Çou Bekë, hala nuk ka ra perdja!

Shkruan Esat Brajshori

– Bekë , çou!
Çou se hala nuk ka ra perdja,
hala nuk i kemi mbyllë debatet e pafundme studentore,
as të qeshurat e as mërzit për vitet plumb të Kosovës!

Çou të nisemi për në Akademi dhe rrugës, si punē e parë, ta blejmë “Rilindjen” , të ecim bulevardit duke e lexuar për të marrë vesh naj fjalë për Kosovën (sa afër dhe sa larg e kishim Kosovën)!

Të kujtohet Bekë?

Neve studentëve nga Kosova lehtësisht na njihnin në Tiranë, o nga flokët si i mbanim atë kohë , o nga gazetat që i lexonim në ecje, që në mëngjes…

Çou, Bekë se Bujar Luma na pret diku rrugēs për në Akademi e mos të vonohemi!
Bekë,

Çeli sytë, çeli sytë dhe shih sytë e bukur të mëngjeseve të Tiranës…
Bekë,

Dje më shkroi Andeta Radi , shoqja jonë e kursit, ajo që na thërriste për ndeje në shtëpinë e saj kur ne, si studentë nga Kosova, nuk kishim njeri pranë vetes në Tiranë. E goditur nga lajmi i zi , fliste për ty, për lulet e bardha mbi kortezh…
Bekë,

Çou se erdhi koha pēr provat e shfaqjes së provimit tē regjisurës!

Dera e salles – hapur, kolegët po presin në skenë, tani, të fillojmë provat aty ku mbetëm herën e fundit…

– “Ushtri e tërë, o Mbreti ynë,

Mirëseardhje të urojnë me një gjëmë ogurzezë;

– Vaj medet ushtria perse “!

Fragment nga “Persët…..shfaqje për provim regjisure , viti i dytë i studimeve (1993-1994),Tiranë, me regji të Bekës dhe lojë të Esat Brajshorit, Agim Selimit, Aldo Kromidhës, Resul Jusufit, Drini Ajdinlliut….etj.
Çou, Bekë! Mos i mbyll sytë, mos ia mbyll derën teatrit se hala nuk ka ra perdja…

Bekë…

Kur Bekim Lumi i këndonte Drenicës

Regjisori Bekim Lumi mbetet një artist i paharruar, në kujtim të tij sjellim këngën “Drenica” kënduar nga vet ai.

Si pelerinat e zeza të një shtrigë
Nata pllakosi mbi Qeqavicë
Topa e blinda, mortaj e tanke
Derdhi si breshër kudo mbi Drenicë

Gjarpër shtatë krerësh me koka çetnike
E mbolli vdekjen mbi tmerr e panik
Foshnjës së bukur në gjirin e nanës
Gjumin i’a preu xhelati me thikë

Ah buzëqeshjen dhe dritën e syrit
I vrau katili me bajonetë
Si zog i trembur me krahë të thyer
Mbi djep vogëlushi u shtri i pajetë

Pranë ti jehomë si një statujë
Mbytur nga lotët e larë me gjak
Bijtë e Drenicës si engjuj liri
Dritë sot Kosovës i bëjnë rreth e qark./ KultPlus.com

Duartrokitja më e gjatë i dhurohet Bekim Lumit

Alberina Haxhijaj

Regjisori Bekim Lumi ka marrë me qindra duartrokitje, për punën e tij si regjisor, gazetar apo thjeshtë si një mik i dashur, nga njerëzit që e kanë rrethuar. Mirëpo, duartrokitjet me të gjata, të mbushura me plot dashuri dhe njëkohësisht edhe me mungesë dhe krenari i mori sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Emri Bekim Lumi nuk do të harrohet asnjëherë, ai emër është gdhendur së bashku me historinë e Teatrit Kombëtar të Kosovës por jo vetëm aty. Për këtë njeri aq të fuqishëm asnjëherë nuk do të mungojnë fjalët dhe shfaqjet e tij do mbesin të pavdekshme.

Ai do njihet posaçërisht për shfaqjen e tij “Arturo Ui”, ëndrrën e mistershme, të bukur dhe të gjatë të Bekim Lumit. Edhe sot kur skenës së teatrit do i mungojnë projektet e tij të reja, mjafton kjo shfaqje për të parë gjithë dashurinë e Bekimit për teatrin por edhe një reflektim të Kosovës së tij. Një shfaqje e cila është edhe testamenti i tij i fundit artistik.

Prandaj si mund të kujtohej ai ndryshe sot, gjatë homazhit që i’u bë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, përveç se pikërisht më këtë shfaqje. Ndoshta, ai sot ishte edhe pjesë e saj më shumë se kurrë.

Arkivoli i tij qëndronte në skenë i gërshetuar me skenografinë e shfaqjes së tij gjersa aktorët vazhdonin shfaqjen duke shkëlqyer si çdo herë në lojën e tij, filigran.

Shfaqja “Arturo Ui” është një shfaqje e krijuar mbi tekstin e dramaturgut të shquar gjerman dhe botëror, Bertoltt Brecht. Ajo pasqyron historinë e dhunshme të rrëmbimit të pushtetit ekonomik dhe politik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet 30’ të shekullit XX.

“Kur e shohim gjithë këtë dhembje dhe dashuri për Bekimin e kuptojmë se sa të lumtur ishim ne dhe ju me Bekimin. Disa prej jush patët fatin të jeni aktorë të shfaqjeve skenike të Bekimit kurse shumë të tjerë ishit aktorë të dramës jetësore dhe të momenteve shumë të vështira shëndetësore të Bekimit”, u shpreh në emër të familje, motra e regjisorit, Drita Lumi.

E fjalimi i saj para të pranishmëve mjafton për të kuptuar sadopak rendësin e madhe që ka pasur arti dhe teatri për regjisorin.

“Bekimi përmes shfaqjeve të tij e sidomos kësaj të fundit na e la një lamtumirë artistike por njëkohësisht na e dha edhe një mesazh të fortë politik për gjendjen në Kosovë. Bekimi na sfidoi të gjithëve. Ai punoi aq shumë edhe pse ishte i sëmurë dhe la porosinë që ne të tjerët të zgjohemi dhe të punojmë më shumë , që të mos kemi arsim injorant, shëndetësi të degraduar e të sorollatemi dyerve të Evropës dhe e të mos kemi art hiq”, përfundon ajo, duke i falënderuar të gjithë dhe duke u larguar ngadalë nga skena, aty ku arkivoli i regjisorit tani qëndron në qendër.

“E kur të gjitha ëndrrat të janë zhdukur dhe nuk di se ç’të pret,
mos mendo se vdekja është fundi!
Nuk është fundi, nuk është fundi,
ki parasysh që vdekja nuk është fundi.”
, janë fjalët që kumbojnë në teatër nga Afrim Kasapolli.

Ai i drejtohet regjisorit më vargjet e Bob Dylan-it, këngëtarit i cili fitoi Nobelin në letërsi gjersa shoqërohet në piano nga Luan Durmishi.

Tingujt e fundit të kësaj këngë, shënojnë edhe fundin e homazhit për regjisorin, të cilit i jepet lamtumira më duartrokitje.

Kështu kishte kërkuar edhe regjisori ndoshta si thirrje edhe për ngjalljen e kulturës. Duartrokitje këto të cilat ishin më të gjatat që i mirëpriti Teatri Kombëtar i Kosovës ndriçuan shpirtin e Bekim Lumit.

U prehtë shpirti i tij në paqe!./ KultPlus.com

Të pranishmit i dhurojnë duartrokitjet e fundit Bekim Lumit

Salla e Teatrit Kombëtar të Kosovës sot është mbushur plot, ashtu siç shumë herë më parë e kishte mbushur Bekim Lumi me shfaqjet e tij të cilave u kishte dhënë jetë pikërisht në këtë skenë, shkruan KultPlus.

Pranë atyre që janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit, me regji të përgatitur nga vet Bekim Lumi, të pranishmit filluan këtë ceremoni me një pjesë të shfaqjes së fundit shënoi 20 vite karrierë të Lumit, duke i kaluar disa nga ditët e fundit në teatër. Pjesë e lojës artistike të shfaqjes, ishte dhe arkivoli i bardhë i Bekim Lumit.

Me vargjet e këngës së Bob Dylanit “Vdekja nuk është fundi”, e me tingujt pianistik, ai mes lotësh e duartrokitjeve të forta u përcoll prapa skenës së teatrit.

Varrimi i Bekim Lumit bëhet në ora 14:00 në varrezat e Prishtinës./ KultPlus.com

Me tingujt e “Vdekja nuk është fundi” do t’i jepet lamtumira Lumit

Dje ka ndërruar jetë regjisori i njohur nga Kosova, Bekim Lumi i cili për më shumë se dy vite po përballej me sëmundjen e rëndë të kancerit, shkruan KultPlus.

Gjatë ditës së sotme do t’i ipet lamtumira e fundit ndërsa nga ora 12:00 do të fillojnë homazhet në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Tenori Luan Durmishi do ta jetësoj amanetin e tij që sot të përcillet me muzikë për banesën e fundit, me veprën “Vdekja nuk është fundi” të nobelistit Bob Dylan.
Më poshtë ju sjellin postimin e plotë të Luan Durmishit.

Miku im i dashtun !

E paske lënë amanet që unë sot të t’përcjellë në banesën tënde të fundit me këngë ! Unë, sot nuk e gjejë dot forcën të këndoj ! Të LUTEM falëm ! Por, unë sot gjithsesi do ta gjejë forcën dhe do ta përmbush amaneti , në tingujt e pianos , krijimin tim që ta kam dediku TY , me vargjet me të bukura dhe më të fuqishme, nga poeti , nobelisti dhe muzikanti Bob Dylan ” Vdekja nuk është fundi “.

Miku im i dashtun !

Më kujtohet kur më ke tregu , se fillimin e studimeve t’ua e ke nisur në muzikë , për t’i braktisur ato menjëherë , për shkaqe të rrethanave politike të asaj kohe ! Dhe si disident , që t’kanë konsideru , nëse nuk gaboj dhe dashuri të madhe që ke pas për Shqipërinë
kë lënë vendin , për t’i vazhdu studimet , për teatër në Tiranë.
Je kthy në Kosovë , në teatrin tënd të dashtun për të bërë mrekulli ! Unë, sot me shumë dhimbje , por i përmbushun që po ta plotësoj amanetin tënd , do t’përcjellë në banesën tënde të fundit me muzikë dhe vargje , sepse muzika për TY ishte dhe mbeti pika më e fuqishme e artit , sepse TI e doje aq shumë muzikën dhe ishe njeriu më muzikal dhe shije hollë për muzikë , që kam taku në jetën time.

Poezia që Bekim Lumi e shkroi gjatë ditëve të luftës

Kosova

Poezi e shkruar nga Bekim Lumi.

Kur atdheut i rrxohen kështjellat
I shemben pirgjet urat kullat
I zihet fryma
I mpikset gjaku
Themelet kur i luejnë vendit
Rozafë ajo bahet
Sall gjinin e djathtë e len përjashta
Gjergji Muji Halili Ademi Shabani Hamza
Pijnë tambël
Forcadë marrin
Për lufta t’rrebta
Tevona
Si rr’fe prej qielle
Veç nji za ndihet
“Oj Kosovë, mos thuej mbarova,
Se djemtë tu ende janë gjallë…”

Në kujtim të Bekim Lumit, rrebelin që e përzunë nga provinca

Diku kah mbramja e 20 qershorit në një dhomë në fund të korridorit në të majtë kur futeshe në katin e dytë të Spitalit Amerikan në Prishtinë, shkova ta vizitojë një shok timin që kishte operuar krahun. Llaf pas llafi mora vesh se në dhomën përballë, luftonte Bekim Lumi me sëmundjen e keqe.

Shkruan: Uran Haxha

Dola n’korridor prej dhomës ku ishte shoku dhe thash të provoj me e pa mas një kohe relativisht të gjatë, që vetëm kisha komuniku virtualisht. Në korridor e takova motrën e tij të vogël. Dihej që ishte motra e tij, ngaqë kokërdhokët e syrit që i kishte dallues në fytyrën e tij Bekimi, ishin pothuajse të njëjtë te motra e tij. Fola me të pasi u prezantova. Mora vesh se çdo zhurmë në korridor i pengonte dhe e dëgjonte.

Më pas u afrova ngadalë tek dritarja e derës në dhomën e tij. Dhoma ishte e errët, pakëz dritat e aparaturave mjekësore e zbulonin profilin e tij. S’munda me hy me e pa, edhe me e mbajt atë pamje mend si pamjen e fundit të kontaktit me të. Motra e tij më tha se me zor po i shtyn ditët, e motrat medicinale më thanë se “ditët e fundit po i jeton”.

Fort u mërzita, amo bash fort u mërzita! E tash kur e mora vesh që ka ndërruar jetë, disi për 20 sekonda m’u sollën të gjitha kujtimet ndërmend.

Me Bekimin sa herë jemi pa n’Prishtinë gjithnjë i kemi nda disa minuta, kemi pi kafe vend e pa vend, kohë e pa kohë. Folshim në fillim pak për Suharekën, e tani herë për teatrin, herë për gazetarinë e çka jo tjetër. Ishim pasë njoftu në rrjete sociale, edhepse unë kisha shumë njohuri për punën që bën ai. Pasi kisha fillu me punu në disa media nacionale, Bekimit i kishin ra n’sy do shkrime të mijat, edhe një ditë më shkroi do fjalë të mira. Fort m’u ba qejfi. Nuk shkuan shumë ditë e u pamë bash para shtatores së Zahir Pajazitit. Ndejtëm ndoshta 3 orë në një kafe pranë duke mos u ndalë tu fol për Suharekën.

Më kujtohet që më pat thanë një përafërsisht kështu: “Suhareka është vendi i kujtimeve të mia të mira, por është provincë. Provinca të han, nuk t’len me shku nalt. Je kap mirë në Prishtinë e mos u kthe në provincë. Dije që është shumë me rëndësi me kalu provincialitetin. Unë kisha hjek shumë, por kam ardh’ herët. Uran ngom mu, mos u kthe pa naj zor”. Aty edhe m’u pat mbush mendja bukur shumë që mos me e pa të ardhmen time profesionale në Suharekë. Kohë më vonë u pata skuq kur më patë tregu për një drejtor kulture në Suharekë që i kishte thënë Bekimit: “mfal kush jeni ju?”, pasi që Beka i kishte thënë: “Unë jam i gatshëm me ju ndihmu nëse keni diçka”.

E Bekimi ka pasë një jetë plot aktive në Suharekë. Ai ka qenë djali i një mësuesi që kishte ardh nga Bllaca në Suharekë dhe kishin jetuar pranë Shtëpisë së sotme të Shëndetit. Bekimi si i ri kishte spikat në recitime e imitime. Një fqinje e imja tregonte se kur shkonte në shtëpinë e tyre për të ndejtë, si fëmijë i vogël njëherë ulej tek dera e dhomës “inqizonte” e tani i imitonte të gjithë aty ndërsy.

Ai në Shtëpinë e Kulturës recitonte dhe të gjithë e donin, siç dëshmohet në këtë fotografi që publikohet për herë të parë. E respektonte pa masë profesorin Ramadan Shala. Më 1979 edhe gazetat i kishin bërë profil si nxënës i dalluar në recitim e këngë. Dikur duke u rritë brenda tij ishte zgjuar fuqishëm dashuria për atdheun kombëtar – Shqipërinë.

Vjersha, këngë, veshje kuq e zi, parulla e gjëra të tilla bënte Bekimi. Mendja kreative i punonte mirë. Më trengonte se si disa e quanin “nacionalist”, “irredentist”, e besa-besë edhe “terrorist”. Për kuriozitet, disa prej atyre njerëzve ende normal rrugëve të Suharekës edhe sot.

Si tregonte vet ai, dikur me disa shokë iu mbushë mendja me dalë ilegalisht në Shqipëri. Kishin qenë një grup që u nisën ngadalë, e diku tek rruga që kthehet për Dragash në drejtim të Vërmicës, i kishte ndalë një plak. Këta e kishin pyetur më detajisht për kufirin dhe njëfarë forme ishin dekonspiruar. Por, siç thoshte vet Bekimi, “ishim të rinj me ditë që banorët e zonave kufitare punojnë gjithmonë për shtet”. Kishin organizu gënjeshtër dhe kishin përdorë pretekst se po shkonin për ta vizituar liqenin, që të shpëtonin nga policia.

Më vonë do ta përjashtonin prej Gjimnazit “Jeta e Re” në Suharekë, duke ia hedh dokumentat fytyrës, kështu thoshte Bekimi bukfalisht, dhe ai do të shkonte në Prishtinë. Kështu pavullnetshëm i iki Suharekës.

Vitet kishin kalu dhe Bekimi në kohën kur rrinim ishte profesor në Fakultetin e Arteve, teksa në teatër shkëlqente. Në
shfaqje i kam shku pothuajse gjithmonë dhe gjithmonë më kërkonte mendim për shfaqjen, që sinqerisht më bënte të ndjehesha shumë shumë mirë.

Unë nuk kam mbajt mësim me të, sepse nuk kam qenë student i atij fakulteti, por thonin se ka qenë shumë serioz në punë. Për lëshime gjithashtu thonin se nuk ka bërë. Këtë ma patë dëshmu, “Uran po vijnë kandidatë për studime në drejtim të regjisë e aktrimit prej Suharekës. Unë nuk mundem me intervenu, nuk vjen në shprehje. Unë ju kam ofru me i mbajt orë përforcuese me mua, po i bajnë disa e po lodhen. Intervenimi s’ka shanca te une”.

S’po zgjatem më shumë, po i mbaj disa kujtime për ndonjëherë tjetër.

P.S. Sot kërkova në telefon nëse e kisha numrin e tij ende, për kuriozitet. Aty e pata dhe do ta kem. S’di, s’mundem me e fshi. Bekimi ka qenë i veçantë dhe një shpirt rrebel!

Prehu në paqe Beko zemlaki (kështu u thirrshim me hajgare mes vete)!

Veseli: Kosova humbi një artist të veçantë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e regjisorit Bekim Lumi, shkruan KultPlus.

Veseli është shprehur pas vdekjes së regjisorit se Kosova ka humbur një artist të veçantë.
“Tejet pikëllues lajmi për vdekjen e Bekim Lumit. Kosova ka humbur një artist të veçantë, një regjisor të talentuar dhe një profesor të çmuar. Dhimbja është shumë e madhe. Ngushëllime familjes, miqve dhe komunitetit të artistëve”, ka shkruar ai në postimin e tij në Facebook.

Regjisori i njohur kosovar, Bekim Lumi ka vdekur mëngjesin e sotëm pas një sëmundje të rëndë./KultPlus.com

Kurti: Shteti nuk qe në gjendje t’i ndihmonte Bekim Lumit, por ai nuk u thye

Vdekja në moshë të re e regjisorit të talentuar dhe profesorit të Universitetit të Prishtinës, Bekim Lumit, i lë të gjithë dashamirësit e teatrit të pikëlluar. Kështu ka shkruar Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Bekim Lumi megjithatë jetoi mjaftueshëm sa për të vënë në skenë, të përshtatura me stilin e vet tejet origjinal, dramat e Ionésco-s, Chekhov-it, Shakespeare-it, Koltés-it, Mrožek-ut etj. por edhe dramatizime të frymëzuara nga tekste të Lorca-s, Fishtës etj”, shkruan tutje ai në Facebook.

“Imagjinativ me tekstin, rigoroz me rolet, punëtor me aktorët, kreativ për lojën e tyre. Bekim Lumi nuk pranonte më pak se përsosurinë e përfytyruar dhe nuk ndalej as shkurtimisht te suksesi i arritur. Në fund të jetës së vet, tashmë i sëmurë prej një sëmundjeje të rëndë, shteti i Kosovës nuk qe në gjendje t’i ndihmonte, ashtu siç nuk i ndihmon dot qindra qytetarëve të tjerë, për të paguar kurimin e shtrenjtë”, ka shkruar Kurti.

Por, shkruan tutje Kurti, ai nuk u thye, dhe në formë testamenti artistik, politik e qytetar, vuri në skenë veprën e njohur të Bertolt Brecht-it, “Arturo Ui”: historia e ardhjes në pushtet të një diktatori, me ndihmën e mafisë, përmes dhunës, por sidomos përmes servilizmit të burokratëve e përmes apatisë dhe frikës së njerëzve të zakonshëm.

“Në këto momente dëshirojmë të ngushëllojmë familjarët, kolegët, studentët dhe dashamirët e artit e të jetës së Bekim Lumit. Një mendje e shkëlqyer nuk është më mes nesh”, ka përfunduar Kurti.

Bekim Lumi ka vdekur sot pas një lufte më shumë se dy vjeçare me një sëmundje e rëndë.

Nesër homazhe për Bekim Lumin

Teatri Kombëtar i Kosovës nesër duke filluar nga ora 12:00, do të organizojë homazhe dhe një mbledhje komemorative për aktorin dhe regjisorin Bekim Lumi.

Këtë e ka bërë të ditur dramaturgu Jeton Neziraj i cili ka njoftuar se Këshill organizativ ka vendosur që në orën 14:00, të jetë ceremonia e varrimit.

Bekim Lumi ka vdekur sot pas një lufte më shumë se dy vjeçare me një sëmundje e rëndë.

‘Shfaqja më e mirë artistike e Kosovës sot qenka kry pa duartrokitje’

Shkruan: Nezir Kraki

Sot arti e paska humb një frymë.

Shfaqja më e mirë artistike e Kosovës sot qenka kry pa duartrokitje.

Producenti i universit e mbylli parakohshëm perden e skenës jetësore të Bekim Lumit, pa e pyet publikun.

Skena këtu poshtë është në zi…
Ndoshta arti i qiejve kishte nevojë për frymën e Bekimit, për mirësinë e tij.
Se edhe parajsa thonë bëhët monotoni në mungesë kreativiteti.

Por…

…edhe parajsa mund të priste.

Rrezatoftë Atje siç rrezatoi këtu!
Pushoftë Atje siç ishte këtu! i qetë.

Kumbaro: Bekim Lumi mbetet regjisori që sfidoi me art ikjen tokësore

Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro me anë të një mesazhi dërguar Ministrit të Kulturës në Kosovë, Kujtim Gashit ka shprehur ngushëllimet për humbjen e regjisorit Bekim Lumi, shkruan KultPlus.

Kumbaro e ka cilësuar vdekjen e Lumit si një humbje të madhe për teatrin shqiptar. Më poshtë ju sjellim mesazhin e plotë dërguar ministrit Gashi.

I nderuar z.Gashi,

Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë shpreh ngushëllimet e thella për humbjen e parakohshme të Profesorit dhe Regjisorit të Artit Skenik, Bekim Lumi.

Ikja e tij është një humbje e madhe për teatrin shqiptar.

Me kontributin e tij të vyer në skenën mbarëkombëtare, me idetë novatore dhe risitë që solli, Bekim Lumi mbetet regjisori që sfidoi me Art ikjen tokësore dhe i qëndroi skenës deri në momentin e fundit.

I bashkohemi dhimbjes së Kosovës, familjes, artistëve dhe gjithë dashamirësve. Ai është Artisti i të gjithë shqiptarëve!
I paharruar kujtimi i tij!

Bekohet zani n’yjsinë e përnatshme

Për Bekim Lumin

Dikush i dhez dritat e shpisë
I nalin do t’tjerë
Çohen gjethet somnabul
E i zgiedhin vet vazat
Me t’blerta
Maje krahi
Si kitara e Jusufit
Si ringjallja e Jezusit

Pushteti i natës
I ban njerzit t’uritun
Vetmitarë të paqtmit
Tuj harru me u lut
Me u ba prap fëmij’
Shoqni me ty

Me krah shtyhen t’ligjt
Na shtyhemi me zemër
Për ditën që po shkon
Veç ni zâ ta l’shoj prej s’largu
Me ty dita âsht krijim
Fitore e luftës së panisun

I bekuemi Bekim,
Udhëtohet lirisht mbi kraht e tu
Ushqyeshëm me skenën tande
Me shije edhe nër shputat e lehta
Bekohet zâni n’yjsinë e përnatshme
Prajshim flehet me frymën e Atit
Kur je ujk e kur je kaproll

Mos zhdryp prej froni
Veç kur t’hahet buka e zez’
Motra e Gjergj Elez Alis, moti than t’ka
Maje bjeshke
Maje krahi

Tuj e lyp t’përsosmen
S’âsht askush si ti
Me u dashunu
E me fal si n’prrall’
Në fund t’ditës

‘Ishte bukur me jetu në kohën tande’

Sot ka ndërruar jetë regjisori Bekim Lumi, i cili prej kohësh vuante nga sëmundja e rëndë e kancerit, shkruan KultPlus.

Në mesin e shumë artistëve që kanë shprehur ngushëllimet e kanë ndarë kujtimet e tyre më të mira për Bekim Lumin, ka qenë edhe këngëtarja Rona Nishliu.

“Mirëupafshim Bekë! Jam e lumtur që të njoha personalisht, qysh në fillimet e mia në gazetari, kur ti ishe magjiku i natës në Radio +. Fat që mësova dhe u inspirova nga ti. Ishte bukur me jetu në kohën tande. Vullneti, përkushtimi, përgjegjësia, puna kolosale janë thjesht rezultat i dashurisë tënde për artin. Nuk besoj që do t’më mjaftoj kujtimi për ty, por ikja jote nuk është e përjetshme, Ti je i përjetshëm Bekë. Të dua shumë”, ka shkruar në postimin e saj Rona Nishliu.

Regjisori dhe profesori i njohur i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, Bekim Lumi, që prej dy vitesh po përballej me një sëmundje të rëndë./ KultPlus.com

Haradinaj: Lumi, ndër më të veçantët në artin skenik në Kosovë

Sot ka ndërruar jetë regjisori Bekim Lumi, i cili prej kohësh vuante nga sëmundja e rëndë e kancerit, shkruan KultPlus.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj e ka cilësuar si pikëllues lajmin e ikjes në amëshim të regjisorit Lumi, ndërsa e ka cilësuar si ndër më të veçantët në artin skenik të Kosovës.

“Ikja e hershme e Lumit ka lënë një zbraztësi të madhe në familje, shoqëri dhe sidomos në artin e regjisë. Ai nuk reshti për tre dekada me radhë t’i jepte vulën e tij origjinale artit dramatik të Kosovës.
Ngushëllime të sinqerta familjes Lumi, të gjithë atyre artistëve që punuan më të si dhe miqve të shumtë. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, shkruhet në postimin e Haradinajt.

Regjisori dhe profesori i njohur i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, Bekim Lumi, që prej dy vitesh po përballej me një sëmundje të rëndë./ KultPlus.com

Thaçi: Bekim Lumi kontribuoi shumë për artin, teatrin, kulturën dhe për edukimin e artistëve të rinj

Sot ka ndërruar jetë regjisori Bekim Lumi, i cili prej kohësh vuante nga një sëmundje, shkruan KultPlus.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi këtë lajm e ka cilësuar si të dhimbshëm ndërsa Lumin si një njeri që në vazhdimësi ka kontribuar në fushën e artit.

“I dhimbshëm lajmi për vdekjen e parakohshme të mikut tim, Bekim Lumi. Si artist e si regjisor, Bekim Lumi kontribuoi shumë për artin, teatrin, kulturën dhe për edukimin e artistëve të rinj. Ngushëllime familjes Lumi dhe të gjithë artistëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij”, shkruhet në postimin e presidentit Thaçi.

Regjisori dhe profesori i njohur i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, Bekim Lumi, që prej dy vitesh po përballej me një sëmundje të rëndë./ KultPlus.com

Bekim Lumi emblema e teatrit modern shqiptar, mbrëmë me “Arturo Ui” përmbushi ëndrrën e tij përgjatë 20 vitesh karrierë

Sarandë Selimi

“Arturo Ui”, është gjakim i çdo regjisori dhe ëndërr e çdo aktori”, këto ishin fjalët e para që regjisori Bekim Lumi, i pati thënë në një intervistë për KultPlus, asokohe kur teksti i Bertolt Brecht, ishte vetëm në sallën e leximit në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Pas plotë 1 viti prova “Arturo Ui”, u punua nga Bekim Lumi dhe realizoi ëndrrën e aktorëve në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, aty ku mbrëmë erdhi në jetë kjo shfaqje përpara një audience jashtëzakonisht të madhe.

Për 2 orë e disa minuta, kasta e aktorëve në përbërje të: Bujar Ahmeti, Afrim Kasapolli, Afrim Muçaj, Labinot Raci, Faris Berisha, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Edon Shileku, Valmir Krasniqi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Muhamed Arifi dhe Alban Rexhaj, sollën në çdo cep të skenës frymën e Bekim Lumit. Ata sollën teatrin modern, ashtu siç di vetëm Bekim Lumi ta bëjë. Sollën gegnishtën e toskërishten e pastër ashtu siç Bekim Lumi flet. Sollën lëvizjet, lojën e thellë e të fuqishme dhe shpirtin artistik e të madh, që kush më shumë se Bekim Lumi e ka.

Bekimi mbrëmë nuk ishte vetëm fizikisht në premierën e “Arturo Ui”-së, të cilën e punoi përgjatë 1 viti, duke sjellë një perlë që do mbetet gjatë në memorien e artdashësve.

“Bekimi ishte aty ne çdo sekondë, ishte ne çdo finesë dhe në çdo moment të shfaqjes. Mendoj që kjo shfaqje do të jetë shumë gjatë në repertor dhe mendoj që është një nga kryeveprat e historisë së artit shqiptarë. Është një vepër e jashtëzakonshme që korrespondon dhe e bënë një biopsi të realitetit të rëndë në të cilën kalon Kosova në realitetin e pasluftës. E trajtime me finesë, thellësi, guxim të jashtëzakonshëm dhe art të rafinum”, tha menjëherë pas shfaqje regjisori Fadil Hysaj, duke vazhduar të thotë se ndihet mirë që po e sheh këtë shfaqje pikërisht nga Bekim Lumi, të cilin ai e sheh si një zë të fuqishëm të skenës shqiptare.

“Lirisht mund të them që është një emblemë e teatrit modern shqiptar”, theksoi Hysaj, për KultPlus.

“Arturo Ui” është një dramë e shkruar në vitin 1941 nga dramaturgu i shquar gjerman dhe botëror Bertolt Brecht (1898 – 1956), gjatë kohës së ekzilit të tij trejavësh në Helsinki (Finlandë), përderisa ai, për shkak të përndjekjes nga fashizmi, po e priste vizën për emigrim në SHBA. Me formën, me përmbajtjen dhe me personazhet e saj, kjo dramë, në mënyrë simbolike, përshkruan, tematizon dhe portretizon historinë e dhunshme të uzurpimit të pushtetit politik dhe ekonomik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet ‘30 të shekullit 20. Edhe pse ngjarjet janë të përqendruara në Çikago dhe në Cicero të SHBA-së, ato, në të vërtetë janë një aludim metaforik për ndodhitë dramatike të kësaj kohe në Austri dhe në Gjermani. Dhuna fizike, plaçkitjet, djegiet, grabitjet, haraçi, korruptimi dhe kërcënimet ndaj tregtarëve e politikanëve, deri edhe vrasjet e tyre e, më tutje, edhe gjyqet farsë përmes presioneve dhe shantazheve ndaj dëshmitarëve të krimit, janë vetëm disa nga tablotë e kësaj drame me 17 pamje, e cila, për shkak të temës që e trajton dhe për shkak të aktualitetit të saj të vazhdueshëm, vlerësohet si një nga satirat më të mira politike dhe historike të shekullit ’20. Për shkak të disa ngjashmërive dhe përkimeve të qëllimshme, “Arturo Ui”, me përmbajtjen, me disa nga motivet dhe me kryepersonazhin e saj, nga kritikët, krijuesit dhe njohësit e teatrit vlerësohet edhe si kipci bashkëkohor i tragjedisë “Rikardi III” të William Shakespeare-it.

Ky ishte “Arturo ui” luajtur nga aktori kosovar Bujar Ahmeti, që solli krejt këtë rrëfim mbrëmë në TKK. Për çudi, mbrëmë në këtë teatër u panë edhe shumë njerëz që jo shpesh i shohim mes artit kosovar. Padyshim që ishte një mbledhi e madhe, sepse, përveç premierës dhe 120 vjetorit të lindjes së autorit që shkroi këtë dramë, mbrëmë ishte edhe 20 vjetori i krijimtarisë së regjisorit Bekim Lumi.

Sëmundja e rëndë me të cilën po përballet tash e sa kohë, pikërisht në ditën e premierës e shtriu në spital. E duartrokitjet e audiencës dhe fjalët e kolegëve të Lumit, e dëshmonin që presin edhe shumë krijimtari të tjera nga ai. Ata thanë që mbrëmë festuan për Bekën, sepse ishte festë.

“Ajo çka është e bukur është që shfaqja e pati premierën pas një kohe të gjatë që është punuar duke i ditur edhe ne problemet shëndetësore të Bekimit. Në punën e Bekimit të gjithë e njohim, stilin e tij por unë pres ende nga Bekimi. Ai sonte nuk ishte këtu por jam i bindur që ne do të shohim edhe shfaqje të tjera nga ai. Duhet të jemi të gëzuar që e kemi”, u shpreh për KultPlus regjisori Fatos Berisha, duke vazhduar të thotë se ishte një trupë e mirë e aktorëve, të cilët sipas tij funksiononin shumë mirë si grup.

Një lojë e fuqishme erdhi nga aktori Bujar Ahmeti, aktor ky të cilit Bekim Lumi, ia ka besuar rolet e mëdha, siç janë edhe Hamleti dhe Nëna dhe Fëmija. Bujari, është aktori më i ri që luajti “Arturo Ui”-n. Ai me shumë emocione e me lot në sy, për KultPlus, u shpreh shumë i lumtur për gjithë këtë, por njëkohësisht, tha se po ndihet i zbrazët.

“Sikur të ishte këtu, padyshim që do të na kritikonte për diçka”, tha Bujari, i cili duke qeshur u shpreh se beson që gjithçka ka shkuar mirë.

“Po ndihem pak i zbrazët, pasi që, prezenca e Bekës e kish bërë edhe më të veçantë këtë natë, por nganjëherë kur nuk është kapiteni lojtarët luajnë edhe më mirë. Besoj shumë që ka shku mirë, ishte një periudhë e gjatë e provave por mendoj që ia dolëm. Ishte eksperiencë shumë e mirë, jam shumë me fat që Bekimi më ka thirrë mua dhe më ka ofruar role të mëdha, pasi që, me Bekën mund të bësh vetëm role të mëdha”, tha për KultPlus Bujar Ahmeti.

“Arturo Ui”, riktheu në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, pas dy vitesh Bekim Lumin. Ndërsa ai njihet për shfaqjet e tij me karakter minimalist e eksperimental. Ai e ka përfaqësuar Kosovën në disa festivale teatrore ndërkombëtare, në të cilat është nderuar me çmime të ndryshme. Para dy vitesh, ai, në Teatrin Kombëtar të Kosovës ka krijuar shfaqjen “Nana dhe fëmija”, ndërkaq në Teatrin Laborator “Loja” shfaqjen “John Cage’s Hamlet”.

Rikujtojmë se shfaqja do të jetë në repertorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që nga muaji shtator i këtij viti./ KultPlus.com

Nesër mbrëma kurorëzohet me premierë ëndrra e mistershme, e bukur dhe e gjatë e Bekim Lumit

Alberina Haxhijaj

Aktorët Bujar Ahmeti, Afrim Kasapolli, Afrim Muçaj, Labinot Raci, Faris Berisha, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Edon Shileku, Valmir Krasniqi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Muhamed Arifi dhe Alban Rexhaj pas shumë muajve punë do të jetësojnë shfaqjen “Arturo Ui”, e cila vjen nën direktivat e regjisorit Bekim Lumi, shkruan KultPlus.

Shfaqja “Arturo Ui” është një shfaqje e krijuar mbi tekstin e dramaturgut të shquar gjerman dhe botëror, Bertoltt Brecht. Ajo pasqyron historinë e dhunshme të rrëmbimit të pushtetit ekonomik dhe politik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet 30’ të shekullit XX.

Drejtori artistik i Teatrit Kombëtar, Agon Myftari, tha se kjo shfaqje është e veçantë pasi që shënon 120 vjetorin e lindjes së Bertolt Brecht-it dhe 20 vjetorin e artit dhe krijimtarisë së regjisorit Bekim Lumi.

“Po më vjen mirë që kjo vepër e madhe po kurorëzohet, nesër do të jetë një festë për Teatrin Kombëtar, do jetë një ngjarje edhe estetike edhe shoqërore e politike, e një rëndësie të veçantë. Më vjen shumë mirë që kjo premierë po ndodh kur unë e udhëheqë artistikisht këtë teatër”, u shpreh ai.

E inskenimi i kësaj shfaqje ka qenë një ëndërr të cilën regjisori Bekim Lumi e kishte pasur që kur kishte qenë në studime.

“Është një andërr të cilën e gjakon secili regjisor, mirëpo jo çdokush e ka guximin më e ngjitë në skenë këtë shfaqje sidomos jo në vitet kur i mungon përvoja. Këtë andërr e kam të kamotshme mirëpo ajo u bë realitet vetëm tani pas 20 viteve krijimtari artistike”, u shpreh ai.

Regjisori Bekim Lumi theksoi se ju është mirënjohës të gjithëve të cilët kanë besuar në të dhe e kanë përkrahur në ‘aventurën e çuditshme e të gjatë’ siç e quan ai.

“Jam i lumtur që ja kam mbërri kësaj dite edhe për kundër sfidave, përkundër sëmundjes dhe gjendjes shëndetësore që ka qenë e që vazhdon të jetë e rëndë, e që më ka munduar jashtëzakonisht shumë në provat e përditshme që kur i kam filluar. Shfaqja ka qenë një proces i lodhshëm një ecuri krijuese bukur e gjatë të cilën në fazat kur unë nuk kam qenë mirë e ka udhëhequr asistenti im Bashkim Ramadani, të cilit i falënderohem. Prandaj dua të falënderoj atë, teatrin por dhe aktorët të cilët kanë pasur durimin me më ndjek në këtë andërr të mistershme, të bukur, të gjatë dhe të randë por mbi të gjitha të bukur artistikisht, e cila pas shumë përpjekjeve po finalizohet me një premierë”, tha ai.

E pikërisht dramaturgu Bertolt Brecht, tekstin e të cilit e ka marrë regjisori Bekim Lumi, ka pasur ndikim në orientimin e regjisorit drejt dialektit gegë.

“E folmja skenike për mua duhet të jetë e folmja gegnishte mirëpo nuk e përjashtojë edhe mundësinë që të inskenoj tekste si përkthime të Nolit, apo tekste të ndryshme të cilat e kanë bukurinë dhe freskinë e gjuhës standarde. Por problemi nuk është të Noli e as të Konica e as të autorë jashtëzakonisht të mëdhenj të cilët e kanë njohur shumë mirë të folurën në gjuhën shqipe në të gjitha dialektet por të kultura e pamjaftueshëm ndoshta e publikut tonë për me u pamjaftu krejtësisht me të folmen skenike dhe te kultura e pamjaftueshëm e disave që e kultivojnë dhe e shkruajnë dramaturgjinë”, theksoi ai.

Rolin e gangsteri Arturo Ui do e sjellë aktori Bujar Ahmeti, e sipas regjisorit kanë qenë dy elemente të domosdoshme që kanë bërë atë që të ia besojë këtë rol: energjia krijuese dhe talenti që e posedon ky aktor i ri.

Aktori Bujar Ahmeti tregoi se në fillim ka pasur një frikë ndaj rolit pikërisht për shkak të gjatësisë që ka teksti, mirëpo i ka besuar punës së regjisorit.

“Për mua ka qenë privilegj që ta kem në CV-në time një rol të tillë dhe privilegj edhe më i madh që kjo shfaqje realizohet nën regjinë e Bekim Lumit. Besimi im të Bekim Lumi është shumë i madh, njëlloj si dashnia dhe pasioni me punu me atë e që gjithmonë ka qenë e vazhdueshme dhe e pazëvendësueshme”, u shpreh ai.

Premiera e shfaqjes është nesër duke filluar nga ora 21:00, ndërsa reprizat e kësaj shfaqje do të jenë në fillim të shtatorit./ KultPlus.com

Bekim Lumi sjellë në jetë “Arturo Ui”, në 20 vjetorin e krijimtarisë së tij dhe 120 vjetorin e lindjes së autorit Bertoltt Brecht

Me rastin e premierës së shfaqjes “Arturo Ui”, të regjisorit Bekim Lumi, Teatri Kombëtar i Kosovës nesër organizon konferencën për media. Kjo konferencë mbahet të mërkurën, me 13qershor, në orën 12:00, në skenën e teatrit.

“Arturo Ui” është një shfaqje e krijuar mbi tekstin e dramaturgut të shquar gjerman dhe botëror, Bertoltt Brecht (1898 – 1956), nga regjisori Bekim Lumi dhe, si e tillë, është prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në shfaqje luajnë aktorët: Bujar Ahmeti, Afrim Kasapolli, Afrim Muçaj, Labinot Raci, Faris Berisha, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Edon Shileku, Valmir Krasniqi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Muhamed Arifi dhe Alban Rexhaj. Muzika e shfaqjes është kompozuar nga Dren Suldashi, i cili gjithashtu luan në kitarë. Asistent regjisor është Bashkim Ramadani. Koreografinë e shfaqjes e ka bërë Majlajdo Gala, ndërkaq skenografinë Mentor Berisha, përderisa kostumografinë Alma Krasniqi.

Me formën, me përmbajtjen, me frymën dhe me vetat e saj, kjo dramë, në mënyrë simbolike, përshkruan, tematizon dhe pasqyron historinë e dhunshme të rrëmbimit të pushtetit ekonomik dhe politik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet ‘30 të shekullit 20. Dhuna fizike, plaçkitjet, djegiet, grabitjet, trysnitë, tagri dhe kërcënimet ndaj tregtarëve, politikanëve e gazetarëve, deri edhe vrasjet e tyre, alibitë dhe gjyqet farsë, detyrimet e dhunshme dhe shantazhet ndaj dëshmitarëve të krimit, janë vetëm disa nga tablotë e kësaj drame. Për shkak të temës që e trajton dhe për shkak të aktualitetit të saj të vazhdueshëm, kjo dramë ndërlidhet me shumë nga trendet dhe zhvillimet e përçudshme nëpër botë. Si e tillë, ajo vlerësohet si një nga satirat ma të mira politike dhe historike të shekullit ‘20. “Arturo Ui” nuk është inskenuar asnjëherë deri tani në Kosovë.

Sivjet, për t’u inskenuar, përveç qëllimeve artistike e estetike, janë edhe të paktën dy arsye më shumë: 120 vjetori i lindjes së Bertolt Brecht-it dhe 20 vjetori i artit dhe krijimtarisë së regjisorit Bekim Lumi.

Premiera e shfaqjes “Arturo Ui” është të enjten, me 14 qershor, në orën 21:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

Artistët shqiptarë të Vjenës me një mbrëmje artistike, mjetet e grumbulluara do të shkojnë për Bekim Lumin

Artistët shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Vjenë të Austrisë do të prezantohen me një mbrëmje artistike, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje artistike i dedikohet regjisorit kosovar Bekim Lumi, i cili po përballet me një sëmundje të rëndë, ku mjetet nga kjo mbrëmje do të shkojnë pikërisht në fondin e Bekim Lumit.

Artistët pjesëmarrës në këtë mbrëmje janë: Lorika Ismajli (Soprano), Flaka Goranci (mezzo soprano), Valentina Dubovci (recitim), Visar Kasa (Vokal & Piano), Ferdi Fanaj (violinë), Mennan Bërveniku (piano) dhe Astrit Alihajdaraj, ku ky i fundit do të prezantojë filmin e tij të shkurtë “The Remigrant”.

Përpos këtij filmi, në këtë mbrëmje do të prezantohet edhe interpretimi i veprave më të njohura shqiptare dhe atyre ndërkombëtare, duke përfshirë edhe këngët “Baresha”, “E dehur jam” dhe këngë të tjera të njohura.

Mbrëmja do të mbahet të martën, në Brick-5 Fünfhausgasse 5 1150 në Vjenë, kurse hyrja për të parë këtë mbrëmje është vetëm 10 euro./KultPlus.com

13 mijë dollar për Bekim Lumin nga koncerti në New York (VIDEO)

Përveç shumë iniciativave të miqve të regjisorit Bekim Lumi në Kosovë edhe miqtë e regjisorit të cilët jetojnë dhe punojnë në New York mbrëmë kanë mbajtur një koncert me qëllim që të ndihmojnë regjisorin, shkruan KultPlus.

Riad Ymeri, Ergin Oda, Donika Ukshini-Gjokaj, Kushtrim Hoxha, Lori Miho, Bekim Qela, Lekë Salihu, Faton Macula, Taulant Mehmeti, Arens Leka, Angelo Miho, Shpend Xani, e të tjerë janë bërë së bashku për të ndihmuar artistin.

Duke qenë se regjisori i njohur Bekim Lumi tash e dy vite po përballet me këtë sëmundje, dhe trajtimin i tij i mëtutjeshëm mjekësor po bëhet i papërballueshëm për buxhetin e tij familjar, artistët kanë marrë vendimin që ti ndihmojnë artistin. Përmes koncertit dhe aktiviteteve të tjera artistike, këta artistë kanë arritur që të mbledhur 13 mijë dollarë për të ndihmuar shërimin e regjisorit Lumi.

KultPlus ju sjellë disa pjesë nga ky koncert i mahnitshëm, ku shihet se kanë performuar artisët e njohur që tash e sa kohë po zhvillojnë veprimtarinë e tyre artistike në New York.

Paratë e mbledhura nga kjo natë do të përdoren për tu solidarizuar me regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj./ KultPlus.com

Fotografitë nga shfaqja “Çifti Martin” me regji të Bekim Lumit, shiten për të ndihmuar atë (FOTO)

Vazhdon ndihma në forma të ndryshme për regjisorin e njohur kosovar Bekim Lumi.

Së fundmi fotografi Petrit Prenaj, ka nxjerrë në shitje dy fotografi të realizuara nga shfaqja e vetë regjisorit Lumi “Çifti Martin”, e inskenuar në vitin 2009 në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Këto dy fotografi të realizuara me shumë mjeshtri nga Petriti sjellim pak nga arti i madh i Lumit. Petrit Prenaj, këto fotografi i ka nxjerrë në shitje përmes rrjetit social facebook, me mbishkrimin: “Le ta ndihmojmë me art Bekim Lumin. Duke blerë këtë dy foto, të cilat i kam realizuar nga shfaqja e tij “Çifti Martin”, më 2009, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ju mund të kontribuoni në shërimin e Bekimit. Çmimi për secilën nga fotot nis nga 120 Euro, me mundësi që atë ta rrisni vetë sa të doni. [email protected] ose 044 222 988”, shkruan Petrit Prenaj./ KultPlus.com

Ekspozitë shitëse për Bekim Lumin

Të mërkurën, në ora 18:00 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë do të hapet ekspozita shitëse, ekspozitë kjo që dedikohet për shërimin e regjisorit Bekim Lumit, shkruan KultPlus.

“Shpresojmë që të reflektoni për ta ndihmuar profesorin i cili po vuan nga sëmundja e kancerit, shpenzimet financiare për kurimin e tij janë të pa përballueshme që ti mbuloj i vetëm, ne së bashku mund ti ndihmojmë me sado pak kontribut që ti sigurojmë mjetet e nevojshme që i duhen më shumë se kurrë profesorit, edhe më shumë na duhet ai neve dhe vendit tonë sepse është vlerë e madhe për UP-në dhe Teatrin Kombëtar. Ne mund ti ruajmë vlerat tona”, thuhet nga organizatorët e kësaj ekspozite, që është Këshilli i Studentëve të Fakultetit të Arteve të Bukura në Prishtinë.

Autorët që kanë nxjerrë në shitje veprat e tyre janë: Visar Sylaj, Imer Gashi, Arbresha Gashi, Bedri Haziri, Fjolla Ferati, Arben Elshani, Valdrin Thaçi, Lumturie Krasniqi, Shkurta Haxhiu, Egzon Arifi, Avni Demiri, Edison Bibaj, Ardita Krasniqi, Arlinda Kabashi, Sabri Rushiti, Krenare Sejdiu, Edmond Hoti, Donat Krasniqi, Gentian Gashi, Gentiana Thaçi, Arbresha Lakna, Gentiana Belallari, Filloreta Gashi, Qendresa Zeka, Ardhmerie Bregovina,Dardan Murseli, Dardan Shala, Ajnesha Berisha, Besa Sopaj, Albana Ejupi dhe Arbnor Karaliti./KultPlus.com

Premiera e “Pasioni”-t të Sabri Hamitit, i dedikohet iniciativës për Bekim Lumin

Teatri Kombëtar i Kosovës ka kënaqësinë të ju njoftojë lidhur me shfaqjen “PASIONI” nga Sabri Hamiti dhe me regji nga Martin Kočovcki e cila vjen si Premierë përpara publikut me datën 19.03.2018 (E hënë) ora 20:00, dhe do të përcillet me dy reprizat e para në ditët në vijim me datë 20 dhe 21.03.2018.

Në vazhdën e aktiviteteve kulturore që po organizohen nga Komuniteti i Artistëve të Kosovës për ta ndihmuar financiarisht shërimin e njërit prej artistëve më eminent të kulturës sonë dhe të skenës teatrore në veçanti, regjisorit dhe profesorit Bekim Lumi, Këshilli Drejtues në bashkëpunim të ngushtë me Menaxhmentin e TKK-së kanë marrë vendim që të hollat e mbledhura nga shitja e biletave për Premierën “Pasioni” t’i dedikohen kësaj iniciative. Bileta për premierë do të kushtojnë 5€. Teatri Kombëtar i Kosovës i ka vënë biletat në shitje në dispozicion të publikut të gjerë andaj ju fton që të jeni pjesë e kësaj ngjarjeje kulturore duke e ndihmuar dhe duke i uruar bashkërisht Bekim Lumi rikthimin e tij të plotë në jetën normale dhe profesionale.

“Shfaqja “Pasioni” zhvillohet si një strukturë e ndërthurur dramaturgjike mes dy vëllezërve bijakë dhe një nëne, Hana, që mbledhin gjithë fuqinë jetësore duke u përpjekur për ta rikonstruktuar botën e dashurisë, botën e emocioneve të thella, raporteve të vlerave, refuzimin karshi vdekjes së paevitueshme nga njëra anë, dhe botës së dehumanizuar të shtrirë si shoqëri e uniformuar, masë amorfe në të cilën individët nuk kanë emra e as individualitet, një botë ku njerëzit janë shndërruar në numra përbrenda një jete virtuale, pa emocion, pa rrespekt, pa dashuri. Një bote në të cilën shitet gjithçka, një botë e kriminalizuar dhe e materializuar deri në çmenduri.”

Luajnë: Shkelzen Veseli, Gresa Pallaska, Ard Islami, Arta Selimi, Shpejtim Kastrati, Ismet Azemi, Lumnie Sopi, Semira Latifi, Shengyl Ismaili.


Produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës
Autor: Sabri Hamiti
Regjisor: Martin Kočovski
Skenografe dhe Kostumografe: Youliana Voykova – Najman
Kompozitor: Oliver Josifovski
Dizajni i ndriçimit:
Kori i SH.M.M “Prenkë Jakova” – Prishtinë