Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ka qenë i ftuar i nderit i Shoqatës shqiptare “Korabi” që siç tha ai, ka mbledhur 320 biznese e profesionistë shqiptarë e arbëreshë që veprojnë në Itali.
Ai është shprehur se mbështet dhe çdo nismë që forcon lidhjet midis arbëreshëve dhe shqiptarëve të sotëm.
“I nderuar të isha i ftuari i nderit i Shoqatës shqiptare “Korabi” që, nën moton “Le të takohemi”, mblodhi 320 biznese e profesionistë shqiptarë e arbëreshë që veprojnë në Itali”.
“Si President i Republikës së Shqipërisë, mbështes çdo nismë që forcon lidhjet midis arbëreshëve dhe shqiptarëve të sotëm, që ruan identitetin tonë dhe kontribuon për të ardhmen e përbashkët të Shqipërisë dhe Italisë”, ka shkruar Begaj në Facebook.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, është takuar sot me Ministrin e Haxhit dhe Umres së Arabisë Saudite, Taufiq Bin Fauzan al-Rabiah.
Sipas presidencës shqiptare, në fokus të takimit ishin marrëdhëniet shumë të mira politike në interes të bashkëpunimit dhe të zhvillimit të një agjende dypalëshe, mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, si dhe mbështetja për njohje të reja të Kosovës.
Begaj i shprehu ministrit saudit të Haxhit dhe Umres falënderime për ndihmën humanitare dhe financiare që Arabia Saudite ka dhënë ndër vite për Shqipërinë në momente të vështira.
Njëherazi, kreu i shtetit shqiptar shprehu gatishmërinë për të rritur bashkëpunimin ekonomik, investimet direkte, si dhe mundësinë e vendosjes së një linje direkte mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite, gjë që do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në numrin e turistëve, por edhe në shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.
Presidenti Begaj vlerësoi njohjen dhe mbështetjen e Kosovës nga Arabia Saudite, teksa kërkoi ndihmën për të zgjeruar numrin e këtyre vendeve.
Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, ka uruar studentët me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.
Presidenti Begaj është shprehur se studentët janë brezi që do të ndërtojnë një Shqipëri të fortë dhe të qëndrueshme.
“Kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë, por jam i bindur se me përkushtim, punë të palodhur dhe dashuri për dijen, mund të arrini çdo gjë që dëshironi.
Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm, por vlera më e madhe e këtij potenciali jeni ju, rinia e saj. Suksesi juaj është suksesi i Shqipërisë dhe së bashku do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë”, ka shkruar presidenti Begaj në “Facebook”./ KultPlus.com
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dha sot një mesazh në Ditën Ndërkombëtare të Paqes.
“Po jetojmë në një botë të trazuar nga konfliktet që përbëjnë kërcënime e rreziqe serioze për paqen dhe sigurinë botërore. Zhvillimet më të fundit ndërkombëtare kanë treguar se paqja nuk është asnjëherë e sigurt”, u shpreh Begaj.
Kreu i Shtetit nënvizoi se, historia na njeh ne shqiptarët si paqedashës.
“Luftërat që nuk i zgjodhëm, na kanë dhënë mësime të vyera. Le të vijojmë të shpërndajmë modelin tonë të paqes e të ruajmë kulturën e mbrojtjes së saj. Bota ka nevojë për të”, theksoi më tej Begaj./atsh/ KultPlus.com
Presidenti Bajram Begaj uroi sot 365 mijë nxënësit që nisin sot vitin e ri shkollor 2024-2025.
Në një postim në rrjetet sociale Begaj uroi gjithashtu edhe nxënësit që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
“Urimet më të mira dhe suksese të gjithë nxënësve e mësuesve që nisin sot vitin e ri shkollor. Në veçanti, urime nxënësve të klasave të para që fillojnë maratonën e gjatë, sfiduese, por edhe shpërblyese të dijes. Një brez që sot përqafon diturinë, ndërton një botë dhe të ardhme më të mirë për të gjithë”, tha Begaj.
350 mijë nxënës të arsimit parauniversitar nisin sot vitin e ri shkollor 2024-2025, ku 28 mijë nxënës do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Viti i ri shkollor do të nisë me 25 shkolla të reja dhe më shumë se 216 laboratorë smart dhe terrene të reja sportive./atsh/ KultPlus.com
Në një mesazh drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me rastin e çeljes së sesionit të ri, presidenti shqiptar Bajram Begaj, u ka bërë thirrje deputetëve të fokusohen në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin e Evropian, si dhe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Begaj kërkoi që partitë politike të angazhohen në një dialog të frytshëm dhe në nisma ligjore të bazuara në shqetësimet e qytetarëve.
”Ne duhet të sigurojmë që çdo ligj që miratohet të jetë në përputhje me interesat e qytetarëve dhe me standardet më të larta demokratike. Kjo kërkon angazhim të përbashkët dhe përpjekje të vazhdueshme për të siguruar që Kuvendi të jetë gjithmonë i përkushtuar dhe të përmbushë rolin e tij mbikëqyrës, të garantojë balancën e pushteteve, si dhe të mbrojë interesat e popullit”, tha Begaj.
Në një kohë kur kjo legjislaturë po shkon drejt fundit dhe po afron viti elektoral, presidenti i Shqipërisë vlerëson se deputetët duhet të ushtrojnë me përgjegjësi mandatin në këtë drejtim, pasi, sipas tij, “po afron edhe momenti për të peshuar arritjet e sukseset, mangësitë dhe dështimet, për të vlerësuar vetveten, por dhe për t’u vlerësuar nga publiku”.
“Në këtë Shtator të ri, imazhi dhe performanca parlamentare janë sa të dëshiruara, aq edhe të domosdoshme që Kuvendi ynë të jetë arena frymëzuese e përballjes qytetare, ku zëra të ndryshëm përfshihen në një dialog të frytshëm”, u shpreh Begaj.
Përgjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kreu i shtetit shqiptar thekson se deputetët duhet të përmbushin në kohë masat ligjore të përfshira në Planin Kombëtar të Integrimit.
Gjithashtu, një tjetër çështje prioritare, sipas Begajt, është lufta kundër krimit dhe korrupsionit, për të cilën u shpreh se inkurajon Kuvendin të promovojë politikën e antikrimit dhe antikorrupsionit si një përballje reale me një të keqe që duhet ta luftojmë në çdo nivel e çdo fushë të këtij fenomeni gërryes për ekonominë dhe kërcënues për demokracinë.
Në këtë aspekt, Begaj u kërkoi deputetëve të mbështesin institucionet e drejtësisë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit duke forcuar kapacitetet e tyre financiare, njerëzore dhe infrastrukturore.
Përsa u përket sfidave të reja globale që prekin çështjet e sigurisë, apo ato social-kulturore, presidenti Begaj theksoi nevojën e përditësimit të strategjive dhe kornizave ligjore për t’u përshtatur me ndryshimet gjeopolitike dhe zhvillimet e shpejta teknologjike.
Begaj përfundoi mesazhin e tij drejtuar Kuvendit duke u shprehur: Në këto kohë kur sakrificat e brezave po kthehen në mbështetje të gjeneratave të reja, duke i kthyer sfidat e ndryshme globale e rajonale në mundësi për vendin tonë, është e domosdoshme që parlamenti të bëhet aleati kryesor i përparimit të vendit tonë. Le ta kthejmë këtë hapësirë në Kuvendin e ideve më të bukura shqiptare e përballjes më të pasur demokratike të rajonit./TvKlan/ KultPlus.com
Presidenti Bajram Begaj u kërkoi sot ambasadorëve dhe konsujve të përgjithshëm të Shqipërisë të qëndrojnë afër shqiptarëve kudo ku ndodhen.
Në fjalën e tij në pritjen e organizuar për ambasadorët dhe konsujt e përgjithshëm të Shqipërisë, Begaj tha se “nuk ka fenomen më të papranueshëm se sa një ambasadë apo konsullatë që nuk është në shërbim të plotë e të përhershëm për qytetarët e vet”.
“Si një popull që tashmë shumicën e ka me banim e punë jashtë vendit, shërbimet tuaja duhet të mbeten gjithnjë të aksesueshme për qytetarët tanë”, tha Begaj.
Begaj u shprehu ambasadorëve dhe konsujve mirënjohjen për punën dhe përkushtimin e tyre të palodhur për të përfaqësuar Shqipërinë me nder e dinjitet.
“Falë angazhimit tuaj, ne kemi arritur të forcojmë pozicionin tonë në arenën ndërkombëtare, si dhe të promovojmë interesat kombëtare në mënyrë më efektive”, tha Begaj.
Presidenti Begaj u shpreh se “takimi i sotëm zhvillohet në kuadër të konferencës suaj të ambasadorëve. Me sa jam informuar, punimet kanë qenë të frytshme dhe besoj se keni projektuar një të ardhme në nivel me pritshmëritë jo vetëm të vendit tonë, por edhe të kohës ku jetojmë”.
“E them këtë, – vijoi Begaj, – sepse brenda pak vitesh bota ka pësuar ndryshime rrënjësore.”
“Besoj e kemi ende të freskët kujtimin kur globalizimi ishte kryefjalë e ditës. Marrëdhëniet shumëpalëshe, ose multilateralizmi, qëndronin në themel të marrëdhënieve ndërkombëtare. Teknologjia e informacionit e lehtësoi ndjeshëm punën, njerëzit komunikonin më lehtësisht dhe mediat sociale u bënë instrument kryesor për ndërlidhjen e tyre. Investimet më të mëdha ishin kryesisht në teknologji, tregti e sipërmarrje. Bota ishte e ndërlidhur aq natyrshëm, sa diplomacia duhet të rishpikte veten. Ndryshe, diplomatët tradicionalë rrezikonin të ktheheshin në relike. Pakkush e parashikoi ndryshimin që do të pasonte”, nënvizoi Begaj.
Më tej Begaj tha se “skena botërore, deri dje e bashkuar, sot po përjeton uljen e perdes së harruar të hekurt. Multilateralizimi ka marrë goditje të njëpasnjëshme. Globalizimi është krisur nën trysninë e forcave rajonale. Teknologjia tregoi anën e saj të errët teksa filloi të përdorej edhe për qëllime negative, si përhapja e informacioneve të rreme dhe influencimi i zgjedhjeve demokratike. Për më tepër, çështje të mprehta si pabarazia shoqërore, siguria kibernetike, shpopullimi, ndryshimet klimatike dhe lindja e inteligjencës artificiale e kanë bërë edhe më të ndërlikuar gjetjen e zgjidhjeve”.
Begaj u shpreh se “agresioni rus kundër Ukrainës ndryshoi gjithçka. Në Evropë u rikthye lufta për herë të parë që prej 1945-ës. Po kështu, në Lindjen e Mesme, pas një periudhe relativisht të qetë, u riaktivizua konflikti Izrael-Hamas, duke rrezikuar seriozisht të zgjerohet”.
Gjeopolitika u kthye në skenë, vijoi Begaj, e bashkë me të edhe roli i pazëvendësueshëm i diplomacisë dhe i diplomatit, sepse lufta bëhet nga ushtarë, por paqja nga diplomatë.
“Roli juaj si diplomatë lidhet me ekspertizën tuaj. Në botën moderne ka shumë aktorë që merren me politikë të jashtme, por vetëm ju ushtroni diplomacinë. Përdoreni si duhet këtë epërsi”, iu drejtua Begaj ambasadorëve dhe konsujve.
Sot, vijoi Begaj, është sfiduese të bësh diplomatin proaktiv, modern në teknologji, por tradicional në këmbënguljen për realizimin e objektivave strategjike në shërbim të interesit kombëtar.
“Rreziku që vjen nga inercia apo letargjia profesionale është real dhe i dëmshëm jo vetëm për ju profesionalisht, por edhe për vendin. Ky është një profesion që kërkon zell, përkushtim dhe, mbi të gjitha, dashuri për profesionin, Shqipërinë dhe shqiptarinë. Shqipëria nuk është më ajo e 30 vjetëve më parë. Shqipëria gëzon prestigj dhe një vend të merituar në arenën ndërkombëtare. Vendi ynë tregoi pjekurinë gjatë kryesimit të OSBE-së dhe gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Bashkëpenëmbajtja me aleatin tonë strategjik, SHBA-në, për Ukrainën për çështjen e paqes dhe sigurisë, ishte kulmimi i maturimit të politikës sonë të jashtme. Jam i bindur se bazuar në këto arritje diplomacia jonë do të jetë e aftë të ecë me hapin e politikës sonë të jashtme. Ndërtoni mbi sukseset e mëparshme”, tha Begaj.
Duke folur për rajonin, Begaj theksoi se “situata e paqes dhe sigurisë rajonale apo globale mbetet fluide, por interesat tona kombëtare, partneritetet strategjike, roli si vend anëtar i NATO-s apo objektivi i anëtarësimit në BE mbeten të pandryshuara, si shtyllat kryesore të politikës sonë të jashtme dhe aksionit tonë diplomatik. Rajoni i Ballkanit Perëndimor, ku shqiptarët kanë një zë të fuqishëm dhe rol vendimmarrës, mbetet realiteti politiko-ekonomiko-shoqëror, ku diplomacia shqiptare duhet të thotë fjalën e vet me gjithë fuqinë e mundshme dhe me argumentet bindëse për të garantuar të ardhmen euroatlantike të kësaj pjese të shqiptarisë”.
Presidenti Begaj theksoi veçanërisht rolin aktiv që duhet të vazhdojë të luajë diplomacia jonë në marrëdhënie me Kosovën.
“Kosova nuk duhet të mbetet si një talking point e përsëritur, por duhet të jetë pjesë integrale e aksionit tonë diplomatik. Diplomacia jonë duhet të vijojë mbështetjen pa kushte për Kosovën. Kosova duhet të mbështetet kurdo e kudo, në çdo rrethanë apo situatë. Është detyra jonë të punojmë për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë e rajonale, si dhe për njohje të reja të saj”, tha Begaj./ atsh/ KultPlus.com
Presidenti Bajram Begaj dekretoi sot rektorët e rinj të universiteteve.
Gjatë fjalës përshëndetëse në ceremoninë e dekretimit, Presidenti Begaj theksoi sfidat me të cilat përballet arsimi i lartë shqiptar dhe misionin e drejtuesve të universiteteve publike.
Të pranishëm në ceremoni ishin ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, kryetarja e Komisionit të Edukimit dhe Medies, Ina Zhupa si dhe kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.
Presidenti e cilësoi këtë ditë si pikënisje që do të shënojë fillimin e një kapitulli të ri në jetën e tyre akademike, një mundësi e vlefshme për të hedhur themelet për një përvojë të re e të pasur universitare.
“Të sapozgjedhur në këtë detyrë të rëndësishme, ju po bëheni tashmë drejtues të një komuniteti dinamik, të gatshëm për t’u ballafaquar me sfidat që dikton e sotmja dhe e ardhmja e vendit. Ju dhe universitetet që do të drejtoni ndani objektiva të përbashkëta dhe bashkoheni në dëshirën e arritjeve të larta akademike për të kontribuar pozitivisht në shoqërinë tonë dhe farkëtimin e një të ardhmeje më të mirë për brezin tonë dhe brezat që do të vijnë”, u shpreh Begaj.
Sipas Begajt, rektorët kanë sot përgjegjësinë dhe privilegjin të krijojnë kushtet ku rinia shqiptare mund të shfrytëzojë plotësisht potencialin e vet human dhe profesional.
“Është detyra juaj të siguroni që universitetet tona të jenë vende ku ndriçon dija, ku studentët të frymëzohen dhe motivohen, ku nxitet liria akademike, ku rritet cilësia e mësimdhënies, ku kultivohet, përmirësohet dhe promovohet kërkimi shkencor, ku krijohet një mjedis që nxit mendimin kritik, krijimtarinë dhe inovacionin”, shtoi ai./atsh/ KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka marr pjesë në Festivalin e Vajzës në fshatin Vajzë.
Përmes një postimi në facebook, i pari i vendit shqiptar, tha se ishte emocion i veçantë të ishte prezent në këtë event.
“Një emocion i veçantë sot nga mikpritja në fshatin Vajzë, të bekuar nga natyra dhe e shënuar nga historia. Ndoqa me dashuri VajzFest, Festivali i Vajzës, në edicionin e tij të dytë, dëshmi e fuqisë së dashurisë për rrënjët e bijve të Vajzës”, shkroi Begaj.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ishte këtë të hënë në Konispol, ku pas një sërë aktivitetesh, vendosi edhe një kurorë me lule në varrezën monumentale “Trëndafilat e Çamërisë”, gjest ky i keqinterpretuar nga mediat greke.
“Ky memorial ju është kushtuar viktimave të eksodit të çamëve gjatë viteve 1944-1945”, shkruan zyra e shtypit të presidentit Begaj.
Megjithatë, në Athinë ky gjest ka gjetur një hapësirë më të madhe interpretimi, në një artikull të gazetës “Prototema”, e cila e quan këtë “sfidë” të re nga Tirana: Presidenti shqiptar në eventin për “gjenocidin e çamëve”.
Gazeta e sheh si karshillëk këtë veprim, duke shtuar se deri më tani vetëm disa përfaqësues partiakë kanë marrë pjesë në këto aktivitete që kultivojnë nacionalizmin antihelen në Shqipëri, të cilat organizohen çdo vit nga (PDIU) dhe “Shoqata Patriotike e Çamërisë”, raporton “Euronews.al”.
Gazeta akuzon kryeministrin Edi Rama se po e përdor çështjen e çamëve për t’iu përgjigjur zhvillimeve në çështjen Beleri, ku shkruan:
“Në një kohë kur tensioni në marrëdhëniet dypalëshe mbetet, pavarësisht lejes gjashtëditore që i dha Fredis Beleris për t’u betuar në Parlamentin Evropian, Tirana shfaq humorin e saj duke e ngritur çështjen e Çamërisë në nivelin më të lartë”.
Artikulli mbyllet duke kujtuar takimin e kryeministrit Rama me diasporën shqiptare në Athinë, të cilin e quan një miting parazgjedhor e në këtë mënyrë Rama merr votat e çamëve dhe njëkohësisht gjen një levë presioni ndaj Greqisë. /euronews/ KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, zyrtarisht është shpallur “Qytetar Nderi” i Drenasit.
Këtë titull ai e pranoi zyrtarisht nga kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.
Në fjalimin e tij, Begaj tha se ky është një moment i veçantë në jetën e tij.
“Më lejoni të shpreh falënderimet e mia dhe mirënjohem e pakufijshme ndaj popullit të Drenasit dhe autoriteteve lokale, të cilët më bën këtë nderë kaq të madh”, tha Begaj.
Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi lart kontribut e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, për të cilët uroi që të kthehen sa më parë në familjen e tyre.
Po ashtu Begaj, përmendi edhe kontributin e madh të dëshmorëve për lirinë e Kosovës.
Presidenti Bajram Begaj, i cili ndodhet për një vizitë dy ditore në Gjermani, ka dhënë një intervistë për Deutsche Welle, ku ka folur për rrugëtimin evropian të Shqipërisë, Kosovën, ngërçin me Greqinë për çështjen Beleri, por edhe për kampionatin evropian.
Duke u ndalur te Kosova, Begaj thekson se “Shqipëria është avokatja më e mirë e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në çdo organizatë ndërkombëtare”. I pyetur për çështjen Beleri dhe kërcënimet nga ana e Greqisë, Begaj thotë se Shqipëria i ka bërë më së miri detyrat e shtëpisë dhe se çështjet bilaterale nuk mund të ndikojnë në rrugëtimin evropian.
Sa i përket problematikave me të cilat përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës, Begaj thekson se do të vazhdojnë të mbrojë interesat e shqiptarëve atje. Një koment ka bërë edhe për problematikat e brendshme dhe situatën maxhorancë-opozitë.
“Në zbatim dhe në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë unë jam President i Shqipërisë dhe qëndroj mbi palët, nuk merrem me politikën e ditës. Kjo nuk do të thotë që unë nuk e ndjek, që nuk jam i vëmendshëm karshi politikës së ditës, por gjithsesi, në çdo mesazh timin, të cilin ma lejon kushtetuta t’ia adresoj Kuvendit apo ta adresoj në takime të rëndësishme me ambasadorët e huaj apo në ngjarje të rëndësishme në vend, kam adresuar nevojën për të pasur një komunikim dhe dialog të qëndrueshëm midis opozitës dhe pozitës, sepse mendoj që vendi i duhur për të ballafaquar idetë është parlamenti. Është parlamenti ai që duhet të bëjë ligjet dhe të adresojë zgjidhjet në interes të qytetarëve, në interes publik, në interes kombëtar, në interes të të gjithëve.”, tha Begaj.
Intervista e plotë:
Deutsche Welle: Zoti President, kryefjala këto ditë në Gjermani është futbolli. Si e vlerësoni lojën e deritanishme të kombëtares shqiptare?
Bajram Begaj: Përshëndetje, kënaqësi të jem në këtë intervistë me ju, padyshim që kryefjala botërore tani është futbolli. Dhe për mua si President i Republikës së Shqipërisë është ekipi kombëtar i Shqipërisë. Jam shumë i kënaqur me ekipin kombëtar, ju uroj shumë suksese dhe besoj se dhe Kampionati Evropian i Futbollit është fitore për tifozët shqiptarë, për tifozët kuqezi.
Çfarë roli mund të luajë kjo pjesëmarrje e Shqipërisë për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në Evropë?
Unë mendoj që imazhi i Shqipërisë në Evropë është i përmirësuar goxha vitet e fundit. Shqipëria është prezente në faqet e para të mediave botërore, për faktin që turizmi në Shqipëri vitin e shkuar ishte një shifër rreth 10 milionë turistë, këtë vit mendohet dhe parashikohet që të jenë rreth 15 milionë turistë. Kjo tregon që Shqipëria ka një rol të rëndësishëm, sidomos zhvillimi i Shqipërisë, siguria dhe ajo çfarë bën në arenën ndërkombëtare është shumë e mirëpritur dhe e respektuar. Ju do të takoheni edhe me Presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier. Cilat janë pritshmëritë tuaja për rolin e Gjermanisë ndaj Shqipërisë dhe rajonit?
Patjetër është kënaqësi të mirëpritem nga Presidenti i Gjermanisë. Është kënaqësi që do të vazhdojë bisedën miqësore të zhvilluar dy vite më parë në Shqipëri, në lidhje me bashkëpunimin bilateral midis Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, në lidhje me procesin e integrimit në BE, po ashtu edhe për ngjarjet e rajonit.
Ne patëm zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe kemi vënë re një shtyrje nga e djathta. A keni frikë se kjo do ta ngadalësojë pak procesin e zgjerimit?
Unë nuk kam asnjë frikë. Pritshmëritë tona janë që procesi i zgjerimit të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE do të jetë një proces strategjik për Evropën dhe jetik për Ballkanin Perëndimor. Besoj shumë që ky proces të përshpejtohet. Ballkani Perëndimor ka nevojë për Evropën dhe besoj se Shqipëria është në avangardë të këtij procesi për faktin që është kampione e bashkëpunimit rajonal, ndikon shumë për miqësitë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe për paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe aspiratën dhe ëndrrën për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
Ju e thatë vetë, ju jeni promotor i bashkëpunimit rajonal. Nga ana e Kosovës ka shpeshherë pakënaqësi. Ministrja e Jashtme thotë se politika e Shqipërisë ndaj Serbisë do të duhet të kalojë nëpërmjet Kosovës. Ju çfarë mendimi keni për këtë?
Kosova është interesi më madhor i Shqipërisë, Shqipëria është avokatja më e mirë e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në çdo organizatë ndërkombëtare dhe çdo iniciativë rajonale përmendet dhe mbrohet Kosova. Patjetër që ne do të kemi këtë bashkëpunim dhe në të ardhmen nuk mendoj që ka vend për pakënaqësi. Ne jemi aty, do të jemi gjithmonë në mbështetje të Kosovës. Para dy ditësh isha në Kosovë, mora pjesë në festimet e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, kjo tregon që marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera.
Marrëdhënie shumë të mira kemi, thotë Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, edhe me Greqinë, por Greqia e ka bllokuar procesin e integrimit për shkak të çështjes Beleri. Si mund t’i tejkalojë Shqipëria këto sfida?
Shqipëria i ka bërë më së miri detyrat e shtëpisë. Shqipëria ka kaluar me sukses procesin e screening, ka hapur konferencën e parë ndërministrore dhe pret për hapjen e kapitullit të parë që ka të bëjë me kapitullin themelor të legjislacionit. Nuk besoj se çështjet bilaterale do të ndikojnë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ju jeni president i të gjithë shqiptarëve, edhe atyre që janë jashtë atdheut. Si i adresoni ju problemet e shqiptarëve në Serbi kur flisni me kolegët tuaj?
Patjetër që e kam përgjegjësi kushtetuese të mbroj shqiptarët kudo ku ata punojnë e jetojnë dhe një prej tyre është komuniteti shqiptar që jeton në Luginën e Preshevës. Unë në fjalën time në asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kam ngritur shqetësimin në lidhje me shpopullimin e rajonit të Luginës së Preshevës, me pasivizimin e adresave, dhe besoj se është në nderin tonë që të vazhdojmë të mbrojmë interesat e shqiptarëve në këtë Luginë.
Ju u takuat me diasporën shqiptare. Një problem kryesor për diasporën është edhe mungesa e mundësisë për të votuar në vendet ku jetojnë. Si po angazhoheni ju për ta realizuar këtë?
Unë kam bërë disa takime me diasporën shqiptare dhe sot bëra një takim për diasporën që jeton në Berlin. Patjetër që për mua diaspora është frymëzim, është me idetë e saj e nevojshme për të kontribuar në atdhe, dhe besoj se bota e diasporës do të adresohet dhe përfaqësimi politik i tyre do të jetë i mirëpritur.
Një problem mbetet çështja e brendshme, panorama ndërpartiake në Shqipëri, marrëdhëniet pozitë-opozitë, të cilat akoma nuk kanë arritur të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive për vendin. Çfarë mund të bëni ju për të pajtuar më shumë?
Në zbatim dhe në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë unë jam President i Shqipërisë dhe qëndroj mbi palët, nuk merrem me politikën e ditës. Kjo nuk do të thotë që unë nuk e ndjek, që nuk jam i vëmendshëm karshi politikës së ditës, por gjithsesi, në çdo mesazh timin, të cilin ma lejon kushtetuta t’ia adresoj Kuvendit apo ta adresoj në takime të rëndësishme me ambasadorët e huaj apo në ngjarje të rëndësishme në vend, kam adresuar nevojën për të pasur një komunikim dhe dialog të qëndrueshëm midis opozitës dhe pozitës, sepse mendoj që vendi i duhur për të ballafaquar idetë është parlamenti. Është parlamenti ai që duhet të bëjë ligjet dhe të adresojë zgjidhjet në interes të qytetarëve, në interes publik, në interes kombëtar, në interes të të gjithëve.
Në vjeshtë zhvillohet për herë të dhjetë procesi i Berlinit. Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky takim?
Patjetër që unë e shikoj procesin e Berlinit si një proces që duhet të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Vitin e shkuar patëm fatin ta organizojmë procesin e Berlinit me mjaft sukses dhe të gjitha ato elementë që lidhen me adresimin e çështjeve për tu zgjidhur, gjatë këtij samiti do të adresohen për zgjidhje dhe do të gjejmë vendin e merituar.
Çfarë parashikoni për ndeshjen Kroaci-Shqipëri?
Nuk jam i mirë për parashikime, por shpresoj shumë që ekipi kombëtar shqiptar të fitojë dhe dua që të fitojë./abcnews.al/ KultPlus.com
Presidenti i Republikes, Bajram Begaj uroi sot ekipin kombetar për pjesëmarrjen në Kampionatin Europian të Futbollit.
Begaj u shpreh se të gjithë shqiptarët janë me ekipin kombëtar
“Në nisjen e Kampionatit Europian të Futbollit,le t’i urojmë të gjithë së bashku ekipitit tonë kombëtar: Suksese! Të gjithë shqiptarët janë me ju!”, u shpreh Presidenti Begaj në urim.
Shqipëria ndodhet në grupin B me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë. Kombëtarja do të luajë mbrëmjen e nesërme ndaj Italisë në stadiumin “Signal Iduna Park” në Dortmund./KultPlus.com
Presidenti Bajram Begaj u prit sot në një audiencë të veçantë në Selinë e Shenjtë në Vatikan nga Shenjtëria e tij, Papa Françesku.
Kjo është hera e dytë që Presidenti Begaj pritet në audiencë nga Ati i Shenjtë, pas vizitës së parë që zhvilloi në Vatikan në dhjetor të vitit 2022.
Kreu i shtetit falendëroi përzemërsisht Papa Françeskun për këtë pritje duke i shprehur atij urime të sinqerta për angazhimin e fuqishëm në përhapjen e paqes përmes mesazheve të drejtpërdrejta për t’i dhënë fund luftrave sidomos në zonat e e nxehta të konfliktit; Ukrainë e në Lindjen e Mesme.
Presidenti i Republikës konfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në krah të aleatëve perëndimorë për zgjidhjen përmes dialogut, si i vetmja garanci për stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit dhe me gjerë.
Presidenti Begai i dhuroi Atit të Shenjtë një pikturë të Kishës së Kuvendit të Rubikut, një ikonë e krishtërimit shqiptar dhe një ndër kishat më të vjetra në Ballkan.
Presidenti Begaj u prit në një takim edhe nga Sekretari i Shtetit, Kardinal Parolini.
Gjatë këtij takimi u diskutua për proceset integruese që Shqipëria ka ndërmarrë si pjesë natyrale e Evropës dhe që tani me avancimin e reformave pret të jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.
Presidenti Begaj falenderoj Sekretarin e Shtetit për mbështetjen që Selia e Shenjtë i jep proceseve integruese të Shqipërisë. Edhe për Kosovën, Presidenti i Shqipërisë i përcolli Sekretarit të Shtetit progresin që Kosova ka bërë në procesin e reformave, të shtetit të së drejtës, respektimin e pakicave dhe integrimit në organizmat ndërkombëtare.
Kreu i Shtetit theksoi vijimësinë e angazhimit të tij për thellimin e bashkëpunimit duke iu referuar edhe lidhjes të Selisë së Shenjtë me Kishën katolike shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë./atsh/KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj nga dita e sotme është “Qytetar Nderi” i arbëreshëve të Kalabrisë.
Këtë titull, të parit të shtetit, ia dhuroi Pallagorio, komunë në Provincën e Krotones.
Këshilli i kësaj komune i drejtuar nga kryebashkiaku, Umberto Lorecchio, vendosi me unanimet të plotë të nderojë Begajn me titullin “Qytetar Nderi”, i Pallagorios, shkruan tvklan.al, transmeton Klankosova.tv.
Begaj shprehu mirënjohjen e tij më të thellë duke theksuar se, e çmon jashtëzakonisht respektin dhe vlerësimin e tyre. “Ju siguroj”, u shpreh presidenti, “që do të vijoj angazhimin tim e të institucionit që drejtoj, për të zhvilluar më tej marrëdhëniet midis arbëreshëve dhe shqiptarëve”.
Kryetari i Shtetit e cilësoi nderimin e sotëm nga arbëreshët e Pallagorios, “si një nga momentet në jetë që të shenjon shumë fort, të lë mbresa të pashlyeshme, por edhe është një përgjegjësi dhe angazhim për të vijuar nismat për Arbërinë.”
Presidenti shqiptar, Bajram Begaj sot ka vizituar shtëpinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Presidenti Begaj me këtë rast është shprehur se pa një udhëheqës vizionar si ai, kombi ynë nuk do të kishte sot këtë realitet.
“Në shtëpinë e Presidentit Rugova, misionarit paqësor që punoi për Pavarësinë e Kosovës “si pika e ujit që bën vendin në gur”. Pa udhëheqës vizionar si ai, kombi ynë nuk do të kishte sot këtë realitet”, ka shkruar Begaj./KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka çmuar kontributin e grave në proceset e shtet ndërtimit duke përfshirë periudhën e luftës e deri te pozitat e udhëheqësisë shtetërore.
“Historia shqiptare ka parë se gruaja ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm, në të gjitha sferat e jetës. Edhe Shqipëria edhe Kosova kanë shënuar përparim të dukshëm të përfshirjes se gruas në te gjitha proceset. Kosova ka pasur dy presidente gra ne 15 vjeçarin e parë të Pavarësisë së vendit”, ka thënë Begaj.
Tutje ai ka thënë se gratë në të kaluarën kanë bartur barrën më të madhe të konflikteve.
“Gratë kanë bartur barrën më të madhe të konflikteve, duke bartur barrën e poshtërimit e spastrimit etnik. Ky forum shërben jo vetëm si kujtesë kolektive, duke ndarë historitë e shkuara, por edhe është një burim shprese për një te ardhme ku gruaja e forcon paqen dhe sigurinë”, ka deklaruar Begaj.
Presidenti shqiptar ka përmendur arsimimin dhe edukimin e grave, si mjetet nëpërmjet të cilave fuqizojnë dhe rrisin kapacitetet e tyre.
“Lufta për t’i dhënë fund dhunës ndaj gruas kërkon angazhim të të gjithëve, le t’i kujtojmë vuajtjet dhe dhunën ndaj grave shqiptare, nga pushtuesi serb, dhe krimi nuk duhet të mbetët i pandëshkuar”, ka thënë Begaj.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj është nisur sot në Kosovë me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani.
Zyra e shtypit e Institucionit të Presidencës bënë të ditur se, “Presidenti Bajram Begaj do të mbajë një fjalë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqe dhe Siguri që zhvillohet në Prishtinë ditën e nesërme, në datën 15 prill 2024.
Po ashtu, njoftohet se kreu i shtetit do të ketë një takim kokë më kokë me Presidenten Osmani si edhe disa takime bilaterale me personalitete të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare./rtsh/KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, e ka nënshkruar sot dekretin “Për dhënie amnistie”.
Nga vendimi i Begajt, do të përfitojnë rreth 700 të burgosur, raportojnë mediat shqiptare transmeton Klankosova.tv
Ky ligj u miratua të enjten e kaluar më 4 prill.
110 deputetë votuan pro kur socialistët dhe deputetët opozitarë të Rithemelimit bashkuan votat bashkë dhe me dy deputet/ të grupit demokrat Basha.
“Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, firmosi sot dekretin nr. 139, datë 09.04.2024, “për shpalljen e ligjit nr. 33/2024 “Për dhënie amnistie”’, thuhet në njoftimin e presidencës.
Presidenti shqipar, Bajram Begaj, ka uruar të gjithë besimtarët katolikë për festën e Pashkëve.
Përmes një shkrimi në facebook, Presidenti Begaj ka thënë që kjo festë të festohet, me shpresën që e nesërmja të jetë më e mirë.
“Për shumë mot Pashkën, të dashur besimtarë katolikë e ungjillorë! Në këtë ditë të bekuar, le të gëzojmë e të festojmë të gjithë së bashku me besim dhe shpresë te Zoti për një të nesërme më të mirë. Gëzuar, dhe qoftë për të gjithë Pashkë e Shenjtë!”, ka shkruar Presidenti Begaj./KultPlus.com
Presidenti shqiptar Bajram Begaj ka reaguar pasi ka kaluar pika e Raportimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës të mbajtur në Paris të Francës.
Përmes një shkrimi, Presidenti Begaj ka deklaruar se kjo arritje e merituar dëshmon përkushtimin e palëkundur politik të Kosovës ndaj vlerave dhe standardeve evropiane.
“Arritje e merituar e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës.
Kjo dëshmon përkushtimin e palëkundur politik të Kosovës ndaj vlerave dhe standardeve evropiane” thuhet në shkrimin e Presidentit Begaj./KultPlus.com
Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, ka përkujtuar 24 Marsin e vitit 1999, ku 25 vite më parë NATO ndërhyri për të shënuar fundin e gjenocidit serb në Kosovë.
Presidenti Begaj ka thënë se ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja, i dha të drejtë kauzës së lartë të popullit të Kosovës dhe përpjekjeve për liri e pavarësi, duke krijuar kornizë të sigurtë për gjithë rajonin.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Presidentit Begaj:
Faleminderit, NATO! Faleminderit, SHBA!
25 vjet më parë, më 24 mars 1999, NATO ndërhyri për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë.
Sot ne përkujtojmë një ngjarje me rëndësi historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët.
Ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja, i dha të drejtë kauzës së lartë të popullit të Kosovës dhe përpjekjeve për liri e pavarësi.
Urtësia politike, largpamësia strategjike dhe vendosmëria e Aleancës për të mos qëndruar indiferente ndaj spastrimit etnik dhe dhunës jo vetëm e shpëtuan Kosovën, por krijuan një kornizë të re të sigurisë për të gjithë rajonin.
Në sajë të kësaj ndërhyrjeje, brenda pak kohe u mundësua pavarësimi dhe krijimi i Republikës së Kosovës, një histori suksesi e shtetndërtimit demokratik.
Prania e NATO-s në Kosovë nëpërmjet trupave të KFOR-it vijon të luajë edhe sot një rol të rëndësishëm në sigurinë e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë.
Akti historik i NATO-s na kujton se nuk duhet t’i ndalim përpjekjet tona për të krijuar një rajon që rrezaton harmoni, bashkëpunim dhe prosperitet.
Teksa falënderojmë ndihmën e paçmuar të Aleancës më të fuqishme të botës dhe të partnerit tonë strategjik, SHBA-së, sot përkujtojmë edhe sakrificat e kombit shqiptar, luftën heroike të UÇK-së dhe viktimat e luftës në Kosovë.
Ata ndërtuan piedestalin ku u ngrit kauza e drejtë e ndërhyrjes në Kosovë. Nder përjetë heronjve të kombit!/KultPlus.com
Presidenti Bajram Begaj e cilësoi Besëlidhjen e Lezhës si dëshmi e unitetit, guximit për liri dhe shembull të qëndresës në fjalën e mbajtur në ceremoninë e kremtimit të 580-vjetorit të kësaj ngjarjeje madhore historike në Lezhë.
“580-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës shënon një prej momenteve më të rëndësishme të historisë sonë mbarëkombëtare. 2 Marsi 1444 qëndron si dëshmi e unitetit, guximit dhe përkushtimit të shqiptarëve për liri e pavarësi. Nën udhëheqjen e Gjergj Kastrioti – Skënderbeut ne mbetëm të gdhendur në kronikat më të rëndësishme evropiane të kohës e shekujve më pas, si shembull i qëndresës dhe guximit për të gjithë Evropën”, u shpreh Presidenti Begaj.
Sipas Presidentit, bashkimi i shqiptarëve në Lezhë 580 vjet më parë mbetet një lajtmotiv evropian i qëndresës së përbashkët kundër çdo agresioni.
“Sot, faktori shqiptar në Ballkan vijon të luajë rol thelbësor në paqen dhe orientimin perëndimor të rajonit. Në kushtet e sotme gjeopolitike, ku sfidat dhe kërcënimet ndaj sovranitetit të popujve, përfshi atyre të Ballkanit, dhe integritetit territorial evropian, janë aktuale, veçanërisht për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës, Besëlidhja e Lezhës e roli i historik i shqiptarëve marrin një rëndësi të veçantë”, shtoi ai.
“Ato na kujtojnë se bashkimi dhe solidariteti janë thelbësorë për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta dhe të lirisë. Ato na mësojnë se përballë sfidave nuk mund të qëndrojmë të ndarë, por vetëm të bashkuar”, u shpreh Presidenti Begaj.
Presidenti u ndal edhe tek historia e arbëreshëve dhe përpjekjeve të tyre për të ruajtur identitetin kombëtar.
“Arbëreshët, duke ruajtur gjuhën, zakonet dhe kulturën shqiptare, janë dëshmi e gjallë e bashkimit dhe forcës së identitetit shqiptar që mbijeton pavarësisht kufijve dhe kohës. Ata tregojnë se edhe larg dheut amë, zemra shqiptare rreh me të njëjtin ritëm të guximit dhe ndershmërisë, të krenarisë dhe respektit për tjetrin”, tha Begaj.
“Prania e tyre këtu sot, për të festuar së bashku, është simbolikë e një ure që lidh të kaluarën me të tashmen, duke i dhënë kuptim të ardhmes sonë. Akti i Besëlidhjes dhe shembulli i arbëreshëve na kujtojnë se bashkimi është forca që çdo ëndërr për liri dhe prosperitet e bën të mundur dhe të pashmangshme”, shtoi Presidenti.
“Ne kemi detyrë të mbajmë gjallë historinë tonë, ku Besëlidhja e Lezhës qëndron si kujtesë e dashurisë për lirinë dhe njëri-tjetrin”, u shpreh ai.
Begaj shfrytëzoi momentin për të theksuar në këtë ditë të shënuar të historisë shqiptare, rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me NATO-n dhe vijimit me bindje të rrugëtimit tonë drejt integrimit të plotë në BE.
“Padyshim që duhet të jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat shqiptarët përballen brenda vendit e kudo në rajon, por le të mos harrojmë se një ditë si kjo e sotmja provon aftësinë tonë për të adresuar çdo sfidë”, tha Begaj.
“Me orientimin tonë të palëkundur evropian, le të vijojmë të ndërtojmë mbi themelet e shëndosha të vendosura 580 vjet me parë, duke qenë gjithmonë të gatshëm të përqafojmë ndryshimet demokratike”, vijoi ai.
“580-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës është një ftesë sa historike, aq dhe aktuale për të ripërsëritur përkushtimin tonë ndaj kombit shqiptar. Mbi të gjitha, le të përulemi me mirënjohje dhe të nderojmë sakrificat e atyre që para nesh u angazhuan për atdheun që ne gëzojmë sot e të ecim në rrugën që ata çelën: rrugën e lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit mbarëkombëtar”, përfundoi Presidenti Bajram Begaj.
Në aktivitetet e organizuara me rastin e 580-vjetorit të Kuvendit të Lezhës merr pjesë me ftesë të Presidentit Begaj edhe një delegacion i zgjeruar arbëresh./atsh/KultPlus.com
Presidenti Bajram Begaj uroi sot Kosovën për 16 vjetorin e Pavarësisë duke theksuar se “sot është ditë e veçantë për të festuar. 17 shkurti shënon kurorëzimin e ëndrrave të popullit shqiptar, të Kosovës për liri dhe pavarësi”.
“Pavarësia e Republikës së Kosovës hapi një faqe të re në historinë e kombit shqiptar. Shqiptarët do t’u jenë gjithnjë mirënjohës miqve tanë Euro-Atlantikë që na ndihmuan dhe na mbështetën në realizimin e aspiratave shekullore. Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 shënoi kthesën vendimtare për popullin shqiptar dhe qytetarët e Kosovës”, theksoi Begaj.
Kreu i Shtetit u shpreh se “faleminderit atyre që iu ndodhën pranë kombit shqiptar dhe zgjodhën veprimin, jo indiferencën ndaj Kosovës. Kjo ditë është rast shumë i mirë për të nderuar e vlerësuar të gjithë ata që kontribuuan në pavarësinë e Kosovës, që nga Presidenti largpamës dhe i paqtë i saj, Rugova, deri te heronjtë e UÇK-së, e veçanërisht familja e Jasharëve, e cila është shndërruar në simbolin e luftës për çlirim”.
“Lindja e shtetit më të ri në Evropë ishte një sfidë, por vetëm në më pak se dy dekada, Kosova ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në ndërtimin e institucioneve dhe të një shoqërie demokratike dhe multietnike. Përmes përpjekjeve, arritjeve dhe shumë vështirësive Kosova ka sot një perspektivë zhvillimi dhe begatimi në horizont. Sot Kosova është histori suksesi në Ballkan në respektimin e të drejtave të njeriut, me kulturën e saj të gjallë dhe energjinë rinore të një populli që sheh përpara”, nënvizoi Begaj.
Presidenti Begaj tha se Kosova, shtet i pavarur, është një faktor pozitiv, paqedashës dhe i rëndësishëm për sigurinë në rajonin tonë.
“Jemi dy shtete, por një komb me një gjuhë e një kulturë. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi të artë për të treguar se jemi të aftë të ndërtojmë shtete moderne sipas parimeve demokratike të mirëqeverisjes. Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis dy shteteve tona janë natyrshëm strategjike, me rëndësi të patjetërsueshme dhe me një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën tonë të përbashkët Euro-Atlantike e të të gjithë rajonit”, theksoi Begaj.
Presidenti Begaj u shpreh se “bashkëpunimi duhet të theksohet në aspektin ekonomik dhe në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve tanë. Ekonomitë e vendeve tona duhet të jenë komplementare teksa shfrytëzojnë avantazhet krahasuese për të qenë më konkurrentë në rajon e më gjerë. Natyrisht, në kontekstin e një situate sigurie të përkeqësuar në botë, prioritet duhet të marrë bashkëpunimi në fushën e sigurisë”.
“Sulmi terrorist kundër policisë së Kosovës në Banjskë, i pak muajve më parë, tregon se sa e brishtë është paqja dhe siguria në rajon.Bashkëpunimi dhe koordinimi sa më i ngushtë me aleatët tanë strategjikë, SHBA-në dhe BE-në është thelbësor. Po me kaq rëndësi është edhe dialogu midis Kosovës dhe Serbisë. I ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara, vazhdimi i dialogut është rruga e vetme drejt paqes, normalizimit të marrëdhënieve, si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare”, theksoi Begaj.
Begaj tha se “dëshiroj t’ju siguroj se Shqipëria do të vijojë e vendosur angazhimin për të mbështetur Kosovën. Ne do të vijojmë të punojmë për njohje të vazhdueshme ndërkombëtare dhe bashkërisht të promovojmë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të mbështesim aspiratat e popullit shqiptar për një të ardhme më të begatë”./atsh/KultPlus.com