Filozofi i njohur francez kërkon nderimin e Rushdie me çmimin Nobel

Salman Rushdie, i shtruar në spital pasi u godit me thikë në Nju Jork, duhet të marrë çmimin Nobel në Letërsi, deklaroi filozofi i njohur francez, Bernard-Henri Lévy.

“Nuk mund të imagjinoj asnjë shkrimtar tjetër që të ketë këtë guxim dhe që ta meritojë më shumë se ai”, thotë Lévy për autorin e natyralizuar britanik.

I kërcënuar me vdekje që nga një “fatva” nga Irani, në vitin 1989, një vit pas publikimit të “Vargjeve Satanike”, Salman Rushdie u godit me thikë të premten e kaluar.

”Ky shkrimtar i dënuar që prej 30 vitesh… meriton kompensim”, gjykon Bernard-Henri Lévy në një shkrim të gjatë me titull ”Pavdekësia e Salman Rushdie”.

Sipas filozofit, ”ky akt i terrorit absolut, i cili, përtej trupit të goditur me thikë dhe librave të tij, është një tmerr mbi të gjithë librat dhe të gjitha fjalët e botës, kërkon një përgjigje brilante”.

Filozofi francez, me nofkën BHL, është një figurë me ndikim në skenën politike, filozofike dhe letrare franceze, i cili është i përkushtuar për disa kauza, veçanërisht në Lindjen e Mesme.

Vitin e kaluar, çmimi Nobel për Letërsi iu dha romancierit tanzanian, Abdulrazak Gurnah./ KultPlus.com