Ish-basketbollisti Ferit Zekolli: Natën e 28 nëntorit më 1977, e festuam në heshtje deri në mëngjes kur të gjithë menduan se po festonim fitoren e lojës në Beograd

Era Berisha

I krahasuar me gjermanin Dirk Nowitzki, preciziteti, energjia e pakrahasueshme dhe shtatgjatësia e legjendës së basketbollit të Kosovës, Ferit Zekolli, ka bërë që emri i tij të vuloset jo vetëm në historinë e Kosovës, por edhe përtej saj. Ish qendra dominuese e disa skuadrave kosovare e kroate, me përvojën e tij të madhe si basketbollist, kulmi i karrierës së tij ishte viti 1977/78, duke qenë anëtar i kampionit të pesëfishtë, KB “Zara”, e njëkohësisht duke shënuar kështu një rrugëtim i cili ngërtheu në vete jo vetëm krahasime të nivelit botëror por edhe sfida, çmime, kritika e lëvdata nga më të ndryshmet. I konsideruar si kosh-shënuesi më i mirë, Zekolli me një teknikë të rrallë e një ëndërr të nisur vonë, ai arriti të kapte majat më të larta të mundshme, me ç’rast për këtë rrugëtim tejet të veçantë të kësaj figure të shquar të sportit kosovar, që papritmas u ndërpre për shkak të një lëndimi në këmbë, do ta keni rastin ta lexoni në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus.

KultPlus: A mund të na tregoni se kush ose çfarë ju frymëzoi për të ndjekur një karrierë si basketbollist?

Ferit Zekolli: Në fakt, krejt rastësisht e kam vërejtur që kisha qenë i lindur për basketboll, pa marrë parasysh që me vonesë kam filluar por i kam arritur majat e botës në basketboll, andaj edhe sot jam më se i kënaqur.

KultPlus: Çfarë ju lidh juve personalisht më së shumti me këtë sport?

Ferit Zekolli: Po personalisht ajo se çka më lidh më së shumti është se kam pasur fatin të jem i vetmi shqiptar në botë i cili ka luajtur në ligën më të fortë e të rëndësishme në atë kohë. Pra, në një ekip i cili ishte i ish-Jugosllavisë dhe luante në ligën më të fortë në botë, duke përjashtuar ‘NBA’, për arsye se sot ka ndryshuar edhe Evropa, Azia, Afrika, duke i marrë lojtarët nga vende të ndryshme. Kurse, në kohën tonë ka pasur vetëm lojtarë vendorë e prej shqiptarëve i vetmi unë kam qenë që kam luajtur në atë ligën e parë për klubin më të fortë e më të organizuar atëbotë, që quhej Zara, një ekip i cili ishte pesë herë kampion i atij shteti dhe shtatë herë ishte fitues i kupës së shtetit.

KultPlus: Kush ka qenë një nga ndikimet më të rëndësishme në jetën dhe karrierën tuaj në sport?

Ferit Zekolli: Kur kam filluar ta përcjell shumë vonë lojën në basket, një ndër ndikimet më të rëndësishme ka qenë i ndjeri Krešimir Ćosić, i cili në atë kohë ishte qendra më e mirë në botë, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Kështu që, unë pata fatin që të ushtroja edhe me të mjaft shumë, pasi që atë vit, ai e pati ndërprerë rrugëtimin me klubin e Zarës në vitin 1977, duke kaluar në Lubjanë. Por, rreth tre apo katër ditë, ai qëndronte në Zarë dhe ushtronte me neve, ndërsa unë dy herë në ditë, ushtroja me të. E ai me të vërtetë ishte një fenomen i papërshkrueshëm.

KultPlus: Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha të karrierës suaj deri më tani?

Ferit Zekolli: Sikurse çdo sportist, sfidat janë gjithmonë aty për arsye se ti pretendon për tu bërë një lojtar profesional. Unë i kam pasur sfidat e mia gjithmonë në kokën time por çdo herë kam ëndërruar me i arrit majat e atij sporti me të cilën merrem. Kurse, sot jam më se i lumtur e i kënaqur që i kam arritur, sepse thjesht në një ligë më të fortën në botë, unë isha pjesëmarrës, si dhe një ndër realizuesit më të mirë në Evropë. Është kënaqësi dhe mburrje, jo vetëm për veten por dhe për të gjithë popullin anembanë. Por, ndodhitë në ish-Jugosllavi bënë që ne të ngecim mbrapa si Kosovë.

KultPlus: Nga të gjitha fitoret e mundshme në karrierën e juaj, cilën do e veçonit dhe pse?

Ferit Zekolli: Sigurisht, ka shumë fitore të cilat do të doja ti veçoja por ndoshta do veçoja njërën. Fitoren e parë në vitin 1973/74, në reputacionet e ish Jugosllavisë të Republikave dhe krahinave, ka qenë ai turneu ‘Bashkim-Vllaznim’. Kështu që, i pari turne na pati rënë me luajt në Bosnje, gjegjësisht në Sarajevë. Lojën e parë e luajtëm me Malin e Zi, andaj do e veçoja për arsye se aty unë u shpalla lojtari më i mirë i ndeshjes dhe isha realizatori më i mirë, duke thyer rekordin e pikëve të shënuara nga ana ime. Në total ishin 76 pikë midis palestrës ‘Skënderi’ të Sarajevës.

KultPlus: Cilat janë parimet kryesore në mësimin e këtij sporti?

Ferit Zekolli: Sikurse edhe në çdo sport tjetër, parimet kryesore janë disa. Duhet stërvitur shumë, duhet dëgjuar shumë, duhet të iu përmbahesh rregullave të sportit, të kesh jetë sportive. E unë i kam pasur këto të gjitha, por basketbolli në njëfarë mënyre është rast më specifik sepse është një lojë me të cilën arrihet kulminacioni, vetëm atëherë kur ke precizitet dhe je i zgjuar në fushë. Andaj, të gjitha kishin zënë vend në karrierën time sportive, gjë që është një rast i rrallë tek njerëzit e gjatë që të posedojnë këtë precizitet sepse zakonisht lojtarët në basketboll janë më preciz, ndërsa unë si qendër isha qendra më precize me një mesatare me mbi 40 pikë për ndeshje.

KultPlus: Cili lloj i teknikës në basket është i preferuari juaj?

Ferit Zekolli: Në atë kohë ka qenë një teknikë e titulluar ‘Horog’, të cilën e kam përdorur mjaft shumë. Për të shënuar nga krahu, kthehesh me krah të majtë nga koshi dhe me dorë të djathtë gjuan ose dhe anasjelltas. Unë me të dy duart kam qenë shumë preciz dhe jo vetëm nga afërsia por edhe nga distanca. Në bazë të rregullave të lojës, në kohën time nuk kanë ekzistuar këto treshet sikurse janë sot, me ç’rast nëse do të ekzistonte, atëherë unë minimum do ti kisha dhënë gjithmonë përmbi dhjetë treshe në lojë. Dhe atë vetëm se do t’ia kisha munguar dy ose tre, maksimumi. Por, kjo arrihet vetëm me punë për arsye se talenti nuk zë vend as edhe 5 përqind. Unë gjithmonë parim e kam pasur punën dhe qasjen nga ajo pika vështruese, duke pretenduar gjithmonë kah profesionalizmi. Është me të vërtetë një sfidë e madhe. Nëse e ke pikën vështruese dhe e ke të caktuar qëllimin përbrenda, atëherë do të arrish deri ku synon por nëse shikon gjithmonë poshtë, atëherë aty do të ngelesh. Unë gjithmonë kam pretenduar lartë dhe aty kam arritur.

KultPlus: A keni një vend të preferuar të një salle basketi, të cilën ëndërroni ta prekni përsëri?

Ferit Zekolli: Unë sallën e basketit të cilën e kam dashur më së shumti, veçse e kam prekur. Por ajo nuk është thuajse sallë e madhe. Me një kapacitet prej 400 ulëse, sot ende vepron salla e Fakultetit të Edukatës Fizike këtu. Gjatë karrierës time, unë përparimin më të madh dhe zhvillimin tim si basketbollist, e kam arritur pikërisht në atë sallë, të cilën kisha mundësi ta përdorja sa herë të kisha dëshirë, falë mbështetjes së profesorëve të mi. Më kujtohet, duke qenë edhe shoqëri e pandashme, kemi qenë si të ri e kemi pasur dëshirë të shkojmë nëpër vende ku muzika ishte e lëshuar deri në fund, së bashku me ish futbollistët dhe boksierët e tjerë, ku deri në ora dymbëdhjetë apo një të natës, qëndronim nëpër lokale me muzikë live. Pas muzikës, gjithmonë me dy studentë, shkonim pikërisht në sallën e Fakultetit, për të ushtruar dy orë, maksimumi. E në shumicën e rasteve, ne kemi pritur edhe mëngjesin së bashku në sallë.

KultPlus: Cilat ishin ato karakteristika që ju bënë juve më të veçantë në stilin tuaj?

Ferit Zekolli: Unë kam luajtur me shpinë kah koshi dhe kam shkuar jo një hap mbrapa, por dy. Kështu që, ka qenë e pamundur dhe e paarritshme që dikush të më bllokojë. Natyrisht, vetëm nëse do të ishte personi tre metra i gjatë për të më bllokuar mua. Menjëherë duke u larguar nga kundërshtari, gjithmonë kam gjuajtur afër vijës fundore të fushës. E kjo arrihet vetëm me përvojë e ushtrime të mëdha përgjatë rrugëtimit. Ndërsa, e mbaj mend se për mua më së lehti ishte që unë vetëm të gjuaja.

KultPlus: A mund të na tregoni momentin më të paharrueshëm për ju si basketbollist?

Ferit Zekolli: Momenti më i paharrueshëm për mua vazhdon të mbetet ai në vitin 1977 më 28 nëntor me ekipin e Zarës. Ishim në ligën e parë të ish-Jugosllavisë, mysafir në Beograd me Radničkin, ku luanim në kampionat. Radnički kishte qenë një vit më parë kampion i ish-Jugosllavisë. Gjithmonë para ndeshjes, është një ndjenjë që e dimë kur shkojmë për të fituar apo humbur me pesë deri në dhjetë pikë. Ne kishim shkuar të humbnim me dhjetë pikë për arsye se atë vit ‘Zara’ ka qenë e hendikepuar për faktin se Josip Gjergja, lojtari më i mirë në Evropë dhe Ćosić, qendra më e mirë, patën lëshuar klubin e Zarës. Gjergja u bë trajner kurse Ćosić shkoi në ekipin e Lubjanës. Andaj, ne shkuam atje por në fakt jo që humbëm por fituam, dhe atë diku rreth trembëdhjetë pikë diferencë. E ishte 28 nëntor, unë dhe Gjergja e dinim se është festë mbarëkombëtare e shqiptarëve por atëherë festohej në heshtje. Kështu që, të gjithë mendonin se po festonim fitoren e lojës por ne e kemi pasur edhe një shkak më të rëndësishëm se fitorja. Ne festuam deri në mëngjes, dikur rreth orës gjashtë, atëherë kur edhe ishte vija ajrore në Beograd-Zarë. Në kujtesën time, kjo lojë përgjithmonë do të mbetet më e paharrueshmja.

KultPlus: Cili do të ishte përkufizimi juaj për suksesin?

Ferit Zekolli: Së pari vullneti, dashuria për sportin, punën dhe dëshira për të dëgjuar atë se çfarë thuhet. Plus, edhe jeta sportive. Fatkeqësisht, unë pata një lëndim ku theva këmbën e majtë, gjë që më ka ndikuar në karrierën time. Por, jam tejet i kënaqur me arritjet të cilat i kam pasur në karrierën time.

KultPlus: Cila ishte pjesa më sfiduese e të qënurit basketbollist? Dhe aspekti më përmbushës?

Ferit Zekolli: Pjesa më sfiduese ka qenë gjithmonë përgatitjet të cilat ne rregullisht i kemi pasur dy deri në tre përgatitje në vit. I ndjeri, Bardhyl Nushi, ka qenë një trajner shumë i mirë dhe profesor i cili gjithmonë na ka munduar për hir tonin, në mënyrë që ne të kaliteshim sa më tepër. Për mua, edhe më e vështirë, ka qenë ai ‘footing’ i mëngjesit kur duhej të ndodhnin vrapimet. E ato vrapime pa top, në të thatë, gjithmonë ishin të mërzitshme. Por, nëse do të më kishte dhuruar tre topa, vetëm do të udhëheqja pa ndalur e do të shënoja kosha sa më shumë. Por, pa këto ushtrime, nuk do të mund të kisha qëndrueshmërinë e shpejtësinë e nevojshme. Ndërsa, aspekti më përmbushës ka qenë se tani jam kthyer në një fytyrë e njohur për arsye se kam lënë gjurmë pozitive kudo që kam shkuar, si në Kosovë ashtu edhe në Evropë.

KultPlus: Nëse do të ishte vetëm një teknikë që do t’ia mësonit basketbollistëve të rinj për pjesën tjetër të jetës, cila do të ishte ajo?

Ferit Zekolli: Teknika ime e vetmja që do ta sugjeroja sot do të ishte: shot, driblim, shot. Për arsye se vrapimet janë tashmë të detyrueshme e çdo lojtar i çdo kalibri mund ti bëjë ato, por duhet të tentosh të shënosh sa më shumë. Ai i cili shënon sa më shumë dhe harxhon topa më së paku, ai është më i miri. P.sh shohim ‘NBA’ dhe lojtarët më të mirë atje janë: Michael Jordan, i ndjeri Kobe Bryant, LeBron James, Stephen Curry. Të gjithë janë më të mirët sepse shënojnë më së tepërmi pikë. Andaj, kryesorja është që të jesh sa më i përgatitur për sa i përket gjuajtjeve në çdo pozicion.

KultPlus: Cilët ishin basketbollistët e juaj të preferuar kur ju filluat të mësoni për basketin?

Ferit Zekolli: Basketbollisti më i preferuar i imi, gjithmonë do të mbetet, i ndjeri Krešimir Ćosić. E kam dashur shumë dhe po njëjtë edhe e kam adhuruar. Ka qenë shumë lojtar më i mirë se unë. Atëherë, lojën e parë kur e kemi filluar në ‘Zarë’, mua trajneri im më thoshte se pata një lojë të zbehtë, kur njëri nga ekipi i Zarës, i përgjigjet: ‘Qysh lojë të zbehtë? Sillma proçesin’. Kur në proçes shkruante se 33 kosha i kisha shënuar vetëm unë, e ai i njëjti vazhdonte i befasuar: ’33 kosha ndaj Ćosić? Më të mirit në botë?’.

KultPlus: Nëse do të ktheheshit në kohë, çfarë do të ndryshonit nga rrugëtimi juaj?

Ferit Zekolli: Të vetmin ndryshim do ta bëja ndoshta në lidhje me fillimin tim në sportin e basketit. Pra, do të nisja jo në moshën njëzet vjeçare por në moshën 10 vjeçare. Sigurisht me punën e vullnetin tim, ndoshta edhe do të arrija ende më larg në Evropë.

KultPlus: Duke pasur parasysh kushtet në aspektin e sportit në Kosovë, cilat do të ishin disa ndryshime kyçe që do të duhej të ndodhnin menjëherë?

Ferit Zekolli: Disa ndryshime do të duhej të ndodhnin menjëherë në udhëheqjen e federatave dhe klubeve. Duhet që njerëz kompetentë ta marrin e të udhëheqin sportin e basketbollit. Basketbolli është një lloj shkence. Nuk mundet çdokush, as ta luaj e as ta udhëheqë. Andaj, ka mjaft trajnerë të cilët do të mund të kontribuonin por në fakt janë të anashkaluar, jo vetëm ata por edhe ish lojtarët. Sot akoma nuk është asnjë shqiptar nga Kosova që është shitur diku. Në atë kohë, unë shumë shtrenjtë jam shitur, duke qenë kështu lojtari më i paguar në krejt ligën e ish-Jugosllavisë. Tani, është shumë problem të kemi një lojtar të kalibrit 2.10.

KultPlus: A mund të na tregoni ndjesitë që kanë për ju, sukseset e juaja përgjatë viteve?

Ferit Zekolli: Aso lige si në atë kohë, më nuk ekziston. Nuk janë kushtet. Sot, për fat të keq, aso ndjesish asnjëherë nuk mund ti ketë asnjë shqiptar basketbollist. Por, unë jam shumë optimist që do të vijë edhe ajo kohë e ai moment që të përjetohet ndjenja e të qënurit një lojtar i kalibrit evropian e botëror.

KultPlus: A mendoni se një punë e kryer me pasion e vullnet, është shumë më e vlefshme se sa një punë e kryer pa ato ndjenja?

Ferit Zekolli: Gjithsesi. Ajo nuk do diskutim. Gjithmonë duhet t’ia shtrosh vetit, ato konditat me të cilat duhet të jesh gati të përballesh për të arritur majat më të larta. E nëse arrin të mbërrish, atëherë ti veçse i ke kaluar të gjitha barrierat e mundshme.

KultPlus: Për fund, cili do të ishte mesazhi juaj për basketbollistët që dëshirojnë të ndjekin këtë rrugëtim të njëjtë?

Ferit Zekolli: Në fillim kanë për të menduar se është e paarritshme por unë ju premtoj atyre se do të arrijnë atje lart vetëm me punë, përkushtim, dëgjim, jetë sportive dhe disa komponentë tjera. / KultPlus.com

Së shpejti themelohet Liga Mbarëshqiptare e Basketbollit

Basketbolli shqiptar së shpejti do të ketë ligën mbarëkombëtare. Për këtë gjë, sot Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur në takim krerët e Federatës së Basketbollit të Kosovës, të kryesuar nga Arben Fetahu.

Në këtë takim koordinues u diskutua për marrëveshjen që pritet të nënshkruhet mes Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për themelimin e Ligës Mbarëkombëtare Shqiptare të Basketbollit, e cila mundëson zhvillimin e garave mes klubeve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Kryetari Fetahu e njoftoi ministren Dumoshi se orientimisht në pjesën e parë të shtatorit marrëveshja pritet të nënshkruhet në Tiranë mes dy federatave në prezencën e ministreve homologe.

Po ashtu, kreu i FBK-së, Arben Fetahu, e informoi ministren edhe për problemet me të cilat po ballafaqohen basketbollistët dhe federata për shkak të pandemisë. Ai tha se po presin kur autoritetet do të lejojnë zhvillimin e stërvitjeve dhe garave nëpër palestra dhe menjëherë të fillojnë përgatitjet për sezonin e ri.

Nga ana e saj, Ministrja Dumoshi, u shpreh se mirëpret nismën për themelimin e Ligës Mbarëkombëtare dhe MKRS-ja është e gatshme që të mbështesë këtë ligë në bazë të kapaciteteve të mundshme të saj.

Po ashtu, ministrja tha se në koordinim me autoritetet përgjegjëse shtetërore, do të angazhohet që sa më shpejt që është e mundur të lejohet nisja e garave për sezonin e ri në basketboll.

Ministrja i informoi krerët e FBK-së edhe për mbështetjen që do të kenë basketbollistët nga fondi emergjent i MKRS-së, ku ata pritet të përfitojnë drejtpërsëdrejti. / KultPlus.com