Festivali i filmit në Berlin fillon sonte me premierën botërore të një drame irlandeze me aktorin Cillian Murphy, e vendosur në një sfond të ndezur lufte në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.
“Unë mendoj se ne jemi këtu për të parë se si artistët reagojnë ndaj botës në të cilën jetojmë tani. Jam kurioz të shoh se çfarë bëjnë ata me të”, tha presidentja e jurisë së Berlinale-s, aktorja meksikano-keniane Lupita Nyong’o, gjatë një konference për shtyp në Berlin.
Lupita Nyong’o është personaliteti i parë me ngjyrë në historinë e Berlinales që kryeson jurinë, përgjegjëse për të vendosur midis 20 filmave në konkurrencë për ”Ariu i Artë”, çmimi më i lartë i festivalit.
Veprimtaria e Berlinit, e cila zhvillohet nga 15 deri më 25 shkurt, nis tre festivalet kryesore evropiane, përpara Kanës në maj dhe Venecias në shtator.
Për edicionin e tij të 74-të, ai paraqet një program eklektik me regjisorë dhe aktorë nga e gjithë bota, yje, dokumentarë politikë dhe kinema arti.
“Small things like these” (”Gjëra të vogla si këto”), me protagonist Cillian Murphy, një nga favoritët në garën për Oscar këtë vit, është vepra e parë e paraqitur mes 20 filmave në konkurrim.
Përshtatur nga bestselleri nga autorja irlandeze Claire Keegan, është frymëzuar nga fakte reale për nënat e pamartuara të shfrytëzuara nga motrat katolike.
Drejtuar nga regjisori belg Tim Mielants, Cillian Murphy luan një baba të përkushtuar që zbulon sekretin e lavanderisë ”Magdalene”, pasi midis viteve 1920 dhe 1990, në manastiret, murgeshat i mbanin gratë e reja në skllavëri pasi u dhanë për birësim foshnjat e tyre, të lindura jashtë martese.
“Ne jemi të bindur se kjo histori që ndërthur mirësinë ndaj më të brishtëve dhe dëshirën për të dalë kundër padrejtësisë do të rezonojë me të gjithë”, vlerësoi së fundmi italiani Carlo Chatrian, i cili bashkëdrejton Berlinalen për herë të fundit me holandezen Mariette Rissenbeek./KultPlus.com
Filmi me regji të Nicolas Philbert ka rrëmbyer çmimin ‘Ariu i Artë’ për filmin më të mirë në festivalin e filmit në Berlin, përcjell KultPlus.
“Ariu i Artë për filmin më të mirë shkon për “On the Adamant” (Sur l’Adamant) me regji të Nicolas Philibert dhe prodhuar nga Céline Loiseau, Gilles Sacuto, Miléna Poylo. urime!
Zbuloni të gjitha informacionet mbi fituesit, çmimet dhe juritë këtu”,thuhet në njoftimin e festivalit./KultPlus.com
Për të njëmbëdhjetin vit me radhë Qendra Kinematografike e Kosovës prezentohet në Tregun Evropian të Filmit – EFM në edicionin e 73-të të Berlinales.
Ndër të tjera, Qendra Kinematografike e Kosovës do të promovoj filmat e fundit kosovar në kategori dhe faza të ndryshme të zhvillimit, do të këtë takime dhe inicime të marrëveshjeve të ardhshme ndërshtetërore, takime me partner ndërkombëtar të kinematografisë, fonde filmi, përfaqësues të festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare, producentë e distributorë.
Shtandi i përbashkët i Kosovës dhe Shqipërisë gjendet në Marriott Hotel në adresën Inge-Beisheim-Platz 1, 10785 – Shtandi nr. 138. / KultPlus.com
Festivali i 73-të Ndërkombëtar i Filmit në Berlin fillon sonte në kryeqytetin gjerman duke u rikthyer në formatin e tij të rregullt pas dy vitesh kufizime pandemike.
Pothuajse 400 filma janë planifikuar të shfaqen nga 16-26 shkurt, me një nivel të lartë të shprehjes së mbështetjes që pritet për popullin ukrainas dhe iranian, në mes të luftës dhe trazirave të vazhdueshme atje.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të flasë në hapjen e festivalit në një transmetim të drejtpërdrejtë video sonte.
Aktorja amerikane Kristen Stewart, e famshme për “Spencer” dhe “Twilight”, kryeson jurinë ndërkombëtare të këtij viti.
Ngritja e perdes së Berlinale 2023 është komedia “She Came to Me” e regjisores Rebecca Miller, me aktorë Peter Dinklage, Marisa Tomei dhe Anne Hathaway.
Gjithsej 19 filma po konkurrojnë për çmimet e lakmuara ”Ariu i artë” dhe ”Ariu i argjendtë”.
Së bashku me Kanën dhe Venecian, Berlinale është një nga festivalet kryesore të filmit në botë./ atsh / KultPlus.com
Ministrja gjermane e Shtetit për Kulturën, Claudia Roth nënvizoi rëndësinë e kulturës për demokracinë pasi Festivali i 72-të Ndërkombëtar i Filmit në Berlin u hap me të pranishëm, për herë të parë që nga pandemia.
“Ne nuk do të lejojmë që koronavirusi të na shkatërrojë. Ne kemi nevojë për kinema. Ne kemi nevojë për filmat”, pohoi Roth mes duartrokitjeve nga publiku.
Juria, kineastët dhe aktorët ishin të gëzuar që Berlinale – festivali më i mirë i filmit në Gjermani – po zhvillohej me publikun të pranishëm.
“Ne të gjithë jemi ulur këtu sepse e duam shumë kinemanë”, tha kineastja gjermane, Anne Zohra Berrached në një konferencë për shtyp që shënonte fillimin e festivalit.
“Kinemaja për mua ka qenë gjithmonë si një fe… kisha është teatri”, tha producenti franko-tunizian Said Ben Said.
“Ne jemi kthyer në kishë, së bashku”, tha ai.
“Ka qenë gjithmonë kishë edhe për mua”, pranoi presidenti i jurisë, regjisori hollivudian M. Night Shyamalan, i cili u bë i famshëm me filmin e tij “Sixth Sense” në 1999.
Festivali mirëpriti gjithashtu infermierë dhe mjekë që ishin të ftuar specialë në kohë pandemie në natën e hapjes së tij.
Roth tha se ata ishin “përfaqësues të shumë njerëzve që kanë bërë gjithçka për të shpëtuar jetë gjatë viteve të fundit të vështira”.
Festivali u hap me premierën botërore të regjisorit francez François Ozon “Peter von Kant”.
Berlinale, e cila do të zgjasë deri më 20 shkurt, është një nga festivalet kryesore të filmit në botë krahas Kanës dhe Venecias – dhe një nga të paktët që hap dyert për publikun.
Masat e Covid-19 nënkuptojnë se do të ketë një ulje të kapacitetit të vendeve në kinematë e Berlinale në 50 për qind.
Të gjitha festat dhe pritjet janë anuluar gjithashtu.
“Po, është një festival në kushte pandemie. Me kufizime që mund të kritikohen”, tha Roth.
“Por, gjëja me të vërtetë, me të vërtetë e rëndësishme është – Berlinale, ajo po zhvillohet”, shtoi ajo.
Në filmin e hapjes, që përmban dashuri dhe xhelozi, joshje dhe humor, luajnë Denis Ménochet, Isabelle Adjani dhe Hanna Schygulla.
Filmi është një nga 18 që konkurrojnë për Ariun e Artë, çmimin më të lartë të dhënë në festival.
Ai do të jepet më 16 shkurt, edhe pse programi jokonkurrues i festivalit vazhdon deri në fundjavën e ardhshme.
Në total do të shfaqen rreth 400 filma të të gjitha zhanreve, gjatësive dhe formateve.
Vitin e kaluar, Ariu i Artë për filmin më të mirë shkoi për satirën “Bad Luck Banging or Loony Porn” nga regjisori rumun Radu Jude.
Në të, një mësuese futet në telashe për shkak të një filmi me skena seksi.
Aktorja franceze Isabelle Huppert, 68 vjeç, do të marrë Ariun e Artë të Nderit të Berlinales për Karrierën./ KultPlus.com
Edicioni i 72-të i ceremonisë së sivjetme të ndarjes së çmimeve për film “Berlin Film Festival” do të mbahet me pjesëmarrje fizike të të ftuarve, konfirmon revista Variety. Por, Tregu Evropian dedikuar Filmit, që normalisht organizohet në Berlinale, do të jetë virtual. Kjo do të ndodh për shkak të shtimit të rasteve me variantin e ri të COVID-19 në Gjermani, Omicron.
Ndryshe, organizatorët e festivalit kanë thënë se kjo ngjarje do të vazhdojë siç është planifikuar, kuptohet duke iu përmbajtur rregullave për mbrojtje nga COVID-19.
Një zëdhënës i festivalit për Variety ka thënë se janë shumë të lumtur që kanë marrë sinjal pozitiv nga autoritetet për mbajtje të tij, dhe janë të inkurajuar që të vazhdojnë me planin. Ai ka thënë se shpresojnë se së shpejti do të njoftojnë edhe për konceptin final të ngjarjes.
Ky vendim u mor pas diskutimeve në mes organizatorëve të Berlinales dhe niveleve të ndryshme qeveritare.
Lajmi për lejim të Berlinales me pjesëmarrje fizike të të ftuarve pa dyshim se ka lehtësuar organizatorët e tij, të cilët ka kohë që shqyrtojnë se çfarë mund të ndodh në festivalin e sivjetmë, pasi që vitin e kaluar u organizua në mënyrë virtuale për shkak të pandemisë.
Berlinale ka tregun më të madh dedikuar filmit pas festivalit të Kanës.
Tani vjen pyetja se në çfarë niveli do të organiziohet Berlinale, pasi që disa ngjarje në botë tashmë janë anuluar për shkak të COVID-19. A thua si do të organizohen udhëtimet në këtë kohë kur Omicroni vazhdon të përhapet me të shpejtë.
Lidhur me këtë, Variety ka mësuar se Berlini dhe qeveria e vendit përkrahin plotësisht këtë ngjarje, por në të do të jenë të pranishëm vetëm ata që janë vaksinuar kundër COVID-19, apo edhe ata që kanë pak kohë që kanë marrë vetën nga sëmundja./ KultPlus.com
Festivali i Filmit në Berlin (Berlinale) konfirmoi përmes një komunikate fillimin e edicionit të ardhshëm të planifikuar për në shkurt 2022.
”Risia e këtij eventi është se në të do të kenë akses vetëm personat e vaksinuar dhe të shëruar nga Covid-19, por jo për ata që do të paraqesin vetëm një tampon negativ”, njoftoi drejtoresha ekzekutive e festivalit Mariette Rissenbeek.
”Kemi parasysh edhe rregullat e miratuara në Gjermani që parashikojnë përveç Greenpass edhe një tampon të vlefshëm, por do të zbatojmë me rigorozitet rregullat”, theksoi ajo.
”Sigurisht rritja e shpejtë e infeksioneve në Gjermani është “shqetësuese”, shtoi Rissenbeek.
Edicioni i mëparshëm i festivalit u mbajt në një format digjital./KultPlus.com
Për publikun profesionist Berlinalja nis më 1 mars. Por jo të gjithë filmat do të shfaqen në mars, disa filma do të rezervohen për publikun e gjerë për në qershor, kur dhe mund të shtrohet vërtetë tapeti i kuq.
Berlinalja, festivali i filmit në Berlin, ka shumë rituale. Normalisht pavarësisht dimrit dhe ditëve të ftohta të shkurtit, dashamirësit e kinematografisë gjatë periudhës së festivalit mbushin rrugët përreth godinës së festivalit duke pritur të shohin yjet e kinematografisë që zbresin nga limuzinat me shpresën se mund të marrin ndonjë autogram po mund të bëjnë ndonjë selfie me ta. Pra festivali krijon atmosferë të veçantë. Këtyre u shtohet dhe ushtria e gazetarëve, që nxitojnë nga një konferencë shtypi në tjetrën dhe përpiqen të intervistojnë aktorët e famshëm, që janë të pranishëm në Berlinale. Të gjitha këto aktivitete sivjet nuk do të ndodhin për shkak të kufizimeve prej pandemisë. Festivali nis sivjet pjesërisht nga 1 marsi. Fituesit e kupës Ariu i Artë do të shpallen më 5 mars.
“Berlinalja 2021” me dy evente
Organizatorët kanë vendosur, që festivali të zhvillohet në dy evente të veçanta. “Industry Evenet”, që do të jetë online dhe i kufizuar vetëm me pjesëmarrjen e kineastëve dhe gazetarëve nga 1 deri më 5 mars . Dhe “Summer Special” me shfaqjet publike të filmave nga 9 deri më 20 qershor.
Industry Event në radhë të parë do të jetë një platformë alternativë për tregun europian të filmit (EFM), që krahas Kanës dhe American Film Market është ndër tre pikëtakimet më të rëndësishme të degës ndërkombëtare të filmit dhe medias.
Meqenëse këto veprimtari kanë një rend fiks në kalendarin e industrisë së filmit, duhet që Berlinalja të zhvillohet në tremujorin e parë të vitit. „Organizimi i të gjithë festivalit në qershor sivjet për të mundësuar sinergjinë e zakonshme të Berlinales me publikun, do të ishte shumë vonë dhe jo e favorshme për degën e kinematografisë”, shpjegon zëdhënësja e shtypit të Berlinales, Frauke Greiner.
Epiqendra e kineastëve
Por edhe pa ushtrinë e tifozëve të filmit java e parë e festivalit në fillim të marsit është mjaft e ngjeshur në Berlinale. Mbi 470 filma nga 60 vende janë në listën e punës përgjatë një jave. Të gjithë janë regjistruar në versionin digjital të EFM. Kësisoj ky format është tërheqës dhe josh mjaft aktorë, sepse me këtë sistem nuk ka kosto udhëtimi. Gati 200 sipërmarrje marrin pjesë për herë të parë në festival, mësohet në faqen e internetit të European Film Market (Tregu Europian i Filmit)./DW / KultPlus.com
Filmi “Dita e Gruas” (The Day of the Woman) me skenar dhe regji të Goce Cvetanovski, producent Driton Ramadanit, produksion nga “Makedonska Krepost”, me drejtor të fotografisë Fejmi Daut, është bërë pjesë e “Berlinale European Film Market“, shkruan KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të filmit: “The Day of the Woman” movie is coming soon to Berlinale European Film Market – EFM . Stay tuned!.
Filmi “Dita e Gruas”, kishte filluar xhirimet në fillimin e tetorit të vitit 2020 dhe tashmë është gati të prek festivalet botërore.
Në rolet kryesor të këtij filmi luajnë aktorët: Sladjana Vujosevic, Musa Isufi, dhe Ismail Kasumi. Kurse në rolet tjera janë: Avni Dalipi, Mendim Murtezi, Damjan Cvetanovksi, Osman Ahmeti, Egzona Salihu, Katerina Kocevska, Eleni Dekidis e të tjerë.
“Dita e Gruas” vjen si një shprehje artistike për ironinë e shfrytëzimit të kësaj qenie, teksa në film ndeshen personazhet të cilët tentojnë të jenë shpëtim për gruan dhe ata të cilët i bëjnë dëm vazhdimisht asaj.
Filmi “Dita e Gruas” është xhiruar në Shkup dhe në Kumanovë. Në anën tjetër, ky film është realizuar me përfshirjen e tri gjuhëve: shqip, maqedonisht dhe anglisht. / KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin ka bërë të ditur sot se 15 filma do të jenë sivjet pjesë e garës e të cilët do të garojnë për çmimet “Top Golden” dhe “Silver Bear”.
Festivali do të mbahet më shumë në formë virtuale për shkak të pandemisë me koronavirus.
Përzgjedhja e filmave përfshinë disa filma nga Franca, Rumania, Hungaria, Meksika, Koreja Jugore, Japonia etj, shkruan AP.
Krah filmave gjermanë, në garë janë edhe primerat botërorë të filmave si “Fabian- Going to the Dogs” nga Dominik Graf, “I’m your man” nga Maria Schrader dhe “Next Door” nga Daniel Bruehl.
Festivali i filmit do të zhvillohet në një formë të riorganizuar për shkak të pandemisë. Organizatorët kanë bërë të ditur se “Berlinale” që tradicionalisht është festivali i parë evropian në çdo vit të ri, do të ndahet në dy pjesë për shkak të masave anti-COVID.
Një organizim online me jurinë e cila do të zgjedhë fituesit, do të mbahet nga 1-5 mars. Ndërkaq nga 9-20 mars, do të mbahet edicioni special veror përmes të cilit publiku do të ketë mundësinë të shohë fituesit. / KultPlus.com
Festivali ndërkombëtarë i filmit në Berlin, e ka publikuar listën e anëtarëve të jurisë së sivjetme të festivalit, ku përfshihen persona të pazakontë në këtë edicion po ashtu të pazakontë të kësaj ngjarjeje të madhe kinematografike.
Gjashtë anëtarët e jurisë janë fitues të kaluar të çmimit kryesorë të festivalit, “Ariu I Artë”, dhe në ceremoninë e cila mbahet në muajin mars, ata do t’i përzgjedhin fituesit e këtij edicioni të “Berlinales”.
Siç është paralajmëruar më parë, festivali prestigjioz i cili mbahet në kryeqytetin gjerman, sivjet zë vend në dy skena.
Ngjarja me titull “Industry Event” mbahet nga 1 deri më 5 mars, dhe aty do të përfshihen projekte nga Tregu Evropian i Filmit, si dhe do të bëhet prezantimi i programit të festivalit për gjithë përfaqësuesit e industrisë së filmit. Ndërsa nga 9 deri më 20 qershor do të mbahet festivali i fokusuar në publikë.
Anëtarët e jurisë do të arrijnë në Berlin për pjesën e parë të festivalit, në muajin mars, ku edhe do t’i shikojnë filmat e programit garues në ekran të madh, si dhe fituesit do të shpallen atë javë. Ndërsa plani është që ceremonia fizike e “Berlinales” të mbahet në muajin qershor, ku edhe do të nderohen fizikisht triumfuesit e festivalit.
Lista e anëtarëve të jurisë së Festivalit të filmit në Berlin përbëhet nga: regjisori Mohammad Rasoulof nga Irani i cili ishte shpallur fitues i “Ariut të Artë” në vitin 2020, me filmin e tij “There is No Evil”, regjisori nga Izraeli, Nadav Lapid, i shpërblyer me këtë çmim në vitin 2019 për filmin “Synonyms”, regjisorja rumune, Adina Pintilie, fituese e çmimit kryesor të “Berlinales” në vitin 2018, me projektin e saj “Touch Me Not”, regjisori nga Hungaria, Ildikó Enyedi, fitues i “Ariut të Artë” në vitin 2017 për filmin “On Body and Soul”, regjisori italian Gianfranco Rosi i cili triumfoi në këtë festival në vitin 2016, me projektin e tij “Fire At Sea”, dhe regjisorja boshnjake, Jasmila Žbanić, e cila u shpall fituese e “Berlinales” në vitin 2006, me filmin “Grbavica”. / KultPlus.com
Ariu i Artë për filmin më të mirë në vitin e 70-të të #Berlinales shkon te “Sheytan vojud nadarad” (Aty nuk ka Djall), me regji nga Mohammad Rasoulof dhe prodhuar nga Mohammad Rasoulof, Kaveh Farnam, dhe Farzad Pak, shkruan KultPlus.com
Katër tregimet që përmbajnë “Sheytan vojud nadarad” janë variacione mbi temat thelbësore të forcës morale dhe dënimin me vdekje që pyesin deri në çfarë mase liria individuale mund të shprehet nën një regjim despotik dhe kërcënimet e tij në dukje të pafalshme.
Këtu keni njoftimin në Facebook nga faqja zyrtare e Berlinales:
Në kuadër të programit EFM Landmark të Tregut Europian të Filmit (European Film Market) në Berlinale, QKK-ja prezantoi profilin e Kosovës para producentëve, filmbërësve dhe komisioneve të filmit europian dhe botëror.
Ky prezantim përveç vënjes në pah të karakteristikave natyrore, arkitektonike, demografike dhe kulturore të Kosovës, paraqiti edhe një historik të filmit të Kosovës prej formimit të Kosovafilmit në 1969, ndërprerjes së prodhimit prej para dhe gjatë 90tave, deri te ringjallja e kinemasë Kosovare e cila shpesh u zgjodh dhe po vazhdon të përdoret si medium për trajtimin e plagëve dhe dhimbjes që solli lufta.
“Përveç ofertës që ia bëjmë industrisë europiane dhe botërore të filmit, është shumë e rëndësishme që partnerët tanë ndërkombëtarë të fushës të njoftohen më kualitativisht me kontekstin historik dhe kulturor të Kosovës” u shpreh hartuesi dhe prezantuesi Lum Çitaku nga QKK-ja.
Pas shfaqjes së trejlerit të Kosovës, pjesa tjetër prezantimit u koncentrua në kontekstin që e prodhoi suksesin ndërkombëtar në rritje të filmave Kosovar, ligjin e ri për kinematografinë që pritet të hyj në fuqi dhe i cili integron lehtësirat financiare, si dhe strategjinë e institucionit për të kultivuar më tej komunitetin filmbërës të vendit për të përhapur mundësitë e bashkëpunimit dhe rritur potencialin e bashkëprodhimit ndërkombëtar. / KultPlus.com
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit dhe ish-kandidatja për presidente, Hillary Clinton, u prit me duartrokitje në festivalin e filmit në Berlin.
Clinton, 72
vjeçe, ndodhej në kryeqytetin gjerman për premierën e “Hillary”, një dokumentar
me katër pjesë mbi jetën e saj, që do të transmetohet nga “Sky”.
“Ajo ishte
jeta ime. Nuk mund thjesht të thosha më flisni vetëm për gjëra që janë vërtet
të lehta. Kjo do të ishte qesharake dhe ju nuk do ta besonit”, pohoi ajo.
“Është e
rëndësishme që një person publik me një profil kaq të lartë të thotë: ‘Shiko,
si të gjithë të tjerët dhe unë kam jetuar me një jetë me ulje-ngritje, me
kënaqësi dhe zhgënjime të mëdha, kam pasur një jetë private, një jetë politike
publike, por nëse do të ishte e mundur, kam dashur të shihet në 360 gradë”,
shtoi ajo.
Në
dokumentarin me regjisore Nanette Burstein, ndërthuret një vështrim prapa
skenave të fushatës së saj presidenciale të vitit 2016, me intervista mes miqsh
dhe persona nga jeta e saj në politikë.
Ish-zonja e parë theksoi se i kishte pëlqyer gjithmonë kur i ishte në shërbim të dikujt tjetër. / KultPlus.com
Ky aktivitet që zhvillohet në kuadrin e festivalit të madh të filmit në Berlin bashkon 255 profesionistë të filmit nga 86 vende.
Me flokë që ia merr era, syze heksagonale dielli, me pallto të gjatë e të zezë dhe me valixhen e madhe ngjyrë argjendi: Fisniku, thjesht, ka stil. Ne e takojmë, kur ai sapo ka zbritur në kryeqytetin gjerman. Kështu e përshkruan gazeta zvicerane në gjuhën frënge “20 Mimutes” të riun shqiptar me qëndrim në Zvicër.
Regjisori 30-vjeçar nga Zvicra është përzgjedhur për të marrë pjesë në “Talentet e Berlinales”. Ky aktivitet që zhvillohet në kuadrin e festivalit të madh të filmit në Berlin bashkon 255 profesionistë të filmit nga 86 vende, transmeton albinfo.ch. Pjesëmarrësve në këtë ngjarje u mundësohet të shkëmbejnë mendime dhe të vendosin kontakte të dobishme për profesionin e tyre.
Fisnik Maxhuni është i lindur në Kosovë ndërsa në Zvicër ka ardhur si fëmijë. Është rritur në Neuchâtel dhe pas një Masteri të kryer në Londër, ai ka marrë edhe një Master të dytë të kinemasë midis ECAL dhe HEAD, përcjell albinfo.ch.
Kush dëshiron të dijë më shumë përse Fisniku kishte filluar të bënte filma, çfarë bën ai në Berlinale, cilin projekt është duke e preokupuar aktualisht etj., mund të mësojë duke e shikuar videon në linkun më poshtë (në gjuhën frënge). / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, po qëndron për vizitë në Gjermani, në festivalin prestigjioz të filmit “Berlinale”, ku ka marrë pjesë në premierën e filmit “Exil”, i regjisorit kosovar Visar Morina.
Ministrja Dumoshi, në kuadër të takimeve gjatë kësaj ngjarjeje të madhe kinematografike evropiane, takoi drejtoreshën e European Film Academy, Marion Doring, e cila pasi uroi Ministren Dumoshi për takimin e falënderoi për pjesëmarrjen në Berlinale dhe u shpreh e lumtur nëse ministrja do t’i bashkëngjitej ndarjes së çmimeve të European Film Academy e cila do të mbahet në Islandë.
Drejtoresha e EFA, Doring gjatë bisedës me ministren Dumoshi theksoi që bashkëpunimi me Qendrën Kinematografike të Kosovës është tepër i rëndësishëm. Kosova në European Film Academy kontribuon me një numër të madh të artistëve.
Po ashtu u diskutua edhe për iniciativa të reja për përfshirjen e të rinjve dhe fëmijëve në punëtori të ndryshme, si formë e mirë e kultivimit të talentëve të rinj.
Nga ana e saj, ministrja e falënderoi drejtoreshën e EFA-s, Marion Doring, për tërë vlerësimin për kinematografinë kosovare dhe për gatishmërinë për bashkëpunim dhe përkrahje të mëtejme.
Gjithashtu, ministrja Dumoshi foli edhe për filmin “Exil” ku u shpreh shumë e kënaqur për interesimin tejet të madh të pjesëmarrësve në Berlin për filmin e regjisorit Morina, i cili Kosovën e bën qendër të vëmendjes kinematografike gjatë këtij festivali prestigjoz. / KultPlus.com
Adhurues të shumtë të filmit qëndruan në radhë të gjata të hënën e 17 shkurtit, vetëm për të pasur mundësinë t’i blejnë biletat për edicionin e sivjetmë të festivalit të filmit “Berlinale”. Disa prej tyre madje kishin qëndruar jashtë gjatë gjithë natës, në mënyrë që të ishin ndër të parët në radhë.
Disa prej të pranishmëve, ishin ndjekës të rregullt të festivalit ndër vite, andaj edhe po i kryenin rutinat e tyre të zakonshme të kampimit jashtë kabinës ku shiten biletat, në sheshin “Potsdamer Platz” të Berlinit.
Biletat janë në dispozicionin e publikut vetëm për disa ditë, para se të nis shfaqja e filmave si dhe një person ka të drejtë t’i blejë maksimumi 2 bileta për mbrëmje. Ndërsa çmimet e tyre ndryshojnë sipas kategorive të filmit, transmeton Koha.net.
Edicioni i 70-të i “Berlinales” është i pari në 18 vjetët e fundit, që nuk do të udhëhiqet nga ish-drejtori i festivalit, Dieter Kosslick. Me këtë rast, disa prej ndjekësve të rregullt të festivalit kishin shprehur pakënaqësitë e tyre rreth programit të filmave që do të shfaqen sivjet, duke i cilësuar si “shumë të errët”, pikërisht për këtë kohë kur njerëzit veçse janë të ngarkuar çdo ditë me çështje të komplikuara të cilët shfaqen nëpër televizione.
Hapja zyrtare e festivalit ndërkombëtarë të filmit në Berlin, do të mbahet nga 20 shkurti deri më 1 mars, me ç’rast do të shfaqen gjithsej 342 filma, në mesin e tyre edhe një film kosovar. “Exil” nga Visar Morina do ta ketë premierën evropiane në kuadër të kësaj ngjarjeje prestigjioze kinematografike, duke u shfaqur për publikun më 24 shkurt në kinemanë “Zoo Palast 1”, në kuadër të programit Panorama. Ndërsa, vetëm 18 filma do të konkurrojnë për çmimet kryesore të “Berlinales”, atë “Ariu i Artë” dhe “Ariu i Argjend”. / KultPlus.com
Pas premierës botërore në ‘Sundance’, filmi ‘Exil’ nga Visar Morina do ta ketë premierën europiane në njërin ndër festivalet më të rëndësishme, në ‘Berlinale’, përcjellë KultPlus.
Premiera do
të shfaqet më 24 shkurt nga ora 15:30 në kinemanë Zoo Palast 1, në kuadër të
programit Panorama.
Filmi rrëfen
tregimin e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili
ndjehet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhytë
atë në krizë të identitetit.
‘Exil’-i
është bashkëprodhim në mes të Komplizen Film Gjermani, Ikonë Studio Kosovë dhe
Frakas nga Belgjika i financuar nga Ministri për Kulturë dhe Media, Film- und
Medienstiftung NRË, German Federal Film Fund, Belgium Film Tax Shelter,
Medienboard Berlin Brandenburg, Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages,
dhe German Federal Film Board.
Si 15 vjeçar ai u largua nga Kosova drejt Gjermanisë, atje ku sot ka zënë një pozicion të lakmueshëm në skenën e kinematografisë. Regjisori dhe skenaristi Visar Morina, ka spikatur qysh me filmin e tij të parë “Babai”. Por, ky ishte vetëm hapi i parë i cili i siguroi një rrugë të gjatë e të suksesshme. Filmi “Exil” është dëshmia më e mirë kur duam të flasim për suksesin e tij. Fitues i shumë çmimeve, Morina, po e nderon vendin e tij me paraqitje në festivale prestigjioze si Sundance Film Festival dhe Berlinale. Filmat e tij frymojnë edhe shqip, në thelb ata kanë rrëfime shqiptare, por ka edhe diçka që Visari ka treguar për KultPlus. Në filmin e tij të fundit flitet edhe shqip, e tingulli i gjuhës shqipe do të ketë rast të dëgjohet edhe para publikut gjigant në dy prej festivaleve më me zë në botë. Për krejt këtë sukses të menjëhershëm, sfidat, bashkëpunimin me aktorë të njohur botërorë, për rolin e tij të dyfishtë në filma, skenarist – regjisor dhe pikëpamjet e tij për kinematografinë e Kosovës do të keni rast t’i lexoni në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus.
KultPlus: Një projekt filmik me një përrallë shqiptare në një ndër festivalet më prestigjioze të botës, sikurse që është Sundance Film Festival, çfarë ndjesie të ka dhënë përzgjedhja e filmit “Exil” në këtë festival kaq të madh?
Visar Morina: Në fakt gjatë punës, nuk e kam menduar që premierën do ta kem në Sundance. E shoh më shumë si film evropian, edhe mënyra se si është bërë filmi, por edhe nga tema që e trajton. Isha ende në editim kur e mora lajmin për Sundance dhe më është dashtë disa ditë të kuptoj. Por normalisht që gëzohem. Ka vite që jam duke punuar në këtë film dhe për filma si ky, pjesëmarrja në këtë festival është shumë e rëndësishme sepse në këtë garë internacionale ku do të shfaqet “Exil”, janë vetëm 12 filma.
KultPlus: Xhaferi është personazhi kryesor i filmit, i cili flet për ballafaqimin e tij në një vend të huaj, të zbulojmë më shumë, a flet Xhaferi shqip në këtë film, apo në gjuhë të huaj?
Visar Morina: Gjuha është kryesisht gjermane, por kam disa skena ku flitet shqip. Njëra nga skenat e mia më të preferuara është në gjuhën shqipe. Xhaferi takohet me një burrë shqiptar (Astrit Kabashi) dhe flasin për qaj të rusit dhe për kojshit në Kosovë që kanë pi shumë qaj dhe e llogarisin kohën që e kanë humbur duke pirë qaj. Në kontekstin në të cilin ndodh kjo skenë e krijon një absurditet dhe tension të mirë.
KultPlus: Ndërkohë, rolin e Xhaferit e luan aktori kroat Mišel Matičević, pse vendosët që rolin e një shqiptari ta luaj një aktor kroat?
Visar Morina: Me shumë qejf do ta kisha marr një aktor shqiptar. Përveç që ka qenë e domosdoshme që ai person me qenë aktor i mirë dhe me u përshtatë si tip në atë rol, ka qenë edhe gjuha gjermane e domosdoshme. Xhaferi e ka një pozitë të mirë në një firmë shumë të madhe. Është e rëndësishme që ai të flas shumë mirë gjermanisht, që të mohohet dyshimi që problemet që i ka personazhi në film vijnë si pasojë e gjuhës. Edhe një herë, me shumë qejf e kisha marr një aktor shqiptar, por në fund nuk kishte zgjidhje tjetër.
KultPlus: Përpos aktorëve shqiptarë, është edhe aktorja e njohur Sanrda Hüller, çka e tërhoqi Sanrda Hüller të jetë pjesë e filmit “Exil”?
Visar Morina: Sandra është yll i madh në Gjermani, dhe shumë e respektuar. Një gazetë e madhe në Gjermani e ka bërë një intervistë me të dhe titulli i intervistës ishte “Mbretëresha e Aktrimit”, mu duk shumë përshkrim i duhur. Por Sandra Hüller dhe Rainer Bock kanë qenë të vetmit që i kam dashtë prej fillimi dhe të dyve ju kam shkruar një letër ku kam sqaruar pse dhe për çka po i dua. Sandres i ka pëlqyer skenari shumë dhe besoj që kjo ka qenë arsyeja kryesore për të pse është në këtë projekt.
KultPlus: Pjesë e filmit janë edhe aktorët shqiptar si: Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj dhe Ameli Kabashi, nga ana profesionale, si qëndronin aktorët shqiptarë përballë atyre botërorë?
Visar Morina: Kur fillon puna, aktorët nuk ndahen në këto llogari, secili e ka rolin dhe rreshtat e vetë. Me Sandra-n në fillim ka qenë pak problem, sepse aktorët tjerë stresoheshin kur luanin me të, është aq e mirë dhe e saktë në punë sa që të komplekson në fillim. Por pas një kohe nuk ka dallim a po punon me një fëmijë, me një të njohur apo me një person që nuk e njeh askush. Besoj se kam pas shumë fat me aktorë. Loja e tyre do të jetë gjëja më e mirë në film.
KultPlus: Shenjat se ky projekt është mjaftë premtues i morët shumë herët, pasi që ky skenar u shpërblye me çmimin prestigjioz “Golden Lola”, ku u sfidove me skenaristët dhe shkrimtarët më të njohur në Gjermani, si dhe në Euroimages, e ndjeje një sukses të tillë?
Visar Morina: “Lola” për skenar më të mirë, ka qenë një befasi për mua. Për atë çmim nuk mund të aplikosh, duhesh të jesh i propozuar nga dikush. Pastaj është dashur ta dorëzoj skenarin vetëm me titull, pa asnjë informatë rreth autorit dhe produksionit. Qëllim ka qenë që juria ta lexojë vetëm skenarin, pa ditur se kush është autori. Pas leximit janë nominuar tri skenarë. Një nga skenarët konkurrent është vlerësuar dhe veçuar shumë nga juria, edhe kur ministrja e kulturës doli ta ndaj çmimin foli për atë skenar, dhe isha i bindur që ai skenar do të fitoi dhe mbeta i habitur kur e shpalli skenarin “EXIL” si fitues. Skenarin e kam shkruar shumë shpejt dhe për asnjë çmim deri më tani nuk jam gëzuar më shumë.
KultPlus: Kur ke shkruar skenarin “Exil”, e ke bazuar në ndonjë ngjarje të vërtetë, apo është imagjinare?
Visar Morina: Zakonisht për mua është shumë e rëndësishme të kem në projekt diçka që më tërheq personalisht. Nëse nuk ekziston kjo lidhje, projekti nuk ka kuptim për mua. Në këtë rast tregimi është fiktiv, por ka shumë gjëra që i njoh ose nga jeta ime ose nga jeta e njerëzve që i kam përreth. Por shpesh ka shumë detaje të vogla, një rresht, një imazh ose një situatë. Këto detaje zakonisht transformohen në diçka tjetër. Filmi e përshkruan jetën e një të huaji në Gjermani dhe normalisht në këtë rast kam ndodhi personale në të cilat jam bazuar. Por prapë jeta e Xhaferit nuk ka të bëjë me jetën time.
KultPlus: Por tashti, pranimi i filmit në “Sundance Film Festival” dhe në festivalin tjetër poashtu prestigjioz “Berlinale” po dëshmon se ky film është ndërtuar në nivel të lartë dhe po flet në gjuhën e botës, dhe qysh në fillim është një matje tjetër se filmi i fundit po e kalon filmin paraprak “Babai”, që padyshim është një sukses i madh për një regjisor të ri, çfarë janë pritjet për rrugëtimin e këtij filmi?
Visar Morina: Fillimi i projektit ka qenë i tillë. Buxheti për filmin e dytë ka qenë shumë më i madh. Zakonisht filmat e dytë në Gjermani bëhen me shumë më pak buxhet, ka edhe raste tjera por nuk janë të shpeshta. Pastaj casting është bukur i njohur këtu, firma prodhuese gjermane e filmit është bukur e madhe dhe shumë e suksesshme. D.m.th., kërkesat për këtë projekt kanë qenë shumë më të mëdha qysh nga fillimi. Nëse filmi do ta kishte premierën në një festival të vogël, do të kisha shumë telashe me projektet e radhës. E çka do të ndodh me filmin pas Sundance dhe Berlinale nuk e di. Normalisht që suksesi i këtij filmi vendos shumë edhe për kushtet që do t’i kem në projektin tjetër.
KultPlus: Edhe “Babai” edhe “Exil” kanë për bazë rrëfime shqiptare, edhe përkundër faktit se si i vogël jeni larguar nga Kosova, rrëfimet e popullit tënd po vazhdojnë të kenë prioritet, pse?
Visar Morina: Nuk kam qenë edhe aq i vogël kur kam ikë nga Kosova. Kam qenë 15 vjeçar. Ajo kohë ka qenë shumë e veçantë, jo vetëm për faktin që ishte fëmijëria ime por edhe për arsye politike. Në dhjetor 1994 kemi dal nga Kosova. Fëmijëria ime, si te çdo njeri, ka shumë ndikim, dhe siç thash edhe më herët për mua si krijues është shumë e rëndësishme që të kem një lidhje personale me atë çka e prezantoi në një film. Por nuk është e domosdoshme që të jetë 1 me 1. Shpesh është ndjenja më e rëndësishme se sa ngjarja. Por më duhet të ceki që “Exil” e trajton jetën e një të huaji në Gjermani, dhe që ai “i huaji” ndodh të jetë shqiptar. Fakti që është i huaj është më i rëndësishëm se sa fakti që është shqiptar. Besoj që struktura dhe statusi social i një ekzistence vendos më shumë për një individ se sa kombësia. Pra në këtë rast ka qenë edhe e mundur që roli kryesor të jetë edhe i një vendi tjetër. Por prapë se prapë jam shumë i lidhur me Kosovën. Përveç që më duket shumë inspiruese me shumë gjëra, është një copë e identitetit tim dhe me shumë qejf do të vija prapë në Kosovë për të bërë film.
KultPlus: Mendoni se kemi edhe shumë brum për skenarë të shumtë, duke u bazuar në historinë, mënyrën e jetës dhe veçantinë e popullit shqiptar?
Visar Morina: Besoj që çdo njeri dhe çdo popull – edhe pse nuk e di çka do me thanë me qenë një popull – e ka një veçanti. Në kohën kur unë kam jetuar në Kosovë, shqiptarët kanë përjetuar gjëra të tmerrshme, por prapë më ndodhë që tash flas me njerëz nga Kosova dhe e shoh që fëmijëria ime dallon nga fëmijëria e tyre. Një person që është rrit në Prishtinë në të njëjtën kohë si unë, e ka një përshkrim krejt tjetër, se sa unë që jam rrit në fshat.
KultPlus: Zakonisht, në shumë filma, për skenarist kanë një person tjetër e për regji një tjetër, e shumë shpesh fajin e suksesin e hedhin te njëri tjetri, ju keni përballë unin tuaj, si funksiononi në këto dy pozita?
Visar Morina: Gjatë periudhës sa shkruaj e adhuroj xhirimin dhe editimin. E gjatë editimit e adhuroj shkrimin. Shkrimi është fazë e mirë, sepse je plot shpresa. Xhirimi shpesh herë di të jetë shumë i rëndë, shumë i varur nga koha, ekipi, kushtet, moti… Besoj, do të isha regjisor më i mirë nëse skenari nuk është i imi. Nëse nuk e kanë bagazhin e shkrimit, besoj do të jem më i qartë në regji. Dhe me qejf do të bëja një skenar të huaj.
KultPlus: Do të bëje një kombinim me dikë tjetër, qoftë në rolin e skenaristit, apo të regjisorit?
Visar Morina: Nuk mund ta paramendoj që të shkruaj skenar për dikë tjetër. Edhe pse për momentin po shkruaj dhe jam si koskenarist i një regjisori gjerman. Por kjo ishte e qartë prej fillimit. Ai e kishte idenë dhe më ftoj ti bashkëngjitëm. Në këto rrethana, po. Por që të shkruaj një skenar krejt vetë dhe të ia dorëzoj dikujt tjetër, kjo vështirë që do të bëhej. Gjatë shkrimit e paramendoj filmin shumë dhe do të isha shumë i dëshpëruar nëse i shoh skenat ndryshe. Do të ishte si dhunë.
KultPlus: Ju keni studiuar për film në Akademinë e Arteve në Gjermani, dhe suksesi i juaj në botën e kinematografisë veç sa ka filluar, por si i shihni përpjekjet e regjisorëve të Kosovës dhe të Shqipërisë për të prekur majat e festivaleve prestigjioze?
Visar Morina: Por kjo ka ndodh me disa filma nga Kosova. Nuk është më e jashtëzakonshme që një film kosovar të marr pjesë në një festival të kategorisë A. Dhe në fakt filmat më interesant në botë qysh që disa vite nuk vijnë nga vendet e zhvilluar. Shumë filma të jashtëzakonshëm vijnë nga e ashtuquajtur bota, e tretë ose e dytë. Kështu që fakti që kam studiuar në Gjermani nuk thotë shumë. Kosova është shumë, shumë interesante. Vetëm një udhëtim me kombi prej Prishtinës në Drenas mund të del një film shumë interesant. Ose diskotekat kosovare, lezet i madh për film…
KultPlus: Do të veçoje ndonjë film të Kosovës apo Shqipërisë?
Visar Morina: Për skenën në Shqipëri nuk kam njohuri, ose shumë pak. Për Kosovë më shumë. Dhe prej nga 2010 jam rregullisht në kontakt me disa filmbërës nga Kosova dhe më duket një zhvillim i jashtëzakonshëm çka ka ndodh në këto vite. Më duket një zhvillim shumë i mirë. Ndërkohë është krijuar një lloj industrie e vogël. Jo vetëm sa i përket regjisorëve por edhe sa i përket stafit përreth dhe pa asnjë telashe do të xhiroja një film komplet me staf kosovar. Diçka që para disa viteve nuk kisha mundur ta paramendoj. Por prej filmave që i kam pa nga Kosova, mendoj që “Kthimi” nga Blerta është për mua filmi më i mirë. Dhe në përgjithësi e vlerësoj dhe adhuroj punën e Blertës shumë dhe shpresoj që ajo së shpejti të na sjell një projekt të ri. “Zana” akoma nuk e kam parë, por skenarin e kam lexuar dhe po pres me shumë gëzim që ta shohë atë film.
KultPlus: Jeni duke shijuar suksesin e filmit “Exil”, por shumë po besoj se keni në kokë ndonjë projekt të ri, nëse po, mund të na tregosh më shumë?
Visar Morina: Jam në shkrim të dy projekteve por akoma është shumë herët të konkretizohet diçka.
KultPlus: Dhe për fund, filmat shumë herë bazohen edhe në letërsi, keni të piketuar ndonjë shkrimtar shqiptar që do të donit që romanin e tij/saj të shndërronit në film?
Visar Morina: Letërsia që më pëlqen nuk mund ta paramendoj si film. Më duket më shumë si dhunë ndaj veprës. Çka mund ta marr me mend është që ta marr një pjesë ose një situatë nga një roman dhe të krijoj diçka të re, por jo si adoptim. Por momentalisht nuk jam duke bërë asgjë në atë drejtim, as nuk e kam ndërmend. / KultPlus.com
Edicioni i sivjetshëm i Festivalit të Filmit të Berlinit ka mbaruar dhe filmi “Synonyms” i Nadav Lapid ka marrë në shtëpi një nga çmimet më prestigjioze të filmit në botë.
Çmimin për regji në këtë edicion e ka marrë Angela
Schanelec me filmin “Ich war zuhause, aber” “(I Was at Home, But)”. Aktorja më
e mirë është zgjedhur Yong Mei, “Di jui tian chang” (“So Long, My Son”)
ndërsa aktori më i mirë Wang Jingchun, “Di jui tian chang” (“So Long, My
Son”).
Çmimin për skenar e ka fituar Maurizio Braucci,
Claudio Giovanessi, dhe Robert Saviano për filmin “La paranza dei bambini”
(“Piranhas”).
Këtë vit në garë ishte edhe filmi Kosovar “Në mes” nga
Samir Karahoda në garën ndërkombëtare të filmave të shkurtë “Berlinale Shorts”.
Mirëpo çmimi, Ariu i Artë për filmat e shkurtë e ka fituar filmi “Umbra,” ndërsa
çmimin e jurisë për filma të shkurtë e ka fituar filmi “Rise” nga Bárbara
Wagner dhe Benjamin de Burca.
“Berlinale” është një prej festivaleve më të vjetra dhe më prestigjioze në botë./ KultPlus.com
Një denoncim i ashpër dhe i qartë ndaj maskilizmit shpesh të fshehur pas traditave. Bëhet fjalë për filmin e ri të regjisores maqedonase Teona Strugar Mitevska, “Zoti ekziston dhe emri i saj është Petrunija” mes të favorizuarve në Berlinalen e 69-të.
Nicola Falcinella
Njëzet e gjashtë vjet pas “Luanit të artë në Venecia për “Para shiut të Milcho Manchevsky-t, Maqedonia është ndër favoritët e mundshëm për të fituar një tjetër vlerësim në një festival të madh kinemaje. Kandidat është “Gospod postoi imeto i’ e Petrunija” (Zoti ekziston dhe emri i saj është Petrunija) i Teona Strugar Mitevska, i konsideruar si një ndër filmat më të mirë të edicionit të 69-të të Berlinales. Ndër “rivalët” më të mëdhenj kritika vlerëson “La paranza dei bambini” një film i arrirë i Claudio Giovannesi-t bazuar në librin e Roberto Savianos, francezin “Grâce à Dieu” të François Ozon dhe filmin mongolo-kinez “Öndög” të Wang Quan’an, i cili në 2007-ën arriti të triumfojë me “Il matrimonio di Tuya”.
E mrekullueshmja dhe shumë e vendosura Petrunija, e diplomuar në histori nuk arrin të gjejë punë në qytetin e Stip, ndaj futet në telashe pasi ka bërë atë që një grua nuk duhet të bëjë. Protagonistja ndërsa fitoi të drejtën e një interviste pune me pronarin e një fabrike tekstili në zonë. Pasi ai e konsideroi si të papërshtatshme qoftë për punën manuale, ashtu edhe në pozicionin e sekretares e ngacmon, duke e ofenduar në vazhdimësi. Gjatë kthimit për në shtëpi ajo has një ceremoni ortodokse, në vijim të së cilës Papa hedh në lumë një kryq dhe pret që burrat e rinj të shkojnë për ta rimarrë. Duke parë se asnjë nuk po arrin të shkojë në pikën ku kryqi ka rënë, Petrunija hidhet pa hezitim për ta rikuperuar objektin e shenjtë.
E kontestuar nga meshkujt e zhgënjyer, e më pas e shoqëruar në kazermë, ajo tregon edhe aftësinë për t’iu përgjigjur akuzave, duke guxuar të flasë edhe për fakte ligjore e religjioze, që i japin mundësinë të mbrohet. Ndërkohë ngjarja e filmuar bëhet virale në internet dhe tërheq vëmendjen e një gazetari televiziv, ndërsa jashtë zien protesta. Me përdorimin efikas të ironisë, por pa evituar stereotipin ballkanik të tragjikomikut, “God Exists, her name is Petrunya” është më i miri i pesë filmave të gjatë, pothuajse të gjithë të prezantuar në Berlinale (“How i killed the saint”, “I’m from Titov Veles” dhe “The Woman who brushed off her tears”), i Strugar Mitevska, që është njëherazi motra e aktores Labina Mitevska, e cila interpreton në “Para shiut” dhe që këtu luan rolin e gazetares. Një film i kohëzuar më mirë, i shkruar me kujdes, ku ndihet dora e bashkëskenaristes boshnjake Elma Tataragić, bashkëpunëtores së mëhershme të Aida Begić.
Filmi është një denoncim i ashpër dhe i qartë i maskilizmit shpesh të fshehur pas traditave, duke nënvizuar ndryshimet mes dogmave dhe zakoneve. Kandidon për një çmim të rëndësishëm, si “Ariu i artë”, ku protagonistja Zorica Nusheva, është e nominuar si “Aktorja më e mirë”. /KultPlus.com
Mediat gjermane kanë bërë të ditur se është zgjedhur drejtori i ri i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. Sipas raportimeve drejtorin e tanishëm Dieter Kosslick do e zëvendësoj Carlo Chatrian, përcjell KultPlus.
Carlo Chatrian do të jetë drejtori i ri i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. Ai shërbeu si drejtor artistik i Festivalit të Filmit në Locarno që nga viti 2013, dhe do të zëvendësojë drejtorin në largim të Berlinit Dieter Kosslick, shkruan IndieWire.
Mirëpo edhe përkundër lajmeve që po qarkullojnë përfaqësuesit e festivalit nuk iu janë përgjigjën kërkesave të mediave për komente. Gjithë kjo pasi që këtë lajm ata do të bëjnë të ditur vet, të premten, raportojnë mediat.
Drejtori i deritanishëm, Dieter Kosslick, shërbeu në këtë post që nga viti 2001 mirëpo u përball me kritika në vitet e fundit për kalibrin e filmave në formacion. Në anën tjetër Carlo Chatrian filloi karrierën e tij si kritik dhe kurator filmash, duke punuar në Locarno./ KultPlus.com
Në Festivalit prestigjioz Berlinale gjendet edhe ekipi kosovarë i filmit “Kiem Holijanda”. Ata kanë ndarë një fotografi me publikun nga premiera e filmit e cila u dha dje.
Arbresha Grabovci Nixha, vëllezërit Andi e Florist Bajgora si dhe regjisorja Sarah Veltmeyer janë duke marrë pjesë në festival pasi që filmi i tyre “Kiem Holijanda” është shfaqur në kuadër të programit Generation 14plus në Berlinale – Festivalin e Filmit në Berlin, shkruan KultPlus.
Andi dhe Floristi jetojnë në një fshat të varfër në Kosovë. Duke shitur qumësht ata mbajnë familjen. Filmi 14-të minutësh vazhdon me historinë e Floristit i cili aspiron të udhëtojë për në Holandë.
Filmi në fjalë ka për regjisore Sarah Veltmeyer nga Holanda dhe është një nga 16-të filmat në këtë kategori, shkruan KultPlus./KultPlus.com
Kur flet shqip dhe kur luan rolin e një burrnesheje, Alba Rohrwacher shkëlqen në aktrimin e saj.
Aktorja italiane do të rikthehet përsëri në Berlinale. Ajo e cila luajti rolin kryesor në “Sworn Virgins” nga Laura Bispuri, me të njëjtën regjisore prapë vjen në Festivalin prestigjioz të Filmit në Berlinale 2018.
Rohrwacher është pjesë e filmit “Figlia Mia”, i cili do ta ketë kësisoj premierën botërore. Në këtë film luajnë edhe Valeria Golino, Sara Casu dhe Udo Kier.
Filmi është një bashkëproduksion mes Italisë, Gjermanisë dhe Zvicrës dhe është pjesë e garës kryesore në edicionin e 68-të të Berlinales.
Regjisorja Laura Bispuri solli historinë e burrneshave shqiptare, grave që përbetohen të jetojnë si burra tërë jetën e tyre, në edicionin e Berlinales në vitin 2015-të, ku morri kritika pozitive.
“Figlia mia”, (Vajza ime) filmi i saj i ri, flet për një vajzë e cila gjendet mes dy emocioneve, mes dashurisë për nënën biologjike dhe për nënën e cila e ka adoptuar.
Berlinale 2018 mbahet nga 15-25 shkurt, ndërsa këtë vit mes regjisorëve që sjellin filmat e tyre janë edhe Wes Anderson me “Isle of Dogs”, “Dovlatov” me regjisor Alexy German Jr dhe “Mug” nga Malgorzata Szumowska, në mesin e emrave tjerë. / KultPlus.com