Fadil Berisha dhuron fotografitë për Bekim Lumin

Aktivitetet për Bekim Lumin krahas Kosovës, po organizohen edhe në Amerikë. Atje do të mbahet një mbrëmje me muzikë shqiptare, në mënyrë që të kontribuohet në shërimin e regjisorit dhe profesorit Bekim Lumi, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje është iniciativë e artistëve dhe miqve të Bekim Lumit, shumica e të cilëve jetojnë dhe veprojnë në New York. Në mesin e tyre është edhe fotografi i njohur Fadil Berisha, i cili ka dhuruar si donacion disa nga fotografitë e tij.

Kjo mbrëmje do të mbledh disa artistë të shquar shqiptarë si Riad Ymeri, Ergin Oda, Lekë Salihu, Faton Macula, Kushtrim Hoxha, Donika Ukshini-Gjokaj, Lori Miho, Angelo Miho, Bekim Qela , Shpend Xani dhe Arens Leka, e emra të tjerë. Të gjithë të ardhurat e kësaj mbrëmje do të shkojnë në shërimin e regjisorit, Bekim Lumi.

Kjo mbrëmje do të filloi në orën 19:00, të hënën tjetër, në Scandinavia House, 58 Park Ave, New York. Tiketat do të mund të blihen në hyrje të derës kurse çmimi i tyre është 50 dollarë./ KultPlus.com

Krijimet e Sara Shalës në ankand, për regjisorin Bekim Lumi

Artistët brenda dhe jashtë Kosovës, po vazhdojnë të organizojnë aktivitete në mënyrë që të mblidhen mjete financiare, për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi që tash e dy vite po përballet me sëmundjen e rëndë të kancerit, shkruan KultPlus.

Edhe miqtë dhe artistët e Bekim Lumit në New York tashmë kanë filluar që përmes krijimeve dhe aktiviteteve të tyre, të kontribuojnë në shërimin e regjisorit Lumi. Në mesin e tyre është edhe dizajnerja Sara Shala, e cila ka vënë në shitje një nga krijimet e saj, që përmban 260 gur kubik zirkon që janë të vendosura në argjend dhe të veshura me ari të bardhë për më shumë shkëlqim./ KultPlus.com

Për Bekim Lumin, artistët dhuruan veprat e tyre ndërsa Veton Surroi 200 kopje të librit “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”

Alberina Haxhijaj

Skena e vogël e Teatrit Kombëtar të Kosovës, mbrëmë, ka qenë e rrethuar me vepra artistike të realizuar nga artistë të ndryshme. Të gjitha këto vepra, të ekspozuara, më pas janë shitur përmes ankandit i cili është realizuar nga vet artistët. Të ardhurat nga shitja e këtyre punimeve i janë dedikuar shërimit të regjisorit Bekim Lumi.

Aktivitet të tilla për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi, janë duke u realizuar ditëve të fundit, në mënyra të ndryshme. Dikush më këngë, disa me poezi, të tjerë me shfaqje dhe disa me dhurimin e punimeve të tyre po ndihmojnë në mbledhjen e parave, për të ndihmuar në shpenzimet e shërimit të regjisorit, shkruan KultPlus.

Aktori Fatmir Spahiu i cili është edhe njëri prej artistëve që ka marrë këtë iniciativë, e që moderoi këtë ankand, u shpreh i lumtur që artistë kanë dhuruar punime e tyre për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi.

“Ky është vetëm njëri prej angazhimeve në vazhdën e aktiviteteve. Synimi jonë është që të mbërrijmë tragetin e paracaktuar. Kjo mbrëmje ishte më ndryshe sepse unë isha vetëm njëri nga ata që dhamë një kontribut të vogël kurse pamë shumë artistë që dhuruan veprën e tyre diçka që është shumë e vështirë, të dhurosh një punë, ide kreacion tëndin, një pjesë të shpirtit për një kauzë të tillë. Prandaj unë jam shumë i lumtur edhe për ata edhe për vetën që po mundemi me provu me i ndihmu një miku tonë i cili ka nevojë, sepse nesër secili nga ne mund të jetë në një pozitë të tillë”, tha ai për KultPlus.

Tutje ai theksoi se ky është një solidarizim i artistëve që nuk është parë më herët. “Kjo më entuziazmon pa masë sepse nuk e kam besuar që mundemi më u sensibilizu kështu. Të ju them sinqerisht, kam menduar që t’i bësh të gjithë këta njerëz bashkë për një kauzë të tillë është e pamundur por më ka dalë ndryshe dhe jam shumë i befasuar për të mirë”, theksoi ai.

Nga ky ankand i pikturave, skulptura, grafika dhe punimeve të tjera artistike e po ashtu nga shitja e librit “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, u grumbulluan 3 mijë e 600 euro për regjisorin Bekim Lumi. Autori i dramës “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, Veton Surroi u shpreh sa ai ka dashur që të ndihmojë në këtë aktivitet pasi që regjisori Bekim Lumi është person i cili e meriton një kujdes të tillë.

“Libri sapo ka dalë nga shtypshkronja dhe kam vendosur që 200 kopje të ia dhurojë këtij aktivitetit për Bekim Lumin. Ka pasur simbolikën e vet pasi që është pjesë e një ambienti kulturor artistik i cili kontribuon dhe unë deshta që më këtë të kontribuojë. Kjo ndjenja e solidariteti që po krijohet është e mrekullueshme. Vet Bekimi si person e meriton këtë kujdes por fakti që po zgjohet solidariteti i artistëve ka domethënie shumë të madhe”, u shpreh ai për KultPlus.

Paratë e mbledhura nga kjo natë do të shkojnë në ndihmë për regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj./KultPlus.com

Grumbullohen sonte 3600 euro për regjisorin Bekim Lumi

Janë grumbulluar sonte 3600 euro nga ankandi i piktura dhe shitja e librave në një organizim artistik në Prishtinë.

Në ndihmë për regjisorin Bekim Lumi, sonte erdhi një organizim tjetër në maratonën e aktiviteteve humanitare, për të ndihmuar në shpenzimet e shërimit të regjisorit Bekim Lumi.

Në këtë ekspozitë u shitën piktura, skulptura, grafika ndërsa të gjitha të hollat do të shkojnë për shërimin e regjisorit Lumi. / KultPlus.com

Artistët për Bekim Lumi edhe në Ferizaj (FOTO)

Aktivitetet për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi, tashmë përveç Prishtinës po mbahen edhe në qytete të tjera të Kosovës. Një aktivitet i tillë po organizohet gjatë kësaj jave në Ferizaj, shkruan KultPlus.

Shoqata e Artistëve Figurativ “Zef Kolombi” në Ferizaj, këto ditë ka organizuar aktivitetin bamirës “Artistët për Artistin”, me qëllim ofrimin e ndihmës ndaj Regjisorit Bekim Lumi, i cili po përballet më sëmundjen e rëndë të kancerit tash e dy vite.

Të gjithë ata që duan të blejnë piktura, fotografi, libra dhe ëmbëlsira këtë mund ta bëjnë deri në fund të javës në Sheshin e Komunës së Ferizajit. Të ardhurat do të kontribuojnë në shërimin e regjisorit Lumi.
“Pasuroni dhe zbukuroni shtëpitë dhe ambientet tuaja, me çmime të lira dhe me qëllim shumë humanitar”, shkruhet në njoftimin e këtij aktiviteti.

Aktiviteti do të zgjasë deri ditën e Premte të kësaj jave, nga ora 12:00 deri në orën 18:00./ KultPlus.com

Ankand-ekspozitë shitëse për Bekim Lumin

Tashmë çdo ditë e më shumë po shtohen aktivitetet artistike, në mënyrë që të ndihmohet regjisori dhe profesori, Bekim Lumi që po përballet tash e dy vite me sëmundjen e rëndë të kancerit, shkruan KultPlus.

Sonte në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të hapet ankand-ekspozita shitëse. Në këtë ekspozitë do të shiten piktura, skulptura, grafika ndërsa të gjitha të hollat do të shkojnë për shërimin e regjisorit Lumi.

Udhëheqës i këtij ankandi është aktori, Fatmir Spahiu. Kjo ankand-ekspozitë shitëse do të hapet sonte, duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com

Këngë nga zemra dhe poezi për Bekim Lumin

Qendra Multimedia, sonte, ka mirëpritur adhuruesit e muzikës dhe poezisë, të cilët ishin mbledhur me një qëllim mjaftë fisnik para tyre, për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi. Mbrëmja filloi me poezinë “Të gjithë më duan” të shkruar nga Shpëtim Selmani, kurse u mbyll bukur nga zëri i Rona Nishliut, e cila solli këngën “Baresha”, e shoqëruar nga Ilir Bajri.

Alberina Haxhijaj

Rona Nishliu dhe Ilir Bajri dhanë një performancë të improvizuar, duke sjellë këngë mjaftë të njohura, por në një verzion të padëgjuar më parë e që erdhi pikërisht nga zemra, siç ata e ndjenin dhe për një person që e kanë shumë për zemër.

Këngëtarja Rona Nishliu u shpreh për KultPlus se pavarësisht nga organizimet e ndryshme, të cilat janë në rrafshin e artistëve, ndihma institucionale është shumë e rëndësishme.
“Unë jam pjesë e një grupi të artistëve të cilët bashkërisht kemi organizuar një fushatë të tërë. Nuk e di nëse kjo mjafton ose jo, mirëpo ne po bëjmë përpjeke që përmes gofoundme.com/bekimlumi të sensibilizojmë të gjithë njerëzit të cilët kanë mundësi dhe kanë dëshirë që të kontribuojnë në shërimin e Bekimit”, u shpreh ajo, duke theksuar se procedurat mjekësore janë shumë të shtrenjta dhe të papërballueshme për familjen.

“Jam befasuar me përgjigjen dhe solidarizimin e njerëzve, janë treguar shumë bujar dhe bashkëpunues. Më vjen shumë mirë që kanë bashkëndjerë dhe janë bërë ndoshta pjesë e kësaj rruge shumë të vështirë të Bekimit, dhe bashkë më të, të gjithë ne po mundohemi që ta luftojmë armikun e tij shumë të fortë”, është shprehur Nishliu.

Poezitë nga libri “Në kohën e gjakut dhe zhgënjimit”, të cilat u lexuan gjatë kësaj nate janë të shkruara gjatë periudhës 2010-2017. Libri është i ndarë në tri pjesë, kurse pjesa e katërt përmban letra, të cilat Selmani ua ka kushtuar disa autorëve, personazheve fiktive dhe njerëzve të cilët ai e ka ndjerë se ka diçka për t’u thënë.

Shpëtim Selmani u shpreh për KultPlus se regjisorin Bekim Lumi e admiron për guximin dhe dashurinë që ka ndaj punës së tij dhe kontributin që i ka dhënë kulturës në Kosovë. Tutje ai tregoi se poezia për të është një hapësirë ku ai ndjehet si mbret, ku mund të përballet me të gjithë dhe çdo gjë, hapësirë ku ai ndjehet vetvetja.

“Libri është botuar në vitin 2017 kurse sot është promovuar. Libri me poezi ‘Në kohën e gjakut dhe zhgënjimit’ është se unë konsideroj se periudha 2010-2017 ka qenë një lloj zhgënjimi, i cili na ka mbuluar të gjithëve, dhe poezia ka qenë evidente edhe të unë, pa dashur unë. Përveç poezisë, unë vetëm mundem të lufoj realitetin dhe të krijoj një hapësirë ku unë mundem të ndihem mirë, prandaj është edhe gjaku. Pra poezi është diçka brenda meje”, është shprehur ai, duke theksuar se poezia për të është edhe një lloj mjeti për mbijetesë, mirëpo pa e kuptuar akoma se pse apo si.

Paratë e mbledhura nga kjo natë do të shkojnë në ndihmë për regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj. Ngjarje të tilla janë realizuar gjatë muajit të kaluar, kurse do të vazhdojnë edhe gjatë këtij muaji./KultPlus.com

“Çifti hapur” këtë të enjte në Dodona, Për Bekimin

“Çifti hapur”, me tekst të Dario Fo dhe France Rame dhe me regji të Kushtrim Koliqit do të shfaqet këtë të enjte në Teatrin “Dodona”, në mënyrë që të kontribuohet në shërimin e regjisorit Bekim Lumi, shkruan KultPlus.

Një vepër gjithmonë aktuale dhe fantastike mbi raportin burrë-grua, me situata sa qesharake aq edhe të prekshme. Kjo shfaqje ngrit një dilemë kryesore se a është “Besnikëria bashkëshortore gjë e vjetruar apo nuk ekziston me?”

Kjo shfaqje jetësohet nga aktorët: Edona Reshitaj dhe Besart Sllamniku.

“Me u kënaqe, me u argëtu dhe njëkohësisht me kontribu për diçka madhore, është gjeja më e lehtë qe mundeni me bo”, ka shkruar aktori Besart Sllamniku.

Kjo shfaqje prezantohet në kuadër te Kampanjës humanitare #PërBekimin, në kuadër të se cilën do të prezantohet “Muaji Artistik” në Teatrin Dodona, ku çdo javë shikuesit do të kenë mundësinë të shkojnë dhe ta shohin nga një shfaqje me përzgjedhje të mrekullueshme./ KultPlus.com

Thirrja për të ndihmuar Bekim Lumin shkon deri në New York, artistët e atjeshëm me koncert për regjisorin

Miqtë e regjisorit Bekim Lumi, të cilët jetojnë dhe punojnë në New York do të mbajnë një koncert me qëllim që të ndihmojnë regjisorin, shkruan KultPlus.

Riad Ymeri, Ergin Oda, Donika Ukshini-Gjokaj, Kushtrim Hoxha, Lori Miho, Bekim Qela, Lekë Salihu, Faton Macula, Taulant Mehmeti, Arens Leka, Angelo Miho, Shpend Xani, janë bërë së bashku për të ndihmuar artistin, të cilët bashkë do të performojnë më 26 mars.

Duke qenë se regjisori i njohur Bekim Lumi tash e dy vite po përballet me këtë sëmundje, dhe trajtimin i tij i mëtutjeshëm mjekësor po bëhet i papërballueshëm për buxhetin e tij familjar, artistët kanë marrë vendimin që ti ndihmojnë artisti.

Koncerti do të mbahet në Scandinavia House, 58 Park Ave, New York, NY. Tiketat do të mund të blihen në hyrje të derës kurse çmimi i tyre është 50 dollarë.

Paratë e mbledhura nga kjo natë do të përdoren për tu solidarizuar me regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj. Ngjarje të tilla janë realizuar gjatë muajit të kaluar kurse do të vazhdojnë edhe gjatë këtij muaji./KultPlus.com

‘Me dasht’…’ në Gjakovë për regjisorin Bekim Lumi

Tashmë janë shpeshtuar aktivitetet artistike për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi, i cili po përballet me sëmundjen e rëndë të kancerit.

Për ta ndihmuar regjisorin, një mbrëmje filmi do të organizohet edhe në qytetin e Gjakovës, shkruan KultPlus.
Me iniciativën e dramaturges Dhurata Hoti, këtë të shtunë në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” do të shfaqet filmin “Me dasht’, me dasht’, me dasht’ ” i regjisorit Ilir Hasanaj.

Filmi do të shfaqet në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, duke filluar nga ora 19:00.
“Bekim Lumi gjithmonë ka shprehur dashuri e pasion për artin e krijuar prej të rinjve kosovar, prandaj kemi vendosur të shfaqim një prej prodhimeve më origjinale në kinematografinë e vendit tonë”, shkruhet në njoftimin e kësaj ngjarje.

Paratë e mbledhura nga kjo natë do të përdoren për tu solidarizuar me regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj.

Vlera e kontributit mund të bëhet tek hyrja me një shumë të pacaktuar, ku secili vendos sipas vullnetit dhe mundësive.

Kjo ngjarje u mbështet nga Grupi i Grave Asambleiste dhe Drejtoria për Rini, Kulturë dhe Sport e Komunës së Gjakovës. / KultPlus.com

Poezi e kangë të zemrës për regjisorin Bekim Lumi

Për regjisorin Bekim Lumi po vazhdon solidarizimi i artistëve dhe qytetarëve, në mënyrë që ai të gjejë shërimin e tij nga kanceri.

Në vazhdën e plot ngjarjeve që po mbahen për të ngritur fonde për regjisorin e njohur, me datë 13 mars do të organizohet një mbrëmje kulturore me artistë të ndryshëm.

Me fillim prej orës 20:00, me datë 13 mars, në Qendrën Multimedia vjen një organizim me muzikë e poezi. Shpëtim Selmani do ta promovojë librin e tij më të ri, dhe do të lexojë poezitë e tij, ndërsa Rona Nishliu e Ilir Bajri do të vazhdojnë me këngët e zemrës për Bekën.

Hyrja në organizimin kulturor është 3 euro, ndërsa gjithçka po organizohet në kuadër të fushatës humanitare për të ndihmuar Bekim Lumin. / KultPlus.com

Natë humanitare artistike për Bekim Lumi në Hamam Bar

Që prej dy vjetësh regjisori i mirënjohur dhe profesori i Fakultetit të Arteve të UP-së, Bekim Lumi, është duke u përballë me sëmundjen e rëndë të kancerit, shkruan KultPlus.

Komuniteti artistik po vazhdon të organizojë aktivitete të ndryshme për të mbledhur fonde për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi. Të mërkurën më 7 mars do të mbahet një mbrëmje humanitare dhe artistike me artistë të mirënjohur në Hamam Bar.

Në këtë mbrëmje do të performojnë live: Edona Reshitaj, Visar Kuçi dhe Art Lokaj. Po ashtu do të ketë edhe stand- up nga aktorët Fatmir Spahiu- Bufi, Dardan Islami, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi e mysafirë të tjerë.

Mbrëmja do të hapet më 7 mars, të mërkurën duke filluar nga ora 21:00 ndërsa hyrja do të jetë 5 euro./KultPlus.com

Veshu Brada dhe ndihmo Bekim Lumin

Artistët kosovarë tashmë po organizojnë ngjarje dhe iniciativa të ndryshme në mënyrë që ta ndihmojnë regjisorin Bekim Lumi, i cili tash e dy vite po përballet me sëmundjen e rendë të kancerit, shkruan KultPlus.

Iniciativave për ta ndihmuar regjisorin, Lumi i është bashkuar edhe kreatorja Yllka Brada, e cila ka nxjerrë në shitje disa nga kreacionet e saj të cilat mund t’i gjeni në Albi Mall. Të gjitha të hollat nga shitja e këtyre kreacioneve shkojnë për regjisorin Bekim Lumi.

“Disa nga kreacionet e dizajneres Yllka Brada këtë vikend i gjeni me çmim për vetëm 85 Euro dhe të gjitha të hollat dërgohen për regjisorin Bekim Lumi. Veshu me Brada dhe ndihmo”, shkruhet në njoftimin “Kreacionet e Yllka Brada #perbekimin”./KultPlus.com

1 mijë e 475 euro u mblodhën mbrëmë për Bekim Lumin

Mbrëmë në kryeqytet në Klubin M është organizuar një festë me muzikë të viteve 90-të, për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi i cili po ballafaqohet me sëmundjen e kancerit, shkruan KultPlus.

Derisa në kryeqytet po organizohen edhe shumë mbrëmje e aktivitete të tjera humanitare, mbrëmja e kaluar ka qenë iniciativë e dy aktoreve, Alketa Sylaj dhe May-linda Kasumoviq. Ato sot kanë treguar lidhur me fondet që janë mbledhur nga ky organizim.

“Shoke dhe kolege, mrame ne nejen e M-it, perpos qe jemi knaqe shume, gjithashtu i kemi mledhe 1,475 euro bashkarisht. Falemnderit shume krejtve per kontributin edhe bashkepunimin. Jeni t’mrekullueshem!”, kanë shkruar ato./ KultPlus.com

Me muzikë të viteve 90-të, sonte ndihmohet regjisori Bekim Lumi

Po vazhdon solidarizimi masiv i artistëve dhe qytetarëve në rastin e regjisorit Bekim Lumi.

Regjisori i njohur ka dy vite që po ballafaqohet me sëmundjen e kancerit.

Sonte, me fillim prej orës 22:00, në kryeqytet në Klubin M do të organizohet një festë me muzikë të viteve 90-të.

“Fundraising 90’s party” mbahet sot, ndërsa të gjithë do të duhet të paguajnë së paku 5 euro biletën, e më pas paratë do të shkojnë në ndihmë të regjisorit, për të cilin kostoja e shërimit po bëhet e pamundur.

“Bekim Lumi, regjisori më i mirë i teatrit, njëkohësisht profesori dhe mentori ynë, ka kontribuuar shumë për artin në Kosovë, e sidomos për formësimin dhe edukimin e studentëve të degës së aktrimit dhe regjisë. Prandaj, i gjithë komuniteti, madje jo vetëm komuniteti artistik por edhe më gjerë, po mundohemi ti ndihmojmë Bekimit në rrugëtimin e tij të kancerit, secili në mënyrën dhe formën e vet” tregon aktorja Maylinda Kasumoviq, e cila sonte bashkë me aktoren Alketa Sylaj po e organizojnë këtë nejë në kryeqytet.

Ky është linku i eventit sonte, një mënyrë tjetër për të ndihmuar e për të shpëtuar regjisorin Bekim Lumi në këto ditë të vështira për të. / KultPlus.com

Sonte për Bekim Lumin koncert në Zanzi

Sonte Zanzi Jazz Bar do të mbledh shumë emra të muzikës që do të performojnë për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi që po përballet më sëmundjen e rëndë të kancerit, shkruan KultPlus.

Tashmë pjesëmarrjen në këtë mbrëmje e kanë konfirmuar këngëtarët: Shpat Deda, Dritëro Nikqi, Blerta Kosova, Nita Latifi, Mentor Haziri, e plotë të tjerë që do të bashkëngjiten.

“Bekim Lumi ka merita t’jashtëzakonshme n’historinë e kinematografisë në Kosovë, kështu që e kemi edhe borxh moral në nifar mënyre”, shkruhet në njoftimin e këtij eventi.

Ndërsa për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi, tashmë kjo mund të arrihet edhe përmes operatorëve VALA dhe IPKO: Përmes operatorit IPKO mund të dërgoni mesazh në në numrin 55049 me tekst “Bekim” . Kurse në operatorin VALA mund të dërgoni mesazh në numrin 55103, me tekstin “Bekim”. Vlera e një SMS-i është 1Euro. Të gjitha të hollat e mbledhura destinohen për shërimin e tij.

Ndërkohë, thirrja që është bërë për të ndihmuar Bekim Lumin ka këto të dhëna si më poshtë, dhe të gjithë ata që duan të ndihmojnë regjisorin, mund ti transferojnë mjetet e tyre në këto xhirollogari.

Bartësi i kontos: BEKIM LUMI
Adresa: Rr. “Theodor Muzaka”, H. 1, Nr. 10, Prishtinë, 10000, RKS, Kosovë
Numri i kontos: 1110251567000198
Banka: ProCredit Bank Kosovo J.S.C.
Adresa e Bankës: Rr. George Bush, Nr. 16, Prishtinë, Kosovë
Ndërkaq, për banorët jashtë Kosovës, përveç të dhënave të mësipërme, duhet të jenë edhe këto shënime shtesë:
Account No (IBAN): XK051110251567000198
SËIFT (BIC) CODE: MBKOXKPRXXX
Bank Identification Code: PRCBDEFFXXX
Correspondent / Intermediary Bank: PROCREDIT Bank AG, Frankfurt am Main, Germany./KultPlus.com

Me një mesazh në operatorin Ipko, mund të ndihmohet shërimi i regjisorit Bekim Lumi

Ndihma për shërimin e regjisorit Bekim Lumi po vazhdon me anë të mënyrave të ndryshme. Tani edhe me anë të dërgimit të një SMS në operatorin IPKO, mund të kontribuohet në shërimin e regjisorit Bekim Lumi, shkruan KultPlus.

Tani mund të dërgoni SMS në numrin 55049 me tekst “Bekim” për ta ndihmuar atë. Vlera e një SMS-i është 1Eur. Të gjitha të hollat e mbledhura destinohen për shërimin e tij.

Që prej dy vitesh, regjisori i mirënjohur dhe profesori i Fakultetit të Arteve të UP-së, Bekim Lumi, është duke u përballë me sëmundjen e rëndë të kancerit. Gjatë kësaj kohe, shpenzimet e trajtimit të gjatë mjekësor në Gjermani kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha dhe ato, me sforcim të madh, janë përballuar vetëm nga familja e Bekimit.

Ndërkohë, thirrja që është bërë për të ndihmuar Bekim Lumin ka këto të dhëna si më poshtë, dhe të gjithë ata që duan të ndihmojnë regjisorin, mund ti transferojnë mjetet e tyre në këto xhirollogari.

Bartësi i kontos: BEKIM LUMI
Adresa: Rr. “Theodor Muzaka”, H. 1, Nr. 10, Prishtinë, 10000, RKS, Kosovë
Numri i kontos: 1110251567000198
Banka: ProCredit Bank Kosovo J.S.C.
Adresa e Bankës: Rr. George Bush, Nr. 16, Prishtinë, Kosovë
Ndërkaq, për banorët jashtë Kosovës, përveç të dhënave të mësipërme, duhet të jenë edhe këto shënime shtesë:
Account No (IBAN): XK051110251567000198
SËIFT (BIC) CODE: MBKOXKPRXXX
Bank Identification Code: PRCBDEFFXXX
Correspondent / Intermediary Bank: PROCREDIT Bank AG, Frankfurt am Main, Germany./KultPlus.com

Për 24 orë, mblidhen dhjetë mijë euro për Bekim Lumin

Që prej dy vjetësh regjisori i mirënjohur dhe Profesori i Fakultetit të Arteve të UP-së, Bekim Lumi, është duke u përballë me sëmundjen e rëndë të kancerit.

Tash ka ardhur një moment kritik, kur për shkak të shpenzimeve të mëdha financiare, atij i duhet mbështetja edhe më e madhe për ta vazhduar përballjen me sëmundjen e kancerit. Shërbimet mjekësore në Gjermani kanë marrë përmasa të papërballueshme. Praktikisht, shpenzimet e këtij trajtimi mjekësor individualisht nga Bekimi dhe familja e tij janë të papërballueshme.

Ndihma për shërimin e regjisorit Bekim Lumi po vazhdon sot në mënyra të ndryshme. Deri më tani për 24 orë janë grumbulluar dhjetë mijë euro, ndërsa nevojitet edhe më shumë.

Tashmë mund të kontribuoni edhe duke dërguar SMS përmes VALA 55103 me tekst BEKIM për vetëm 1 euro.

Ndërkohë, thirrja që është bërë për të ndihmuar Bekim Lumin ka këto të dhëna si më poshtë, dhe të gjithë ata që duan të ndihmojnë regjisorin, mund ti transferojnë mjetet e tyre në këto xhirollogari.

Bartësi i kontos: BEKIM LUMI
Adresa: Rr. “Theodor Muzaka”, H. 1, Nr. 10, Prishtinë, 10000, RKS, Kosovë
Numri i kontos: 1110251567000198
Banka: ProCredit Bank Kosovo J.S.C.
Adresa e Bankës: Rr. George Bush, Nr. 16, Prishtinë, Kosovë
Ndërkaq, për banorët jashtë Kosovës, përveç të dhënave të mësipërme, duhet të jenë edhe këto shënime shtesë:
Account No (IBAN): XK051110251567000198
SWIFT (BIC) CODE: MBKOXKPRXXX
Bank Identification Code: PRCBDEFFXXX
Correspondent / Intermediary Bank: PROCREDIT Bank AG, Frankfurt am Main, Germany./KultPlus.com

Artistët bashkohen në TKK, iniciojnë aktivitete për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi

Gili Hoxhaj

Dhjetëra artistë ishin mbledhur sot në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, prej nga edhe kishin filluar të diskutojnë për aktivitetet e mëtutjeshme për të mbledhur fonde për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi i cili po përballet me sëmundjen e rëndë të kancerit, shkruan KultPlus.

Duke qenë se regjisori i njohur Bekim Lumi tash e dy vite po përballet me këtë sëmundje, dhe trajtimin i tij i mëtutjeshëm mjekësor po bëhet i papërballueshëm për buxhetin e tij familjar, artistët kanë marrë një vendim, që të mobilizohen dhe të solidarizohen me njeriut me të cilin kanë ndarë shumë nga përvoja e tyre.

Pas këtij takimi, Fatmir Spahiu në një deklaratë për media tha se kjo iniciativë është bërë pa dijeninë e regjisorit Bekim Lumit. Ai tregoi se në këtë mbledhje artistët diskutuan disa iniciativa për mbledhjen e fondeve.

“E para që vlen të ceket është se kjo nuk është një iniciativë institucionale dhe në anën tjetër nuk është dëshirë e pastër e regjisorit Bekim Lumi, pra regjisorit artistit e njeriut të teatrit që ne si miq dhe shokë po duam që t’i ndihmojmë. Ai nuk besoj se do ta lejonte një mbledhje të tillë sepse krenaria e tij është e tillë dhe ne e duam ashtu siç është ai”, u shpreh aktori Fatmir Spahiu.

Ai tutje shtoi se kjo mbledhje është një shembull i jashtëzakonshëm që tregon solidaritetin e artistëve që ta ndihmojnë kolegun e tyre. Spahiu tutje tha se përmes aktivitete të planifikuara beson se do ta arrijnë vlerën që është e domosdoshme për regjisorin Lumi.

Ndërkohë Adriana Matoshi sqaroi për media se përmes aktiviteteve të tyre po mundohen që sado pak ta ndihmojnë Bekim Lumin. Ajo tha që dëshira dhe solidariteti që ta ndihmojnë regjisorin, i ka bërë të gjithë aktorët një.

“Jemi bërë një, më vjen keq që në këtë mënyrë jemi bërë një por më shumë se i duhemi ne Bekim Lumit, na duhet Bekim Lumi neve”, u shpreh aktorja Matoshi.

Ajo tregoi për media se gjatë diskutimeve të tyre kanë iniciuar ide të ndryshme për të dhënë kontributin e tyre artistik, përmes detyrave të ndryshme.

“Brenda jemi mbledhur për të dhënë ide që ta japim kontributin tonë artistik në mënyra të ndryshme. Dikush po merr iniciativa që të komunikojnë me njerëzit jashtë Kosovës, dikush me Ministri të Shëndetësisë, dikush me deputet dhe me ministra, e artistë që veprojnë jashtë vendit”, tregoi aktorja Matoshi ndërsa shtoi se ata vet si aktorë kanë marrë iniciativa që të mbajnë aktivitete në shesh apo në klubet dhe kafiteritë e Prishtinës.

Ndërkohë, thirrja që është bërë për të ndihmuar Bekim Lumin ka këto të dhëna si më poshtë, dhe të gjithë ata që duan të ndihmojnë regjisorin, mund ti transferojnë mjetet e tyre në këto xhirollogari.

Bartësi i kontos: BEKIM LUMI
Adresa: Rr. “Theodor Muzaka”, H. 1, Nr. 10, Prishtinë, 10000, RKS, Kosovë
Numri i kontos: 1110251567000198
Banka: ProCredit Bank Kosovo J.S.C.
Adresa e Bankës: Rr. George Bush, Nr. 16, Prishtinë, Kosovë
Ndërkaq, për banorët jashtë Kosovës, përveç të dhënave të mësipërme, duhet të jenë edhe këto shënime shtesë:
Account No (IBAN): XK051110251567000198
SWIFT (BIC) CODE: MBKOXKPRXXX
Bank Identification Code: PRCBDEFFXXX
Correspondent / Intermediary Bank: PROCREDIT Bank AG, Frankfurt am Main, Germany./KultPlus.com

Kampanjë për të ndihmuar artistët për probleme shëndetësore, por jo edhe për politikanët

Gjendja jo e mirë shëndetësore e regjisorit Bekim Lumi dhe vështirësitë për të përballuar koston për shërimin e tij, ka bërë që miqtë e tij të shumtë, nëpërmjet rrjeteve sociale, të kërkojnë ndihmë financiare, në mënyrë që regjisori Lumi të kurohet, shkruan KultPlus.

Dhe jo një kampanjë të tillë kemi rastin të shohim kur sëmuren politikanët e vendit, pasi që ata vazhdojnë të kurohen nëpër spitalet më prestigjioze të shteteve të huaja, kurse kampanja të tilla organizohen për artistët, qytetarët…, të cilët, në mungesë të sigurimit shëndetësorë, edhe më tej kërkojnë ndihmë nga populli.

Artistët kanë thënë për KultPlus se një neglizhim nga shteti, sa i përket kurimit të tyre e kanë përjetuar edhe aktorët: Istref Begolli, Faruk Begolli, Hadi Shehu e shumë të tjerë. Dhe padyshim, ky tretman i Qeverisë së Kosovës, me standarde të dyfishta për qytetarët e saj, reflekton rrebelim te vetë qytetarët, por edhe te artistët.

Për të ndihmuar Bekim Lumin, tashmë me kontributin e tyre kanë dalë edhe vetë artistët, ku artisti Liridon Gashi ka nxjerrë në shitje pikturat e tij, ku mjetet do të shkojnë për Bekim Lumin, sikurse një ngjarje tjetër bamirësie e kanë organizuar Alketa & Maylinda, të cilat poashtu e kanë dedikuar për Bekim Lumin. Edhe teatro të ndryshme tashmë kanë njoftuar se disa shfaqje do të jepen me dedikim për Lumin, ku shitja e biletave do të shkojë poashtu për këtë kurim.

Për regjisorin Lumi, KultPlus ka kuptuar se Ministria e Shëndetësisë kishte ndarë një shumë të caktuar për kurimin e tij, por jo i mjaftueshëm për shërimin e tij, përderisa, për politikanët është një qasje tjetër.

Shkumbin Istrefi, aktor e producent ka thënë për KultPlus se në këtë rast, pa dashur të privilegjoj artistët, sipas tij, në sferën e shëndetësisë, shteti duhet të kujdeset më shumë për qytetarët e vet dhe t’ju ndihmojë përmes mekanizmave që në botë ekzistojnë.

“Sigurimi shëndetësor ende nuk funksionon (sigurimi i cili duhet të ndalet nga pagat). Ky sigurim duhet të mbulojë edhe trajtimin e sëmundjeve të renda, ku kostot janë të papërballueshme për individin dhe familjen. Duhet gjithsesi të rritet buxheti për shëndetësi, të stimulohet kërkimi, specializimi dhe pagat e mjekve. Është prioritet që të krijohen kushte që njeriut t’i ofrohet trajtim mjekësor kualitativ si në vende tjera”, ka thënë Istrefi.

Sipas tij, duhet të rritet niveli i përgjegjësisë së shpenzimit të mjeteve pa kontroll nga pushtetarët, fillimisht duke bërë planifikimet buxhetore të bazuara në nevojat e qytetarëve e pastaj në si p.sh. “shëtitje të grupeve të zyrtarëve” nëpër Evropë e Botë.
“ Sipas meje, më shumë ka rëndësi një jetë e njeriut se sa një foto e një zyrtari duke u ngërdheshur në Evropë. Më shumë ka rëndësi një jetë e njeriut se një autostradë që përpin qindra miliona euro”, ka thënë Istrefi.

Kurse regjisorja Zana Hoxha Krasniqi ka vlerësuar se një nga dëshmitë më të mëdha të dështimit të përkujdesit të shtetit për artistët kosovarë është mungesa e përkrahjes financiare për trajtimet e nevojshme mjekësore. “Duke e pasur parasysh që artistët kosovarë, nuk kanë sigurim shëndetësor e në shumicën e rasteve as të ardhura të rregullta. Për dallim të trajtimit preferencial në klinika jashtë shtetit të politikanëve (ku edhe ju mbulohen shpenzimet) të cilët edhe nga dëshmitë e deklarimit të pasurisë kanë grumbulluar pasuri të mjaftueshme. Rastet e tilla të dështimit të shtetit kanë qenë edhe më heret me Istref Begollin, Faruk Begollin, Hadi Shehun dhe vazhdojnë të ndodhin edhe me artistin Bekim Lumi. Fatkeqësisht në Kosovë ende nuk flitet për mbrojtjen dhe përkrahjen e vërtetë të artistëve të cilët janë edhe ambasadorët më të mirë të vendit tonë”, ka thënë Hoxha Krasniqi.

Ndërkohë, thirrja që është bërë për të ndihmuar Bekim Lumin ka këto të dhëna si më poshtë, dhe të gjithë ata që duan të ndihmojnë regjisorin, mund ti transferojnë mjetet e tyre në këto xhirollogari.

Bartësi i kontos: BEKIM LUMI
Adresa: Rr. “Theodor Muzaka”, H. 1, Nr. 10, Prishtinë, 10000, RKS, Kosovë
Numri i kontos: 1110251567000198
Banka: ProCredit Bank Kosovo J.S.C.
Adresa e Bankës: Rr. George Bush, Nr. 16, Prishtinë, Kosovë
Ndërkaq, për banorët jashtë Kosovës, përveç të dhënave të mësipërme, duhet të jenë edhe këto shënime shtesë:
Account No (IBAN): XK051110251567000198
SWIFT (BIC) CODE: MBKOXKPRXXX
Bank Identification Code: PRCBDEFFXXX
Correspondent / Intermediary Bank: PROCREDIT Bank AG, Frankfurt am Main, Germany./KultPlus.com

Kosova

Poezi e shkruar nga regjisori Bekim Lumi. Poezia ështëshkruar gjatë ditëve të luftës, në vitin 1999, në Mynih (Gjermani).

Kur atdheut i rrxohen kështjellat
I shemben pirgjet urat kullat
I zihet fryma
I mpikset gjaku
Themelet kur i luejnë vendit
Rozafë ajo bahet
Sall gjinin e djathtë e len përjashta
Gjergji Muji Halili Ademi Shabani Hamza
Pijnë tambël
Forcadë marrin
Për lufta t’rrebta
Tevona
Si rr’fe prej qielle
Veç nji za ndihet
“Oj Kosovë, mos thuej mbarova,
Se djemtë tu ende janë gjallë…”

‘Me aktorët mund të sillesh si në një familje, apo si në shtëpinë tonë të përbashkët, e cila quhet teatër’

Regjisori Bekim Lumi njihet për shfaqjet e tij me karakter minimalist e eksperimental. Ai e ka përfaqësuar Kosovën në disa festivale teatrore ndërkombëtare, në të cilat është nderuar me çmime të ndryshme. Para dy vitesh, ai, në Teatrin Kombëtar të Kosovës ka krijuar shfaqjen “Nana dhe fëmija”, ndërkaq në Teatrin Laborator “Loja” shfaqjen “John Cage’s Hamlet”. Tashmë është rikthyer në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku po punon për vënien në skenë të shfaqjes “Arturo Ui”. Në një intervistë për KultPlus, Bekim Lumi tregon se në këtë shfaqje, për shkak të aktualitetit, të universalitetit e të paraleleve të çuditshme, sa ndodhitë po aq edhe personazhet e saj mund të kontekstualizohen më shumë nga rrethanat dhe episodet tragjikomike politike e historike në Kosovën e pasluftës e këndej. “Për fat të keq, kipcin e gangsterit dhe të kriminelit Arturo Ui e të vetave tjera të kësaj drame i gjejmë ende me shumicë në Kosovë dhe në vendet e tjera të Ballkanit”, thotë ndër të tjera regjisori, i cili vazhdon të thotë se të tillë i kemi me shumicë, sidomos në politikë dhe në krim, aty ku ata janë së bashku. Arturo Ui tek Bekim Lumi do të jetësohet nga aktori kosovar Bujar Ahmeti, ndërsa kjo shfaqje përpos aktorëve në skenë do të sjellë një numër të madh artistësh nga fusha të ndryshme.

Sarandë Selimi

KultPlus: “Arturo Ui”, me tekst të autorit gjerman Bertolt Brecht, do të jetë shfaqja më e re në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku ky tekst do të inskenohet nga ju. Krejt si fillim, na tregoni pak për ndjesinë që e keni duke u rikthyer në teatër me një premierë tjetër pas dy vitesh?
Bekim Lumi:
Thjesht, ndjehem mirë. Kjo është një nga ato ndjesi të këndshme, që të krijohen kur je në shtëpinë tënde, aty ku i njeh mirë, deri në cikërrima, të gjithë njerëzit dhe të gjitha gjërat dhe ku, për shkak të natyrës së punës, për shkak të afërsisë fizike dhe emocionale, me aktorët mund të sillesh si në një familje, apo si në shtëpinë tonë të përbashkët, e cila quhet teatër. Natyrisht, ndjehem, gjithashtu, i ngarkuar dhe nën trysni për shkak të përmasave, të kompleksitetit e të barrës së madhe të kësaj shfaqjeje, krijimi i të cilës kërkon kohë, durim, guxim, kreativitet dhe përkushtim të gjithanshëm.

KultPlus: Të flasim pak për përrallën e shfaqjes “Arturo Ui”. Çfarë përmban ajo?
Bekim Lumi:
“Arturo Ui” është një dramë e shkruar në vitin 1941 nga dramaturgu i shquar gjerman dhe botëror Bertolt Brecht (1898 – 1956), gjatë kohës së ekzilit të tij trejavësh në Helsinki (Finlandë), përderisa ai, për shkak të përndjekjes nga fashizmi, po e priste vizën për emigrim në SHBA. Me formën, me përmbajtjen dhe me personazhet e saj, kjo dramë, në mënyrë simbolike, përshkruan, tematizon dhe portretizon historinë e dhunshme të uzurpimit të pushtetit politik dhe ekonomik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet ‘30 të shekullit 20. Edhe pse ngjarjet janë të përqendruara në Çikago dhe në Cicero të SHBA-së, ato, në të vërtetë janë një aludim metaforik për ndodhitë dramatike të kësaj kohe në Austri dhe në Gjermani. Dhuna fizike, plaçkitjet, djegiet, grabitjet, haraçi, korruptimi dhe kërcënimet ndaj tregtarëve e politikanëve, deri edhe vrasjet e tyre e, më tutje, edhe gjyqet farsë përmes presioneve dhe shantazheve ndaj dëshmitarëve të krimit, janë vetëm disa nga tablotë e kësaj drame me 17 pamje, e cila, për shkak të temës që e trajton dhe për shkak të aktualitetit të saj të vazhdueshëm, vlerësohet si një nga satirat më të mira politike dhe historike të shekullit ’20. Për shkak të disa ngjashmërive dhe përkimeve të qëllimshme, “Arturo Ui”, me përmbajtjen, me disa nga motivet dhe me kryepersonazhin e saj, nga kritikët, krijuesit dhe njohësit e teatrit vlerësohet edhe si kipci bashkëkohor i tragjedisë “Rikardi III” të William Shakespeare-it.

KultPlus: Çka ishte ajo që ju mori me vete apo që ju bëri më shumë përshtypje tek ky tekst?
Bekim Lumi:
Thjeshtësia dhe thellësia e dialogut, mjeshtëria me të cilën janë krijuar personazhet (sidomos kryepersonazhi Arturo Ui), aktualiteti dhe universaliteti i ngjarjeve, paralelet e çuditshme me shumë nga ndodhitë e pasluftës e këndej në Kosovë, si dhe mundësia që mbi një tekst të këtillë kaq të veçantë ta krijosh një shfaqje të madhe, të gjitha këto, pra, ishin të mjaftueshme për ta tërhequr vëmendjen time krijuese. Si një tekst i shkruar nga një dramaturg dhe regjisor i shquar i teatrit, “Arturo Ui”, si me fabulën ashtu edhe me personazhet e tij, e ruan gjithmonë freskinë, universalitetin dhe aftësinë për komunikim me lexuesit, me krijuesit dhe me spektatorët e teatrit. Sa ndodhitë po aq edhe personazhet e kësaj drame, përmes leximit, përjetimit dhe trajtimit regjisorial, mund të kontekstualizohen me shumë nga rrethanat dhe episodet tragjikomike politike e historike në Kosovën e pasluftës e këndej. Për fat të keq, kipcin e gangsterit dhe të kriminelit Arturo Ui e të vetave tjera të kësaj drame i gjejmë ende në Kosovë dhe në vendet e tjera të Ballkanit. Të tillët i kemi me shumicë sidomos në politikë. Në politikë dhe në krim. Ata janë aty së bashku. Ndoshta një arsye më shumë për vënien në skenë të këtij teksti është edhe kjo. Natyrisht, edhe fakti që “Arturo Ui” nuk është inskenuar deri tani asnjëherë në asnjërin nga teatrot tona në Kosovë. Si i tillë, jetësimi i kësaj shfaqjeje ka më shumë se veç domethënie artistike për mua dhe për Teatrin Kombëtar të Kosovës.

KultPlus: Roli i Arturo Ui-së është një nga kryerolet e mëdha antologjike të dramaturgjisë botërore. Kujt ia keni besuar këtë rol?
Bekim Lumi:
Personazhet antologjike të kësaj drame, të tillë si gangsteri Arturo Ui dhe vartësit apo të nënshtruarit e tij, gangsterë, politikanë, tregtarë, kriminelë, prostituta, ndërmjetësues (sekserë), viktima etj, që të gjithë këta janë karaktere të gdhendura me mjeshtëri dhe që, si të tillë, me veprimet e tyre dhe ndodhitë nëpër të cilat kalojnë, e formësojnë mozaikun e plotë të karrierës dhe të historisë së bujshme e të dhunshme të një gangsteri politik e të bandës së tij. Vënia në skenë e kësaj shfaqjeje është gjakim i çdo regjisori me pretendime të mëdha artistike. Ndërkaq, për shkak të natyrës impulsive, të ngjyrimeve të tij emocionale, të origjinalitetit e të përmasave që i ka, roli i Arturo Ui-së është ëndërr e çdo aktori. Por, jo secili aktor mund ta luajë këtë rol. Jo rastësisht, kryerolin e këtij gangsteri ia kam besuar aktorit të talentuar, Bujar Ahmeti, me të cilin që prej disa vitesh kam punuar edhe në disa shfaqje tjera. Ai i ka të gjitha cilësitë e nevojshme, qofshin ato të lindura, të formësuara apo profesionale, për ta krijuar dhe luajtur këtë rol. Ndërkaq, personazhet e tjera, dytësore apo tretësore, luhen nga disa aktorë të tjerë të njohur të skenës tonë teatrore, si dhe nga disa aktorë të tjerë të rinj.

KultPlus: Ju i keni filluar provat që prej disa ditësh. Si kanë qenë këto ditë me aktorët?
Bekim Lumi:
Ashtu si çdo fillim, ditët e para të provave po i përdorim për t’u njohur me rolet dhe me fabulën e shfaqjes, me analizën e gjithanshme të tekstit dhe me aspekte të tjera të natyrës krijuese e artistike, por, gjithashtu, edhe me vlerësimin e cilësive, kapaciteteve, afiniteteve dhe mundësive të aktorëve për t’i përvetësuar dhe interpretuar sa më mirë këto role. Unë nuk jam regjisor i frazeologjisë boshe, i pseudoanalizave e i teorizimeve të kota. Përkundrazi, jam regjisor i veprimit konkret e i asociacioneve të drejtpërdrejta. Po përpiqem që këtë energji dhe këtë përvojë krijuese ta transmetoj dhe ta zbatoj edhe në punën e tanishme me aktorët e kësaj shfaqjeje. Në shërbim të krejt kësaj, gjithashtu po përpiqem që, me sqarimet, indikacionet, këshillat, kërkesat dhe idetë e mia, të krijoj atmosferë sa më të përshtatshme për frymëzimin e aktorëve dhe për prova kreative.

KultPlus: A mund të na tregoni diçka më shumë për përzgjedhjen e ekipit prapa skene, apo të bashkëpunëtorëve tjerë kreativë në këtë shfaqje?
Bekim Lumi:
Krahas aktorëve, bashkëkrijues të kësaj shfaqjeje do të jenë edhe disa artistë të fushave tjera artistike. Një nga këta është kompozitori dhe dirigjenti Hajrullah Syla, si dhe disa muzikantë (instrumentistë), të cilët do të performojnë në këtë shfaqje. Pjesë përbërëse e ekipit kreativ është edhe skenografi, piktori dhe animatori Mentor Berisha. Me kompozitorin dhe me skenografin jam duke punuar vazhdimisht. Zgjidhjet, gjetjet dhe kreacionet artistike muzikore dhe skenografike, për të cilat po punojmë bashkërisht, do të fillojnë të zbatohen gjatë provave në skenë. Në ndërkohë, pas përcaktimit për zgjidhjen përfundimtare skenografike, do të përcaktohem edhe për kreatorin e kostumeve. Zgjidhjet skenografike, përkatësisht forma, madhësia, ngjyrat dhe aspektet tjera të natyrës funksionale, figurative e metaforike të skenografisë, do të ndikojnë shumë edhe për përcaktimin e kostumografisë. Një formacion tjetër plotësues i shfaqjes mund të jenë edhe disa balerinë dhe një koreograf, i cili do të merrej me kreacionet koreografike të shfaqjes. Por, puna me këta të fundit mund të fillojë në një fazë të mëvonshme krijuese, përkatësisht atëherë kur së bashku me aktorët ta nënshtrojmë dhe ta përvetësojmë plotësisht materien tekstuale të shfaqjes.

KultPlus: Dhe për fund, kur planifikoni të dilni me premierë?
Bekim Lumi:
Meqë bëhet fjalë për një shfaqje të madhe, me një numër të madh jo vetëm aktorësh por edhe artistësh të fushave tjera, kjo shfaqje kërkon kohë dhe durim. Vetë përmasat e shfaqjes dhe natyra e saj komplekse kërkojnë prova dinamike, gjurmim artistik dhe krijim intensiv, por edhe kujdes dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për sendërtimin e saj. Unë njihem si regjisor i cili shfaqjet e tij, sidomos ato me karakter eksperimental, i krijon në një periudhë më të gjatë kohore, madje deri në një vit apo më shumë. Ndërkaq, kur është fjala për shfaqjen “Arturo Ui”, meqë bëhet fjalë për një shfaqje e cila është produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës, për shkak të natyrës së punës në këtë teatër, ajo do të punohet pak më shpejt. Krahas punës artistike, çdo gjë do të varet edhe nga aspektet e tjera të natyrës teknike. Nëse gjithçka shkon si duhet, shfaqja mund ta ketë premierën e saj diku pas tre muaj provash, apo më së largu në gjysmën e parë të dhjetorit të këtij viti./ KultPlus.com