Siparantum: Jemi të lumtur që për herë të parë në histori një kor nga Kosova ngjitet në skenën më të rëndësishme të muzikës

Së fundmi Kosova ka performuar në Filarmoninë e Berlinit, gjë që është historike. Ishte Kori Siparantum ai që shënoi këtë sukses të radhës në kuadër të muzikës korale kosovare, shkruan KultPlus.

Kori Siparantum tashmë është bërë pjesë e sallës më të njohur koncertale në botë “Berlin Philharmonie”. Për këtë sukses ka reaguar edhe vetë Kori nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Jemi vërtetë të lumtur që për herë të parë në historinë e muzikës korale shqiptare, një kor nga Kosova ngjitet në skenën më të rëndësishme të muzikës, #BerlinPhilharmonie

Në këtë skenë kanë përformuar artistët më të mëdhenj të muzikës klasike në botë, që konsiderohet ëndërr e çdo artisti. Përgatitjet për këtë koncert kanë filluar tash e disa muaj falë vullnetit dhe sakrificës së koristëve për me qellim të përbashkët të promovimit të vlerave tona kulturore në skenat më të mëdha botërore.

Falenderojmë të gjithë përkrahësit tonë të cilët bënë të mundur që #SiparantumChoir të prek një ndër skenat më të mëdha të muzikës në botë siç është Berlin Philharmonie“, ka shkruar Kori.

Fotografitë: Peter Adamik / KultPlus.com