendim xhirimin e një filmi me titull “Medea”, ku flitet për historinë e dashurisë së ndaluar të një çifti, ku bashkëshorti bashkëpunëtor i Sigurimit vë në shtratin martesor një aparat përgjimi, duke e nxitur të flasë kundër regjimit dhe duke e çuar drejt burgut. /KultPlus.com
Romani “Loja, shembja e qiellit” i shkrimtarit Bashkim Shehu, përkthyer në italisht nga Paolo Rago, me titullin “La rivincita” (Shpagimi), tashmë po qarkullon në Itali nga Botimet Rubbettini, përcjell KultPlus.
“Loja, shembja e qiellit” ishte romani që i dha shkrimtarit Bashkim Shehu çmimin letrar “Balkanika” duke e çmuar si shkrimtari më i mirë i Ballkanit në vitin 2015.
“Loja, shembja e qiellit” meritoi çmimin special të jurisë të Prix Méditerrané Etranger, më 2018, pas botimit të tij në frëngjisht.
Më 27 qershor u bë edhe prezantimi i parë i këtij romani në Fano, në Itali, në prani të autorit Bashkim Shehu dhe me mbështetjen e prof. Matteo Mandala, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar “Passaggi”.
Romani “Loja, shembja e qiellit” u botua në shqip nga Botimet Toena në vitin 2013 dhe po gjatë këtij viti u vlerësua me çmimet: “At Zef Pllumi” dhe “Autori më i mirë i vitit”. / KultPlus.com
Një javë para organizimit të ceremonisë së ndarjes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2017 juria ka bërë publike emrat e kandidatëve të nominuar për çmimin “Vepra letrare më e mirë e vitit” dhe “Vepra letrare më e mirë e vitit e përkthyer”.
Në shkrimin që sot e boton gazeta “Shqip”, që në titull veçon “Kim Mehmeti dhe Bashkim Shehu kandidatë për Çmimet Kombëtare të Letërsisë”.
Juria e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë e përbërë nga z. Parid Teferiçi, në cilësinë e kryetarit të jurisë, dhe anëtarët: Alma Mile, Olimbi Velaj, Agim Baçi, Albert Gjoka, bën të ditur listën e shkurtër me 5 libra të përzgjedhur nga autorët shqiptarë dhe me 5 libra të përkthyer, të cilët vazhdojnë garën për çmimet: “Vepra letrare shqiptare më e mirë e vitit” dhe “Vepra letrare e përkthyer më e mirë e vitit” për vitin 2017. Ceremonia e ndarjes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2017 do të zhvillohet sot, më 19 dhjetor 2018, ora 17:00 , arTurbina.
Për “Vepra letrare shqiptare më e mirë e vitit” (lista në rend alfabetik):
Adriatike Lami – “Burri që më do mua”, (Skanderbeg Books)
Entela Tabaku – “Poemë e huaj”, (Pegi)
Henrik S.G. – “Sonatë për gruan e një tjetri,Dudaj)
Kim Mehmeti – “Anemona”, (Naimi)
Stefan Çapaliku – “Secili çmendet simbas mënyrës së vet, (Fishta)
Për “Vepra letrare e përkthyer më e mirë e vitit”:
Abedin Preza – “Orlandi i çmendur” – Ludovico Ariosto, (Dudaj)
Alket Çani – “Trilogjia e binjakëve” – Agota Kristof, (Odeon)
Aida Baro – “Armëpushimi” – Primo Levi,(Pegi)
Bashkim Shehu – “2666”- Roberto Bolaño, (Pika pa sipërfaqe)
Bashkim Shehu dhe romani i tij “Loja, shembja e qiellit” pasi fitoi çmimin letrar “Balkanika” ku edhe u botua në Francë, u përfshi në konkurrimin për Prix Méditerranée Etranger 2018, ku edhe mori “Vlerësimin Special të Jurisë”, shkruan KultPlus.
Prix Méditerranée Etranger është një nga çmimet letrare më të rëndësishme që jepet çdo vit në Francë për letërsinë e përkthyer. Këtë vit ky çmim iu dha shkrimtarit amerikan Daniel Mendelsohn, fitues gjithashtu i shumë çmimeve të tjera me prestigj, amerikanë ose ndërkombëtarë, dhe një nga kontribuuesit kryesorë në New York Review of Books. Ndërsa gjatë viteve fitues të këtij çmimi kanë qenë edhe: Ismail Kadare, Umberto Eco, Jashar Qemal, Orhan Pamuk, Claudio Magris…
Ndërsa romanit “Loja, shembja e qiellit” që iu dha “Vlerësimi special i jurisë”, juria kryesohej nga anëtari i Akademisë Franceze Dominique Fernandez.
Është hera e dytë, në 27 edicionet e këtij çmimi, që krahas fituesit jepet një vlerësim i tillë./ KultPlus.com
Bashkim Shehu është fitues i çmimit të madh Balkanica i konsideruar si “Nobeli i Ballkanit”. Në ceremoninë e mbajtur dje në Shkup shkrimtari shqiptar është shpallur si më i miri, në një garë ku merrnin pjesë emra të rëndësishëm të letrave ballkanike.
Shehu fitoi çmimin e madh me romanin romanin “Loja, shembja e qiellit”, botimet Toena. Për këtë roman Shehu është shpallur fitues i çmimit “At Zef Pllumi” – 2013. Po këtë vit juria e Panairit të Librit Fier e nderoi me çmimin “Autor i Vitit” – 2013. Është hera e dytë që shkrimtari Bashkim Shehu, përzgjidhet për të konkurruar në këtë garë letrare ndërballkanike.
Në vitin 2007 ai u paraqit me romanin “Angelus novus” dhe arriti të ishte një nga tre të nominuarit e këtij çmimi. Romani “Loja, shembja e qiellit” është botuar në shqip nga Shtëpia Botuese TOENA, në vitin 2013. Për këtë roman dhe vlerat e tij letrare janë shkruar me dhjetëra artikuj vlerësues në median e shkruar. Në garë për çmimin Balkanica ishte dhe poetja Luljeta Lleshanaku. Për Çmimin “Balkanika 2015”, shkrimtari Bashkim Shehu ishte në garë me 6 autorë nga 6 vende të Ballkanit: Vladimir Yankovski “Invisible love” (FYROM) Christo Karastoyanov “The same night” (Bullgaria) Ana Ristovic “Directions for use” (Serbia) Seray Şahiner “The hairstyle of the bride” (Turqia) Dimosthenis Papamarkos “Gjak” (Greqia) Simona Sora “Hotel Universal” (Rumania) . Romani i Shehut flet për dramën psikologjike e një të riu në një raport problematik me autoritetin atëror, me autoritetin pushtetor dhe me autoritetin e Zotit. Rini e ndërprerë, dëshira dhe dashuri të gjymtuara: i përndjekur nën diktaturë me internim dhe me burg, i çorientuar në post – diktaturë, i rrethuar “nga një valle marramendëse fantazmash që e ka ndjekur gjithë jetën”, siç thuhet në roman, kërkon rrugëdalje nëpërmjet fesë dhe nuk arrin të besojë. Është miqësuar ndërkaq me një prift françeskan, bashkëvuajtës i tij, tek i cili gjen mbështetje shpirtërore. Dhe dikur, mbas burgut, vendos të shpaguhet për mikun: një shpagim pa dhunë, e megjithatë i tmerrshëm, i pamëshirshëm. A mund t’i shkojë gjer në fund asaj që ka vendosur? Në fabulën e romanit ndërthuren skena të dy epokave, duke përfshirë edhe ngjarje reale të futjes së armëve në Kuvendin Françeskan të Shkodrës nga Sigurimi i Shtetit.
Çmimi Letrar Balkanika jepet nga Fondacioni Balkanika me qendër ekzekutive në Sofje të Bullgarisë. Anëtarë të këtij Fondacioni janë shtëpitë botuese: Biblioteka 48 (Bullgari), Toena (Shqipëri), Magor (FYROM), Kedros (Greqi), Laguna (Serbi), Can (Turqi), Muzeul National al Literaturii Romane (Rumani). Fituesit e edicionit të 17-të dhe të
18-të të këtij Çmimi shpallen të dielën, në 3 dhjetor 2017, nga Juria Ndërballkanike e këtij kompeticioni, në Qendrën Kulturore për të Rinj – Shkup. Më parë këtë Çmim e kanë marrë shkrimtarët shqiptarë Fatos Kongoli (2002) dhe Ismail Kadare (2009)./ KultPlus.com
Bashkim Shehu dhe Luljeta Lleshanaku janë dy autorët shqiptarë kandidatë për çmimin e madh të letërsisë Balkanika, që do të shpallet të dielën në Shkup. Juria kombëtare ka përzgjedhur romanin “Loja, shembja e qiellit” të shkrimtarit Bashkim Shehu si pretendent për çmimin e madh.
Për këtë roman Shehu është shpallur fitues i çmimit “At Zef Pllumi” – 2013. Po këtë vit juria e Panairit të Librit Fier e nderoi me çmimin “Autor i Vitit” – 2013. Është hera e dytë që shkrimtari Bashkim Shehu, përzgjidhet për të konkurruar në këtë garë letrare ndërballkanike. Në vitin 2007 ai u paraqit me romanin “Angelus novus” dhe arriti të ishte një nga tre të nominuarit e këtij çmimi.
Romani “Loja, shembja e qiellit” është botuar në shqip nga Shtëpia Botuese TOENA, në vitin 2013. Për këtë roman dhe vlerat e tij letrare janë shkruar me dhjetëra artikuj vlerësues në median e shkruar.Ndwrsa Luljeta Lleshanaku konkurron me vëllimin me poezi “Homo Antarcticus”. Vëllimi poetik “Homo Antarcticus” është botuar në shqip nga Shtëpia Botuese OMBRA GVG në vitin 2015.
Ky vëllim poetik ka marrë shumë vlerësime pozitive në median e shkruar. Vëllimi poetik “Homo Antarcticus” i përkthyer në anglisht nga Ani Gjika si pjesë e vëllimit “Negative Space” ka fituar garën për mundësinë e financimit të përkthimit dhe të botimit në SHBA, si dhe çmimin letrar “PEN Translates” – 2017 në Britaninë e Madhe dhe gjithashtu mundësinë e botimit në Britaninë e Madhe gjatë pranverës të vitit të ardhshëm.
Çmimi Letrar Balkanika jepet nga Fondacioni Balkanika me qendër ekzekutive në Sofje të Bullgarisë. Anëtarë të këtij Fondacioni janë shtëpitë botuese: Biblioteka 48 (Bullgari), Toena (Shqipëri), Magor (FYROM), Kedros (Greqi), Laguna (Serbi), Can (Turqi), Muzeul National al Literaturii Romane (Rumani). Fituesit e edicionit të 17-të dhe të 18-të të këtij Çmimi shpallen të dielën, në 3 dhjetor 2017, nga Juria Ndërballkanike e këtij kompeticioni, në Qendrën Kulturore për të Rinj – Shkup.
Më parë këtë Çmim e kanë marrë shkrimtarët shqiptarë Fatos Kongoli (2002) dhe Ismail Kadare (2009). Kandidatët: Për Çmimin “Balkanika 2015”, shkrimtari Bashkim Shehu është në garë me 6 autorë nga 6 vende të Ballkanit: Vladimir Yankovski “Invisible love” (FYROM) Christo Karastoyanov “The same night” (Bullgaria) Ana Ristovic “Directions for use” (Serbia) Seray Şahiner “The hairstyle of the bride” (Turqia) Dimosthenis Papamarkos “Gjak” (Greqia) Simona Sora “Hotel Universal” (Rumania) Për Çmimin “Balkanika 2016”, poetja Luljeta Lleshanaku është në garë me 6 autorë të përzgjedhur nga 6 vende të Ballkanit: Lidija Dimkovska “Non-Oui” (FYROM) Nikolay Milchev “You and the cats in the afternoon” (Bullgaria) Vladan Matijevic “Very little light” (Serbia) Murat Özyaşar “Laugh yellow” (Turqia) Panagiotis Kechagias “Final warning” (Greqia) Bogdan Teodorescu “Spada” (Rumania)./KultPlus.com