Kalaja e Bashtovës mikpriti këtë fundjavë një festë të organizuar nga projekti EU4Culture i financuar nga Misioni i Bashkimit Europian në Shqipëri.
Festivali i Bashtovës eksploroi kulturën e pasur të Kavajës dhe Rrogozhinës përmes performancave të artistëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, aventurave në natyrë dhe një panairi artizanësh e prodhimesh vendase.
Festivali ishte mjaft i larmishëm, filloi me një ecje përgjatë Shtegut të Liqeneve, më pas, mbrëmja u gjallërua me një panair artizanal, me pikturat e Stefanaq Sotjës dhe fotot e Sulejman Qolit.
“Krenarë që mbështetëm Festivalin e Bashtovës përmes programit EU4Culture. Artistët krijuan një atmosferë fantastike me meloditë tradicionale, ato ndërkombëtare dhe kërcimet”, tha Misioni i BE-së në Shqipëri në një postim në rrjetet sociale ku ndau edhe pamje nga aktivitetet e organizuara.
Kalaja e Bashtovës ndodhet rreth 2 km larg fshatit Vilë-Bashtovë në afërsi të lumit Shkumbin. Kalaja u ndërtua në shekullin XV dhe shërbeu si një objekt tregtimi për tregtarët venecianë dhe si një fortesë për të larguar pushtuesit osmanë. Pozicioni i saj strategjik i lejoi luftëtarët mesjetarë të kontrollonin një zonë shumë të madhe të Adriatikut në perëndim dhe njëkohësisht, fushën në lindje./atsh/KultPlus.com



