Bashkëpunimi kulturor ndërshtetëror Shqipëri – Kosovë, sjell, në Tiranë, artin e regjisorit Bekim Lumi. Në saje të bashkërendimit të punëve në mes të Universitetit të arteve të Tiranës, MKRS-së dhe të MPJD-së të Qeverisë së Kosovës, të martën më 17 dhjetor 2024 mbahet takimi përkujtimor në nderim të Bekim Lumit, i cili ishte student në Fakultetin e arteve skenike, në Tiranë në vitet e 90-ta, për të krijuar më pas, në Prishtinë, shfaqje teatrore, të cilat vlerësohen emblemë e Teatrit shqiptar. Këto shfaqje kanë përfaqësuar kulturën shqiptare në teatrot evropiane duke u vlerësuar me çmime të mëdha.
Manifestimi me moton “Arti i Lumit në Tiranë” do të ketë këtë rrjedhë gjatë ditës:
17.30 -18,30 Salla Lektorium – Universiteti i arteve
– Fjalë nderi, shqyrtime kritike, promovimi i tri librave të Bekim Lumit; “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë” Dukagjinit, “Engjëlli blu”, “Loja e Bekim Lumit” si dhe 5 numrat e Revistës teatrore “Loja”, kryeredaktor i së cilës ishte ai.. Do të flasin studiues dhe do të recitojnë aktorë nga Tirana dhe Prishtina.
– 18 30-19,30 Galeria FAB e Fakultetit të arteve skenike,
Hapja e Ekspozitës “U artësofshi”, kurator Mentor Berisha, me fotografi, dokumente dhe rekuizita të shfaqjeve të Lumit.
Libra, revista dhe fletëpalosja të shfaqjeve do të dhurohen për Bibliotekën dhe për studentët e Fakultetit të arteve skenike.
-20.00 – 21,15 Teatri kombëtar- ART TURBINA
Shfaqja e Teatrit Laborator “Loja”;
“John Cage’s Hamlet”, në regji të Bekim Lumit
Këtë ngjarje kulturore ndërshqiptare e kanë ideuar dhe mbështetur dy Ambasadat e vendeve tona me angazhimin e ambasadorëve Petrit Malaj dhe Skënder Durmishi, nën përkujdesjen e Dekanit të Fakultetit të arteve në Tiranë, Miltiadh Kutali dhe Këshillit organizativ për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë krijuese të Bekim Lumit, në Prishtinë
Ejani të martën në Tiranë, më 17 dhjetor, dhe shijoni shumëçka nga vlerat e artit bekimian! Ftoni edhe të dashurit dhe të afërmit tuaj! Arti nuk e don dhe nuk e duron harresën!/ KultPlus.com
Of Nanë Pashë Zotin m’fal Nanloke Edhe k’saj here Si rr’fe prej qielle Dhimtën e kresë mbi ty e shkarkova
Of Nanë Pashë Zotin m’fal Nanloke Edhe k’saj here Si ilaç për nerva Emnin tand ndër dhambë e kafshova
Of Nanë Pashë Zotin m’fal Nanloke Edhe k’saj here Si saç i skuqun mbi mrumet e grujta Zjarminë e ballit sipri ty ta hodha
Of Nanë Pashë Zotin m’fal Nanloke Edhe k’saj here Si barrën e druve përmi shpinë Tana borxhet e mallin e brengat ty t’i ngarkova
Of Nanë Pashë Zotin m’fal Nanloke Edhe k’saj here Si bojaxhi i keq që jam Flok’t me gëlqere t’bardhë mërzie t’i ngjyrosa
Of Nanë Pashë Zotin m’fal Nanloke Edhe k’saj here Si mbi jastëk andrrash Kryet e lodhun n’prehnin tand e mb’shteta
Of Nanë Pashë Zotin Pashë Ty Pashë Babën Pashë Mue M’fal Si mëkatar i keq që jam Po t’lutem shumë M’fal Për dhembjet Për sëmundjet Për nervat Për zjarminë Për brengat Për borxhet Për mallin Për mërzinë Për ofshamat e djeshme të sodme të nesërme M’fal Njimijë herë m’fal
Fragmente të shkëputura nga libri “Shkëlqim dhe tmerr” pjesa e dytë e Bekim Fehmiut, përcjell KultPlus.
Përktheu Sabit Abdyli
Pse ju shqiptarët pas luftës (fjala është për luftën 1940/45) nuk u kthyet në Shqipëri – pyeti serbi 70 vjeçar. Mu kujtua pyetja e njëjtë e Jovan Mileqevit në Maribor. Tentova t’i përgjigjem. Po më ndali cimeri im, prit unë – Cernoputi Kovinac i mbajti leksion për shqiptarët si profesori im (dikur) Dr. Millosh Gjuriq. – Nëse dikush duhet të kthehet diku, atëherë ata duhet të jemi ne (serbet), jo shqiptarët. –ju përgjigj bashkëfshatarit.
Në vitin 1926 (vazhdoi 70 vjeçari) kur u bë reforma agrare më kanë ofruar tokë gati falas nëse vendosem atje (Kosovë). Po nuk shkova. “Shkëlqim dhe tmerr” , 2012, Beograd, Bekim Fehmiu, faqe 380.2.Irena (fjala është për artisten Irena Papas) kish imigruar në Romë për shkak grusht shtetit të Juntës ushtarake në Greqi. Kish vuajtur (merakosur) për mikun e saj kompozitorin Teodorakis. Për ta disponuar propozova të shkonim në restorant. Fillova të këndoj një këngë. Ajo pranoi këngën dhe vazhdoi ta këndojë në greqisht. I habitur reagova: “Prej ku e di ti këtë?” Kjo është këngë dashure shqiptare.Jo, kjo është këngë greke nga Janina – tha Irena. Atje jetojnë Arvanitasit, shqiptarët, apo? Duke vazhduar këngën nxori nga çanta e dorës pasaportën dhe – Lexo. Irini Leleku (mbiemrin në shqip dmth lejleku).Di ti flasësh shqip? – e pyes.Jo, por jam me origjinë shqiptare – më tha Irena.Për ty do ishte fantastike të jesh në rolin e Teutës, mbretëreshës ilire.
Nga libri (pjesa dytë) “Shkëlqim dhe tmerr” , 2012, Beograd, Bekim Fehmiu, faqe 167 3.Regjisori (fjala është për regjisorin italian të filmit “Odisea” Franko Rosi) papritmas më pyeti. Çka mendon për Rade Sherbexhijen ? Në ç’kuptim?Si artist. Po përgatisim “Iljaden”, dhe po mendojmë për te.Mirë keni menduar. Rade nuk është vetëm artist i shkëlqyeshëm, por edhe poet, këngëtar .. Ai është i zoti për të gjitha rolet; nga lypsari deri te mbreti.Shikimet e Frankos dhe bashkëpunëtorit të tij u kryqëzuan. Përnjëherë një si heshtje.Si ashtu, Bekim (Bekim Fehmiu) : sa herë të kem pyet ty për kolegët nga Jugosllavia, gjithmonë i ke lavdëruar. Por, kur kem pyet për ty derisa xhironim filmin “Quo Vadis” në Beograd, ata (artistët serbë) përgjigjeshin se je verbuar, se je irredentist, nacionalist. (Unë, thotë Rosi) Nuk kam mund ta shoh Odisen tim të verbuar. /KultPlus.com
Më 15 qershor 2010 vdiq aktori që do të linte gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë e Ballkanit dhe më gjerë, Bekim Fehmiu.
Sarajeva, ku familja e tij gjakovare vuajti internimin, do të ishte edhe vendi ku Fehmiu do të vinte në jetë. Familja e tij qëndroi me banim në Shkodër deri në vitin 1939. Pas pushtimit italian dhe bashkimit të një pjese të Kosovës me Shqipërinë, u zhvendosën drejt Prizrenit. Gjatë viteve 1956-1960, Bekim Fehmiu studioi në Fakultetin e Artit Dramatik në Beograd.
Spikati veçanërisht në filmin “Mbledhësit e puplave” dhe menjëherë ra në kontakt me shumë shtëpi filmike ndërkombëtare. Ka luajtur një sërë rolesh, duke interpretuar në shqip, në maqedonisht, në serbisht, në turqisht, në spanjisht, në frëngjisht, në anglisht dhe në italisht. Mishërimi mjeshtëror i personazheve prej tij, do të hasej dukshëm në realizimet “Prova speciale”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vite të nxehta” dhe “Dezertori”.
Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj të artit filmik, si: Ava Gardner, Robert Shoè, John Huston, Dirk Bogard, Irene Papas, Claudia Cardinale etj. Shqipërinë e vizitoi për herë të parë në vitin 1972, ndonëse nuk e fshehu kurrë dashurinë për vendin e origjinës. / KultPlus.com
Kur atdheut i rrxohen kështjellat I shemben pirgjet urat kullat I zihet fryma I mpikset gjaku Themelet kur i luejnë vendit Rozafë ajo bahet Sall gjinin e djathtë e len përjashta Gjergji Muji Halili Ademi Shabani Hamza Pijnë tambël Forcadë marrin Për lufta t’rrebta Tevona Si rr’fe prej qielle Veç nji za ndihet “Oj Kosovë, mos thuej mbarova, Se djemtë tu ende janë gjallë…”./ KultPlus.com
Irena Papas është aktore me famë botërore. Në rininë e saj ishte shndërruar në një sensacion kinematografik, duke shënuar shumë suksese me role në filma të shumtë, por ajo që e bën më të veçantë për shqiptarët ishte roli i saj në filmin “Odiseu”, ku kishte luajtur bashkë me aktorin e madh shqiptar Bekim Fehmiu, shkruan KultPlus.
Bekim Fehmiu njohjen me Irena Papas e ka shkruar në librin e tij me dy pjesë “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” , ku edhe ka ndarë detaje me lexuesit edhe për pjesën kur kanë diskutuar për prejardhjen e Irena Papas, që sipas këtij libri, Papas e kishte konfirmuar se ajo ka prejardhje shqiptare.
KultPlus ju sjell këtë pjesë nga libri i Bekim Fehmiut./ KultPlus.com
Poezinë “Of Nanë” Bekim Lumi e shkroi në vitin 1996 në Shqipëri.
Siç ka treguar ai: “Në një nga ato netët e mallit e të mërzisë, gjatë studimeve në Tiranë, kur, për shkak se Nanën nuk e kisha pa për disa vjet, dojsha me i kërkue falje për shumëçka të thanun e të pathanun”.
Of Nanë
Of Nanë Pashë Zotin m’fal Nanloke Edhe k’saj here Si rr’fe prej qielle Dhimtën e kresë mbi ty e shkarkova
Of Nanë Pashë Zotin m’fal Nanloke Edhe k’saj here Si ilaç për nerva Emnin tand ndër dhambë e kafshova
Of Nanë Pashë Zotin m’fal Nanloke Edhe k’saj here Si saç i skuqun mbi mrumet e grujta Zjarminë e ballit sipri ty ta hodha
Of Nanë Pashë Zotin m’fal Nanloke Edhe k’saj here Si barrën e druve përmi shpinë Tana borxhet e mallin e brengat ty t’i ngarkova
Of Nanë Pashë Zotin m’fal Nanloke Edhe k’saj here Si bojaxhi i keq që jam Flok’t me gëlqere t’bardhë mërzie t’i ngjyrosa
Of Nanë Pashë Zotin m’fal Nanloke Edhe k’saj here Si mbi jastëk andrrash Kryet e lodhun n’prehnin tand e mb’shteta
Of Nanë Pashë Zotin Pashë Ty Pashë Babën Pashë Mue M’fal Si mëkatar i keq që jam Po t’lutem shumë M’fal Për dhembjet Për sëmundjet Për nervat Për zjarminë Për brengat Për borxhet Për mallin Për mërzinë Për ofshamat e djeshme të sodme të nesërme M’fal Njimijë herë m’fal Of Nanë Of Nanë Of Nanë Of Nanë. /KultPlus.com
Revista “Variety”, më 14 prill 1993, në faqen 75 ka botuar intervistën e gazetares Deborah Young me aktorin e famshëm shqiptar, Bekim Fehmiun. Shkrimi është si më poshtë.
“I vetmi superyll i vërtetë i dalë ndonjëherë nga Jugosllavia, aktori i filmit dhe teatrit, Bekim Fehmiu, është i njohur më së shumti për karrierën e tij unike në Hollivud – si plejboj amerikano-jugor te ‘Aventurierët’ e ‘Paramount’-it më 1970.
Ai ishte gati për një kalim në Hollivud, pasi u bë yll ndërkombëtar me ‘Mbledhësit e puplave’. Ky shans i erdhi në momentin e fundit, kur një aktor rus, cigan i vërtetë, u largua.
Dy dekada më parë Fehmiu e vizitoi botën si superyll i ardhshëm. Tani përpiqet të mbijetojë në një Beograd të shkatërruar nga lufta, si shqiptar i izoluar dhe i rrethuar nga lufta.
Kur ‘Mbledëshit …’ morën çmim të madh në Kanë, dhe një audiencë amerikane më 1968, Fehmiu papritmas kërkohej. Gruaja e Dino De Laurentisit, Silvana Mangano, donte që ai të luante me të te ‘Edipi mbret’, por një angazhim tjetër e prishi atë projekt. Ndërkohë, gruaja dhe djali i Lewis Gilbertit panë ‘Mbledhësit …’ dhe regjisori i dha atij rolin e vrasësit të zonjave – Dax Xenos te ‘Aventurierët’.
Fatkeqësisht, kur gjithçka u tha dhe u bë, Fehmiu kaloi nga ‘Mbledhësi i lumtur’ në një fatkeq. Filmi prej 15 milion dollarësh – një nga më të shtrenjtët të realizuar deri në atë kohë – dështoi; Fehmiu mori përsipër një pjesë të madhe të fajit. Ai i shuajti shpresat e tij në Hollivud.
‘Gabimi i madh i Gilbertit ishte të qenit shumë besnik ndaj romanit të Harold Robbins’, thotë Fehmiu, duke u kthyer prapa në kohë. ‘E bëri atë sikur të ishte duke përshtatur ‘Luftën dhe Paqen’’.
Si 57 vjeçar, Fehmiu jeton në kryeqytetin serb, në Beograd. Edhe ai luajti rregullisht role dytësore në bashkëprodhime të huaja dhe pavarësisht se ishte ylli më i madh i Jugosllavisë në vitet 1960’70, një aksident i rëndë automobilistik e pengoi atë të interpretonte – nga viti 1978 deri në 1981. Edhe pse herë pas here ka xhiruar filma ose seriale televizive jashtë vendit, mendja e tij është fiksuar në luftën që ka copëtuar vendin e tij.
‘Nuk jam i interesuar të aktroj për momentin’, tha Fehmiu për ‘Variety’. ‘Jam shumë i shqetësuar për të gjithë situatën këtu’.
Ai aktualisht mbështet shkollimin e katër të afërmve të tij pasi lufta shkaktoi mbylljen e disa shkollave. ‘Duhet të bësh punën tënde në çdo mënyrë që mundesh’.
Fehmiu pranon se jeta nuk është e lehtë për të si shqiptar në Serbi. Ai jeton me gruan e tij dhe dy djem, njëri prej të cilëve, Uliksi, është aktor i ri në ngritje. Por, pavarësisht luftës dhe persekutimit të grupeve etnike, Fehmiu thotë se nuk do të largohet nga Beogradi. ‘Arratisja është gabimi më i madh. Ka serbë, shumë progresistë, por shumica e intelektualëve janë larguar nga vendi. Unë do të qëndroj dhe do të vdes këtu nëse kjo është e nevojshme”. /Darsiani/
Sot, në 13 vjetorin e vdekjes së aktorit shqiptar me famë botërore, Bekim Fehmiut, publikohet traileri i dokumentarit artistik në të cilin shfaqet jeta dhe vepra e tij, shkruan KultPlus.
Ky dokumentar i cili paraqet copëza dhe histori nga jeta e autorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiut, është realizuar me skenar të Fahri Musliut dhe regji të Valmir Tertinit.
Dokumentari është xhiruar në gjashtë shtete: Kosovë, Shqipëri, Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe Itali/KultPlus.com
(Kushtuar Bekim Lumit) E falenderoj shpirtnisht miken time të mirë, Ardiana Salihun, për ndihmesën e saj. Pa sygjerimet e saja, këtij rrëfimi, kishte me i mungue diçka e qenësishme!
Bekimin e mbaj mend prej se ishte f’mi. Bekimi ishte nji njeri aq i payrrnekshëm si askush tjetër, as para as mbas tij. Ai ishte ma princ se “Princi i vogël”! Ma “Joker” se t’gjithë “Jokerat!” Ma “Peter Pan” se “Peter Pan”-i vet, për mos me thanë edhe ma “Col” se vet “Coli” nga filmi “Debatiku! Bekimi m‘kujtohet qysh si f’mi krejt i vogël, pasi tezja e tij asht njerka e jeme dhe gati çdo herë kur motra e tij e madhe vinte me e vizitue tezen e vet, e merrte Bekimin për dore. Kurrë nuk e harroj atë kaçuruben që e kishte në flokët e tij bash aty ku i fillonte balli edhe ashtu i madh, e i cili për shkak të kaçarubes i dilte edhe ma shumë në pah. Nji ball që shquan fëmijët gjeni! Ai m’ka dashtë shumë. Veç unë e di si! N’atë kohë kur ai nisi me u rritë, unë isha tashmë n’moshën rinore dhe merresha shumë me pikturë. Ateleja jeme ishte oda e jonë n’fund t’oborrit, e ndame nga shpija e ai vinte thuajse çdo ditë e më vizitonte, shpesh edhe pa e takue tezen e vet, përveç në ato raste kur ajo e vërente duke ardh apo duke u largue, ashtu gati si tinza. Do t’merrte shumë kohë me nisë me i rrëfye gjithë ato përjetime që kam pasë me të. Po i bie ma shkurt duke u përqëndrue në nji përjetim temin me të, e që ashtë përjetimi ma i prekshëm që kam pas‘ unë me dikë, gjatë krejt jetës teme! N’kjoftë se nuk gaboj, unë isha njeriu i parë t’cilit ai i pat besue t’i tregojë për sëmundjen e tij. Kur ai iku në Gjermani tek motra e tij Luljeta, për t‘u kujdesë për shnetën e tij në Mynih, m‘u pat lutë me shku me e pa dhe unë pata shkue me nji jangjik plot me barna natyrale. Dilema e tij (dhe jo vetëm e tij) ishte, se për cilën formë të kurimit me u përcaktue. Për kurimin medicinal apo atë alternativ. Ai i ka provue të dyja, dhe fatkeqësisht, pa sukses. Gjatë kohës së vizitës, dilnim të dy me shetitë e shpesh përfundonim tek nji varrezë, pranë së cilës pastaj uleshim dhe qanim halle. Aq shumë jemi dashtë, sa nganjiherë banim sikurse edhe ziheshim. Ai rreban, unë rreban! Njiherë, kur ishim duke u zanë ashtu me shaka mes veti, bash n‘atëçast kapërcen gardhin e varrezës nji qen, po jo çfarëdo qeni, por nji pitbull që i kishte ikë nji personi nga dora dhe he bir e ia nisë me na ndjekë mbas, si t’ishte ndonji qen robot i kurdisun! Bekimi u asht frigue qenve dhe ia nisi me ngâ. Ai para, unës mbas tij, pitbulli mbrapa nesh dhe nuk asht’ pun me u ndal ai i virani. Dikur lodhemi e unë e kapi Bekimin për dore dhe ashtu t‘ulun e mbaj krahut ashtu që të mos mundej me u çue. Këtë metodë e kisha pasë mësue nga nji film, e meqë nuk kishim çka t‘humbshim, nuk më mbeti tjetër pos me e provue edhe këtë! Dhe kjo njimend bani punë! Bekimi kur e pa se,mbasi na u ulëm, qeni u qetësue, u befasue. Bile qeni, jo vetëm u qetësue, po dhe u kthye tek i zoti i tij, i cili tashma ishte afrue tek ne duke ngâ mbas neve e qenit të tij. Bekimi gati kurrë nuk m‘ka thirrë n‘emën. Ai gjithmonë m’ka thanë “shtrigan”. “O shtrigan pse nuk na hangri qeni?” Unë, për me e ngucë, i them, “aiii Bekim, a i ha qeni qent?” Ai ia nisi me u sarrakuqë siç i ndodhte shpesh, e m’tha, “N’kjoftë se ktu dikush asht’ ma qen se qeni, atëherë ai je veç ti e jo unë!”, dhe më pat gjuejt me një guri. Njiherë tjetër duke folë me të afër nji lumi që kalonte krejt afër banesës së motrës së tij, pasi nisi me më rrëfye diçka, ia nisi me u sarrakuqë, por jo sikurse atëherë, por disi ndryshe. Mundohej me vazhdue rrëfimin, po nuk mundej! Ku ta dija pse. Dukej si të kishte pasë përbi nji perlë e që, si t‘thuesh nuk mund ta qitte jashtë. I vinte me kjajtë, por nuk i dilnin lotët. Dikur i them, „qite jashtë e hangt nama e zez‘ se nuk bahet nami!“ Ai, me atë krenarinë e tij shpesh pak të teprueme, më shikon me ata sytë e tij t’ullinjtë dhe ma kthen: „o Arifi i vogël, me ia nis unë me kjajtë, nuk m’dalin lot nga sytë, po gurë“! K’tu kjava unë për të. Kur ai m‘pat qëllue me gur, unë, pa e vu re ai, e pata marrë atë gur dhe e pata futë n‘xhep. Ende e kam atë gur. Ai gur ishte nji gur aq i bukur, sa edhe i ngjante nji loti! Sikurse ta kishte zgjedhun ai apostafat atë gur veç për mue, për me ma gjuejtë si kujtim! Ma vonë, edhe pse unë veçse pata pushue t’merrem me pikturë, gurin e Bekimit e kam pikturue dhe m‘asht dashtë goxha kohë për me e ba, po për këtë, pak ma vonë… Filmi i fundit që e ka pa Bekimi, ishte filmi „ Doctor Strange.“ Mbasi e kishte pa filmin, nuk ishte durue pam‘thirrë, diku aty pas mesnate. „O shtrigan, a je çutë? A e ke pa filmin „Doctor Strange“ apo jo?“ Unë isha ra, po ende pa m’marrë gjumi. Këtë film e njihja. Ai, pasi e kritikoi n‘fillim filmin me t‘drejtë si pak shumë t‘ekzagjeruem dhe me ekscese t’teprueme, njashtu “alla amerikançe”, megjithatë e cilësoi si nji film jashtëzakonisht t‘mirë. I kishte ba shumë përshtypje qasja e tematikës aty, mes të „mirës“ dhe të „keqes!“ Ndihej se m’kishte pa mue tek figura e “Doctor Strange!” Mbase dëshira dhe nevoja e tij për me u shërue e kishin shty atë me besue n‘aftësitë e mia shëruese, por fati im, për dreq i ngjashëm me atë tek “Doctor Strange”, nuk ma mundësoi këtë. Megjithatë, sa herë më thërriste në telefon, gjithnji më drejtohej me “Docktorr Strange”! “Docktorr Strange”, a me i marr’ dy hapa t’temjanit n’dit’ apo tri?” Doctorr Strage”a me e marr “Zeolitin” para apo mas buke? “Doctorr Strange”, atij ilaçit tand sekret që nuk na tregove çka ka mrena, i kemi ra n’fije, un’ e Lulja! Baza asht “Gentiana Lutea, tjerat ke me naj kallzue vet’ herën tjetër se përndryshe t’gjuej prap’ me ’i gur bile hala ma t’madh se ai i pari! Ha, ha, ha!” Fatkeqësisht, nuk pat edhe njiherë tjetër mes nesh, mirëpo nofkën që ma la ai mue, më shkonte! I shkonte altruizmit tem, tragjedisë teme, sikurse ajo tek Docktorr Strange. Njisoj si protagonisti n’fjalë, edhe unë isha n‘kërkim t’shërimit t’tij derisa erdha n’përfundim, (pasi ai iku) se ai nuk ishte i smuet! “Smunja” e tij ishte veç nji inskenim që i duhej si nji pretekst për ta justifikue ikjen e tij nga kjo skenë e tokës për me iu dhanë asaj të qiellës. Ai ishte i thirrun! Ishte i zgjedhuni i Zotit për me e udhëhequn regjinë atje nalt ku engjëjt lozin si ku ma s’miri. Bekimi ishte nga ato qenie që „Gurdjieff“ i quan „Qenie solare“! Këta fmijë t’diellit, simbas „Gurdjieff“-it, janë vetëm të huazuem ktu! Ata vijnë ktu veç atëherë kur nevojiten ma s’shumti, japin gjithçka dhe kthehen mbasi e kryejnë misionin e tyne. Duke e ditë se nuk do t’jenë gjatë ktu, ata duket edhe sikur e harxhojnë energjinë e tyne ma shpejt sesa për aq sa u asht dhanë ajo t‘jenë ktu pari dhe pak pa ikë, ata i palojnë ato pak gjana që kanë. I palojnë ashtu sikurse duen me i gjetë ashtu t’palosuna, kur të ktheheshin këtej edhe ndonjiherë tjetër! Nji gja t’tillë e bajnë veç lamaistët! Po t’kishte ndrrue jetë Bekimi diku në Tibet, tibetasit do ta kërkonin vendin dhe njeriun në të cilin ai ka rilindë! Bekimi duhet kërku! Për ta gjetë atë, na duhet së pari të „artësohemi!“ Veç ashtu dhe veç atëherë i kuptojmë ma lehtë e ma s‘miri këta udhëtarë kohe që flasin me nji gjuhë nga ata vijnë, e gjuha që fliste Bekimi ishte e tillë, e bekueme. Nji gegnishte që mbase veç n‘qiell flitet ashtu si e fliste ai,e që e kishte msue ashtu aq bukur hala pa ardh knej, e ndoshta edhe nga vet At Gjergj Fishta, diku atje nalt! Njiherë, kur ia pata recitue nji poezi temen tek ajo varreza ku dilnim me shetitë, mbasi mbarova së recituemi, ai m’tha: “E tash e morra vesh pse e ke lanë pikturën! Tash ty t’vyen vetëm edhe t’msosh me ba kaiher edhe asi gabime t’qëllimta, sikurse bante “Xhems Xhoisi”, se jo gjithkush din me ba gabime si duhet!Ishte komplimenti ma i mirë që ma pat ba kush, ndo‘iher! Garant ma ka thanë këtë ma gegnishçe sesa dita me e shkrue unë ktu! Bekimi ishte aq bujar, sa të shtronte jo veç bukë e kripë në sofrën e shpirtit t’tij, por edhe zemrën e vet, ashtu aq t‘gjallë e t‘freskët sa të dukej se sa herë ai hapej, e nxirrte aty për aty, direkt nga krahnori i tij i vramë! Dhe jo vetëm kaq, por të vinte edhe sikur t’thoshte “ja, kjo asht zemra jeme, merrne, hane, veq aman, ngopuni e mbi t‘gjitha “artësohuni!“ Kur e pata marrë atë guri msheftas tij, ai kishte ba sikurse nuk m‘kishte vërejtë. Sa patëm ardhë tek banesa e motrës së tij, pak para se të hynim mrenda, ai, me ’i za pak t’marrun e me ’i buzëqeshje si t’nji “jokeri”, më pëshpëriti n‘vesh: „Tash e di ti, si janë lotët e Bekimit!” Pas nji heshtje t’shkurtë e t’randë, m’tha: „Kushedi, noshta ti ma pikturon ndo’ihere, gurin tem!? Edhe n’ma kthefsh, bile ma kthen t‘stolisun!” Kur tha kshtu, atij i rrodhi nji lot i vetëm dhe besomëni, ai lot i ngjante gurit me të cilin më pat gjuejtë! Nji lot i qullt, por që t’jipte përshtypjen, sikur t’ishin edhe t‘gjithë ata lotët e tij kurrë t’dalun ma parë! Ishte ’i lot i madh që mue ma kujtoi nji pikturë t’nji jetimi që ai (kur ishte ende i ri) m’u pat lutë me ia pikturue për motrën e tij t’madhe, që ai e donte shumë. M’kujtohet se këtë pikturë ia kam ba me shumë pasion, mbase edhe për shkakun se edhe vetë isha jetim. Bekimi, edhe pse ka pasë‘i familje t’shkëlqyeme, ndihej diku si nji jetim, pasi ai nga prindërit e tij ishte vetëm nji fmi‘, si të thuesh, i birësuem. Po, po, i huazuem e i birësuem nga vet dielli! Fmij‘t e diellit ashtu janë, edhe kur birësohen nga prindt‘ ma t’mirë, megjithatë ndihen jetima dhe u randojnë lotët kur i qesin. Zoti e di pse! Mbase kjo asht n’natyrën e fmij‘ve t‘diellit. Ata nuk kjajnë lehtë, por kur e bajnë këtë, e bajnë sikurse vet dielli. Lotët e tyne t’djegin sikurse rrezet e tij, n’pik t‘ditës! Unë e kam pa nji lot t‘tij. Loti i i tij,n‘atë moment kur e pashë duke i ra faqes, u duk sikur ndonji lajthi që i bie nji kitre nga dega, ashtu zgabim, kur sapo ajo asht ba gati me e hangër e bash atëherë, i rrëshket nga shputat! Mbasi hymë mbrenda, ai shkoi në nji dhomë tjetër ta merrte veten. Unë i tregova motrës së tij, e asaj iu mbushën sytë me lot. Pastaj ajo tha, “çudi, kurrë nuk e kemi pa duke kja”! Bekimi ishte vërtet nji fmi’ dielli. Kush ka ditë me e pa, ashtë ngrohë prej tij ashtu si ngrohet dikush nga dielli, e kush jo, asht djegë mbase pak, n’kjoftë se i asht afrue atij pak tepër ngat, si i afrohet dikush diellit, atëherë kur nuk duhet! Unë jam shumë i sigurt se ai rrebani nuk m’ka gjuejt vetëm mue me gur! Nëse ndokush nga ata që mbajnë plagë t’vockla nga ai rrebani,asht’ duke e lexue këtë rrëfim, iu kisha lutë t’i ngacmojë ato plagët e bekueme nga Bekimi, ashtu siç baj unë me plagën teme, saherë që ajo nisë me u shërue! Veç mos me harrue Bekimin, këtë fmi‘ të diellit! Unë nuk t’kam harrue Bekim! Ngom mirë. Gurin veç ta kam ujdisë e ta kam stolisë. Shikoje mirë, t’lutem! Shikoji gjithë ata sy t‘përlotun! Janë sytë e jetimëve tanë që presin mos po i kthehen helbete prind’t e tyne t‘humbun gjatë luftës. Janë edhe sytë e t’vejave. Janë edhe sytë tanë t’lodhun,që u orvatëm t‘ndihmojmë ty që të shëroheshe. A shërohet dielli, pash Zotin! Ky gjigant që na ngrohë dhe vetë digjet e përcëllohet, vetëm që ne t’kemi dritë! Eh mor Bekë, prej se ike ti, asht ba mazamakeq k’tu pari! “Kaja bylbyl nanën”, u ba Bekë! S’po dihet sa asht kah shkon pazari, shoq! Neve kurbanve të Europës që dijmë me u flijue, veç atëherë kur nuk kemi ma çka t‘humbim, pos robnisë apo lirisë sonë, krejt simbas nevojës së dashakeqve tanë. A t’kujtohet kur m’thoshe se „pa i hy “armikut” n’hak, si ai neve, kurrë nuk kanë me na u terë “kmishat tona t’përgjakuna!” M’fal shoq, se hyna thellinave e nuk jam kah e di si me e nxjerrë gjithë këtë zi teme për ty. Ku mos me mbajtë zi, kur na ike duersh, siç i ik dielli reve. Ta jap besën Bekë, se edhe unë kam me u ikë reve t’tilla, pa çka se unë nuk jam nji fmi’ i diellit sikurse ishe ti. Unë jam nji fmi‘ i hanës, Bekim. Ndrij veç hera-herës. Nji re e vetme ma errëson nurin! Nuk jam si do, që edhe kur falin toka e dete, nuk u prishet aspak fiqiri! Nejse Bekë, po e la me kaq se për besë po ta kam lakmi, shoq! Eu, po kohë e keqe erdh, o Bekë! Beso, tash mem‘lshue shpirti, marak nuk m‘jet! Eh, more rreban! Lehtë e ke ti tash aty ku je, mes engjëjve t’praruem, i vetmi ngjyrë blu mes tyne! Po m‘duket se jam duke t’pa aty mes tyne, ashtu pak të hakarruem, duke u bërtitë, e rujna Zot, mbase edhe duke i gjuejtë lehtë me gur, për me i shkundë e me i nisë t’kthjelltë për ktu: “Hajt tash nisuni dhe banjav ‘i çare shqiptarve!” Jo bre Bekë, neve as engjëjt e besa as Zoti nuk mundet me na ndihmue! Si, kur na vetes nuk i ndihmojmë? Na, që bajmë luftë deri në Çanak-kala, por jo si duhet kur e lypë nevoja me luftue për mëmëdheun tonë! Ose s’paku me e mbrojtë n’liri! Po çfarë lirie e hamamit, pash njat Zot! A lirohen të vetrobnuemit?! A lirohen „Bordellot e Ballkanit“ me do kmisha ma t’përgjakuna se n’dramat e Shekspirit?! E di se t’merr malli për t’dashtunit e tu, veç bane e erdhe edhe njiherë këtej, oh bre Bekë, ka me t’u gërditë me krejt çka ka! E di se t’merr malli për nanëlokën tande, që aq bukur i shkrove poezi. E di se t’merr malli edhe për Jetonin, për Adrianën, për Astritin, për Gresën, për…, ah po e la me kaq, se e di që t’dhemb me t‘i numrue krejt me rend. Boll t’kanë kja ty ata. Boll t’kjava edhe unë. Boll t’vajtova. Si s’na u thanë kurrë lotët o Bekë, breh! Neve t’harruemit e Evropës, t‘botës e besa po get, edhe t’Zotit!? Na jemi me u vajtue, e jo ti, o Bekë! M’fal, pash’ atë nanloken tande o burrë, po nuk po mundem ndryshe! Neve, që jo veç ktu, po po get as mas deke nuk kem’ me gjetë lirinë! Si me e gjetë atje, pa e gjetë ktu, pa e gjetë kërkund! Si me gjetë atë, kur as nuk dijmë çka asht’ ajo! Kurrë s‘e patëm atë virane. Kurrë s‘e njoftëm. As para, e as mbas lufte. Ani Bekë, bash n‘kjoftë se nuk t’durohet pa ardhë knej, atëherë eja, po eja ma mirë vetëm si nji ide te na. Ose a di çka! Eja vetëm si nji mendim i koduem që i ik cenzurës. Apo, eja si nji andërr që e shofim disa herë si vazhdim, saherë na del e na nxen gjumi! Eja, se edhe neve na ka marrë malli, po eja këtej njashtu si vjen nji re e bekueme nji ditë t’nxehtë gushti e, e lshon shiun dhe ik ashtu si pa u vue re, e krejt pak pa u shue,merr formën tande, ashtu shpejt e shpejt (veç sa me u çmallë nâ pak) e pastaj nis me u shu ashtu ngadal, avullueshëm! Ashtu që na, për‘i çast t’kemi mundësinë me kujtue se ti ke ikë veç sa me e ndrrue kostumin e me na u paraqitë prapë përmes ndonji reje tjetër pak ma t’sarrakuqne bash aty ku len apo perëndon dielli! Me ikë siç dije ti shpesh me ikë, edhe bukës (hala pa e sos‘) veç me i vazhdue provat tua, n’teatrin tand që ishte vetë jeta jote, o artist i payrrnekshëm! Eja, ma mirë, veç n’andrrat tona! Eja aty, bash kur na merr gjumi e çona! Mos rri gjatë, se na kshtu jemi, lazdrohemi shpejt me ty! Presim që t’na vizitosh çdo natë e kjo mundme ta prishë pak atë qetësinë tande tash engjëllore. Jo, jo, eja veç pak dhe ik aty, ku ti je tash ma s’miri, se na ktu edhe n’andrra bahemi lakmiqarë! Eja ashtu veç ditlindjeve tua, siç vjen çdo herë n’andrra t’mija. Vjet e përvjet që ti tashma e ke ba adet këtë, me mue! Mbramë n’nji andërr m‘u duk se mu idhnove pak kur’thashë „O rreban, shka po fryhesh me ato flatra prej engjëlli, a veç pse si kam un‘ a? Qyreniherit!“ Apo ndoshta, veç pse t’thashë rreban. Ani, idhnomu n’dash, se unë s‘kam me ia da me t’quejtë ty kshtu! Ti ishe nji rreban dhe çfarë rrebani se! Rreban i rrebavtë. A e mban n‘mend kur t’thashë atëherë tek ajo varreza se “ksi rrebani as amerikant nuk kanë!“ ti ma ktheve, „ksi shtrigani nuk kan as anglezt!“ “Po çfarë shtrigani unë, allahile! Me pas kenë unë farë shtrigani, kisha ditë si me t’shnoshë, o Bekë! Unë që kam shërue njerëz kurrë pa i njoftë. E bash kur u desh me t’shnoshë ty, nuk t’hynë n’punë as gjithë ato barna t’mija, as magjija jeme, e besa as gjithë ajo dashni që kisha për ty. Edhe njiher‘ po t‘lutem, shoq! N’ardhsh ktu pari, eja tinëz dhe atëherë kur na jemi duke shikju ndonji shfaqje tande, mbasi ajo t‘ketë mbarue. Bash atëherë eja, ashtu siç shfaqeshe ti pas çdo shfaqjeje tande, me gjithë atë thjeshtësi t’pashoqe! Pastaj t’na vjen neve bash kështu, sikurse kur ikje pas duartrokitjes së parë dhe ktheheshe çdo herë i përulun e ma i përulun. Veç me i nderu artistat tu! Po, po, mu njashtu eja, dhe, para se me ardhë, paloj pak ato rrudhat tua. Jo për tjetër, po veç që t’mos brengosemi e t’menojmë se ty edhe atje ku asht ma s’miri, t’paskan rrokë do gajle t’randa. S’po hyj ma thellë, shoq, se boll hina e edhe dora dhe zemra m’janë randue. Nashtë. Kryesore u shfryva pak me ty. Gurin kam me ta ruejtë vjerrtë si ’i “kmishë t’përgjakun” derisa t’vjen çasti me t’pa diku mes yjesh. Kam me ta zanë pritën aty diku Rrugës së Kumshtit, për me ta kthye hakun! Nuk kam me pasë zor me t’gjetë për me ta kthye gurin. Ai yll që ndrin ma s’shumti, atij kam me ia gjuejtë gurin tand! Po, po, mu aty kam me t‘gjuejtë ty me t’njajtin gur, bile tani edhe ma t’randuem, nga gjithë ata lotë, pa çka se ka me t‘dhimbtë pak edhe ty, sikurse m‘pat dhimtë mue. Ani, le t’dhemb’ edhe ty pak e jo veç mue, qyreniherit! E ti “tevona”, n’dash hakarrehu, n’dash m’gjuej me ndonji kometë, n’dash me ndonji meteorit, n’dash më quaj shtrigan i shtrigaft, n’dash thirrëm “Docktorr Strange” e çka di unë, veç nji dëshirë ma plotëso, shoq: mundësisht, mos eja ma ktu pari! Anipse na do t’gzoheshim. Rri aty mes engjëjve tu t’praruem dhe tregoju se si nji shtrigan ta stolisi ty gurin me lot jetimash, veç mos me u harrue as ata e as ti, o rreban i Zotit! Prehu n’paqe Bekë, rrebani ynë i dritaft! Hajt tash, rahatohu bile ti s‘paku n‘liri, engjëlli ynë blu, me flatra t’diellta! Për s’brami herë po tlutem, Bekim! N’kjoftëse nuk t’durohet pa ardhë ktu pari, eja! Eja se unë ty edhe ktu t’gjej! Qaq shtrigan jam, sa me t’njoftë ty edhe tek ndonji “rrfe” e sert”. Ta jap fjalën se “dy gurë bashkë nuk kam me i lanë”, derisa kam met’gjetë edhe si ’i “carrok” t’rilindun, pa çka se për këtë ka me m’u dashtë pak ma shumë magji se sa pata atëherë për ty. Jam duke u ushtru shoq, bash si ai mjeku i çmendun nga ai filmi “Doctorr Strange”! Edhe me vetë Zotin kam me u shtye veç me t’ra n’fije kah je ka mshifesh! E n‘kjoftëse nuk m‘hyjnë n’punë as ato magjitë e reja t‘mijat, atëherë kam me e dhanë kushtrimin an‘ e kand botnave! Kam me i shkund krejt shtrigat e shtriganat derisa kam me t‘ra n’fërkem, se ka mundësi që ty ndonji shtrigë apo ndonji shtrigan, tashma t’ka ra ty diku n’gjurmë. Këta t‘rijt po përparojnë, Bekë. Unë tash jam plakë e kush e di, munden prapë me më lanë magjitë, sado t‘serta që mund t‘jenë. Prandaj, ngoni mirë ju shtrigat e shtriganat, anë e mbanë universit, nëse e keni taku diku nji fmi‘që duket pak: “i mvrejtun i trembun i drojtun i ambël i këputun si ‘i çarrok i braktisun në shkallët e mermerta i mbledhun kruspull me sytë e ullinjtë turbullue nga andrrat e l’byrta“,
… e n’kjoftëse e ka edhe nji kaçurubë mbi ballë, e n’kjoftëse edhe sarrakuqet pak kur flet e sytë i qesin xixa sikurse ato t’yjeve, ta dini se ai asht Bekimi, dora vetë! Ju lutem, mos ngurroni me më lajmrue për kthimin e tij! Kam nji gurloti, për me ia kthye atij rrebani, bashkë me nji magji temen t’msheftë aty n’atë gur e që tashma veç ia kam ba hajmali, atij rrebani t’praruem. /KultPlus.com