Sot, Baleti Kombëtar i Kosovës ka mbajtur në audicion me fëmijë për shfaqjen e baletit “Peter Pan”.
Drejtori i BKK, Sinan Kajtazi me këtë rast ka thënë se vezullimi në sytë e fëmijëve të cilin e ka parë sot përgjatë këtij audicioni të obligon për të punuar për një të ardhme më të mirë për ta.
Shfaqja “Peter Pan” do të jepet premierë në datën 1 qershor, në Ditën Botërore të Fëmijëve./KultPlus.com
Nesër duke filluar nga ora 16:30, në ambientin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, organizohet promovimi i romanit me të ri “Kësulëkuqja” të autorit Ag Apolloni, shkruan KultPlus.
Apolloni ka njoftuar se romanin “Kësulëkuqja” tashmë mund ta gjeni nëpër libraritë e Tiranës dhe Prishtinës.
“Gjithashtu, të enjten, nga ora 4:30 pasdite, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, do të jem për nënshkrime”, thuhet në postimin e tij mes tjerash.
I titulluar “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”, Apolloni po i sjell në dorë lexuesit një vepër që sipas tij nuk është një roman dokumentar, por as një përrallë e pastër.
Sipas Apollonit, ky roman flet për një Kësulëkuqe koketuese dhe një Ujk të sëmurë. Është një histori dashurie dhe një shëtitje nëpër pyllin magjik të tregimtarisë, ku personazhet futen shtigjeve të mitologjisë, përrallës, religjionit dhe animacionit. Ulërimat dhe psherëtimat, lehjet dhe blegërimat vijnë si një përballje alegorike që zgjon jehun e egërsisë brenda nesh.
“Romani është ndërtuar si një shëtitje filozofike nëpër një botë sa reale, aq edhe përrallore. Ky nuk është roman dokumentar, as përrallë e pastër”, thotë Apolloni. / KultPlus.com