65 pilotë nga 7 vende të ndryshme fluturuan në qiellin e Beratit në kuadër të kampionatit ndërkombëtar të hedhjes me parashuta “Berati Open Air”.
Në këtë event sportiv, që u zhvillua në datat 11-13 mars, morën pjesë pilotë nga Shqipëria, Kanadaja, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Sllovenia dhe Bullgaria.
Drejtori i Eventeve dhe garave në Federatën e Aeronautikës së Shqipërisë, Alket Islami theksoi se kjo është hera e parë që organizohet një aktivitet i tillë në qytetin e Beratit.
“Jemi shumë të kënaqur nga mikpritja dhe organizmi që ka bërë pushteti vendor për këtë event të rëndësishëm botëror. Qëllimi i organizimit është që të kthenim Ditën e Verës në një festë të madhe të fluturimit. Teknikisht është një garë shumë e vështirë sepse kemi një lumë në mes siç është Osumi, i cili është shumë afër vendit të uljes së parashutave dhe kjo shkakton turbulenca e rryma të forta, duke e bërë të vështirë për pilotët marrjen e pikës maksimale që është pika zero”, tha ai.
Në përfundim të këtij kampionati, fitues i vendit të parë u shpall Adam Spirkoski nga Maqedonia e Veriut, në vendin e dytë Matjas Sluga nga Sllovenia dhe në vendin e tretë Xhonatan Islami nga Shqipëria./atsh/ KultPlus.com