Tempulli i Afërditës dhe Bazilika Paleokristiane janë ndër më të vizitueshmet dhe atraksione të rëndësishme për vizitorët e parkut arkeologjik të Amantias.
Jashtë fortifikimit të qytetit ilir të Amantias, në një kodër më të ulët që mban toponimin “Lëmi i Peçit” është ndërtuar një zonë e shenjtë, ku dikur ngrihej imponues tempulli i Afërditës. Për të kufizuar këtë zonë të shenjtë, por edhe për të krijuar një shesh të qëndrueshëm për ndërtimin e tempullit, përreth kodrës është ndërtuar një mur antik i pajisur me kontraforte.
Tempulli mendohet të jetë ndërtuar rreth shek. III p.Kr, ndërsa në shek. IV m.Kr ai është shkatërruar dhe me elementet që janë marrë prej tij, u ndërtua nje bazilike paleokristiane.
Rrënojat e tempullit dhe bazilikës së Amantias, janë shembulli kuptimplotë i procesit të braktisjes së fesë pagane dhe përqafimit të fesë së krishterë në territorin e Ilirisë së Jugut./atsh/ KultPlus.com
Pas një pritjeje prej më shumë se 140 vjetësh, kanë përfunduar punimet në ndërtimin e bazilikës së famshme Sagrada Familia të Barcelonës.
Kur të përfundojë kulla e gjashtë dhe e fundit qendrore – që pritet në 2026 – ndërtimi i kishës, i cili filloi në 1882, do të përfundojë.
Dizajni i kishës u drejtua nga arkitekti i famshëm katalanas Antoni Gaudi, i cili vendosi se struktura monumentale do të kishte 18 kulla të mëdha në formë gishti, secila simbolizonte një figurë të ndryshme biblike – 12 apostujt, katër ungjilltarët, Virgjëresha Mari dhe Jezusi.
Të mërkurën, pjesa e fundit skulpturore u vendos në kullën e Mateut Ungjilltar, sipas një njoftimi për lajmet nga Basílica de la Sagrada Família. Një ditë më vonë, kulla e Gjon Ungjilltarit u kurorëzua me figurën e një shqiponje, tha ajo.
Më 12 nëntor do të mbahet mesha e inaugurimit në katedrale, ku do të ndriçohen katër kullat ungjillore. Ata do të qëndrojnë të ndezur gjatë Krishtlindjeve, tha kisha.
Ndërtimi, tashmë i ngadalshëm, u ndërpre në fund të viteve 1930 nga Lufta Civile Spanjolle, kur shumica e dizenjove dhe modeleve të Gaudit – varri i të cilit shtrihet poshtë katedrales – u shkatërruan.
Në vitin 1984, ndërtesa u përcaktua si një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe u shenjtërua nga Papa Benedikti XVI për adhurim fetar në vitin 2010.
Ndërtimi i kishës u krye ilegalisht për 137 vjet , deri në vitin 2019, kur më në fund u dha leja e ndërtimit nga këshilli i qytetit të Barcelonës. Autoritetet zbuluan “anomalinë” që nuk i ishte dhënë asnjëherë leja e planifikimit në vitin 2016.
Kur të përfundojë, Sagrada Familia do të bëhet kisha më e lartë në botë, duke kaluar Ulm Minster në Gjermani./cnn/KultPlus.com
Komuniteti Arbëresh në San Paolo Albanese, më 14 shtator do të festojë edicionin e 14 -të të festivalit “Croce e Basilico”.
Festa e lartësimit të Kryqit të Shenjtë lidhet me përkushtimin e Bazilikës së Ringjalljes, të ndërtuar mbi varrin e Zotit në 335, dhe gjithashtu me festimin e gjetjes së relikës së Kryqit nga Perandoresha Helena.
Katundi arbëresh San Paolo Albanese, sipas të dhënave të fundit të ISTAT, është lokalitetit me moshën më të vjetër, por edhe më të renë në të gjithë Bazilikatën. Ritmet e jetës aty janë më të lehta dhe banorët pohojnë se bëjnë jetë të qetë.
Njëri nga zotërinjtë e intervistuar, në kronikën televizive të televizionit itaian TGR, e fillon përgjigjen e tij me shprehjen shqip “Jemi shumë mirë”, thotë se ne jemi të ardhur nga Shqipëria dhe nga atje kemi marrë pak pasuri dhe shëndetin. / KultPlus.com
Bazilika e Tepes (nga turqishtja, kodër) në qytetin e Elbasanit ndodhet në ullishtat e kodrës me të njëjtin emër, mbi urën e Zaranikës në perëndim të qytetit të Elbasanit.
Një material i publikuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë flet këtë herë për bazilikën, që shtrihet në një sipërfaqe prej 600 metra katror. Është një bazilikë palokristiane e orientuar me apsidë nga lindja dhe ndërtimi i saj ka kaluar në disa faza.
Muret e saj ruhen në një lartësi të vogël mbi sipërfaqen e tokës, më së shumti si themele, dhe hera herës ka edhe pjesë muri që mungojnë. Planimetria e bazilikës në fazën e parë ishte e ndërtuar me tre nefe të formuar me dy arkada të vendosura mbi pilastra.
Nefi qëndror me përmasa 16.35 x 5.30 m është dhe më i gjerë se dy nefet e tjera. Nefet anësore janë më të ngushtë dhe kanë këto përmasa 16.35 x 2.15 m. Nefi qëndror përfundon me një absidë gjysmë rrethore. Bazilika në fazën e parë ishte një ndërtim i varfër, shtruar me dhe të ngjeshur. Kjo fazë datohet në shek. IV e.s. Në secilin prej nefeve hyhej nga një derë nga narteksi i ngushtë dhe të gjatë sa tre nefat, në anët veriore dhe jugore të të cilit janë dy dhoma të vogla me përmasa 4 x 3.2 m, të të njëjtës kohë më bazilikën e parë. Në një fazë të dytë, shek.V bazilika do të pësojë një sërë transformimesh për t’ia përshtatur më mirë përdorimit si kishë qimiteriale e Skampis-it, funksion që mund ta ketë pasur që në fillim, kjo nisur nga fakti se ishte larg qytetit.
Shtrohet me mozaik dhe bëhet ndarja e rregullt e ambienti të altarit nga naosi me një ikonostas të ngurtë që në ditët e sotme ruhet i fragmentuar. Ky ndryshim strukturor i kishës erdhi për arsye se dy varre me qemere prej tullash u bënë pjesë e nefit verior. Dy personat mendohet se janë dinjitarë të komunitetit fetar të Skampis-it.
Njëri prej varreve ka dhe një mbishkrim emrin e njërit prej peshkopëve, Stefan. Këto ndryshime bëhen në një kohë kur Skampis-i pati një zhvillim të mirë ekonomik dhe një nivel të lartë ndërtimor e artistik, gjë të cilën na e dëshmon brendia e sallës qëndrore. Dyshemeja e kishës në këtë periudhë ndahet nga rruga me pllaka guri shtufi të holla në katër panele mozaiku, dy nga dy simetrikë kryesisht me motive bimore dhe gjeometrike.
Mozaikët dallohen për një nivel të mirë realizimi. Teserat e tyre janë prej mermeri të bardha, gëlqerori në ngjyrë vjollcë, të bardhë e të zezë dhe tullash të kuqe. Në anën perëndimore të bazilikës, në një kohë më të vonë, pranë nartekstit shtohet një ekzonarteks i hapur me arkada mbi pilastra me përmasa 15 x 6.5 m. Muret e tij, si gjithë monumenti, ruhen pak dhe është i shtruar me pllaka guri gëlqeror. Nga prezenca e tre varreve, mendohet të ketë shërbyer si ambient suplementar për varrim. Secili varr mbante të varrosur nga dy persona. Më rrënimin e kishës nga tërmeti i vitit 518, kisha nuk rindërtohet më, sepse Skampis-i mendohet të ketë pasur katedralen e tij, atë të Shën Pjetrit. /KultPlus.com