Berat Hasani ofron veprën artistike në ankand, mjetet shkojnë për të prekurit nga vërshimet e fundit në Kosovë

Berat Hasani ka ofruar një vepër arti në ankand, shumë që shkon për të prekurit nga vërshimet e fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.

Një burrë me veshje kombëtare paraqitet në këtë vepër të Berat Hasanit që është punuar me vaj, kurse këtë vepër arti e ka blerë Veton Gashi, të cilën e ka paguar për një një mijë euro. / KultPlus.com

Berat Hasani, artisti i portreteve me ngjitës bëhet pjesë e festivalit të artit në Danimarkë

Suada Qorraj

Arti ngërthen në vetvete të bukurën, pasionin por edhe të pazakontën. Të bësh art nuk do të thotë që çdo herë të kesh hapësirën më të madhe, apo mjetet më të sofistikuara, mjafton të mbash në vete talentin dhe vullnetin e punës. Krahas talentit të madh që zotëronte, artistit Berat Hasani i mjaftuan ngjitëset dhe fletët e bardha për të sjellë në jetë portrete sa të pazakonta, por po aq edhe të bukura, shkruan KultPlus.

Në një intervistë për KultPlus, Hasani ka treguar se ishte fillimi i shkurtit të këtij viti koha kur ai filloi që të merrej më shumë me vizatime, ilustrime, fotografi e më pas edhe në ngjitës/tape art. Puna e tij u intensifikua edhe më shumë gjatë kohës së pandemisë, sidomos në periudhën kur i gjithë vendi ishte në izolim.

Berat Hasani ka rrëfyer se punimi i portreteve me ngjitëse filloi në një mënyrë krejtësisht rastësore, ishte pikërisht oferta në zbritje prej 10 ngjitësve që e shtyu artistin për të provuar diçka të re.

“Krejt rastësisht kam filluar, isha një ditë në shitoren ku furnizohem me material për art, ishte një ofertë në zbritje prej 10 ngjitëseve. I bleva se më pëlqyen shumë, mendova se mundem të bëjë  diçka me to, ndonjë kompozicion me ngjyra”, ka thënë ai.

Puna me ngjitëse, krijimi i portreteve të deritanishme i kujton atij kohën e studimeve, periudhën në të cilën ai studionte në fakultetin e arteve. Ngjitëset siç thotë ai, krahas periudhës së studimeve i sjellin ndër mend edhe grafikën.

Hasani deri më tani ka realizuar një numër të madh të portreteve me ngjitëse, ku ka sjellë ikona të artit botëror e shqiptar, si Metalica, Frida Kahlo, Fadil Vokrrin, Rita Orën, Bekim Femiun e shumë të tjerë. Ai ka treguar se puna e tij përfshinë një proces të gjatë sepse ai duhet të zgjedh portretin, të gjej foton e përshtatshme, ta vizatoj atë me laps e krejt ne fund ta qëndisë me ngjitës.

“Së pari zgjedh portretin të cilin dua ta punoj, pastaj gjej një foto të përshtatshme për ta kthyer në tape art më pas e vizatoj me vija të lehta e krejt në fund e qëndisi me ngjitës”, ka rrëfyer artisti.

Nisur rastësisht, arti i Berat Hasanit po merr dimensione më të gjera. Ai tashmë do të jetë pjesë e festivalit të artit me ngjitës në Danimarkë “Tape art festival Koge 2020”.

“Pjesëmarrja ime në këtë festival është inspirim i madh që të vazhdojë të punojë me këtë teknikë dhe të kalojë në dimensione më të mëdha”, ka thënë ai.

Meqenëse tema e edicionit të sivjetëm të festivalit, “Tape art festival Koge” është fuqia e gruas, ai ka zgjedhur që përmes artit të tij me ngjitëse të paraqes piktoren e kalibrit botëror Anna Ancher.

“Tema e festivalit është Fuqia e gruas, unë para se të vija këtu kam bërë një hulumtim për gratë e fuqishme në Danimarkë dhe njëra prej tyre më ka lënë shumë përshtypje e ajo është Anna Ancher, një piktore e kalibrit botëror për të cilën nuk kam dëgjuar më herët. Kam marr një pikturë të saj si inspirim dhe me një intervenim të vogël do e paraqes në dimensione e koncept tjetër”, ka vazhduar rrëfimin e tij artisti.

Krejt në fund ai ka thënë se përgjatë punës së tij për këtë festival po has në vështirësi për shkak të erërave të mëdha që fryjnë kohë pas kohe. Berat Hasani ka shtuar se shpreson që përmes artit të tij të arrijë të inspiroj të tjerët që në të ardhmen edhe ata të kenë inspirim dhe hobin e tyre artin./ KultPlus.com