Muzika ruse mbërrin në Berat, “Vertograd” interpretuan këngët e njohura në të gjithë botën

Erjola Azizolli

Që nga këngët më të famshme ruse si: “Katjusha”, “Ochi chernye”, “Mbrëmjet e Moskës”, “Kalinka” e deri tek muzika instrumentale, janë interpretuar live mbrëmjen e djeshme për publikun beratas. Ka qenë ansambli muzikor i famshëm rus, “Vertograd”, i cili ka ndezur atmosferën me interpretimet e këngëve ruse, të njohura në të gjithë botën.

Tre muzikantët: Juri Stupak, balalajka (vegël muzikore popullore ruse), Aleksej Stepanov, në kitarë dhe Pjotr Matroniçev, në fizarmonikë, së bashku me këngëtarët Aleksej Parfjonov dhe Marta Serebrjakova dhuruan emocione veçanërisht njohësit e shumtë të kulturës ruse në këtë qytet.

Ky koncert në Berat sjell për herë të dytë në Shqipëri këtë ansambël të famshëm dhe kjo u mundësua nga Ambasada Ruse, në vendin tonë dhe për bashkëshorten e ambasadorit që ishte prezent në këtë koncert, Ludmilla Karapushina, ky event aktistik rus, do ti hap rrugën shumë të tjerëve në këtë qytet, që njeh dhe dashuron kulturën ruse.

“Është shumë kënaqësi që publiku jo vetëm që të ndjek dhe të duartroket ndërsa këndon dhe interpreton, por bashkohet me këngët e njohura ruse, tha Juri Stupak, drejtori artistik i ansamblit, i impesionuar nga publiku beratas.

Ndërsa nën kryetarja e bashkisë, Teuta Muçogllava, u shpreh se të tillë evente do të kenë gjithmonë mbështetjen e institucionit të baskisë.

“Vertograd” është ansambli i muzikës popullore me instrumentistë dhe këngëtarë, i krijuar në vitin 2005, i cili synon ruajtjen dhe promovimin e traditave të muzikës së mirëfilltë ruse”./ KultPlus.com

Berati me një muze të ri për kujtesën e hebrenjve, hapet muzeu “Solomoni”

Erjola Azizolli

Qyteti me vlera i Beratit që prej ditës së sotme ka një institucion të ri kulture, një muze që sjell në vëmendje një memorie shekullore të bashkëjetesës, bashkëpunimit dhe solidaritetit mes beratasve dhe komunitetit hebre në këtë qytet. Studiuesi beratas, Simon Vrusho nëpërmjet fotove, dokumenteve, evidentimit të familjeve beratase, sjellë për herë të parë për publikun dhe vizitorët një muze që rrëfen një hapësirë kohore 500 vjeçare, nga viti 1520, kur në këtë qytet u vendosën 25 familjet e para hebreje që përbënin një lagje të quajtur “Mëhalla e Çifutëve”.

I hapur nga studiuesi Vrusho në rrugën që të çon për në Kalanë e qytetit, muzeu nëpërmjet fotove, dokumenteve të kohës ndalet tek shpëtimi dhe strehimi i mbi 600 hebrenjëve në kohën e Holokausit.

Ditën e sotme drejtues institucionesh vendore, pasardhës të familjeve që strehuan hebrenjtë, mësues dhe nxënës shkollash ishin pjesë e hapjes zyrtare të kësaj foto galerie muzeu me përmbajtje hebraike, ku ishte prezent dhe Rabini i Shqipërisë Yisorel Finman, drejtor Ekzekutiv i Rabinatit të Shqipërisë.

“Ky Muze, i pari i llojit të vet, është i pari në Berat dhe në hapësirën mbarëshqiptare që evokon praninë hebraike 500-vjeçare, me fokus të veçantë Luftën II Botërore, Kohën e Holokaustit, kur në Berat u strehuan dhe u shpëtuan mbi 600 hebrenj, një pasaportë bese dhe humanizmi shqiptar, me të cilën i kemi të hapura të gjitha rrugët e ndjeshmërisë njerëzore, duke qenë në harmoni me njeriun dhe Zotin”, tha në fjalën e tij studiuesi Vrusho.

Ndërsa, duke e konsideruar si mjaft të rëndësishëm kontributin e familjeve beratase në shpëtimin e Hebrenjëve, Rabini Yisroel Finman, u shpreh në fjalën e tij se “Ju keni një vlerë të madhe, besën që duhet ta promovoni”, ndërkohë që kujtoj fjalën e dhënë nga kryeministri Rama për ndërtimin e Qendrës Hebraike në Tiranë.

Përshëndetje për hapjen e këtij muzeu solli dhe nënkryetarja e bashkisë, Teuta Muçogllava./ KultPlus.com

Kodiku i purpurt i Beratit pjesë e Bibliotekës Botërore Digjitale

Kopje digjitale të Kodikëve të Beratit u publikuan në Librarinë Digjitale Botërore të Librarisë së Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kodiku u digjitalizua tërësisht në muajt nëntor-dhjetor 2016 nga Arkivi Qendror Shtetëror në kuadër të bashkëpunimit mes AQSH dhe Librarisë së Kongresit. Drejtori i Arkivit në intervistën për Zërin e Amerikës, ka folur për këtë projekt në kuadër të vitit të Skënderbeut si dhe për projektet e tjera që janë planifikuar:

“Në vitin mbarë Kombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut ne e nisëm fatmirësisht në Uashington me një promovim ndërkombëtar të pasurisë tonë dokumentare, duke promovuam në Librarinë e Kongresit publikimin e Kodikëve të Beratit, është thjeshtë aktiviteti i parë në kuadrin e këtij viti, i cili do të pasohet me shumë aktivitete të tjera, së pari me Javën e Arkivave të Hapura ku do të shihen proceset e punës në Arkivin Qendror Shtetëror”.

Kodiku i Purpurt i Beratit (Codex Beratinus 1) është dokumenti më i hershëm i gjendur në Shqipëri, i shkruar në shekullin e VI p.e.s. Shkruar në pergamenën të purpurt nga ka marrë edhe emrin. Pjese e listës se trashëgimisë botërore të UNESCO dhe ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit. Gjithsej ka 190 fletë, të shkruara me shkronja të derdhura në argjend, ai përmban dy ungjij: sipas Mateut dhe sipas Markut.

Pjesë të tjera të rëndësishme të kodikut janë të derdhura në ar. Kapaku i dorëshkrimit është më i vonshëm se vepra, ai është metalik dhe me zbukurime skenash biblike./ KultPlus.com

Tri artiste të reja sjellin ekspozitën “Retrospektiva e ndjenjave” në galerinë “Edward Lear” (FOTO)

Ato janë pjesë e grupit të artistëve “Art Color” në Berat dhe ndër vite janë prezantuar denjësisht në evente ndërkombëtare të pikturës duke u vlerësuar me çmime të rëndësishme. Tashmë që po hyjnë drejt një faze të re të jetës artistike vijnë me një ekspozitë të përbashkët që është kuruar nga profesori i tyre Jani Kumati. Jerisa Kola, Margarita Xhaxho dhe Flavia Gishti nxënëse të gjimnazit “BabDud Karbunara” hapën mbrëmjen e djeshme ekspozitën me titull “Retrospektiva e ndjenjave”, shkruan KultPlus.

Erjola Azizolli

Miq të galerisë, nxënës dhe mësues, drejtues të institucioneve kulturore, ishim mbrëmjen e djeshme në hapjen e një ekspozite tejet të veçantë. Ndonëse, ende të reja në moshë, por të apasionuara pas artit të pikturës, të cilës i kanë përkushtuar vite të gjata studimi tre nxënëset e grupit “Art Color” hapën ekspozitën e tyre, duke bashkuar krijimet më të fundit. Duke kaluar në një stad të ri studimi, nga grupi që kanë ndjekur deri tani drejt vazhdimit të rrugës artistike Jerisa Kola, Margarita Xhaxho dhe Flavia Gishti erdhën përpara publikut beratas me 50 vepra në pikturë.

“Plotë 50 vepra të teknikave të vajit, akuarelit, pastelit dhe plumbit vijnë në këtë ekspozitë që bashkon tre vajzat e reja, por tepër të talentuara dhe mjaft premtuese në botën e artit pamor, bëri me dije në hapje të ekspozitës kuratori i saj Jani Kumati. Të tria vajzat janë mjaft të veçanta në mënyrën e tyre të krijimit, pasi kanë secila personalitetin e vetë, por ajo që i bashkon është përgatitja ndër vite dhe pasioni që duket se do ti ndjek në botën e bukur të artit, tha Kumati. Mënyra se si vajzat hedhin mbi telajo ngjyrat, duke lënë gjurmët e emocioneve personale padyshim që janë të ndryshme, por secila prej tyre ka individualitetin e saj sa të thellë edhe shpërthyes që pasqyron përgatitjen e tyre, por dhe pasionin që duket se ka lindur bashkë me to, pohoi Kumati. Mbetet tashmë për tu parë në vijimësi se si do vazhdojë jeta e tyre artistike, por një gjë është e sigurt se çfarë do lloj drejtimi do të ndërmarrin padyshim që artin e pikturës nuk do ta braktisin kurrë”, tha ai për KultPlus.

Të emocionuara në këtë përballje të parë përpara publikut me një ekspozitë personale vetë vajzat u shprehën se emocionet e tyre të momentit, ndjesitë, fantazitë, i kanë shprehur nëpërmjet kësaj ekspozite që siç dhe thanë nuk do të jetë e fundit. Për hapjen e kësaj ekspozite vajzat falënderuan profesorin e tyre të grupit “Art Color”, nga i cili tashmë do të largohen për shkak të kapërcimit të moshës, Jani Kumati, dhe prindërit e tyre që i kanë ndjekur në këto hapa të parë të rrugëtimit artistik.

Më pas pjesëmarrësit shijuan punimet ku pikasën peisazhe nga qyteti, natyra, portrete të spikatur, por dhe kompozime plotë ngjyra e forma të ndryshme.
Nxënësit e grupit artistik “Art Color” janë tepër të njohur në Berat, pasi çdo vit prezantohen në evente ndërkombëtare pikure ku janë vlerësuar me çmime të para./ KultPlus.com

Zbulim i ri arkeologjik i shekullit të 6-të të erës sonë në Berat

Gjatë punimeve për pastrimin dhe sistemimin e korridorit të kalimit përgjatë gjurmës së Gazsjellësit Trans Adriatik, TAP, në afërsi të fshatit Vodicë në Berat, u zbuluan rrënojat e një vendbanimi të hershëm.

Një grup gazetarësh vizitoi këtë sit në Berat, ku u njoh nga ekspertët e trashëgimisë kulturore për TAP në Shqipëri me të dhënat e gjetura deri tani, si dhe me procedurat që ndjek kompania për identifikimin, studimin, dokumentimin dhe ruajtjen e çdo objekti që mund të jetë pjesë e trashëgimisë kulturore.

Sipas vlerësimeve nga ekspertët e trashëgimisë kulturore në TAP bëhet fjalë për një vendbanim i cili daton që nga periudha e shekullit të VI të erës sonë. Gjatë kësaj kohe, kjo hapësirë duket që është përdorur si vendbanim rural, por ajo që bie në sy sipas ekspertëve është edhe prania e objekteve religjioze siç është kapela e Kishës.

Eksperti i Trashëgimisë Kulturore për TAP në Shqipëri, Lorenc Bejko thotë se në territorin e Shqipërisë, gjatë hapjes së korridorit kemi zbuluar rreth 30 gjetje rasti nga të cilat janë kryer gërmime për 15 prej tyre, duke zbuluar site arkeologjike të rëndësishme që datojnë nga neoliti i hershëm e deri në shekullin e 18. Gjetjet janë kryesisht në zonën e Korçës, por edhe në Berat.

I tillë është edhe siti i Vodicës shumë pranë një qendre tepër të njohur të arkeologjisë në Shqipëri, siç është Gradishta e Peshtanit.

“Ky është një sit i rëndësishëm, ka një diapazon të gjerë kohor, që nis nga fillimi i shekullit të 6-të të erës sonë. Sitikarakterizohet nga një kompleksitet jo vetëm strukturash ndërtimore, por edhe objektesh me karakter publik, siç është objekti religjoz, që ne e kemi quajtur ‘kapela e Kishës’, apo banjo publike, ose hamami që i përket një faze më të vonë”, shprehet Bejko.

Ky, sipas Bejkos, është një fragment vendbanimi dhe brezat që vijnë do të kenë mundësi të eksplorojnë më tej.

Vendbanimi, sipas Bejkos, është rural i periudhës së antikitetit tonë, i cili vazhdon të jetë edhe në periudhën e mëvonshme historike deri në shekullin e 18-të. “Prania në të njëjtin sit i objekteve me natyrë religjioze, ashtu si edhe zonave rezidenciale është përfaqësim tipik, fotografi tipike e jetës në periudhën e shekullit të 6-të të erës sonë. Vetë diapazoni i gjerë historik i zhvillimit të vendbanimit është interesant, i veçantë. Vendosja e një vendbanimi në një zonë kaq të thepisur tregon për njohje mjaft të mirë inxhinierike, zgjidhje arkitektonike urbanistike. Është impresionuese dhe cilësia e zbatimit të këtij projekti ndërtimor që e ka bërë jetën këtu më cilësore”, deklaroi Bejko.

Duke folur për situatën në të cilën ndodhej siti në momentin e zbulimit, Bejko thotë se siti ndodhej poshtë një zone me vegjetacion të dendur. Sipas tij, një pjesë e mirë e superstrukturave është e rrënuar. Pjerrësia në të cilën gjendet është rreziku kryesor për dëmtimin e mëtejshëm, por menjëherë pas dokumentimit të fundit do të merren të gjitha masat afatgjata të konservimit në pritje më tej të vendimit të Ministrisë së Kulturës për procedurat e mëtejshme.

Gjatë ndërtimit të gazsjellësit TAP po zbatohen standardet më të larta evropiane për të siguruar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Më shumë se 30 ekspertë të trashëgimisë kulturore dhe arkeologë janë bërë pjesë e projektit TAP për të ndjekur nga afër ndërtimin e gazsjellësit në Shqipëri. Gjatë punimeve ata sigurojnë që çdo gjetje arkeologjike të identifikohet dhe të mos dëmtohet. Gjithashtu, kontraktorët e TAP dhe punëtorët janë informuar dhe trajnuar për hapat që duhet të ndjekin në rastin e një gjetje arkeologjike të rastësishme.

Përgjatë gjithë korridorit të ndërtimit të gazsjellësit TAP, janë rreth 400 ekspertë të trashëgimisë kulturore që do të ndjekin punimet në përputhje me planin e menaxhimit të trashëgimisë kulturore.

Të gjitha artefaktet dhe gjetjet arkeologjike u janë dorëzuar autoriteteve përkatëse shqiptare, të cilat sigurojnë ekspozimin e tyre për publikun.
Qyteti i Beratit është i vendosur në Shqipërinë Jug-Qendrore në rrethin e Beratit , i cili ka një sipërfaqe prej 939 km2 dhe popullsi prej gati 65 mijë banorë. Berati është një ndër qytetet më të vjetër të Shqipërisë dhe ka një trashëgimi kulturore unike, tashmë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Është një qendër e rëndësishme për zhvillimin e turizmit ne vend. / KultPlus.com

“Kullat mesjetare të sahatit në trojet shqiptare” 63 dëshmi vijnë në një ekspozitë në Berat

11 vite studim të hollësishëm mbi arkitekturën, historikun dhe teknikat e ndërtimit të kullave mesjetare të sahatit në trojet shqiptare, janë finalizuar me një ekspozitë, e cila ka sjellë mbrëmë në qytetin muze të Beratit 62 vepra në grafikë dhe një në pikturë.

Dritan Çoku, një emër i njohur në fushën e arkitekturës dhe trashëgimisë në këtë qytet ka sjellë mbrëmë për publikun nëpërmjet artit të grafikës artistike dhe pikturës dokumentimin e kullave të sahatit në 41 qytete shqiptare.

Modifikimi i mekanizmit nga orë matëse me tingull në mekanizëm me fushë ore është studiuar nga arkeologu Çoku, i cili ka sjell pamjet e kullave të sahatit nga qytete të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë. Ishin tregtarët shqiptarë, të cilët kishin kontakte të shpeshta me qytetet evropiane, të cilët sollën mekanizmat e orës, ndërsa ndërtuesit vendas materializuan këtë sukses të mendimit njerëzor në vendin e tyre, duke krijuar kullat e sahatit si objekte për përdorim kolektiv për kohëmatje. E gjitha kjo ka tërhequr vëmendjen e studiuesit Çoku, i cili i ka kushtuar vite të gjata pune studimit të historikut të tyre.

Ekzistencën e këtyre sahateve autori e ka studiuar nga afër nga pikëpamja arkitekturore, nga ana historike dhe mënyrat e ndërtimit, për tja prezantuar më pas publikut në grafikë dhe pikturë. Hapja e ekspozitës ka tërhequr mbrëmë vëmendjen e studiuesve, historianëve dhe artistëve, të cilët ishin mbrëmë në galerinë e qytetit në çelje të saj.

Gjithë studimin fizik, por dhe dokumentimin për ato raste që kullat e sahatit nuk ekzistojnë, synojë që ta sjell së shpejtë në një monografi, pasi ndërtimi i kullave të sahatit në gjithë trojet shqiptare është një veçori, është diçka e rrallë, u shpreh Dritan Çoku.

“Ashtu si në viset e tjera të Ballkanit edhe në trojet shqiptare, ndërtimi i kësaj trashëgimie arkitektonike bëhej zakonisht në mjediset më të gjallëruara dhe më të dukshme të qyteteve, në sheshet e pazareve, pranë xhamive kryesore, apo vende të ngritura brenda kështjellave, tha Çoku. Për mungesë të dokumentacionit ilustrativ deri tani, këtyre qyteteve në vazhdim do ti shtohen edhe disa të tjerë me këtë kategori ndërtimore. Por, duket qartë dhe bindshëm se, ndërtimi i kullave të sahatit në trojet shqiptare është një veçori, diçka e radhe kjo për qendrat e tjera turke në periudhën osmane”, pohoi ai.

Për Faruk Borovën, një emër i njohur në fushën e trashëgimisë dhe kulturës në Shqipëri, kryetar i Bordit Drejtues të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe qytetërimit Islam, që mbështeti hapjen e kësaj ekspozite studime të tilla e nderojnë qytetin e Beratit, pasi është një punë përveçse voluminoze dhe mjaft cilësore. / KultPlus.com

Erjola Azizolli

Festa e rrushit në Berat (FOTO)

Një nga kantinat e njohura për prodhimin e verës në Berat ka organizuar festën e vjeljes së rrushit, festë që çel fazën e prodhimit të verës në zonën, që prodhon më shumë verë dhe mban edhe markën e cilësisë.

Të ftuarit kanë provuar të vjelin rrush, të pinë verën si dikur me kanë prej balte, të shijojnë muzikën tradicionale dhe sidomos të ndjekin konkursin e famshëm të shkelëseve të rrushit.

Ishte një argëtim më vete ky konkurs ku morën pjesë gra e vajza të ftuara në këtë festë. Në fund një prej tyre u shpall fituese si shkelësja më e mirë e rrushit. Në këtë festë ishin të ftuar deputetë, aktorë dhe personalitete të tjera.

Zona e Beratit njihet për verën e saj cilësore dhe sidomos kantina Cobo me markën e saj ka arritur të marrë çmime duke u renditur ndër verërat më të mira shqiptare, përcjell konica.al./ KultPlus.com


Miradije Ramiqi prezantohet me ekspozitë personale në Berat

Artistja nga Prishtina Miradije Ramiqi, do të prezantohet me ekspozitë personale në Galerinë Edward Lear në Berat, shkruan KultPlus.

Ekspozita hapet më datë 22 shtator në ora 18:00 në ambientet e Galerisë Edward Lear Beratcelet.

Miradije Ramiqi, lindi në Pozheran të Vitisë, ndërsa ka studiuar në Akademinë e arteve (dega e pikturës), në Prishtinë. Ramiqi ka qenë pjesë e shumë ekspozitave kolektive. Ajo gjithashtu është fituese e shumë çmimeve për pikturë. / KultPlus.com

Ura e Vokopolës në rrethin e Beratit edhe si destinacion turistik

Ura e Vokopolës është ndërtuar mbi përroin e Çorogjafit dhe lidh Vokopolën me fshatin Tërpan.

Ura përbëhet nga harku kryesor segment rrethi dhe nga dy harqe më të vegjël bregorë anash. Monumenti futet në tipin e urave me një qemer dhe me një dritare shkarkuese.

Ura është me kurriz të theksuar në kyç, gjë që i jep një pjerrësi të madhe kalldrëmit nga të dyja anët.
Nga ana e majtë e urës ndodhet një mbishkrim i cili për arsye të dëmtimit nga koha është i padeshifrueshëm. Në pjesën qëndrore më të lartë të urës, për sigurimin e kalimit të kalimtarëve është ndërtuar një parapet guri me gurë pllakë vendosur këlliç me kollona të ikastuara në qemer çdo 50 cm.

Qemeri është me dy rreshta dhe arrin trashësinë 125 cm, kalldrëmi i urës është ndërtuar me gurë pllakë të zinj.

Kjo urë mendohet të jetë ndërtuar rreth viteve 1750, gjatë kohës së Kurt Pashës së Beratit, dhe ka shërbyer si pikë e rëndësishme në lidhjen e luginës së Osumit me luginën e Vjosës. Degëzimi i cili lidhte Beratin me Tepelenën kalonte nëpër këto fshatra; Vokopolë-Çorgjaf –Rehovë -Qafa e Gllavës-Luftinjë-Memaliaj./ KultPlus.com