Në kontrast me atë që kemi mësuar nga librat e historisë, Bastija nuk është pushtuar kurrë përmes një sulmi popullor.
Në fakt, ajo iu dorëzuar rebelëve në një mënyrë mjaft paqësore. Nëse duhet të jemi të saktë, festa kombëtare e Francës – 14 korriku, nuk duhet të festohet për sulmin mbi Bastijë, por për vetë dorëzimin e saj tek rebelët.
Përmbledhja zyrtare historike e kësaj ngjarje, është si më poshtë:Më 14 korrik 1789, mijëra rebelë marshuan drejt fortesës së mirë-njohur mbretërore në Bastijë në qendër të Parisit, për të protestuar kundër regjimit tiranik të mbretit Luigji XVI, dhe kundër nxjerrjes në pension të Zhak Neker, ministrit francez tejet popullor të Financave.
Rojet besnike ndaj mbretit, filluan të qëllonin mbi turmën rebele duke përdorur topat dhe mushqetat, por megjithatë rebelët, edhe pse kishin pësuar shumë humbje, arritën të sulmonin heroikisht dhe ta pushtonin këtë simbol të neveritshëm të fuqisë mbretërore.
Ata liruan të burgosurit që vuanin nga qelitë e Bastijës, shpallën fundin e despotizmit, dhe fillimin e një të ardhmeje më të mirë për njerëzimin. Në realitet, gjithçka rrodhi në një mënyrë krejtësisht të ndryshme. Së pari, Bastija nuk ishte ndonjë lloj kështjelle e zymtë.
Në fakt, ai ishte një burg mjaft luksoz për të dënuarit që vinin nga shtresa e aristokracisë, duke përfshirë edhe Markezin famëkeq së Sade, i cili mbante me vete në qeli edhe shërbëtorin e tij personal, dhe kishte të drejtë të lëvizte lirshëm.
Në gjithë Bastijën, ndodheshin të burgosur vetëm 10 persona, dhe në të vërtetë vetëm shumë pak qytetarë francezë jashtë fortesës, jetonin në kushte më të mira se sa ata. Nëse ne mund t’u besojmë historianëve bashkëkohorë, disa të burgosur madje u lutën të lejoheshin të qëndronin në Bastijë, edhe pasi ishin “çliruar” nga rebelët.
Përveç kësaj, shumica e rojeve, ishin në të vërtetë veteranë të luftës, kryesisht 50-vjeçar apo më të moshuar. Së dyti, turma e zemëruar që nxitoi për të pushtuar Bastijën më 14 korrik 1789, nuk kishte ndërmend të protestonte kundër ndonjë gjëje.
Përveç kësaj, fillimisht fshatarët as që kishin ndërmend të sulmonin Bastijën. Ata synonin vetëm të merrnin disa topa që ndodheshin në një magazinë pranë fortesës. Megjithatë, Bernard de Lonej, guvernator i Bastijës, i kishte futur tashmë topat brenda kalasë.
Për shkak të kësaj, fshatarët i dërguan atij një delegacion për të zbuluar se çfarë kishte ndërmend të bënte. “Asgjë”- u përgjigj de Lonej në mënyrë logjike. Ai nuk donte t’u jepte topat rebelëve, por as nuk t’i sulmonte ata, përveçse nëse s’do të kishte zgjidhje tjetër. Ndërkohë, fshatarët që qëndronin jashtë kështjellës, bënë pikërisht atë që s’duhej të bënin; hapën zjarr ndaj rojeve të Bastijës.
Rojat u kundërpërgjigjën, dhe sulmuesit, të habitur nga rezistenca e papritur, u tërhoqën. Duke u ndjerë sikur rojet kishin shkelur marrëveshjen mes tyre, njerëzit e tërbuar filluan të plaçkitnin stallat dhe lagjet rezidenciale, të vendosura jashtë kështjellës.
Shumë shpejt, për të parandaluar shkatërrimet e mëtejshme, de Lonej ngriti një flamur të bardhë në majë të fortesës së Bastijës si një shenjë kapitullimi. Më pas, rojet deklaruan se janë gati t’ia dorëzonin rebelëve Bastijën – ky është një fakt historik.
Ata hapën portat dhe të gjithë, përfshirë De Lonej, u mblodhën në oborr për t’u dorëzuar. Kjo ndodhi saktësisht në orën 5 të pasdites së 14 korrikut 1789. Deri atëherë, gjatë sulmit kishin humbur jetën jo më shumë se dhjetëra njerëz.
Megjithatë, pasi udhëheqësit e rebelëve hynë në Bastijë dhe e pranuan kapitullimin, u pasuan menjëherë nga një turmë e tërbuar, e pushtuar nga ndjenja e hakmarrjes. Brenda pak minutash, rebelët vranë shumicën e rojeve, rrëmbyen të gjitha armët që ndodheshin brenda, plaçkitën tërësisht Bastijën, dhe u larguan me kokën e De Lonej të varur mbi një hu. Kjo është pra ajo që ndodhi realisht më 14 korrik 1789, një ditë për të cilën ndoshta askush nuk duhet të ndihet krenar, shkruan bota.al. / KultPlus.com