Kinemaja kosovare në Berlin për fundjavë, do të shfaqen 12 filma

Dymbëdhjetë filma kosovarë që përmes një reflektimi kinematografik mbi temat sociale, politike dhe historike e definojnë Prishtinën dhe kontaktin kosovar, do të shfaqen këtë fundjavë në Kino Moviemento në Berlin. Për dy ditë, audienca do të ketë rast të shohë veprat e kineastëve nga gjenerata të ndryshme, duke përfshirë filma artistikë dhe të shkurtër, dokumentarë, dhe animacion nga Kosova dhe diaspora.

Titulluar “Të Fala nga Prishtina” dhe kuruar nga Blerta Haziraj, përzgjedhja prej 12 filmash sjell
para publikut të Berlinit filma të metrazheve të ndryshme nga regjisorët më të spikatur kosovarë
të gjeneratës së re, si: Lendita Zeqiraj, Dea Gjinovci, Samir Karahoda, Ilir Hasanaj, Norika Sefa,
Edona Kryeziu, Redon Kika, Flaka Kokolli, Arnit Likaj dhe Jamin Rai, Zgjim Terziqi, Bekim Guri
dhe Orgesa Arifi.

Përveç shfaqjes së filmave, publiku do të ketë mundësi të njihet me regjisorët kosovarë, të cilët
do të ndajnë përvojat e tyre përmes sesioneve të hapura të diskutimit publik mbi rrugëtimin e
tyre krijues në Kosovë.

City Film Days është seri ngjarjesh filmike e fokusuar në hapësirat urbane si vende për rrëfime
kinematografike. Organizuar nga platforma jofitimprurëse October 21 e.V., City Film Days është
ftesë për të eksploruar realitetin e shumanshëm të hapësirave urbane, me idenë për ta zgjeruar
shkëmbimin kulturor midis Berlinit dhe komuniteteve të ndryshme të filmit.

Të Fala nga Prishtina është kënga e njohur e këngëtarit dhe aktorit Sabri Fejzullahu, e
performuar për herë të parë në festivalin e muzikës Akordet e Kosovës, në 1984. Kënga është
ftesë poetike për ta eksploruar qytetin e Prishtinës. Frymëzuar nga tema lirike e saj, programi i
filmit me të njëjtin titull e zgjeron këtë ftesë me qëllim për ta zgjeruar të kuptuarit e shoqërisë
kosovare dhe manifestimet hapësinore të saj përmes veprave kinematografike bashkëkohore.

Edicioni i parë i City Film Days do të mbahet më 19-20 tetor 2024, në kinemanë Moviemento në Berlin. Ngjarja është organizuar nga October 21 e.V.

Blerta Haziraj (1994) është hulumtuese dhe regjisore. Praktika e saj artistike fokusohet në
arkivat e literaturës feministe në Kosovë të cilat ajo i përdorë si mjet për të eksperimentuar
përmes filmit dokumentar, ekspozitave, posterave dhe fanzinave. Ajo është autore e tre filmave
të shkurtër, të cilët subjekt kanë gratë në rajonet rurale të Kosovës: ‘How I Failed Documenting
Male Gaze’ (2021), ‘Sytë dhe Duert e Jueja Duhet të Shihen Kudo’ (2022) si dhe ‘E Ardhmja
Asht ma e Mirë, Shoqe’ (2023) i realizuar si pjesë e ekspozitës së saj “ATO” në Autostrada
Biennale, 2023. Ka bashkëthemeluar Pykë/Presje, hapësirën për hulumtime arkivore, ekspozita
(Manifesta 14) si dhe prodhimin e botimeve artistike dhe eksperimentale të bazuara në historitë
lokale. Ajo është fituese e çmimit Prince Claus Fund, Seed Award, 2023. Për momentin është
duke studiuar regji në FAMU./KultPlus.com

Një rrugë në Berlin do të marrë emrin e presidentit Ibrahim Rugova

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, është takuar me Sekretarin gjerman të Shtetit për Çështje Federale, Evropiane dhe Ndërkombëtare në landin e Berlinit, Florian Hauer.

Ajeti bëri të ditur se Hauer i ka dhënë mbështetje që një rrugë në qytetin e Berlinit të emërtohet me emrin e presidentit historik, Ibrahim Rugova.

“Diskutuam mbi ide konkrete të bashkëpunimit me theks të veçantë në fushat e politikës, ekonomisë dhe kulturës, për të forcuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Falënderoj Sekretarin e Shtetit Hauer për mbështetjen e tij që një rrugë në qyetin e bukur të Berlinit të emërtohet me emrin e Presidentit Rugova”, shkroi Ajeti.

Pianistja Ardita Statovci bashkë me talentet e rinj me koncert në Berlin, u vlerësua lartë nga të pranishmit

Në Berlin, Ambasada e Kosovës organizoi një koncert shumë të veçantë me pianisten e mirënjohur Ardita Statovci, së bashku me talentët e rinj, fitues të çmimeve të ChopinPianoFEST, Fortesa Jusufi, Andi Duraku, Lisa Sahatçiu, Melisa Ibrahimi dhe Rron Bakalli.

Koncerti u mbajt në sallën e bukur të Universitetit të Arteve Joseph-Joachim-Konzertsaal, ku ishin të pranishëm shumë personalitete të jetës publike, diplomatë, përfaqësues të institucioneve, artdashës dhe studentë e pjesëtarë të diasporës tonë në Berlin.

Loja e artistëve dhe i gjithë programi u vlerësua shumë lartë nga të pranishmit. Të mahnitur mbetën edhe dy personalitete të veçanta, Herbert Groeger, sponsor i Çmimit Special të Chopin Piano Fest Prishtina Prishtina dhe Johannes Neukirchen nga bordi i Young Euro Classic, një organizatë e rëndësishme për muzikantët e rinj.

Koncerti është mbështetur nga MKRS dhe MPJ. / KultPlus.com

Violinisti shqiptar ngre në këmbë gjithë orkestrën në Berlin në sallën emblematike “Berliner Philharmonie” (VIDEO)

Hyrja e violinistit shqiptar Daniel Vlashi Lukaçi në sallën emblematike “Berliner Philharmonie”, e ka ngritur në këmbë DSO-Berlin (Deutsches Symphonie-Orchester Berlin)  nën duartrokitjet e platesë gjigande plot simpati e vlerësim.

Megjithëse është normal si protokoll koncerti, por kjo paraqitje që vjen prej garave aq konkurruese, ngjan si kryefitore e betejave.

E kush nuk do të emocionohet kur ta shohë këtë video se si një djalosh 26 vjeçar, violinisti virtuoz, performon me DSO- Orkestrën Simfonike në Berlin.

Gjithë kjo arritje që i bën krenar çdo shqiptar është fryt i talentit, punës kolosale mbi 20 vjeçare, i edukatës, traditës e kulturës familjare nga babai dhe nëna.

Danieli ka lindur në Spanjë dhe sipas ligjit spanjoll ai i mban dy mbiemrat Vlashi – Lukaçi. / KultPlus.com

Isaiah Berlin: Filozofia duhet të na e mësojë vet-njohjen

(Intervistë me filozofin Isaiah Berlin, 1976 BBC)

Më poshtë mund të lexoni pjesë nga intervista me filozofin Isaiah Berlin. Në këtë pjesë, Berlin flet për rolin dhe rëndësinë praktike të filozofisë, si ajo ka ndikuar përgjatë historisë njerëzore dhe si mund të ndikojë në të ardhmen. Intervistues është filozofi anglez Bryan Magee, i cili gjatë viteve të 70-ta të shekullit 20, kishte realizuar një cikël intervistash me filozofë dhe studiues të filozofisë, për ta bërë filozofinë më të kapshme për publikun.

Intervista

Bryan Magee: Z. Berlin, a mund ti renditni disa arsye, pse dikush duhet të interesohet për filozofinë, në rast se nuk ka pasur mundësinë të njihet me të përgjatë procesit të edukimit, apo në përgjithësi gjatë jetës së tij?

Isaiah Berlin: Si fillim, kjo pyetje është intersante madje edhe në vetvete. Por, për ata që nuk pajtohen me këtë, më duhet të them se, filozofia i trajton dhe analizon në mënyrë kritike, supozimet apo pohimet, mbi të cilat shumë besime të zakonshme të përditshmërisë (opinione) kanë bazamentin, apo gjejnë mbështetjen e tyre. Bëhet fjalë për besimet, për të cilat njeriu nuk është se ka shumë dëshirë që ti gërmojë, sepse njerëzit thjesht nuk duan që mendimet dhe besimet e tyre të analizohen. Njerëzit fillojnë e ndihen jo komod në rast se i detyrojmë që në mënyrë kritike të analizojnë bazamentin, fundamentin e besimeve të tyre. Dhe pikërisht në lidhje me këtë, një nga detyrat themelore të filozofisë është analiza e mendimeve, besimeve apo analiza mbi të ashtuqujtuarën “mendje e shëndoshë”. Kjo detyrë e filozofisë, duket shumë e pasigurtë dhe në të njejtën kohë edhe shumë e komplikuar. Filozofët duke bërë një punë të tillë, provojnë tu mësojnë njerëzve vet-njohjen (self-knowledge). Shpesh her, duke bërë një punë të tillë, ata u tregojnë njerëzve në mënyrë mjaftë iluminuese, se çfarë ata besojnë dhe pse ata besojnë një gjë të caktuar? Dhe kjo paraqet një detyrë mjaft esenciale për filozofinë.  

Magee: Pajtohem plotësisht me juve. Kur mendimet tona të zakonshme bëhen objekt analize dhe kritike, ndihemi si të thuash jo fort rehat me veten. Madje, kjo mund të arrijë deri në pikën sa të krijohet edhe një lloj rezistence ndaj analizave të tilla. Pse mendoni se ndodh kjo rezistencë tek njeriu, kur ai ballafaqohet me kritikën e mendimeve të tij? 

Berlin: Së pari, mendoj se njerëzit nuk e kanë fort qejf kur analizohen tej mase, dhe së dyti, supozoj se, vet akti i të analizuarit e përjashton njëfar mënyre një lloj jete apo një qasje të caktuar mbi të jetuarit. Kjo është shumë e dukshme: Ta zëmë se njeriu është duke jetuar në një mënyrë të caktuar, ashtu si ai mendon se duhet të jetojë, dhe papritur ai ballafaqohet me pyetje të tilla si: Pse je duke vepruar kështu? A je i sigurtë se qëllimet që i ke vendosur vetes për jetën tënde, janë qëllimet e tua të vërteta? A je i sigurtë se veprimi jot nuk e kundërshton në një farë mënyre një lloj besimi moral që mbase ju duhet ta përqafoni? Apo, a jeni të sigurtë se disa nga vlerat dhe parimet tuaja, janë në kundërthënie me disa vlera dhe parime tjera dhe ju nuk jeni duke u përballur me këtë fakt?

Sepse ndonjëherë, kur zhytesh në dilema, je aq i frikësuar të ballafaqohesh me mendimet tua sy më sy, saqë ti i shmangesh përballjes dhe kërkon përgjegjësinë diku tjetër: tek shteti, tek mësuesit, tek shkolla, apo tek ndonjë grup apo komunitet ku ti bën pjesë. A mos vallë do të ishte më e udhës që ti vet personalisht, ta marrësh përgjegjësinë mbi supet e tua? Kjo mendoj se i shqetëson njerëzit, i mbush me antkh, dhe si rjedhojë në mënyrë të pavetëdishme dhe shumë të natyrshme zë fillin rezistenca për të cilën folët ju.

Në lidhje me këtë, ne duhet të kemi parasysh një gjë. Ky aspekt i kritikës-analizës, i ka dy anë të medaljes: Nga njëra anë, nëse të gjithë njerëzit do të ishin ‘intelektualë skeptik’, dyshues për çdo gjë, dhe në mënyrë të detajur të analizonin çdo mendim apo veprim të tyrin, ne do të përfundonim në një skepticizëm të skajshëm dhe jeta praktike do të ishte thuajse e pamundur. Nuk është e nevojshme që çdonjëri të ketë qasje të tillë kritike dhe skeptike ndaj jetës. Për këtë arsye, meqë filozofët e kanë si të thuash ‘profesion’ këtë lloj qasje kritike, është detyra e tyre që të merren me këtë punë. Por, ana tjetër e medaljes, na tregon qartë se, nëse këto gjëra (pohime, besime, opinione) nuk shqyrtohen, por lihen djerrë, atëherë shoqëritë bëhen të ngurta dhe të mbyllura. Besimet kthehen në dogma, imagjinata shtrembërohet, intelekti bëhet steril. Shoqëritë prishen si rjedhojë e mbështetjes së tyre në dogma, pa i dyshuar fare ato. Nëse imagjinata do të trazohet, nëse intelekti do të funksionojë, supozimet duhet të vihen në dyshim, supozimet duhet të sfidohen. I gjithë ky mozaik duhet të shikohet vazhdimisht, dhe jo nga shumë njerëz dhe as me intesitet të lartë, por megjithatë, mjaftueshëm sa për të mbajtur shoqërinë në lëvizje. Shoqëria lëviz me një farë shkalle ‘paricide’, ku fëmijët, në tërësi, vrasin, nëse jo baballarët e tyre, të paktën besimet e baballarëve të tyre dhe arrijnë në besime të reja. Dhe kështu ndodh zhvillimi, ky është progresi.

Magee: Mendoj se shumë njerëz hyjnë në filozofi, duke dashur tu tregohet se si të jetojnë, ose duan të marrin një shpjegim të botës, shpjegim të jetës ose diçka të tillë. Dhe më duket se, të hysh me atë dëshirë në filozofi, është heqje dorë nga përgjegjësia jote personale. Askush nuk duhet të synojë, që dikush apo diçka, t’ia mësojë sekretin e të jetuarit. Askush nuk duhet të synojë për gjetjen e përgjigjeve të gatshme dhe përfundimtare. Përkundrazi, është punë tjetër nëse dëshiron të kesh një sqarim të jetës, sqarim të çështjeve që të preokupojnë. E gjithë kjo, duhet të bëhet me qëllimin e vetëm: Vetëm njeriu apo individi vet, duhet të marrë vendime autonome dhe të jetë përgjegjës mbi veprimet dhe jetën e tij.

Berlin: Është shumë e dhimbshme kjo që po thua, dhe unë pajtohem plotësisht. Shumica e njerëzve duan të pasurohen me përgjigje të gatshme. Në lidhje me këtë, më kujtohet një fakt mbi shkrimtarin rus Ivan Turgenev: Kur Turgenev fliste për veprat e tij, ai thoshte se arsyeja pse ato nuk ishin aq te dashura për lexuesin sa mund të ishin potencialisht, lidhet me faktin se lexuesi rus i shekullit 19, dëshiron ti tregohet se si të jetohet, dhe qartazi kërkon të dijë kush është heroi e kush idioti, horri. Por Turgenev nuk e tregon këtë. Tolstoi, Dostojevski dhe shumë të tjerë e bënin një gjë të tillë. Ta zëmë, në veprat e Dickens-it fare lehtë mund të hetosh kush është i miri dhe kush jo. Turgenev thotë: unë vetëm sa i pikturoj qeniet njerëzore ashtu si janë, unë nuk e udhëzoj lexuesin, dhe as nuk e lë të kuptohet se në cilën anë qendroj unë. Dhe kjo e irriton lexuesin, e bezdis atë, e lë pezull dhe njeriu për nga natyra e urren këtë gjendje. Nuk është detyrë as e filozofit e as e shkrimtarit ti orientojë njerëzit si të jetojnë. Detyra e tyre është ti ballafaqojnë me mundësi, ti hapin njerëzit karshi jetës. Detyra e filozofit është ti tregoj njeriut për zgjedhjet që ai ka bërë, dhe pavarësisht se çfarë ka zgjedhur ai të bëj me jetën e vet, me besimet e tij, ai duhet të zhytet në to dhe të përshihet i tëri me përgjegjësi të plotë.

Magee: Më duket e pabesueshme, se si të ashtuquajturit njerëz të thjeshtë, mendojnë se kritika të tilla nga filozofia, janë thjeshtë abstrakte, madje e konsiderojnë atë edhe si një aktivitet shterp. Nëse nuk provon të dalësh nga kthinat e opinioneve tua ekzistuese, sidomos në fushën e moralit, politikës dhe fushës sociale, njeriu mbetet një i burgosur i cilësdo doktrine që ka përqafuar. Njeriu bëhet i burgosur i modeleve ekzistuese dhe modeleve të kohës së tij. Dhe sigurisht, këto ide filozofike që po diskutojmë, kanë pasur një ndikim shumë të madh në jetën praktike. Këtu kam parasysh Revolucionin Amerikan, Revolucionin Francez, Revolucionin Rus, ndikimin mbi religjionet anembanë botës, apo qoftë edhe mbi qeveritë Marksiste respektive. Këto janë vetëm disa shembuj, se si idetë filozofike, në mënyrën më të drejtpërdrejtë dhe të dukshme, kanë ndikuar konkretisht mbi jetën qenieve njerëzore. Pra, pikëpamja se kjo qasje e filozofisë, në dukje të parë abstrakte, nuk ka fare lidhje me jetën reale, më duket se është vetë pa lidhje me jetën reale, dhe thellësisht joreale.

Berlin: Ta kujtojmë poetin e madh gjerman Heine, i cili thoshte: Mos e nënvlerësoni filozofin përgjatë studimeve të tij. Ai është shumë i fuqishëm dhe madhështor. Mos e mendoni atë si të ishte një mësues i butë dhe pa ndikim, i shqetësuar vetëm me punët e tij triviale. Nëse Kanti nuk do ja priste kokën Zotit, me shumë mundësi as Robespier nuk do ja priste kokën mbretit. Metafizicienët e mëdhenjë gjerman-Fihteanët(J. Fichte), Shilingasit (F. Schelling), apo të tjerët, janë njerëz që një ditë nuk do të ndalen nga frika ose nga ndjekja e kënaqësisë, dhe do të shkatërrojnë shumë monumente të civilizimit tonë. Kur ky zemërim i madh metafizik do shpërthejë në botë, Revolucioni Francez do të duket thjesht një lojë fëmijësh, e kështu me radhë. Fuqia e ideve filozofike dhe metafizike është shumë e madhe.

Përktheu: Ardian Batusha/virtualsophists/KultPlus.com

Gratë në Berlin tani do të mund të notojnë “topless” në pishinat publike

Gratë në Berlin tani mund të notojnë topless në pishinat publike të qytetit nëse dëshirojnë.

CNN shkruan se përveç se u përshëndet si një hap përpara për barazinë gjinore në kryeqytetin gjerman, masa e prezantuar këtë javë përkthehet edhe si Freikorperkultur,  në kulturën gjermane do të thotë gjuha e trupit të lirë, e cila i ka rrënjët në fund të shekullit të 19-të.

Autoritetet e Berlinit morën masa pasi një notare tha se ajo ishte penguar të frekuentonte një nga pishinat e qytetit pa mbuluar gjoksin në dhjetor 2022. Gruaja paraqiti një ankesë në zyrën e ombudspersonit të qytetit në Departamentin e Senatit për Drejtësi, Diversitet dhe Kundër Diskriminimit.

Autoritetet ranë dakord që gruaja kishte qenë viktimë e diskriminimit dhe këtë javë thanë se të gjithë vizitorët në pishinat e Berlinit, duke përfshirë gratë lejohen të shkojnë topless.

Kjo ngjarje pason edhe një incident të ngjashëm në një park ujor në Berlin në verën e vitit 2021. Gruaja franceze Gabrielle Lebreton kërkoi kompensim financiar nga qyteti pasi rojet e sigurisë e urdhëruan të largohej nga lokali kur ajo refuzoi të mbulonte gjoksin.

Ajo ishte me djalin e saj pesëvjeçar kur ndodhi aksidenti. Duke folur për gazetën gjermane Die Zeit në atë kohë se pse ajo besonte se ishte diskriminim gjinor, tha: “Për mua – dhe unë ia mësoj këtë djalit tim – jo, nuk ka një ndryshim të tillë. Si për burrat ashtu edhe për gratë, gjoksi është një karakteristikë dytësore seksuale, por burrat kanë lirinë të heqin rrobat e tyre kur është vapë dhe gratë jo.

Qeveria e Berlinit konfirmoi masën në një deklaratë për shtyp të enjten. “Si rezultat i një ankese për diskriminim, institucionet e notit në Berlin në të ardhmen do të zbatojnë rregulloret e tyre në mënyrë të barabartë gjinore”, thuhet në deklaratë./Opinion.al

Berlin: Ndihmë për të përballuar vapën ekstreme, projekti i ri për të pastrehët

2000-6500 vetë rezultojnë si të pastrehë në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin. Duke mos pasur një çati mbi kokë, ata janë kategoria më vulnerabël gjatë këtyre ditëve me temperatura ekstreme.

Gjatë së mërkurës (20.07), temperatura në Berlin arriti rekordin prej 39 gradë Celsius. Teksa shumë berlinezë ndezën ventilatorët dhe qëndruan në hije, ata pa një strehë mbi kokë patën shumë pak mundësi për gjetjen e ambienteve të freskëta, me qëllim shmangien e rreziqeve shëndetësore që vijnë nga vapa ekstreme. Për shembull, Liljana dhe miku i saj, Elias.   “Dukem si turiste” – thotë Liljana, teksa rregullon kapelen e saj prej kashte. 

“Dukem si turiste” – thotë Liljana, teksa rregullon kapelen e saj prej kashte. 

Dy miqtë, me origjinë bullgare, ishin ulur nën një hije, duke pritur të shkonte ora 10 e paradites, aty ku ka marrë formë një projekt i ri, në zonën Schöneberg të Berlinit. Qendra “Hitzehilfe” (Ndihma për të përballuar të nxehtit ekstrem) është e hapur deri në orën 8 të mbrëmjes dhe u ofron njerëzve që janë në kërkim të një vendi të freskët, mundësinë e një dushi dhe një “sy gjumë”, në një nga 30 shtretërit e vënë në dispozicion. 

Për Liljanën, një dush i ftohtë është shërbimi më i mirë që ofron kjo strehëz ditore. “Kur jeton rrugëve, mund të sajohesh disi me ushqim dhe pije. Por pa një dush dhe vend për të fjetur, jeta duket shumë e vështirë për t’u përballuar” – thotë ajo. 

Gjatë pandemisë, 31-vjeçarja humbi punën dhe apartamentin. “Jam e pastrehë prej më shumë se një viti” – shpjegon Liljana. “Fillimisht punoja në rrugë, si prostitutë, por më pas hoqa dorë”. 

Elias thotë se s’mund të punojë, për shkak se ka humbur të gjithë dokumentet identifikuese. “Gjithsesi kam bërë ca hapa para me dokumentacionin që më duhet” – shpjegon ai, para se të drejtohet nga dhoma ku mund të flejë për ca kohë. 

Deutschland Hitzehilfe für Obdachlose

Në strehëzën “Hitzehilfe”, pjata me shalqi të sapoprerë janë gati për t’u konsumuar ndërsa në një qoshe muri gjen arka të tëra me shishe uji. Në anën tjetër të dhomës, në një tavolinë të gjatë, janë reshtuar shishe që mund të rimbushen gjatë ditës, krem mbrojtës kundra diellit, kapele, shtroje gjumi në formë çante, produkte higjienike, maska për t’u mbrojtur nga Covid-19 dhe rroba të lara. Aty nuk mungojnë as detergjentë lavanderie. 

Senati i Berlinit është financuesi i këtij projekti-pilot, që kap vlerën e 106 mijë Eurove. Nisma e shoqatës “IB Berlin Brandenburg”, ka si qëllim të mbajë larg vapës ekstreme të pastrehët, të paktën për disa orë gjatë ditës. 

E njëjta godinë, e vënë në dispozicion nga zona e Schöneberg, zakonisht përdoret gjatë muajve të dimrit për t’u ardhur në ndihmë të pastrehëve nga i ftohti ekstrem. Nisma “Kältehilfe” (Ndihmë për të përballuar të ftohtin ekstrem), ofron një strehë të ngrohtë, veçanërisht gjatë natës. Por në vapën ekstreme, orët e ditës janë më të nevojshme. 

Katja Kipping, politikane e së Majtës dhe senatore për Integrimin, Punën dhe Çështjet Sociale, tha të mërkurën (20.07) se e gjithë shoqëria duhet të ndërgjegjësohet për rreziqet që vijnë nga temperaturat ekstreme. 

Deutschland Obdachlose in Sommer in Berlin

“Shumë banorë të Berlinit kanë në telefonat e tyre kontaktin e ‘Kältehilfe’, në rastin se gjatë dimrit shohin njerëz në nevojë. Por ata nuk janë të vetëdijshëm për seriozitetin e ekstremit tjetër të motit” – theksoi ajo. 

“Deri tani, projekti është pritur shumë mirë” – i tha DW-së punonjësi social, Artur Keil. Sipas tij, shumica e njerëzve që kanë ardhur në qendër janë po ata që kanë nevojë për të edhe gjatë dimrit. 

Sfida e temperaturave ekstreme 

“Ajo çka kemi mundur të vërejmë në ditët e para është se shumica kërkojnë thjesht një vend për të fjetur rehat, gjë që është thuajse e pamundur jashtë, në ato temperatura” – thotë Janette Werner, drejtuese rajonale e shoqatës “IB”.  

Në bisedë me DW, ajo thekson se përdorimi i tepruar i alkoolit dhe drogërave nga këta njerëz, e shton rrezikun e vapës. “Pasi dehen ose drogohen, për shembull, njerëzit nuk janë në gjendje të kuptojnë sa vapë bën jashtë. Ata digjen nga dielli, dehidratohen dhe në rastin më të keq, humbin jetën”. 

Përveç ndihmave të nevojshme, punonjësit socialë ofrojnë edhe këshillim dhe mbështetje. “Kur këta njerëz vijnë këtu rregullisht, ata nisin të kenë besim dhe fillojnë e rrëfehen” – thotë Werner.  

Diku tjetër në Berlin, 23 punonjës të nismës “Karuna”, janë në terren duke shpërndarë ujë, krem mbrojtës, syze dielli dhe produkte higjienike për të pastrehët. Ekipi ndihmon që nga viti 2020 dhe ofron për këtë kategori edhe “autobusë freskues”, ku njerëzit mund të qëndrojnë përkohësisht e të marrin veten nga vapa e tepërt. 

“Nëse sheh një të pastrehë, sidomos gjatë këtyre ditëve të nxehta, gjëja më e mirë që mund të bëhet është ta pyesësh nëse ndihet mirë” – sqaron Werner. “Nëse nuk ndihet mirë, telefono shërbimet e urgjencës. Dhe mbani parasysh se kushdo do të ishte i lumtur t’i ofrohej një shishe me ujë në këto kohë”.  

Projekti pilot veror “Hitzehilfe” do të vijojë deri në fund të muajit shtator, kur shoqata do të vlerësojë se çfarë shërbimesh nevojiten më së shumti. /DW / KultPlus.com

Kori Siparantum pjesëmarrës në festivalin ‘ChoralSpace’ në Berlin

Pas suksesit madhështor të Korit në ‘World Choir Games’ me pjesëmarrjen në Olimpiadën më të madhe të muzikës korale, ku edhe Kosova u përfaqësua për herë të parë në garën – Olimpiadën më të madhe të muzikës korale në botë, tani Kori Siparantum do të udhëtojë për në Berlin, për të shënuar suksese të tjera të radhës, përcjell KultPlus.

Nga data 17 deri më 20 dhjetor, Kori Siparantum do të jetë pjesë e festivalit dimëror ‘CHORALSPACE’ 2021 në Berlin.

Ndërkaq, lajmi u bë i ditur nga vetë dirigjenti Memli Kelmendi, i cili edhe ka shpërndarë datat e koncerteve që do të mbahen atje e po ashtu edhe biletat për të qenë pjesë e atyre koncerteve.

Kori Siparantum Choir në BERLIN
Pas suksesit në World Choir Games, kori Siparantum nga data 17-20 Dhjetor do të jetë pjesë e #CHORALSPACE Winter Festival – #Berlin 2021.
The Choral Cluster:

Siparantum Choir (XK) directed by: Memli Kelmedi;
Wilmersdorfer Kamerchor (DE) directed by: Christian Bährens
👉December 18, 2021, 18:30 St. Matthäus-Kirche, Berlin Mitte
👉December 19, 2021 11:00 Heilig Kreuz Kirche, Berlin Kreuzberg
Albanische Winterklänge
👉December 19, 2021, 19:30 Paul-Gerhardt Kirche, Berlin Schöneberg
Gjithë të interesuarit që duan të jenë pjesë e këtyre koncerteve, biletat mund t’i blejnë në linkun e mëposhtëm:
https://shop.reservix.de/?id=ead47f8b5b097794d9ca891114a3ae1b40d487470b312d83a65b5f56d6dadcf7b628d1c433d3343addab8303d585fc48&vID=24336&eventGrpID=374740&fbclid=IwAR3nfvALBAg-YyZDHbGWXyfFK570-T_coaENUOv9jn1hQotdbhTyVDq1jfs “, ka shkruar Kelmendi. / KultPlus.com

Netflix ka një lajm të mirë për adhuruesit e ‘Berlinit’

Kompania e filmave “Netlflix” ka bërë të ditur së fundmi se gjatë vitit 2023 do të realizohet një serial për njërin ndër aktorët më favorit të serialit “La Casa de Papel”, pra, pikërisht për Berlinin, shkruan KultPlus.

Drama e re, e quajtur Berlin: A New Series do të fokusohet në personazhin e Berlinit, të luajtur nga Pedro Alonso. Personazhi u vra në sezonin e dytë, por u kthye me rikthim në episodet pasuese me kujtime të ndryshme.

Në një intervistë për NME, Alonso u shpreh shumë i lumtur mbi faktin se ka shumë njerëz nëpër botë që e konsiderojnë atë favorit të këtij seriali.

“Është vërtet e mahnitshme kjo ndjenjë të dish që njerëzit në mbarë botën kanë personazhe të preferuar dhe citate të preferuara. Kjo është punë kërkuese, por ia vlen për shkak të fansave”, tha ai.

Seriali La Casaa de Papel do të përfundojë më 3 dhjetor, atëherë kur edhe do të publikohen pesë episoda të reja në Netflix.

La Casa de Papel': Netflix confirmed that Berlin, the character played by  Pedro Alonso, will have its own spin-off series - American Post

Rikthehet festivali i muraleve në Berlin, rrugët marrin pamje tjetër nga punimet e artistëve

Festivali i muraleve në Berlin rifillon pas edicionit të vitit 2020, që u anulua për shkak të Covid-19.

Artistët pikturuan vepra arti gjigante në ndërtesa, ndërsa të tjerët mund të shëtisin në qytet duke vështruar pamjen e re artistike.

Fasadat e ndërtesave në Berlin janë pikturuar nga artistë si pjesë e festivalit të përvitshëm  mural në kryeqytetin gjerman.

Artistja Anne Bengard, e cila merr pjesë në festival, ka pikturuar së bashku me kolegun e saj Kkade në muret e një ndërtese rrethin Neukölln.

Piktura murale përshkruan balerinën gjermane Anita Berber nga vitet 1920.

Festivali është pjesërisht i diskutueshëm në skenën e artit në Berlin sepse mbështetet nga grupi i madh i pronave “Deutsche Wohnen”, i cili luan një rol lider në tregun gjerman.

Por, në Berlin kompania vuan nga një imazh i pakëndshëm si një spekulator që nxit rritjen e çmimeve.

E vlerësuar në më shumë se 19 miliardë euro, kompania siguron fasadat e ndërtesave dhe mbështet financiarisht festivalin.

Më 26 shtator, në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare, në Berlin qytetarët do të votojnë për një referendum që detyron kompanitë e mëdha të pronës të shesin mijëra banesa në qytet./OraNews.tv/ KultPlus.com

Muri i Berlinit: 10 gjëra që mund të mos i dinit

Rënia e Murit të Berlinit ndodhi prej një gabimi

Në një konferencë shtypi mbrëmjen e 9 nëntorit 1989, anëtari i byrosë politike të Gjermanisë Lindore, Gynter Shabovski shpalli në mënyrë të parakohshme se do të hiqeshin kufizimet e vizave të udhëtimit. Kur u pyet se kur do të vihej në zbatim politika e re, ai tha: “Menjëherë, pa vonesë”. Në fakt, kjo politikë do të shpallej një ditë më vonë dhe do të kërkonte gjithësesi një procesë të gjatë aplikimi për gjermano-lindorët. Përgjigjet konfuze të Shabovskit dhe raportimi i gabuar në media se pikat kufitare ishin hapur, shtyu mijëra gjermanë të Berlinit lindor që të shkonin drejt Murit të Berlinit. Në postbllokun e Rrugës Bornholmer, Harald Jager, oficeri në detyrë, u përball me një turmë që sa vinte e rritej në numër. Edhe irritimi sa vinte e shtohej. Duke marrë fyerje, në vend të udhëzimeve, prej eprorëve të tij, si dhe tejet nervoz për shkak se priste të merrte të nesërmen rezultatet e analizave të diagnostikimit për kancer, Jager e hapi pikën kufitare me mendjen e. tij, dhe pikat e tjera ndoqën shumë shpejt shembullin e tij.

Muri i Berlinit ishte ngritur më shumë se 15 vjet pas nisjes së Luftës së Ftohtë

Më shumë se 2 milion gjermano lindorë, shumica punëtorë dhe profesionistë të aftë, u larguan për në Perëndim mes viteve 1949 dhe 1961. Bashkimi Sovjetik kishte refuzuar kërkesën fillestare të Gjermanisë Lindore për të ndërtuar Murin në vitin 1953, por me dezertimet drejt Berlinit Perëndimor që po arrinin numrin 1000 njerë në ditë, në verën e 1961, udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushovi më në fund pranoi. Banorët e Berlinit u gdhinë mëngjesin e 13 gushtit 1961, përballë telave me gjemba që ishin vendosur në vijën ndarëse mes zonës perëndimore dhe lindore të qytetit. Disa ditë më vonë, Gjermania Lindore nisi fortifikimin me beton të kësaj barriere.

Muri i Berlinit ishin në fakt dy mure

Në fakt Muri i Berlinit përbëhej nga dy mure mes të cilëve ndodhej “rripi i vdekjes”, ku ndodheshin me qindra kulla roje, disa kilometra hendeqe kundër kalimit të mjeteve, qen roje, prozhektorë dhe mitralozë.

Më shumë se 100 njerëz gjetën vdekjen në përpjekje për të kaluar Murin

Qendra e Kërkimeve mbi Historinë Bashkëkohore Potsdam dhe Qendra e Memorialit të Murit të Berlinit dhe Dokumentimit raportojnë se të paktën 138 njerëz u qëlluan për vdekje, pësuan aksidente fatale ose kryen vetëvrasje pas përpjekjeve të dështuara për t’u arratisur përmes Murit të Berlinit. Të tjerë studime thonë se numri i viktimave është edhe më i lartë. Viktima e parë ishte Ida Siekman, që vdiq në 22 gusht 1961, pasi u përpoq të hidhej në një rrugë në Berlinin Perëndimor, e cila ndodhej nën dritaren e apartamentit të saj në katin e katërt, në Berlinin Lindor. Tragjedia e fundit ndodhi në mars 1989, kur një i ri gjermano-lindor që përpiqej të fluturonte mbi mur me balonë, ndeshi në kabllot e tensionit të lartë.

Më shumë se 5000 persona u arratisën, duke kaluar mbi dhe nën Murin e Berlinit

I pari dezertor që u arratis përmes Murit ishte roja kufitare 19 vjeçar, Konrad Shuman, i cili është përjetësuar në film teksa kërcente mbi telat me gjemba, vetëm dy ditë pasi kufiri ishte mbyllur. Ndërkohë që Muri u fortifikua gjithnjë e më shumë, edhe planet e arratisjes u bënë më të sofistikuar. Të arratisurit fshiheshin në pjesë të fshehta të makinave të berlinezo perëndimorëve që vinin për vizita, gërmonin tunele të fshehta dhe zvarriteshin nëpër tubacione. Tre vëllezërit Bethke realizuan arratinë më spektakolare. Vëllai më i madh Ingo u arratis me një dyshek me ajër, duke lundruar nëpër lumin Elbë në vitin 1975, dhe tetë vjet më vonë vëllai më i vogël kaloi mbi mur përmes një kablli çeliku që e lëshoi me hark dhe shigjetë, duke përfunduar në një çati shtëpie në Berlinin perëndimor. Në vitin 1989, dy vëllezërit fluturuan me një avion super të lehtë mbi mur, duke marrë edhe vëllanë e tretë, Egbert.

John F. Kennedy u shpreh i çliruar kur u ngrit Muri

Në qershor të vitit 1961, Hrushovi paralajmëroi presidentin amerikan, Kennedy, se do të bënte bllokadë Berlinit Perëndimor nëse nuk largoheshin forcat perëndimore, një akt luftënxitës që do të shpinte në luftë. Kur Kennedy dëgjoi lajmin se komunistët kishin ngritur mur përreth Berlinit Lindor, në vend që të shkëpusnin Berlinin Perëndimor nga pjesa tjetër, ai i tha një ndihmësi: “Nuk është zgjidhje shumë e mirë, por një mur është shumë më mirë se sa një luftë. Ky është fundi i krizës së Berlinit. Pala tjetër u kap prej panikut – jo ne. Tani nuk do të bëjmë asgjë, sepse nuk ka alternativë tjetër veç luftës”.

Kennedy nuk u tha berlinezëve se është një “kulaç me karamele”

Në 26 qershor 1963, Kennedy iu drejtua një turme para Murit të Berlinit: “Ich bin ein Berliner”. Presidenti kish për qëllim të shprehte solidaritetin me qytetarët e Berlinit, duke thënë se ishte njëri prej tyre, por disa kritikë thanë se duke shtuar nyjen “ein”, ai në fakt e quajti veten kulaç me karamele, që në pjesën më të madhe të Gjermanisë njihet si “Berliner”. Megjithatë, gjuhëtarët thonë se presidenti nuk bëri një gabim gramatikor, sepse “ein” është e nevojshme kur folësi është duke folur në mënyrë figurative, se i përket një kombësie të caktuar, siç edhe po ndodhte me Kennedyn. Veç kësaj, kulaçi që në gjithë Gjermaninë njihet si “Berliner”, në vetë Berlinin njihet si “pfannkuchen”, kështu që ata që e dëgjonin me siguri nuk janë ngatërruar.

Gjermania Lindore e quajti Murin “Mburoja Antifashiste”

Qeveria e Gjermanisë Lindore pretendoi se e ngriti Murin e Berlinit për të mbajtur jashtë fashistët, spiunët dhe idetë perëndimore. Dy javë pasi urdhëroi ngritjen e “Mburojës Antifashiste”, udhëheqësi Gjermano lindor Valter Ulbriht deklaroi: “Ne kemi mbyllur të çarat në shtëpinë tonë, si dhe vrimat përmes të cilave do të zvarriteshin armiqtë e popullit gjerman”.

Porta e Brandenburgut ka qenë dikur pjesë e një muri të shekullit 18

Mbreti i Prusisë, Frederik Uilliam II porositi ngritjen e harkut të famshëm që bashkon Berlinin lindor dhe perëndimor dhe që ka shërbyer si sfond i fjalimeve të famshme presidenciale të Kennedyt dhe Reaganit. Kur u përfundua në vitin 1791, Porta e Brandenburgut ishte pjesë e murit origjinal doganor të qytetit.

Një copë e Murit ndodhet në banjën e një kazinoje në Las Vegas

Shkatërrimi zyrtar i Murit të Berlinit nisi në verën e vitit 1990. Më shumë se 40 mijë copa të Murit u ricikluan si materiale ndërtimi të përdorur në projekte rindërtimi në Gjermani, por disa qindra prej tyre u shitën dhe tani janë të shpërndara në të gjithë globin, nga kopshtet e Vatikanit deri në një banjë në Main Street Station Casino, në Las Vegas, ku vendurinimet janë kapur pas një Muri të mbuluar me grafit që është i mbrojtur pas një xhami. / KultPlus.com

60 vjet nga ndërtimi i Murit të Berlinit, Ambasada e SHBA-së në Tiranë publikon fotografi

Ambasada e SHBA-së në Tiranë kujton 13 gushtin 1961 të vendosjes së murit të Berlinit.

“Gjashtëdhjetë vjet më parë si sot (më 13 gusht 1961), Berlini u zgjua i shokuar: Ushtria e Gjermanisë Lindore kishte nisur ndërtimin e murit famëkeq të Berlinit. Simbol i një qyteti të ndarë brenda një vendi të ndarë brenda një kontinenti në ndarë, Muri i Berlinit u ngrit mbi ndasi historike disa dekada të vjetra. Një barrierë telash me gjemba e cila u kthye në blloqe muresh betoni 155 kilometra, Muri i Berlinit ndau Berlinin Perëndimor demokratik nga Berlini Lindor i kontrolluar nga Sovietikët prej vitit 1961 deri në 1989”, shprehet Ambasada e SHBA-së.

Muri i Berlinit mbush sot 60 vite nga dita e ndërtimit të tij duke i vënë një barriere të ngurtë që do ndante jo vetëm Gjermanin, por do mbante gjysmën e Europës në errësirën e regjimit komunist.

Muri filloi të ndërtohej në 13 Gusht 1961 dhe mbaroi në datën 24 Gusht 1962. Muri u ndërtua nga Gjermania Lindore, dhe ndau Berlinin në dy pjesë. / KultPlus.com

Ambasada gjermane në Tiranë kujton 60 vjetorin e nisjes së ndërtimit të Murit të Berlinit

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë kujtoi sot 60-vjetorin e nisjes së ndërtimit të Murit të Berlinit.

“Natën e 13 gushtit 1961, u dha urdhri për ndërtimin e Murit të Berlinit. Muri qëndroi për 28 vjet dhe u kthye në simbolin e Luftës së Ftohtë, e konfrontimit midis Lindjes dhe Perëndimit. Ai ndau Berlinin Lindor me atë Perëndimor, Republikën Federale me RDGJ-në, por edhe familjet dhe miqtë.

Mijëra personave ju refuzua largimi nga vendi. 140 persona humën jetën në përpjekje për të kapërcyer murin për tu larguar nga RDGJ – deri në vitin 1989 kur një Revolucion Paqësor i hapi rrugën ribashkimit të gjithë Gjermanisë. Për fat të mirë, sot muri është histori!

Në simbol zie për këtë ngjarje që ndau Gjermaninë kaq gjatë, Ambasada në Tiranë, si dhe të gjitha Misionet Diplomatike gjermane në të gjithë botën kanë ulur flamujt në gjysmë shtizë”, thuhet në përkujtimin e ambasadës gjermane. / KultPlus.com

60 vjet më parë nisi ndërtimi i Murit të Berlinit

60 vjet më parë, më 13 gusht 1961, RDGJ filloi ndërtimin e murit duke bërë kështu që të ndahet Berlini. 45 mijë blloqe të betonit me një lartësi prej më shumë se 3 metra e rrethuan Berlinin Perëndimor me gjithsej 155 km mur të betonit, përcjellë KultPlus.

Fortifikimet vdekjeprurëse kufitare ndanë jo vetëm familjet dhe miqtë, por u bënë gjithashtu një kurth vdekjeprurës për qindra njerëz, të cilët në përpjekje për të kaluar kufirin më të sigurt në Evropë, përfunduan me fatalitet. Ushtarët kishin qenë të urdhëruar që t’i vënë zjarr të gjithë atyre që përpiqeshin të kalonin murin.

Qëndroi 28 vjet dhe ishte një nga ndërtimet më famëkeqe në botë: Muri ndau Berlinin Lindor dhe Perëndimor.

Shkatërrimi zyrtar i Murit të Berlinit nisi në verën e vitit 1990. Më shumë se 40 mijë copa të Murit u ricikluan si materiale ndërtimi të përdorur në projekte rindërtimi në Gjermani, por disa qindra prej tyre u shitën dhe tani janë të shpërndara në të gjithë globin, nga kopshtet e Vatikanit deri në një banjë në Main Street Station Casino, në Las Vegas.

Edhe në Tiranë gjendet një segment i murit në memorialin “Post-Bllok” si një simbol i lirisë që kujton Revolucionin Paqësor në Gjermani, i cili rrëzoi murin në vitin 1989. / KultPlus.com

Muze për një pjesë të ndjeshme të historisë kur gjermanët ishin refugjatë

Shumë kohë më parë, fati i miliona gjermanëve të dëbuar nga Europa Qendrore dhe Lindore në fund të Luftës së Dytë Botërore ka ngjallur polemika.

Një muze do të hapet në Berlin për të treguar historinë e tyre dhe për të qartësuar kujtimet.

“Si përfaqësohen migracionet e detyruara të përjetuara nga gjermanët, pa lënë asnjë dyshim për fajësimin tonë në gjenocidin e hebrenjve?, thekson Gundula Bavendamm, drejtoreshë e institucionit të ri, për të përshkruar sfidën e zbuluar nga ekipi ynë.

“Fondacioni për Mërgim, Dëbim dhe Pajtim” trajton një kapitull delikat në historinë gjermane, dëbimet e pakicave me origjinë gjermane që jetojnë në territoret e kthyera në Poloni, Çekosllovaki, Hungari, Bish-Bashkim Sovjetik, ose Rumani, pas disfatës së Rajhut Nazist në 1945

Historia dhe vuajtjet e këtyre popullatave fillimisht u errësuan nga tmerret e kryera nga nazistët, të cilat ndalonin konsiderimin e gjermanëve si viktima.

“Ndonjëherë duhen disa breza dhe konstelacionet e duhura politike për të parë të kaluarën”, thekson Bavendamm përpara hapjes së planifikuar të muzeut për publikun të mërkurën.

Në kërkimin e saj për një rrëfim të ekuilibruar, ekspozita i vendos këto dëbime në kontekstin e logjikës ekspansioniste të Rajhut të Tretë të Adolf Hitlerit dhe i konsideron ato në një kontekst global.

Fondacioni, në pjesën qendrore të Berlinit, ndodhet midis muzeut të ish-selisë së Gestapos dhe rrënojave të stacionit Anhalter, nga ku hebrenjtë u dërguan në kampin e përqendrimit të Theresienstadt, në Republikën Çeke.

Hyrja në hapësirën në katin e dytë, kushtuar eksodit të gjermanëve, mund të bëhet vetëm përmes një dhome të errët kushtuar Holokaustit.

Pastaj vijnë dëshmitë intime: vizitori zbulon karrocën e përdorur nga familja Ferger për t’u arratisur nga territori i Serbisë së sotme, një qëndisje të papërfunduar apo edhe një batanije, kaq shumë sende të braktisura gjatë këtyre nisjeve të nxituara.

Në çantën prej lëkure të një vajze të re ndodhet adresa e saj në qytetin Fraustadt, sot Wschowa në Poloni: Adolf Hitler Strasse 36.

“Ne nuk donim të bënim një inventar por të dinim historinë e secilit objekt, fatin e secilës familje”, shpjegon Gundula Bavendamm.

“Dëshmitë audio të familjeve të dëbuara ose pasardhësve të tyre shoqërojnë pothuajse secilën pjesë të paraqitur”, shton ajo.

Numri i këtyre personave të zhvendosur vlerësohet midis 12 dhe 14 milionë. Shumë i përkisnin komuniteteve gjermanofolëse të vendosura në Europën Lindore, midis Danubit dhe Volgas, që nga shekulli i XIII.

Disa anëtarë të këtyre pakicave mbështetën forcat pushtuese naziste, duke nxitur armiqësinë e popullatave të tjera, të përdorura për të justifikuar dëbimet e pasluftës./atsh/ KultPlus.com

‘Ombrella’ nga Ben Apolloni shfaqet në Festivalin e Filmit në Berlin

Filmi i metrazhit të shkurtë ”Ombrella” me regji të Ben Apollonit, do të shfaqet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër mbi Shëndetin Mendor që mbahet në Berlin, përcjell KultPlus.

Lajmi u bë i ditur në faqen zyrtare të festivalit në rrjetin social Instagram.

”Po ju paraqesim një film të shkurtër nga Kosova, nën regjinë e Ben Apollonit. ”Ombrella” paraqet historinë e një gruaje e cila së bashku me vajzën pret burrin e saj të kthehet nga lufta”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Tepia e kuqe e Berlinales do të ‘shtrohet’ virtualisht në mars

Festivali prestigjioz i filmit, i cili mbahet në Berlin këtë vit nuk do të mund të organizohet në muajin e zakonshëm, në shkurt, shkruan KultPlus.

Berlinalja është shtyer për në mars për shkak të pandemisë Covid-19 si dhe do të realizohet virtualisht.

 “Edicioni i 71-të i Berlinales do të zhvillohet në “dy kohë” me një garë në internet dhe dhënien e çmimeve në mars, si dhe projeksione të hapura për publikun në muajin qershor”, theksuan dy drejtuesit e festivalit në një komunikatë.

Festivali i Filmit në Berlin tërheq 480 000 kinaestë, yje filmash dhe adhurues në kinematë e kryeqytetit gjerman.

Statuja “Ariu i Artë” është edhe çmimi simbol i këtij i festivalit, i cili njëherit është edhe ndër çmimet më prestigjioze në Europë, së bashku me festivalin e Kanës në Palme d’Or të Francës dhe çmimin Lion i Artë i Festivalit të Filmit në Venecia. / KultPlus.com

Vjedhje miliardëshe në muzeun e Dresdenit, tre të arrestuar

Tre gjermanë janë arrestuar në Berlin lidhur me vjedhjen e stolive në vlerë prej një miliard eurosh në muzeun e qytetit të Dresdenit.

Policia ka bërë të ditur se ka kryer bastisje në Berlin mëngjesin e së martës dhe ka arrestuar tre të dyshuar për vjedhjen në njërin prej muzeve më të pasura të thesareve në Evropë.

Hajnat ia kishin dalë vjet të futeshin në muzeun e njohur si Grunes Gewolbe, duke vjedhur tri komplete të shekullit tetëmbëdhjetë, përfshirë diamante dhe rubinë.

Policia ka bastisur 18 banesa, garuzhda dhe makina në kërkim të thesarit dhe dëshmive tjera, përfshirë të dhëna digjitale, veshje dhe vegla në jug të qytetit.

Sipas zëdhënësit të policisë, do të ishte fatbardhësi nëse gjatë aksionit do të kthehen perlat e vjedhura./ KultPlus.com

Akademitë evropiane luftojnë për lirinë në art

Një grup prej 60 akademish evropiane kanë bashkuar forcat në luftë për lirinë në art, sipas një manifesti të botuar sot në Berlin.

“Në disa vende europiane, aktualisht, po përjetojmë politika kulturore që kufizojnë artet dhe kulturën vetëm sipas një kuptimi kombëtar, duke i rregulluar ato gjithnjë e më shumë”, shkruhet në manifestin e përbashkët.

“Autonomia e shumë akademive, muzeve dhe institucioneve kulturore është në rrezik. Artet dhe kultura janë thelbësore për një demokraci funksionuese dhe kohezion shoqëror”, deklaruan akademitë, transmeton KultPlus.

Aleanca e akademive theksoi se ata donin t’i diskutonin zhvillimet kulturore dhe politike së bashku me artistë dhe institucione të tjera, për të ruajtur hapësirat për shprehjen artistike dhe lirinë e fjalës.

Njoftimi pason një takim të përfaqësuesve të akademive europiane, i thirrur të enjten nga Akademia Gjermane e Arteve në Berlin. / KultPlus.com

Çifti nga Berlini, gjyshërit më në modë në botë

Britt Kanja mund të konsiderohet si një nga gratë më me stil në Berlin. Me profesion si kërcimtare, ajo ka shëtitur në të gjithë botën. Në mesin e viteve ’80, themeloi në Berlin 90°Club, i njohur për festat e çmendura.

Britt thotë se frymëzohet nga Audrey Hepburn dhe i dizenjon vetë veshjet. Merr pjesë nëpër evente mode dhe në ditë të zakonshme, e sheh të lëvizë me skuter ose patina nëpër rrugët e Berlinit.

Günther Krabbenhöft ka tërhequr vëmendjen e mediave për shkak të selfie-ve të tij, që prej shkurtit të 2015. Sipas faqes në Ëikipedia, ai u përmend në një artikull të revistës Frankfurter Allgemeine Zeitung në 2015-n. Cosmopolitan e cilësoi si “gjyshi trendi”, ndërsa Huffington Post si “gjyshi më në modë në botë”. Krabbenhöft punon si model në agjenci reklamash në Berlin.

Britt dhe Günther shihen kudo bashkë. Është e paqartë kur nisi historia e tyre e dashurisë, megjithatë janë padyshim një nga çiftet më IN të rrugëve të Berlinit./ KultPlus.com

Mjeku kosovar në Berlin i kërkon IKSHPK-së heqjen e një fjalie nga raporti i rasteve me COVID

Kardiologu dhe mjeku internist në Berlin, Fahri Beqa, ka reaguar ndaj mënyrës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës në informimin e numrit të të vdekurve nga COVID-19.

Beqa, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se një fjali në raportin e IKSHPK-së, të cilën e lexon çdo herë në njoftim, nuk duhet të futet në tekst.

“IKSHP definitivisht duhet t’a largojë nga lajmërimi i përditshëm i rasteve të reja pozitive me Sars-Cov2 dhe të vdekurve nga COVID-19 pjesën e fjalisë ku thuhet “të vdekurit kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese”, shkruan Beqa në “Facebook”.

Ai theksoi se personalisht ka njohur 3 persona që kanë vdekur nga COVID-19 dhe nuk e kanë pasur sëmundje shoqëruese.

Sipas tij, kjo edhe tingëllon si një arsyetim i numrit të madh të vdekjeve.

Përveç tjerash kjo tingëllon edhe si relativizim apo arsyetim i vdekjeve. Nga COVID-19 mund të preken dhe mund të vdesin të gjitha moshat dhe të gjithë pacientët me apo sëmundje shoqëruese. Poashtu edhe mund të shërohen të gjitha moshat dhe pacientët, me apo pa sëmundje shoqëruese. Prandaj nuk është etike e as humane që pacientët me sëmundje shoqëruese të futen automatikisht në kategorinë që ata janë të vetmit që po vdesin nga COVID-19”, deklaroi Beqa.

Këtë qëndrim, ai arsyeton edhe bazuar në statistikat dhe analizat e databazës së të vdekurve në Itali, ku 28,2% e të vdekurve nuk kanë pasur asnjë sëmundje shoqëruese para pandemisë.

“Prandaj kjo pjesë e fjalisë duhet të hiqet, përndryshe shpërndarja e pasaktë e informacioneve për të vdekurit nga një institucion shëndetësor është ofendim i rëndë dhe mund të ketë edhe konsekuenca juridike që mund të inicohen nga familjarët e të vdekurve”, theksoi ai.

Beqa, që nga shfaqja e rastit të parë me COVID-19 në Kosovë, ka qenë aktiv dhe kritik në rrjete sociale për menaxhimin e situatës me pandemi. / KultPlus.com

Klubet e natës në Berlin po kthehen në strehë për njerëzit e pastrehë

Dimri veçse ka arritur dhe Berlini sikurse shumë vende të tjera pritet të jetë i ftohtë, duke u bërë shpejt një vend tek i cili zakonisht nuk do të donit të qëndronit jashtë, sidomos natën.

Por ky shqetësim, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, është më i madh, sidomos për të pastrehët e qytetit.

Megjithatë, duke falënderuar një iniciativë, ky shqetësim i tyre, nëse jo në tërësi, do të jetë më i vogël. Kjo pasi që, siç bëhet e ditur, kjo mund të ndryshojë – falë disa klubeve në zonën Kreuzberg-Friedrichshain.

Një natë çdo javë në janar dhe shkurt, Astra Kulturhaus dhe Bi Nuuwill hapin dyert e tyre për të pastrehët, duke shkurtuar oraret e tyre të koncerteve për të siguruar vende të ngrohta për të fjetur gjatë muajve më të ftohtë të vitit.

Është një lëvizje e përgjegjshme dhe bamirësie, dhe shpresohet që gjëra të tilla të ndodhin edhe në vende të tjera, në të ardhmen.

Lexim letrar dhe ekspozitë në Ambasadën e Kosovës në Berlin

Me rastin e 10 vjetorit të Marrëdhënieve Diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë në hapësirat e Ambasadës së Kosovës në Berlin është organizuar ngjarja kulturore e radhës organizuar nga përfaqësia e shtetit të Kosovës në kryeqytetin gjerman.

Mysafirët e pranishëm me një fjalë të shkurtër u dëshiroi mirëseardhje Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj.

Së pari u organizua leximi nga romani i saj i parë i shkruar në dhe botuar në gjuhën gjermane nga Arta Ramadani „Die Reise zum ersten Kuss. Eine Kosovarin in Kreuzberg“ (Shqip: „Udhëtimi deri tek puthja e parë. Një Kosovare në Kreuzberg“). Arta Ramadani e cila punon si gazetare në televizionin gjerman „ZDF“ për herë të parë lexoi nga libri i saj në hapësirat e Ambasadës së Kosovës por edhe para publikut shqiptar. Ramadani deklaroi me këtë rast që ndjehet e nderuar sidomos për faktin që pas një serie leximesh nëpër Gjermani këtë mbrëmje paraqitet para publikut dhe prindërve të saj shqiptarë.

Të njejtën mbrëmje rreth mysafirët e shumet te pranishëm në hapësirat e Ambasadës së Kosovës patën rastin të shohin fotografitë e Autores zvicerane Corinne Holthuizen dhe Axel von Hoerschelmann të cilat ishin bërë gjatë Festivalit të Filmit në Prizren „Dokufest“ dhe të cilat në një formë autentike nga jashtë, jepnin atmosferën e festës së filmit në kryeqendrën ballkanike të filmit dokumentar.

Aktivitetet e Ambasadës së Republikës së Kosovës për shënimin e Marrëdhënieve Diplomatike mes dy vendeve do të vazhdojnë edhe në muajt nëntor dhe dhjetor./ KultPlus.com

Trupa e Baletit të Kosovës mahnitë publikun gjerman, përfaqësuesit e Kosovës në Berlin nuk ishin prezent (VIDEO)

Mbrëmë në Berlin u dha shfaqja e fundit nga Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo trupë, është duke qëndruar për disa ditë në Berlin atje ku dhanë gjithsej katër shfaqje, ndërsa sot udhëtojnë për në Hamburg ku do t’i kenë edhe tri shfaqje të tjera.

Duartrokitje të forta morën nga publiku gjerman balerinët e Kosovës. Kjo gjë tregohet edhe përmes një video të publikuar në rrjetin social Facebook, nga balerini Sinan Kajtazi, i cili poashtu ka shkruar për ndjesinë dhe ka kritikuar edhe përfaqësuesit e shtetit të Kosovës në Berlin, për mos prezencë në asnjë shfaqje të kësaj trupe e cila po mrekullon qytetarët e shteteve të ndryshme.

Po sjellim të plotë reagimin e Sinan Kajtazit të bërë mbrëmë bashkë me një video:

“Sonte në Berlin, dhamë edhe shfaqjen e fundit, ku për katër netë me radhë, publiku me duartrokitje dhe ovacione, aprovoj shfaqjet e BKK në kryeqytetin gjermanë. Sigurisht që kjo na bëri krenarë të gjithëve, dhe po aq na turpëruan përfaqësuesit e shtetit të Kosovës në Berlin, përkatësisht Ambasada e RKS, punonjësit e së cilës nuk gjetën 2 orë kohë të ishin prezent në njërën nga katër shfaqjet e BKK. Për 46 vite jetë të BKK, ky ka qenë prezantimi i parë në Gjermani, dhe neglizhenca e përfaqësuesëve të shtetit tonë në raport me prezantimin e parë të një institucioni shtetëror në vendin ku janë deleguar, është për keqardhje.
Nesër udhëtojm për Hamburg, ku do t’i kemi edhe tri shfaqje të tjera.
Thank you Berlin for your great hospitality!!!
PS- Televizoni i famshëm evropian ARTE, në fund të këtij viti, do të realizoj dokumentar rreth punës së BKK”, ka shkruar Kajtazi./ KultPlus.com