Doli nga shtypi libri i ekspozitës “Bëhu fytyra ime” nga Eliza Hoxha

“Bëhu fytyra ime” është ekspozita e artistes Eliza Hoxha që hapi një kapitull të dhimbjes së grave shqiptare. Kjo ekspozitë e vitit 2019 ishte vendosur në një nga bodrumet e Hotelit “Grand”, ku në kohën e luftës në Kosovë, paramilitarët serb kishin dhunuar shumë gra shqiptare, shkruan KultPlus.

Përmes kësaj ekspozite vinin rrëfime të vendosura në kornizë, e që të jepnin ndjesi dhimbjeje, ku po në ato korniza ishin shkëputë copëza të rrëfimeve që tregonin tmerrin, dhimbjen dhe vuajtjen e këtyre grave.

Pjesë e kësaj ekspozite ka qenë edhe historia e Vasfije Krasniqi Goodman, gruaja e cila themeloi kampanjën ‘Bëhu zëri im’ kundër dhunimit të grave dhe u bë zëri i grave të shumta që nuk guxonin të flisnin për përvojat e tyre traumatike gjatë luftës.

Ekspozita më pas është hapur edhe në Muzeun e Kosovës ku poashtu kishte një jehonë të madhe dhe vizitorë të shumtë.

Rrugëtimi i ekspozitës po vazhdon. Kësaj radhe përmes librit. Artistja Eliza Hoxha ka njoftuar që sot ka dalë nga shtypi libri i ekspozitës “Bëhu fytyra ime”. Ky libër që ju kushtohet viktimave të dhunës seksuale nga lufta në Kosovë, në bashkëpunim me QKRMT shumë shpejt do të ketë edhe promovimin.

Artistja Hoxha është shprehur shumë e lumtur për botimin e librit.

“E lumtur! Libri i ekspozitës sime kushtuar viktimave të dhunës seksuale nga lufta në Kosovë “Bëhu fytyra ime” doli nga shtypi. Së shpejti do të jetë dhe promovimi i tij! Bashkëpunim me QKRMT.” / KultPlus.com

“Bëhu fytyra ime” prek në emocionet e vizitorëve të huaj

Në Muzeun e Kosovës vazhdon të jetë e hapur për vizitorë ekspozita “Bëhu Fytyra ime”.

Në qendër të ekspozitës së autores Eliza Hoxha është i vendosur portreti i Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila gjeti kurajën të rrëfente krimin që kishte përjetuar nga forcat serbe.

Përveç vendasve, ekspozita është e frekuentuar edhe nga të huajt.

Cornelius Young, turist nga Irlanda, po e viziton Kosovën për herë të dytë. Me të dëgjuar historinë e luftës në Kosovë, Young u bë kureshtar edhe për ekspozitën “Bëhu fytyra ime”.

E ka quajtur të tmerrshme aktin e dhunimit seksual nga serbët.

E për një moment, ai përjetoi edhe emocione.

Edhe sot, përveç Vasfije Krasniqit nuk ka viktima tjera të dhunës seksuale që dolën publikisht për t’u rrëfyer.

Në Kosovë janë mbi 20 mijë viktima të dhunës seksuale nga lufta vitit 1999.

Përderisa viktimat janë pothuajse të padukshme në përditshmëri, kjo ekspozitë ka për qëllim të sjellë copëza të rrëfimeve të tyre derisa vizitorët ftohen t’i vizitojnë ato./ Koha.net/ KultPlus.com