Ekspozita e Bebëzat e Mallit hedh dritë mbi “fëmijërinë e vjedhur”

Uranik Emini

Të “rrëmbesh” fëmijërinë e dikujt është një krim kundër vetë thelbit të njerëzimit, një tragjedi e pashpjegueshme që lë plagë jo vetëm në trupin e dikujt, por në shpirtin kolektiv të një kombi. Zhurmat, tragjeditë dhe krimet e tmerrshme të luftës së viteve 1998-99 kumbojnë ende nëpër tokat e Kosovës, derisa ekspozita “Bebëzat e Mallit” shfaqet si një kujtim prekës i fëmijërisë së vjedhur, jetëve të zhdukura me forcë dhe gjurmëve të pashlyeshme të mbetura në shpirtrat e familjarëve të kapluar në mërzi të përjetshme, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë e fuqishme, që vjen nga kërkimet dhe fotografitë e Korab Krasniqit, shërben si një testament për qëndrueshmërinë dhe kujtesën kolektive të një populli që refuzon të heqë dorë nga e kaluara e tij.

E ndarë në 12 pjesë që shfaqin secila një të kaluar dhe dhimbje, vizitorët e pranishëm në objektin e Rilindjes, rrëmbehen në “dhimbjen” që mbushë tërë këtë vend.  Objektivi i Krasniqit shfaq jo vetëm fytyrat e këtyre fëmijëve por edhe historitë e patreguara që fshihen pas syve të tyre.

Në një tokë ku shumë janë ende të humbur e të pa gjetur, “Bebëzat e Mallit” vepron si një urë lidhëse mes të tashmes dhe të shkuarës, mes të gjallëve dhe të zhdukurve, duke dëshmuar se një fotografi e vetme ka fuqinë të ringjallë njëqind kujtime.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e filloi fjalimin e tij në këtë ekspozitë me vargje të poetit të ndjerë Xhevdet Bajraj, për thellësinë e humbjes, mallit e mungesës.

“Në qorrsokakun e përgjakshëm
Ku e vranë foshnjën e sapolindur
Dhe babanë e saj
U desh të kalojnë 20 vjet
Për t’ia gjetur mbetjet mortore e për t’ia dhënë nënës së vet

Ajo sapo i mori eshtrat në dorë,
I afroi tek gjiri i saj.
Më paska pritur a?
Se nuk qenka rritur fare tha
E buzëqeshi
Mu para se të hapej toka
E ta përpinte.”

Ngjarje të këtilla, sipas Kurtit, përveç se mbledhin kujtime dhe e ndajnë dhimbjen, i shërbejnë edhe kujtesës sonë kolektive, për të shkuarën, për të mos e harruar kurrë atë.

“Për të nderuar dhe lartësuar kujtimin e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës, Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në projektin për memorialin dedikuar atyre”, njoftoi i pari i ekzekutivitetit.

“Vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë. Andaj, e kemi obligim për lirinë dhe paqen që e gëzojmë, për drejtësinë që e synojmë, që kurrë të mos i harrojmë”, theksoi Kryeministri.

Autori i ekspozitës, Korab Krasniqi, tha se 24 vjet pas luftës plagët për fëmijët e vrarë dhe të pagjetur mbesin ende të hapura gjersa fëmijët e mbijetuar vazhdojnë të jetojnë mes pasojave të luftës.

Ai tha se me këtë projekt është bërë përpjekje të dokumentohet kompleksiteti i përvojave të fëmijëve në luftë duke ua kthyer atyre të drejtën e fjalës, me qenë se për fëmijët flasin më shumë të rriturit.

“Përmes shkrirjes delikate kuratoriale, ekspozita ofron hapësirën ku dhimbja i delegohet publikës dhe përpiqet të nderojë kujtesën për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur në luftë, për të mësuar nga historitë e tyre dhe për të rritur ndërgjegjësimin dhe ndikimin shkatërrues të luftës tek anëtarët më të cenueshëm dhe të pafajshëm të shoqërisë tonë”, tha Krasniqi.

Ministrja Haxhiu, nga ana e saj, tha se tragjedia e vrasjes së fëmijëve gjatë luftës në Kosovë përveç plagë e shpirtit kombëtar është shenjë dalluese që regjimi i Serbisë ka bërë gjatë shekullit të kaluar, veçanërisht vitet e fundit.

Ajo tutje shtoi se për fëmijët e vrarë dhe të masakruar ende nuk është dënuar askush dhe Serbia vazhdon t’i mohojë krimet e kryera ndërsa kriminelët po vazhdojnë të strehohen në Serbi.

Për familjet e të zhdukurve këto fotografi janë një rrugë shpëtimi – një mënyrë për t’u mbajtur pas të shkuarës, për të kujtuar buzëqeshjet, të qeshurat dhe ëndrrat e fëmijëve që nuk patën kurrë mundësinë të rriteshin.

E mbijetuara e masakrës gjatë luftës në Kosovë dhe njëkohësisht deputete e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, tha për KultPlus se institucionalisht nuk është punuar mjaftueshëm sa i përket çështjes së të pagjeturve dhe fëmijëve të vrarë në luftë.

“Mendoj që si institucione jo, nuk është bërë mjaftueshëm. Për shkak që dokumentimi është proces i gjatë dhe duhet të jetë shumë i detajueshëm. Është bërë diçka, një pjesë, po jo mjaftueshëm dhe shpresoj tash që me themelimin e Institutit për Hetimin e Krimeve gjatë luftës në Kosovë që kjo do të intensifikohet dhe do ta kemi institucionalisht një databazë të të dhënave rreth tregimeve dhe përjetimeve, sidomos të shqiptarëve gjatë luftës”, thotë ajo.

Bogujevci, megjithatë, thotë se në aspektin e ekspozitimit dhe dokumentimit në formë të këtij lloji, sikurse ekspozita, është punuar dhe po punohet në vazhdimësi.

“Mendoj që gjithherë e kemi pasë një komunitet të pavarur të artistëve në vendin tonë. Dhe në vazhdimësi kemi punuar në këtë drejtim, qoftë edhe përmes filmit, domethanë janë punuar tregime të luftës, kemi ekspozita, e përjetime të tjera”, tha ajo për KultPlus.

Ajo tregon se edhe ata si familje kanë treguar historinë e tyre përmes artit.

“Ne si familje përmes artit kemi tregu historinë tonë. E kemi pasë ekspozitën këtu në Kosovë, në Tiranë e në Beograd, ku e tregon historinë tonë dhe në njëfarë mënyre kemi dashtë që përmes kësaj na me tregu edhe në historinë e familjarëve të tjerë dhe natyrisht domethënë që duhet të të vazhdojë tutje. E mira është që tani janë ndërmarrë disa hapa përbrenda institucioneve tona që të institucionalizohet domethanë edhe kjo pjesë”, shprehet ajo.

Në vazhdim, Bogujevci përmend edhe proceset që janë duke i bërë me Ministrinë e Kulturës, që përfshijnë në aspektin e trashëgimisë kulturore, duke marrë shembull zonjën Ferdonije Qerkezi e cila e ka shndërru shtëpinë e vet në një muze domethënë për ta ruajt pjesën e historisë së familjes së saj.

“Domethënë duhet t’i kemi hapësira të tilla, nëse institucionalizohen edhe mbeten pjesë muzeale, po natyrisht kemi nevojë edhe për krijime të reja në këtë drejtim, por s’domethënë që dy gjana nuk mund me me vazhdu paralelisht me ndodhë, ku siç e thashë i kemi pjesën e artistëve të pavarur në vendin tonë në mënyrë të jashtëzakonshëm, ku paralelisht funksionojnë me pjesën e institucionit dhe domethënë kjo e bën dokumentimin siç duhet”, përfundon ajo.

Ekspozita “Bebëzat e Mallit” zë fill në hulumtimin e jashtëzakonshëm emipirik, të botuar nga forumZFD si libër me titullin “Fëmijëri të Rrëmbyera”. Hulumtimi ndërtohet nga intervista dhe fotografi të dymbëdhjetë familjeve, dhjetë prej të cilave kanë humbur një apo më shumë fëmijë gjatë luftës së vitit 1999, ose menjëherë pas, në rrethana që ndërlidhen me luftën.

Dy nga rrëfimet janë të dy fëmijëve që e kanë humbur njërin prind në luftë, ndërsa nga dymbëdhjetë rrëfimet, dy prej tyre janë të familjeve të komunitetit serb dhe dy të atij rom. Disa nga këta individë akoma të pagjetur.

Një fjalë rasti mbajti edhe kuratorja e ekspozitës, Vesa Sahatçiu. Ajo tha se është e rëndësishme të krijohen hapësira të kujtesës kolektive që rrëfimet sikurse të ekspozitës “Bebëzat e mallit” të kenë zë.

“Janë këto rrëfime qe formësojnë të kaluar tonë dhe dukshmëria tyre garanton që  të mos ta harrojmë të kaluarën tonë”- tha ajo.

Kjo ekspozitë e fuqishme na tregon që të mos harrojmë se çdo fotografi përfaqëson një jetë që dikur ka qenë—një jetë e mbushur me ëndrra, shpresa dhe pafajësinë e pastër të fëmijërisë. /KultPlus.com

“Bebëzat e Mallit”, ekspozita unike për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë vjen më 19 dhjetor

 

Kujtimet e fëmijëve dhe për fëmijët në luftë ofrojnë një hapësirë në të cilën shumëllojshmëria e përvojave të luftës bëhet e dukshme dhe e prekshme për audiencën e gjerë popullore dhe burim për informim të diskutimeve publike rreth arkitekturës institucionale për rehabilitim, njohje, kompensim dhe memorializim. Bazuar në rrëfimet e librit të kujtimit “Fëmijëri të rrëmbyera”, të botuar në vitin 2022, Ministria e Drejtësisë, Integra, forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur do të instalojnë një ekspozitë unike për fëmijët e vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të afektuar nga lufta e fundit në Kosovë me titull “Bebëzat e Mallit – “Oj mam… a po na sheh midis luleve sa mirë jena? Dritë, dritë, dritë, lule, livadhe, qaq t’u keshë ata, t’u nga!”

Koncepti kuratorial i Vesa Sahatçiut për ekspozitën “Bebëzat e Mallit”, që e ka marrë emrin nga një poezi me të njëjtin titull të poetit modern të shekullit të 20-të, Enver Gjerqekut, fokusohet në disa elemente të rrëfimeve që duket se funksionojnë si mënyrë e ruajtjes së kujtimeve dhe si veprime, thuajse rituale, me të cilat familjet gjejnë ngushëllim dhe kërkojnë të bëjnë paqe me humbjen e fëmijës, apo të anëtarëve të familjes. Për më tepër, kjo ekspozitë pyet: Si flasim për humbjen? Si flasim, si mendojmë dhe si e përfaqësojmë humbjen kolektive? Humbjen që përfshinë jo vetëm individët, por komunitetet e tëra?

Hapja e ekspozitës do të bëhet më 19 dhjetor 2023, në ora 18:00h, në Ndërtesën e ish-Rilindjes në Prishtinë.

Ky projekt është implementuar nga Ministria e Drejtësisë, Integra, forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, mbështetur nga National Endowment for Democracy, Fondi për Zhvillim Komunitar, Ambasada e Suedisë, Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com