Është publikuar të hënën lista e plotë e nominimeve për MTV Music Video Awards 2018.
Të nominuarit u njoftuan për nominimin e tyre në kategoritë përkatëse në IGTV të Instagram.
Cardi B kryeson listën me dhjetë nominime, ndërsa Carters – Beyoncé dhe JAY-Z – pasojnë kryesinë me nga tetë nominime. Edhe këtë vit, nuk mungojnë shqiptaret në listën e nominimeve, pasi tre këngëtaret me famë botërore: Rita Ora, Dua Lipa e Bebe Rexha kanë arritur të nominohen në disa kategori.
Rita Ora e bëri të ditur nominimin e saj përmes një fotografie të hedhur në rrjetin social Instagram, ku tregoi se është e nominuar në dy kategori, ndërsa bënte thirrje për fansat që ta ndihmonin atë drejt marrjes së çmimit, duke votuar në faqen zyrtare të MTV VMA.
“OMG jam nominuar për 2 VMA-ja!! Ka qenë një nderë shumë i madh për të punuar me Avicii. Faleminderit MTV që keni njohur “Lonely Together”!!. Ju lutem votoni për Vallëzimi më i Mirë në VMA.mtv.com”, ka shkruar Ora në Instagram.
Rita është e nominuar në kategorinë “Best Dance (Kënga më e mirë ritmike)” për këngën “Lonely Together” në bashkëpunim me DJ-n e ndjerë, Aviciin, dhe në kategorinë “Best Visual Effects (Klipi më i mirë me efektet vizuale)”, po prapë për projektin “Lonely Together”.
Ndërkohë, artistja tjetër Dua Lipa, ka arritur që të nominohet në tri kategori: “Song of the year (Kënga e vitit)” për këngën “New Rules”, “Best Dance (Kënga më e mirë ritmike)” për këngën “One kiss” në bashkëpunim me Calvin Harris, dhe për çmimin “Best Choreography (Koreografia më e mirë në klip)”, për koreografinë në klipin “IDGAF”.
E pa nominuar nuk ka mbetur as artistja tjetër shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, e cila ndonëse me prurje të shumta këtë vit ka arritur që të nominohet në vetëm një kategori – atë të “Best Collaboration (Bashkëpunimi më i mirë)”, për bashkëpunimin “Meant to be” me artistin Florida Georgina Line.