Burrnesha shqiptare kthehet prapë në Berlin

Kur flet shqip dhe kur luan rolin e një burrnesheje, Alba Rohrwacher shkëlqen në aktrimin e saj.

Aktorja italiane do të rikthehet përsëri në Berlinale. Ajo e cila luajti rolin kryesor në “Sworn Virgins” nga Laura Bispuri, me të njëjtën regjisore prapë vjen në Festivalin prestigjioz të Filmit në Berlinale 2018.
Rohrwacher është pjesë e filmit “Figlia Mia”, i cili do ta ketë kësisoj premierën botërore. Në këtë film luajnë edhe Valeria Golino, Sara Casu dhe Udo Kier.

Filmi është një bashkëproduksion mes Italisë, Gjermanisë dhe Zvicrës dhe është pjesë e garës kryesore në edicionin e 68-të të Berlinales.

Regjisorja Laura Bispuri solli historinë e burrneshave shqiptare, grave që përbetohen të jetojnë si burra tërë jetën e tyre, në edicionin e Berlinales në vitin 2015-të, ku morri kritika pozitive.

“Figlia mia”, (Vajza ime) filmi i saj i ri, flet për një vajzë e cila gjendet mes dy emocioneve, mes dashurisë për nënën biologjike dhe për nënën e cila e ka adoptuar.

Berlinale 2018 mbahet nga 15-25 shkurt, ndërsa këtë vit mes regjisorëve që sjellin filmat e tyre janë edhe Wes Anderson me “Isle of Dogs”, “Dovlatov” me regjisor Alexy German Jr dhe “Mug” nga Malgorzata Szumowska, në mesin e emrave tjerë. / KultPlus.com

Pesë filma të Kosovës janë prezantuar para selektorëve të Berlinales

Katër filma të metrazhit të gjatë dhe një dokumentar janë prezantuar para selektorëve të Berlinales, filma këta të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, shkruan KultPlus.

Filmat artistik të metrazhit të gjatë që po synojnë Berlinalen janë: “Fusha e Mëllenjave” nga Arzana Kraja, “Njeriu i Dosjeve” mga Ismet Sijarina, “Një tregim Prishtine”, nga Burbuqe Berisha dhe “Qiej të trazuar” nga Anton Ndreca. Kurse dokumentari që do të prezantohet poashtu para selektorëve është “Me dasht’, me dasht’, me dasht’ nga Ilir Hasanaj.

Mbetet të shihet se nëse ndonjë nga këta filma mund të shfaqet edhe premierë në këtë festival prestigjioz./KultPlus.com

QKK fton filmbërësit kosovarë të aplikojnë për Berlinale

Qendra Kinematografike e Kosovës fton filmbërësit kosovarë të dërgojnë filmat e tyre në këtë institucion për aplikim në Berlin International Film Fëstival, shkruan KultPlus.

“Ftohen të gjithë filmbërësit kosovarë të cilët kanë interes të aplikojnë në Berlin International Film Festival dhe të cilët i plotësojnë të gjitha kriteret e vendosura nga Berlinale, të dërgojnë filmin në Qendrën Kinematografike të Kosovës. Filmbërësit duhet të kenë filmin e përfunduar apo të jenë në fazat e fundit të përfundimit dhe filmi duhet të jetë në formatin BluRay ose DCP”, thuhet në njoftim.

Njëra nga kushtet kryesore është që filmi të mos jetë shfaqur asnjëherë deri më tani dhe që ka për qëllim premierën në Berlinale. Thirrja vlen vetëm për filmat artistik dhe dokumentar të metrazhit të gjatë./ KultPlus.com