Berati, përtej shijimit të pjesës muzeale është shndërruar edhe në një pikëtakim fantastik të përvojave të sporteve të aventurës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga xhirot me kayak në liqenin e Qafë Dardhës, tek hiking me mushka në Kalanë e Tomorit.
Kryeministri theksoi se “aksesimi i këtyre destinacioneve falë investimeve në infrastrukturë dhe ideve të bukura të guximtarëve në industrinë e turizmit, e kanë disafishuar hartën turistike të Beratit brenda pak vitesh”.
Berati vijon të jetë ndër destinacionet kryesore që vizitohet nga mijëra turistë në të gjitha stinët e vitit. Në periudhën janar-qershor 2024 qytetin e Beratit e kanë vizituar mbi 400 mijë vizitorë vendas e të huaj, shifër që pritet të dyfishohet deri në fund të këtij viti.
Përveç vizitave në kalanë historike dhe lagjet muzeale Mangalem e Goricë, turistët këtë vit janë orientuar edhe ndaj sportit të aventurës dhe degustimit në kantina.
Turizmi i aventurës shkon paralel me atë historik dhe turizmin eksplorues të kulturës mijëravjeçare, një pikë kjo mjaft e fortë e këtij sezoni./atsh/KultPlus.com
Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i mbledhur në Nju Delhi në Indi, miratoi të enjten vendimet për Qendrat e Trashëgimisë Botërore shqiptare, Butrintin, Beratin dhe Gjirokastrën dhe shtyu për vitin e ardhshëm vendimin për zonën ndërkufitare shqiptare dhe maqedonase të Liqenit të Ohrit.
Në vendimin për Butrintin UNESCO u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë një hartë të kufijve të pronës së Butrintit, të cilët janë ndryshuar dy vjet më parë nga qeveria shqiptare, pa dijeninë dhe pa miratimin e UNESCO-s.
Në vendim UNESCO thotë se “shpreh keqardhje që qartësimi i kufijve të pronës dhe zonës së saj tampon është ende në pritje dhe i kërkon Shqipërisë që të paraqesë, si çështje prioritare, një hartë të qartë dhe të saktë që tregon kufirin e pronës së Trashëgimisë Botërore dhe kufirin e zonës tampon e cila do të merret në shqyrtim nga Qendra e Trashëgimisë Botërore”.
UNESCO kërkon gjithashtu që Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të mbajë mbikëqyrjen e të gjithë Pronës së Trashëgimisë Botërore.
“Për të arritur një menaxhim dhe llogaridhënie efektive”, thekson UNESCO, “prona e Trashëgimisë Botërore dhe zona e saj tampon duhet të menaxhohet në mënyrë të koordinuar dhe në tërësi”.
UNESCO thotë se kërkon për më tepër “që Shqipëria të japë sqarime për Qendrën e Trashëgimisë Botërore mbi rregulloret aktuale mbrojtëse dhe përdorimet e përcaktuara për të gjitha zonat e Parkut Kombëtar në lidhje me mbrojtjen e pronës së Trashëgimisë Botërore dhe funksionin e zonës së tij tampon, dhe mbi mënyrën sesi regjimet e ndryshme të menaxhimit do të harmonizohen për të shmangur fragmentimin”.
UNESCO thotë në vendim se “vëren se ICOMOS ka përgatitur një rishikim teknik të projektit të Qendrës së Vizitorëve dhe dokumentacionit përkatës të paraqitur nga Shqipëria dhe i kërkon autoriteteve shqipatre që të zbatojë plotësisht rekomandimet, duke përfshirë dhënien e kohës së mjaftueshme për të përgatitur një Vlerësim të plotë të Ndikimit të Trashëgimisë i cili, ndër të tjera, duhet të bazohet në hulumtime të plota arkeologjike dhe të përfshijë hapësirën e peisazhit”.
UNESCO kërkon që “Shqipëria të vazhdojë të paraqesë në Qendrën e Trashëgimisë Botërore për shqyrtim nga Organet Këshillimore detaje të projekteve që mund të prekin Vlerat e Jashtëzakonshme Universale të Butrintit (VJU) përpara se të merret ndonjë vendim i pakthyeshëm për zbatimin e tyre, dhe që projektet të zbatohen vetëm pasi të ketë rënë dakord UNESCO”.
UNESCO i kërkon Shqipërisë që t’i paraqesë Qendrës së Trashëgimisë Botërore, deri më 1 shkurt të vitit 2025, një raport të përditësuar mbi gjendjen e ruajtjes së pronës dhe zbatimin vendimit duke përfshirë një plan veprimi të detajuar me një afat kohor edhe për zbatimin e rekomandimeve të misioni të vitit 2022, për shqyrtim nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 47-të.
Ndërkohë, në vendimin për Gjirokastrën dhe Beratin, UNESCO thotë se “ vëren me keqardhje se, pavarësisht kërkesave të mëparshme, Shqipëria nuk ka zbatuar plotësisht projektin për zhvillimin e Planit të Menaxhimit në bashkëpunim me sektorin qeveritar dhe civil, financuar nga Fondi i Trashëgimisë Botërore”.
“Shqipëria duhet të përditësojë Planin e Menaxhimit si një çështje me përparësi duke marrë parasysh komentet dhe rekomandimet e bëra tashmë nga Organet Këshillimore dhe duke përfshirë në mënyrë aktive autoritetet vendore të Beratit dhe Gjirokastrës”, thotë UNESCO.
UNESCO thotë më tej se “vëren me keqardhje përfundimin e ndërtimit të rrugës së bypass-it të Gjirokastrës pa zbatuar kërkesat e UNESCOS, dhe për këtë arsye i kërkon Shqipërisë që të kryejë urgjentisht një vlerësim të plotë të pavarur të ndikimit të projektit në trashëgiminë e Gjirokastrës dhe ta dorëzojë në Qendrën e Trashëgimisë Botërore për shqyrtim nga Organet Këshillimore”.
UNESCO i kërkon Shqipërisë të ndërmarrë një studim të integruar për të vlerësuar ndikimin e projekteve të shumta të infrastrukturës dhe zhvillimit dhe t’ia dorëzojë atë UNESCOS për shqyrtim nga organet këshillimore.
UNESCO thotë se mirëpret angazhimin e Shqipërisë për të përmirësuar rregulloret e urbanistikës së Beratit dhe të Gjirokastrës, por kërkon të qartësohen ndërlidhjet ndërmjet Planit të Menaxhimit të Integruar dhe planeve të veçanta për ruajtjen mbrojtjen dhe administrimin e qendrave historike të dy qyteteve.
Lidhur me vendimit e UNESCO-s Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ((MEKI) tha përmes një deklarate se “mbështeti pa asnjë rezevë projekt vendimet e Qendrës së Trashëgimisë Botërore që Komiteti i UNESCO-s i zyrtarizoi me një qendrim, unanim, që e konsiderojmë si shumë objektiv, tërësisht korrekt dhe jashtëzakonisht profesional”.
MEKI thotë se edhe pika e vetme në të cilën shprehet keqardhje për vonesën e sqarimit të kufijve të pasurisë botërore, reflekton situatën e kohës kur është përgatitur projektvendimi i UNESCO-s.
MEKI thotë se ka dërguar në Paris paketën e parë të hartave dhe ka marrë komentet paraprake nga Qendra e Trashëgimisë Botërore.
Por ndërsa MEKI flet “për një paketë të parë” të hartave të Butrintit kur UNESCO ka kërkuar një hartë të pronës, autoritetet shqiptare ende nuk kanë sqaruar se përse u mor vendimi dy vite më parë për heqjen nga Parku i Butrintit të rreth 800 hektarëve pa vënë në dijeni dhe pa marrë miratimin e UNESCO-s.
Gjatë një interpelance të zhvilluar të enjten me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe deputetja e opozitës Ina Zhupa, tha se në ish zonën tampon të Parkut Kombëtar të Butrintit po zhvilloheshin projekte të mëdha ndërtimore.
Duke treguar në parlament dy foto të investimeve zonja Zhupa tha se “këto janë modele zhvillimi që injorojnë UNESCO-n, që ndërtojnë në zonat e mbojtura dhe që fragmentarizojnë Butrintin”./voa/KultPlus.com
Berati numëron 16 vite në UNESCO, si pjesë e listës së trashëgimisë kulturore që prej korrikut të 2008.
Për të festuar këtë ngjarje në qytetin e një mbi mbi një dritareve u zhvilluan disa evente artistike.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo festë të cilës iu bashkuan edhe turistët e shumtë që vizitojnë këtë qytet.
Në kuadër të festës “Xixëllonjat” u mbajt një ekspozitë me foto të vjetra të Beratit, muzikë, pije dhe shumë qejf.
Arkitektura e rrallë afro 2500 – vjeçare e qytetit të Beratit, historia që mbart, vlerat e tij të jashtëzakonshme kulturore dhe historike, tashmë prej shumë kohësh kanë qenë në vëmendjen e shumë vizitorëve nga mbarë bota.
Kalaja e Beratit, kishat dhe xhamitë e tij të vjetra, Muzeu Kombëtar Ikonografik Onufri, përveçse disa nga atraksionet e qytetit, janë edhe një dëshmi e rrallë e bashkëjetesës harmonike të kulturave dhe traditave të ndryshme që në hershmëri./atsh/KultPlus.com
Qyteti i një mbi mbi një dritareve numëron 16 vite në UNESCO, si pjesë e listës së trashëgimisë kulturore që prej korrikut të 2008.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha sot se “arkitektura e rrallë afro 2500-vjeçare e qytetit të Beratit, historia që mbart, vlerat e tij të jashtëzakonshme kulturore dhe historike, tashmë prej shumë kohësh kanë qenë në vëmendjen e shumë vizitorëve nga mbarë bota”.
“Kalaja e Beratit, kishat dhe xhamitë e tij të vjetra, Muzeu Kombëtar Ikonografik Onufri, përveçse disa nga atraksionet e qytetit, janë edhe një dëshmi e rrallë e bashkëjetesës harmonike të kulturave dhe traditave të ndryshme që në hershmëri”, tha Gonxhja.
Në 8 korrik të vitit 2008 Berati u regjistrua në Listën e UNESCO-s nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në Konferencën e radhës të mbajtur në Kanada.
Berati u vlerësua si një shembull i rrallë i arkitekturës tipike osmane.
Berati, sipas UNESCO-s është dëshmitar i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore përgjatë shekujve.
Në kriterin 3 të arsyes së nënshkrimit të Beratit në UNESCO shprehimisht thuhet se Berati dhe Gjirokastra janë një dëshmi e shquar e diversitetit të shoqërive urbane në Ballkan dhe të jetëgjatësisë së mënyrave të jetës, të cilat sot pothuajse janë zhdukur. Kriteri 4 thotë se dy qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës janë dëshmi e jashtëzakonshme për llojet e ndryshme të monumenteve dhe banesave popullore urbane gjatë periudhës klasike osmane, në vazhdimësi me kulturat mesjetare që e paraprinë atë.
Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë./atsh/ KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat ndau në rrjet pamjet e një prej banesave karakteristike të qytetit, pjesë e kompleksit ndërtimor të banimit të familjes Vrioni, në proces rijetësimi.
Bëhet fjalë për ish banesën e Izedin Galip Pashë Vrionit, sot e Nevin Godo (Vrioni), ku gjatë periudhës tetor-nëntor 1944, u vendos selia e Qeverisë Provizore Demokratike të Shqipërisë. Më pas kjo ndërtesë u kthye në muzeun e qytetit, ndërsa nga viti 1991-2011 aty zhvilloi veprimtarinë e saj medreseja “Vexhi Buharaja”.
Ajo përbëhet nga ndërtesa kryesore dykatëshe dhe ndërtesa e pasme njëkatëshe e shërbimit. Te ndërtesa dykatëshe, kati përdhe ka shërbyer për ambiente shërbimi, ndërsa kati i parë përbëhej nga ambientet e banimit të familjes, ato të pritjes së miqve dhe hamami. Ambienti më i dekoruar është dhoma e miqve, e cila është rikonstruktuar gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX.
Pjesa tjetër e katit të parë ka pësuar ritrajtim në pamjen e jashtme të tij. Balli i saj është rindërtuar me teknikën e skeletit të drurit, në të cilën janë realizuar dritare të mëdha me korniza të suvatuara. Kati përdhe i pjesës qendrore të banesës është transformuar duke mbyllur hapësirat me qemer guri dhe duke realizuar dritare në muraturë guri. Këto ndryshime mund të jenë realizuar gjatë viteve 1912-1918.
Me restaurimin e viteve 2022-2024, kjo ndërtesë do të rijetësohet për kthimin e saj në njësi hotelerie për t’i shërbyer turizmit familjar./atsh/ KultPlus.com
Organizata Botërore e Monumenteve, UNESCO u kërkoi një vit më parë autoriteteve shqiptare të finalizonin me urgjencë Planin e Menaxhimit të Integruar për Gjirokastrën dhe Beratin.
Shqipëria thotë në raportin e dorëzuar në UNESCO se kjo nuk është bërë ende dhe i arsyeton vonesat me largimin nga Instituti i Trashëgimisë të gjithë ekipit që punonte për Planin e Menaxhimit.
Ndërsa raporti i Shqipërisë për gjendjen e konservimit të Beratit dhe Gjirokastrës u publikua në faqen e Qendrës së Trashëgimisë Botërore, kjo ende nuk ka ndodhur për Butrintin, për të cilin raporti duhej të dorëzohej nga pala shqiptare më 1 shkurt.
Qendra e Trashëgimisë Botërore të UNESCOS publikoi në faqen e saj raportin e Shqipërisë për gjendjen e konservimit të “Qendrave Historike të Beratit dhe Gjirokastrës” që listohen si site në seri në pasuritë botërore.
Raporti është përgatitur nga ministria shqiptare e Kulturës dhe Ekonomisë në përgjigje të vendimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore që u mbajt në shtator të vitit të shkuar në Arabinë Saudite.
Sipas raportit ende Berati dhe Gjirokastra nuk kanë të finalizuar një Plan të Menaxhimit të Integruar, megjithëse proçesi me mbështetjen ndërkombëtare ka nisur që në vitin 2019 dhe është kërkuar të përfundojë me urgjencë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore.
Vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore ne sesionin e 45 te UNESCO-s që u mbajt vitin e shkuar në Arabinë Saudite, nuk ishte bërë i njohur më parë për opinionin shqiptar, por paragrafe të tij zbulohen nga raporti i dorëzuar këto ditë nga Shqipëria.
Në paragrafin 2,3 vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore shprehej “se vërente me keqardhje dështimin e Shtetit Palë (Shqipërisë ) për të zbatuar plotësisht asistencën ndërkombëtare të dhënë për zhvillimin e Planit të Menaxhimit të Integruar për Beratin dhe Gjirokastrën në bashkëpunim me sektorët qeveritarë dhe qytetarët”.
“Vendimet e mëparshme të Komitetit, thuhej më tej nga UNESCO, i kërkojnë Shtetit Palë që të finalizojë Planin e Menaxhimit si çështje urgjent, duke marrë parasysh komentet dhe rekomandimet e bëra tashmë nga Organet Këshillimore”.
Ndërsa UNESCO ka kërkuar me urgjencë përfundimin e Planit të Menaxhimit autoritetet shqiptare janë përgjigjur se ky proces nuk ka përfunduar edhe tani pasi i gjithë ekipi i punës së Institutit të Trashëgimisë Kombëtare që ishte i angazhuar drejtpërdrejt në hartimin e draftit të parë të Planit të Menaxhimit të Integruar është larguar nga ky institucion.
“Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka dorëzuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore një draft të Planit të menaxhimit më 16 shkurt të vitit 2023 ndërsa komentet i janë dërguar Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore më 16 mars të vitti 2023” thuhet në raportin e Shqipërisë.
Raporti vijon më tej se “rishikimi i draftit të Planit të Menaxhimit pas komenteve të ekspertëve të ICOMOS dhe ICCROM nuk ka përfunduar plotësisht brenda afateve kohore të përcaktuara në kontratë, për shkak të disa vështirësive”.
Sipas raportit “Instituti i Trashëgimisë gjatë periudhës së zbatimit të kontratës ka pasur disa ndryshime në nivelet e menaxhimit dhe nivelet e stafit teknik, dhe i gjithë ekipi i punës që ishte e angazhuar drejtpërdrejt në hartimin e draftit të parë të Planit të Menaxhimit të Integruar është larguar nga institucioni ”.
Raporti thotë se se “ aktualisht stafi i Institutit Trashëgimisë Kombëtare është i reduktuar dhe pa përvojën e nevojshme në përgatitjen e një plani të integruar të menaxhimit për të dyja qendrat historike”
Plani i Menaxhimit është një instrument detyrues i UNESCOS për sitet e trashëgimisë botërore që duhet të rregullojë menaxhimin dhe mbrojtjen strategjike afatgjate të pasurive kulturore.
Vendimet e Komitetit të Trashëgimisë Botërore vitin e shkuar prekin edhe problemin e Bypass-it të Gjirokastrës ku UNESCO thotë se “ vëren me keqardhje rifillimin e ndërtimit të bypass-it të Gjirokastrës përpara se konkluzionet të ishin në dispozicion dhe mund të merreshin parasysh”, ndërsa autoritetet shqiptare janë përgjigjur në raport se i kanë adresuar problematikat e projekteve ndërtimore si tek bashkitë edhe tek organet e tjera egzekutive dhe vendim-marrëse.
Vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore ka vlerësuar ndërkohë punën e autoriteteve shqiptare për sa i përket “bonuseve të rijetëzimit”, për restaurimin e monumenteve si dhe përmirësimin e Rregulloreve të Qendrave Historike në Berat dhe Gjirokastër.
Raporti i Shqipërisë për Beratin dhe Gjirokastrën pritet të shqyrtohet në sesionin e ri të Komitetit të UNESCOS që mbahet në Indi në korrik të këtij viti.
Gjirokastra u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në 15 korrik 2005 ndërsa më 8 korrik të vitit 2008 u regjistrua edhe Berati.
Raporti i Butrintit ende i papublikuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore
Ministria e Kulturës dhe Ekonomisë ka autorizuar publikimin e raportit për Gjirokastrën dhe Beratin por ende në faqen e Qendrës së Trashëgimisë Botërore nuk është publikuar raporti i Shqipërisë për Butrintin.
Sipas një letre që Qendra e Trashëgimisë Botërore i dërgoi Ambasadores së Shqipërisë në UNESCO raporti nga pala shqiptare duhej të dorëzohej më 1 shkurt të këtij viti.
“Në funksion të informacionit të marrë nga palët e treta, me prova mbështetëse vizuale, si dhe gjetjet e Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s/misionit të përbashkët këshillues të lCOMOS në pronën e Trashëgimisë Botërore “’Butrint”, nga 26 deri më 28 tetor 2022, mbi cënueshmërinë e vlerave universal të pronës dhe konfirmimin e heqjes së 600 ha nga Parku Kombëtar, i cili nuk është njoftuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore dhe që përfaqëson një ndryshim në regjimin e mbrojtjes së një pjese të ndjeshme të zonës tampon të pronës, do të doja të ftoja autoritetet tuaja kompetente të paraqesin një raport mbi gjendjen e ruajtjes së pronës së Trashëgimisë Botërore “Butrint” deri më 1 shkurt 2024, për shqyrtim nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 46-të””, thuhet në letrën që Drejtori i Qendrës së Trashëgimisë Botërore Lazare Eloundou Assomo, i drejton ambasadores shqiptare në UNESCO Besiana Kadare.
Problematikat e Butrintit mbeten të ndjeshme në opinionin shqiptar jo vetëm për ndryshimin e kufijve të Parkut Kombëtar por edhe modelin e ri të menaxhimit.
Qeveria shqiptare vendosi që menaxhimi i një pjese të Butrintit që njihet si zona “A-3” dhe që përfshin qytetin antik të bëhet nga një Fondacion i ri ku përfshihet ministria shqiptare e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje.
Ligji u miratua nga Kuvendi në maj të vitit 2022 dhe shkaktoi protesta dhe debate të ndezura nga shoqëria civile dhe nga deputetët opozitarë, që dyshojnë për shfrytëzim të paligjshëm dhe antikushtetues të një pasurie të madhe të vendit, e cila mund të dëmtohet nga menaxhimi përmes kësaj forme.
Një grup prej 36 deputetësh opozitarë i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që ta shfuqizojë si antikushtetues ligjin mbi administrimin e Parku Kombëtar të Butrintit.
Edhe misioni i UNESCOS ka drejtuar kritika të forta ndaj modelit të menaxhimit vetëm të një pjesë të parkut, zonës A -3 që përfshihet në marrëveshje e cila është 614,3 hektarë nga rreth 9424 hektarë që është sipërfaqja tërësore e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Misioni i fundit i UNESCO-s shprehet se menaxhimi vetëm i kësaj pjese nuk përmbush menaxhimin e integruar të arkeologjisë, monumenteve dhe pjesës natyrore të Butrintit, kërkuar edhe nga misionet e mëparshme të UNESCO-s.
Misioni shprehet se, Ministria e Kulturës duhet të ruajë autoritetin në gjithë territorin e Parkut Kombëtar.
Prej tetorit të vitit të shkuar kur raporti i misionit iu dorëzua Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore ai nuk u publikua nga UNESCO pasi pala shqiptare nuk dha pëlqimin.
Gjykata Kushtetuese, në një gjest të pazakontë, në janar të këtij viti, bëri një ndryshim të procedurave të saj, duke i kërkuar qeverisë raportin e UNESCO-s dhe rihapjen e seances plenare për Butrintin.
Ministri i ri i Kulturës dhe Ekonomisë Blendi Gonxhe nuk ka firmosur kalimin e Parkut në administrimin e Fondacionit të ri që sipas ligjit të miratuar në Parlament duhet të bëhej më 14 shkurt të këtij viti.
Zoti Gonxhe tha përmes një statusi në rrjetet sociale se “në cilësinë e Ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe njëkohësisht si Kryetar i Bordit Drejtues të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit donte të siguronte opinionin publik për angazhimin dhe vëmendjen maksimale për mirëadministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të pasurisë kulturore universale të Parkut Kombëtar të Butrintit, në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe të kuadrit ligjor shqiptar në fuqi”.
“Kryefjala do të jetë transparenca dhe gjithëpërfshirja” , u shpreh Ministri i i ri i Kulturës dhe Ekonomisë. /VOA/ KultPlus.com
Turistët në qytetin e një mbi një dritareve kanë mbushur rrugët e qytetit edhe në dimër.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha sot për ATSH-në se “rrugicat dhe rrugët e Beratit gjatë janarit kanë qenë të populluara nga turistë që eksplorojnë dhe shijojnë. Vetëm gjatë muajit janar të këtij viti Berati u vizitua nga nga afërsisht 20 000 turistë, rreth 20% më shumë se në janar 2023”.
“Këto shifra janë më shumë se premtuese, pasi janë garanci e një sezoni rekord turistësh që po vjen”, tha Demo.
Demo bën të ditur se “numri i vizitorëve u rrit me 31% edhe në Muzeun Ikonografik Onufri”.
Kryebashkiaku Demo i bën apel bizneseve turistike të përgatiten për sezonin e ri turistik.
“Thirrjen e kemi për bizneset turistike të Beratit, qytetin të magjishëm e kemi, turistët po ashtu ndaj të bëhemi gati për një tjetër sezon fantastik”, tha Demo.
Berati vijon të mbetet ndër qytetet më të preferuara të turistëve. Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.
Berati ka një sërë pikash turistike që zgjojnë interesin e turistëve, u shpreh Demo, disa prej të cilave janë :Qendra Historike e qytetit, Kalaja, Gorica Mangalemi që kanë pasuri UNESCO, Muzeu Ikonografik Onufri, Qendra Mesjetare, objektet e kultit Bizantin dhe Xhamitë e vjetra të periudhës Otomane.
Por, vitet e fundit turistët po preferojnë edhe atraksionet e eko-turizmit, fshatrat turistik Roshnik, Sinjë , Drobonik, kantinat e verës, aktivitetet rafting në Lumin Osum, ngjitje në malin e Tomorit, hedhje me parashuta nga Mali Shpirag, kanoe në liqenet e Tomorit, ecje me biçikletat malore në rrethinat e Beratit, vizitë në Kanionet e Osumit, pjesëmarrje në turret e gastronomisë në agrobizneset në fshatrat turistikë etj./KultPlus.com
Berati, i përshkuar mespërmes nga lumi Osum, është spikatur si një qytet i veçantë, me ndërtesa të bardha mesjetare, të ndriçuara nga hapësira e ajrit të pastër dhe ngritur një mbi një në shpate mali. Pas viteve ’90-të është kthyer në një prej destinacioneve turistike më tërheqëse nga shqiptarët dhe turistët e huaj.
Në këtë fundvit, dhjetëra vepra arti në pikturë, skulpturë dhe grafikë janë ekspozuar në Galerinë e Arteve “Edward Lir”, Berat, duke shënuar rrugëtimin e tretë të lëvizjes dhe ekspozimit të veprave të Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë, pas suksesit të arritur në Galeritë e Arteve të Pogradecit dhe të Sarandës.
Projekti kulturor disaplanësh, me titull “Psikologjia Shqiptare në artet pamore”, me drejtues projekti Olsi Laska dhe kuratore Suzana Varvarica Kuka, vijon të përhapet në hapësira qytetesh, shkon pranë publikut të ri me qëllimin e njohjes së mjeshtrave të shek. XX dhe atyre më të rinj të shek. XXI.
Promovimi i dhjetëra artistëve të aksit jugor të qendrës së Shqipërisë, të cilët e kanë origjinën e tyre nga qytetet Berat, Fier e Lushnjë, shënon më parë ekzistencën e pasurisë sonë kombëtare në artet pamore. Veprat e tyre të përzgjedhura nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ekspozohen në Berat dhe i japin jetë e atmosferë konceptit të ekspozitës “Artistë të njohur dhe Berati, qyteti i shkëlqyer modern i Antipatreas shekullore”.
Në këtë ekspozitë, nderohen veprat e artistit të shquar shkodran Simon Rrota, për të njohur e kujtuar se një pjesë të jetës së tij, gjatë Luftës së Parë Botërore e kaloi në Fier, i detyruar si përkthyes nga ushtritë e huaja dhe në mes të bombardimeve. Ndërsa veprat e artistëve të hershëm akademik Vladimir Jani dhe Dhimitër Buda ndiqen nga artistë realist e kontribues në zhvillimin e artit shqiptar të shek. XX si Nallbani, Kilica, Cini, Bushi, të cilët frymëzuan dhe nxitën në rrugën e arteve pamore qindra artistë më të rinj, si Polovina, Thaçi, Golemi, Filipi, Droboniku, Saro, Lena, Papathimiu, Boriçi, etj,
Veprat janë përzgjedhur duke veçuar cilësinë e vlerës artistike dhe përmbajtjen pozitive, historike dhe realiste të subjektit. Galeria e Arteve e Beratit u zgjodh nga stafi drejtues e kuratorial, pasi ky qytet i mrekullueshëm historik, turistik dhe i rinovuar, ka ruajtur traditat më të mira arkitektonike dhe shoqërore. Publikut të këtij aksi, përmes paketës edukative, do t’i tregohet se arti i artistëve të ekspozuar është shenjë serioze e kohës së tyre, është hallkë figurative e rëndësishme në historinë e artit shqiptar dhe, se interesat e tyre figurative, të cilat u shfaqën gjatë 40 viteve të fundit të shek. XX, kanë qenë të lidhura ngushtësisht me aftësimin profesional, me pasqyrimin e fenomeneve historikë, me ndryshimet dhe zhvillimin e shpejtë të shoqërisë, ekonomisë, natyrës, punës dhe kulturës shqiptare. Ndërsa, ato të artistëve që po jetojnë dhe krijojnë, në shek. XXI, janë të lidhura ngushtësisht me zbulimin e personalitetit të individit, si rëndësi e veçantë dhe bashkëkohëse në artet pamore.
Nisja e vizitës tuaj të artit në Galerinë e Arteve “Edward Lir”, Berat, mundëson të diskutojmë për shenjat figurative të artistëve tanë me emër, të njohim aftësitë e tyre, të zbulojmë temat dhe subjektet e sipërfaqeve dhe volumeve artistike, të cilët do të na çojnë në hapësirën natyrore dhe psikologjike të këtyre qyteteve dhe të përballjes me individët e atyre kohërave./atsh/KultPlus.com
I vendosur në zemër të Shqipërisë, qyteti mahnitës i Beratit tërheq udhëtarët me sharmin e tij unik dhe bukurinë e pakrahasueshme, shkruan gazetari Manuel Alejandro De la Torre në një artikull për të përditshmen meksikane “Zelosos por Buenas Renovables”, (zbr.com.mx).
I njohur si “Qyteti i një mijë dritareve”, Berati është një mozaik i historisë kulturore dhe shkëlqimit arkitektonik, duke e bërë atë padyshim qytetin më të bukur në vend.
Eleganca arkitekturore dhe pasuria historike
Peizazhi i Beratit dominohet nga shtëpitë e bardha të stilit osman që ngjiten në kodër drejt kështjellës së tij, duke krijuar imazhin e një kartoline të përsosur, që i ka dhënë atij një vend në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Arkitektura e qytetit është një dëshmi e ndikimeve të ndërthurura ilire, bizantine dhe osmane.
Një muze i gjallë Kalaja e qytetit, një kështjellë që daton në shekullin e IV para Krishtit, ende strehon banorë dhe dyqane brenda mureve të saj të lashta, duke e bërë atë një muze të gjallë.
Arti ikonografik i gjetur në Muzeun Onufri, që ndodhet brenda kalasë, tregon trashëgiminë e pasur fetare të zonës.
Çfarë e bën Beratin unik në krahasim me qytetet e tjera të Shqipërisë? Arkitektura e veçantë e stilit osman e Beratit dhe statusi i tij si një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s e diferencon atë nga qytetet e tjera shqiptare.
Arkitektura osmane: Një stil i arkitekturës që u shfaq gjatë Perandorisë Osmane, i karakterizuar nga kupola të mëdha, minare dhe dekorime të përpunuara.
Arti ikonografik: Imazhe vizuale që janë simbolike dhe shpesh fetare, të përdorura për të përcjellë kuptime dhe mesazhe specifike. /atsh / KultPlus.com
Turizmi në qytetin e një mbi një dritareve nuk njeh stinë. Këtë e vërteton numri i lartë i turistëve edhe gjatë periudhës së vjeshtës, ku rrugët e qytetit 2400 vjeçar po gjallërojnë nga një fluks i lartë i tyre.
Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha në një intervistë sot për ATSH-në se “në Berat janë bërë shumë investime të reja, të cilat kanë bërë që turizmi ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit të vazhdojë edhe në muajt e vjeshtës.
Në këtë periudhë në vitet e kaluara fluksi i turistëve ka qenë shumë i ulët, ndërkohë që këtë vit nuk po njeh ulje. Nga janari deri më sot numri i turistëve vendas e të huaj e ka kaluar shifrën 720 000”.
Sipas saj, këtë vit në qytetin e Beratit ka patur një shtim në numrin e turistëve nga Anglia dhe nga Holanda.
Merdani vë në dukje se është shtuar oferta në dobi të turizmit si psh: turizëm kulturor, arkitekturor, malor apo edhe hiking në natyrë.
“Këto oferta turistike janë perfekte për stinën e vjeshtës duke qenë se edhe temperaturat nuk janë shumë të larta. Krijimi i shtigjeve të reja në zonat si: Kalaja apo Gorica kanë bërë që të rritet fluksi i turistëve që janë të pasionuar pas ngjitjeve në mal”, theksoi Merdani. Gjithashtu, shtoi ajo, kemi krijuar marrëdhënie shumë të mira edhe me subjektet të cilat janë pjesë e turizmit ku vlejnë të përmenden hotelet, bujtinat, restorantet si ato që kanë qenë ekzistente, por edhe ato të cilat janë hapur së fundmi”, tha Merdani.
Në zonën e kalasë dhe tek “Ura e Varur” janë krijuar rampa, të cilat kanë bërë të mundur që edhe ata turistë me aftësi të kufizuara mund të vijnë dhe të vizitojnë qytetin.
Merdani bën të ditur se shtimi i numrit të turistëve vjen si pasojë edhe e aktiviteteve kulturore dhe turistike në Berat.
“Këto muaj na presin aktivitete të ndryshme si: Festivali i Verës, Festa e Ullirit, Festat e Nëntorit, festat e fundvitit, të cilat e kthejnë qytetin në destinacionin e duhur për t’u vizituar. Dhe kjo tashmë është fakt, në Berat nuk flasim për sezon turistik, por për një sezon gjithëvjetor të turizmit”, tha Merdani.
Berati vijon të mbetet ndër qytetet më të preferuara të turistëve. Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit./atsh/KultPlus.com
Berati do të mirëpresë në 13-15 tetor festën e verës, një aktivitet që promovon kulinarinë dhe traditat e qytetit të “një mbi një dritareve”.
Kryeministri Edi Rama ftoi sot vizitorët të bëhen pjesë e këtij aktiviteti, të cilin e cilësoi “një udhëtim shijeje dhe historie”.
“Një udhëtim shijeje dhe historie në “Wine and Stories of Berat”, qytetit që po kthehet në ekselencë të prodhimit të verës shqiptare gërshetuar me duart e arta të amvisave që ruajnë e përcjellin vit pas viti traditat më të veçanta të kuzhinës tradicionale”, u shhpreh Rama në rrjetet sociale.
Në datat 13-15 tetor, Berati do të jetë më shumë se një destinacion duke u kthyer në një përvojë, ku kultura, vera, kulinaria dhe muzika janë të gjitha në ‘menu’ për t’u shijuar.
Festat lokale konsiderohen si mënyrë për të promovuar traditën dhe natyrën shqiptare dhe po organizohen në qytete të ndryshme të vendit/atsh/KultPlus.com
Berati, një qytet muze është një perlë e Shqipërisë dhe një nga qytetet më të vjetra të vendit i quajtur “Toka e Shqiponjave”, shkruan Magdalena Mikrut-Majeranek në një artikull të botuar në të përditshmen polake “HistMag”.
Ai u themelua në antikitet dhe në vitin 2008 qendra historike u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Berati u emërtua qytet muze. Gjithashtu, ai quhet “qyteti i një mijë dritareve” dhe ky term i referohet lagjes së Mangalemit.
Është një perlë shqiptare që ndryshon dukshëm nga resortet e njohura bregdetare.
Turistët që pushojnë në Vlorë, Sarandë apo Ksamil u ofrohet shumë më tepër paqe, intimitet dhe pamje të bukura këtu.
Berati dhe Gjirokastra renditen si shembuj të rrallë të karakterit arkitekturor tipik të periudhës osmane.
I vendosur në Shqipërinë e Mesme, Berati ka përjetuar bashkëjetesën e komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore gjatë shekujve.
Një nga pikat karakteristike të qytetit është kalaja.
Ju ftojmë t’i hidhni një sy kështjellës, e cila ndodhet në majë të një kodre shkëmbore me pamje nga Mangalemi.
Ajo ka 24 kulla dhe katër porta që të çojnë drejt saj.
Shumica e ndërtesave datojnë nga shekulli i 13-të, por ndërtesat e para të ngritura në këtë zonë datojnë në gjysmën e dytë të shekullit të IV para Krishtit.
Kërkimet arkeologjike kanë treguar se kalaja është rindërtuar shumë herë.
Kjo pronë është ende e banuar. Vlen të theksohet se këtu mund të merrni edhe një dhomë hoteli me qira dhe të shijoni lokalet, si dhe të blini punime artizanale dhe suvenire të ndryshme.
Brenda mureve të kështjellës ka shumë hotele dhe restorante atmosferike.
Pas mesnatës, kalaja bëhet edhe më intriguese. Ndriçimi ju inkurajon të endeni nëpër rrugët e ngushta.
Kalaja ka pamje të qartë nga qyteti. Është interesante se si kishat bizantine ashtu edhe xhamitë osmane ndodhen brenda mureve.
Turistët mund të shohin ndërtesat e kishës së Virgjëreshës së Bekuar, kishës së Shën Teodorit të shekullit të 16-të, kishës së Trinisë së Shenjtë, si dhe rrënojat e Xhamisë së Kuqe të shekullit të 15-të dhe Xhamisë së Bardhë të shekullit të 16-të.
Nga kodra e kalasë ka një pamje panoramike të luginës së lumit Osum, Goricës dhe pjesës së re të qytetit./Atsh/KultPlus.com
Qyteti i një mbi një dritareve, ngritur buzë lumit Osum rreth 2400 vjet më parë, çdo vit tërheq me historinë dhe arkitekturën e tij mijëra turistë vendas e të huaj.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, në një intervistë për ATSH-në theksoi se “këtë vit kemi një rritje rreth 50% në krahasim me vitin 2022, ku periudha janar- korrik 2023 numëron rreth 400,000 mijë turistë vendas e të huaj”.
“Rreth 80% e turistëve në Berat vijnë nga vendet e huaja, kryesisht Evropa, por edhe Azia , SHBA , Kanada dhe Australia. Gjermanët, polakët, spanjollët, francezët, austriakët, italianët janë në top listën e turistëve të huaj’, tha Demo.
Berati ka një sërë pikash turistike që zgjojnë interesin e turistëve, u shpreh Demo, disa rej të cilave janë :Qendra Historike e qytetit, Kalaja, Gorica Mangalemi qe kanë pasuri UNESCO, Muzeu Ikonografik Onufri, Qendra Mesjetare, objektet e kultit Bizantin dhe Xhamitë e vjetra të periudhës Otomane.
Por, vitet e fundit turistët po preferojnë edhe atraksionet e eko-turizmit, fshatrat turistik Roshnik, Sinjë , Drobonik, kantinat e verës, aktivitetet rafting në Lumin Osum, ngjitje në malin e Tomorit, hedhje me parashuta nga Mali Shpirag, kanoe në liqenet e Tomorit, ecje me biçikletat malore në rrethinat e Beratit, vizitë në Kanionet e Osumit, pjesëmarrje në turret e gastronomisë në agrobizneset në fshatrat turistikë etj.
Pyetjes se çfarë ka bërë bashkia për promovimin e këtyre pikave turistike, Demo tha se “në aspektin e shërbimeve, kemi përmirësuar ndjeshëm promovimin e Beratit si një destinacion i rëndësishëm i turizmit ndërkombëtar, duke përgatitur një paketë të plotë brandimi dhe marketing të qytetit, website, rrjete sociale, aplikacione mobile, broshura informative, informacionin që jepet në zyrën e Info Point Turistik të bashkisë.
Gjithashtu, shtoi Demo, kemi ndërmarrë një fushatë të gjerë promovimi të bizneseve turistike, duke nxitur edhe krijimin e një rrjeti të aktorëve lokale për menaxhimin e destinacionit dhe koordinimin për përmirësimin e shërbimeve turistike.
Sa i përket masave të marra nga bashkia për mbarëvajtjen e sezonit turistik, Demo u shpreh se “bashkia ka përgatitur një plan të detajuar masash për sezonin turistik, i cili parashikon shërbimet e shtuara në lagjet muzeale dhe në gjithë zonën që frekuentohet nga turistët”.
“Pastrimi, gjelbërimi, ofrimi i informacionit në Info Point të Bashkisë Berat, rregullimi i transportit nëpërmjet Terminalit të autobuzave në periferinë e qytetit, ofrimi i parkimit nëntokësor në Qendrën e Qytetit, me një kapacitet 200 mjete, është duke u ndërtuar parkim i dedikuar edhe në lagjen Goricë”, tha Demo .
Bashkia ka ofruar gjithë kapacitetet e saj për sezonin, duke nxitur eventet kulturore, koncerte, panaire, shfaqje, etj, të cilat kanë rritur interesimin e turistëve.
Sa i përket investimeve që po kryhen nga bashkia e Beratit për t’i ardhur në ndihmë zhvillimit të turizmit dhe jo vetëm, Demo tha se “bashkia Berat ka pasur si prioritet nxitjen e zhvillimit të turizmit duke filluar zgjidhjen e disa problemeve strukturore, që kishin të bënin me rritjen e kohë qëndrimit të vizitorëve në qytet dhe zgjerimin e aktiviteteve të lidhura me eksperiencat dhe përjetimet e turistëve”.
“Projektet në infrastrukturë kanë bërë të mundur rehabilitimin dhe restaurimin e Qendrës Historike të Beratit, ku përmendim projektin e rehabilitimit të siluetës urbane në Goricë duke krijuar një pedonale të bukur buzë lumit dhe pranë lagjes muzeale, restaurimet në Mangalem, rruga e Kalasë, Qendra Mesjetare dhe zona e Muzeut Etnografik, krijimi i një sheshi të bukur tëk Porta e Pashait në Mangalem, krijimi i 100 km shtigje për biçikleta malore në rrethinat e Beratit, shtigjet e biçikletave në fshatin turistik Roshnik, duke përmirësuar ndjeshëm aksesin e turistëve drejt pikave me interes kulturor, historik apo të eko-turizmit”, theksoi Demo.
Bashkia Berat ka organizuar një paketë të plotë eventesh, stacione vjetore, ku turistët ndjekin aktivitetet e lidhura me kulturën vendase.
Demo tha se “ndër festivalet më të rëndësishme përmendim Festivalin e Verës, edicioni i parë i të cilit u organizua vitin e kaluar dhe ishte një sukses i vërtetë me rreth 20,000 vizitorë dhe do organizohet edhe këtë vit në ditët e fundit të shtatorit dhe fillimin e tetorit, ku do të ketë pjesëmarrjen e kantinave më të mira të Shqipërisë dhe Beratit, i cili është qarku me më shumë kantina vere dhe nga kantinat më të mira në Shqipëri. Në Berat ka 12 kantina”.
Gjithashtu, vijoi Demo, gjatë periudhës së dimrit organizojmë Festivalin e Dimrit me evente, panaire, festa gastronomie dhe eventin ‘’Mangalem’s Shade’’ ku shfaqet projektim me drita, kompozime të pikturave të Onufrit, afreske nga kishat Biznatine, mbi shtëpitë karakteristike në Mangalem.
“Përgjatë vitit organizojmë në muajin prill ‘’Maratonën e Gjelbër’’ me pjesëmarrjen e 200 garuesve, të cilët eksplorojnë zonën historike dhe rrethinat e qytetit, Festën e Qershisë në muajin Qershor në fshatin Drobonik, Festivalin e Xixëllonjave në muajin korrik ku promovojmë kulturën vendase, Festën e Fshatit Roshnik në Shtator, Festën e Ullirit në fshatin Bilcë në muajin tetor dhe evente gjatë fundjavave të cilat promovojnë vlerat e kulturës sonë”, tha Demo./atsh/KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat sjell në vëmendje ish banesën e Llamba Aguridhit, sot e Bedri Merkajt dhe Toli Tumanit, në lagjen Mangalem.
Kjo banesë zë një vend të veçantë në qendër të lagjes Mangalem, si për kompozimin volumor, ashtu edhe për trajtimin arkitektonik të pamjes së jashtme të saj. Është një shembull, i rrallë i një banese tri katëshe me kamerie.
Në katin përdhe, banesa ruan pjesë të konstruksionit origjinal. Sipas mbishkrimit, i cili gjendet në ballë të portës së oborrit, banesa është rindërtuar në vitin 1856. Kjo ndërtesë karakteristike e Beratit gëzon statusin juridik Monument Kulture, Kategoria e parë.
Pak ditë më parë Berati kremtoi 15-vjetorin si Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, i shpallur si i tillë më 8 korrik 2008.
Berati spikat për vlerat e tij unikale në arkitekturë, histori dhe art prej vitesh, duke tërhequr vëmendjen dhe interesin e guidave të cilat e sugjerojnë si një nga destinacionet më të bukura në botë. Mediat ndërkombetare e quajnë vendin magjik të mbushur me histori dhe art./ atsh / KultPlus.com
Berati, qyteti i një mbi një dritareve, po mirëpret një numër gjithnjë e më të lartë turistësh, në të gjitha stinët e vitit.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto të turistëve që vizitojnë një nga pikat më atraktive të tij, kalanë.
“Vërshimi i turistëve drejt Beratit”, shkruan ai në rrjetet sociale.
Berati, tashmë qytet i UNESCO-s, të ofron ndër të tjera plot shtëpi të epokës otomane, struktura mbresëlënëse të kështjellës dhe kishave mistike dhe xhamive, të vendosura në krah të kodrave dhe maleve që kanë në mes lumin Osum.,
Kalaja e Beratit është një nga atraksionet më piktoreske në zonë. Kjo kështjellë e epokës romake ulet sipër një kodre shkëmbore në bregun e majtë të lumit Osum me pamje nga qyteti i Beratit.
Numri i vizitorëve ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe ky sezon veror ka pritshmëri të lartë jo vetëm në Berat por edhe në destinacionet e tjera turistike të vendit./atsh/KultPlus.com
Më 2 qershor 1961, Gjirokastra, Berati, nëntoka e Durrësit dhe pazari i vjetër i Krujës u shpallën qytete-muze.
Bazuar në këtë vendim të Këshillit të Ministrave u ngarkua Universiteti Shtetëror i Tiranës (USHT) që të kryente studimin dhe projektimin për zonifikimin e këtyre qyteteve.
Ndërkohë këto qytete duhet të mirëmbaheshin, të restauroheshin dhe të administroheshin në përputhje me dispozitat e Rregullores së qytetit-muze të Beratit dhe me udhëzimet e veçanta të Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Sipas Rregullores së përmendur, qyteti i Beratit ndahej në zonën muze, në zonën e mbrojtur dhe në zonën e lirë. Zona muze ruante monumente të kategorisë së I-rë dhe të II-të, në dallim nga zona e mbrojtur ku gjenin vend vetëm monumente të kategorisë së I-rë.
Ndërsa, në zonën e lirë bënin pjesë vetëm monumente të izoluara të kategorisë së I-rë, në pjesën e mbetur të qytetit pa pikëprerje me dy zonat e tjera. /Ata
Revista prestigjoze amerikane “Time” I ka dedikuar një artikull qytetit të Beratit duke e sugjerua për turistët si një ndër vendet për t’u vizituar në vitin 2023.
Lajmin e bukur e ka bërë publik kryeministri, Edi Rama nëpërmjet një postimi në rrjetin social “facebook”.
Postimi i plotë:
Revista prestigjioze amerikane “Time” i ka dedikuar një artikull qytetit të Beratit duke e sugjeruar për turistët si një ndër vendet për t’u vizituar në vitin 2023🤝
Bukuria e lagjeve të gurta, arkitektura, ushqimi, natyra e sidomos historia e këtij qyteti magjik bëhet edhe më e pasur me mikpritjen, humanizmin, dhe qytetërimin, kur beratasit shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, të gjitha këto detaje që nxjerr në pah artikulli./ KultPlus.com
Shtëpitë e vjetra prej guri, të rreshtuara në brigjet e lumit Osum në Berat po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e vizitorëve me bukurinë e tyre historike, shkruan Naomi Tomky në një artikull të publikuar në “Time”.
Ky vit shënon 80-vjetorin e mbërritjes së forcave gjermane në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe të popullit të Beratit që mbrojti shumë prej hebrenjve të vendit që kërkuan strehim, duke ilustruar parimin e kodit shqiptar të Besës, i cili thotë se shtëpia është para së gjithash e Zotit dhe e mikut.
Për të kuptuar më mirë historinë e 400 viteve të historisë hebreje të Beratit, duke përfshirë mënyrën sesi Shqipëria u bë i vetmi vend në Evropë, popullsia hebreje e të cilit u rrit gjatë Luftës së Dytë Botërore, nevojitet një vizitë në muzeun ”Solomon”.
Muzeu etnografik i vendsour në një shtëpi tradicionale përballë rrugës ofron një mjedis shqiptar, së bashku me kishat bizantine të shekullit XIII të Beratit, xhamitë e shekullit XIV dhe një kështjellë mijëravjeçare me pamje nga qyteti unik piktoresk.
Berati ka vazhduar traditën e mikpritjes së jashtëzakonshme në restorantet dhe hotelet e tij.
Përtej urës së Goricës, dhomat moderne në hotelin “Amalia Boutique” ofrojnë pamjen e ndërtesave të lashta prej guri, dhe ftojnë mysafirët të shijojnë rakinë shqiptare të njohur në të gjithë Ballkanin.
Rakia shërbehet gjithashtu në “Lili Home-Made Food”, që duket më shumë si një oborr i një shtëpie në lagjen ”Mangalem” sesa një restorant, pasi mikpritësi me të njëjtin emër argëton mysafirët duke u shpjeguar menunë me gjeste, ndërsa bashkëshortja e tij Mirela gatuan në kuzhinën e tyre familjare. / atsh / KultPlus.com
Qyteti i një mbi një dritareve vijon të mbetet ndër qytetet më të preferuara të turistëve.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha për ATSH-në se “gjatë këtij viti Berati ka shënuar një fluks të lartë turistësh, ku në janar-dhjetor u vizitua nga rreth 400 mijë vizitorë, ku 80% e turistëve janë të huaj”.
“Ky është numri më i lartë i vizitorëve në të gjithë historinë e qytetit tonë. Vitet e fundit turistët po kalojnë më shumë kohë në qytet. Më herët turistët kryenin vizita ditore, ndërsa tani ata qëndrojnë të paktën 1-2 netë në qytet dhe kanë mundësi të njihen më mirë me historinë dhe kulturën e këtij qyteti të lashtë”, tha Demo.
Ndër atraksionet më të vizituara Demo përmend Kalanë, ndërsa në qytet më të vizituarat janë Kanionet e Osumit, kantinat e qytetit, muzeumet Onufri, Etnografik dhe Solomon.
“Një vëmendje të veçantë zënë edhe objektet e kultit, si kishat dhe xhamitë, të cilat vitet e fundit janë restauruar ”, tha Demo
Në rritjen e fluksit të vizitorëve këtë vit kanë ndikuar edhe aktivitetet e shumta të organizuara nga bashkia.
“Bashkia gjatë gjithë vitit, por sidomos në sezonin veror ka organizuar një sërë aktivitetesh çdo fundjavë si teatër kukullash, teatër për të rritur, fundjavat e muzikës live në pedonale, festa e miqësisë, ekspozita, etj., të cilat kanë sjellë një numër të lartë turistësh në qytetin e një mbi një dritareve”, tha Demo.
Sa i përket investimeve në sektorin e turizmit, Demo shprehet se “180 biznese të reja janë hapur kryesisht në lagjet kryesore turistike të qytetit”.
Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.
Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës.
Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë./ atsh / KultPlus.com
Në Berat po transformohet rrënjësisht imazhi i qendrës së qytetit, për ta bërë më tërheqës për turistët dhe mbi të gjitha për të ofruar standarde jetese më të larta për banorët.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo në një postim në rrjetet sociale ka ndarë momente nga puna për rehabilitimin e qendrës së qytetit si dhe fotografi nga projekti.
Sipas tij, së shpejti sheshi “Iljaz Vrioni” dhe hapësira përreth e rrugës “Antipatrea” do ketë tjetër pamje.
“Kemi nisur punimet për projektin e përmirësimit të siluetës urbane të rrugës ‘Antipatrea’ dhe rehabilitimin e sheshit ‘Iljaz Vrioni‘ (ish -Agjencia) në një hapësirë të bukur dhe me gjelbërim, të përshtatshme për qytetarët gjatë kohës së tyre të lirë dhe për fluksin e vizitorëve të cilët vizitojnë dy objektet e kultit “Katedralen” dhe “Xhaminë e Plumbit”. Projekti do të vijojë me rehabilitim të fasadave në dy anët e rrugës “Antipatrea” dhe përmirësimin e rrjetit nëntokësor”, u shpreh Demo.
Pas përfundimit të këtyre investimeve pritet të ketë rezultate të pritshme si mjedis urban të integruar dhe miqësor për këmbësorët ndërmjet qytetit modern dhe zonës historike, përmirësim i sigurisë së këmbësorëve, përmirësim i lëvizjes së turistëve.
“Do të ketë 14,350m2 hapësirë publike të rehabilituar të ndarë në: 8,120m2 hapësirë për këmbësorë dhe 9,620m2 fasadë të rehabilituar”, shtoi Demo.
Ndërsa trafiku në qytet do të jetë i organizuar në këtë mënyrë: i hapur nga të dy anët (me dy sense) Aksi “Ura e Varur” – “Biblioteka”, me një sens lagja “Mangalem” – “Katedralja” (drejt Spitalit Rajonal).
Investimet që po kryhen në bashkinë e Beratit vitet e fundit do të kenë një ndikim të madh në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve, si dhe t’i japin një hov të ri turizmit në qytetin e një mbi një dritareve. / atsh / KultPlus.com
Lagjja “Mangalem”, në qytetin e “një mbi një dritareve”, po i nënshtrohet një restaurimi të plotë për të tërhequr vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj në të gjitha stinët.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto të punimeve që po kryhen në këtë lagje.
“Duart e arta të ustallarëve po qëndisin Mangalemin e Beratit, ku kryetari i Bashkisë në partneritet me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, po sjellin ngado ndryshime të bukura”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.
Ansambli muzeal i lagjes “Mangalem” shtrihet në formë gjysmëharku në pjesën jugore dhe lindore të kodrës së kështjellës. Ky kompleks banimi mund të ketë qenë nga të parët që përfaqëson dukurinë e zhvillimit të qytetit mesjetar jashtë mureve të fortifikimit gjatë shek. XV-XVI, duke formuar në këtë mënyrë zonën e varoshit.
Arkitektura unikale dhe origjinale e banesave duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit. Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, e bëjnë këtë ansambël një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit.
Banesat janë shumë të ngjeshura njëra me tjetrën dhe në pjesën dërrmuese janë të dimensioneve të vogla. Shumica e tyre janë pa oborr dhe pa kopshte, si pasojë, hyrjet e banesave dalin drejtpërsëdrejti në rrugicë.
Një hijeshi të veçantë arkitekturës së lagjes i jep edhe prezenca e radhës së dyqaneve në rreshtin e parë, aty ku aktualisht ushtrojnë veprimtarinë e tyre biznese të ndryshme të qendrës historike të qytetit. Në shumicën e literaturës turistike, për vetë kompozimin arkitekturor të ansamblit të “Mangalemit”, Berati cilësohet ndryshe edhe si “Qyteti i një mbi një dritareve”./ atsh / KultPlus.com
Berati vazhdon të jetë një nga qytetet më të frekuentuara të vendit, nga turistët e huaj e vendas.
Shifrat tregojnë se sezoni veror ka rezultuar i suksesshëm për Qendrën Kombëtare të Muzeumeve, Berat.
Edhe me këtë verë të nxehtë, muzeumet e QKM, Muzeu i Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeu Etnografik kanë qenë destinacionet më të preferuara të vizitorëve dhe turistëve vendas e të huaj në qytetin e Beratit.
Këto muze në periudhën maj-korrik 2022 rezulton të jenë vizituar nga 17280 vizitorë.
Ndërsa gjatë muajit korrik, muzeumet e Beratit patën 5629 vizitorë nga të cilët 1172 vendas dhe 4557 të huaj.
Kombësitë e turistëve të huaj janë kryesisht të vendeve europiane, si francezë, polakë, spanjollë, italianë, gjermanë, holandezë, etj./atsh/ KultPlus.com
Gjithmonë ju kemi informuar dhe vazhdimisht lexojmë mbi qytetet më të bukura në botë, të cilat duhet t’i vizitoni të paktën një herë në jetë. Por ndryshe nga herët e tjera kësaj here sugjerimet tona drejtohen nga Shqipëria jonë e bukur, e më saktë Berati.
Agjencia japoneze për turizmin “JATA” ka publikuar se fundmi listën e qyteteve më të bukur në botë ku është edhe qyteti i Beratit në vend të dytë, dhe thuhet se është futur në këtë klasifikim për vlerat arkitekturore e kulturore që posedon.
Duke bërë një përshkrim të Beratit, agjencia japoneze JATA shkruan: “Mangalemi, qyteti i vjetër i Beratit, shtrihet në brigjet e Osumit dhe është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Në periudhën e mesjetës ishte qytet kufitar i Perandorisë Bizantine, fakt që e dëshmon edhe kalaja e qytetit”. Shtëpitë e ndërtuara njëra mbi tjetrën, që asnjë piktor s’do t’i vendoste dot aq bukur, i kanë dhënë emrin Beratit: “Qytet i një mbi një dritareve”.
Rrugicat e shtruara me kalldrëm, ku mjeshtrit beratas punimin e gurit ua kanë lënë trashëgim brezave më të rinj. Muret e shtëpive janë të ndërtuara me gurë të skalitur dhe shkëlqejnë nga bardhësia e gëlqeres.
Ajri i pastër i pishave përreth, gjelbërimi i tyre i përhershëm, kodrat e veshura me fiq e ullinj, xhamitë e bukura dhe të lashta në qendër të qytetit, ku ndër më të njohurat janë, Xhamia Mbret (1512), Xhamia e Plumbit (1555), Xhamia e Beqareve (1827), si dhe Xhamia e Celebi Hysen Pashes (nipi i Kara Mahmud Pasha) në lagjen Murat Celepias, janë dëshmia që qytetarët beratas si gjithë qytetarët e tjerë të Shqipërisë jetojnë në harmoni me njeri-tjetrin pa dallim feje.” / atsh / KultPlus.com
Rreth 150 mijë vizitore përllogaritet se kanë qëndruar në Berat vetëm përgjatë muajve Maj Qershor.. Muzeu ONUFRI, është vendi që mahnit turistët, vecanërisht ata që shkojnë në qytetin e mbrojtur nga UNESCO për trashëgiminë.
Pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO, Berati i njëmijë e një dritareve mbetet atraksion për turistët në cdo stinë.
Lagjet Muzeale dhe Kalaja ku ndodhet edhe muzeu Onufri janë pasaporta e qytetit.
“Qytet mikpritës, u gjendëm mirë këtu. Do qëndrojmë për dy ditë. Vizituam kalanë dhe qytetin. Kalaja e veçantë, shumë e madhe dhe e banuar,” thotë një turist italian.
“Berati është shumë i bukur. Muzeu Onufri kishte ikona të jashtëzakonshme,” thotë një turiste.
Sipas të dhënave në 2 muajt Maj e Qershor Berati numëron rreth 150 mijë turistë.
Cilësohet ndër sezonet më të mirë të viteve të fundit.
“Kemi një fluks turistësh si asnjë vit më parë. Këtë vit sezoni turistik që në fund të prillit. Ne e hapëm me një aktivitet shumë të madh që e quajtëm “Turzëm Festë”,” thotë një banore.
Muzeu “Onufri”,Muzeu Etnografik dhe Muzeu “Solomon” janë tre pikat më të vizituara në Berat, ku zhvillim po merr edhe turizmi i aventurës./ KultPlus.com