Fundjava që kaloi mblodhi në Berat mbi 5 mijë vizitorë dhe turistë u mblodhën për tri netë në sheshin kryesor të qytetit për të festuar për verën.
“Wine & Stories of Berat” mblodhi 41 kantina, 34 nga Shqipëria e Kosova dhe 7 nga Italia, të cilat morën në fund edhe çmime për verërat më të mira.
Somelierët Darrel Joseph, Mauro Porcu dhe Paul Breus dhanë 7 çmime bronz, 53 silver dhe disa çmime gold.
Në këtë festë morën pjesë personalitete të vendit, përfaqësues të trupit diplomatik. Ky është një ndër aktivitetet më të mëdha të kalendarit të festave, që organizohen në Berat.
Të surprizuar nga suksesi i festivalit janë edhe kantinat e qytetit.
Një prej sipërmarrësve të kantinave, tha se “festivali këtë vit shkoi përtej pritshmërive tona dhe shumë më mirë se viti i kaluar. Pjesëmarrja e njerëzve ka qenë masive nga Shqipëria dhe nga bota”.
“Mendoj që vendndodhja këtë vit, në sheshin e ri, kryesor të qytetit, krijoi hapësirë më të madhe dhe sigurisht pati më shumë pjesëmarrës. Verëdashësit kanë konsumuar më shumë se 3 ose 4 gota vere, duke provuar nga të gjitha llojet e verërave që ne kemi. Ata preferuan më shumë varietetet autoktone të zonës së Beratit. Ajo që na pëlqeu ishte fakti që klientët, sidomos turistët e huaj kërkonin informacion gjatë panairit për verën që pinin”, tha ai.
Këngëtarët Alban Skënderaj, Ronela Hajati, McKresha, Lyrical Son, Eugent Bushpepa performuan në tri netët e festës në sheshin kryesor të qytetit, tek bulevardi “Republika”.
Pjesë e festës ishte edhe turi i degustimit, vizitës në vreshta, shtypjes së rrushit, muzikës tradicionale, ushqimit fantastik dhe pamjeve perfekte./abc news/ KultPlus.com
Qyteti i një mbi një dritareve ka shënuar një fluks të lartë turistësh vendas e të huaj në janar-shtator të këtij viti.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau sot në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, një video me pamje nga vizitat e turistëve në rrugicat dhe pikat turistike të qytetit.
“Dita Ndërkombëtare e Turizmit, ditë e cila kuptimin e plotë e merr pikërisht në Beratin e magjishëm, të turistëve të të gjitha moshave e kombësive e që përgjatë këtij viti, deri tani, ka mirëpritur plot dashuri në hotele, bujtina dhe shumë shtëpi që kanë hapur dyert për vizitorët e shumtë”, tha Demo.
Kryebashkiaku Demo bën të ditur se “vetëm në muzeun Onufri numri i vizitorëve deri më tani është 80 000, ndërsa numri i vizitorëve në territor është afër 800 000”.
Në videon e shpërndarë nga kryebashkiaku Demo një turiste tregon se ajo çfarë e tërhoqi të vizitonte Beratin ishte kalaja dhe shtëpitë e vogla të bardha.
Një tjetër turist u shpreh se “e kam vizituar Beratin në 2012 dhe tani jam rikthyer sërish për të parë të gjitha ndryshimet që qyteti ka pësuar sesi qyteti ka evoluar. Më pëlqeu shumë kalaja herën e parë. Tani do të fillojmë të vizitojmë gjithë qytetin.
“Ka rrugica të vogla shumë të këndshme, më pëlqeu qyteti i vjetër, ka shumë mundësi zgjedhjeje për të dalë për drekë apo darkë me ushqim të mrekullueshëm”, tha një turist.
Edhe pse jemi në ditët e fundit të shtatorit, rrugicat e kalldrëmta të lagjeve “Mangalem” dhe “Gorricë”, si dhe Kalaja janë të mbushura me turistë vendas e të huaj.
E veçanta është se turistët përveç vizitave në këto pika turistike këtë vit janë orientuar edhe ndaj sportit të aventurës dhe degustimit në kantina.
Turistët kanë preferuar këtë vit xhirot me kayak në liqenin e Qafë Dardhës, cooking class në disa prej restoranteve, kanoe e çdo lloj tjetër aktiviteti që është më shumë se material, por transmeton kulturën e qytetit 2400-vjeçar./atsh/KultPlus.com
Banka e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Muzeumeve, organizojnë në ambientet e Muzeut Ikonografik “Onufri”, Berat në datat 18-19 prill 2024, ekspozitën fotografike mbi aspektet më të spikatura të zhvillimeve tregtare, ekonomike dhe etnografike të qytetit të Beratit, gjatë shekujve XVIII-XX.
Në këtë ekspozitë prezantohen koleksione numizmatike, kartëmonedhat lokale të fillimit të shekullit XX, monedhat kombëtare, të cilat mbartin imazhe të monumenteve dhe objekteve të qytetit, me vlera historike dhe kulturore universale.
Një hapësirë të veçantë në këtë ekspozitë do të zënë edhe elementë të edukimit financiar nga Banka e Shqipërisë./atsh/KultPlus.com
Shumica e turistëve që udhëtojnë në Berat, në jug të Shqipërisë, mahniten me qendrën historike dhe Kalanë e tij, një vendbanim i lashtë i banuar ende sot. Sigurisht, qyteti ia vlen të vizitohet, shkruan Francesca Massotti në botimin italisht të “Lonely Planet”.
Planifikoni një udhëtim në Shqipëri dhe përjetoni aventura të paharrueshme në rrethinat e asaj që konsiderohet unanimisht një nga skenat më të bukura në Ballkan.
Xhamitë, manastiret dhe aventurat në kanione
Ju mund të shijoni ushqimin tradicional dhe origjinal në fermat e zonës, të bëni ekskursione në malin e Tomorrit, malin e shenjtë të vendit.
Legjendat dhe malet e shenjta
Një vend është magjik kur origjina e tij lidhet me legjendat. Ky është rasti i Beratit, një qytet në jug të Shqipërisë.
Thuhet se dy vëllezër, Shpiragu dhe Tomorri, duke u grindur për një vajzë me të cilën ishin të dy të dashuruar, luftuan për vdekje për të konkurruar për të.
Tomorri përdori shpatën për të luftuar, ndërsa Shpiragu u përgjigj me flakë.
Nga historia e tyre lindën malet mes të cilëve ndodhet ky qytet i trashëgimisë së UNESCO-s: Mali i Shpiragut që duket i prerë në feta dhe Tomorri me gropat e tij të mëdha.
Vajza e pikëlluar për fatin e dy vëllezërve derdhi lotë të shumtë të cilët sipas legjendës i dhanë jetë Osumit, lumit që sot ndan në dysh qendrën historike.
Veçanërisht mali i Tomorrit dominon zonën dhe shoqëron udhëtarët gjatë udhëtimeve të tyre në këtë zonë të Shqipërisë.
Është një mal i shenjtë, jo vetëm për shkak të legjendës, por edhe sepse është vendi ku çdo vit, në fund të gushtit, besimtarët bektashinj mblidhen për pelegrinazh, një vëllazëri islame me origjinë sufiste e themeluar në shekullin e XIII – ende e përhapur në të gjithë gadishullin ballkanik dhe në Turqi – e cila e ka selinë e saj në Tiranë (Qendra Botërore Bektashiane, e inauguruar në 2015).
Shije tradicionale
Në rrëzë të malit, në fshatin Roshnik, Alpeta Agroturizëm është një bujtinë e zemrës.
E krijuar fillimisht si bodrum vere në vitin 1994, ndër të parat në Shqipëri, që nga viti 2018 ka qenë një fermë dhe restorant dhe në tavolina shërbehen gatimet më të mira të gastronomisë vendase.
Është gjithashtu një bazë e shkëlqyer për të eksploruar mjedisin ose bërë kajak në pellgun afër pronës. Por arsyeja kryesore pse njerëzit vijnë këtu është dhe mbetet një. Në fakt, dy, ushqimi dhe vera.
Perime nga kopshti, byrekë të shijshëm të mbushur me djathë dhe mish dhie që rritet në shpatet e malit Tomorr, makarona të përgatitura vetë dhe shumë të tjera.
Gjithçka këtu është lokale, sezonale dhe e freskët, sipas traditës më të mirë shqiptare.
Ndër të gjitha verërat spikat Pulëz, një verë e bardhë e bërë nga rrushi me erë, e cila të kujton “Chardonnay”.
Mes vreshtave dhe kanioneve
Në rrethinat e Beratit nuk mungojnë bodrumet e verës.
Qyteti, në fakt, është në një pozicion ideal për rritjen e rrushit: toka është gëlqerore dhe klima është e butë. Dielli dhe sasia e duhur e shiut alternohen në mënyrë të përkryer.
Nuk është çudi që bodrumet më të rëndësishme të verës në Shqipëri – mes tyre, Veraria Çobo, Kantina Nurellari dhe Kantina Pupa – ndodhen pikërisht këtu.
Ata që e duan adrenalinën duhet të vizitojnë Kanionet e Osumit, të gdhendur pranë lumit me të njëjtin emër, 53 kilometra në juglindje të Beratit.
Formacionet shkëmbore, kalimet, ujëvarat dhe shpellat ngjajnë me një miniaturë të grykave të thella amerikane, vetëm se këtu natyra është padyshim më e harlisur.
Kanionet e Osumit janë një parajsë për adhuruesit e aktiviteteve në natyrë: ecjet në shtigjet përgjatë kanioneve. Një panoramë që është e vështirë të harrohet!
Berati, muze në natyrë
Duke u ngjitur përgjatë brigjeve të lumit, më në fund do të mbërrini në Berat – qyteti i dritareve të mbivendosura.
Fjala kyçe këtu është të humbasësh. Minaret, drunjtë, kryqet dhe manastiret fshihen mes rrugëve labirintike të këtij muzeu të hapur, i cili sipas UNESCO-s është shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare shekullore në Tokën e Shqiponjave.
Dy lagjet që përbëjnë shpirtin historik të Beratit, Gorica dhe Mangalemi, ndahen nga Osumi dhe janë shtëpia e shtëpive të lashta tradicionale, kopshteve me lule, kishave dhe xhamive të heshtura, si dhe muzeume interesante.
Ashtu si Muzeu Solomon, kushtuar historisë së hebrenjve të shpëtuar nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore – Shqipëria ishte i vetmi vend në botë që nuk i dorëzoi as edhe një hebre nazistëve.
Muzeu tjetër i rëndësishëm në Berat, Onufri kushtuar ikonografisë së piktorit shqiptar me të njëjtin emër, është i mbyllur brenda mureve të Kalasë së Beratit.
Për ta arritur atë, ngjitesh në majë të kalasë duke ecur përgjatë rrugëve të heshtura me kalldrëm. Gjithçka duket një magji.
Mjafton të vizitoni Kishën e Trinisë së Shenjtë, e vendosur në kodrën pas mbetjeve të kështjellës, për ta kuptuar këtë. Nga këtu mund të shijoni një pamje të gjerë të luginës. / atsh / KultPlus.com
Kisha e Shën Nikollës në fshatin Paftal të Beratit, është e tipit bazilikal me tre nefe dhe tavan të rrafshët. Kisha është ndërtuar në mars të vitit 1875, sipas mbishkrimit, i cili gjendet i gdhendur mbi gur, jashtë portës perëndimore të kishës.
DRTK Berat shkroi në një postim online se, kjo datë mendohet se i përket ndonjë rindërtimi apo meremetimi të kishës, pasi para kësaj date kisha përmendet prej Anthim Aleksudhit, në botimin e tij (Korfuz, 1868). Gjithashtu edhe në traditën gojore të banorëve të zonës thuhet, se kisha ekzistuese është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe më të hershme.
Monumenti i atribuohet punës së kryemjeshtrit usta Veliko nga Opari i Korçës. Në ditët e sotme kjo kishë prezantohet si një nga objektet e kultit me vlera të rëndësishme historike -arkitektonike dhe për nga pozicioni gjeografik i vendndodhjes së saj ajo është një vlerë e shtuar si për turizmin kulturor në qarkun e Beratit, ashtu edhe një vend i rëndësishëm pelegrinazhi për besimtarët./ atsh / KultPlus.com
Ish banesa e Llambi Kolovanit, sot bujtina “Kodikët” e Vasilika Gogut, është një zgjidhje e arritur e variantit përpendikular me gjysmëkat. DRTK Berat shkruan se, banesa mund të jetë ndërtuar gjatë shek. XVIII.
Data 1842 e shkruar mbi dritaren anësore në pamjen jugore të banesës, mund të jetë koha e ndonjë riparimi, që i është kryer kësaj trashëgimie arkitektonike. Në katin e banuar, ambienti i dhomës së miqve, duket se ka pësuar një rindërtim të kompleksit fundor gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX.
Prej vitit 1961, kjo pasuri ndërtimore mban statusin juridik Monument Kulture, Kategoria I.
Një pjesë e madhe e banesave karakteristike të Beratit, janë restauruar dhe kthyer tashmë në bujtina mikpritëse të vizitorëve vendas e të huaj, numri i të cilëve, vitet e fundit ka ardhur gjithnjë në rritje.
Berati me kalanë e tij, kishat e xhamitë, lagjet karakteristike etj, të cilat bartin vlera historike, arkitektonike e kulturore, ka se çfarë t’u ofrojë vizitorëve të tij./atsh/KultPlus.com
Festat e fundvitit e kanë zbukuruar qytetin e një mbi një dritareve si asnjëherë më parë.
Dritat festive të vendosura në të gjitha hapësirat publike e kanë shndërruar Beratin në një qytet vërtet magjik.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga lagjja Mangalem, në natën e Krishtlindjes.
“Berati në një spektakël magjik dritash, ngjyrash, historish e tingujsh mbi shtëpitë e lagjes Mangalem”, tha Rama.
Ndriçimi me drita shumëngjyrëshe është realizuar edhe në dy urat mbi lumin “Osum”, në urën Goricës dhe “Urën e Varur”, dritat e të cilave kanë reflektuar si një ylber mbi lumë.
Bashkia e Beratit ka ndezur dritat e pemës tradicionale të Krishtlindjeve, e cila është vendosur këtë vit në mes të lagjeve muzeale “Mangalem” e “Goricë”, ndërsa vezullimi i dritave ka mbuluar gjithë qytetin.
Dritat dhe zbukurimet janë vendosur gjithashtu në të gjitha pemët përgjatë Pedonales së qytetit si dhe në lagjet muzeale, ndërkohë që edhe rrugët janë mbuluar nga dekori festiv./atsh/KultPlus.com
Berati, qyteti i një mbi një dritareve, po mirëpret një numër gjithnjë e më të lartë turistësh, në të gjitha stinët e vitit, ndërsa qeveria po investon në disa vepra infrastrukturore në këtë zonë.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto të një prej urave më të bukura të periudhës së perandorisë osmane në Shqipëri, e ndërtuar në shek. XVIII, asaj të Goricës që lidh qytetin me lagjen e të njëjtit emër.
Ajo harkohet në mes me një elegancë të theksuar, me këmbët e saj të cilat zbresin nga 10 metra lartësi mbi dy anët e shtratit të lumit Osum. Shtatë harqe, parmakë prej druri, e “dritare” të vogla, të cilat shpeshherë duken si fytyra njerëzish, i japin kësaj ure një pamje të rrallë.
Berati, tashmë qytet i UNESCO-s, të ofron ndër të tjera plot shtëpi të epokës otomane, struktura mbresëlënëse të kështjellës dhe kishave mistike dhe xhamive, të vendosura në krah të kodrave dhe maleve që kanë në mes lumin Osum.,
Kalaja e Beratit është një nga atraksionet më piktoreske në zonë. Kjo kështjellë e epokës romake ulet sipër një kodre shkëmbore në bregun e majtë të lumit Osum me pamje nga qyteti i Beratit.
Numri i vizitorëve ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe ky sezon veror ka pritshmëri të lartë jo vetëm në Berat por edhe në destinacionet e tjera turistike të vendit./atsh/KultPlus.com
Turistët e shumtë kanë mbushur rrugicat dhe kalanë e qytetit të Beratit këtë sezon veror dhe sidomos në këto ditë të fundit të gushtit.
Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha sot për ATSH-në se “nga janari deri në 20 gusht Berati ka tërhequr 640 mijë vizitorë, një shifër e lartë si asnjë vit më parë”.
Sipas saj, fluksi më i lartë ka qenë në muajt maj-gusht.
“Pjesa më e madhe e turistëve vijnë nga vende të ndryshme të Evropës, por edhe nga Azia , SHBA , Kanada dhe Australia. Në krye të listës janë turistët nga Gjermania, Polania, Spanjat, Franca, Italian etj”, tha Merdani.
Berati ka një sërë pikash turistike që zgjojnë interesin e turistëve disa prej të cilave janë Qendra Historike e qytetit, Kalaja, Gorica Mangalemi qe kanë pasuri UNESCO, Muzeu Ikonografik Onufri, Qendra Mesjetare, objektet e kultit Bizantin dhe Xhamitë e vjetra të periudhës Otomane.
Vitet e fundit turistët kanë treguar interes edhe për atraksionet e eko-turizmit, fshatrat turistik Roshnik, Sinjë , Drobonik, kantinat e verës, aktivitetet rafting në Lumin Osum, ngjitje në malin e Tomorit, hedhje me parashuta nga Mali Shpirag, kanoe në liqenet e Tomorit, ecje me biçikletat malore në rrethinat e Beratit, vizitë në Kanionet e Osumit, pjesëmarrje në turret e gastronomisë në agrobizneset në fshatrat turistikë etj.
Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.
Kalaja e Beratit është një nga monumentet që tërheq edhe më shumë turistë. Ajo është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës./atsh/KultPlus.com
Qyteti i një mbi një dritareve, një dëshmi e pasurisë dhe e diversitetit të trashëgimisë urbanistike dhe arkitektonike, ka shënuar një numër të lartë vizitorësh për periudhën janar-qershor të këtij viti.
Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha sot për ATSH-në se “në janar-qershor Berati u vizitua nga 300 mijë vizitorë vendas e të huaj”.
“Gjatë këtij viti ka pasur një rritje të jashtëzakonshme të numrit të vizitorëve gati 50% më shumë se vitin e kaluar”, theksoi Merdani.
Sipas saj, turistët janë kryesisht nga Polonia, Gjermania, Spanja, Italia, Franca, etj.
“Lagjja Mangalem, kalaja dhe lagjja Goricë janë tre nga sitet më të vizituara nga turistë vendas dhe të huaj në qytetin e Beratit.Por përveç këtyre turistët tregojnë interes edhe për Kanionet e Osumit, muzeun “Onufri”, objektet e kultit, kishat dhe xhamitë”, theksoi Merdani.
Vitet e fundit qytetarët beratas i kanë kthyer shtëpitë e tyre në lagjen Mangalem dhe Goricë në bujtina dhe hotele për të mikpritur vizitorët e shumtë, të cilët tashmë qëndrojnë nga dy ditë ose edhe më shumë për t’u njohur më mirë me historinë dhe kulturën e këtij qyteti të lashtë.
Në rritjen e fluksit të vizitorëve këtë vit kanë ndikuar edhe aktivitetet e shumta të organizuara nga bashkia, si festivale, teatër kukullash, teatër për të rritur, fundjavat e muzikës live në pedonale, ekspozita, etj.
Kalaja e Beratit është një nga atraksionet më piktoreske në zonë. Kjo kështjellë e epokës romake ulet sipër një kodre shkëmbore në bregun e majtë të lumit Osum me pamje nga qyteti i Beratit.
Numri i vizitorëve ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe ky sezon veror ka pritshmëri të lartë jo vetëm në Berat, por edhe në destinacionet e tjera turistike të vendit.
Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit./atsh/KultPlus.com
Në Muzeun Etnografik në Berat po vazhdojnë punimet e restaurimit ndërsa deri tani janë bërë punime në: suvatimin e fasadave në eksterier si dhe suvatimet në interierin e muzeut.
Gjithashtu, është realizuar vendosja e tavanit në “Dhomën e Çiftit”, restaurimi i tavanit tek “Dhoma e Miqve”, drenazhime rreth gjithë perimetrit të objektit, instalimet elektrike, restaurimi i trarëve në tavanin e Çardakut, si dhe lyerja e tyre me antimol e vaj lini.
Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat bën me dije se restaurimi i gjithë çatisë së muzeut si dhe shumë punime të tjera restauruese, si dritaret e dyert, tashmë janë në proces pune.
Kohët e fundit rezulton se vizitueshmëria në muzetë e vendit tonë është rritur ndjeshëm.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau dje në rrjetet sociale shifrat e vizitorëve në muzetë e vendit, ku grafiku ka ardhur gjithnjë në rritje, nga 2020 deri më 2023-shin, gjë që dëshmon se trashëgimia kulturore tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë dhe një nga arsyet është kujdesi i shtuar ndaj siteve arkeologjike e muzeve./ atsh / KultPlus.com
Pas 9 vitesh në krye të Qendrës Muzeore në Berat, piktori i njohur Agron Polovina lë detyrën për të vijuar me të tjera projekte.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti në një postim në rrjetet sociale.
Margariti shprehu mirënjohjen për punën e Polovinës në krye të Qendrës Muzeore të Beratit duke e cilësuar si bashkëpunëtor të vyer.
“Mirënjohje për punën në qytetin e mrekullueshëm të Beratit, për nismat që kemi çuar bashkë përpara dhe suksese në rrugën e artit dhe trashëgimisë kulturore”, tha Margariti.
Polovina më parë ka drejtuar edhe Galerinë e Arteve, Edward Lear, Departamentin e Grafikës së Liceut Artistik dhe Drejtorinë Rinore të Bashkisë, të gjitha në Berat. Ka studiuar në Liceun Artistik “Jordan Misja” të Tiranës. Është diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve të Tiranës, Dega Pikturë dhe Grafikë, në vitin 1993. Ka marrë pjesë në projektet për restaurimin dhe katalogimin e trashëgimisë kulturore./atsh/KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat ka pritur kohët e fundit një numër të madh vizitorësh, kryesisht të huaj.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat, Agron Polovina, tha për ATSH-në se Muzeun e Ikonografisë “Onufri”, në periudhën janar- 4 maj, e kanë vizituar 7971 vizitorë vendas dhe të huaj që rezulton gati dyfishi i të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
“Vetëm në ditët e para të majit ka pasur më shumë se 1000 vizitorë, të cilët kanë qenë spanjollë, gjermanë, francezë, sllovenë etj”, është shprehur Polovina.
Rritja e numrit të vizitorëve është ndikuar edhe nga moti i mirë dhe afrimi i nisjes së sezonit turistik. Megjithatë duhet theksuar se Berati me trashëgiminë e tij kulturore e historike, po njeh një ngritje cilësore dhe të stabilizuar të turizmit, në të gjitha stinët e vitit.
Përtej një turizmi me qëllim çlodhjen, veçanërisht vizitorët e huaj, synojnë njohjen me artin e kulturën vendase, arkitekturën tipike osmane dhe historinë interesante të kësaj zone.
Ndër objektet më të vizituara në këtë qytet, i cili renditet si pasuri botërore e UNESCO-s, mbetet kalaja e Beratit, Muzeu Etnografik, Muzeu Onufri, lagjja Mangalem e Goricë, Teqja e Helvetive etj./atsh/KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat organizoi ekspozitën “Zbukurimorja në brendësi të objekteve monument kulture në Berat”.
Kjo ekspozitë u çel në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike, e cila vjen si dita e ndërgjegjësimit, vëmendjes dhe promovimit të trashëgimisë sonë kulturore.
Në ekspozitë u prezantuan 20 panele me hollësi të zbukurimores që gjenden në banesa dhe monumente kulti.
Ato përmbajnë punime të gdhendjes ne dru, stuko reliev(allci), pikture murale dhe dysheme të ndërtuara me materiale guri, tulle, zaje lumi.
Në aktivitet morën pjesë kryetari i bashkisë Berat Ervin Demo, deputetë të qarkut dhe drejtues të institucioneve./ atsh / KultPlus.com
Ekspozita “Vishu me trashëgimi”, një koleksion veshjesh popullore të qytetit të Beratit vazhdoi rrugëtimin duke u ndalur në Apoloni, si bashkëpunim midis Qendrës Muzeore Berat dhe Parkut Arkeologjik të Apolonisë.
Në këtë ekspozitë paraqiten një kolanë fotosh të realizuara në kuadër të programit “Edukimi përmes Kulturës”, në bashkëpunim me shkollën jopublike “Drita e Dijes” e të realizuara mjeshtërisht nga artisti Ardian Fezollari si një celebrim i një pjese të trashëgimisë kulturore të qytetit të Beratit.
Ekspozita “Vishu me trashëgimi” do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit mars në Trapezarinë e Manastirit të “Shën Mërisë” (Muzeu Arkeologjik) në Apoloni. / atsh / KultPlus.com
Vizitueshmëria në muzetë e Qendrës Kombëtare të Muzeumeve Berat, është dyfishuar.
Drejtori i QKMB, Agron Polovina, tha për ATSH-në se për vitin 2022 vizitueshmëria ka qenë 49 588 vizitorë vendas dhe të huaj, që krahasuar me vitin 2021, është pothuaj 200 % dhe që i afrohet nivelit të vitit 2019, përpara se të niste pandemia e Covid-19.
Rrjedhimisht, janë rritur edhe të ardhurat e Qendrës së Muzeumeve të Beratit. Në krahasim me 2021, të ardhurat kanë pësuar një rritje prej 227% ndërsa krahasuar me vitin 2019, kanë një rritje prej 131%.
Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit. /atsh /KultPlus.com
Muzeu “Onufri” në Berat vazhdon të zgjojë interesin e vizitorëve e sidomos atyre të huaj edhe në këtë fillim viti, me vlerat e koleksioneve të tyre.
Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat ndau sot në rrjetet sociale momente nga vizita e turistëve në këtë muze.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat, Agron Polovina tha sot për ATSH-në se “muzeu ka qenë i hapur edhe ditën e djeshme dhe është vizituar nga çift gjermanësh, një grup me vizitorë italianë, por edhe shqiptarë”.
Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1 500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë./ atsh / KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat njoftoi se ka nisur puna për restaurimin dhe rijetësimin e banesës së familjes Mbrica. Banesa Mbrica gjendet në lagjen Kala të qytetit të Beratit dhe ka përfituar nga programi i Ministrisë së Kulturës, “Bonusi i Rijetësimit”.
Ndërhyrjet që do të realizojnë specialistët e DRTK Berat, përfshijnë rindërtimin në gjurmën e konfiguracionin origjinal të një shkalle guri të jashtme me qemer, e cila është rrëzuar. Do të bëhet gjithashtu pastrimi nga bimësia e inertet, nivelim e sistemim si dhe ngritjen e një pjergullate druri, dhe sistemimin e verandës për të shërbyer mëngjes.
Berati si qytet i mbrojtur nga UNESCO, është një nga përfituesit më të mëdhenj nga “Bonusi i Rijetësimit”, në kuadër të të cilit, në të gjithë vendin kanë nisur restaurime dhe rijetësime banesash me vlerë për trashëgiminë kulturore. /atsh / KultPlus.com
Në qytetin e Beratit për herë të parë ka nisur puna për shndërrimin e fasadave të pallateve në murale.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau në rrjetet sociale momente nga puna e artistëve në realizimin e muraleve në një pallat pranë shëtitores së qytetit.
Duke i cilësuar një histori në mur, Demo tha se “kjo është vetëm e para vepër artistike në peizazhin e Beratit”.
“Në muralen e parë është pikturuar Kalaja, motra e cila përjetoi zënkën e vëllezërve, Shpiragut me Tomorin, lotët e së cilës krijuan lumin Osum”, u shpreh Demo.
Muralet janë kthyer në atraksionin më të ri turistik në disa qytete të vendit, ku syri kureshtar i qytetarëve mahnitet nga ngjyrat, ndërthurja e elementëve dhe sidomos nga mesazhet që transmeton ky art. / atsh / KultPlus.com
Berati vazhdon të jetë një nga qytetet më të frekuentuara të vendit, nga turistët e huaj e vendas.
Shifrat tregojnë se sezoni veror ka rezultuar i suksesshëm për Qendrën Kombëtare të Muzeumeve, Berat.
Edhe me këtë verë të nxehtë, muzeumet e QKM, Muzeu i Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeu Etnografik kanë qenë destinacionet më të preferuara të vizitorëve dhe turistëve vendas e të huaj në qytetin e Beratit.
Këto muze në periudhën maj-korrik 2022 rezulton të jenë vizituar nga 17280 vizitorë.
Ndërsa gjatë muajit korrik, muzeumet e Beratit patën 5629 vizitorë nga të cilët 1172 vendas dhe 4557 të huaj.
Kombësitë e turistëve të huaj janë kryesisht të vendeve europiane, si francezë, polakë, spanjollë, italianë, gjermanë, holandezë, etj./atsh/ KultPlus.com
Ikona “Shën e Premtja me 4 shenjtorë” doli në dritë në laboratorin e restaurimit të veprave të artit pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Berat.
Specialistët e DRTK Berat rikthyen në jetë këtë pasuri të trashëgimisë kulturore, me autor Kostandin Zografin.
“Puna e imtësishme, delikate dhe me pasion e restauratorëve të DRTK-Berat ka nxjerrë në dritë një tjetër vepër arti nga laboratori i restaurimit”, theksoi DRTK, Berat.
DRTK Berat ndau pamje para dhe pas restaurimit të ikonës “Shën e Premtja me 4 Shenjtorë”.
Kjo ikonë është gjetur në Kishën e Shën Kollit, në fshatin Vanaj të Fierit. Shën Kolli është një ndër shenjtorët më të njohur si për Kishën Katolike Perëndimore, por edhe për Kishën Lindore Ortodokse. Kulti i këtij shenjtori daton që në shek. VI ndaj edhe trojet shqiptare nuk përjashtohen për shkak të besimit dhe devotshmërisë së vjetër ndaj Krishtërimit.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat, ka si qëllim kryesor nxjerrjen e këtyre veprave të artit nga faza e degradimit duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë e një procesi që ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore./ atsh / KultPlus.com
Në qytetin e Beratit është përuruar sot minibiblioteka e re në pedonalen e qytetit.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, u shpreh se biblioteka e re është tashmë një mundësi e mirë për të gjithë lexuesit.
Sipas tij, nën sloganin “Merr një libër, lër një libër” biblioteka është gjithnjë pranë qytetarëve të cilët do të gjejnë aty, libra për fëmijë ose të rritur, shqip ose anglisht.
“Mund të merrni një libër i cili u pëlqen dhe ta zëvendësoni me një tjetër që keni në shtëpi të cilin e keni lexuar”, tha Demo, teksa shtoi se modeli i bibliotekave të tilla i jep mundësi qytetarëve të afrohen më shumë me librin. / KultPlus.com
65 pilotë nga 7 vende të ndryshme fluturuan në qiellin e Beratit në kuadër të kampionatit ndërkombëtar të hedhjes me parashuta “Berati Open Air”.
Në këtë event sportiv, që u zhvillua në datat 11-13 mars, morën pjesë pilotë nga Shqipëria, Kanadaja, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Sllovenia dhe Bullgaria.
Drejtori i Eventeve dhe garave në Federatën e Aeronautikës së Shqipërisë, Alket Islami theksoi se kjo është hera e parë që organizohet një aktivitet i tillë në qytetin e Beratit.
“Jemi shumë të kënaqur nga mikpritja dhe organizmi që ka bërë pushteti vendor për këtë event të rëndësishëm botëror. Qëllimi i organizimit është që të kthenim Ditën e Verës në një festë të madhe të fluturimit. Teknikisht është një garë shumë e vështirë sepse kemi një lumë në mes siç është Osumi, i cili është shumë afër vendit të uljes së parashutave dhe kjo shkakton turbulenca e rryma të forta, duke e bërë të vështirë për pilotët marrjen e pikës maksimale që është pika zero”, tha ai.
Në përfundim të këtij kampionati, fitues i vendit të parë u shpall Adam Spirkoski nga Maqedonia e Veriut, në vendin e dytë Matjas Sluga nga Sllovenia dhe në vendin e tretë Xhonatan Islami nga Shqipëria./atsh/ KultPlus.com
“Vishu me trashëgimi” titullohet ekspozita e hapur në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, një koleksion veshjesh popullore të qytetit të Beratit.
Kjo ekspozitë u hap nga Qendra Muzeore e Durrësit dhe Qendra Muzeore e Beratit, me qëllim njohjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare.
Përmes kësaj ekspozite është sjellë pranë publikut durrsak një pjesë e çmuar e trashëgimisë beratase, veshje autentike dhe origjinale, të fotografuara mjeshtërisht nga Ardian Fezollari në mjediset e Muzeut Etnografik të Beratit.
“Vishu me trashëgimi” është një formë e re edukimi, ndërgjegjësimi e sensibilizimi në shërbim të njohjes së vlerave muzeale e trashëgimisë sonë kulturore. Veshjet popullore janë pa dyshim një pasuri e madhe e kombit shqiptar.
Ekspozita do të jetë e hapur deri në datën 11 shkurt, në pritje të vizitorëve nga qyteti i Durrësit. /atsh/ KultPlus.com