Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Elbenita Kajtazi

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

Në vazhdim, KultPlus ua sjell sopranon shqiptare, Elbenita Kajtazi e cila ka shkëlqyer me performancën e saj në skenën botërore të konkursit të këngës në BBC Cardiff Singer of the World, ku ajo për herë të parë në histori ka prezantuar Kosovën me një repertor të larmishëm të veprave botërore dhe shqiptare.

Sopranoja nga Kosova, po ashtu ka debutuar me shumë sukses në rolin e saj “Manon Lescaut” në mbrëmjen e 30 janarit duke realizuar një ëndërr të cilën Elbenita e ka pasur që kur kishte filluar studimet, dhe më në fund edhe e realizoi atë.

Së fundmi, në kuadër të manifestimeve të organizuara nga Komuna e Mitrovicës për nder të Pavarësisë së Kosovës kujtojmë edhe koncertin e sopranos kosovare që vazhdimisht po prek majat e suksesit nëpër botë. / KultPlus.com

Elbenita Kajtazi prezanton Kosovën në BBC Cardiff Singer of the World, mahnitë me performancën (VIDEO)

Sopranoja shqiptare, Elbenita Kajtazi ka shkëlqyer me performancën e saj në skenën botërore të konkursit të këngës në BBC Cardiff Singer of the World, ku ajo për herë të parë në histori ka prezantuar Kosovën me një repertor të larmishëm të veprave botërore dhe shqiptare, shkruan KultPlus.

Me një qëndrim stabil në skenë dhe e veshur me një fustan tejet elegant, sopranoja kosovare ka shpalosur talentin e saj në performimin e muzikës klasike. Ajo përfaqësoi denjësisht shtetin tonë me interpretimin e veprave më të famshme ku në mesin e tyre ishte edhe kënga shqipe “Agimet Shqiptare” e kompozuar nga Avni Mula, e përmes së cilës duket se ajo ka shprehur mallin për atdheun.

Paraqitja e saj në një skenë të tillë ku ajo u shoqërua me një orkestër të tërë prapa saj, dëshmoi edhe një herë se sukseset e saj nuk kanë mbarim. Zëri i saj buçonte përgjatë çdo sekonde, e njëlloj si varësja e saj që po shkëlqente, Kajtazi me një hijeshi të pakrahasueshme ka vezulluar mbrëmë skenën dhe ka pushtuar atmosferën me veçantinë e saj.

Kujtojmë se Elbenita ka vendosur që të merr pjesë në dy kategori, në atë të këngës dhe operës pasi që konkursi BBC Cardiff Singers of the World është garë e dyfishtë.

Kajtazi e ka shpërndarë edhe videon ku na sjell më afër këtij interpretimi duke shpresuar që të gjithë ta shijojnë sa edhe ajo.

Tutje ajo është shprehur shumë krenare që ka arritur të reprezantojë Kosovën për herë të parë në Cardiff-Wales.

“Të dashur miq, uroj ta shijoni paraqitjen time në Cardiff Singers Of the World, është ëndërr e imja të këndoj rolin e Juliette, uroj që së shpejti ta kem në kalendarin tim! Nga zemra ju uroj gjitha të mirat dhe faleminderit shumë për përkrahjen. Ishte kënaqësi e papërshkrueshme ta reprezentoja Kosovën për herë të parë në Cardiff-Wales”, ka shkruar Kajtazi.

Pas këtij lajmi të mrekullueshëm nuk kanë munguar edhe urimet e shumta drejtuar Elbenitës, e ndër to nuk mungoi as urimi i sopranos Ermonela Jaho e cila është shprehur krenare me suksesin e Elbenites. / KultPlus.com