Alberina Haxhijaj
Projekti filmik “Ombrella”, gjendet në mesin e kategorisë së projekteve të filmit të metrazhit të shkurtë artistik, të cilët janë subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës për këtë vit.
Duke pasur parasysh se Qendra Kinematografike e Kosovës është institucioni më i rëndësishëm i filmit në Kosovës, të kesh mbështetjen e tyre sigurisht që është nderë për një regjisor. Kjo përkrahje ka një kuptim edhe më të madh kur të mundëson që të vësh në jetë një film, të tregosh një histori për të cilën beson që do rrëmbej zemrat e publikut.
“Ombrella” është shkruar nga Ag Apolloni ndërsa do të vijë në jetë përmes regjisë së Ben Apollonit. Në një rrëfim për KultPlus, Ben Apolloni ka zbuluar detaje rreth këtij filmi dhe asaj se çfarë fshehët prapa emrit “Ombrella”, i cili rezulton ende vetëm në letër.
“Ne, regjisorët, ëndërrojmë gjithë kohën por kënaqësinë e vërtetë e arrijmë kur ëndrrat tona i shfaqim në kinema dhe i shohim bashkë me të tjerët, me publikun”, thekson që në fillim Ben Apolloni.
Ben Apolloni është ne mesin e regjisorëve të cilët e konsiderojnë shumë të rëndësishëm trajtimin e temave që kanë lidhshmëri me luftën e fundit në Kosovës përmes kinematografisë. Ai thekson se nuk është e rëndësishme vetëm që këto tema të vihen nëpër ekranet e kinemave por edhe të hulumtohet më thellë për to.
“Skenari ka derivu nga një kapitull i romanit të Ag Apollonit, ‘Ulurima e ujkut’ dhe ne shpesh kemi biseduar se ai roman do të mund të bëhej film, është brumë shumë i mirë, por këtë herë kemi marr vetëm një kapitull të tij për ta krijuar filmin e shkurtër “Ombrella”. Besojmë që mënyra se si ky skenar e trajton temën e të zhdukurve të luftës dhe familjarëve që i presin ata, është shumë e veçantë dhe ne duhet të bëjmë filma që jo veç prekin temat por “gropojnë” thellë në to”, thotë ai.
“Ombrella” është një histori përplot shi e lot. Është një histori për gruan që pret burrin e për vajzën që pret babanë e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
“Qëllimi im por edhe i vëllait tim, Ag Apollonit, që ka shkruar skenarin, ka qenë dhe është që të bëjmë një film për këtë temë që ndoshta edhe është trajtuar por jo në formën dhe në thellësinë që po mundohemi ne ta prekim”, thotë ai dhe shton me gjithë bindje se filmi ka një qasje tërësisht origjinale ndaj kësaj teme dhe është shumë provokative.
Regjisori, Ben Apolloni gjersa flet për filmin të krijon përshtypjen se po e sheh atë në mendjen e tij. Aftësia e tij prej regjisori i ka mundësuar që duke pasur në dorë draftin e parë të skenarit, të zgjedh edhe aktorët të cilët do e shpalosin këtë histori.
“Aktorët e kanë marr skenarin kohë më parë, para se të konkurrojmë për subvencion në QKK. Pra, audicion për këtë film nuk do të ketë”, tregon ai.
Aktorët që do të kenë rolet kryesore në “Ombrella” janë: Aurita Agushi, Mentor Zymberaj dhe Hera Gashi.
Në anën tjetër producenti Xhemajl Avdyli po e vazhdon punën e tij rreth krijimit të ekipit të filmit dhe së shpejti do të fillojnë edhe gjetjen e lokacioneve, të cilat mund të jenë kudo përveç në Prishtinë. Kryeqendra nuk është pjesë e lokacioneve të cilat po mendohen dhe po rrjedhin nëpër mendimet e ekipit punues.
“Synim i yni është që filmi të xhirohet në vjeshtë, kah fundi i tetorit, besoj”, tregon regjisori.
Filmi “Ombrella” para se të fitojë mbështetjen nga QKK-ja ka fituar edhe mbështetjen nga Ministria e Kulturës. Në janar të këtij viti ai ka fituar me një projekt për film të shkurtër në Fondin e Filmit në Maqedoni dhe bashkë me producentin Halim Luta po punojnë që edhe atë film ta finalizojnë brenda këtij viti.
“Është hera e parë që kemi aplikuar për subvencion në QKK dhe më vjen mirë që me të parën u përkrahëm. Kemi shumë projekte që presin të realizohen dhe “Ombrella” veç po ua hapë rrugën projekteve tjera që po presin në radhë”, përfundon regjisori për KultPlus.
Rikujtojmë se “Ombrella” është në mesin e 19-të filmave të subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës për këtë vit./ KultPlus.com