Gonxhja: Kalaja e Bashtovës po merr jetë të re si një hapësirë funksionale dhe dinamike

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot pamje nga Kalaja e Bashtovës, e cila po merr jetë të re, jo vetëm si një monument historik, por si një hapësirë funksionale dhe dinamike për komunitetin dhe vizitorët.

Përmes projektit EU4CULTURE të financuar nga Bashkimi Evropian, është përfunduar restaurimi i plotë i kalasë, ndërkohë që po finalizohet ndërtimi i një qendre moderne për vizitorët.

Kjo qendër do të shërbejë si pikë informacioni me ambiente të përshtatshme për aktivitete sociale, kulturore, artistike dhe edukative.

Synimi kryesor është rijetëzimi i kalasë, duke e shndërruar atë në një pol të rëndësishëm turistik dhe kulturor për zonën.

Hapësira e saj unike dhe karakteri historik do të mundësojnë organizimin e koncerteve, ekspozitave, aktiviteteve edukative për të rinjtë, eventeve tematikë dhe shumë të tjera, duke e kthyer kalanë në një qendër të gjallë të jetës kulturore dhe turistike në zemër të Shqipërisë./atsh/ KultPlus.com

Gjetje të reja arkeologjike në kalanë e restauruar të Bashtovës

Bashkë me lajmin e mirë të restaurimit të kalasë unike të Bashtovës, falë programit EU4Culture, vjen dhe ai i gjetjeve të reja arkeologjike, që hapin dritare të reja mbi historinë e monumentit.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale ministrja e Kulturës, Elva Margariti, sipas së cilës gjatë këtyre ditëve, krahas punës restauruese në Kalanë e Bashtovës, po realizohen edhe sondazhe arkeologjike për identifikimin e shtresave kulturore të monumentit si dhe për kontrollin e çarjeve vertikale në pika të ndryshme të tij.

Së fundmi sondazhet kanë nxjerrë në dritë gjurmë të periudhës otomane të shek. XVIII.

Janë gjetur gjyle të përmasave të ndryshme si dhe materiale qeramike të së njëjtës periudhë. Jo vetëm gërmimet e mëtejshme, por edhe dokumentimi dhe studimi i materialeve të gjetura do të japin përgjigje më të sakta lidhur me këto gjetje.