Bateristi i Rolling Stones, Charlie Watts ka vdekur në moshën 80 -vjeçare, ka thënë publicisti i tij.
“Me trishtim të madh njoftojmë vdekjen e të dashurit tonë Charlie Watts”, thuhej në një deklaratë, shkruan BBC, transmeton KultPlus.
“Ai vdiq paqësisht në një spital në Londër më herët sot i rrethuar nga familja e tij”, lexonte më tej deklarata.
Thuhet se ai ishte “një burrë, baba dhe gjysh i dashur” dhe “një nga bateristët më të mëdhenj të brezit të tij”.
Deklarata shtoi: “Ne kërkojmë me mirësi që privatësia e familjes së tij, anëtarëve të grupit dhe miqve të ngushtë të respektohet në këtë kohë të vështirë”.
Lajmi vjen javë pasi u njoftua se Watts do të humbte datat e turneut të grupit në ShBA për t’u shëruar nga një procedurë mjekësore e paspecifikuar. Watts u trajtua më parë për kancerin në fyt në vitin 2004.
Ai kishte qenë anëtar i Rolling Stones që nga janari i vitit 1963, kur u bashkua me: Mick Jagger, Keith Richards dhe Brian Jones në grupin e tyre fillesta. / KultPlus.com