Bekim Fehmiu, princi i popullit të përçmuar

Në Beograd, të martën e datës 15 qershor 2010, me të shtëna revolveri, në symbyllje, u vetëvra aktori Bekim Fehmiu. Ai ishte shtatëdhjetë e katër vjeç, vite të cilat nuk janë tipike për vetëvrasje. Ishte i pari aktor i Jugosllavisë së atëhershme me reputacion ndërkombëtar.

Me bukuri apoloniane dhe i talentuar si Orfeu. Ka regjistruar mbi pesëdhjetë filma, në të cilët ka luajtur rolet kryesore. Ka aktruar te “Odisea”, bashkë me Irenë Papas, tek “Dezertori” me John Huston, te Leja për të vrarë me Ava Gardner dhe Dik Bogart, te “E dashura ime Libera” me Claudia Cardinale-n, te Salon Kitty me Helmut Berger…

Por gjithsesi, publiku ynë më së shumti e mban mend në rolin e Belog Bore në filmin e Aleksander Petroviçit, “Mbledhësi i puplave”, me atë skenën kur i përgjak duart e veta duke shkatërruar shishet në tryezën e kafenesë. Bekim Fehmiu ishte aktori i parë kosovar që u shkollua në gjuhën shqipe, nga shkolla fillore deri në provimin e maturës. Pas gjimnazit ai u pranua si anëtar i dramës shqipe në Prishtinë, dhe më pas shkon në Beograd, ku përfundoi edhe Akademinë e Teatrit. Nëse për aktorin gjuha është instrumenti, Bekimi pak ka luajtur në Harfën e tij – ka luajtur kryesisht në serbisht, anglisht ose italisht. Pasardhës i një familjeje të pasur nga Gjakova, Fehmiu lindi në Sarajevë, në Vratnik, ku babai i tij ishte mësues. Pas kësaj u vendos me prindërit në Shkodër, dhe pastaj përsëri në Kosovë, në Prizren. Ishte fëmijë tipik i Jugosllavisë, i rritur në frymën e bashkim-vëllazërimit. Më pas u martua me aktoren beogradase Branka Petri?, me të cilën ka dy djem. Megjithatë, aktori kryesor i dramës asnjëherë deri në fund të jetës nuk ka qenë i pranuar, dhe kjo për arsyen e thjeshtë se ishte shqiptar. Jugosllavia në të cilën jemi rritur ka qenë gënjeshtër dhe paragënjeshtër në vëllazërim-bashkim, dhe sot njerëzit më tragjikë janë ata njerëz që këtë gënjeshtër e kanë jetuar si të vërtetë.

Gjendja e popullit shqiptar, deri në të ashtuquajturin Plenum i Brijoneve, i vitit 1966, ka qenë e tillë sa qindra janë zhdukur brenda natës, por që nga koha kur Titon e zëvendësoi Aleksandar Rankovi?, shqiptarët e Kosovës fituan statusin e “popullsisë”, por atëherë për ta filloi të flitej zëshëm me përçmim. Punën që Dobrica Cosi? e filloi me Rankovi?-in, megjithatë, pas disa dhjetëvjeçarësh do e vazhdonte me Miloshevi?-in, i cili në fakt u hoqi atyre të gjitha të drejtat politike duke i quajtur “Šipcima” (shqiptarë, me përçmim).
Golgota shqiptare do të vazhdonte edhe gjatë viteve ’90, me ndjekjen e mbi një milion shqiptarëve jashtë vendit, gjë që do të përfundonte me bombardimet e Aleancës Atlantike mbi Serbinë dhe pastaj me pranimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Por çdo gjë ka filluar, siç e thamë, shumë më herët.

Atë gënjeshtër Fehmiu e kishte ndier shumë kohë më parë. “Në shenjë proteste ndaj propagandës antishqiptare dhe të përhapjes së urrejtjes ndaj popullit shqiptar, babai im, në vitin 1987, e la demonstratvisht shfaqjen “Madame Collontein” (Agnette Pleyal), në të cilën luante Leninin dhe Stalinin, dhe ndahet përfundimisht e publikisht nga aktiviteti artistik në ish-Jugosllavi”, shkruan i biri i tij Uliksi, sot aktor në Amerikë, në hyrjen e librit me kujtime të Bekimit, Blistavo i strašno (E shkëlqyer dhe e tmerrshme), publikuar nga shtëpia botuese “Samizd” në Beograd, në vitin 2002. Atë libër tronditës, Bekimi e fillon me vargjet e Carl Goldonj-it për Dalmacinë: “Në tokë Ilire kam lindur, këtë nuk e mohoj, në dejet e mia qarkullon i njohuri gjaku im famëlartë, gjaku i heronjve të shquar, vend i lavdisë së përjetshme, ku fjala e dhënë është më e rëndësishme se jeta, që shkëlqimin e sojit të vet e dëshiron mbi të gjitha”.
Në atë libër ai flet mbi jetën e vet, janë fjalët e njeriut të talentuar, mbi thyerjet e tij shpirtërore dhe mbi odisenë e tij vetjake, nga megaylli beogradas deri te i dëbuar si shqiptar.

Duke kujtuar ngrohtësinë e Sarajevës, Prizrenit dhe Shkodrës, ai kujtohet edhe për çastet në to, dehjen e kotësisë dhe famën, jetën e kurorëzuar me dafina, por çdo herë i përballur me mallkimin e identitetit dhe përkatësisë.
Saga e tij familjare, brohoritjet në arenat e tejmbushura dhe vetëpërndjekjen e tij, solidariteti i tij me popullin e vet dhe pamundësia për t’i ndihmuar dhe ndalur të keqen dhe vrasjet, e çoi t’i jepte fund jetës duke qëlluar mbi kokën e vet.

Në lajmin e vdekjes së tij m’u kujtua një rrëfenjë, të cilën kohë më parë ma ka treguar poeti kroat, Petar Gudelj. Duke shëtitur lartësive te Biokovës, poeti kishte dëgjuar një herë një këngë të trishtuar dhe kënduar në gjuhë të pakuptueshme, e cila vinte nga maja lart. Duke shkuar pas këngës, ai ndeshi një grup punëtorësh ndërtimi. Ishin shqiptarë që po ndërtonin një farë shtëpie bjeshkatarësh. “Ishte kohë pasdreke, ata kishin pirë pak verë dhe këndonin”, tregonte Gudelj. “Disa këngë shqiptare, shumë të bukura dhe të trishtueshme. Unë po mendoja, asgjë s’po kuptoj, por ky bar dhe kjo tokë e kupton shumë mirë këtë gjuhë”.

Vetëm ai bar i Biukovës e kupton dorën pse dhe për çfarë e tërhoqi këmbëzën dhe ndërpreu jetën e aktorit më të madhit shqiptar dhe jugosllav të shekullit të njëzetë. Pjesëtar i atij populli, ku fjala e dhënë është më e rëndësishme se jeta.

Albert Vataj

Burimi: https://albertvataj.blogspot.com/2018/05/bekim-fehmiu-princi-i-popullit-te.html

Bekim Fehmiu rikthehet në RAI në Itali

Me iniciativë të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Itali, RAI do të ritransmetojë serialin televiziv ODISEA, ku protagonist është aktori me origjinë nga Kosova, Bekim Fehmiu.

Seriali do të shfaqet nga datat 22 – 29 dhjetor 2018, ne kanalin RAI Storia, në ora 19.00, kurse repriza e serialit do të shfaqet të nesërmen në ora 12.00.

Ndërsa me datë 28 dhjetor 2018, ky televizion ka ftuar në studio ambasadoren e Kosovës në Itali, Alma Lama, për të folur rreth figurës së aktorit me origjinë nga Kosova, Bekim Fehmiu.

Kjo iniciativë u ndërmorr në kuadër të aktiviteteve të diplomacisë publike për promovimin e Kosovës dhe me rastin e 50 vjetorit të transmetimit të serialit ODISEA. / KultPlus.com


Bekim Fehmiu për gazetën Vreme: Për shkak të besës, shqiptarët kanë paguar me kokë

Bekim Fehmiu, një ndër aktorët më të mëdhenj shqiptarë që pati famë kudo nëpër botë, në vitin 2001 ka dhënë një intervistë për gazetën serbe “Vreme”. Aty ai ka biseduar edhe për besën, virtyt ky që dallon te shqiptarët.

“Jo vetëm për mua, por edhe për të gjithë shqiptarët, besa është vlera më e lartë etike njerëzore. Besa ishte më e fortë se cilado qoftë marrëveshje. Për shkak të besës, shqiptarët nëpër histori kanë paguar me kokë edhe për shkak të lajthitjeve të veta. Besa ishte tipari që cilësoi shqiptarët dhe i bëri ata të çmueshëm në raport me botën që rrethonte ata…”, ka thënë ai.

Gjurmët e Bekim Fehmiut në kinematografinë e huaj dhe atë shqiptare janë të mëdha. Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.

Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura të Bekim Fehmiut janë “Prova speciale”, “Odiseu”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra. Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Dirk Bogart, Irene Papas e të tjerë. Në rolet e tij, Fehmiu ka interpretuar në disa gjuhë.

Në anën tjetër revista njëjavorshe “Vreme” u publikua për herë të parë më 29 tetor në vitin 1990. Shumica e stafit në gazetën me qendër në Beograd, ishin gazetarë nga Politika dhe NIN. Ajo karakterizohet si “një revistë pa gënjeshtra, urrejtje ose paragjykim” dhe ka kundërshtuar mobilizimin nacionalist për luftërat jugosllave. / KultPlus.com

S’ka çmim “Bekim Fehmiu”

Se çmimet vjetore për kinematografi – përfshirë atë për vepër jetësore që mban emrin e Bekim Fehmiu – duhet të ndahen çdo vit në një ceremoni solemne më 1 qershor, në datëlindjen e aktorit me nam, përcaktohet me rregulloren që ka hyrë në fuqi qysh më 2014, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit e ka shkelur rregulloren e vet, që është e publikuar edhe në ueb faqen e saj zyrtare, duke mos i ndarë çmimet, të paktën jo në një ceremoni publike. Me tre kandidatë të propozuar për laureatë të çmimit kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu”, Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit në maj kishte njoftuar se do ta rikthente në agjendë ndarjen e këtij çmimi, në ditën që përkon me datën e lindjes së aktorit.

Vitin që shkoi “Bekim Fehmiu” nuk qe ndarë në mungesë të aplikanëve. E më 11 maj, MKRS-ja e kishte mbyllur konkursin që përveç çmimit kombëtar për vepër jetësore bëri ftesë edhe për “Çmimin vjetor për kinematografi”, që u jepet krijuesve të dalluar të cilët me krijimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë të thella në fushën e kinematografisë.

As ky çmim nuk u nda vitin që shkoi. Më 2016, laureat i çmimit kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” ishte aktori veteran Bislim Muçaj e më 2015 aktori Xhevat Qorraj ishte laureati i tretë. Në vitin 2014 me këtë çmim u nderua regjisori Isa Qosja, e më 2013 postmortem iu nda aktorit Faruk Begolli.

Ndarja e çmimit “Bekim Fehmiu” deri më tash ka qenë e vetmja mënyrë që institucionet kanë përdorur për ta kujtuar aktorin shqiptar në muajin kur shënohen dita e lindjes dhe e vdekjes së tij./ KultPlus.com

Tetë vjet pa kolosin e filmit

Fahri Musliu

Bekim Fehmiu, është një emër, pa të cilin nuk mund të shkruhet historiografia e filmit shqiptar, e në radhë të parë ajo e filmit jugosllav e ballkanik, i cili gjithashtu la gjurmë të thella edhe në historinë e filmit evropian dhe amerikan. Sepse Bekimi ishte dhe do të mbetet tregues i profesionalizmit të lartë, i suksesit, i bukurisë, i forcës, i talentit, i mburrjes dhe i frymëzimit për çdo shqiptar kudo që jeton…

Në albumin kujtimeve të mia, Bekim Fehmiu qëndron menjëherë pas prindërve dhe më të dashurve të mi, dhe nuk ka shqiptar të shekullit të XX që e ka arritur atë që e ka bërë Bekimi në skenën kulturore ndërkombëtare.

Me ikjen tënde, i dashur Bekim, humbëm të gjithë:
Ti – jetën ;
Djemtë – babanë;
Bashkëshortja – burrin;
Familjarët – vëllanë;
Kurse ne – njeriun me kode të rrepta njerëzore, shokun, mikun, profesionistin, aktorin zulmëmadh – e humbëm bukurinë e artit të aktrimit.

Do të kujtojmë për jetë e mot, se ti na e dha krenarinë!

Emrat shqiptarë që lidhën botën me trojet shqiptare dhe 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Sot po shënohet 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shkruan KultPlus.

Përgjatë shumë viteve trojet shqiptare i kanë dhënë botës emra të mëdhenj, ku përmes tyre edhe është përçuar tradita dhe kultura shqipe.

140 vite nga Lidhja e Shqiptarëve në Prizren, ndërsa Lidhja e Shqiptarëve me Botën, mund të themi lirshëm që u bë përmes këtyre emrave.

Nënë Tereza, Ismail Kadare, Rita Ora, Dua Lipa, Era Istrefi, Bebe Rexha, Ermonela Jaho, Inva Mula, Saimir Pirgu, Majlinda Kelmendi, Bekim Fehmiu, Fadil Vokrri, e shumë e shumë të tjerë i dhanë botës shumë nga kultura shqiptare.

Me këta emra shqiptarët pushtuan skena të ndryshme të operave, skena muzikore, skena teatrale e sete filmike, stadiume futbolli e ring boksi, biblioteka e panaire botërore e mbi të gjitha bota u pushtua nga dashuria e paqja përmes emrit shqiptar./ KultPlus.com

Kur ishte në rolin e Uliksit, intervistë e Bekim Fehmiut e vitit 1967 (VIDEO)

Konsiderohet të jetë një ndër rolet më të mëdha të aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiu, të cilit i ishte besuar roli i Uliksit, shkruan KultPlus.

Bekim Fehmiu shihet duke dhënë një intervistë, pikërisht nga sheshxhirimi i këtij filmi, i cili ndanë disa momente mbi përvojën me këtë film.

https://www.facebook.com/Julio.marndoj/videos/242806456271515/

Ai ka thënë se roli i Uliksit ka një rëndësi të njëjtë sikurse rolet e tjera, përpos asaj se për të realizuar këtë rol, është një vështirësi më e madhe.

Kjo intervistë e dhënë në vitin 1967, na sjellë shumë afër Bekim Fehmiun, i cili ka falënderuar edhe përvojën e tij në Beograd e Prishtinë, familjarët, aktorët, që i kanë ndihmuar të jetë aty ku edhe ka synuar./KultPlus.com

Sot është 82 vjetori i lindjes së ikonës shqiptare e botërore të filmit, Bekim Fehmiut

Më 1 Qershor të vitit 1936, u lind në Sarajevë, i mbështjellë me pëlhurë, që thonë se ashtu lindin njerëzit me fat. Më 1939 u transferua në Shkodër, kurse kah mesi i vitit 1941 në Prizren. Si nxënës i gjimnazit të Prizrenit i bëri hapat e parë të aktrimit në Shoqërinë “Agimi” dhe Teatrin e qytetit, kurse më 1955 u pranua si aktor profesional në Teatrin Popullor Krahinor në Prishtinë.
Ëndërronte të bëhej aktor i madh dhe i njohur në botë, prandaj në vjeshtë të vitit 1956, pas dhënies së provimit pranues, regjistrohet në Akademinë për Teatër e Film në Beograd, në klasën e profesorit Mata Millosheviq, ku diplomon më 1960, me notën më të lartë dhe bëhet aktori i pare shqiptar me akademi.
Menjëherë u pranua në Teatrin Jugosllav të Dramës, në Beograd, ku në një konkurrencë tejet të madhe nuk ishte lehtë që një shqiptar të fitonte role të mëdha, por edhe ato dytësore që i luante, shquhej me talentin e tij të rrallë. Rolet e personazheve më të njohura të dramave: Hamletin, Riçadrin e tretë, Otelon, etj…i luante në banesë, vetëm, pa publik.

Roli i romit ‘Beli Bora’, në filmin “Mbledhësit e puplave”, në festivalin e Kanës, më 1967, i nominuar edhe për Çmimin “Oskar”, ia hapi dyert e kinematografisë botërore, kurse seriali televiziv ODISEU (1968) e bëri të famshëm, për çka edhe kërkohej nga regjisorë e producentë të njohur në filmat e të cilëve luajti role kryesore bashkë me aktorë më të mëdhenj të filmit. Ishte aktori i pare që e shpërtheu perden e hekurt të diktaturës komuniste të Evropës Lindore, dhe luajti në shumë filma e seriale televizive. Aktori në shumë gjuhë në ish republikat jugosllave, Itali (ku ishte më i njohur), SHBA, Gjermani, Francë, Çekosllovaki, Tunizi… Ndërsa filmat e tij u shfaqen në të gjitha kontinentet dhe të titulluar në gjuhë të ndryshme.

E arriti kulmin në profesion dhe u bë njëri nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të filmit në shekullin XX, me përmasa botërore. Por nuk aktroi në shqip që mbeti ëndrra e tij e parealizuar.
Kishte jetë të Odiseut. E luajti aktin e fundit të dramës që quhet JETË, (15.06.2010) por prapa perdes, pa publik: skenarist, regjisor dhe aktor kryesor i së cilës ishte ai vet!!!
Dhe serish u kthye në Prizren, prej nga u mis në vjeshtën e vitit 1956, në urnën me hirin e trupit që, sipas dëshirës së tij, të hidhet në lumin Bistricë, përmes tij do të derdhej në Drin e Bunë dhe të arrijë në Detin Adriatik, dhe detet e oqeanet tjera të botës… ODISEU iu kthye Itakës: UJIT, DHEUT dhe QIELLIT të PRIZRENIT të cilin e ka dashur aq shumë, por ai nuk ia ktheu këtë dashuri…
Ishte kjo estetika e jetës dhe e vdekjes së aktorit të madh…

Mbeti HESHTJA me të cilën BEKIMI ka jetuar gjatë 20 viteve të fundit. Dhe kujtimi i amshueshëm por edhe injorimi i çuditshëm, që vazhdon t’i bëhet atij nga pushtetet e nivelit lokal e qendror të Kosovës, edhe në këtë vit jubilar! Shqiptarët ta falin çdo gjë, por suksesin JO.
Të vetin e vrasin dy herë (të gjallë e të vdekur), kurse të huajin e lartësojnë në majat më të larta!

Por shkëlqimi i figurës dhe veprës së Bekimit nuk do të zbehet kurrë. Me fat ditëlindja e Bekimit të gjithë dashamirëve dhe adhuruesve të tij.

Mes protestave të radikalëve, Festivali “Mirëdita, dobar dan” hapi programin artistik (FOTO)

Gili Hoxhaj – Beograd

Me dy orë pritje në kufirin Kosovë-Serbi e pa tri fotografi, ekipi prej organizatorëve, artistëve, gazetareve e studentëve arritën në kryeqytetin serb për të hapur mbrëmjen e parë të edicionit të pestë të festivalit që prezanton kulturën e Kosovës në Serbi, Festivali “Mirëdita, dobar dan”, shkruan KultPlus.

Pas shkuarjes atje ekipi nën përcjellje të forcave policore u nis drejt Qendrës për Dekontaminim Kulturor në Beograd. Para se të afroheshin minutat e hapjes së festivalit, numri i policëve veçse shtohej, e zërat protestues tashmë dëgjoheshin. Me këngë nacionaliste, e valëvitje flamujsh, ata këndonin për Kosovën të cilën e quanin “tokë” të Serbisë. Përkrahës të Partisë Radikale Serbe e rrethuan Vojslav Sheshelin, i cili theksonte mohimin e shtetit të Kosovës. Protestuesit me fotografi të kufomave, fotografi të Hashim Thaçit e Ramush Haradinaj kishin zënë njërën anë të rrugës e në anën tjetër gjendej turma më e madhe të cilët kishin vënë maska e veshje doktorësh ndërsa mbanin pankartat me mbishkrimet “Sa organe duhet të na merren për të pasur shoqëri me terroristët” dhe “Politikisht korrekt me trafikimin e organeve”.

Organizatori i këtij festivali, Kushtrim Koliqi u shpreh i brengosur për këtë situatë derisa tha se çdo vit kishte shpresuar që situata politike dhe raportet mes dy vendeve do të jenë më të relaksuara kurse faktet e tregojnë të kundërtën dhe situata vetëm sa po përkeqësohet. Megjithatë ai tha se nuk do të ndalen pasi që besojnë se ky festival ka vlera fisnike.

“Viti i pestë po fillon me tensione që nuk i kemi pasur më herët. Ne nuk do të ndalemi, kjo është një rrugë që na takon neve, secili e ka punën e vet dhe ne kemi punën tonë”, u shpreh Koliqi gjatë hapjes së festivalit.


Sofija Todorović nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) u shpreh se ka qenë e vështirë të hapet ky festival tek që gjithçka ka qenë kundër kësaj ideje por u shpreh tejet e lumtur që kanë arritur kaq shumë njerëz.
Čedomir Jovanović, Anita Mitic e personalitet të tjera të njohura kanë mbushur plot Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, aty ku u zhvillua hapja e Festivalit.

Një festival tanimë tradicional, ‘Mirëdita, dobar dan’ ka vite që prezanton artistët më të mirë nga Kosova për disa ditë të mbushura kulturë në Beogradin e Serbisë. Mbrëmë në hapësirën e brendshme të Qendrës u prezantuan karikaturat e artistëve nga Kosova e Serbia, të cilat portretizonin figurat politike të Serbisë e Kosovës në raport me dialogun që po zhvillohet. Aty u prezantuan punimet e Murat Ahmetit, Mentor Llapashtices dhe Predrag Koraksic Corax e realizuar në kuadër të projektit “Ura – Dialogu Civil Prishtinë-Beograd”.

Përfaqësuesja e projektit, Berna Caka nga Radio UrbanFm dhe INC- Rrjeti i Radiove Lokale u shpreh për KultPlus, se projekti i këtij viti flet për urat mes dy shteteve siç janë Kosova dhe Serbia.

“Në këtë mënyrë këta tre artistë kanë vendosur që ngjarjet reale t’i shprehin përmes karikaturave ato ngjarje që ndodhin në Kosovë dhe në Serbi, sidomos në politikë. Esenca ka qenë që të shprehen ngjarjet nga të dyja palët”, tregoi Caka për KultPlus.

Më pas salla e Qendrës për Dekontaminim Kulturor u mbush plot nga pjesëmarrësit e festivalit, të cilët u mblodhën për të parë filmin “Martesa”, me regji të Blerta Zeqirit, film ky që tashmë numëron disa çmime. Për më shumë se një orë të pranishmit ngulën sytë drejt ngjarjes së një dashurie në trekëndësh, e ngjarja ec para dhe gjatë martesës së Bekimit me Anitën, e cila nuk është në dijeni se Bekimi është ende në dashuri me shokun e tij më të mirë, Nolin. Ngjarja prekë kohën e luftës në Kosovë, atëherë kur dy të rinj, Bekimi dhe Noli jetojnë brenda një ndërtese, ku edhe fillojnë të ndjejnë shenjat e para të dashurisë për njëri-tjetrin. Shumë vite më pas, luftën më të madhe do ta kenë me barrierat e kësaj dashurie.
Festivali “Mirëdita, dobardan!” 2018 do të jetë prezent në lokacione të ndryshme në Beograd, dhe hyrja në të gjitha ngjarjet do të jetë, si në vitet e mëparshme, falas.

Si frymëzim për themelimin e festivalit ka shërbyer Bekim Fehmiu, aktor shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, simbol i së kaluarës së përbashkët, së bashku me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet.

Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi)./ KultPlus.com

Fahri Musliu i propozon RTK-së ta transmetojë serinë me Bekim Fehmiun

Gazetari Fahri Musliu i ka propozuar Bordit të RTK-së ta transmetojë serinë ‘Odisea’ ku luan edhe aktori shqiptar Bekim Fehmiu.

Me anë të rrjetit social Facebook ai ka shprehur dëshirën që seria e njohur e viteve 70-të e cila u transmetua në RAI-n italian të fillojë së transmetuari edhe në Kosovë.

Kjo është kërkesa e tij ndaj Bordit të Televizionit Publik të Kosovës:

PROPOZIM BORDIT TË RTK, QË TA SHFAQ SERINË TV “ODISEA”, ME AKTOR BEKIM FEHMIUN

Me qenë se këto ditë, Stafi drejtues i RTK, në praninë e anëtarëve të Komisionit për Mediat të Kuvendit të Kosovës, ka nënshkruar një Marrëveshje bashkëpunimi me Radio-Televizionin Italian RAI, propozoj që mediumi publik i Kosovës ta shfrytëzojë këtë bashkëpunim dhe të kërkoj nga RAI, që t’ia jap në shfrytëzim serinë më të mirë televizive të të gjitha kohëve ODISEA, ku rolin kryesor e luan aktori i mirënjohur shqiptar nga Kosova, BEKIM FEHMIU.

Seria është produksion i RAI UNO i xhiruar në vitin e largët 1968, kurse në fillim të vitit 1970, Televizioni i Beogradit i ka shfaqur të tetë epizodat për publikun jugosllav.
Gjeneratat e reja shqiptare nuk janë të njohura me këtë realizim të shkëlqyer artistik të aktorit Fehmiu, me të cilin rol edhe i hapën dyert e kinematografisë botërore, deri në Holivud, ku luajti me shumë aktor, regjisor e producent të njohur botëror të asaj kohe. Me rezultatet e shënuara Bekimi u bë aktori i pare dhe famshëm shqiptar i filmit bitëror, në shkullin e XX.

RTK nëse e merr të drejtën për shfaqjen e këtij seriali, do të ishte mirë që kjo të ndodh nga 1 Qershori, ditëlindja ose 15 Qershori dita e shuarjes së jetës së tij.

Do të ishte hera e parë që një televizion shqiptar ta shfaq këtë serial kult, dhe me këtë RTK do ta përmbushtje edhe një obligim të vetin profesional për kujtimin dhe afirmimin e personaliteteve që kanë lënë gjurmë të pashlyer në fushën e kulturës kombëtare apo ndërkombëtare.

Jam i bindur që qytetarët e Kosovës, dhe të hapësirave tjera ballanike,por edhe shqiptarët në mbarë botën, do ta mirëpresnin realizimin e këtij propozimi.

1972, pamje të rralla nga vizita e Bekim Fehmiut në Shqipëri (FOTO/VIDEO)

Aktori i madh shqiptar Bekim Fehmiu, në disa pamje të rralla në vitin 1972 në Shqipëri.

Përmes një dokumentari të krijuar nga Kinostudio “Shqipëria e re” në vitin 1972, në këtë vizitë, Bekim Fehmiu, shprehu gëzimet e tij për arritjet e kinematografisë shqiptare dhe uroi për suksese më të mëdha në të gjitha fushat e kulturës dhe të artit, përcjell KultPlus.

Përpos artistëve Bekim Fehmiu shkoi edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku u takua me kryetarin e saj dhe disa shkrimtarë të tjetër shqiptarë, ndër ta në këto incizime duket të jetë edhe shkrimtari i madh Ismail Kadare.

Ky dokumentar përfshin shumë vende që vizitori Bekim Fehmiu. Ai në Krujë vizitoi Kalanë dhe Muzeun Historik. Ndërsa kur e pyetën Bekim Fehmiun se a do të kishte dëshirë të luante një film shqiptar, ai u përgjigj në mënyrë shumë kuptimplote: “Do të isha i lumtur”.

Po sjellim në vijim dokumentarin e plotë të kësaj vizite të gjatë të Bekim Fehmiut në Shqipërinë e vitit 1972./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=t2j-osGzk78

Kur Bekim Fehmiu i dtejtohej Dhimitrit (FOTO)

Është publikuar një fotografi e Bekim Fehmiut me një dedikim, që ka zgjuar interesimin e komentuesve se kush mund të jetë ai person që i madhi Bekim Fehmiu t’ia ketë dedikuar, shkruan KultPlus.

Në këtë foto shkruan: I lumtur jam që mu dha rasti që të njifemi, dhe jam i bindur që e njofshmja do të shëndrrohet në miqësi dhe ndoshta bashkëpunim. Dhimitrit ” . Bekim Fehmiu 77.

Komentuesit e shumtë janë munduar të dëshifrojnë këtë dedikim, ku disa mendojnë se kjo fotografi i është drejtuar Dhimitër Orgockës, kurse disa të tjerë Dhimitër Anagnostit. Këto komente janë bazuar edhe në atë, se Bekim Fehmiu kishte vizituar Shqipërinë në vitin 1972./KultPlus.com

Rade Serbedzija luajti film për Azem Vllasin, këndoi për Bekim Fehmiun, tashti dëshiron të luaj rolin e Adem Jasharit (VIDEO)

Aktori serbo-kroat Rade Serbedzija është një prej aktorëve më të njohur të ish Jugosllavisë, i cili ka luajtur edhe në shumë filma të huaj të cilët janë treguar shumë të suksesshëm, shkruan KultPlus.


Ai në mesin e shumë filma ka luajtur edhe te Harry Potter and the Deathly Hallows: Part 1, X-Men: First Class, The Saint, Mission: Impossible 2 , Taken 2…

Por, përpso filmave në nivel ndërkombëtar, ai ka kushtuar vëmendje edhe për figurat shqiptare, i cili ka luajtur një film, ku paraqitet në rolin e Azem Vllasit, sikurse ka kënduar edhe një këngë, me dedikim për aktorin e madh shqiptar Bekim Fehmiu.
https://www.youtube.com/watch?v=1gG-tYKTtu8

Filmi “Majstori mraka” që është bërë për Azem Vllasin është bërë me regji të Faruk Sokolovic, i cili kishte vendosur që historinë e funksionerit kosovar ta shndërrojë në film. Për rolin e Vllasit angazhohet njëri nga aktorët më të njohur jugosllav i njohur edhe për rolet e tij në filma të Hollywood’it, Rade Serbedzija. Filmi është punuar sipas skenarit të Azem Vllasit ndërkohë që flet për periudhën e kaluar në burg, raportet me të burgosurit tjerë dhe administratën e burgut.Filmi i zhanrit dramë fillon me pamjet e një mitingu masiv në Beograd ku turma e serbëve të mbledhur i kërkon Millosheviqit: “Arrestojeni Vllasin”.

Kurse krejt së fundi, po Rade Serbedzija, sipas regjisorit Luan Kryeziu, që është duke u përgatitur për realizimin e një filmi për Adem Jasharin, është interesuar që të luaj rolin e komandantit Jashari, deklaratë kjo që është përcjellë me bujë nga mediet shqiptare./KultPlus.com

Një fotografi e rrallë e Bekim Fehmiut

Aktori i madh shqiptar Bekim Fehmiu, vazhdon të kujtohet ndër shqiptarë jo vetëm përmes projekteve ku ai ishte pjesë por edhe përmes fotografive të ndryshme që paraqesin një copëz Bekim, shkruan KultPlus.

Së fundmi, është publikuar një fotografi kur Bekim Fehmiu ishte student. Në atë fotografi shohim një Bekim siç nuk e kemi parë më herët.

Fotografia është publikuar në Instagram nga Vingate.Abania, ndërsa KultPlus, po e sjellë sot për lexuesit e vet./ KultPlus.com

Portreti i rrallë i familjes së aktorit të madh Bekim Fehmiut (FOTO)

Aktori i shquar me prejardhje shqiptare Bekim Fehmiu, ka lenë gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë ballkanike dhe në atë botërore, shkruan KultPlus.

Ky aktor i madh rridhte nga një familje e shquar nga Gjakova, ndërsa babai i tij Ibrahim Fehmiu njihej si një aktivist i shquar i gjuhës shqipe. KultPlus ju sjellë një fotografi në të cilën shihet familja e aktorit të madh Bekim Fehmiu, derisa ai ishte ende fëmijë.

Në këtë fotografi shihet nëna, gjyshja, motrat dhe vëllezërit e Bekim Fehmiut kurse vet Bekimi është mes nënës dhe gjyshes, para babait të tij. Fotografia është realizuar rreth vitit 1938./KultPlus.com

Kur Rade Serbedzija e Miroslav Tadic këndonin këngë për Bekim Fehmiun (VIDEO)

Aktori shqiptar Bekim Fehmiu i cili ishte një aktor me përmasa ndërkombëtare, shumë herë ka marë vëmendjen e kolegëve të tij, shkruan KultPlus.

Në këtë video të realizuar më herët shihet duke kënduar aktori i njohur Rade Serbedzija dhe Miroslav Tadic, këngë kjo e cila i dedikohet aktorit të madh Bekim Fehmiu. Kjo këngë titullohet “Pjesma za Bekima”, dhe tingujt e kësaj kënge janë mjaftë melankolike/KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=1gG-tYKTtu8&feature=youtu.be

Një kujtim nga Bekim Fehmiu që gjendet në Prizren (FOTO)

Një fotografi e një veture të vjetër është shpërndarë para disa ditësh në llogarinë e Facebook-ut të ish-gazetarit Fahri Musliu, shkruan KultPlus.

Kjo fotografi tregon veturën Peugeot 404, që aktori i madh shqiptar Bekim Fehmiu e kishte blerë për nënën e tij më 1968. Vetura sipas Musliut, është në oborrin e fotografit Burim Myftiu në Prizren, i cili e kishte marrë atë më 1996 nga vëllezërit Fehmiu.

Po e sjellim të plotë shkrimin e Fahri Musliut:

NJË KUJTIM NGA BEKIM FEHMIU

Burim Myftiu nga Prizreni në një emision te TV Klan Kosova ka zbuluar se posedon makinën PEZHO 404 të cilën më 1968, aktori kosovarë me famë botërore, BEKIM FEHMIU nga honorari i serialit TV ODISEJA ia kishte blerë nënës së vet Hedijes, që të mund ta vizitojë Bekimin kudo që ai xhiron. Myftiu thotë se makinën që nga vëllezërit e Bekimit e ka marre më 1996 e ka shfrytëzuar disa vite por që nga përfundimi i luftës, ajo është në gjendje të mjerueshme dhe kërkon riparim të jashtëm. Makina gjendet në oborrin e shtëpisë së tij në Prizren dhe shpreh gatishmërinë që atë dhuroj për ekspozim në ndonjë hapësirë në qendër të Prizrenit apo në kuadër të Mezeut kushtuar Bekim Fehmiut, që do të duhej të hapej në këtë qytet, si shenjë kujtimi të aktorit të madh.
Për riparimin do të duhej të shfaq interesim Komuna e Prizrenit apo edhe firmat private e individ.
Do ishte mirë që riparimi të ndodh deri në fillim të qershorit kur shënohet përvjetori i lindjes apo i vdekjes së Bekimit dhe të caktohej vendi për ekspozimin e saj.
Të interesuarit le të lajmërohen në këtë faqe ose personalisht mua në messenger.
Ju faleminderit për mirëkuptim. F.M.

Filmi me Bekim Fehmiun fillon të shpërndahet nëpër Francë (VIDEO)

Filmi “I even met happy Gypsies”, me protagonist aktorin legjendar shqiptar Bekim Fehmiu, ka nisur të shfaqet në Francë.

Pasi këtë vit janë shënuar 50-të vite qëkur filmi u realizua, shteti francez ka marrë të drejtën e shpërndarjes së filmit në një version më të përpunuar vizuelisht.

Në titullin origjinal ‘Skupljaci perja’, filmi me Bekim Fehmiun dhe me Olivera Katarinan, me regji nga Aleksandar Petroviq, këtë vit u dha në Kanë të Francës, në festivalin ku kishte triumfuar para pesë dekadash.

Në frëngjisht, filmi merr titullin ‘J’ai même rencontré des Tziganes heureux’, shkruan KultPlus. Distributori francez i angazhuar për filmin është Malavida, ndërsa ky film vjen i restauruar.

Filmi këtë vit është rikthyer në garë edhe për Festival Lumiere, Festival d`Arras dhe Festival Cinemed, të tria këto festival të rëndësishme të filmit në Francë.

Filmi, në 94 minutat e tij, bazohet në jetën e popullatës rome në Vojvodinë, por merret edhe me temën e dashurisë, etnisë dhe lidhjeve mes klasave sociale. / KultPlus.com

Kur aktori Bekim Fehmiu shkaktonte skandal në Abu Dabi

Në vitin 1971, Bekim Fehmiu do të shkaktonte një problem në Abu Dabi.

Fotografia e tij me aktoren Candice Bergen dhe mbishkrimin “Asgjë nuk është lënë jashtë”, pasi dyshja luan në filmin “The Adventurers” do të shkaktonte debat në Abu Dabi, pasi filmi supozohej se do të kishte skena të nxehta.

Atef Karam, pronari i kinemasë El Dorado, e para kinema e mbyllur në Abu Dabi dhe e cila madje do të mbyllet pasi ka funksionuar për 47 vite, megjithatë nuk e ndali shfaqjen e filmit, edhe përkundër debatit të madh që filmi nuk i përket një shoqërie si Abu Dabi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Hera e parë kur e dhamë filmin, ishte gjithçka normal. Edhe shfaqja e dytë e filmit ishte në rregull. Në herën e tretë, policia erdhi bashkë me autoritetet tjera për ta parë filmin. E panë filmin dhe deshën ta mbyllnin kinemanë, u bë skandal pa nevojë” tregon Karam.

Më pas, në Abu Dabi do të vinte ligji kundër filmave me zhveshje apo dhunë. Zhveshje kishte në filmin me Fehmiun, por jo dhunë, shkruan KultPlus.

E njëjta kinema tani do të mbyllet në tërësi. Ajo u hap me 22 nëntor 1970 dhe është e para kinema e mbyllur në Abu Dabi.

Bekim Fehmiu dhe Candice Bergen patën krahas tyre edhe Charles Azvanour dhe Olivia de Havilland në filmin i cili arriti fitim rreth 7.75 milionë dollarësh në kinematë e Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. / KultPlus.com

‘Ata që ikin’ të premten premierë në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’

Në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren, të premten vjen premiera e shfaqjes me tekst e regji të Kushtrim Bekteshit ‘Ata që ikin’, shkruan KultPlus.

‘Ata që ikin’, është drama e cila ka mbledhur rreth vetës gjithsej 12 aktorë, të cilët do i dhënë frymë kësaj shfaqje. Ndërsa trajton fatet e njerëzve që ikin, qoftë nga e kaluara, nga dashuria, nga tmerri i përditshmërisë nga realiteti që ua zë frymën, nga vetvetja; me shpresë se një ditë do të ndjehen të plotësuar dhe të lumtur.

Në një intervistë të mëhershme për KultPlus, regjisori i cili rrëmbeu disa çmime me shfaqjen ‘Tartufi’, të realizuar në Teatrin ‘Migjeni’ në Shkodër, pati treguar për këtë dramë të cilën e ka shkruar para dhjetë vitesh.

“‘Ata që ikin’ është një dramë që e kam shkruar para dhjetë vitesh. Shpesh kam menduar ta inskenoj, por kur më është ofruar mundësia jam tërhequr sepse konsideroja se më duhet kohë derisa të krijoj distancën e duhur për t’iu qasur tekstit si regjisor, e duke shmangur subjektivitetin e të qenurit vetë autor i tekstit. Tanimë e ndjej se e kam krijuar atë distancë”, pati thënë për KultPlus, regjisori Bekteshi.

Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje bëjnë pjesë gjithsej 12 aktorë: Xhevdet Doda, Donikë Ahmeti (aktore mysafire), Ernest Malazogu, Fetah Paçarizi, Alban Krasniqi, Zanë Duraku, Hajat Toçilla, Edona Sopaj, Alban Morina, Rifat Smani, Alban Çela si dhe Afrim Kasapolli.

‘Ata që ikin’ vjen premierë më 10 nëntor, me fillim nga ora 20:00 në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren./ KultPlus.com

Bekim Fehmiu te varri i Aleksandër Moisiut

Në këtë fotografi shihet aktori i madh shqiptar Bekim Fehmiu, pranë varrit të një aktori poashtu shumë të madh shqiptar, shkruan KultPlus.

Ai shihet të ketë shkrepur këtë fotografi pranë varrit të Aleksandër Mosiut, i cili prehet në varrezat e fshatit Morcote në Lugano të Zvicrës./KultPlus.com

Jo si zakonisht, Bekim Fehmiu flet për sportet e preferuara

Në vitin 1979, një pjesë e mirë e aktorëve e regjisorëve të ftuar në Festivalin e Filmit në Pula të Kroacisë u pyetën mbi lidhjen e tyre me sportin.

Këta filmbërës, këta aktorë, secili të inkuadruar mirë e mirë në botën e filmit, megjithatë kanë pasionet e tyre në fushën e sportit.

U pyet edhe Bekim Fehmiu, mbi dashuritë e tij në sport dhe mbi kohën e lirë të cilën dosido do t`ia kushtonte sportit.

Ai në këtë intervistë të cilën e sjellë Yugopapir në kuadër të shkrimeve të moçme të kulturës e artit e sportit, ka treguar se gjatë jetës së tij, pos aktrimit fenomenal dhe njohjes që aktrimi i solli në mbarë botën, ai është marrë me boks, me not, me atletikë, me basketboll e me futboll, shkruan KultPlus.

“Sportet e mia më të preferuara janë basketbolli, boksi dhe noti. Për shkak të një lëndimi që pata, po merrem më shumë me gjimnastikë pasi kjo po më ndihmon ta marr veten. Nuk shkoj shumë në stadiume, por e përcjelli futbollin” ka treguar Fehmiu në këtë intervistë.

Në këtë edicion të Festivalit të Filmit në Pula, u shfaq filmi “Era dhe Lisi” me regji nga Besim Sahatçiu dhe me skenar nga Petrit Imami. Abdurrahman Shala mori çmimin për aktorin më të mirë të festivalit për rolin e tij në këtë film. / KultPlus.com

Shkupi nikoqir i ekspozitës së Agron Saliut, u prezantuan portretet e të famshmëve shqiptarë (FOTO)

Portrete të ndryshme të të famshmëve shqiptarë, duke përfshirë: Nënën Terezë, Bekim Fehmiun, Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin dhe shumë figura të rëndësishme shqiptare janë prezantuar nëpërmjet ekspozitës personale të artistit Agron Saliu, shkruan KultPlus.

Ekspozita është hapur në ambientet e Galerisë Kic, kurse kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 17 tetor. Kurse Fatmir Sulejmani, me rastin e hapjes së kësaj ekspozite, nëpërmjet një recensioni ka vlerësuar Agron Saliun, si një artist me emër të përveçëm.

“Për mua, ai është ambasador arti gjithandej ku ekspozon reliktet e shpirtit – portretet e punuara me dashuri dhe përkushtim të veçantë”, ka vlerësuar ai, kurse për veprat veprat e kësaj ekspozite, të përgatitura gjatë dy viteve të fundit, sipas tij janë realizuar kryesisht me teknikën vaj në pëlhurë, ndërkaq, sa i takon formatit, janë të gjitha të njëllojta. /KultPlus.com

Duke trajtuar fatet e njerëzve që ikin, regjisori Kushtrim Bekteshi hapë sezonin në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren

Sarandë Selimi

Në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren, qysh më 27 gusht kanë nis provat për shfaqjen e re e cila njëherësh edhe do të hapë sezonin në këtë institucion. ‘Ata që ikin’ me tekst e regji të Kushtrim Bekteshit, është drama e cila ka mbledhur rreth vetës gjithsej 12 aktorë, të cilët do i dhënë frymë kësaj shfaqje.

Për të folur më shumë rreth tekstit, inskenimit dhe punës që është bërë deri më tani, për KultPlus, foli regjisori Kushtrim Bekteshi.

“‘Ata që ikin’ është një dramë që e kam shkruar para dhjetë vitesh. Shpesh kam menduar ta inskenoj, por kur më është ofruar mundësia jam tërhequr sepse konsideroja se më duhet kohë derisa të krijoj distancën e duhur për t’iu qasur tekstit si regjisor, e duke shmangur subjektivitetin e të qenurit vetë autor i tekstit. Tanimë e ndjej se e kam krijuar atë distancë”, tha për fillim regjisori Bekteshi, duke vazhduar tutje të flas për përrallën e kësaj drame.

Ai tregoi se drama trajton fatet e njerëzve që ikin, qoftë nga e kaluara, nga dashuria, nga tmerri i përditshmërisë nga realiteti që ua zë frymën, nga vetvetja; me shpresë se një ditë do të ndjehen të plotësuar dhe të lumtur.

Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje bëjnë pjesë gjithsej 12 aktorë: Xhevdet Doda, Donikë Ahmeti (aktore mysafire), Ernest Malazogu, Fetah Paçarizi, Alban Krasniqi, Zanë Duraku, Hajat Toçilla, Edona Sopaj, Alban Morina, Rifat Smani, Alban Çela si dhe Afrim Kasapolli, për të cilin regjisori Bekteshi, tha se ka një konsideratë shumë të lartë dhe ndjehet i nderuar që ka pranuar të jetë në ekipin e shfaqjes së tij.

“Jam shumë i kënaqur si po zhvillohet procesi i provave. Është hera e dytë që punoj në këtë teatër dhe shumicën e aktorëve i njoh shumë mirë, prandaj edhe kënaqësia e bashkëpunimit është po e njëjta si para dy vitesh. Bile mund të them se tani aktorët e këtij teatri i kam gjetur në kondicion edhe më të mirë, e kjo falë angazhimeve të vazhdueshme që kanë pasur në shumë shfaqje të suksesshme që janë realizuar në këtë teatër. Me pjesën tjetër të aktorëve, me të cilët po bashkëpunoj për herë të parë, ndjej të njëjtën frymë të bashkëpunimit kreativ, të njëjtën energji pozitive dhe elasticitet interpretues. Gjitha këto më japin një siguri se procesi i përgatitjes se shfaqjes do të rrjedh pa komplikime dhe besoj se produkti final do të rezultojë i suksesshëm”, theksoi regjisori Kushtim Bekteshi, ku poashtu tregoi edhe për pjesën tjetër të ekipit.

“Kostumografe është Samka Ferri, me të cilën është jo vetëm kënaqësi, por edhe privilegj të bashkëpunosh. Është shfaqja e katërt që bashkëpunoj me Samkën dhe besoj se do të bashkëpunojmë edhe në shumë shfaqje tjera. Ndërsa skenograf është Mentor Berisha, një skenograf i ri dhe tejet kreativ, me të cilin po bashkëpunoj për herë të dytë”, tha ai.

‘Ata që ikin’, pritet të dalë me premierë në fund të muajit tetor në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren./ KultPlus.com