Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova, me rastin e 18-vjetorit të vdekjes së tij.
Presidenti Begaj përmes një postimi në Facebook, tha se Rugova ishte lideri paqësor e paqëtues, dhe do të mbetet modeli i politikanit frymëzues për politikanët e Shqipërisë dhe Kosovës.
“Ibrahim Rugova, Presidenti historik i Kosovës, lideri paqësor e paqëtues, është e do të mbetet modeli i politikanit frymëzues për politikanët e Shqipërisë dhe Kosovës”, ka shkruar presidenti Begaj./KultPlus.com
Presidenti shqiptar Bajram Begaj ka kujtuar heroin kombëtar Gjergj Kastriotin- Skënderbeun në 556 vjetorin e vdekjes, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në rrjetin social facebook, Presidenti Begaj, Skënderbeun e ka quajtur ideator të bashkimit kombëtar dhe mbrojtës të qytetërimit perëndimor.
“Gjithmonë krenarë e të përunjur para veprës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, ideator i bashkimit kombëtar, udhëheqës i Aleancës Evropiane, mbrojtës i qytetërimit perëndimor”, ka shkruar Presidenti Begaj në facebook./KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj do të zhvillojë këtë të mërkurë një vizitë zyrtare në Sofje, me ftesë të homologut bullgar, Rumen Radev.
Agjenda parashikon takimin ‘kokë më kokë’ të kryetarëve të të dyja shteteve, takimin e delegacioneve përkatëse si dhe konferencën e përbashkët për shtyp të Begajt me Radev.
Marrëdhëniet dypalëshe, roli i Shqipërisë dhe i Bullgarisë në rajon dhe me gjerë si pjesë e NATO-s dhe i organizmave të tjerë ndërkombëtare e rajonale si dhe bashkëpunimi në kuadër të Bashkimit Evropian do te jenë në fokus të bisedës se Presidentit të Shqipërisë dhe homologut të tij bullgar, raporton Abcnews.al.
Begaj do të pritet edhe nga Presidenti i Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov.
Gjithashtu, ai do të zhvillojë një vizitë te trupat ushtarake shqiptare që janë të pozicionuara në Novo Selo, si pjesë e programit të NATO-s “Enhance Vigilant Activity”./Abcnews.al./KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, duke e cilësuar si një ideal të përbashkët për të cilin luftojnë të gjithë popujt që çdo individ të gëzojë të drejtat dhe liritë themelore në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim.
Ai, në një postim në rrjetin social, Facebook, thotë se ky dokument themelor ka shënjuar historinë e të drejtave të njeriut.
Presidenti Begaj përmend edhe rastësinë e bukur që në këtë 75-vjetor Shqipëria u zgjodh për herë të tretë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB.
“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, dokumenti themelor që ka shenjuar historinë e të drejtave të njeriut, përkon sot me 75-vjetorin e krijimit. Deklarata e të Drejtave të Njeriut është ideali i përbashkët, për të cilin luftojnë ta arrijnë të gjithë popujt dhe kombet, që në mënyrë të sigurt çdo individ të gëzojë i barabartë dhe pa diskriminim liritë dhe të drejtat themelore njerëzore. Është një përkim i bukur që në 75-vjetorin e saj, Shqipëria u zgjodh për herë të tretë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB. Institucionet tona do të vijojnë të mbrojnë dhe promovojnë të Drejtat e Njeriut për një botë me liri, drejtësi e barazi për të gjithë”, ka shkruar Begaj.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vlerësoi zërat që kanë informuar shqiptarët përmes Radio Tiranës dhe figurat e gazetarisë që kontribuan ndër vite në ngritjen e radiofonisë shqiptare.
Presidenti e vlerësoi kontributin e Radio Tiranës për mbajtjen gjallë të lidhjeve me bashkatdhetarët jashtë vendit, të gjuhës shqipe, të patriotizmit dhe njohjes ndërkombëtare të Shqipërisë.
“Radio Tirana me programet e saj për bashkatdhetarët ishte mundësia e vetme e mbajtjes së kontakteve me shqiptarët në trojet e tyre në ish-Jugosllavi. Radio Tirana ishte i vetmi burim informacioni në gjuhën shqipe për ta. Roli i saj në vitet 1980, me fillimin e protestave në Kosovë, ishte shumë i rëndësishëm për informimin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi”, tha Begaj.
“Ajo ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në unifikimin e gjuhës shqipe ndër shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, sikurse edhe në ruajtjen e pastërtisë së saj. Ruajtja dhe lëvrimi i gjuhës shqipe ka qenë dhe mbetet thelbësore për identitetin tonë”, u shpreh Begaj.
“Duke qenë një ndër radiot e pakta që transmeton në disa gjuhë të huaja, ajo është, gjithashtu, një promovuese e Shqipërisë dhe e potencialeve të saj”, theksoi Begaj.
“Ky institucion mediatik e ka nisur transmetimin më 28 nëntor 1938 si radioja e parë në Shqipëri. Përgjatë këtyre viteve, Radio Tirana ka kaluar një seri peripecish, si: pushtimin italian, pushtimin gjerman dhe regjimin diktatorial, deri kur pas viteve ’90 u shndërrua në një media të lirë”, tha Begaj.
Presidenti Begaj u shpreh se, “duke qenë mjeti i vetëm informativ për disa dekada, ajo u përdor nga regjimet e ndryshme si mjet propagande, por kjo nuk ia ul asaj kontributin. Radio Tirana është një pasuri që duhet mbrojtur dhe kultivuar”, dhe inkurajoi punonjësit ta kryejnë këtë mision për të gjithë dëgjuesit shqiptarë e të huaj./atsh/KultPlus.com
Presidenti Bajram Begaj ka organizuar një pritje në Pallatin e Brigadave në kuadër të 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ku morën pjesë zyrtarët më të lartë të shtetit.
Në fjalën e tij, Begaj pati edhe një mesazh për politikën, duke i kërkuar që të gjejnë kompromisin për t’i shërbyer qytetarëve.
“Bëj thirrje për përfaqësuesit e shqiptarëve në Kuvend që kokulur të punoni për një Shqipëri që sundohet nga ligji, që ka prioritet të mirën e të gjithëve. Në jetën tuaj parlamentare të udhëhiqeni nga interesi kombëtar mbi dallimet ideologjike, nga kompromisi dhe jo nga konfrontimi, nga përgjegjësia për të ardhmen dhe dashuria për Atdheun”, tha Begaj.
Për kreun e shtetit, 28 Nëntori është ditë kujtese, teksa theksoi se Shqipëria është para sfidave të ndërtimit të politikave strategjike brenda e jashtë vendit.
“28 Nëntori është dita e kujtesës dhe nderimet për të shkuarën dhe frymëzimin për të ardhmen. Sot është dita që të kujtojmë me mirënjohje sakrificën e shkruar me gjak të patriotëve shqiptarë. Një vend i vogël, aktor paqeje në marrëdhëniet ndërkombëtare, Shqipëria është para sfidave të ndërtimit të politikave strategjike brenda e jashtë vendit. Këto kanë të bëjnë së pari me përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë dhe finalizimit të integrimit në familjen europiane. Zhvillimet më të fundit në arenën ndërkombëtare kanë treguar se paqja nuk është asnjëherë e sigurt dhe mirëqenia asnjëherë e mjaftueshme”, theksoi Begaj.
Presidenti bëri thirrje edhe për bashkëpunim sa më të ngushtë me Kosovën.
“Kemi fatin të kemi dy shtete shqiptare në rajon. Bashkëpunimi me Kosovën, në pozita të barabarta si dy shtete të një kombi, duhet të jetë sa më i ngushtë, simetrik dhe përplotësues”, u shpreh Begaj./ RTSH/KultPlus.com
Në oborrin e Pallatit Presidencial në Tiranë, është hapur ekspozita me rastin e përvjetorit të vdekjes së Nënës Terezë.
Në këtë aktivitet po marrin pjesë të dy presidentët: Bajram Begaj, president i Shqipërisë dhe Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.
Në këtë ekspozitë janë të shfaqura fotografi e dokumente nga arkivat e 3 vendeve shqipfolëse (Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut), e që kanë të bëjnë me humanisten shqiptare.
Pas këtij aktiviteti presidentet do të vendosin kurora në monumentin ‘Nënë Shqipëri’.
Kjo ngjarje po organizohet në kuadër të vizitës dy ditore të shefes së shtetit të Kosovës në Tiranë./KlanKosova/KultPlus.com
Presidenti shqiptar Bajram Begaj, sot ka përkujtuar Prof. Eqrem Çabej, sipas tij emrin më përfaqësues të shkencave albanologjike, në 115-vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.
Presidenti Begaj përmes një postimi në facebook ka thënë se Eqrem Qabej për kontributin e dhënë për kombin shqiptarë meriton mirënjohjen e brezave shqiptarë në shekuj.
“Shpreh gjithë nderimin dhe mirënjohjen time si President i Republikës së Shqipërisë për Prof. Eqrem Çabejin sot në 115-vjetorin e lindjes së tij, jeta dhe vepra e të cilit e bëjnë akademikun tonë të madh emrin më përfaqësues të shkencave albanologjike.
Për gjithçka i dha vendit, popullit dhe kombit tonë, Eqrem Çabej meriton e do të meritojë përjetë nderimin dhe mirënjohjen e brezave shqiptarë në shekuj”, thuhet në shkrimin e presidentit Begaj në facebook./KultPlus.com
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj do të jetë pjesë e ceremonisë së kurorëzimit të Mbretit Charles III, në Mbretërinë e Bashkuar, shkruan KultPlus.
Lajmin për pjesëmarrjen e presidentit Begaj në cerëmoninë e kurorëzimit të Mbretit Charles, e ka bërë të ditur ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Alastair King-Smith, përmes një postimi në Twitter.
“Shumë mirë të takohesha me presidentin Bajram Begaj para vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar për të marrë pjesë në kurorëzimin e Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla si një dëshmi e marrëdhënies së fortë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. I gëzuar që presidenti Begaj do t’i bashkohet liderëve botërorë për të shënjuar këtë ngjarje historike”, shkroi ambasadori King-Smith në Twitter./KultPlus.com
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar sopranon shqiptare me famë botërore, Ermonela Jahon për çmimin “Artistja e Vitit” nga International Classical Music Awards, shkruan KultPlus.
Presidenti Begaj me këtë rast ka thënë Ermonela Jaho është ambasadore e shkëlqyer e Republikës së Shqipërisë në botë.
“Urime Ermonela Jaho, për çmimin “Artistja e Vitit” nga International Classical Music Awards! Ju jeni një Ambasadore e shkëlqyer e Shqipërisë në botë, ndaj arritjet tuaja artistike kanë duartrokitjet dhe mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve!”, thuhet në urimin e Presidentit Begaj/ KultPlus.com