Turistët bjellorusë vizitojnë muzeun “Onufri” në Berat

Një grup turistësh bjellorusë por dhe shumë vizitorë vendas dhe të huaj vizituan të dielën Muzeun e Ikonografisë “Onufri”, në Berat.

Ata zgjodhën të kalojnë fundjavën në Berat, i cili vijon të mbetet destinacion i rëndësishëm edhe në këtë periudhë.

Shqipëria ishte destinacioni i parë për këtë sezon i 189 turistëve bjellorusë, të cilët mbërritën nga Minsku, në 12 qershor në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Turistët po shijojnë qëndrimin e tyre në Shqipëri, duke frekuentuar plazhet e jugut si dhe duke vizituar monumentet e kulturës.

Bregdeti i mrekullueshëm, temperaturat e larta, peizazhet e larmishme natyrore, natyra e virgjër, kulinaria…etj, janë vetëm disa nga atraksionet turistike të vendit tonë, që kanë joshur 189 vizitorët nga Bjellorusia të udhëtojnë drejt vendit tonë.

Çarteri turistik erdhi me kompaninë “Belavia”, linja ajrore kombëtare e Bjellorusisë. Me çeljen e sezonit turistik, pritet që Boeing 737-800 të realizoj udhëtime të tilla turistike dy herë në javë, të martë dhe të premte. /KultPlus.com

Kisha e Shën Nikollës në Paftal pritet të shpallet monument kulture i kategorisë së parë

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare berat ka propozuar shpalljen e kishës së Shën Nikollës në fshatin Paftal, monument kulture i kategorisë së parë.

Në këtë kuadër specialistët e Institutit të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë vizitoi nga afër këtë kishë dhe vlerësoi kompozimin arkitektonik të kësaj kishe.

Eugen Kafllani, drejtor i DRTK-së Berat, theksoi se “nëse ky monument ka mbërritur në këto ditë në këtë gjendje relativisht të mirë, kjo ka ardhur si rrjedhojë e përkujdesjes së shumë besimtarëve e banorëve të kesaj zone, të cilët gjej rastin ti falenderoj publikisht”.

Sipas tij, detyra jonë dhe e shtetit tashmë është ta mbrojmë e ta mirëmbajmë të gjithë bashkë këtë ” diamant ” të trashëgimisë kulturore.

“Specialistët e Institutit të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë vlerësuan edhe tipologjinë e objektit si një bazilikë tre – nefëshe me tavan të rrafshët , përmasat e saj, detajet arkitektonike, detajet e gdhendjes së gurit në pjesën e jashtme të absidës, mbishkrimet në qemerët e portave të punuara me gur ranor, gjinekonitin me dyshemenë origjinale me dru lisi e të mbërthyer me gozhdë kovaçi , pjesën e hajatit të punuar me gurë gëlqerorë të skalitur dhe këmbanoren e cila për nga forma , eleganca dhe mënyra e punimit ka një lloj ngjashmërie me atë të Manastirit të Shën Mërisë së Apollonisë”, – tha Kafllani.

Ai bëri të ditur se pas hartimit të dokumentit tekniko – ligjor së shpejti do të merret vendimi për shpalljen në mbrojtje paraprake dhe më pas përfshirjen në listën e monumenteve të administruara nga DRTK – Berat duke bashkëlidhur edhe zonën e mbrojtur përreth monumentit.

Kjo kishë daton në vitin 1875 ( sipas edhe mbishkrimeve ) por kjo datë mund ti përkasë rindërtimit pasi ekzistojnë të dhëna të botuara apo të dhëna nga tradita gojore të banorëve të zonës, ku thuhet se është ndërtuar mbi një kishë më të hershme.

Monumenti i atribuohet punës së kryemjeshtrit usta Veliko nga Opari i Korçës. Në ditët e sotme kjo kishë prezantohet si një nga objektet e kultit me vlera të rëndësishme historike -arkitektonike dhe për nga pozicioni gjeografik i vendndodhjes së saj ajo është një vlerë e shtuar si për turizmin kulturor në qarkun e Beratit, ashtu edhe një vend i rëndësishëm pelegrinazhi për besimtarët.

Bashkia e Beratit shpall konkurs për çmimin letrar “Vexhi Buharaja”

Vexhi Buharaja është  shkrimtar, poet, studiues, i cili ka lindur ne qytetin e Beratit. Pas studimeve ai u kthye të jetonte përsëri në Berat me familjen e tij. Buharaja është përkthyes, interpretues dhe studiues kryesor i mbishkrimeve turko-arabe në Shqipëri.

Dorëshkrimet e tij, janë ende një minierë e pashfrytëzuar për historianët dhe studiuesit në përgjithësi.

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së dijetarit, përkthyesit, studiuesit dhe poetit Vexhi Buharaja, Bashkia e Beratit shpall Çmimin letrar “Vexhi Buharaja” në letërsi.

Emrat e jurisë
• Ymer Ciraku
• Milazim Krasniqi
• Visar Zhiti
• Aleksandër Cipa
• Yzedin Hima

  1. Cikël me 7 poezi
  2. Esé

Në zhanrin e eseve do të përfshihen:

1.Esé me temë: “Duke ngjitur shkallët e dijes, bëhem më i lirë.”(Marrin pjesë me krijime gjimnazistë dhe  studentë)

2.Esé letrare me temë: “Poezia e ndritshme e Vexhi Buharasë”

3.Esé letrare me temë :“Mrekullia poetike e Firdeusiut dhe përkthyesi Vexhi Buharaja”.

4.Cikël me 9 poezi të përkthyera.

Koha e dorëzimit të krijimeve për konkurim: 

20 prill – 04 maj 2020. Të gjithë tekstet mund t’i nisni në [email protected]

Koha dhe vendi ku do të shpallen fituesit e konkursit: 

Fituesit e konkursit do të shpallen më 12 maj 2020, në 100-vjetorin e lindjes së Vexhi Buharasë.

Rregullorja e çmimit “Vexhi Buharaja”

1.Ky çmim jepet çdo vit nga Bashkia e Beratit, nën kujdesin e kryetarit të kësaj bashkie dhe në bashkëpunim me institucione të tjera kulturore vendore dhe kombëtare, me sipërmarrës vendorë e më gjerë.

2. Çmimi letrar “Vexhi Buharaja” jepet çdo vit për veprën letrare në poezi, prozë, përkthim, eseistikë, studime filologjike. Ky çmim ka gjeografi kombëtare (Shqipëri e viset e tjera ku jetojnë shqiptarët)

  • Çmimi do të shpallet çdo 12 maj.
  • Pjesëmarrësit duhet të konkurojnë vetëm në një nga llojet e zhanreve letrare.
  • Pjesëmarrja në këtë konkurs është e lirë.

7. Për vlerësimin dhe ndarjen e çmimeve, kryetari i Bashkisë  formon jurinë profesionale prej 5 anëtarësh.

Juria do të jetë me pjesëmarrje nga specialistë të fushës, nga i gjithë vendi.

  • Veprat duhet të dorëzohen në faqen elektronike të  konkursit Bashkia Berat. Gjithashtu, në dërgesë duhet të shkruhen qartë: Emër mbiemër i autorit pjesëmarrës në konkurs,  datëlindja  ID dhe numri i telefonit.

9.Për vitin 2020, për arsye që dihen, (COVID -19) çmimi do të jepet në cikle poetike, ese dhe përkthim i një cikli me poezi.

10. Publikimi i poezive/prozave/eseve, duhet të jenë krijime origjinale të autorëve. Çdo plagjiaturë do të çojë në skualifikimin e pjesëmarrësit. Çdo pjesëmarrës do të pajiset me një çertifikatë.

  1. Fituesit përfitojnë një shumë simbolike dhe një vepër të përkthyer nga Vexhi Buharaja.

13 Veprat studimore, që kanë në fokus qytetin e Beratit: Dukuri e figura të kulturës, artit, letërsisë, historinë e qytetit, monografi që pasqyrojnë jetën shpirtërore, ekonomike, kulturore ndër shekuj të qytetit dhe që konsiderohen si kontribute me vlera, do të botohen me fondet e Bashkisë së Beratit.

  1. Krijimtaria e pjesëmarrësve do të botohet në website-in e Bashkisë dhe në portale letrare.
  2. Në përfundim të afatit të parashikuar, juria do të shpallë çmime të para për secilin lloj letrar. Vendimi i jurisë është i pakontestueshëm.
  3. Shpallja e fituesve do të bëhet më 12 maj.
  4. Krijimet do të dorëzohen nga data 20 Prill deri në 4 Maj 2020, në adresën e Bashkisë Berat ( adresë në funksion të konkursit të shpallur). Nga data 4 – 11 Maj, do të jetë koha e vlerësimit nga komisioni.   Më 12 Maj do të organizohet shpallja e fituesve të konkursit letrar.
  5. Nga data 5 Maj deri në 11 Maj, do të publikohen në këtë faqe, të gjitha krijimet dhe kumtesat. /KultPlus.com

COVID-19, vizitë virtuale në Muzeun Etnografik të Beratit

Në kushtet e jashtëzakonshme, të vetizolimit në shtëpi, që është përfshirë vendi, si masë mbrojtje kundër përhapjes së virusit COVID-19, ministrja e Kulturës Elva Margariti sugjeron që qytetarët dhe artdashësit të vizitojnë nga shtëpia, virtualisht, dy skica të realizuara nga turistët, pasi kanë vizituar Muzeun Etnografik në Berat.

“Këto dy skica janë realizuar nga turistët, pasi kanë vizituar Muzeun Etnografik në Berat.
Në pamundësi për ta vizituar ato fizikisht, gjatë këtyre ditëve, ju ftoj ta vizitojmë nga shtëpitë tona, virtualisht”, shprehet Margariti.


Restaurohet kisha e shekullit XIII në Berat

Një kishë mesjetare në Berat e ndërtuar gjatë shekullit XIII, pas restaurimeve të bëra në brendinë e saj do të hapet sërish për publikun.
Ministrja e Kulturës së Shqipërisë përmes një statusi në Facebook ka njoftuar për restaurimet që janë bërë në këtë kishë. Pjesët e restauruara të kishës janë dyert e saj dhe afreskat që kisha ka pasur.

“Duke ju uruar një ditë të mbarë, po ndaj me ju disa nga momentet e restaurimit të dyerve dhe afreskeve, të një prej kishave më të bukura në Berat, e cila daton prej shek. XIII. Pas kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, dyert e Kishës së “Shën Triadhës” do të hapen sërish, për të gjetur paqe mes shenjtorësh apo për të shijuar afresket që specialistët e DRTK, Berat, me durim po i nxjerrin në dritë”, shprehet ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti.

Restaurohen porta dhe afresket e rralla në kishën e “Shën Triadhës”

Pas gjendjes së jashtëzakonshme, nga COVID-19 që ka prekur edhe vendin tonë, dyert e Kishës së “Shën Triadhës” në Berat do të hapen sërish, për të gjetur paqe apo për të shijuar afresket e rrallë që gjenden aty.

Specialistët dhe eskpertët e fushës kanë restauruar portën dhe afresket.

Mnistrja e Kulturës, Elva Margariti se shpehet se “Shën Triadha” është një nga kishat më të bukura, në Berat, e cila daton prej shek. XIII. Ajo do të hapet sërish, për të gjetur paqe mes shenjtorësh apo për të shijuar afresket, që specialistët e Drejtorisë Rajonale të Teatrit dhe Kulturës, Berat, të cilët me durim po i nxjerrin në dritë”.

“Duke ju uruar një ditë të mbarë, po ndaj me ju disa nga momentet e restaurimit të dyerve dhe afreskeve, të një prej kishave më të bukura në Berat, e cila daton prej shek. XIII. Pas kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, dyert e Kishës së “Shën Triadhës” do të hapen sërish, për të gjetur paqe mes shenjtorësh apo për të shijuar afresket, që specialistët e DRTK, Berat, me durim po i nxjerrin në dritë”, shprehet Margariti. /Atsh /KultPlus.com

Berat, kthehet në identitet një tjetër banesë monument kulture

Bashkëpunimi i DRKK- Berat me CHWB-Albania dha rezultatet e para me përfundimin e restaurimit të fasadës në banesën e Vasil Shyti monument kulture kat e II në lagjen Goricë.

Ndërhyrja u krye nga praktikantët e rinj në drejtimin e mjeshtrave sipas teknikës tradicionale të restaurimit.

Ndërhyrja konsistoi në restaurimin e fasadës, duke ruajtur vlerën dhe mënyrën tradicionale të ndërtimit.

Banesat beratase janë një dëshmi e vyer e diversitetit urbanistik dhe arkitektonik, karakteristikë e Beratit.

Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare në të gjithë vendin, po punojnë çdo ditë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Berat, kthim në identitet i një tjetër banese monument kulture

Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare në të gjithë vendin, po punojnë çdo ditë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe restaurimit të banesave në qytetin e Beratit,  ku së fundmi ka nisur ndërhyrja restauruese në banesën e Vasil Shytit, në lagjen Goricë.

Specialistët e DRKK Berat në bashkëpunim me CHWB-Albania kanë nisur ndërhyrjen restauruese në banesën e Vasil Shyti monument kulture kat e II në lagjen Goricë. Ndërhyrja konsiston në restaurimin e fasadës, duke ruajtur vlerën dhe mënyrën tradicionale të ndërtimit.

Banesat beratase janë një dëshmi e vyer e diversitetit urbanistik dhe arkitektonik, karakteristikë e Beratit.

Tingujt e mzuikës baroke ndëthuren me trashëgiminë kulturore në muzeun Etnografik në Berat

Festivali i Muzikës së Vjetër “Vox Baroque” i cili i kushtohet tërësisht repertorit barok rikthehet në edicionin e 6-të në oborrin e muzeut Etnografik në Berat.

Koncerti “Vox Baroque” vjen për publikun beratas në datat 6 – 15 korrik me repertor tërësisht të kompozitorëve më përfaqësues të barokut europian, luajtur me instrument origjinalë të kohës nga Jonatans Montero, Jung Kim dhe Jusuf Beshiri.

Synimi i këtij festivali është të përhapë muzikën baroke të luajtur me instrumente origjinalë, në respekt të plotë të stilit, rregullave dhe mënyrës së interpretimit të asaj kohe.

I konceptuar të ndikojë njëherësh në zhvillimin rajonal, nëpërmjet edukimit muzikor, por edhe të kthehet në një nxitës të politikave drejt zhvillimit të turizmit kulturor, duke kthyer vëmendjen dhe interesin në disa nga monumentet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Në edicionin e parë, ky festival solli risi në zhanrin e muzikës, duke trajtuar muzikën e vjetër dhe stilin barok në disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë, konsideruar si qendra të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. /a.a/

Në Kalanë e Tiranës prezantohen vlerat e traditës beratase

Në ambientet e “Kalasë së Tiranës” u prezantuan vlerat më të mira të traditës beratase.

Trashëgimia kulturore erdhi pranë vizitorëve, të cilët ndoqën me shumë vëmendje ekspozitën fotografike, panairin e artizanatit si dhe këngët e vallet origjinale beratase.

“Dita e Beratit” shënjon një ngjarje të rëndësishme në kalendarin e aktiviteteve kulturore të Bashkisë së Beratit, ku arti, tradita, kultura jonë, udhëtojnë për të shpalosur historinë e vet në “Kalanë e Tiranës”, në të cilën promovohen disa nga vlerat më të mira të trashëgimisë sonë. 

Ky aktivitet u përfaqësua nga Kryetari i Bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj, dhe Nënkryetarja, Afize Skëndo, të cilët falenderuan mikpritësit e “Kalasë së Tiranës” për mundësinë që i krijojnë evidentimit të vlerave të trashëgimisë kulturore.

Përfaqësuesja e Familjes Toptani, Klodjana Toptani, tha se evente të tilla do të vazhdojnë të gjallërojnë ambientet e “Kalasë së Tiranës” për të pritur dhe promovuar çdo lloj iniciative të re, ku dalin në pah vlerat më të mira të traditës dhe kulturës shqiptare.

Ky aktivitet u organizua nga bashkia e Beratit në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Margarita Tutulani”, Qendrën e Artizanatit “Margarita” dhe Qendrën Tregtare “Kalaja e Tiranës – Familja Toptani”. /atsh / KultPlus.com


Berat, ekspozohen për herë të parë 13 ikona të mjeshtërave ikonografë

Në Muzeun Ikonografik Onufri, Berat është hapur për vizitorët ekspozita e veçanta “Thesare të Fjetura”.

“Thesare të fjetura” po ngjall interes tek vizitorët pasi paraqet 13 ikona të pa ekspozuara, të gjitha të dorës së parë, që u atribuohen mjeshtrave ikonografë të shkollës së Beratit.

Kjo ekspozitë vjen si bashkëpunim i Qendrës Muzeore dhe Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Berat duke vlerësuar punën e kujdesshme të restauratorëve për mirëmbajtjen dhe kujdesin e këtyre ikonave të ekspozuara.

Specialistët restauratorë të dy institucioneve ditë pas dite u kujdesën ti pastrojnë, restaurojnë dhe në këtë ekspozitë në mjedisin e Muzeut Onufri ia kthyen publikut me tërë shkëlqimin e tyre siç mjeshtërit i krijuan në një paraqitje mbresëlënëse. 

Restauratorët Erion Lezi, Altin Tabaku e Miltiadh Bibo janë ata që e bënë të mundur, me përkushtim e përgjegjësi profesionale duke ju bashkëngjitur traditës më të mirë të restaurimit. 

Ky muzeu ka standarde shumë më të larta konservimi e ekspozimi të koleksioneve ku punohet me një mendësi të re shërbehet me profesionalizëm tregohet më shumë përgjegjësi për të ndryshuar mënyrat e deritanishme si një përpjekje e përhershme e të gjithëve veçanërisht specialistëve për ta përmirësuar e transformuar vazhdimisht në një muze bashkëkohor, një muze të shek XXI. /a.a/ KultPlus.com

Restaurohet ikona “Krishti Pantokrator” në Berat

Restaurimet dhe mirëmbajtja e ikonave fetare, si pjesë e trashëgimisë kulturore e cila tregon dhe njëherë në sytë e turistëve se fetë në Shqipëri jetojnë në harmoni, po merr vëmendje çdo ditë e më shumë.

Institucionet përkatëse dhe specialistët për mirëmbajtjen e këtyre ikonave po bëjnë restaurimin e tyre për t’i bërë ato të denja për të treguar si vlerën, edhe historinë që ato mbartin.

Së fundmi thesaret e fjetura të trashëgimisë në Berat, po ‘zbulohen’ nga specialistët e artit. “Krishti Pantokrator” me autor Naun Çetirin është restauruar duke i kthyer vlerat kësaj ikone ku specialistët e DRKK Berat kanë punuar në mënyrë të imtësishme dhe delikate për të ruajtur autencitetin e saj.

Ministria e Kulturës Elva Margariti për këtë restaurim shprehet se, ”Krishti Pantokrator” me autor Naun Çetirin, është restauruar nga Miltiadh Bibo dhe Altin Tabaku dy restauratorët duarartë në DRKK Berat që rikthyen në jetë laboratorin e restaurimit të ikonave dhe nxjerrin në dritë thesaret e fshehura të Beratit.Jo vetëm Art, por edhe Edukim”. /a.a/j.p/ / KultPlus.com

Banesa Llavda në Berat do “udhëtojë” në gjithë Ballkanin

Banesa Llavda sot Muzeu Etnografik, Berat do të “udhëtojë” në gjithë Ballkanin. Kjo falë studentit shqiptar Marildo Bacelli i cili fitoi çmimin e parë në Stamboll në konkursin me temë “Banesat e Ballkanit në maket”.

Banesa Llavda sot Muzeu Etnografik,Berat, është një banesë interesante në Ballkan, më se 400 vjeçare që ruan autenticitetin e saj. Tashmë ky maket do të ekspozohet për disa javë në të gjitha qytetet kryesore të Ballkanit.

Konkursin me temë “Banesat e Ballkanit në maket” u organizua nga Shoqata Bal-Turk, Universiteti i Kocaelit, Universiteti Teknik i Bursës dhe Universiteti Teknik i Lindjes së Mesme Ankara, në Stamboll me pjesëmarrjen e studentëve nga të gjitha universitetet e Arkitekturës së Turqisë e Azerbajxhanit. /a.a/j.p/ KultPlus.com

Ansambli i valleve popullore bullgare, koncert në qytetin e Beratit

Ansambli i valleve popullore bullgare “Vangeloff”, me ftesë të bashkisë së Beratit, dha sot përpara artdashësve të shumtë beratas, një koncert të përbashkët me Qendrën Kulturore “Margarita Tutulani” dhe grupin e shoqatës “Qypërllinjtë e Roshnikut”.

Të pranishëm në këtë koncert ishin ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Momtchil Stoyanov Raytchevski, dhe nënkryetarja e bashkisë, Afize Skëndo, të cilët përshëndetën këtë aktivitet të bukur artistik. Vallet dhe këngët e bukura popullore elektrizuan sallën dhe rrëmbyen duartrokitjet e artdashësve të shumtë, të cilët kaluan momente të paharrueshme mes tingujve të muzikës. / atsh / KultPlus.com

Karnavalet i japin jetë fundjavës në Berat

Nga Erjola Azizolli

Festa e karnavaleve ka mbushur me ngjyra fundjavën në qytetin e UNESCO-s.

Fëmijë të maskuar me maskat e personazheve të botës së tyre kanë emocionuar prindërit dhe qytetarët që i kanë ndjekur në një paradë të vërtetë. Aktiviteti është zhvilluar përgjatë pedonales së qytetit dhe është ndjekur me mjaftë interes nga qytetarët.

Karnavalet, kanë sjellë botën e maskuar të shumë personazheve, ndërkohë që fëmijët kanë sfiduar temperaturat e ulëta të së shtunës. Plotë ngjyra, energji dhe interpretime në një festë të vërtetë që ka zgjatur gjatë gjithë paradites. Fëmijët e talentuar kanë demonstruar dhe numra artistik, të cilët kanë qenë pjesë e një feste të vërtetë. Protagonistë kanë qenë fëmijët e të gjitha kopshteve publike dhe jo publike të qytetit, të cilët ishin përgatitur me mjaftë mjeshtëri nga stafi i edukatorëve, ndërkohë që nuk ka munguar dhe ndihma e dhënë prej prindërve.

Nën kryetarja e Bashkisë, Afize Skëndo, u shpreh se ky aktivitet i fëmijëve ishte pjesë e një programi që bashkia ka miratuar që në fillim të vitit për të pasur një jeta kulturore dhe artistike në qytet.

“Sot, ishte radha e fëmijëve që na mbushën qytetin me jetë. Aktiviteti bëri bashkë një sërë institucionesh dhe u arrit që jo vetëm të gëzonim fëmijët, por ti jepnim ngjyra qytetit”, tha nënkryetarja e bashkisë.

Aktivitete kulturore parashikohet që të ketë për çdo festë kalendarike sipas Skëndos me qëllim që ti jepet larmi qytetit veçanërisht në fundjavë, ku dhe pse në stinën e dimrit nuk mungojnë vizitorët. / KultPlus.com

Berat, restaurim dhe mirëmbajtje banesave monument kulture

Një vëmendje e veçantë po i kushtohet gjithnjë e më shumë restaurimit të banesave në qytetin e Beratit.

Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare në të gjithë vendin, po punojnë çdo ditë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Ditët e fundit në banesën Z.Langore, monument kulture kat e II lagjia “Kala” po kryhet ndërhyrje restauruese pranë murit rrethues të kësaj banese.

Dëmtimi i murit rrethues të saj ka sjellë si pasojë dëmtimin e qemerit të portës, strehës dhe vet portës duke u bëre një problem për sigurinë e qytetarëve dhe lëvizjes së vizitorëve në këtë rrugicë.

Punimet konsistojnë në : pastrimin e territorit, restaurimin e murit të dëmtuar, ringritjes së asaj pjese të muraturës e cila është rrëzuar brenda në territorin e banesës, zbërthimin e qemerit të portës, zbërthimin e strehës së saj duke vazhduar më pas me restaurimin e qemerit, si dhe restaurimin e strehës së portës.

Pas përfundimit të këtyre punimeve, specialistët marangozë do të trajtojnë portën e oborrit duke bëre të mundur restaurimin e saj.

Banesat beratase janë një dëshmi e vyer e diversitetit urbanistik dhe arkitektonik, karakteristikë e Beratit.

Qyteti i Beratit është një nga më të vjetrit në Shqipëri, me gjurmët e para të cilat datojnë që 2600-1800 para Krishtit. Ka edhe qeramika që nga shekulli i 7 apo 6. Banorët e Beratit janë quajtur në fillim ilirë, më pas arbër dhe në fund shqiptarë.

Zona e Kalasë ka fortifikime guri që nga gjysma e parë e shekullit të 4. Në kohët e lashta ai ishte i njohur si Antipatreja Berat, një qytet i fortifikuar që ka arritur t’u rezistojë legjioneve romake të së kaluarës.

Berati, 100 mijë turistë brenda vitit 2018

Rreth 100 mijë pritet të jetë numri i turistëve, që do të vizitojnë qytetin e Beratit.

Qyteti 2400 vjeçar i Beratit i njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, ka zgjuar interesin e turistëve të shumtë që e kanë vizituar.

Një muze i gjallë në natyrë ku “ngjizen” natyrshëm historia , arti dhe arkitektura e monumenteve ka shënuar një rekord historik vizitorësh gjatë këtij viti. Në periudhën janar-gusht, Berati u vizitua nga 95 000 vizitorë, ndërsa vetëm gjatë muajit gusht u vizitua nga 23 000 vizitorë.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Eugen Kallfani, në një video të publikuar nga Banka Botërore, e cila po ndihmon zhvillimin e turizmit në Berat, thekson se “sot mund të flasim për një shifër prej 100 mijë vizitorë , që priten të vijnë këtë vit”.

“Në Berat numërohen rreth 486 monumente kulture në të gjithë qarkun e Beratit dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos këto 3 vitet e fundit”, nënvizoi Kallfani.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. /ata

“Teatri i Rrugës” ndërgjegjëson komunitetin në Berat

“Teatri i Rrugës” u ndal në Berat për të ndërgjegjësuar qytetarët për t’u bërë më aktiv në komunitetin ku jetojnë.

Qendra “Albania comunity”, ASSIST – ACA ( Asistencë për komunitetin në Shqipëri) në bashkëpunim me Bashkinë e Beratit realizuan mbrëmjen e djeshme në sheshin përpara Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani” projektin “Teatri i rrugës nëpër Shqipëri”.

Qëllimi i “Teatrit të Rrugës” është rritja e nivelit të demokracisë vendore nëpërmjet artit si një mjet tërheqës për komunitetin.

Tematika e etydeve të performuara nga të rinjtë kishte të bënte me ambientin, transparencën, llogaridhënien dhe korrupsionin.

Ky event kulturor tërhoqi vëmendjen e shikuesve të shumtë vendas, por edhe të vizitorëve të huaj.

Në Berat fillon ndërhyrja për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës

Siguria e strukturave të banesave monument kulture në lagjen muze të Goricës, në Berat, shpesh herë është vënë në rrezik nga degradimi i rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve.

Tubacionet e amortizuara të linjës së ujësjellësit në këto dekada kanë sjellë një degradim të rrjetit e për pasojë është e domosdoshme ndërhyrja në lagjen muze nga ana e Drejtorisë së SHA Ujësjellës-Kanalizime për të eleminuar këtë fenomen të dëmshëm për sigurinë e strukturave të banesave.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Berat ka nisur këto ditë punën për mirëmbajtjen e një tjetër banese monument kulture.

Specialistët e DRTK Berat janë duke ndërhyrë në banesën e Llazar Pushit, monument kulture kategoria e II lagjia Goricë.

Ndërhyrja konsiston në hapjen e kanalit për punimet e drenazhimit me qëllim hidroizolimin e strukturës murale të katit nën tokë dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me terrenin e rrugicës.

Ansambli i lagjes Goricë zhvillohet në pjesën më të ulët të një lartësie kodrinore, që kurorëzohet në majë me një fortifikim të periudhës antike. Nga pjesa tjetër e qytetit e ndan lumi Osum dhe deri vonë mënyra e vetme e komunikimit ishte nëpërmjet urës së Goricës.

Në këtë zonë gjenden disa banesa të mëdha kryesisht të tipit me çardak, që duket se i përkasin fazës së shekullit të XVIII. Këto banesa ishin në pronësi të shtresave të pasura të qytetit, në dallim me banesat e brezit të sipërm që zotëroheshin kryesisht nga shtresat e mesme qytetare.

Në qendër të lagjes vazhdimin e linjës së banesave e thyen prezenca e kishës tip bazilike të Shën Spiridhonit. Për vetë pozicionin që ka lagja Goricë, ndryshe nga Mangalemi, kapet më pak nga rrezet e diellit./ KultPlus.com

Kalaja e Beratit, rreth 15 mijë vizitorë gjatë 20 ditëve të para të gushtit

Kalaja e Beratit është një ndër pikat turistike e cila ka një numër vizitorësh që vjen gjithnjë në rritje Monumentet e kulturës vijojnë të mbeten atraksioni turistik i preferuar për turistët e huaj dhe vendas në këtë sezon veror.

Gjatë 20 ditëve të para të muajit gusht kalaja e Beratit është vizituar nga 14.669 vizitorë, mes të cilëve 9.612 kanë qenë vizitorë të huaj. Berati është një ndër qytetet më interesantë dhe tërheqës, i cili çdo vit e më shumë po tërheq turistë të huaj dhe vëmendjen e mediave të huaja, ku ky qytet është i pranishëm në shkrimet që bëhen për Shqipërinë, kjo edhe për faktin se është trashëgimi botërore e UNESCO-s.

Kalaja e Beratit është një ndër pikat turistike e cila ka një numër vizitorësh që vjen gjithnjë në rritje. Ajo përbën një nga atraksionet turistike më të preferuara në Shqipëri për turistët e huaj dhe ata vendas.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Ajo është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II p.e.r.

Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë. Disa prej tyre janë: Kisha e Shën Triadhës, e cila i përket fundit të shek. XIII dhe fillimit të shek. XIV. Në brendësi të saj ka afreske mjaft interesante. Pas kishës së Shën Todrit gjenden kishat e Shën Kollit, Shën Kostandinit, Shën Helenës, Shën Mërisë Vllaherna etj. Muzeu i Ikonave Onufri: Ndodhet në lagjen Kala dhe përmban disa nga shembujt më të bukur të artit fetar në Shqipëri.

Muzeu u hap në vitin 1986, emrin e ka marrë prej piktorit të madh të shek. XVI të shkollës shqiptare Onufrit. Me mbi 210 objekte muzeale, 60 prej të cilave të shpallura si monumente të kategorisë së parë, Berati konsiderohet si një nga qytetet me trashëgiminë më të pasur kulturore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon./ KultPlus.com

“Të bukurat e dheut”, zbresin në Berat

“Të bukurat e dheut” nga 36 vende të botës do të zbresin të martën në qytetin e Beratit në spektaklin “Miss Rainbow of the world”.

Në datat 21 dhe 22 gusht, me mbështetjen e bashkisë së Beratit, do të organizohet eventi ”Miss Rainbow of the World”, një konkurs ndërkombëtar bukurie, i cili vjen për herë të parë në Shqipëri, ku do të garojnë për “Kurorën Shumëngjyrëshe të Ylberit përfaqësueset e 36 shteteve. Aktivitetet që do të zhvillohen në Berat: Datë 21 gusht, ora 18:30, në stadiumin “Tomorri”, ndeshje miqësore futbolli nga konkurrentet. Hyrja është e lirë”, shprehet bashkia e Beratit.

Po ashtu zbardhet axhenda e aktivitetit ku thuhet se në “datë 22 gusht, ora 20:00, në sallën e koncerteve të Qendrës Kulturore, në natën finale të konkursit ‘Miss Rainbow of the World’, do të ndiqni spektaklin e miseve pjesëmarrëse, si dhe performancën e grupit të Qendrës Kulturore ‘Margarita Tutulani’, Berat. Hyrja është e lirë”, thuhet në njoftim./ ata

Restaurohet një tjetër banesë monument kulture në lagjen Goricë

Specialistët e mirëmbajtjes së DRKK-Berat përfunduan ndërhyrjen restauruese në një tjetër banesë monument kulture.

Ndërhyrja në banesën e familjes Plaka në lagjen Goricë u krye në dy faza.Gjatë fazës së pare u bë zëvendësimi i shtatë dritareve nga gjendja e amortizuar dhe më pas u ndërhy në restaurimin e fasadës kryesore. Pas zbërthimit të suvasë së dëmtuar e cila është e ndërtuar me skelet druri mur çatërma u bë zbërthimi i elementëve drusorë të murit përkatësisht paretkave të dërrasës.

Pas kësaj ato u zëvëndësuan dhe u realizua suvatimi me llac gëlqereje i përzier me kashtë me dy duar duke respektuar teknikën origjinale. Gjithashtu u krye dhe lyerja me shërbet gëlqereje si dhe trajtimi i elementëve drusorë fashaturave horizontale, strehës dhe fashaturave vertikale me vaj liri./ KultPlus.com

Të rinjtë francezë vijnë në Berat, promovojnë trashëgiminë kulturore

Të rinj nga qyteti i Marsejës në Francë janë angazhuar prej disa ditësh në programin “Interlink Berat” i cili synon promovimin e trashëgimisë kulturore, ruajtjen e mjedisit dhe nxitjen e shkëmbimeve kulturore.

Me mbështetjen e bashkisë Berat dhe me ndihmën e vullnetarëve të Korpusit të Paqes Berat dhe Aleancës Franceze, dega Berat, të rinj beratas dhe nga qyteti i Marsejës në Francë janë angazhuar në këtë program.

Të rinjtë janë duke ndihmuar në përmirësimin e oborreve të kishave historike të Shën Mëri Vllahernës dhe Shën Todrit në Kalanë e Beratit dhe të disa shkollave në qytet.

Aktivitete të tjera përfshijnë ekspedita në natyrë si dhe programe shkëmbimi dhe ndërveprimi kulturor.

Modelet e rijetëzimit një risi që nxit interesin e turistëve

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro vizitoi Hotel Vila Aleksander në Berat, një nga modelet e suksesshme të rijetëzimit të trashëgimisë kulturore.

Aleksandër Nako dhe bashkëshortja e tij, pas kthimit nga Italia, kanë investuar në banesën e pozicionuar në lagjen Mangalem, Berat, duke ruajtur dhe vendosur në fokus vlerat e trashëgimisë kulturore dhe arkitektonike të banesës, tashmë e kthyer në ambient hotelerie dhe restorant, me shërbim të kualifikuar.

Ky model-rijetëzim e njeh publikun me historikun e banesës, situatën urbane, arkitekturën dhe zhvillimin e hapësirave të brendshme, duke modeluar turizmin kulturor , që këtë vit ka një numër të lartë vizitorësh në të gjithë vendin, shkruan a.t.a.

Banesat si pasuri kulturore, janë një mundësi shumë e mirë për ti rijetëzuar në bujtina, restorante, qendra shërbimi dhe të tjera aktivitete private fitimprurëse./ KultPlus.com