Deklarata e Samitit ShBA-BE: Kosova dhe Serbia urgjentisht të zbatojnë pa kushte marrëveshjen

Pas samitit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, pjesëmarrësit kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, ku theksohet se Kosova dhe Serbia urgjentisht duhet të zbatojnë pa kushte marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe Ohër.

Në deklaratë, po ashtu theksohet nevoja që Kosova dhe Serbia të de-përshkallëzojnë urgjentisht tensionet, raporton Klan Kosova.

Deklarata përmban 34 pika gjithsej dhe në pikën e tetë përmendet Kosova dhe Serbia.

“Ne riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe mbështetjen tonë për perspektivën e BE-së të rajonit. Të gjithë partnerët duhet të vazhdojnë të bëjnë reformat e nevojshme për të përparuar në rrugën e tyre evropiane. Ne theksojmë nevojën që Kosova dhe Serbia të de-përshkallëzojnë urgjentisht tensionet dhe të zbatojnë me shpejtësi dhe pa kushte marrëveshjen në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të tyre dhe kthimit në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Samitit ShBA-BE. /KultPlus.com

SHBA dhe BE lëshojnë një deklaratë të përbashkët për përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët për përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, shkruan KultPlus.

Përmes një deklarate të përbashkët, BE dhe SHBA kanë njoftuar se janë të shqetësuar për situatën e vazhdueshme të tensioneve në veri të Kosovës.

Deklarata e plotë:

“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuar për situatën e vazhdimisht të tensionuar në veri të Kosovës.

Iu bëjmë thirrje palëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të qetësuar pa kushte situatën dhe të përmbahen nga provokimet apo kërcënimet.

Ne po punojmë me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti për të gjetur një zgjidhje politike për zbutjen e tensionetve dhe për të rënë dakord për rrugën përpara në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve lokale.

Mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë të Kosovës që do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta apo barrikada paqësore. Në të njëjtën kohë, shteti i së drejtës duhet të respektohet dhe çdo formë dhune është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin Bashkimin Evropian përmes Misionit të Sundimit të Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me mandatin e tij, i cili mund të monitorojë nga afër të gjitha hetimet dhe procedurat pasuese për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut. Kjo përfshin, në veçanti, garancitë për gjykim të drejtë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e barabartë të pjesëtarëve të komuniteteve të pakicës në Kosovë.

Ne gjithashtu presim që Kosova dhe Serbia të kthehen në nxitjen e një mjedisi të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve të tyre.

Të gjitha detyrimet e Dialogut duhet të zbatohen plotësisht dhe pa vonesë”, thuhet në deklaratën e tyre. /KultPlus.com

Von Cramon: BE ka dështuar karshi Kosovës me mos-liberalizimin e vizave

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se Bashkimi Evropian ka dështuar karshi Kosovës me mosliberalizimin e vizave.

Von Cramon në kuadër të panelit “Procesi i Berlinit 2.0”, të mbajtur në Berlin, ka thënë se është frustruese që Franca e disa vende tjera ende janë skeptike se a duhet liberalizuar vizat për Kosovën.

“Është shumë frustruese që Franca dhe disa vende tjera të BE-së akoma janë skeptike dhe kanë dyshime se a duhet t’i hiqen vizat qytetarëve të Kosovës, përderisa Kosova i ka plotësuar kriteret. Unë personalisht jam e befasuar me këtë skepticizëm dhe thjesht nuk kam ndonjë shpjegim”, tha Viola von Cramon, raporton Deutsche Welle.

“Për mua demokracia është proces ku duhet të respektohen të drejtat e njeriut dhe ku respektohet rendi dhe ligji. Prandaj unë mendoj se mesazhi për të rinjtë e Ballkanit, të cilëve u kërkohet të angazhohen për reforma në vendet e tyre, është që edhe vet BE të reformohet”. /KultPlus.com

Shqiptarët në krye të listës së të dëbuarve nga BE-ja

Shqiptarët janë të tretët në botë, përsa i përket urdhrave për t’u larguar nga një vend i BE-së në tremujorin e dytë të vitit 2022, pas algjerianëve dhe marokenëve.

Raporti i fundit i Eurostat i publikuar sot tregon se Franca raportoi numrin më të madh të shtetasve jo-BE të urdhëruar të largoheshin nga territori i saj në tremujorin e dytë të 2022, ku vendin e tretë e zënë shqiptarët.

“Për sa i përket shtetësisë së njerëzve të urdhëruar të largohen nga territori i një shteti anëtar të BE-së, algjerianët (8 170) përfaqësonin pjesën më të madhe të totalit (8,5%), të ndjekur nga marokenët (7 235), shqiptarët (6 640) dhe pakistanezët (6). 260). Tunizianët (5 630) vijnë pas në listë, të ndjekur nga Bangladeshi (3 990), Gjeorgjianët (3 690), turqit (3 425), indianët (3 135) dhe irakenët (2 940)”, thuhet në raport.

Sipas Eurostat vetëm në tremujorin e dytët të 2022 janë kthyer 2 650 shqiptarë, duke kryesuar listën e shtetasave jashtë BE-së që u kthyen në një vend tjetër.

“Shqiptarët (2 650) kryesuan listën e shtetasve jashtë BE-së që u kthyen në një vend tjetër në tremujorin e dytë të 2022, të ndjekur nga gjeorgjianët (2 030), rusët (1 165), turqit (1 055), ukrainasit (840), Serbët (800), marokenët (790), algjerianët (745), moldavët (700) dhe irakianë (660)”, vijon më tej Eurostat./A2news/ /KultPlus.com

Edhe zyrtarisht, liberalizimi i vizave për Kosovën në rend dite më 13 tetor

Presidenca çeke sot edhe zyrtarisht ka konfirmuar se liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë në rend dite të grupit punues për vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian që do të mbahet me 13 tetor.

Në rendin e ditës për takimin e këtij grupi punues shihet se pjesë e diskutimit do të jetë tema e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Për ekspertët vlerësohet se kjo datë do të jetë mundësia ideale që Kosova të marr liberalizimin e vizave, sidomos pas reflektimit që ka patur Francë në këtë procec.

Në rast se konfirmohet mbështetja me 13 tetor, më pas do të vazhdohet me procesin në të cilin përsëri do të përfshihen edhe Parlamenti Evropian dhe Komisioni.

Formalisht procedura mund të përmbyllet deri në fund të vitit./Indeksonline/ /KultPlus.com

Certifikata digjitale e vaksinimit kundër COVID-19 e Kosovës funksionale në vendet e Bashkimit Evropian

Pas njoftimit ditë më parë nga Sekretariati i EU digital Certificate i Komisionit Evropian se është konfirmuar pranueshmëria –vendimi mbi ekuivalencën e certifikatës digjitale të vaksinës kundër COVID-19, e lëshuar nga Kosova në EU digital certificate, me qëllim lehtësimin e së drejtës së lëvizjes së lirë brenda shteteve të Bashkimit Evropian, Ministria e Shëndetësisë është informuar se certifikata është funksionale për përdorim në shtetet e BE-së.

Në mënyrë që qytetarët të mos kenë asnjë problem rreth përdorimit të saj, çdo qytetar i vaksinuar me vaksinën kundër COVID-19 duhet të hyjë në platformën e-kosova dhe ta shkarkoj përsëri certifikatën.

Çdo certifikatë e shkarkuar pas datës 11 korrik 2022 është funksionale për të gjitha vaksinat dhe e lexueshme në pikat hyrëse dhe kontrolluese brenda shteteve të Bashkimit Evropian. / KultPlus.com

Fahrije Hoti pranon çmimin ‘Evropianja e Vitit’, BE-ja “të bashkuar në premtime” për Kosovën

Uranik Emini

Mbrëmë në Bibiliotekën Kombëtare të Kosovës është shënuar Dita e Evropës, me ç’rast Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës i ka ndarë edhe çmimin tradicional “Evropiania e Vitit”, Fahrije Hotit, ku fillimisht ishte bërë një thirrje që të votohet një individ apo instuticion që ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane në Kosovë gjatë vitit të fundit, andaj dhe Fahrije Hoti është votuar më së shumti për këtë emërtim, shkruan KultPlus.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, e hapi këtë mbrëmje me një fjalim shumë të veçantë kushtuar Ditën së Evropës dhe rëndësisë që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë për BE-në.

“9 maji është dita e kremtimit të unitetit dhe fatit të përbashkët të Unionit tonë dhe partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor. Në këtë frymë, këtë vit duam të shprehim mirënjohjen ndaj evropianëve të shumtë që na ndihmuan ta kapërcejmë krizën e koronavirusit dhe që çdo ditë punojnë për ruajtjen e paqes dhe prosperitetit në Evropë. Siç ka thënë Robert Schuman: Evropës i duhet një shpirt, një ideal, dhe vullenti politik për t’i shërbyer këtij ideali. BE-ja i ka vënë në jetë këto fjalë, duke u përballur e bashkuar me krizën e shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe agresionin aktual rus kundër Ukrainës”.

Szunyog e falënderoi Qeverinë e Kosovës për rrështimin e kësaj të fundit me BE-në, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe gatishmërisë së tyre për të mirëpritur e strehuar efugjatë dhe gazetarë nga Ukraina.

“Dua të theksoj se kjo ditë na përket të gjithëve. Kjo ditë u përket kosovarëve po aq sa u përket qytetarëve të BE-së dhe përfaqëson kremtimin e vlerave tona të përbashkëta, duke përfshirë unitetin, solidaritetin, paqen, demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Këto nuk janë fjalë të zbrazëta, por vlera themelore të përbashkëta për të gjithë popujt e Evropës, që i kanë sjellë kontinentit tonë prosperitet të padëgjuar më parë në historinë tonë. 

Ambasadori theksoi se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe nuk ka alternativë tjetër.

“Pa Ballkanin Perëndimor BE-ja nuk do të jetë e plotë, ndërkohë që agresioni rus kundër Ukrainës i ka bërë edhe më të rëndësishme përpjekjet tona të përbbashkëta për avancim në rrugën evropiane të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor”.

Ai u shpreh krenar për progresin që ka arritur Kosova me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe shteteve të tjera anëtare.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë e mbylli këtë fjalim duke uruar Ditën e Evropës.

Pas tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u ftua për një fjalim rasti, ku edhe bëri thirrje të vazhdueshme që tani është momenti më i përshtatshëm që Kosova të bashkohet në familjen e madhe evropiane.

“Pikërisht sot në këtë përvjetor po ballafaqohemi poashtu me një realitet të ri i cili është shumë ndryshe prej asaj që jemi mësuar, së paku qe dy dekada ta kemi në Evropë. Që nga 24 shkurti i këtij viti kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi ushtrinë e tij ta pushtojë Ukrainën, jemi duke jetuar një realitet të ri shumë të rrezikshëm dhe me plotë dhimbje nga ajo se çka po shohim dhe ajo që po e përjeton populli ukrainas sot”, deklaroi Konjufca.

Konjufca bashkëndjeu me Ukrainën, duke kujtuar edhe luftën e fundit në Kosovës.

“Siç e dini, populli dhe Republika e Kosovës ende i kanë të hapura plagët, e të freskëta dhimbjet dhe të paharrueshme traumat e përjetuara nga agresioni i Serbisë, si dhe nga pushtimi që u manifestua me gjenocid, prandaj mund të them se ne për së afërmi mund të bashkëndjejmë me përjetimet nëpër të cilat po kalon në këtë kohë të vështirë populli i Ukrainës. Unë dua të ritheksoj dhe t’iu bëjë thirrje përfaqësuesve evropianë se jemi në një moment përcaktues të integrimit evropian për Republikën e Kosovës, andaj pikërisht në këtë ditë duhet të zotohemi bashkë për ta mbrojtur e për ta përshpejtuar konsolidimin e projektit të Bashkimit Evropian duke e integruar edhe Kosovën, por së bashku edhe me 6 vende të tjera të Ballkanit Perëndimor në mesin e vendeve të Bashkimit Evropian”.

I pari i Kuvendit përmendi edhe pjesën e orientimit të Kosovës përkrah vendeve të BE-së sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë dhe adresimin e institucioneve të Kosovës me veprime konkrete në këtë drejtim.

“Ju ftoj që së bashku të kontribuojmë të gjithë që qytetarët e Kosovës sa më shpejt të gëzojnë liberalizimin e vizave, për të cilën të drejtë aq shumë kemi punuar së bashku dhe jemi angazhuar për reforma sipas standarteve të nivelit evropian. Pa Kosovën, mozaiku i familjes së bashkuar të Evropës nuk mund të quhet i plotësuar, si dhe vetë ideja mbi të cilën qëndrojnë të fuqishme themelet e BE-së’, përfundoi ai.

Në anën tjetër, pas dy fjalimeve erdhi edhe te momenti për të cilin ishin mbledhur të gjithë njerëzit në sallë, e që kishte të bënte me ndarjen e çmimit “Evropiania e Vitit” për Fahrije Hotin. Fillimisht u bë prezantimi i të nominuarve të tjerë dhe më pas u bë edhe dorëzimi i çmimit.

Hoti këtë çmim ia kushtoi gjithë grave të Kosovës, e sidomos ato që humbën më të dashurit e vetë, humbën burrat, humbën fëmijët dhe janë bërë model për të tjerët.

“Unë ndjehem shumë e privilegjuar sot këtë çmim. Ky çmim i dedikohet të gjitha grave të Kosovës. Të gjitha ato që humbën më të dashurit e vetë, humbën burrat, humbën fëmijët dhe janë bërë model për të tjerët. Sakrifica e grave të Krushës, bashkë me mua, ka qenë një rrugëtim i suksesit, nuk e kemi mendu dhimbjen për të kaluarën por të ardhmën e fëmijëve tanë. Faleminderit të gjithëve, ata që iu bashkuan këtij rrugëtimi, më votuan dhe më përkrahën, e unë sot jam e ndershme që jam pranë juve këtu”, përfundoi ajo duke falënderuar edhe një herë të pranishmit dhe mbështetësit.

Të izoluar në zemër të Evropës, qytetarët e Kosovës duhet të mbledhin dokumente për të cilat nuk kanë dëgjuar kurrë më parë, në mënyrë që të rrisin shpresën e tyre për të aplikuar për vizë. Përkundër faktit se shteti më i ri në Evropë mund të udhëtojë pa viza vetëm në katër shtete, më pak se çdo shtet tjetër në botë, megjithatë kjo nuk e pengon Kosovën që ta festojë vit pas viti 9 majin, Ditën e Evropës

Rruga e Kosovës drejt liberalizimit të vizave filloi në vitin 2012 kur Komisioni Evropian dorëzoi Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave për Kosovën. Por edhe pse vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë arritur që të marrin mbështeteje për liberalizimin e Kosovës, një premtim i tillë nuk i është plotësuar edhe Kosovës. /KultPlus.com

BE: Kosova refuzon propozimin e QUINT’it për mbajtjen e zgjedhjeve serbe

Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të martën, 22 mars, në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e Serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.

Vendet e Quint-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.

“BE-ja ka vepruar si lehtësues, Përfaqësuesi i Lartë ishte i angazhuar në kontakte për të gjetur marrëveshje për zgjidhje praktike që do t’u mundësonte qytetarëve me dyshtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. ‘Kemi bërë përpjekje të gjejmë zgjidhje praktike duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votime në të kaluarën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së duke pohuar se Serbia ka luajtur rol konstruktiv e Kosova ka refuzuar.

“Duke pranuar se Serbia ka qenë e hapur për gjetjen e zgjidhje ne shprehim keqardhje se konsensusi mes palëve në fund nuk u arrit pas vendimit të Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të Quint-it”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Ai e ka quajtur këtë vendim të jetë “në kundërshtim me përkushtimet e Kosovës për rrugëtim evropian dhe të ardhme demokratike dhe kundër parimeve të mbrojtjes të së drejtës demokratike të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe të atyre që i takojnë popullatës jo shumicë”.

“Tash ne presim nga Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet dhe retorika e cila mund të rris tensionet dhe po ashtu u bëjmë thirrje të dyja palëve të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociata në kuadër të dialogut” ka thën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai ka thënë se në këtë moment nuk është në gjendje të paralajmërojë ndonjë takim në kuadër të dialogut, porse janë duke punuar në atë drejtim.

“Po punojmë në atë drejtim dhe ftojmë të dyja palët të veprojnë me përgjegjësi në mënyrë që të jetë e mundur të organizohet një takim i tillë”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të hënën pas takimin me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës, se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Kurti u ka thënë ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë se “ne nuk dëshirojmë që t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.

Ai është thënë të jetë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e vendeve të Kuintit në Kosovë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën, në një aktivitet parazgjedhor, se “Qeveria e Kurtit kërkon nga Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të lejohen zgjedhjet”, të cilat mbahen më 3 prill.

“Do të merrni nesër (të martën) përgjigjen”, ka thënë Vuçiq më 21 mars.

Autoritetet serbe kanë paralajmëruar që të martën, në ora 12:00 do të mbahet një takim i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të vendosur “rreth hapave të ardhshëm”.

Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.

Vendet e Quint-it dhe BE-ja e patën pritur me keqardhje vendimin e Qeverisë së Kosovës për këtë referendum.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.

Nga OSBE-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e 3 prillit, por me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse./REL/KultPlus.com

Presidenti Zelensky nënshkruan aplikacionin për anëtarësim të Ukrainës në BE

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sapo ka nënshkruar aplikacionin e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Nga Parlamenti i Ukrainës njoftojnë se presidenti i vendit sapo nënshkroi aplikimin për të hyrë në Bashkim Evropian.

Këtë hap, Zelensky e ndërmori derisa ekipi i tij po negocion me ekipin rus, në mes të luftës.

“Ky është një moment historik”, është shkruar nga parlamenti i Ukrainës, në rrjetin social Twitter.

Ndërkaq, negociatat Ukrainë-Rusi, të cilat kanë nisur para pesë orësh, po vazhdojnë akoma. Një zyrtar i presidencës së Ukrainës ka njoftuar se tashmë ka nisur rundi i tretë i diskutimeve mes palëve.

Derisa delegacionet po zhvillonin bisedimet, qyteti ukrainas, Kharkiv, është sulmuar nga Rusia. Nga sulmet raketore atje, raportohet se janë vrarë shumë civilë dhe janë lënduar mijëra të tjerë.

“Sot kam nënshkruar aplikimin për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian. Jam i sigurt se është e vërtetë”, ka shkruar Presidenti Zelensky në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Pas sanksioneve ndaj Rusisë, Szunyog falënderon Kurtin për rreshtim krah BE-së

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti, shkruan KultPlus.

Szunyog ka falënderuar qeverinë e Kosovës rreth rreshtimit të saj krah BE-së për sanksionet e vendosura ndaj Rusisë.

“Faleminderit Albin Kurtit dhe qeverisë së Kosovës për pozicionin e juaj të qartë politik dhe rreshtimin me paketën e sanksioneve të BE-së në lidhje me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës”, ka shkruar Szunyog në “Twitter”.

Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten një pako me sanksione kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës. /KultPlus.com

Nga 1 marsi lirohen masat e udhëtimit në BE nga vendet jo-anëtare

Këshilli i Bashkimit Europian i vendeve anëtare të unionit të heqin nga 1 Marsi, bllokimin e udhëtimeve jo-thelbësore për shtetasit nga vendet jo-anëtare.

Rekomandimi jepet vetëm për të vaksinuarit me dozat e vaksinave të njohura nga autoritetet europiane ose që janë rekomanduar nga OBSH.

Lihet në dorë të vendeve anëtare të kërkojnë teste shtesë për të huajt e vaksinuar me vaksina që njihen vetëm nga OBSH ose që kanë vetëm certifikatë shërimi.

Rekomandimi, që nuk përmend lehtësira për të pavaksinuarit, erdhi pasi në shumë vende jo-anëtare të unionit, kryesisht ato fqinje, po shtojnë mbulimin me vaksina të popullsive të tyre, që i përshtaten edhe standardeve dhe rregullave të vaksinimit të Bashkimit Europian.

Pjesa më e madhe e vendeve unionit kanë planifikuar lehtësimin e masave, ende pa marrë rekomandimin e Brukselit.

Ndër to është edhe Italia që prej 1 marsit do të zbusë rregullat për hyrjen e të huajve, duke hequr karantinën e duke kërkuar vetëm certifikatë vaksinimi apo test negativ./ KultPlus.com

BE paralajmëron projektin për trashëgimi kulturore në Janjevë

Kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti, ka pritur sot në takim shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me të cilin fokus të veçantë në diskutim kanë pasur marrëveshjen e gjelbër dhe mbrojtjen e mjedisit.

Në një konferencë për medie Ahmeti fillimisht vlerësoi lart bashkëpunimin dhe kontributin e Bashkimit Evropian për implementimin e disa projekteve në Komunën e Lipjanit.

“Natyrisht që ishte kënaqësi ta takojë ambasadorit e BE-së për vizitën që sot ka në Lipjan. E falënderoj shumë për kohën normalisht, për bashkëpunimin e deritanishëm. Kemi biseduar normalisht për punët e përbashkëta deri tanishme, për situatën që kemi në investimet tona si nga masat këto që kanë të bëjnë me marrëveshjen e gjelbër, për bashkëpunimin që na pret edhe në të ardhmen dhe për periudhën e deritanishme. Presim që shumë shpejt të fillohet në Janjevë, projekte të trashëgimisë kulturore dhe do të shohim në vazhdim për angazhimet tona në projektet e reja”, tha Ahmeti.

Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog në një prononcim për KosovaPress tha se Komunën e Lipjanit e çmon për faktin se është komunë shumetnike, derisa theksoi se janë në zhvillim të një projekti për trashëgimi kulturore, në Janjevë.

“Po ashtu e çmoj shumë faktin që Komuna është shumetnike, është një numër i konsiderueshëm i etniteteve të ndryshme që jetojnë në komunë. Së bashku me UMBP, jemi duke e zhvilluar një projekt në Janjevë në aspektin e trashëgimisë kulturore, sepse siç e dimë një pakicë kroate jetojnë në Janjevë. Mirëpo, jemi të përqendruar po ashtu që të shohim një integrim më të madh të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë”, thotë Szunyog.

Ai bëri të ditur se kanë diskutuar edhe për raportin e Asosacionit të kryetarëve të komunave mes vete si dhe me nivelin qendror. /atvlive.tv/ KultPlus.com

Përfundon faza e parë e ngritjes së Parkut të Artit

Ka përfunduar faza e parë e ngritjes së Parkut të Artit, në hapësirat e ish-Kinostudios, me fonde të Bashkimit Evropian.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila thekson se po punohet për fazën e dytë me fonde të buxhetit të shtetit.

“Ka përfunduar faza e parë e ngritjes së Parkut të Artit, në hapësirat e ish-Kinostudios, me fonde të Bashkimit Evropian. Po punojmë për fazën e dytë, me fonde të buxhetit të shtetit, për t’ia kthyer këtë zonë komunitetit të artistëve dhe atij lokal”, shprehet Margariti.

Projekti mbulon mbi 16 mijë metra katrorë sipërfaqe të jashtme dhe mbi 2100 metra katrorë sipërfaqe të brendshme.

Ky park do të shërbejë jo vetëm si zonë për artin, por edhe për punësimin e artistëve.

Parku i Artit, do ta kthejë hapësirën publike rreth Kinostudios në shërbim të artit dhe komunitetit, duke i dhënë zonës një zhvillim të madh. / KultPlus.com

BE ndryshon kriteret për përdorimin e certifikatës COVID-19

Ministrat e Bashkimit Evropian, gjatë takimit të mbajtur të martën, pranuan propozimin e Komisionit Evropian për të bërë ndryshime në kriteret për përdorimin e certifikatës COVID-19 për udhëtim brenda bllokut evropian.

Kjo certifikatë ishte vendosur në pranverën e vitit të kaluar me qëllim që të lehtësojë lëvizjen brenda BE-së në kohën kur kishte nisur procesi i vaksinimit kundër sëmundjes COVID-19.

Por, tash rrethanat kanë ndryshuar dhe BE-ja ka rekomanduar ndryshimin e kritereve për përdorimin e kësaj certifikate. Tash më shumë do të merret parasysh gjendja shëndetësore e personit, të dhënat për vaksinim apo shërim nga virusi, sesa gjendja epidemiologjike e shtetit apo rajonit prej nga ai vjen.

Sipas rekomandimeve të reja, certifikata COVID-19 do të jetë e vlefshme nëse përmban të dhënat se bartësi i saj është i vaksinuar me së paku dy doza. Kjo certifikatë vlen nëntë muaj nga marrja e dozës së dytë të vaksinës, ndërkaq për personat që janë të vaksinuar me dozën përforcuese, vlefshmëria e certifikatës do të jetë e pakufizuar, së paku derisa nuk ka të dhëna të reja shkencore që tregojnë për kohëzgjatjen e mbrojtjes që ofron kjo dozë.

Të vlefshme do të jenë edhe certifikatat që dëshmojnë se bartësit e tyre e kanë kaluar virusin jo më vonë se para gjashtë muajve. Për bartësit e këtyre certifikatave, BE-ja ka propozuar që të mos ketë asnjë kufizim shtesë apo detyrim për testim ose vetizolim.

Në kohën kur shtetet e BE-së po regjistrojnë shifra rekorde të infektimeve për shkak të përhapjes së variantit Omicron, megjithatë blloku evropian sugjeron lehtësime për udhëtime duke marrë parasysh suksesin që kanë arritur disa shtete me fushatën e vaksinimit të qytetarëve të tyre.

Megjithatë, mes shteteve të BE-së ka dallime të mëdha sa i përket nivelit të vaksinimit. Për shembull, në Belgjikë dozën përforcuese e kanë marrë më shumë se 70 për qind e qytetarëve të moshës madhore, ndërkohë në Bullgari dhe Rumani gjysma e qytetarëve ende janë të pavaksinuar.

Këto janë vetëm rekomandime të BE-së, pasi secili shtet anëtar do të vendosë për zbatimin e tyre në shtetet përkatëse. BE-ja tha se shpreson që anëtarët do të zbatojnë këto rekomandime me qëllim që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve. / KultPlus.com

BE-ja synon ta largojë fjalën ‘Krishtlindje’, Papa reagon me krahasim me nazizmin

Papa Françesku e ka krahasuar tërthorazi Bashkimin Evropian me diktaturën naziste për shkak se po përpiqet që të vendosë disa rregulla për përdorimin e gjuhës, përfshirë ndalimin e fjalës “Krishtlindje”.

84-vjeçari e paralajmëroi Bashkimin Evropian që “të mos e marrë rrugën e kolonizimit ideologjik”, pasi u kthye nga vizita 4-ditore në Greqi, shkruan Daily Mail.

Javën e kaluar, Bashkimi Evropian u ankua se po përpiqet që t’i “anulojë” Kërshëndellat, pasi i tha stafit që ta shmangë këtë fjalë dhe në vend të saj ta përdorë togfjalëshin “periudhë festash”, sepse ajo mund të jetë fyese për ata që nuk janë të krishterë.

“Është diçka që nuk ka funksionuar përgjatë tërë historisë. Në histori, shumë diktatura janë përpjekur që t’i bëjnë këto gjëra. Po mendoj për Napoleonin, diktaturën naziste, atë komuniste”, tha Papa përderisa po kthehej me aeroplan në Vatikan.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian është i nevojshëm, por duhet ta shmangë nxitjen e përçarjeve në mesin e vendeve anëtare. “Bashkimi Evropian duhet të jetë i kujdesshëm që të mos e marrë rrugën e kolonizimit ideologjik. Kjo mund të përfundojë në përçarjen e shteteve dhe shkaktimin e dështimit të BE-së”, tha Papa.

Në dokumentin e javës së kaluar të BE-së i thuhet stafit që të shmanget supozimi se të gjithë janë të krishterë dhe se “jo të gjithë i festojnë festat e krishtera dhe jo të gjithë të krishterët i festojnë ato në datat e njëjta”.

Në vend se të thuhet “periudha e Krishtlindjeve mund të jetë stresuese”, stafi u udhëzua që të thotë “periudha e festave mund të jetë stresuese”.

Kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit i Vatikanit, e akuzoi Bashkimin Evropian se po mundohet “t’i prishë rrënjët tona” duke e injoruar – e jo duke e respektuar – trashëgiminë e krishterë të Evropës./GazetaExpress/KultPlus.com

‘Ikona’ e të pagjeturve, Murati merr vëmendje ndërkombëtare me ekspozitën e tij ‘Më gjeni’

Skulptori Eroll Murati ka marrë vëmendje të madhe me ekspozitën e tij “Më gjeni” të cilën e kishte shfaqur në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Gazeta e njohur britanike, The Atlantic, ka përfshirë një fotografi të ekspozitës në fotot më të mira të javës, ku edhe kanë shpjeguar pjesën e kësaj ekspozite.

Instalacioni i skulpturave me titull “Më gjeni”, krijuar nga artisti kosovar Eroll Murati, shfaqet në sheshin kryesor të Prishtinës më 6 nëntor 2021, për të inkurajuar autoritetet që të shtojnë kërkimin për personat e mbetur të zhdukur nga Lufta e Kosovës, në fund të viteve 1990, shkruan mes tjerash The Atlantic.

Së fundmi, një reagim ka ardhur edhe nga Bashkimi Evropian mbi pjesën e të pagjeturve, ku këta të fundit kanë kërkuar që Ballkani Perëndimor të bëjë më shumë për punën e të pagjeturve.

Ekspozita “Më gjeni” ishte hapur në fillim të nëntorit duke simbolizuar thirrjet për fatin e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë. /Kultplus.com

BE-ja: Kryenegociatorët të vijnë në Bruksel në ditët në vijim

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, tha se negociatorë kryesorë të Kosovës dhe Serbisë duhet të shkojnë në Bruksel për t’u takuar.

Ai tha se ky do të ishte edhe hapi i parë pozitiv që duhet të ndërmerret.

“Ne jemi atje duke ofruar shërbimin tonë më të mirë dhe vullnetin më të mirë për t’i ndihmuar Kosovën dhe Serbinë. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë ta bëjmë këtë, prandaj përfaqësuesi më i lartë i BE-së, Josep Borrell, dje në deklaratën e tij propozoi takimin e të dy kryenegociatorëve për të ardhur në Bruksel në ditët në vijim si hapi i parë pozitiv për të gjetur zgjidhjet për mosmarrëveshjen diskrete që përshkallëzoi situatën sepse ajo që është urgjente është përshkallëzimi i situatës”, tha ai.

Stano shprehu përkushtimin e BE-së për t’i mbyllur të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë.

“Që prej se ne kemi rinisur dialogun që është ende duke vazhduar nga viti 2011-të, verën e kaluar ne jemi munduar t’ju bëjmë të qartë të dyja palëve se mënyra e vetme për të arritur të ardhmen evropiane për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë arrihet nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga Bashikimi Evropian”, tha Stano.

Ai tha se BE-ja po mundohet t’i ndihmojë palët për ta gjetur kompromisin e nevojshëm.

“Ky dialog është objektiv i cili duhet të arritur nëpërmjet kompromisit të lidhur ligjërisht përmbledhës me marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, kjo është çka BE-ja ofron dhe ne do të ofrojmë shërbime për të dyja palët për t’i ndihmuar ato që të adresojnë çështjet që mund t’i kenë për njëra-tjetrën për çfarëdo çështje të hapur që mund të kenë… Ne jemi duke u munduar që t’ju ndihmojmë të gjejnë kompromisin e nevojshëm për t’i dhënë fund të gjitha çështjeve të hapura që kanë mes vete”, deklaroi Stano./KultPlus.com

BE: Pandemia ka përkeqësuar situatën e komunitetit LGBTI

Bashkimi Evropian thotë se pandemia e koronavirusit ka përkeqësuar situatën e të drejtave të komunitetit LGBTI.

“Pandemia e COVID-19 ka rritur nivelin e dhunës dhe diskriminimit ndaj personave LGBTI, duke përfshirë dhunën në familje, gjuhën e urrejtjes në internet dhe krimet me bazë urrejtjen”, ka thënë përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, përcjell KultPlus.

Ai theksoi se çdo qenie njerëzore lind e lirë dhe e barabartë si dhe riafirmoi angazhimin e fuqishëm të BE-së për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut, përfshirë këtu edhe personat e komunitetit LGBTI.

Borrel theksoi se ishte i shqetësuar me faktin se 69 vende kanë kriminalizuar marrëdhëniet e dashurisë midis njerëzve të të njëjtës gjini dhe 11 vende madje kërcënuan edhe me dënime me vdekje.

“BE do të vazhdojë të trajtojë diskriminimin bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor, duke vazhduar thirrjet për një shoqëri më të drejtë, më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme”, theksoi tutje Borrell në një deklaratë. / KultPlus.com

Të ndarë nga pandemia, BE: Të bashkojmë çiftet e pamartuara

Bashkimi Evropian po i kërkon vendeve anëtare të zbusin kufizimet në udhëtim për shkak të Covid- 19, për të lejuar çiftet e pamartuara të ribashkohen pas afro gjysmë viti ndarje.

Shtetet anëtare të BE kanë rihapur kufijtë për njëri tjetrin edhe pse disa kufizime ende aplikohen dhe për një listë të shkurtër vendesh të treta ku koronavirusi konsiderohet nën kontroll. Por kjo listë përjashton pjesën më të madhe të vendeve në botë përfshirë SHBA, Rusinë, Brazilin, pjesën më të madhe të vendeve afrikane dhe aziatike.

Kjo do të thotë që qytetarë nga këto vende, që nuk janë banorë të BE, nuk mund të vijnë në BE. Një zëdhënës i komisionit evropian tha se Brukseli e ka ngritur çështjen që ka prekur shumë njerëz, atë të përjashtimit të partnerëve të pamartuar të qytetarëve të BE nga kufizimet në udhëtim.

“Nën situatën aktuale ligjore, vendet anëtare mund të lejojnë partnerët e pamartuar të hyjnë në BE nëse duan. Ne inkurajojmë vendet anëtare ta përdorin këtë mundësi. Aktualisht vetëm një numër i vogël vendesh anëtare e bën këtë”, tha ai.

Vetëm shtatë nga 31 vende të Evropës dhe tregut të përbashkët lejojnë partnerin e huaj të pamartuar të një shtetasi apo banori të tyre, tu bashkohen atyre. Këto janë republika ceke, Danimarka, Finlanda, Holanda, Norvegjia dhe Zvicra. Gjermania njoftoi të premten se do ti bashkohet atyre duke filluar nga java e ardhshme. Franca po ashtu pritet të heqë kufizimet për çiftet e pamartuara. /bw/ KultPlus.com

BE-ja do t’ua ndërpresë fondet qyteteve që i ndaluan fushatat e komunitetit LGBT

Qytetet polake, që e shpallën veten “zona të lira nga LGBT” ose që i ndaluan fushatat për të drejtat e këtij komuniteti, nuk do të kenë qasje në fondet e Bashkimit Evropian.

Presidenti Andrez Duda i ka fituar edhe pesë vjet në pushtet përmes një fushate zgjedhore ku u përfshinë edhe sulmet ndaj komunitetit LGBT, duke premtuar mbrojtje të vlerave konservatore.

Megjithatë, komisionerja e BE-së për Barazi, Helena Dalli, tha se gjashtë qytetet që kanë vendosur “zona të lira nga LGBT” apo që kanë themeluar rezoluta të ashtuquajtura rezoluta për të drejtat e familjes janë refuzuar në kërkesën për binjakëzim me qytete të tjera, ku përfshihet edhe qasja në fonde.

“Vlerat e BE-së dhe të drejtat themelore duhet të respektohen nga 27 vendet anëtare”, tha Dalli, shkruan “Daily Mail”.

Ky vendim erdhi pasi kryeministri polak, Mateusz Moraëiecki, tha se është duke e shikuar mundësinë e tërheqjes së vendit nga Konventa Evropiane e Stambollit, e cila lufton dhunën familjare.

Qeveria e ka cilësuar këtë traktat si të njollosur në aspektin ideologjik dhe kryeministri polak tha se konventa ngre dyshime serioze, duke lënë të kuptohet se ai anon nga tërheqja e shtetit prej këtij dokumenti ndërkombëtar.

Konventa e Stambollit është iniciativë e Këshillit të Evropës dhe është hartuar me qëllim të luftimit të dhunës ndaj grave.

Me këtë konventë kërkohen të drejta të barabarta mes burrave dhe grave, obligohen autoritetet shtetërore të marrin masa parandaluese për kundër dhunës ndaj grave, mbrohen viktimat dhe ndiqen shkelësit. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Von der Leyen i kërkon falje Italisë: Munguam kur kishte nevojë për ndihmë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke folur në Parlamentin Evropian, iu drejtua në mënyrë të veçantë Italisë, transmeton KultPlus.

Ajo kërkoi falje për sjelljen e BE në kohën kur shteti italian kishte më shumë nevojë për ndihmë.

“Është e vërtetë që shumë munguan kur Italia kishin nevojë për ndihmë në fillim të kësaj pandemie. Dhe është e vërtetë, BE tani duhet t’i kërkojë falje Italisë. Por faljet zbatohen vetëm nëse ndryshoni sjelljen tuaj. U desh shumë kohë që të gjithë të kuptojnë se ne duhet të mbrojmë njëri-tjetrin. E vërteta është kjo: tani Bashkimi Evropian është e pranishme për të ndihmuar më nevojtarët.”

Reagimi i von der Leyen erdhi pasi BE u kritikua shumë për qëndrimin që mbajti karshi Italisë. Madje, kryeministri Conte kërcënoi edhe me daljen nga unioni. / KultPlus.com

Evropa Kreative i uron mirëseardhje Kosovës

Dje në zyrat e Komisionit Evropian, Ministri Kujtim Gashi, ka takuar Komisionerin Evropian, Tibor Navracsis, me ç’rast kanë nënshkruar marrëveshjen ndërmjet Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin Evropa Kreative për mbështetjen e sektorëve të kulturës dhe atë kreativ.

Ndërsa sot pikërisht kjo platformë ka ndarë kohën për të uruar Kosovën për këtë bashkëpunim së bashku me Bashkimin Evopian.

“Urime Kosovën – Mirë se erdhët në familjen e Evropës Kreative. Jemi shumë të lumtur që Kosova ka nënshkruar një marrëveshje për t’u bashkuar me programin e Kulturës të Evropës Krijuese, duke mundësuar forcimin e bashkëpunimit kulturor”, gjersa kanë bërë të ditur se asambleja kosovare duhet të ratifikojë marrëveshjen para se aplikantët nga Kosova të mund të aplikojnë për thirrjet e Evropës Krijuese.

Pjesëmarrja në këtë program do t’u mundësojë artistëve dhe profesionistëve kulturorë evropianë, si dhe mijëra organizatave krijuese dhe botuesve që të punojnë së bashku dhe t’i bëjnë veprat e tyre krijuese në dispozicion të miliona qytetarëve.

Duke u mbështetur në faktin se programi i Evropës Krijuese kontribuon, ndër të tjera, për ruajtjen e diversitetit kulturor dhe gjuhësor evropian, ndaj synimeve evropiane për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe ndihmon sektorët kulturorë dhe krijues të përshtaten me epokën digjitale dhe globalizimin, krijimin e mundësive të reja ndërkombëtare, tregjeve dhe audiencës – MKRS konsideron se pjesëmarrja në këtë program është shumë e rëndësishme, shtoi ministri Gashi./KultPlus.com

Skënderbeu ideator i Bashkimit Europian

Është ky popull që, në mënyrë të paepur, me plot sakrifica të mëdha dhe me djersë e gjak ka mbrojtur rrënjët e tij, identitetin e tij dhe qenien e vet kombëtare. Familja Kastrioti e kishte famën e saj të madhe gjatë historisë dhe qeverisjes së Epirit. Kjo familje mbretërore ishte padyshim e shenjtëruar që në rrënjët e saj kombëtare. Ndaj, jo rastësisht, Kruja ishte metropol dhe kryeqytet i shtetit të Arbrit.

E vërteta është e patjetërsueshme, sado që gjatë proceseve dhe situatave të ndryshme të jetës së kombeve mundohen t’i vihet ndonjë shtesë apo ndonjë “por…”. Kurdoherë ajo mbetet e vërtetë në origjinalitetin dhe në bazën e saj burimore. Dhe kështu, kur ajo zbulohet përballë kombeve, e njeh gjuhën e saj të veçantë.

Gjergj Kastrioti ishte në moshën 29-vjeçare kur mori sërish në zotërim kështjellën atërore dhe brenda 33 ditëve e shtriu autoritetin e tij kushtetues në mbarë Shqipërinë. Shndërrimi i kështjellës së Krujës në një pikë strategjike të rezistencës heroike të kombit shqiptar europian, më pas të diplomacisë, artit luftarak dhe politikës parimore kundër pushtuesit barbar otoman përbënte, në fakt, edhe shndërrimin e kohës dhe të transformimeve të mëdha të Epirit, respektivisht të shtetit shqiptar europian, në rrugën e tij të zhvillimit dhe të ardhmërisë së tij të përbashkët europiane. Historia bëhet akoma më bindëse dhe më konceptuale kur shohim se si në këtë moshë arriti ta testojë gjithë personalitetin e tij përballë sfidave që i dilnin përpara, si të arritjes së çlirimit të vendit, ashtu edhe të pavarësisë dhe themelimit të institucioneve qeverisëse të shtetit të Arbrit. Po ashtu, faktet duket të bëhen edhe më bindëse që ai ishte një trashëgimtar besnik i traditave europiane të kombit shqiptar; dhe kjo tregon se ai e bëri këtë ashtu siç edhe do të duhej të ishte në të vërtetë, brez pas brezi.

Si princ i urtë dhe vizionar, ai instaloi në jetën politike dhe institucionale moralin dhe përgjegjshmërinë, vlerën e përbashkët të qeverisjes demokratike. Më pas theksoi identitetin politik,demokratik, si dhe rregullimin e shtyllave bazike dhe juridike të shtetit kushtetues. Politika në vetvete përmban një nga elementet thelbësore të moralit dhe të imazhit të pushtetit aktiv, efektiv dhe parimor. Nëse morali i saj (i politikës) ngjason me llambën që ndriçon sektorët e ndryshëm të dhomave të institucioneve të shtetit, atëherë ajo ka arritur shkallën më të lartë të ndërgjegjes kombëtare e politike dhe të identitetit të saj shtetëror, në dritën e historisë së zhvillimeve pozitive të kombeve.

Kombet, por sidomos ato që i kanë rrënjët e lashta, kanë pasur fatin të përfaqësojnë kombet më të sulmuara nga kthetrat e ujqërve barbarë, me gjithë përpjekjet e tyre për t’i nënshtruar, pastaj skllavëruar dhe shkulur rrënjët e lashta të kombit shqiptar.
Gjithmonë ky komb, si yll i zbritur nga qielli, ka pasur fatin të jetë i mbrojtur si nga dora e dashur e Atit qiellor ashtu edhe nga njerëzit, të cilët kanë pasur bekimin e tij që ta mbrojnë kombin nga shuarja e tij totale dhe nga deformimet prej demoni në fytyrën e
historisë së këtij kombi biblik. Një ndër personalitetet kryesore të kombit shqiptar europian, i cili ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë e kombit shqiptar, si dhe në atë të historisë botërore dhe europiane në veçanti, është Gjergj Kastrioti, strateg, diplomat dhe lidership vizionar i kombit shqiptar. Gjergj Kastrioti, gjatë përpjekjeve të mëdha historike kishte dy objektiva strategjike-politike: e para, ajo çfarë vendi kishte
më së shumti nevojë ishte liria (e brendshme dhe e jashtme), çka nënkuptonte edhe pavarësinë e vendit. Ndërsa e dyta, rikthimi i kombit shqiptar në vendin e tij shpirtëror, kulturor e të natyrshëm, pra në familjen e gjerë europiane, që nënkuptonte rikthim në
identitetin europian të kombit shqiptar, pasi pushtimi barbar turk e kishte skllavëruar, deformuar dhe ndalur në kohë këtë komb në rrugën e tij drejt të ardhmes, në unitet me familjen e saj europiane. Shekulli XV është shekulli i diplomacisë së fitoreve të Gjergj
Kastriotit; shekulli XV është shekulli i përpjekjeve të tij historike në çlirimin e plotë të kombit shqiptar nga barbarët turq, si dhe i vendosjes së kombit shqiptar në kohën europiane dhe në dinamikën e përgjithshme të zhvillimit drejt të ardhmes së përbashkët si familje. Shekulli XV, po ashtu, është shekull i testit diplomatik dhe gjeopolitik të Europës në zhvillimin e politikës së saj të jashtme dhe të vendosjes së bazës së saj të fuqishme në ruajtjen dhe në jetësimin e vlerave të saj shpirtërore, kulturore etj., si dhe mbrojtja nga barbaria e egër turke dhe nga erërat ideologjike të kësaj perandorie barbare.Prandaj “kjo është ajo që më bën mua të pavdekshëm si shqiptar europian! Gjaku i Gjergj Kastriotit vlon i pastër ndër venat e mia, ndërsa shpirti i tij i madh e ruan qenien tonë kombëtare dhe europiane të palëkundur drejt rrugës së ardhmërisë”.

Gjon KEKA, Skënderbeu ideator i Bashkimit Europian, Botart Tiranë 2012.