Etër e bij, dy botë përballë njëra – tjetrës

Nga Batjar Halili

Kohëve të fundit në shoqërinë kosovare shikojmë prishje të raporteve të prindërve me fëmijët e tyre. Sociologët i shohin në këndvështrimin e konfliktit të gjeneratave, psikologët me raste e lidhin me çrregullimet, me zhvillimin dhe formimin e individit. Kurse specialistët e fushave të komunikimit e lidhin me pamundësinë e komunikimit e ndikuar kjo nga shoqëritë patriarkale ku me i madhi (burri)  ka qenë shtylla e shtëpisë ka dituar apo nuk ka ditur të udhëheqë fjala e tij është dashur të shkonte deri në fund me apo pahir. Por nëse e shikojmë në këndvështrimin e fushës së psikologjisë ky problem duhet të shtrohet në tri fushat e studimet e lartpërmendura. Nëse e shikojmë në bazë të zhvillimit të sociologjisë ky realitet shoqëror është konflikt ndërmjet gjeneratash. Nëse e ndërlidhim me shkencat e komunikimit edhe këtu e kuptojmë se kjo ka ardhur nga mungesa e një komunikimi dhe marrëdhënie të shëndoshë prindër – fëmijë që çon në një situatë konfliktuale.

Por nëse i referohemi fushës së psikologjisë dhe bëjmë ndërlidhjen me dy fushat e lartpërmendura duhet t’i futemi një shtjellimi më të detajuar. Gjeneratat e viteve 1950 e mbrapa, shumica e tyre, kanë qenë emigrant në kërkim të sigurimit të bukës së gojës, dhe shkuarja e tyre në vende të përparuara dhe me kulturë evropiane këta i ka gjetur të papërgatitur, sepse kanë shkuar që nga bastuni (shtaga e çobanit), pra, nuk kanë pasur profesion, nuk kanë pasur shkollim, dmth maksimumi që mund të kenë pasur është shkolla e mesme. Ata nuk kanë shkuar me familje në vendet e huaja,  kanë qëndruar të anashkaluar dhe këto aspekte kanë bërë që ata për disa vite me radhë të punojnë si punëtor krahu dhe të luftojnë me jetën. Disa prej tyre edhe janë martuar dhe i kanë lënë gratë e tyre, disa pak më me “seder familjare” nuk janë martuar, por kanë mbajtur dashnore dhe në realitetin e shoqërisë sonë janë prezantuar si “të ndershëm”.

Kur përmblidhet e gjithë çështja e lartrajtuar këta lloj tipash çekiçë (çekanë) kanë shkuar dhe kur janë kthyer kanë gjetur një gjeneratë të re që i kanë parë si gozhda,  e ata në rolin e prindërit kanë menduar se duhet t’i rrahin në kokë siç goditen gozhdët. Por realiteti këtu ka funksionuar ndryshe. Rinia ka përparuar ose përmes të mësuarit (shkollimit), ose përmes të parit dhe përvojave ndaj nuk pranojnë të shtypen, nuk konformohen lehtë me rregullat prindërve të tyre të modelit të çekanit, ata reagojnë dhe shprehin pakënaqësi. Mirëpo nga ana tjetër edhe një i moshuar nuk pranon rregullat e reja kur kthehet në një mjedis të ri, në familjen e tij të shndërruar pothuaj e huaj për të tashmë, falë mungesës së tij. Kjo ndodh sepse të rritesh nën ndikimin e urdhrave siç janë rritur këta lloj prindërish në fëmijërinë e tyre, me rregulla të bazuara në dhunë, që nuk u jep mundësi tjetër pos vetmisë dhe deleve në fushë, dhe të formuar e pjekur në një mjedis të ri që prapë është i bazuar në dhunë, veçse kësaj radhe nën një dhunë dhe presion i karakterit drejtues – i drejtuar. Pra, kanë shkuar në perëndim, por kanë mbetur edhe atje të shtypur dhe njëkohësisht kanë ndjerë mungesën e familjeve (gruas, fëmijëve dhe të afërmeve) këto situata të lartcekura Frojdi i ka quajtur frustrime të zhvillimit të individit të cilat veprojnë nga sfera e pavetëdijes, duke bërë që personat në fjalë  (këta prindër) të bëhen shtypës të ideve të reja e përparimtare të shprehura dhe parashtruara nga këta të rinj. Duke qenë se jemi nga fusha e psikologjisë, dashur pa dashur, shpesh na bie që t’i analizojmë veprimet e tjerëve. Duke pyetur vetën pse bën ky kështu apo ai ashtu? Kam pasur rastin të shoh pensionist i cili thyente televizorët në shtëpinë e tij vetëm pse djemtë e tij shikonin televizorin natën vonë, e shqetësonte fakti pse të rinjtë flinin ditën, e shqetësonte fakti se pse shkonin për të bërë plazh me familjen, por këta analfabetë dhe psikopatë të pengojnë që të realizosh vetveten edhe në shtëpinë tënde si komshinj. Si shtypës që janë këto mendime i induktojnë edhe në sferat e pavetëdijes së të rinjve d.m.th. në gjeneratën e re.

Pra, në psikologji quhen çrregullime të marrëdhënieve interpersonale. Marrëdhënia interpersonale është një proces në të cilin njerëzit përcjellin ndjenjat dhe mendimet të cilat ata duan t’i përcjellin njëri – tjetrit me apo pa vetëdije.

Cilado qoftë përmbajtja, njerëzit duhet të shkëmbejnë ide, me fjalë të tjera, të komunikojnë për të zgjidhur një problem. Në një shoqëri ku aftësitë e civilizuara të të folurit dhe të diskutimit nuk janë zhvilluar, bashkëveprimi i filluar për të zgjidhur një problem shndërrohet në fërkime dhe konflikt në një kohë të shkurtër. Konfliktet e përgjakshme në shumë vende të botës qëndrojnë në rrënjën e çrregullimit të komunikimit në mjedisin shoqëror të krijuar në kushte të pavetëdijshme.

Cilësia e marrëdhënieve të një personi tregon cilësinë e jetës së tij. Problemet e marrëdhënies janë, në të vërtetë, probleme të komunikimit, shkëmbimit të mendimit dhe manifestohen në aspekte të ndryshme të jetës. Probleme të tilla mund të ndodhin midis jush dhe prindërve tuaj në jetën tuaj familjare: ata mund të mos dëgjojnë idetë tuaja, ata mund të hedhin poshtë vazhdimisht mendimet tuaja. Kurdo që të përpiqeni të flisni, mund ta gjeni veten në një diskutim të anashkaluar.

Është e pamundur të jetosh një jetë të përmbushur pa zgjidhur problemet e komunikimit. Shumica e njerëzve po përpiqen të arrijnë një jetë të përmbushur: të shkojnë në shkollë për shumë vite, të përpiqen të ngrihen në profesion, duke u përpjekur ta mbajnë familjen në mënyrën më të mirë dhe t’i rrisin fëmijët e tyre në mënyrën më të mirë, të bëjnë një jetë kuptimplote dhe të përmbushur. Komunikimi është mjeti më i rëndësishëm për të arritur një jetë të përmbushur duke e kënaqur vetveten dhe familjen. Jeta pa komunikim, me xhelozi, me frustrime, me rrahje ndërvllazrore me shantazhe dhe denigrime është jetë që të çon në mjerim.

Batjar Halili (psikolog)

Familja dhe ndikimi i saj tek fëmijët dhe shoqëria!

Nga Batjar HALILI (psikolog)

Në realitetin familjar të ditëve të sotme që po kalojmë ngrihen shumë pyetje të natyrës: Pse fëmija im sillet keq? Pse po ka korrupsion shoqëror? Pse ka rënë cilësia e arsimit? Si dhe shumë pse-he të tjera të cilave pasojat ua shohim po shkakun nuk e dimë dhe e kërkojmë. Dhe vërtetë ka shumë arsye që ndikojnë në këto procese jetësore. Por ajo nëtë cilën duhet të fokusohemi për parandalimin e të gjitha dukurive negative është familja, aty ku individi rritet dhe zhvillohet.

Shfaqja e institucionit familjar përkon me historinë e njerëzimit. Megjithëse familja ka pësuar ndryshime strukturore përgjatë historisë, ajo ka mbijetuar deri në ditët e sotme.Edhe pse familja ndryshon në strukturë, ajo kryen funksione të ngjashme për të gjitha shoqëritë. Nëse ky institucion i përmbush pritjet e tij, do të dalë një shoqëri miqësore, kulturore, ekonomike dhe morale. Janë prindërit ata që formojnë themelin e institucionit familjar. Për këtë arsye, nëse roli prindëror është i rregullt, kjo është shumë e rëndësishme sepse ajo familje do të jetë paqësore dhe e lumtur që nga momenti që u krijuan dhe do t’i shërbejnë shoqërisë me dinjitet.

Edhe pse familja është blloku më i vogël i shoqërisë, apo thënë ndryshe siç e ka konceptuar Honore de Balzak, bërthama e shoqërisë, ajo rrjedhimisht ka një vend të rëndësishëm, jo vetëm për shoqërinë, por edhe për vetë jetën e individit.

Individi ka nevojë për një mjedis familjar, jo vetëm gjatë fëmijërisë dhe foshnjërisë, por në çdo fazë të jetës së tij. Sepse ai ka nevojë për një fole familjare ku do të gjejë paqe dhe ku ai mund t’i eliminojë streset dhe problemet. Njerëzit që rriten pa familje, në komunitet ose që nuk marrin mbështetje të mjaftueshme financiare, morale dhe edukative nga familjet e tyre ndjejnë thellë mungesën e mbështetjes familjare gjatë gjithë jetës së tyre dhe mungesa e një familje pa nivel reflektohet edhe në shumë fusha të tjera jetëesore.

Sa i përket shoqërisë, dhe kombeve të qytetëruar, ndodh shpesh që ne të pyesim pse kanë përparuar?! Kjo nënkupton që ata popuj, ato kombe kanë përparuar sepse përbëhen nga individë të arsimuar mirë në familje dhe me tradita edukimi. Sepse kombet janë të përbërë nga shumë bashkime familjare. Nëse struktura më e vogël që përbën bërthamën e shoqërisë është e shëndetshme, ajo shoqëri ka mundësi të shikojë me besim në të ardhmen. Individët e arsimuar që edukohen nga familje të sigurta, të lumtura dhe paqësore mund të japin një kontribut material dhe moral për familjen, mjedisin, kombin dhe shtetin e tyre.Ekzistenca e njerëzve dhe mbijetesa e shteteve mund të jetë e mundur vetëm nëse familjet e përmbushin këtë detyrë në një mënyrë të shëndetshme. Prandaj, zhvillimi i vetëbesimit të fëmijës varet nga marrëdhënia e shëndoshë dhe ndërveprimi midis fëmijës dhe prindërve.

Portrait Of Happy Family In Garden

Familja është institucioni më i rëndësishëm dhe i parë arsimor pasi edukatori dhe mësuesi i parë i fëmijës konsiderohen si prindërit e tij. Gjetjet e bazuara në përvojat personale dhe vëzhgimet e kontrolluara, tregojnë se foshnjat fillojnë të fitojnë zakone që nga ditët e para. Sipas teorisë së të mësuarit social, të mësuarit njerëzor realizohet, duke shikuar dhe duke dëgjuar më shumë. Kur e zbatojmë atë në teorinë e të mësuarit shoqëror në fëmijërinë e hershme, zbulojmë se mësimi, jo vetëm që përjetohet nga fëmija, por edhe nga vëzhgimi ose dëgjimi i asaj që po ndodh rreth tij. Është një rezultat i pranueshëm që fëmijët të arrijnë modelet më të shpejta të të nxënit duke imituar ose duke vëzhguar atë që po ndodh rreth tyre. Kjo do të thotë që fëmijët mësojnëshpejt që nga momenti që i hapin sytë në botë. Kjo situatë zbulon se koncepti se “një fëmije nuk kupton asgjë” është gabim.

Në këtë kontekst, mjedisi familjar ku fëmijët i hapin sytë jetës, është shumë e rëndësishme. Sepse familja është vendi ku hidhen themelet e zhvillimit kognitiv, afektiv, psiko – motorik dhe socio – kulturor të fëmijëve. Hulumtimet kanë treguar se shumica e sjelljeve të fituara në fëmijëri formojnë strukturën e personalitetit, zakonet, besimet dhe vlerat e individit në moshë madhore. Për këtë arsyenga familja e tij, fëmija mund të mësojë shumë njohuri, shkathtësi, sjellje dhe aftësi që nuk mund t’i mësojë në shkollë.

Nësë kundrojmë gjithë këto aspekte të thëna mbi zhvillimin e familjes atëherë kuptojmë që çdo aspekt ku kjo shoqëri është duke çaluar tregon që hallka e parë dhe më e rënësishmjaështë familja, e veçanarisht, mosgadishmëria e prindërve për të marrë përgjegjësitë qëju takojnë dhë kjo quhet kriza e prindërimit, që është determinues i të gjitha funksioneve që pasojnë në shoqërinë tonë./KultPlus.com

“Mënyra e vetme për të hequr qafe injorancën është përmes leximit të librave”

Nga Batjar Halili

Një nga kushtet më të rëndësishme të suksesit në jetë dhe në shkollë është që të studiohet në mënyrë të vazhdueshme. Ne duhet të lexojmë shumë për të përfituar nga ato produkte që janë hulumtuar dhe gjykuar nga studiues të ndryshëm përgjatë shekujve, dhe ky është një indikator që tregon që kemi hyrë në rrugën e jetës për t’u bërë  persona të civilizuar dhe të kulturuar. Personi që studion është gjithmonë i ditur dhe i suksesshëm në jetë. Ne jetojmë në epokën e informacionit, dhe librat janë gjërat që ne do të duhet t’i blejmë më shumë se çdo gjë tjetër. Leximi e glorifikon dhe përtërin shpirtin dhe njerëzve ju jep më shumë vlerë. Mënyra e vetme për të hequr qafe injorancën është përmes leximit të librave. Pas leximit të një libri, njeriu duhet të jetë në gjendje të veprojë më mirë se më parë, të shohë më qartë dhe të ndejë më thellë pa u mashtruar nga fjalët e të tjerëve sepse pas leximit ai fillon dhe ndërton botëkuptimin e tij. Bibliotekat tona janë bankat qendrore të informacionit, janë burime të thesarit që na japin dije dhe informacione. Kur lexojmë një libër, e kuptojmë dhe kohën që autorit ju ka dashur për ta shkruar librin dhe përvojën që ai ka fituar gjatë shumë viteve, dhe kështu ne arrijmë ta marrim atë përvojë duke e lexuar librin brenda pak orësh. Kjo na lejon të ruajmë dhe përcjellim gjërat e çmuara në botë, në jetën dhe kohën që kalojmë. Libri na mëson se si të përdorim gjuhën tonë në mënyrën më të saktë gjë që është një nga elementët më të rëndësishëm të kohës sonë.

A është i rëndësishëm leximi?

Një person i cili mëson brendësinë e ngjarjeve dhe të zhvillimeve duke lexuar së pari rrit vetëbesimin e tij. Në të njëjtën kohë, zhvillon horizontin e të menduarit, duke e siguruar një këndveshtrim të gjerë të të parit të situatave, di dhe ka mundësinë për të shqyrtuar ngjarjet. Përveç kësaj, lexuesit fitojnë një fjalor të pasur që vjen më së shumti nga leximi, gjithashtu kanë një ndikim tek njerëzit të cilëve u drejtohen duke folur me mençuri dhe bëhën mbresëlënës. Ky efekt forcon marrëdhëniet me njerëzit dhe i jep personit një karakter më social.

Për më tepër, fjalori i gjerë u lejon njerëzve që të mendojnë me më shumë koncepte. Kështu që rrit kapacitetin e të menduarit dhe nivelin e kulturës. Në vend që të kalojnë kohën e lirë para televizionit, i cili me kanalet e tij të shumta, shpesh, nuk transmeton ndonjë informacion të dobishëm. Këta njerëz lexojnë libra dhe si rezultat i njohurive dhe kulturës që ata fitojnë, kanë një personalitet aktiv në shoqëri. Të gjitha këto karakteristika janë tregues shumë i rëndësishëm që njerëzit duhet së pari të lexojnë për veten e tyre. Ata që zhvillohen duke lexuar do të jenë në gjendje  që gjithashtu t’i menaxhojnë dhe zgjidhin ngjarjet e problemet  rreth tyre dhe do të  përparojnë  në nivelin e edukimit brenda komunitetit dhe më gjërë.

A ka libra të dyshimtë dhe që nuk ia vlen të lexohen?!

Përveç të gjitha këtyre hollësive që kam theksuar më lart rreth shprehive të leximit, një pikë e veçantë është t’i kushtojmë vëmendje përzgjedhjes së librit që duhet lexuar.

Pse?

Sepse librat dhe artikujt pa baza shkencore, ndërtuar mbi shpjegime të dyshimta, të mbushura me gënjeshtra dhe falsitete, natyrisht që kanë efekte negative tek njerëzit. Këto efekte negative mund të parandalohen vetëm duke lexuar libra që bazohen në fakte shkencore, dhe që nuk i lodhin lexuesit dhe janë të thjeshta dhe të lehta për t’u kuptuar.

Sot të drejtën për të shkruar e ka çdo person. Minimumi për të fituar të drejtën e një krijuesi shkencor apo letrar duhet të jesh metodolog i mirë, të jesh njohës i mirë i gjuhës në të cilën shkruan dhe përkthen e mbi të gjitha të jesh një lexues dhe studiues me bazament dhe me një bagazh të konsiderueshëm dhe me përvojë jetësore, e pastaj, nga të gjitha këto aftësi, shkathëtësi  dhe përvoja të fituara do të mund të realizosh diçka të bukur që ka ide dhe mesazhe, por edhe nivel shkencor dhe efekt edukativ, etj.

Para së gjithash, është e rëndësishme që librat që lexohen me kënaqësi të nxisin personin të lexojë dhe kënaqesinë e marrë nga leximi i librit të ketë mundësi ta ndajë me të tjerët. Sepse librat me karakteristika të kundërta me ato që kemi përmendur bëjnë që njerëzit të bëhen skeptikë dhe të pashpres dhe nuk ndodh që këto lloj tekstesh të lexohen dy herë, aq më pak të sugjerohen dhe ajo që është më e rëndësishmja, informacioni dhe ndjesia e fituar nga to, krijon një distancim të pavetëdijshëm nga libri dhe bota e tij. Me këtë kuptojmë që  autorët e pa nivel me librat e tyre koti, pa asnjë vlerë edukative, shkencore apo letrare, ndikojnë në dy dimensione; në keqinformim dhe formim të lexuesit dhe të distancimin e tij prej librit në përgjithësi. Për këtë arsye duhet të rrijmë larg sharlatanëve dhe mediokërve sepse siç ka thënë një studiues amerikan: “mos harroni se armiku më i madh është miku injorant” , prandaj që të mos dëmtojnë apo shndërrojnë shijet tona duhet t’u shmangemi, duke përzgjedhur librin bazuar tek emri i autorit, sugjeruesi i kualifikuar, kritika e mirfilltë dhe rrethi i besuseshëm shoqëror. Në këtë formë ne do të arrijmë që të “ushqejmë” trurin dhe shpirtin tonë, dukë u bërë një njeri i kulturuar.

Batjar Halili (psikolog) / KultPlus.com