Mes protestave të radikalëve, Festivali “Mirëdita, dobar dan” hapi programin artistik (FOTO)

Gili Hoxhaj – Beograd

Me dy orë pritje në kufirin Kosovë-Serbi e pa tri fotografi, ekipi prej organizatorëve, artistëve, gazetareve e studentëve arritën në kryeqytetin serb për të hapur mbrëmjen e parë të edicionit të pestë të festivalit që prezanton kulturën e Kosovës në Serbi, Festivali “Mirëdita, dobar dan”, shkruan KultPlus.

Pas shkuarjes atje ekipi nën përcjellje të forcave policore u nis drejt Qendrës për Dekontaminim Kulturor në Beograd. Para se të afroheshin minutat e hapjes së festivalit, numri i policëve veçse shtohej, e zërat protestues tashmë dëgjoheshin. Me këngë nacionaliste, e valëvitje flamujsh, ata këndonin për Kosovën të cilën e quanin “tokë” të Serbisë. Përkrahës të Partisë Radikale Serbe e rrethuan Vojslav Sheshelin, i cili theksonte mohimin e shtetit të Kosovës. Protestuesit me fotografi të kufomave, fotografi të Hashim Thaçit e Ramush Haradinaj kishin zënë njërën anë të rrugës e në anën tjetër gjendej turma më e madhe të cilët kishin vënë maska e veshje doktorësh ndërsa mbanin pankartat me mbishkrimet “Sa organe duhet të na merren për të pasur shoqëri me terroristët” dhe “Politikisht korrekt me trafikimin e organeve”.

Organizatori i këtij festivali, Kushtrim Koliqi u shpreh i brengosur për këtë situatë derisa tha se çdo vit kishte shpresuar që situata politike dhe raportet mes dy vendeve do të jenë më të relaksuara kurse faktet e tregojnë të kundërtën dhe situata vetëm sa po përkeqësohet. Megjithatë ai tha se nuk do të ndalen pasi që besojnë se ky festival ka vlera fisnike.

“Viti i pestë po fillon me tensione që nuk i kemi pasur më herët. Ne nuk do të ndalemi, kjo është një rrugë që na takon neve, secili e ka punën e vet dhe ne kemi punën tonë”, u shpreh Koliqi gjatë hapjes së festivalit.


Sofija Todorović nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) u shpreh se ka qenë e vështirë të hapet ky festival tek që gjithçka ka qenë kundër kësaj ideje por u shpreh tejet e lumtur që kanë arritur kaq shumë njerëz.
Čedomir Jovanović, Anita Mitic e personalitet të tjera të njohura kanë mbushur plot Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, aty ku u zhvillua hapja e Festivalit.

Një festival tanimë tradicional, ‘Mirëdita, dobar dan’ ka vite që prezanton artistët më të mirë nga Kosova për disa ditë të mbushura kulturë në Beogradin e Serbisë. Mbrëmë në hapësirën e brendshme të Qendrës u prezantuan karikaturat e artistëve nga Kosova e Serbia, të cilat portretizonin figurat politike të Serbisë e Kosovës në raport me dialogun që po zhvillohet. Aty u prezantuan punimet e Murat Ahmetit, Mentor Llapashtices dhe Predrag Koraksic Corax e realizuar në kuadër të projektit “Ura – Dialogu Civil Prishtinë-Beograd”.

Përfaqësuesja e projektit, Berna Caka nga Radio UrbanFm dhe INC- Rrjeti i Radiove Lokale u shpreh për KultPlus, se projekti i këtij viti flet për urat mes dy shteteve siç janë Kosova dhe Serbia.

“Në këtë mënyrë këta tre artistë kanë vendosur që ngjarjet reale t’i shprehin përmes karikaturave ato ngjarje që ndodhin në Kosovë dhe në Serbi, sidomos në politikë. Esenca ka qenë që të shprehen ngjarjet nga të dyja palët”, tregoi Caka për KultPlus.

Më pas salla e Qendrës për Dekontaminim Kulturor u mbush plot nga pjesëmarrësit e festivalit, të cilët u mblodhën për të parë filmin “Martesa”, me regji të Blerta Zeqirit, film ky që tashmë numëron disa çmime. Për më shumë se një orë të pranishmit ngulën sytë drejt ngjarjes së një dashurie në trekëndësh, e ngjarja ec para dhe gjatë martesës së Bekimit me Anitën, e cila nuk është në dijeni se Bekimi është ende në dashuri me shokun e tij më të mirë, Nolin. Ngjarja prekë kohën e luftës në Kosovë, atëherë kur dy të rinj, Bekimi dhe Noli jetojnë brenda një ndërtese, ku edhe fillojnë të ndjejnë shenjat e para të dashurisë për njëri-tjetrin. Shumë vite më pas, luftën më të madhe do ta kenë me barrierat e kësaj dashurie.
Festivali “Mirëdita, dobardan!” 2018 do të jetë prezent në lokacione të ndryshme në Beograd, dhe hyrja në të gjitha ngjarjet do të jetë, si në vitet e mëparshme, falas.

Si frymëzim për themelimin e festivalit ka shërbyer Bekim Fehmiu, aktor shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, simbol i së kaluarës së përbashkët, së bashku me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet.

Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi)./ KultPlus.com

Ministrja shqiptare Mirela Kumbaro në Beograd, në hapjen e Muzeut të Artit Bashkëkohor

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Muzeut të Artit Bashkëkohor në Beograd, me ftesë të Ministrit të Kulturës dhe Informimit të Republikës së Serbisë Vladan Vukosavljević.

Ministrja Kumbaro u prit nga drejtori i Muzeut të Artit Bashkëkohor, Slobodan Nakarada dhe Dejan Sretenović, koncept ideuesi I MAB, të cilët e shoqëruar përgjatë vizitës në MAB, shkruan gazeta shqip.

Ministrja Kumbaro zhvilloi takime me homologun serb dhe atë maqedonas, Robert Alogjozovski, ku u diskutua për një bashkëpunim intensiv me vendet e rajonit në fushën e artit dhe kulturës. Në fjalën e tij Ministri Vukosavljević theksoi se kultura po lidh dhe po lejon njerëzit të kuptohen më mirë dhe ata, artistët, përfaqësojnë “një melodi që dëgjohet mbi zhurmën e jetës së përditshme”.

Kumbaro i tha agjencisë së lajmeve Tanjug se Muzeu i Artit Bashkëkohor “Nuk është vetëm një muze i ri, apo një muze i rinovuar, por një vend pa kufij. Arti dhe kultura janë hapësira që duhet të ndërtojnë ura, pavarësisht nga vendi apo ngjyra e pasaportës”./KultPlus.com

Gjeneralët që kryen krime në Kosovë, japin mësim në Akademinë e Beogradit

Akademia ushtarake e Serbisë ka vendosur që krimet e eprorëve ushtarakë të saj në Kosovë t’i shndërrojë në një doktrinë të re e të posaçme lufte.

Për këtë dëshmon vendimi më i ri i saj që në Akademi të ligjërojnë gjeneralët dhe oficerët më të dalluar për krimet e luftës e në Kosovë.

Publicisti Veton Surroi, në një postim në Facebook, ka publikuar një pjesë nga libri i tij i fundit “Gorillat që s’i pamë” në të cilin ka përshkruar një krim special të këtyre kriminelëve ushtarakë nga të cilët Serbia nuk heq dorë dhe nuk distancohet.

Përkundrazi, edhe zyrtarisht i bënë edukatorë të akteve kundër njerëzimit siç është krimi i luftës duke ligjëruar këtë lëndë, po duket e posaçme kundër shqiptarëve në Kosovë.

Ata edhe kanë çfarë të ligjërojnë pasi e kanë të pasur përvojën nga krimet në Kosovë.

Surroi ka rikujtuar njërin nga krimet:

Më 1 maj të vitit 1999 , afër “Ferronikelit” u ekzekutuan Shyqri Deliu së bashku me 24 të tjerë. Shyqri Deliu ishte 13 vjeçar, të tjerët së bashku me të ishin që të gjithë të mitur.
Komandant i zonës së përgjegjësisë , në ushtrinë serbe ishte Lubisha Dikoviq, sot shef i shtatmadhorisë të Ushtrisë së Serbisë. Epror i tij ishte gjenerali Vlladimir Lazareviq, i dënuar me dhjetë vjet burgim nga Gjykata e Hagës për krime lufte.

Me vendim të Ministrit të mbrojtjes të Serbisë, gjeneralët Dikoviq dhe Lazareviq do të japin mësim në Akademinë ushtarake të Serbisë.

Njëra prej orëve mund të jetë ekzekutimi i fëmijëve si mjet për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të Serbisë, shkruan Insajderi./ KultPlus.com

Lorik Cana e DeBiasi, në dokumentarin për dronin dhe ndeshjen Serbi-Shqipëri (VIDEO)

Me regji të Kreshnik Jonuzi dhe Luftar Von Rama ‘Triumph’, do të sjellë histori të ndryshme, histori këto që me KultPlus, i ka shpalosur njëri ndër regjisorët, Kreshnik Jonuzi.

Sarandë Selimi

Edhe katër ditë mbushen plotë tri vite nga ndeshja e parë e mbajtur mes Shqipërisë dhe Serbisë, në kryeqytetin serb Beograd. Nuk ka shqiptarë që atë ditë nuk ndjeu veten krenarë me atë që ndodhi midis fushës së madhe të futbollit në Beograd. Aty u lëshua droni me flamurin ‘Autokton’, ku ishte harta e Shqipërisë së Madhe bashkë me dy figura të shquara të kombit shqiptarë si Isa Boletini e Ismail Qemaili.

Çka ndodhi në Beograd nuk ishte aspak e hijshme, duke pas parasysh sjelljet e vrazhda të tifozëve serbë të cilët edhe eskaluan duke u futur në fushë e duke sulmuar lojtarët e kombëtares shqiptare. Por ajo që ndodhi skaliti një histori të re midis këtyre dy kombeve. E krejt kjo histori erdhi si inspirim për shumë artisë. Disa bënë këngë e tashmë disa kanë bërë edhe film dokumentar. Një film i cili nuk pretendon të mbetet brenda kufijve shqipfolës. Një film i cili do të shfaqet në Festivalin e Filmit në Varshavë, festival ky i cili mbahet në datat 19-20 dhe 21 tetor. Është ‘Triumph’ apo ‘Triumf’.

Me regji të Kreshnik Jonuzi dhe Luftar Von Rama ‘Triumph’, do të sjellë histori të ndryshme, histori këto që me KultPlus, i ka shpalosur njëri ndër regjisorët, Kreshnik Jonuzi.

“Projekti nisi me ndeshjen kundër Portugalisë. Bashkë regjisori Luftar Von Rama dhe unë pamë një mundësi të mirë për të treguar historinë e lojtarëve shqiptarë që u kthyen dhe donin të paraqitnin diçka të bashkuar. Kur incidenti i dronit ndodhi në Beograd, me të vërtetë e ktheu këtë në një histori globale do thosha, e pikërisht kjo na e dha mundësinë që të kishim një kulm dramatik në film”, tha fillimisht për KultPlus, Kreshnik Jonuzi, duke vazhduar të trego historitë që ngërthen në vete ky dokumentar.

“Filmi përmban elemente të ndryshme. Me ekipin tonë kemi qenë disa ditë para ndeshjes së Serbisë dhe Shqipërisë në Elbasan, kështu që, ka shumë momente personale para ndeshjes dhe para kualifikimit. Ekziston gjithashtu një kthim në storie siç janë historia shqiptare, lufta e Kosovës e poashtu ka pjesë edhe të lojtarëve që jetojnë me familjet e tyre”, pohoi Jonuzi.

Ky projekt fillimisht u titullua ‘Beteja në Ballkan’, por pas kualifikimit, historia e rriti këtë parashikim. Kësisoj ‘ Triumph’ ishte ajo që sipas Kreshnik Jonuzit, e përfaqësonte më së miri këtë dokumentarë, pasi që, këtë e ndjeu secili lojtarë dhe pikërisht ky ishte drejtimi i tyre kryesor, pra për të triumfuar.

Në ‘Triumph’, bëjnë pjesë personazhe si Lorik Cana, Gianni DeBiasi, Paolo Tramezzanni, Shkëlzen Gashi, Blendi Fevziu, Dritan Shakohoxha, e disa të tjerë.

Krejt ky projekt sipas Kreshnik Jonuzit ishte një rrugë e gjatë dhe ende nuk është përfunduar e tëra.

“Ende nuk e kemi përfunduar. E kemi nisë procesin ditën kur droni ka parakaluar në Beograd. Kemi xhiruar përgjatë 2015-2016 dhe më pas e kemi editu filmin deri këtë vit. Tash jemi në fazën kur po angazhohemi për të drejtat e autorit dhe po e qojmë dokumentarin në festivale. Shkuarja në Varshave shpresoj që do të na ndihmojë”, theksoi për KultPlus Kreshnik Jonuzi, duke vazhduar të tregoj se për në Festivalin e Filmit në Varshavë, fillimisht kanë aplikuar dhe para disa muajsh janë pyetur nëse duan ta kishin premierën botërore atje.

Kreshnik Jonuzi, tha për KultPlus, se kjo ftesë i ka nderuara dhe se mezi presin që ta shfaqin filmin e tyre premierë botërore në Varshavë.

Krejt në fund të këtij rrëfimi, Kreshniku tregoi se këtë film dokumentar e kanë bërë me buxhet shumë të ulët dhe kanë pasur ndihmë nga donacionet e komuniteteve në Amerikë. Ai tha se Lorik Cana ka qenë një ndihmë shumë e madhe për filmin që nga dita e parë e deri më sot./ KultPlus.com

Sting mbajti koncert në Beograd, u përcoll nga 15 mijë njerëz (VIDEO)

Ylli britanik Sting, mbrëmë ka mbajtur koncertin e shumëpërfolur në Beograd, shkruan KultPlus.

Mediet serbe raportojnë se ky koncert është përcjellë nga 15 mijë njerëz, dhe bashkë me Sting ka kënduar e gjithë audeinca, sidomos në këngët e famshme “Mad about you”, “If I ever lose my control of you”, “Englishman in Newyork”./KultPlus.com

Serbia i ofron shtetësi ‘Pikasos’ afgan

Serbia i ka ofruar shtetësinë serbe, familjes së 10 vjeçarit afgan, Fahrad Noory, i cili tashmë njihet si “Pikaso i Vogël”, për shkak të krijimeve të tij artistike.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë ofertë 10 vjeçarit dhe familjarëve të tij, pas një takimi me të, në Beograd. Ai po ashtu i ka premtuar bursë për zhvillimin e talentit të tij për art, si dhe punësimin e babait të tij.

Noory dhe familja e tij janë duke jetuar për 8 muaj në një kamp të refugjatëve në Beograd.

Portretet e kancelares gjermane, Angela Merkel, piktorit, Salvador Dali, dhe shumë të tjera, e kanë bërë djaloshin, yll në mediat lokale, shkruan Europa e Lirë.

Javën e kaluar është mbajtur një ekspozitë me pikturat e tij në Beograd, duke dërguar të gjitha fondet për një fëmijë, i cili po trajtohet nga kanceri një tru.

Familja e Nooryt ka arritur në Serbi gjatë valës së madhe të migrantëve për të nisur një jetë të re në vendet perëndimore evropiane, mirëpo ka mbetur në Beograd, pas mbylljes së të ashtuquajturave “Rrugët Ballkanike”.

“Ne nuk jemi të pasur sikur zviceranët, mirëpo Beogradi është qyteti i mirë, dhe nëse dëshironi të jetoni këtu, ne do t’ju japim menjëherë shtetësinë serbe”, ka thënë Vuçiq.

Familja nuk është deklaruar nëse do ta pranojë ofertën e presidentit serb. Autoritetet serbe kanë thënë se afro gjysma e 4,000 refugjatëve që jetojnë në Serbi, janë fëmijë. / KultPlus.com