Brecht: Të hezitosh është gjë e mirë, nëse pastaj e bën gjënë e duhur

Bertolt (Eugen Berthold Friedrich) Brecht-i është ndër më të njohurit dramaturgë dhe poetë gjermanë të shekullit XX. Ai lindi në Augsburg, qytet në juglindje të Bavarisë.

Nga fundi i Luftës së Parë Botërore regjistrohet në Universitetin e Munihut për Mjekësi dhe Shkenca Natyrore, por duke qenë më shumë i interesuar në çështjet letrare, ai nuk e merr seriozisht studimin e këtyre disiplinave. Poezitë e para nis t’i publikojë në gazetën vendase të Augsburgut kur ishte shumë i ri. Më pas do të angazhohet me shkrime (kritike) mbi teatrin. Siç e rrëfen vetë, ai kishte shkruar katër drama dhe një opera kur nisi të lexojë për herë të parë analiza politike dhe shkrime të Marksit.

Njohja me teorinë marksiste do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm te Brecht-i, çka do të reflektohet në të gjithë krijimtarinë poetike, letrare dhe intelektuale: në fakt prej këtu e gjithë vepra e Brecht-it mund te themi se do të jetë e drejtuar vetëm në shërbim të përparimit dhe emancipimit politik të klasës punëtore. Walter Benjamin-i thotë se ai ishte i pari që u drejtoi intelektualëve kërkesën për të mos e furnizuar aparatin e prodhimit pa e ndryshuar atë në drejtim të socializmit.[1] Intelektualët e interesuar në çlirimin e punëtorisë, ose inteligjenca progresive/revolucionare siç e quan Brecht-i, nuk duhet t’i shërbejnë aparatit prodhues të kohës, por duhet që brenda mundësive ta ndryshojnë në interes të klasës punëtore.

Edhe pse nuk u bë asnjëherë anëtar i Partisë Komuniste Gjermane, Brecht-i gjithsesi dakordësohej me të gjitha qëllimet revolucionare të saj. I vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej, një natë përpara ardhjes në pushtet të nazistëve, Brecht-i largohet nga Gjermania, një arrati që do të përfundojë vetëm me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Pasi marrin pushtetin, nazistët urdhërojnë djegien e të gjitha veprave të tij. Atij i hiqet edhe shtetësia gjermane me akuzën për “tradhti të lartë”. Gjatë kësaj kohe, ai shkruan pjesët më të rëndësishme mbi teatrin, si dhe poezi e novela. Pas mbarimit të luftës kthehet dhe vendoset në Berlinin Lindor ku angazhohet ne veçanti me teatrin epik. /KultPlus.com

Fëmijët luajnë luftërash

Poezi nga Bertolt Brecht
Përktheu: Edon Qesari

Fëmijët luajnë luftërash.
S’ndodh të luajnë paqesh
se të rriturit
luftojnë ngaherë,
ti bën “pau” e qesh;
ushtari i shtie
një tjetër njeriu
dhe ky nuk qesh më.
Kështu e ka lufta.
Një tjetër lojë
duhet shpikur:
t’i japim botës gaz
të mos qajë më.
Paqe do të thotë
që jo çdokujt t’i pëlqejë
e njëjta lojë,
që lodrat e tua
i pëlqejnë edhe
fëmijëve të tjerë
që s’para kanë të tilla,
se ti ke shumë të tilla,
që vizatimet e fëmijëve të tjerë
nuk janë shkarravina;
që mami që ke ti
nuk është vetëm jotja;
që gjithë fëmijët
i ke shokë.
Dhe paqe do të thotë
mos kesh uri
mos kesh ftohtë
mos kesh frikë.

Bertolt Brecht, Berlin, 1927

Brechti dhe një nga dashuritë më të mëdha e më tragjike të jetës së tij

Në vitin 1931, dramaturgu dhe poeti gjerman Bertolt Brecht, e takoi një aktore të re, një grua të quajtur Margarete Steffin, me të cilën u lidh në aspektin intelektual dhe intim. Të dy u takuan gjatë një prove. Ajo më pas luajti te “Nëna” e Brechtit, e më vonë u bë bashkëpunëtore në shkrimet e tij. Steffin shtypte veprat e tij, bënte korrigjonte, jepte sugjerime, përkthente dhe e shtynte drejt synimeve më të mëdha. Në një poezi, Brechti e quante atë “mësuesja e vogël”, transmeton Telegrafi.

Steffin vinte nga një familje proletare, për çka bëhet burim për detajet e jetës së klasës punëtore – që do të përshkruhen në shfaqjet politike – ku Brechti nuk kishte përvoja të drejtpërdrejta. Kompozitori dhe bashkëpunëtori Hanns Eisler, për Steffinin thoshte: “Ishte bashkëpunëtorja më e vlefshme Brechtit. Duhet të them se ‘Frika dhe tmerri i Rajhut të Tretë’ – skena e klasës punëtore – nuk do të mund të shkruhej pa Steffin”.

Por, Steffin vuante nga tuberkulozi – një anë e errët e dijes së saj të madhe – dhe gjatë tërë dekadës Brechti pagoi për trajtimin e saj nëpër sanatoriumet e gjithë Evropës, sa herë që përkeqësohej shëndeti i saj. Ata kishin gjithashtu marrëdhënie intime dhe shkëmbyen letra dhe poezi pasionante, prekëse dhe epshore.

Brechti kishte nevojë për gra dhe numri i të dashurave dhe admiruesve rreth tij e dërrmonin Steffin. Ndaj, nis një poezi me fjalët: “Veç paramendo të gjitha gratë që ti/ i kishe në shtratin tënd…”! Ndërsa, në një letër shkruan për ëndrrat e saj, sesi e sheh me gra tjera e sesi zgjohet e shqetësuar. Megjithatë, “jam e tëra e jotja”, i shkruante Brechtit më 1934.

Poezitë e Brechtit ndaj saj janë prekëse dhe mbrojtëse, por gjithashtu eksplicite dhe seksuale. Në një poezi ai i numëron vendet ku kanë bërë dashuri: “Të eksituar nga pianot në manastir … / E hodhe çelësin nga ballkoni…/ Në atë hotel – në një dhomë, në të dy dhomat…”! Shënimi i saj lakonik për këtë poezi ishte: “E ke harruar kohën në veturë”.

Qëkur më 1933 Hitleri erdhi në pushtet në Gjermani, Brechti u detyrua të largohej dhe të kalonte 14 vitet e ardhshme në mërgim, duke udhëtuar nga një vend në tjetrin, e përfundimisht duke e lënë Evropën me tren – përmes Siberisë, drejt SHBA-së. Me vete e merr familjen e tij, gruan, dhe ndihmësit.

Edhe Steffin e la Gjermaninë. Më 1940 ata takohen në Helsinki, ku puna e tyre në të shkruar, përkthime dhe redaktime vazhdon, ndonëse ajo tashmë ishte shumë e sëmurë. Në maj 1941, Steffin u pranua në një sanatorium të Moskës. Brechti dhe familja e tij nga Moska udhëtuan për në lindje. Pak ditë më vonë e kupton se Steffin kishte vdekur. Atëherë shkroi:

Duke e kujtuar mësuesen time të vogël
Sytë e saj, zjarrin e kaltër të zemëruar
Dhe mantelin e veshur, me kapuç të madh
Dhe borduret e gjera që i kam quajtur,
Orioni në qiell, Konstelacioni i Steffinit.
Shikoj lart dhe sodis, e duke tundur kokën
Besoj se dëgjoj kollitjet e mekura.

“Rrëfimi për lidhjen e tyre është prekës, por që na çon në thelbin e temave të mëdha: shkrimi dhe politika, politika gjinore e moderniteti, antifashizmit dhe jeta individuale”, thotë përkthyesi nga gjermanishtja në anglisht, Tom Kuhn. Sipas tij, “Steffin ishte një nga dashuritë më të mëdha (dhe më tragjike) të jetës së Brechtit”. /KultPlus.com

Më i keqi analfabet është analfabeti politik

Bertolt Brecht

Më i keqi analfabet
është analfabeti politik.
Nuk dëgjon, nuk flet
në ngjarje politike pjesë nuk merr.
Ai nuk e di se çmimi i jetës
çmimi i fasuleve, i peshkut,
i miellit, i qirasë, i këpucëve
dhe barnave
nga vendime politike varen.
Analfabeti politik është aq kafshë,
sa shet edhe mend e fryhet si gjel
kur thotë “e urrej politikën”
Por është i trashë dhe nuk e di trapi,
se nga padija e tij politike
çfaqen kurvat, braktisja e të miturve,
grabitësit dhe më i keqi i të gjithë horrave,
që është politikani i pandershëm,
mashtrues dhe i korruptuar,
që lëpin këmbët e ndërmarrjeve kombëtare dhe atyre shumëkombëshe./KultPlus.com


Përktheu: Maksim Rakipaj

Analfabeti politik është kaq gomar, nuk e di hajvani se injoranca e tij politike lindë prostituta

Bertold Brecht

Analfabeti më i keq është analfabeti politik. Ai nuk dëgjon, nuk flet, nuk do t’ia dijë për ngjarjet politike. Ai nuk e di se kostoja e jetës, çmimi i fasuleve, i peshkut, i miellit, i qirasë, i këpucëve e i ilaçeve varen nga vendimet politike.

Analfabeti politik është kaq gomar sa krekoset dhe e fryn gjoksin duke thënë se e urren politikën.
Nuk e di hajvani se injoranca e tij politike lindë prostituta, fëmijë të lënë rrugëve, grabitës me thyerje, lindë më i keqi i të gjitha banditëve.../KultPlus.com