“Recital në piano” me François Dumont solli mbrëmë një lojë madhështore në ‘Chopin Piano Fest’

Era Berisha

I vendosur thellë në brendësinë e pianistit François Dumont, qëndronte besueshmëria e mrekullueshme që ai e posedonte në vetvete. Me një qëndrueshmëri në skenë, prezencë të pakrahasueshme dhe një pasion që i fliste vazhdimisht publikut, ai solli vepra jashtëzakonisht të vështira në realizim por aq të bukura në pamje, me ç’rast zotëroi jo vetëm çelësat bardh e zi para tij por të gjithë vëmendjen e gjithsecilit duke arritur një kulminacion nëpërmjet së cilës dukshëm dallohej fundi i çdo vepre mahnitëse, shkruan KultPlus.

Si në secilin koncert, hapësira në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare qëndronte e njëjtë. Me katër drita të ngrohta që vinin në pah punën e palodhshme të pianistit në skenë, dy reflektorë në ngjyrë vjollcë që shndrisnin mbi perdet bardh e zi të cilat portretizonin dizajnin e festivalit, dritën natyrale e cila vinte sipër nga dritarja e madhe rrethore mu në mes të vendit si dhe lulet e renditura poshtë në skenë, po krijohej një atmosferë e ngrohtë mes të pranishmëve që po prisnin me padurim shënimin e fillimit të këtij koncerti.

“Mirëserdhët në edicionin e dymbëdhjetë të Chopin Piano Fest. Ne jemi shumë të lumtur që në këtë mbrëmje po bashkëpunojmë me Ambasadën Franceze në Kosovë për të sjell një pianist të vërtetë të skenave botërore siç është pianisti Dumont i cili njëkohësisht është fitues i garave të Chopin”, thotë Luzha.

Ndërkaq, ambasadorja e Republikës së Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel po ashtu ka shprehur kënaqësinë e saj rreth këtij bashkëpunimi dhe e uroi festivalin për edicionin e 12-të.

Pas këtyre fjalimeve, në sallë mbizotëroi heshtja për të sjellë në skenë me duartrokitje të shumta pianistin i cili fiks në orën 20:20 lëshoi tingullin e parë të veprës së parë për këtë mbrëmje. Me një program tejet të pasur dhe të larmishme në renditje, pianisti Dumont solli veprat e kompozitorit të njohur Frédéric Chopin si: “Impromtu n.3 op.51”, “Impromptu n1. Op.29”, “Nocturne op.48 n.1”, “Ballade n.1 op.23”, “Nocturne op.9 n.2”, “Ballade n.3 op.47”. Ndërkaq, pjesa e dytë e mbrëmjes përfshiu veprat si: “Ballade n.2 op.38”, “Largo (Variation on Bellini’s Puritani, from Hexameron)”, “Fantaisie-impromptu”, “Impromptu n.2 op.36”, “Scherzo n.3 op.39”, “Mazurka op.63 n.2” dhe “Ballade n.4 op.52”.

Tash e katër net festivali ka sjell mbrëmje të cilat kanë lënë gjurmë në kujtesën e secilit por kësaj here ishte më ndryshe. Lëvizjet e tij precize në secilin moment dëshmuan për talentin e tij i cili shfaqej ëmbëlsisht në notat nga më të lehtat e deri ato më të rëndat. Por veçantia e tij qëndronte tek përzierja e qetësisë dhe ashpërsisë në një ndërlidhje të magjishme e cila solli tinguj dhe melodi që nuk u shqiteshin shpirtit të pranishëm.

Lëvizjet e gishtërinjve të tij herë në një rëndim të rëndomtë e herë vetëm në prekje tejet të lehta të çelësave, pozicionimi i këmbëve të tij varësisht veprës, vështrimet e tij që dukshëm tregonin për një dashuri që i dedikohej vetëm instrumentit të pianos, fuqia e tij pianistike që i portretizohej në mbylljen e syve dhe magjinë e interpretimit, shpalosën një dhunti që vështirë se e shohim shpesh. Përveç kësaj, performimi i tij përgjatë pothuajse dy orëve të veprave të vetëm një kompozitori, nuk solli aspak një monotoni. Përkundrazi, niveli i lartë artistik i tij herë frymonte në një melankoli dhe herë tjera sillte një frymë më të ashpër, por qetësia e interpretimit e tij arriti që këtë mbrëmje ta fuste në një strehë ku fluturonin tingujt në secilin cep. Sytë e të pranishmëve pothuajse po kapnin secilën notë të dhuruar dhe po i mbanin ato në mendje, e kjo vërehej dhe atëherë kur kokat e tyre lëviznin në një vijë me kokën e pianistit.

Në anën e djathtë e në anën e majtë, po kthehej koka e pianistit Dumont i cili vazhdonte interpretimin e tij të mahnitshëm të melodive nga më të butat ndonjëherë. Nuk ishte vetëm vendi ai i cili po hipnotizohej nga këto vepra që në një mënyrë brilante erdhën mbrëmë dhe vallëzuan me publikun i cili tash e sa kohë është i etur për koncerte klasike të këtij niveli. Ndërkaq, kur performanca e tij artistike  arrinte kulmin në fundin e çdo vepre, dora e tij e majtë qëndronte në ajër për ca çaste dhe ajo qetësi hyjnore nuk do të krahasohej me asnjë moment tjetër përgjatë mbrëmjes. Në anën tjetër, me dorën e djathtë të tij ai prekte gjithë çelësat bardh e zi në një rrjedhë të lehtë e që njëkohësisht shpalosi një teknikë tejet të bukur, përshtypjet e së cilës dalloheshin edhe në mesin e të pranishmëve.

Madhështia e lojës pianistike të pianistit mbrëmë po ndikonte tek çdo njeri i pranishëm. Shprehjet e fytyrave në publik tregonin për një entuziazëm të pashoq e kjo vinte pikërisht nga talenti i Dumont që ai e kishte përbrenda vetes. Një inspirim për shumë kë e një shembull për tu ndjekur, pianisti mbrëmë rrëmbeu zemrat e gjithsecilit duke i lënë kështu ata me momente që do të kujtohen për një kohë të gjatë dhe me një ëndje do të fshihen në katër muret e kujtesës sonë.

Tashmë ishte radha e publikut që të interpretojë një numër të madh të duartrokitjeve dhe fishkëllimave të cilat ndërlidheshin në një harmoni që e riktheu pianistin për të dytën herë në skenë. Ndërsa, falënderimet për të nuk munguan as edhe pas përfundimit të koncertit, me ç’rast ishin fotografitë dhe buzëqeshjet e shumta që zunë vend pas mbylljes së notave të fundit për këtë mbrëmje.

Pianisti François Dumont për KultPlus foli rreth emocioneve të tij pas një koncerti të tillë si dhe komunikimit me audiencën.

“Ishte diçka shumë e fortë për mua që isha këtu sonte sepse takova njerëz shumë të ndjeshëm dhe emocionalë që reagojnë ndaj muzikës. Festivali është i mrekullueshëm sepse tregon diversitetin e muzikës së Chopin dhe sigurisht është një festival jashtëzakonisht cilësor. Publiku këtu është shumë spontan dhe bujar në dëgjimin dhe vlerësimin e tyre, kështu që për mua si interpretues ishte shumë e bukur dhe një moment i këndshëm”, thotë Dumont.

Sipas tij, ai ndjeju një lidhje shumë të natyrshme, sepse me disa audienca kur ai luan, ndjehet pak një pengesë e vogël, por që këtu nuk kishte fare një barrierë e tillë.

Pianistja Zana Badivuku-Basha për KultPlus tha se pianisti ka arritur të realizojë vepra të një niveli shumë të lartë.

“Prej biografisë së këtij artisti, e pamë që ai zotëron një numër të madh të veprave të kompozitorëve të njohur. Sonte e patëm rastin të shohim një opus shumë të gjerë, duke përfshirë katër balada, mazurkat, nokturnat e famshme dhe ne ishim me të vërtetë shumë të pasionuar pas tingullit të tij, tingull ky që na ofrojë nuanca të ndryshme që nga më të lehtat e deri në kulminacione”, thotë Badivuku-Basha.

Sipas saj, pianisti me shumë lehtësi realizonte veprat e nivelit shumë të lartë si dhe veprat që ishin mjaft të vështira në teknikë, por që për veshin e dëgjuesit dalin si shumë të thjeshta.

Po ashtu për KultPlus pianistja Valbona Pula-Petrovci tregoi përshtypjet e saj rreth interpretimit të pianistit që sipas saj ishte i mrekullueshëm.

“Ishte një performancë vërtetë e mrekullueshme dhe mua po më vjen mirë që iu është mundësuar publikut ta dëgjojë një mbrëmje të tërë me veprat e Chopenit të cilat edhe dallohen për një sensibilitet të jashtëzakonshëm e mes tjerash më vjen mirë që ky është edicioni i dymbëdhjetë dhe që interesimi i publikut është i jashtëzakonshëm, gjë kjo që tregon se publiku është i etur për ngjarjet të tilla kulturore”, thotë Pula-Petrovci.

‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 11 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e pestë e këtij festivali vjen më datë 18 maj ku do të interpretojnë Arben Ramadani në piano dhe Armend Xhaferi në kitarë në një mbrëmje ‘Jazz & Improvisation’ në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Pianisti Martín García García hapi ‘Chopin Piano Fest’ me vepra dhe interpretim të nivelit botëror

Era Berisha

Edicionin e tij të 12-të, festivali ‘Chopin Piano Fest’ e nisi mbrëmë me interpretimin e pianistit nga Spanja, Martín García García, i cili nën tingujt romantik solli vepra që lanë gjurmë të dukshme në tërë historinë e rrugëtimit të festivalit. Me vepra të cilat në vete përmbanin vija melodike aq të pasura, gjallëria dhe shpejtësia e pakrahasueshme e pianistit do të ishin ato rrënjët e dalluara të talentit të tij që për tërë natën sollën tinguj të cilat lulëzonin midis dinamikës dhe ndjeshmërisë, me ç’rast emocioni që portretizohej pa shkujdesje në çdo moment, arriti të vulosë edhe kulminacionin e secilës kryevepër, shkruan KultPlus.

Për dallim nga edicioni i kaluar, Amfiteatri i ri i Bibliotekës Universitare ishte i mbushur cak më cak. Fytyra të shumta të të rinjve, atyre në moshë si dhe të fëmijëve po përshkonin tërë sallën e cila dukshëm kishte përdorur tërë hapësirën e mundshme. Me karrige të shtuara në numër, dy reflektorë në ngjyrë vjollcë që kanë qenë dëshmitar për punën e palodhshme të pianistit, dritave të ngrohta të vendosura gjithandej, dritës natyrale që vinte pingul nga qielli mbi kokën e të pranishmëve si dhe perdet në ngjyrë të zezë që portretizonin dizajnin e këtij edicioni të festivalit, kanë krijuar një atmosferë të ngrohtë që po rriste emancipimin e publikut i cili me padurim po priste të përjetonte një natë të mbushur me plot veçanti.

Hapjen e festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha artistike Lelja Pula e cila fillimisht tregoi për bashkëpunimin e parë me Zyrën e Bashkimit Evropian, pastaj shpalosi edhe një nga risitë më të veçanta të këtij edicioni.

“Sivjet e fillojmë festivalin me një ditë shumë të veçantë për të gjithë ne, në ditën e Evropës duke shënuar edhe për herën e parë bashkëpunimin tonë me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ndihemi të nderuar me ardhjen e pianistit virtuoz nga Spanja, Martín García García i cili është një nga fituesit e çmimit të garave të Chopeni-t në Varshavë në vitin 2021, një nga konkurset më të mëdha e më të rëndësishmet në botë. Njëkohësisht jemi të privilegjuar të jemi pjesë e projektit SYNERGY së bashku me pesë festivalet më të rëndësishme nga rajoni. Qëllimi kryesor i festivalit është prezantimi dhe kultivimi i vlerave të mirëfillta artistike muzikore por edhe vlerave të muzikës së vendit tonë”, thotë Pula.

Sipas saj, i gjithë programi koncertal që është përgatitur për publikun, ka për synim të paraqes çaste të paharruara të përjetimit artistik, ku përgjatë një muaji përmes 14 koncerteve shpalosen programet e larmishme të nivelit më të lartë artistik.

Drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha foli rreth kontributit që ky festival ka sjell përgjatë 12 viteve në një sallë e cila nuk është e duhur për këto koncerte.

“Rrugëtimi i gjatë prej 12 viteve ka qenë i mundur vetëm falë përkrahjes së shumë institucioneve dhe siç e dimë ne ende nuk e kemi një sallë koncertale. Por për këto vitet e fundit, për fat të mirë, kemi gjetur hapësirën që na ka ofruar Universiteti i Prishtinës, në një sallë e cila nuk është për koncerte por ne e kemi shndërruar në një të tillë. Përpos punës tonë akademike, mundohemi që edhe me këtë festival të ofrojmë një kontribut gjithë shoqërisë tonë dhe komunitetit artistik”, thotë Luzha.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti ka thënë se ky festival është një dritare lidhëse ndërmjet artit kosovar dhe veprave kulmore artistike ndërkombëtare.

“Ky festival këtë vit po organizohet për të dymbëdhjetën herë dhe mbajtja në jetë me sukses për një periudhë kaq të gjatë të kësaj ngjarjeje kulturore në këtë mënyrë dhe shndërrimi në një ngjarje tradicionale, paraqet në vetvete sukses të veçantë. Ky festival tradicionalisht ka sjell në vendin tonë, artistë të mirënjohur ndërkombëtarë nga mbarë bota, duke shërbyer kështu si një dritare ndërlidhëse ndërmjet artit kosovar dhe veprave kulmore artistike ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, Chopin Piano Fest ka mundësuar ndër vite që përveç prezantimit të veprave nga artistë ndërkombëtarë, përpara artdashësve të Kosovës, të ofrojë mundësi të përkryer edhe për artistë të rinj nga Kosova në mënyrë që ata të prezantohen me kontributet e tyre artistike para emrave të njohur ndërkombëtarë”, thotë Sahiti.

Sipas tij, për UP-në, ngjarjet si kjo sjellin freski në aktivitete të zakonshme akademike dhe po ashtu ndihmojnë në pasurimin e jetës kulturore për studentët dhe mësimdhënësit.

Tutje, ambasadori Tomáš Szunyog ka uruar ditën e Evropës dhe në të njëjtën kohë ka përgëzuar të pranishmit për këtë aktivitet.

“Është kënaqësi dhe privilegj që jam këtu në këtë mbrëmje për hapjen e këtij edicioni në Prishtinë. Sot ne festojmë Ditën e Evropës dhe jam shumë mirënjohës që ju na leni të shijojmë muzikën tuaj në këtë rast të veçantë. Jam i kënaqur që shoh një kulturë të tillë shkëmbimi. Në fund të fundit, muzika dhe kultura na lidh të gjithëve dhe kjo mbrëmje nuk do të jetë ndryshe nga ajo”, thotë Szunyog.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku e konsideroi këtë festival si njërin ndër më të rëndësishmit si dhe e cilësoi atë si një nga ngjarjet që ka kontribuar në futjen e Kosovës në hartën botërore.

“Besoj që nuk ka mënyrë më të mirë për të shënuar një ditë kaq të rëndësishme për shtetin tonë dhe për të treguar ambiciet tona evropiane sesa me një koncert pianistik, me rastin e hapjes ‘Chopin Piano Fest Prishtina’. Është një nga festivalet më të rëndësishme në vendin tonë dhe një nga ngjarjet që ka ndikuar e kontribuar që Kosova të futet në hartën jo vetëm evropiane por edhe botërore. Unë vetëm dua të shpreh mirënjohjen time të thellë personale dhe institucionale për profesoreshën Lejla, Besa dhe të tjerët. Andaj, do të doja të ju ftoja që me një duartrokitje ta shprehim mirënjohjen tonë për punën kolosale që kanë bërë sepse ky organizim nuk është më vetëm një festival por është një histori”, thotë Çeku.

Pas këtyre fjalimeve, në sallë mbizotëroi heshtja për të sjellë në skenë fillimisht një vepër e cila vuri në shënjim solidarizimin me Ukrainën me një mesazh për paqe, dashuri dhe mirësi në mes njerëzish.

Martín García García, pianisti nga Spanja me veprat e kompozitorit të njohur J.S.Bach të titulluara “Prelude and Fugue g-mol BWW, Book II”, “Prelude and Fugue C-dur BWW, Book I” dhe “Prelude and Fugue D-dur BWW, Book I”, solli një fillim që lehtazi kaploi të pranishmit në befasi me përqendrimin preciz të tij. Skena u shndërrua në trupin e tij të dytë dhe hija e atij trupi krijoi një çati mbi të pranishmit të cilët ishin dëshmitarë për ritmin dinamik, kërcimet trupore të tij si dhe ato të kokës me ç’rast kaçurrelat e tij kërcenin në një hap me meloditë që pa ndalur krijuan një atmosferë magjike.

Lëvizjet e tij të gishtërinjve, pozicionimi i trupit herë afër çelësave bardh e zi e herë sa më larg tyre, fuqia ndëshkuese kundrejt çelësave dhe tasteve, vështrimet e tij drejt instrumentit gjigand para tij si dhe djersët që i rrëshqitnin nga vetullat, shpalosën efikasitetin e këtij pianisti i cili me talentin e tij mbrëmë e strehoi një numër të madh njerëzish, trupat e të cilëve ishin kthyer në statuja muzesh teksa sytë e tyre fluturonin në drejtim të skenës. Ndërsa veshët e të pranishmëve përjetonin melodi e tinguj që jehonin përbrenda shpirtit të njeriut, pianisti vazhdonte të interpretonte me një butësi e cila dallohej në fytyrën e tij.

Pianisti García García përgjatë dy orëve interpretimi të veprave të njohura të kompozitorëve botërorë si: Johann Sebastian Bach, Frédéric Chopin dhe Franz Liszt, shpalosi një program i cili tregoi për nivelin e tij të lartë artistik. Herë në frymë romantike e herë në atë më të ashpër, në çdo moment, ai pushtoi vendin me lojën e tij pianistike. Vetëm një piano mjaftoi që shprehjet e tij të fytyrës të ndërronin nga sekonda në sekondë për të sjell kështu tinguj që hapnin krahët në drejtimin e publikut dhe vallëzonin me dashurinë që shihej në sytë e tyre për interpretimin e momentit. Ndërkaq, lidhja e veçantë e pianistit me pianon e zezë u vërejt edhe në komunikimin e tij artistik me të pranishmit të cilët kishin ngulitur vëmendjen e tyre drejt skenës. Performanca e tij plot fuqi ripushtonte vetveten në secilën herë që meloditë ndërronin kahje, tingujt rëndoheshin dhe zemrat fillonin të rrihnin më shpejt.

Madhështia unike e interpretimit pianistik, mjeshtëria e atij që e zoton skenën, ndërlidhja e një emocioni me tingullin, lëvizjet në kërcim me notën, pasioni i vizatuar në shprehjet e fytyrës, puna e palodhshme pa një partiturë para, lënia e shpirtit përballë botës melodike, ishin këto vetëm disa nga pjesët kyçe që publiku ka arritur të përjetojë. Njeriu i pranishëm tërhiqej vazhdimisht nëpër skutat magjike të lojës interpretuese të pianistit i cili mbrëmë i derdhi ato me një lehtësi të paparë.

Ndërkaq, ishin duartrokitjet e shumta e të panumërueshme, ato të cilat po ashtu u futën nëpër heshtjet e shumta në sallë. Në çdo mesin e një vepre, duartrokitjet pëlcitnin papritmas dhe ishin pikërisht heshtjet precize brenda veprës ato që u mbushën me falënderimet nga ana e publikut që i shpërfaqën në një mënyrë tejet të ëmbël. Si një pjesë e një enigme, edhe publiku u shndërrua në copëzën e fundit, për të kompletuar kështu një natë e cila përherë do të mbetet unike në llojin e vetë.

Pas gjithë kësaj performance të mrekullueshme të tij, brohoritjet mbizotëruan vendin. Ato nuk po pushonin interpretimin e tyre duke vazhduar me minuta të shumtë dhe si një falënderim i mëtejshëm, ishte kthimi i pianistit për të dytën herë në sallë për të sjell edhe copëza tjera artistike.

Misteri i magjisë pianistike do të jetë ai që do e përndjek piansitin Martín García García nëpër çdo vend që ai shkel. Ndërsa, mrekullia që ai solli mbrëmë në festivalin ‘Chopin Piano Fest’ do mbetet për ne një mister i paharrueshëm dhe gjurmët e tij do të mbesin brenda katër mureve të shpirtit artdashës.

Pianisti Martín García García për KultPlus foli rreth emocioneve të tij pas një koncerti të tillë.

“Ndihem shumë mirë sepse nuk e prisja një reagim kaq pozitiv dhe ndjeva një pritje shumë të ngrohtë. Ata iu përgjigjën aq mirë gjithçkaje që i dhashë audiencës, kështu që jam shumë mirënjohës që më patën sonte këtu. Kosova është një vend shumë interesant në botë. Sa herë që vizitoj një vend të ri, më vijnë disa ide dhe këtë herë është shumë interesante, sepse ndihem sikur ky vend meriton shumë më tepër nga koha ime”, thotë García García.

Sipas tij, ai pranoi ofertën e drejtoreshës së festivalit për arsye se ndjeu një intuitë tejet të bukur.

Po ashtu, për të treguar më shumë rreth përzgjedhjes së këtij artisti për këtë natë, për KultPlus foli drejtoresha artistike Lelja Pula.

“Unë këtë pianist e kam dëgjuar në muajin tetor kur isha prezente në një festival dhe ai ishte në raundin e tretë dhe në fund ai e fitoi praktikisht çmimin e dytë të atij festivali por për mua personalisht ai ishte më i miri dhe mua më pëlqej jashtëzakonisht shumë performanca e tij. Isha e mahnitur dhe e kontaktova menjëherë dhe ai pa asnjë hezitim e pa asnjë pyetje, me shumë dëshirë ka ardhur këtu”, thotë Pula.

Sipas saj, kjo sallë ndonëse nuk është më e duhura, së paku ka një akustikë të mirëfilltë që është shumë e rëndësishme për një koncert të tillë.

“Kemi 14 koncerte brenda kornizës një mujore, me programe të ndryshme dhe risinë me një mbrëmje të improvizimit ‘jazz’ me Arben Ramadanin dhe Arben Xhaferin, e kjo do të jetë padyshim shumë interesante. Pastaj do të kemi më shumë duo, trio, instrumente nga më të ndryshmet, pastaj një Kuintet nga Katanja. Besoj që shija e secilit do të ketë vend në këtë edicion”, përfundon ajo.

Gjithashtu, pianistja Alberta Troni për KultPlus tregoi përshtypjet e saj rreth natës së parë në festivalin ‘Chopin Piano Fest’.

“Shpresoj që publiku është ndarë shumë i kënaqur pasi që pianisti është duartrokit shumë gjatë dhe është kthyer shumë gjatë duke u kthyer dy herë për të luajtur përsëri. Jemi shumë të gëzuar që filluam me një vullnet të bukur këtë edicion dhe faktikisht përzgjedhja e këtij pianisti ishte tejet e bukur, i cili ka fituar garën e Chopen-it në Varshavë. Relativisht i ri por ai është një pianist virtuoz që koncerton nëpër të gjitha vendet e botës. Ajo që më pëlqeu ishte që filluam me një pianist shumë të njohur dhe publiku ishte shumë i entuziazmuar”, thotë Troni.

‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 13 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e dytë e këtij festivali vjen më datë 12 maj ku do të interpretojë Bernardo Brizani dhe Misbah Kacamaku në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com

‘Sinergy’, projekti që bashkon festivalet më të mëdha të muzikës nga Ballkani Perëndimor

Projekti ”Sinergy” Ndërtimi i kapaciteteve të industrisë së muzikës klasike në Ballkanin Perëndimor, mbështetur nga programi Creative Europe i Komisionit Evropian, në tre vitet e ardhshme do të mbledhë festivalet më të rëndësishme të muzikës artistike me qëllim të mprehjes së aftësive dhe rritjes së kapacitetit të industrisë së muzikës klasike në këtë pjesë të Evropës.

Ditët e Muzikës Malazeze të KotorArt Don Branko si drejtues i projektit, së bashku me Festivalet e Qendrës së Beogradit (BELEF dhe BEMUS), Festivalin Veror të Dubrovnikut, Festivalin e Lubjanës, Vox Baroque nga Shqipëria dhe Kosovo Chopin Association nga Kosova do të krijojnë mundësi të reja për kompozitorët dhe muzikantët për të lansuar punën e tyre përtej kufinjve te vendeve ku keto festivale organizohen.

“Ne jemi të nderuar dhe ndjehemi të privilegjuar që Kosovo Chopin Association dhe Chopin PianoFEST Prishtina janë pjesë e projektit të përbashkët Evropian #SYNERGY së bashku me të gjithë festivalet më të spikatura në rajon. Ju përshëndes të gjithëve dhe shpreh kënaqësinë time të madhe që do të ndajmë këtë rrugëtim dhe bashkëpunim që shpresojmë ta zhvillojmë me kalimin e viteve. Ne jemi mirënjohës për besimin e dhënë. Edicioni i 11-të i festivalit Chopin PianoFEST po zhvillohet aktualisht në Prishtinë me dhjetëra artistë nga e gjithë bota. Duke njohur dhe respektuar njëri-tjetrin përmes muzikës dhe qëllimeve të përbashkëta, jam e bindur që ne do të krijojmë marrëdhënie afatgjata bashkëpunimi dhe mirëkuptimi”, ka thene kryetarja e Shoqates KOsovare Chopin, Prof. Lejla Pula ne deklaraten e saj te derguar me shkrim per te pershendetur partneret.

Qasja e projektit përfshin metoda të ndryshme të ndërtimit të kapaciteteve, forcimin e bashkëpunimit dhe ndarjen e njohurive në nivelin rajonal dhe evropian. #SYNERGY do të bashkojë 12 kompozitorë, mbi 50 muzikantë dhe menaxherë të rinj në kulturë, do të organizojë 6 seminare për profesionistët e kulturës dhe 12 rezidenca për kompozitorët e rinj.

“Ne jemi të kënaqur që Komisioni Evropian ka njohur rëndësinë e iniciativës së Ditëve të Muzikës së Don Branko për të forcuar bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar dhe në të njëjtën kohë të paraqesë trashëgiminë lokale dhe artistët dhe kështu të kontribuojë në zhvillimin e skenës muzikore artistike në këtë pjesë të Evropës. Si drejtues të këtij projekti tre-vjeçar të bashkëpunimit Evropian, ne i mirëpresim të gjithë pjesëmarrësit, i cili do të sjellë së bashku muzikantë nga kultura të ndryshme, inkurajon komunikimin dhe shkëmbimin artistik, dhe kështu krijon një lidhje më të madhe dhe më të fortë midis njerëzve’, tha themeluesi dhe drejtori i KotorArt – Ditët e Muzikës së Don Brankos, Ratimir Martinoviç.

Kurse menaxherja e Festivalit Besa Luzha e cila mori pjese ne lansimin zyrtar te projektit ne qytetin e Kotorrit, qytet ne te cilin organizata udheheqese e projektit shenon 20 vjetorin e Festivalit Kotor Art, theksoi se ne Kosove, pas luftes, festivalet e muzikes te organizuara ne Kosove, kane deshmuar potencialin krijues, performues muzikor ne Kosove, potencial ky i cili tashme eshte i njohur nderkombetarisht, dhe ChopinPianoFEST Prishtina eshte i nderuar qe eshte pjese e ketij bashkepunimi krahas festivaleve te rendesishme te rajonit, disa prej te cilave shenojne 70 vjet te ekzistimit, dhe se e sheh kete mundesi te mire te shkembimit te pervojave, artisteve dhe projekteve kulturore.

Pjesa e parë e aktiviteteve, Muzika Klasike: Pas skenës, përbëhet nga punëtori me analiza gjithëpërfshirëse të prodhimit të muzikës klasike, dhe fund do të kompilohet Libri Udhëzues i prodhimit të muzikës Klasike, i cili do të shpërndahet dhe promovohet në të gjithë rajonin dhe Evropën. Muzika Klasike: Si Bëhet, është një grup aktivitetesh me rezidencë për kompozitorët në të gjitha vendet e projektit. Më në fund, brenda aktiviteteve të quajtura Muzikë Klasike: Në skenë, veprat e reja do të promovohen dhe interpretohen në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor nga muzikantë të shumtë në zhvillim.

Si finale e madhe e projektit, një turne në festival është planifikuar të paraqesë kompozitorë, kompozime të reja dhe muzikantë të rinj gjatë festivaleve verore në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Për më shumë informacione për projektin #SYNERGY, ju lutemi kontaktoni organizatat partnere të projektit nga vendi perkates ose vizitoni faqen e internetit të projektit. / KultPlus.com

Pianistja Tutu Aydınoğlu, me kryevepra virtuoze bëri hapjen e Chopin Piano Fest

Era Berisha

Edicionin e tij 11-të, festivali Chopin Piano Fest e nisi mbrëmë me një interpretim nga pianistja turke Tutu Aydınoglu, e cila solli për publikun vepra që nuk janë luajtur më herët. Këto vepra ngërthyen në vete një gjallërim të elegancës pianistike dhe ekuilibrit performues ku larmia dhe kontrastet e shumta brenda pjesëve të luajtura shpalosën një dinamikë dhe timbër të ngjyrosur në melodi e tinguj, të cilat janë shkrirë tërësisht në kryeveprën e ndjenjave që tempon e tyre nuk arrinin ta definonin për asnjë sekondë të vetme, shkruan KultPlus.

Ajo se çka dallohej në hyrje të Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare, ishin fytyrat e shumta e të rinjve të cilët prisnin me padurim daljen në skenë të pianistes së njohur turke, Tutu Aydınoglu. E ky padurim që ndërlidhej ëmbëlsisht me inkuadrimin e reflektorëve me ngjyrë të vjollcë që njëkohësisht portretizonin ngjyrën e dizajnit së fletushkave të këtij festivali, dritave të ngrohta të vendosura gjithandej dhe drita natyrale e cila vinte pingul nga qielli mbi kokën tonë si një ndërhyrje rasti, e rritnin emancipimin e të pranishmëve në nivel më të lartë, duke luajtur kështu me fluturat që tashmë kishin nisur një interpretim të veçantë në stomakun tonë.

Hapjen e festivalit Chopin Piano Fest e nisi drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha dhe drejtoresha artistike Lelja Pula, të cilat janë shprehur se ndjehen mjaft të lumtura që pavarësisht sfidave të shumta, mbrëmë nisi një rrugëtim i gjatë një mujor. Ato kryesisht u shprehen falënderuese ndaj të pranishmëve duke i uruar atyre një natë të këndshme.

Pas këtyre fjalimeve, në sallë mbizotëroi heshtja për 2 minuta, për të sjellë në skenë pianisten e njohur Tutu Aydınoglu. Interpretimi i veprës ‘Sonata no 2 OP.23’ nga F.Chopin, solli një fillim që nuk la vend e as kohë për një parashikim se si do të përfundonte. Lëvizjet e mprehta të gishtërinjve, fuqia dhe përqendrimi preciz që ajo posedonte, ritmi dinamik i trupit të saj që shndërrohej në një ekzistencë të vetme dhe kërcimet e lehta të tërë qenies së saj që vinin papritmas dhe pa menduar, krijuan përshtypjen se pianistja dhe kjo vepër ishin në një kozmos unik të vetmuar ku meloditë e vrazhda e të rënduara ndëshkonin atmosferën me një hungërimë që dëgjohej nga performimi i saj.

Këto emocione herë luhatnin në një frymë të tragjedisë duke na rikujtuar kështu instinktin primal për të dëgjuar këto vepra, e herë në një frymë melankolike që përçonte ndjenja të ta pakrahasueshme për çdo kë që e çmon instrumentin bardh e zi. Pianistja mbrëmë dhuroi një performancë frymëzuese me vështrimin e saj, luhatjet e tërë trupit, qetësinë filluese që mashtronte publikun, shtypjen e petaleve me këmbë me një pasion që vështirë gjendet sot, ajo ende vazhdonte të sillte tingujt duke rrëmbyer vëmendjen e fijeve të zemrës së njeriut me një shpejtësi e cila depërtonte vrullshëm në damarin e dorezës të shpirtit tonë.

Aydınoglu përgjatë një orë interpretimi të veprave të njohura të kompozitorëve botërorë si: Frédéric Chopin dhe Franz Liszt, shpalosi një talent të rrallë jo vetëm me interpretimin nga dy duar por edhe njërës, duke krijuar kështu një muzikë që rrotullohej në vorbullën e prekjeve të çelësave bardh e zi, të cilat përjetuan një gërshetim të prekjeve të lehta dhe të çmendura, aty ku pothuajse gishtërinjtë puthnin çelësin me një butësi të tërbuar dhe aty ku gishtërinjtë ndëshkonin çelësat në një eufori ngjyrimi, për të përfunduar kështu në një ekstazë të papërmbajtur melodish.

Madhështia dhe bukuria unike e mjeshtërisë së interpretimit pianistik do të mbetet gjithmonë njëra ndër mrekullitë e botës. Kjo mrekulli më së miri përjetohet edhe atëherë kur dëgjuesi mbyll sytë dhe futet në botën e errësirës duke u përhumbur pas melodive dhe tingujve të cilat gjendjen shpirtërore të njeriut e tërheqin pas vetes sikur një magnet i inatosur që vendos të të shqetësoj me talentin që rrjedhshëm shkrihet tërësisht nga personi që performon.

Po njëlloj, ishte edhe pianistja që mbrëmë solli një magji të vërtetë me interpretimin e saj që ngjasonte me atë të Lee Ru-ma, i njohur me emrin ‘Yiruma’, duke kapur vëmendjen e të pranishmëve me performimin e linjave melodike që buronin vazhdimisht e sidomos nga vepra ‘Le festin d’Ésope (Aesop’s Feast), Op. 39 No. 12’, që shënoi fundin e kësaj nate duke lënë pas momente të bukura të cilat do të na përcjellin si një hije që asnjëherë nuk të lë të harrosh ekzistencën e saj.

Pas gjithë kësaj performance të mrekullueshme të pianistes, duartrokitjet e brohoritjet kishin zënë vendin e tingujve. Ato nuk po pushonin interpretimin e tyre duke vazhduar me minuta të shumtë, intepretim ky më se i duhur e i domosdoshëm për talentin e rrallë që Aydınoglu zgjodhi ta sjell tek ne.

Pianistja turke Tutu Aydınoglu, për KultPlus foli rreth natës së mbrëmshme që ishte frymëzuese për shumë kë.

“Ky është koncerti im i parë pas pandemisë dhe ndjehem shumë e lumtur sepse njëkohësisht është edhe recitali im i parë pas një muaj e gjysmë me situatën pandemike. Wshtë e mrekullueshme për ti ndjerë njerëzit në skenë”, thotë Aydınoglu.

Sipas saj, ky është qëndrimi i dytë i saj në Prishtinë dhe ajo po ndjehet shumë e lumtur sepse performimi në skenë është një ndjenjë e mrekullueshme, e pikërisht kur kalohet nga koncerti online në atë fizik.

“Është diçka spektakolare. Je duke luajtur dhe përnjëherë të vjen instikti. Pastaj ka duartrokitje dhe kjo është shumë e rëndësishme për një artist sepse është një lumturi shumë e madhe”, përfundon Aydınoglu për KultPlus.

Ndërsa, drejtoresha artistike, Lejla Pula tregoi se ajo është shumë e lumtur që pak a shumë janë kthyer në ndjenjën e normalitetit.

“Akti i interpretimit është vërtetë diçka unike sepse në artin interpretativ të muzikës, pa interaksion mes interpretuesit dhe dëgjuesve, nuk mund të ringjallet ajo çka shkruhet në një vepër muzikore”, thotë Pula.

Ajo tutje ka falënderuar pianisten që solli një program ku pjesa e dytë u interpretua për herë të parë.

“Tutu është një pianiste e mrekullueshme nga Turqia që erdhi me një program ku pjesa e dytë është interpretuar për herë të parë. Janë vepra shumë interesante të cilat interpretohen shumë rrallë dhe nuk dëgjohen shpesh në Prishtinë duke sjell kështu një virtuozitet të lartë pianistik dhe instrumental”, thotë Pula.

Sipas saj, pianistja ka pasur shumë dëshirë që të performojë dhe tashmë pas 2 vite pritje, ajo erdhi duke realizuar një koncert të mrekullueshëm dhe prandaj Pula ndjehet mirënjohëse ndaj saj dhe bashkëpunimit me Ambasadën Turke dhe Ministrinë e Kulturës.

“Shpresoj që të gjitha mbrëmjet do të shkojnë mbarë. Kurse, sonte vepra që më la përshtypje më së shumti ishte Sonata e Chopen e cila është vërtetë një kryevepër por interesante për mua ishte edhe vepra e Alkanit që ishte një zbulim për publikun tonë dhe bravo për pianisten që solli veprën me një virtuozitet të spikatur”, përfundon Pula për KultPlus.

Gjithashtu, i pranishëm në këtë mbrëmje ishte edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha i cili për KultPlus foli rreth kësaj nate, të cilën ai e cilësoi si tejet interesante.

“Është shumë interesant për të përshkruar këtë natë. Gjatë natës i mbylla sytë dhe performanca e pianistes në njëfarë mënyre më morri me vete dhe sapo isha lart e dalloja vetën se isha poshtë. Performanca e saj ishte tepër ritmike dhe shumë e shpejt”, thotë Berisha.

Sipas tij, brenda performancës ekzistonte një tragjedi që ndoshta portretizoi mllefin e muzikantëve nga mos performimi në skenë në vitin paraprak, andaj edhe është shprehur përmes kësaj performance.

“Përveç performancës së pianistes, më la përshtypje mikpritja e publikut sepse u dallua edhe gjatë pauzave por edhe në fund se sa performanca është pëlqyer. Sidomos, duartrokitjet e pa ndalura në fund për 2 minuta, ishte diçka që tregoi shumë që njerëzve i mungojnë performancat e tilla artistike”, përfundon Berisha për KultPlus.

Chopin Piano Fest gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 15 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e dytë e këtij festivali, vjen më datë 07 qershor ku do të interpretojë pianisti austriak Stephan Möller në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com

Edicioni i 11-të i Chopin Piano Fest vjen me risi, Luzha: Rikthimi në skenë është një rikthim në normalitet

 Era Berisha

Madhështia dhe bukuria unike e mjeshtërisë së interpretimit pianistik ku dëgjuesi mbyllet brenda botës së melodive dhe tingujve që frymojnë nga një instrument bardh e zi e që gjallërohen në një eufori ngjyrimi që përfundojnë në një ekstazë magjepsjeje, kësaj radhe vjen në formën e 16 koncerteve nga 11 artistë të shquar, mbi 20 studentë dhe 50 nxënës të shkollës së muzikës që do të performojnë në edicionin e 11-të të Chopin Piano Fest që nis nga data 31 maj deri më 30 qershor, shkruan KultPlus.

Festivali Chopin Piano, një festival i muzikës klasike, këtë vit rikthehet fuqishëm me një risi në aspektin e repertorit ku do të zhvillohen koncerte recitale me 9 pianistë të shquar si: Tutu Aydinouglu nga Turqia, Stefan Moller nga Austria, Georgy Kovac nga Hungaria, Jerome Granjon nga Franca, Dino Imeri nga Maqedonia, Gabriele Carcano nga Italia si dhe Zoya Shuhatovic nga ShBA. Po ashtu, do të mbahet edhe një koncert kamertal me këndim dhe piano ku performojnë së bashku artistët nga Shqipëria si: Marjana Lekaj dhe Armaldo Kllogjer në bashkëpunim me pianisten Lejla Pula.

Gjithashtu, këtë herë mendohet të ketë më shumë hapësirë për pianistët e rinj, nxënësit dhe studentët ku është rezervuar një revy e talenteve të rinj nga 8 shkolla publike të muzikës në të gjithë Kosovën dhe 4 mbrëmje koncertale për studentët e Fakultetit të Arteve. Ndërsa, është bërë e ditur se do të mbahet edhe gara për çmimin Chopin Piano FEST në bashkëpunim me pianisten Ardita Statovci si dhe nuk do të mungojnë as masterklase me studentë.

Ndërsa, risitë programore mendohen të jenë: një mbrëmje e titulluar ”In Honour of Beethoven” me 8 pjesëmarrës vetëm me vepra të Beethoven, pastaj mbrëmja e muzikës romantike të studentëve me rreth 20 pjesëmarrës. Po ashtu, gjithsej 41-42 solistë të rinj që do të performojnë në ‘Skenën Juvenis’ dhe në ‘Mbrëmjen e Solistëve’, me ç’rast do të sjellin risi në program ku do të interpretohen komplet 24 preludet dhe fugat e Bach-ut ose 24 preludet e Chopin-it. Këtë vit, është menduar që para publikut të shfaqet edhe përmbledhja e veprave pianistike të krijuara nga kompozitorët e rinj kosovarë të cilët do të promovohen edhe në botë përmes marrëveshjes dhe bashkëpunimit me mysafirët e festivalit që do të kenë rast ta marrin si dhuratë botimin me veprat pianistike.

Përpos shpalosjes së programit të këtij festivali, në një intervistë për KultPlus, drejtoresha e festivalit, Besa Luzha ka folur edhe rreth ndikimit të pandemisë për shtyrjen e edicionit të 11-të të festivalit që ishte i planifikuar në prill të vitit 2020 si dhe përjetimit të këtyre ndryshimeve.

“Ne kishim bërë të gjitha përgatitjet dhe prej kohës kur edhe në Kosovë u vunë masat anti-Covid dhe u ndaluan lëvizjet gjithandej nëpër botë, ne e pamë se do të jetë e pamundur të zbatohet ky plan. Prandaj në prill, ne zhvilluam një prezantim virtual të artistëve sipas programit që kishim përgatitur dhe në datat e caktuara prezantonim biografinë e artistit pjesëmarrës dhe interpretimet e tyre nga video që ata na dërguan ose që mund të gjendeshin në YouTube”, thotë Luzha.

Sipas saj, pastaj është formuar plani tjetër për ta mbajtur festivalin në nëntor të vitit 2020 por që pak para fillimit të realizimit, përcaktimit të datave dhe aranzhimit të udhëtimeve së artistëve, gjendja në Kosovë u përkeqësua përsëri dhe masat u shtrënguan. Prandaj, është parë e arsyeshme që të shtyhet përsëri sepse nuk kanë dëshiruar që festivali të mbahet në mënyrë virtuale sepse ideja e koncertimit live para audiencës është kryesorja në këtë festival.

Ndërsa, se si erdhi përfundimi në zgjedhjen e datave për këtë edicion i cili fillon me 27 maj, Luzha për KultPlus tha se në muajin shkurt dhe mars kur gjendja ishte e rënduar, ata filluan përgatitjet për të realizuar programin në muajin prill-maj e deri në qershor.

“Në bisedë me artistët, të cilët në vende të ndryshme janë subjekt i vaksinimit, për të vazhduar karrierën e tyre koncertuese, ne arritëm të ri-organizojmë datat me të gjithë artistët. Pra, është dashur që të bisedojmë me secilin artist për datat e reja dhe pothuajse të gjithë preferonin qershorin si mundësi më reale”, thotë Luzha.

Për Luzhën, problemi më i madh është evituar me shtyrjen, sepse në pamundësi për të udhëtuar është dashur të anulohen të gjitha biletat, por për fat ka pasur mirëkuptim nga agjensionet për këtë pjesë.

“Riaranzhimi i datave me artistët ka qenë sfidë në vete, duke i shikuar masat në çdo shtet para dhe pas udhëtimit. Shumica e artistëve në vendet e tyre kanë marrë vaksinën dhe janë të lirë të udhëtojnë, por disa prej tyre brengosen nëse pas kthimit nga Kosova duhet të qëndrojnë në karantinë.”

Por, tani Luzha shpreson se gjithçka do të shkojë sipas planit dhe artistët do të jenë në Kosovë për të performuar live para audiencës tanimë të etur për ngjarje të tilla kulturore. Ndërkohë, sipas saj, barrën më të madhe të kësaj pjese të organizimit e ka bartur Presidentja dhe Drejtoresha artistike e festivalit Lejla Pula, e cila ka qenë vazhdimisht në kontakt me artistët për të aranzhuar dhe riaranzhuar datat dhe programin e koncerteve.

Krejt në fund, Luzha për KultPlus ka shpalosur edhe pritshmëritë e saj për këtë edicion.

“Ne jemi shumë të emocionuar që po i rikthehemi normalitetit dhe mundësisë së performimit live, por edhe të kujdesshëm për shkak të rrethanave të pandemisë. Presim që mungesa e koncerteve në vitin e kaluar do të arrihet të kompensohet me koncertet e organizuara tash dhe audienca do të shijojë kryeveprat e repertorit pianistik botëror të interpretuara nga pianistë të shquar të skenave botërore”, përfundon Luzha.

Ajo tutje ka potencuar se rikthimi në skenë shihet në një mënyrë simbolike edhe një rikthim në normalitet pas një periudhe të gjatë e të vështirë për të gjithë njerëzit në botë, e posaçërisht për performuesit të cilët jetojnë për muzikimin në skenë.

Chopin Piano Fest Prishtina do të mbahet fizikisht në sallën e Amfiteatrit të ri të Bibliotekës Universitare në ndërtesën e ish –Institutit të Historisë. Koncertet do të fillojnë në orën 19:00 përveç koncertit të nxënësve që do të mbahet paradite. Gjithashtu, do të vendoset një sistem rezervimi të vendeve me kohë, meqë ulëset janë të limituara. 

Kurse, për të interesuarit që nuk do të arrijnë të jenë prezent në sallë, ata mund ta shohin koncertin përmes livestream, pasi që të merret edhe aprovimi nga secili performues. / KultPlus.com

Copëza ditari 22-24 mars 1999: Babi na qetësonte me fjalë e mami thërriste të afërmit për t’i pyetur a janë mirë

Profesoresha e muzikës dhe aktivistja Besa Luzha, sot në 22 vjetorin e bombardimeve të NATO-a kundër forcave serbe, ka ndarë me publiku një pjesë nga ditari i saj nga ajo kohë bashkë me një fotografi që e shpërfaq frikën e madhe që po përjetonin njerëzit, përcjellë KultPlus.

Luzha shpalos frikën që i kishte kapluar në atë kohë dhe shpresën për jetesë.

Më poshtë po ju sjellim të plotë postimin që Besa e ka ndarë me ndjekësit e saj në facebook:

Më 22-23 mars 1999, sapo isha kthyer nga një vizitë studimore në Universitetin e Muzikës dhe të Artit Dramatik në Graz, si pjesë e delegacionit nga Fakulteti i Arteve-Dega e Artit Muzikor, UP, të udhëhequr nga Profesoresha Lejla Pula.

Miqtë tanë në Graz, çuditeshin, si disa nga ne mu një ditë para ditës së paralajmëruar ne donim të ktheheshim në Kosovë.

Unë kisha Blendën, vajzën 4 vjeçare që e kisha lënë në shtëpi. As që mendoja ndonjë opsion tjetër.

Më 24 Mars 1 gjatë ditës, mbajta mësim piano me nxënësen time Dea Gashin, në shtëpinë e familjes së Mesut dhe Diana Gashit.

Pas orës së pianos, në oborr bashkëbiseduam, uruam Mesutin për ditëlindje, dhe duke pirë kafe shqyrtonim opsionet, të rrimë në shtëpitë tona apo të ikim, të largohemi. Unë, sapo isha kthyer, e familja Gashi kishte mendimin që nuk kemi ku të shkojmë e si ti lëmë shtëpitë tona.

U ndamë me dëshirën që të vazhdojmë orët e pianos me Dean. Ajo më përqafoi, ashtu si edhe dy motrat e saj dhe Trimi i vogël 3 vjeçar që më donte shumë si mësuese që isha.

Me Blendën shkuam te shtëpia e gjyshit Isak, në Aktash.

Në shtëpi, kishin filluar përgatitjet për tu mbrojtur nga ajo që pritej të ndodhë atë mbrëmje.

Ne nuk e dinim si do të bëhet bombardimi edhe pse të gjithë shpresonim dhe e kërkonim aq shumë këtë veprim nga Nato.

Krejt çka kishim dëgjuar e dinim ishin përvojat nga bombardimi i Sarajevës. Mbyllja e xhamave me batanije, përgatitja e pakove me ushqim rezervë dhe çantat e udhëtimit për secilin në rast ikje me gjërat më të nevojshme dhe nga pak para e numra telefonash të të afërmeve. Si nënë e re, preokupimin kryesor e kisha si të mbroj fëmijën tim.

Pak para orës 19.00 motra ime Bardha thirri në telefon, ajo nuk ishte në Kosovë dhe me ngashërim na porositi të kemi kujdes sepse, siç tha ajo, aeroplanët e NATO-s u nisën nga baza në Itali.

Ndërkohë unë po i shikoja vetë në TV, aeroplanët duke u nisur, në Euro Neës

“E di motër”-i thashë. “Po i shoh në TV”.

U përshëndetëm me dëshirën që gjithçka të përfundojë mirë dhe të shpëtojmë e te bashkohemi.

Instinktivisht me të ndërprerë bisedën, veprimin e parë që bëra, e futa vajzën në një skutë në mes divanit dhe stufës dhe e mbulova me batanije.

Filluan sulmet. Një ndjenjë e çuditshme e përzier gëzimi, frikë, pasigurie. Të gjitha përnjëherë.

Pranvera, motra më e re, se di ku e gjeti idenë dhe mori aparatin e në ato çaste veç fotografonte.

Babi na qetësonte me fjalë e mami thirrte të afërmit me telefon për ti pyetur a janë mirë. Papritmas një krismë shumë e madhe u dëgjua saqë e dridhi gjithë shtëpinë. Vajza doli nga skuta e frikësuar. E mora e përqafova fort e ndonëse vet e frikësuar deri në palcë, përpiqesha ta siguroja atë që gjithçka do të përfundojë mirë.

Të nesërmen morëm lajme të kobshme për vrasjen e Bajram Kelmendit me të bijtë, e të tjerë gjithandej Kosovës, si hakmarrje ndaj bombardimeve.

Pas disa ditëve të bombardimeve, mora edhe një lajm të kobshëm. E gjithë familja Gashi ishte shuar në gjumë, kur bombat e NATO-s goditën Postën në Prishtinë, e shtëpia e tyre ngjitur, nuk e përballoi goditjen. Vetëm Trimi me Gjyshen shpëtuan. Dea, nxënësja ime bukuroshe nuk do të mësonte me piano.

Edhe shumë njerëz do të pësonin nga vrasjet, persekutimet, masakrat dhe dhunimet që forcat serbe do t’i bënin deri në fund të bombardimeve, por edhe nga goditjet e gabuara të avionëve (rasti në Meje).

Të gjithë ata dhe ato u bënë kurban i lirisë që ne sot e gëzojmë. Prandaj, të respektojmë sakrificën e tyre, e të ndërtojmë të ardhmen për të cilën ata u flijuan.

24 mars 2021

E izoluar ende në shtëpi, duke u marrë me pasojat e Covid-19, po e kujtoj atë ditë, 22 vite më parë. Me gëzim, që kemi mbijetuar dhe sot jetojmë e punojmë të lirë. Shumë qytetarë të Kosovës nuk e patën këtë fat.

Pa marrë parasysh problemet, dështimet, sfidat që i përjetuam gjatë këtyre 22 viteve, Ne jemi me fat. Por edhe me përgjegjësi.

Të respektojmë gjakun e derdhur dhe ta bëjmë ëndrrën e shumë qytetarëve të Kosovës-realitet.

Për gjeneratat e reja, për të ardhmen.

Blenda, vajza ime, së shpejti do të bëhet nënë, për herë të parë. Ajo, shpresoj, nuk do ta ketë asnjëherë friken dhe brengën për fëmijën e saj si unë për të më 24 mars 1999.

Por ajo do të brengoset se fëmija që do të sjellë në jetë, në çfarë Kosovë do të jetojë, si do të jetë shëndeti, arsimimi i saj, a do të gjejë punë etj.

Ajo edhe sot brengoset, a do të shpëtojë pa u infektuar nga Covid-19, kur të shkojë në pushim të lindjes, a do të mbetet pa punë dhe pa të ardhura?

Jeta vazhdon, çdo gjeneratë do ti ketë brengat dhe betejat e saj.

Të paktën ne që patëm fatin të mbijetojmë vitin 1999, jemi me fat edhe të brengosemi, por kryesorja jetojmë, dhe jetojmë të lirë.

Respekt të gjithë dëshmorëve e viktimave të lirisë që ne e gëzojmë. / KultPlus.com

Dështimi madhor për sallën koncertale ngjall konflikt midis artistësh

Sarandë B. Rugova

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kishte ndarë një fond prej 15.4 milionë eurosh për ndërtimin e sallës koncertale në Prishtinë, por ky projekt tashmë ka dështuar si pasojë e ndërhyrjes së politikës me arsyetimin se nuk kanë gjetur objektin adekuat për vendosjen e kësaj salle, shkruan KultPlus.

Për ketë dështim të institucioneve lokale dhe qendrore ka pasur reagime të shumta nga ana e politikës të cilët gjuajnë ‘gurin’ te njëri-tjetri por, asnjëri prej tyre nuk e pranon fajin e një dështimi të tillë madhor.

Disa nga qeveritarët thonë se këto mjete nuk janë të humbura por do të ridestinohen për dekomisionimin e termocentralit “Kosova A”, mirëpo Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në konfirminin zyrtar nuk ka dhënë asnjë sqarim rreth kësaj çështje.

Fillimisht është propozuar për rrënimin e mundshëm të ish-objektit të Gërmisë, mirëpo ka pasur reagime nga qytetarët por edhe nga vetë artistët, madje ishte nënshkruar edhe një peticion i cili kërkonte të mbrohej objekti përkatës, pasi cilësohet si një nga objektet më ikonike në kryeqytet.

Ndërsa analisti Shkelzen Maliqi i cili ishte kategorikisht kundër rrënimit të objektit të Gërmisë, tashmë përmes një statusi në rrjetin social Facebook për ketë dështim fajëson Beza Luzhën dhe kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmetin, të cilët nuk zgjodhen ndonjë alternativë tjetër ku do të mund të ndërtohej salla koncertale.

“Besa Luzha dhe lobi që Sallën Koncertale e donte aty ku është objekti i ish Shtepisë së Mallrave “Gërmia” po akuzojnë komunitetin e artistëve figurativë dhe arkitektët se e kanë penguar ndërtimin e Sallës koncertale, pasi që qenka ridestunuar fondi i premtuar i BE-së. Kjo nuk është e saktë. Askush nuk ka qenë kundër sallës, por është kërkuar që të caktohet lokacion tjetër në qendër të Prishtinës . Unë kam argumentuar se “Germia” është objekt me vlera arkitektonike dhe i përshtatshëm për Muze të arteve bashkëkohore, që është po aq i nevojshëm sa edhe salla koncertale. Shpend Ahmeti dhe Besa Luzha kanë insistuar që të rrëzohet “Germia” edhe kur është vënë nën mbrojtje, në vend që të përcaktohen për alternativa. Mundesia per financimin e salles nuk është humbur, por mbetet që të jemi solidar dhe angazhohemi për dy objekte kapitale të kulturës dhe jo të akuzohemi mes veti”, u shpreh Maliqi.

Në anën tjetër pianistja dhe aktivistja Besa Luzha reagoi duke thënë se pikërisht ky reagim e la Prishtinën pa sallën përkatëse.

“Falë këtyre kompetentëve dhe juve që e nisët këtë kundërshtim, 15 milionë shkojnë në Kosovën A. Nuk jemi në garë kush cilin qëndrim e ka pasë, e kush mirë e kush keq. Unë i respektoj opinionet e të gjithë juve që kundërshtuat lokacionin, sigurisht të prirë nga interesa pozitivë në parim, mbrojtja e kujtesës eyj…ato janë vlera të mira. Por fakt mbetet që ky kundërshtim e la Prishtinën pa salllë dhe 15 milionë u humbën ose rrezikojnë të humben. E për fat të keq, kundërshtimin e bënë njerëz që do të duhej të ishin të parët për shtyerjen e projektit përpara, me dashamirësi”, reagoi Luzha.

Ndërsa Yll Rugova, Drejtor i Kulturës po ashtu përmes një statusi në Facebook thotë se ky fond është siguruar me inistim shumë të madh të drejtorisë dhe me ndihmën e Ambasades së Francës, i cili është ndarë për të ndihmuar zhvillimin e kulturës në Kosovë. E veçanërisht për të përmirësuar infrastrukturën shumë të mangët kulturore të kryeqytetit.

 Prishtina është i vetmi kryeqytet në Evropë pa sallë të operës dhe pa sallë koncertale.

“Mbaj mend sa shumë punë është dashur që fillimisht të sigurojmë ato fonde, e më pas edhe për të përmbushur kërkesat e Komisionit Evropian me komunikim të vazhdueshëm me ta, me punë të thelluar në përzgjedhje të lokacioneve, me ekspertizë lokale e ndërkombëtare, e me bashkëpunim ndërinstitucional dhe komunikim të vazhdueshëm me komunitetin dhe mediat. Më duket e dhimbshme që i gjithë ky interesim dhe entuziazëm i yni dhe i komunitetit tash po shkon huq për shkak të dembelisë që po mbizotëron. Kjo dembeli po e cungon zhvillimin e kryeqytetit jo vetëm në fushën e kulturës, po në të gjitha sferat e saj. Sepse përveç rolit kulturor, salla koncertale kish me ndiku pozitivisht edhe në përmirësimin e infrasturkturës urbane në kryeqytet”, shprehet dejtori Rugova.

Përveç këtyre ka edhe reagime të tjera në vazhdën e tyre, në njërën anë mjaft zhgënjyese ndërsa në anën tjetër debate fajësimi midis figurave të institucioneve pa ndonjë epilog të qartë. /KultPlus.com

‘Chopin Piano Fest’ shënon edicion e 10-të me artistët më të shquar nga të gjitha edicionet

Chopin Piano Fest Prishtina këtë vit shënon edicionin e tij të 10-të. Në një intervistë për KultPlus, drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha ka treguar për risitë që do të ketë ky edicion, një rikapitulim i cili do të sjellë artistët të cilët lanë gjurmë në Prishtinë dhe në festival gjatë këtyre 10 viteve.

Alberina Haxhijaj

KultPlus: “Chopin Piano FEST Prishtina” këtë vit shënon një dekadë punë dhe angazhim për promovimin e muzikë klasike, veçanërisht instrumentistëve të pianos. Të rikthemi tek fillimi i këtij festivali dhe te fakti se sa kanë qenë të vështira këto 10 vite.

Besa Luzha: Kur e filluam edicionin e parë, thamë po e shënojmë ditëlindjen e Chopin, dhe disi me drojë filluam organizimin sepse kishte vështirësi organizative, infrastrukturore, financiare, por disi u mobilizuam dhe e organizuam edicionin e parë.

Shkoi aq bukur, e priten publiku aq mirë, sa që kjo na motivoi të vazhdojmë edhe vitin tjetër, edhe tjetrin, edhe tjetrin….

Vështirësitë për çdo vit janë ndryshuar, një vit ishte mungesa e sallës, një vit mungesa e pianos, e në një rast mungesa e financave. Por programin e kishim gjithmonë të mirë, interesant, që nxiti kuriozitetin e publikut shumë të interesuar të Prishtinës, Kosovës dhe përkrahjen e publikut që na falënderonte në çdo përfundim të festivalit për dhuratën e bukur muzikore që i kemi ofruar atyre në stinën e pranverës. Kjo ishte shtysa që ti harrojmë të gjitha pengesat dhe të përpiqemi të bëjmë punë edhe më të mirë, program edhe më të bukur, dhe më shumë masterklase, koncerte etj.

KultPlus: Ky edicion është i rëndësishëm për ju si organizatorë por edhe për publikun i cili ka 10 vite së bashku me ju, cilat do jenë risit e këtij edicioni?

Besa Luzha: Në kuptim të strukturës, mbetet formati i njëjtë, seri e koncerteve recitale pianistike me pianistë të shquar në nivel botëror, vendor, duete pianistike, mbrëmje vokalo pianistike dhe përfundimi me koncertin për piano e orkestër të realizuar në Bashkëpunim me Filarmoninë e Kosovës. Numri i koncerteve është rritur jashtëzakonisht shumë në këtë edicion. Kemi 16 koncerte, përpos aktiviteteve të tjera shtesë.

Po ashtu vazhdon programi i nxënësve, studentëve, dhe gara për çmimin Special Chopin Piano Fest. Kemi pasur dy fituese dhe mirëpresim fituesin e tretë me radhë.

KultPlus: Festivali veçohet për programin të cilin e sjellë, cilat janë veçantit e programit këtë vit?

Besa Luzha: Drejtoresha artistike e festivalit është më meritorja për programin e bukur dhe të pasur, Prof. Lejla Pula. Ajo vërtet ka punuar me artistë të ndryshëm për të sjellë sa më shume risi dhe nivel të lartë të performancës.

Meqë është 10 vjetori,  kemi ftuar artistët më të shquar nga të gjitha edicionet për një rikapitulim të themi, disa nuk kanë mundur të vijnë në këtë kohë për shkak të agjendës së ngarkuar, por jemi të kënaqur për ata që iu kanë përgjigjur ftesës. Ka dhe artistë të rinj që për herë të parë do të performojnë para publikut të Prishtinës.

KultPlus: Festivalet në Kosovë mund të konsiderohen një pasuri kulturore, sa është e rëndësishme kjo për Chopin Pino Fest dhe ku zë vend në promovimin kulturor ky festival?

Besa Luzha: Mendoj se festivali e ka sjellë vërtet Prishtinë në qendër të vëmendjes së ngjarjeve kulturore të rëndësishme dhe shumë artistë, organizata, tashmë e njohin vlerën që ky festival ka krijuar. Është adresë, pikë referente dhe tregon potencialin tonë kulturor, të cilin po ta mbështesin institucionet edhe më fuqishëm, do të rrisim jehonën dhe do të rritet edhe më tepër interesimi për të.

KultPlus: Mendoni se janë falënderuese institucionet për organizimin e një eventi të tillë?

Besa Luzha: Besoj se po, fakti që kemi mbështetje të vazhdueshme dhe ajo po bëhet më e sigurt, më e qëndrueshme, nuk kemi dyshim për mbështetje. Kjo siguri po na ndihmon në organizim sa më të mirë.

KultPlus: Akoma nuk kemi një sallë koncertale, sa po ndikon kjo në zhvillim e jetës kulturore, në mbajtjen e Chopin Piano FEST Prishtina dhe a e konsideroni neglizhencë të institucioneve?

Besa Luzha: Ah , plaga e vjetër. Salla, vërtet është pengesë, ne kemi gjetur alternativë për momentin duke u akomoduar në Sallën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare, fal partneritetit tonë me Universitetin e Prishtinës, por po të kemi sallën adekuate, me piano edhe më të mirë, me më shumë ulëse, me shërbimin e biletarisë dhe gjithë infrastrukturën përcjellëse, mundi i organizimit do të ishte me i lehtë dhe oferta artistike muzikore do të ishte edhe më me vlerë dhe më interesante për publikun.

KultPlus: Kur jemi të salla koncertale, ku do të mbahet festivali sivjet?

Besa Luzha: Koncertet deri me 27 Prill do të mbahen në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare –RR. Eqrem Çabej, apo ndërtesa e ish-institutit të Historisë, ndërtesa me xhamat e kaltër. Koncerti me Filharmoninë do të mbahet në Sallën e Kuqe, ndërsa mastërklasat dhe garat për çmimin  special të Chopin-it në Fakultetin e Arteve. / KultPlus.com

Luzha: Të gjithë do duhej t’i gëzoheshim faktit që më në fund po realizohet salla koncertale

Gili Hoxhaj

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dje ka marr një vendim në lidhje me objektin e njohur si “Gërmia”, për shpronësimin e këtij objekti në të cilin është e vendosur Administrata Tatimore e Kosovës , kurse tashmë do të jetë në menaxhimin e Komunës së Prishtinës.

Lidhur me shndërrimin e këtij objekti në sallë koncertale, ka pasur shumë polemika e debate që kur Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë ka ndarë 15.4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian për ndërtimin e kësaj salle, ndërsa një nga kushtet themelore të financimit të ndërtimit ka qenë pikërisht që salla të jetë në një lokacion të qasshëm siç është objekti i Gërmisë.

Një nga zërat më aktiv në këtë temë ka qenë profesoresha Besa Luzha e cila vendimin e djeshëm e ka cilësuar si një hap të rëndësishme përpara për të proceduar me projektin e ndërtimit të sallës koncertale që është domosdoshmëri për jetën kulturore në Kosovë.

“Tani profesionistët e fushës do të merren me analizat se si të përgatitet konkursi ndërkombëtar në mënyrë që nëse ndërtohet aty të respektohen vlerat eventuale të trashëgimisë që mund ti ketë ky objekt. Mendimi im personal është se objekti i ri do të ketë më shumë vlerë për të tashmen dhe të ardhmen pikërisht si një trashëgimi e kësaj kohe për gjeneratat e ardhshme”, u shpreh Luzha për KultPlus.

Që nga përcaktimi i “Gërmisë” për sallë koncertale, debati ka kaluar në shumë polemika të cilët kanë qenë kryesisht për shkak se shndërrimi i këtij objekti në sallë koncertale mund të dërgojë tek rrënimi i këtij objekti apo do të mund t’i humbas vlerat e trashëgimisë kulturore këtij objekti, i cili më pas me vendimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve u fut nën mbrojtje të Përkohshme të Trashëgimisë Kulturore. Edhe pas kësaj ka pasur kundërshtime se objekti i “Germisë” nuk është i duhuri për sallë koncertale. Luzha tha se e kupton insistemin për ruajtjen e vlerave të kujtesës kolektive por jo dhe mllefin që kalon në rrafsh personal.

“Sa i përket zërave të tillë që mund të jenë kundër, i kuptoj kur insistojnë në ruajtjen e vlerave të kujtesës kolektive por aspak nuk e kuptoj mllefin, zilinë dhe cinizmin duke kaluar debatin në nivel personal. Salla koncertale do ti shërbejë qytetarëve të Prishtinës e të Kosovës andaj të gjithë do të duhej ti gëzoheshin faktit që më në fund do të realizohet ky element i rëndësishëm i identitetit kulturor të vendit tonë”, u shpreh Luzha për KultPlus.

Objekti i ish shtëpisë së mallrave “Gërmia”, ndërtuar nga viti 1970 -1972 bazuar në projektin e arkitektes Liljana Rashevski është qendra e parë tregtare në Prishtinë. Ajo është një nder objektet më ikonike të modernizmit në qytetin e Prishtinës dhe si tillë është pjesë e pandashme e kujtesës kolektive të saj./ KultPlus.com

Dëmtohen instrumentet muzikore në Sallën e Kuqe, futen në hapësira të ngushta për shkak të Panairit të Librit

Sot e pesë ditë në kryeqytetin kosovar po mbahet Panairi i Librit, që ka zënë vend në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ky pallat, përveç të tjerash është edhe një nga vendet kyçe që kumbojnë vepra të mëdha muzikore, pasi që, aty thuajse çdoherë mbajnë koncert Filharmonia e Kosovës dhe koncertet e festivaleve të ndryshme që ndodhin në Prishtinë.

Pasi që, ky pallat është edhe i koncerteve, aty padyshim që ka instrumente muzikore, të cilat me ardhjen e librave janë gjuajtur në qoshe të ndryshme të Pallatit të Rinisë, dhe krejt kjo tregon dëmtimin e tyre.

Një piano, është futur në një pjesë prapa skenës së vogël të sallës së kuqe dhe mbi të përpos mbeturinave, është vënë edhe një karrige. Një gjest të tillë e dënuan qytetarët, duke e fotografuar dhe publikuar në rrjetin social Facebook. Me këtë rast ka reaguar edhe Besa Luzha, drejtoresha e Festivalit Chopin Piano Fest.

“Qe qysh kujdesen për instrumentet muzikore në sallën e kuqe. Prandaj na duhet një sallë vetëm për koncerte e ku nuk mbahen aktivitete të tjera nga njerëz që kështu i trajtojnë instrumentet e ndjeshme muzikore”, ka shkruar Luzha./ KultPlus.com

Besa Luzha flet për Chopin Piano Fest Prishtina, festivali i cili nisë sonte

Alberina Haxhijaj

Sonte mbrëma, me fillim prej orës 20:00 do të hapet edicioni i radhës i CHOPIN PIANOFEST PRISHTINA. Edicioni i nëntë i festivalit do të sjellë nga 5 deri me 24 prill koncerte, masterklasa e ligjërata të ndryshme, traditë kjo të cilën festivali e ndjekë vit për vit, gjithmonë drejt perfeksionit dhe ngritjes së nivelit muzikor.

KultPlus ka takuar Besa Luzhën, pjesë e këtij Festivali, e cila jep më shumë detaje rreth koncertit, risive por edhe problemeve aty këtu me të cilat ballafaqohet një festival me traditë si CHOPIN.

CHOPIN hapet sonte, me fillim prej orës 20:00 me instrumentistin Vasco Dantas Roch nga Portugalia.
Për më tepër zbuloni nga intervista e Besa Luzhës për KultPlus.

Jemi në prag të edicionit të ri të “Chopin PianoFEST Prishtina”, cilat do të jenë risitë e këtij edicioni?
Chopin Piano FEST Prishtina me fizionominë e vet të veçantë ka për fokus artin e performimit pianistik me formatin tashmë standard të programit: koncertet recitale solistike, bashkëpunimet kamertale në mes të pianos dhe instrumenteve të tjera ose zërit (këndimit) dhe kurorëzimi i festivalit me bashkëpunimin e pianistëve të shquar me orkestrën duke performuar kryevepra të repertoarit për piano e orkestër.
Risitë janë gjithmonë në aspektin stilistik, teknik dhe artistik që sjellin artistët e ndryshëm, shumë nga ta me përvojë tashmë të gjatë të performimit në kryeskenat botërore, por edhe talent të rinj performues, fitues të çmimeve ndërkombëtare dhe mundësia për prezantim edhe të artistëve të ndryshëm nga Kosova.

Festivali veçohet për programin të cilin e sjellë, cilat janë veçantitë e programit këtë vit?
Në aspektin programor, secili artist ka lirinë të propozojë programin, veprat e dashura për të dhe për publikun. Prof. Lejla Pula si presidente dhe drejtoreshë artistike e Festivalit ka punën më të madhe në këtë drejtim sepse gjatë gjithë vitit paraprak kontakton me artistë të ndryshëm dhe bashkëbisedon me ta e kujdeset që programi të jetë sa më i larmishëm.
Ajo që shpaloset është përmbyllja e një pune të madhe me kujdes të përzgjedhjes me finesë. Pianisti protugalez që hapë festivalin, Vasco Dantas Rocha, sjellë vepra nga Chopin, Liszt, e meqë sivjet janë disa përvjetorë të rëndësishëm, do të kemi një program me vepra të Debusy-së për piano (07.04) nga pianisti Francez Jerome Granjon me rastin e përvjetorit të 100 të Debusy.

Pianisti Austriak Gotlieb Wallisch (09.04) sjellë një program të mrekullueshem nga Haydn, Liszt, Schubert, Brahms. Dueti nga Kroacia (Lovre Marusic dhe Latica Anic) me 10.04 sjellin kryevepra të repertorit për violoncel dhe piano. Më 12 prill pianistja nga Maqedonia Marija Gjoshevska poashtu sjellë program të bukur për piano solo kryesisht nga Chopin.

Koncerte të tjera vijnë nga 14 prilli e deri në fund të festivalit, për të cilat do të njoftohen shikuesit dhe lexuesit me anë të rrjeteve sociale dhe vetë gazetës KULTPLUS.

Bëhen tetë vite që kur filloi rrugëtimi i këtij festivali, sa ka qenë kjo e vështirë?
Rrugëtimi ka qenë mjaft i vështirë, pa sallë të duhur, me përkrahje financiare gjithmonë të pamjaftueshme për një program të këtillë të pasur me dhjetëra koncerte të nivelit më të lartë artistik. Por kemi vazhduar dhe për çdo vit po bëhet më i lehtë. Sidomos pasi vitin e kaluar e inauguruam sallën e re të Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, së paku problemin e sallës e këmi zgjedhur.Por mendojmë se me përkrahje më të madhe nga institucionet mund të sjellim edhe më shumë artistë, edhe më shumë risi, edhe më shumë vlera.
Rrugëtimin tonë e bëjnë më të lehtë partnerët tashmë tradicionalë të Festivalit, Raiffeisen Bank Kosova, Minsitria e Kulturës, Komuna e Prishtinës dhe Z-Mobile.
Kemi përkrahjen edhe simbolike të ambasadave prej nga vijnë artistët, e shumë me vlerë është përkrahja e miqve të festivalit që me shërbimet e tyre mundësojnë realizimin e gjithë këtij organizimi.
Krejt organizimi do të ishte i mangët pa përkrahjen e madhe që i japin festivalit mediat, të shkruara dhe televizive që promovojnë çdo mbrëmje, informojnë qytetarët, intervistojnë artistët dhe marrin përshtypjet e tyre për festivalin, për Kosovën. Përkrahja e mediumit tuaj KultPlus që në mënyrë të gjerë raporton për çdo aspekt të festivalit është shumë me vlerë dhe për këtë jemi falënderues. I gjithë bashkëpunimi është si një zingjir me shumë hallka dhe secila ka vlerën e vet dhe mungesa e cilësdo hallkë do të shkaktonte çrregullim në gjithë organizimin.

Çfarë nënkupton për Kosovën të pasurit e një festivali që është edhe pjesë e Federatës Internacionale të Asociacioneve të Chopin-it?
Duhet thënë me këtë rast se Asociacioni Kosovar i Chopin-it si anëtar i UNESCO-s përmes anëtarësisë në Federatën Internacionale të Shoqatave të Chopin-it (IFCS) i jep vlerë të shtuar edhe dimension ndërkombëtar qe afirmon dhe avanson imazhin kulturor të Kosovës si një realitet i çmuar dhe me shumë vlerë.

Mendoni se janë falënderuese institucionet për organizimin e një eventi të tillë?
Dua të shpresoj që janë, por e di që publiku entuziast është falënderues. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur të ndalin në rrugë në shkurt, ose edhe në janar dhe pyesin kur do të mbahet Chopin Festi, cfarë të re ka sivjet, etj. Kjo na shtyn, na motivon të vazhdojmë përkundër vështirësive.

Akoma nuk kemi një sallë koncertale, sa po ndikon kjo në zhvillim e jetës kulturore, në mbajtjen e Chopin PianoFEST Prishtina dhe a e konsideroni problemin si neglizhencë të institucioneve?
Fakti i trishtë se Prishtina akoma nuk arrin të ketë një SALLË KONCERTALE adekuate ku do të mund të mbaheshin festivalet e këtij zhanri, neve si organizatorë por edhe si artistë muzikorë na bën të ndjehemi të zhgënjyer me mos vlerësimin ndaj punës së palodhshme të këtij komuniteti dhe vlerave që ka sjellë ai për shoqërinë tonë në këto 18 vite.
Paraqitjet e dhjetëra artistëve të arrirë muzikorë, mysafirëve të jashtëzakonshëm ndërkombëtarë nga mbarë bota që vijnë dhe performojnë si dhe talenët e rinjë të shumtë që paraqiten parreshtur në skenën tonë do të duhej të jenë nxitje dhe përkushtim të fortë për ta pëfunduar më në fund sagën e ndërtimit të një salle adekuate koncertale në kryeqytetin tonë!

Kur jemi të salla koncertale, ku do të mbahet festivali sivjet?
Mundësia e mrekullueshme që u paraqit vitin e kaluar, me shëndërrimin e një salle të bukur e të rinovuar, ndonëse jo me destinim fillestar për koncerte, mu në mesin e KAMPUSIT UNIVERSITAR, e zgjodhi një problem të madh vetëm përkohësisht dhe kështu Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare të Universitetit të Prishtinës, tashmë është bërë shtëpi e dashur dhe e ngrohtë për komunitetin muzikor. Universiteti i Prishtinës me inaugurimin e përbashkët të kësaj salle në vitin e kaluar, u bë partneri ynë kryesor institucional duke ofruar krjimin dhe prezantimin e vlerave artistike në përputhje edhe me misionin e këtij institucioni. Koncertet fillojnë në orën 20.00 dhe janë të gjitha gratis për të interesuarit.
Ju mirëpresim.

Dy vepra të vështira dhe një frymë e re muzikore erdhën mbrëmë në Kosova Kamerfest

Sihana Badivuku, drejtoreshë e festivalit, tregon se me këtë edicion të 18-të fokusi po kthehet kah rinia dhe instrumentistët e rinj, pasi po mbushen gati dy dekada të festivalit dhe tanimë tek publiku është krijuar një edukatë për muzikën klasike.

Arbër Selmani

Vetëm dy dekada jetë, Andi Duraku secilës garë i vërsulet për fitore. Pianisti nga Gjakova, i lindur në vitin 1997, e ka tanimë një mini-biografi në të cilën figurojnë disa çmime të para, pjesëmarrje në Berlin e në Francë e në Itali, masterklase me emra të njohur të muzikës e instrumenteve klasike.

Andi Duraku mbrëmë për disa minuta qëndroi në piano i përcjellë nga instrumentistët tjerë në koncertin që sjellë frymën e re të instrumentistëve kosovarë, në kuadër të Festivalit të Muzikës Kamertale Kosova KamerFest.

Duraku e nisi këtë koncert të mbrëmshëm shoqëruar nga Sihana Badivuku, Mrika Hocha, Festim Haxhikadria, Dijana Osaj, Pleurat Doli, Festim Fanaj, Rron Bakalli, Vlora Citaku, Fortesa Fejza, Blerim Grubi, Driton Gaxha, Brikena Berisha, Antonio Gashi, Fraim Gashi dhe Miltiades Cassaras. Koncerti i Bahut erdhi në formën e tij më të mirë në pjesën e parë të koncertit, të mbajtur në sallën e re muzikore të Bibliotekës Universitare në kryeqytet, shkruan KultPlus.

Duraku, fitues i “Pianisti i Ri” dhe “ArsKosova 2017” tregon se ndihet i privilegjuar dhe i kënaqur që pati mundësinë të performojë me një formacion të tillë, para një numri njerëzish të cilët mbushën sallën dhe madje pritën në këmbë për të ndjekur koncertin gati dy orësh.

“Unë e interpretova koncertin numër 1 të Bahut, dhe është e vështirë pasi është ndër ato koncerte të rralla ku nuk ka pushime dhe vepra vetëm ecën e ecën si motor. Unë e kam nisur punën për këtë koncert para dy muajsh por gjithçka ishte e lehtë pasi interpretova krahas emrave që janë niveli më i lartë i instrumentistëve që ka vendi ynë” tregon Duraku pas koncertit dhe duartrokitjeve që morri nga publiku.

Profesoresha Besa Luzha, një prej organizatoreve të Kamerfestit në edicionin e tij të parë para 18-të vitesh, tregon se koncerti erdhi i fuqishëm.

“Festivalet e tilla kamertale e kanë këtë qëllim, të tregojnë muzikimin e përbashkët pasi këta artistë takohen për një kohë të shkurtër para koncertit dhe e sfidojnë veten më pas për tu bashkuar në instrumente. Të dy veprat janë të vështira, sikur koncerti në d-mol i Bahut por edhe vepra e Tchaikovskyt, por mendoj se erdhën fuqishëm, si një përzierje e atmsoferës së shkollës ruse por edhe pak emocion italian shkaku i veprës së dytë” tregon Luzha.

Pjesa e dytë e koncertit solli të përthekuar në katër kohë Tchaivkosvkyn, kësaj radhe për sekstet dhe me gjashtë instrumentistë që përcollën mrekullueshëm emocionin duke mos lënë njëri tjetrin prapa në bashkimin e tyre muzikor. Sihana Badivuku e Festim Fanaj në violinë, Blerim Grubi e Driton Gaxha në violë dhe Antonio Gashi e Miltiades Cassaras në violoncello nuk e patën të lehtë të zënë ritmin e shpejtësisë që kërkon një produkt i shkollës ruse, sikur “Souvenir de Florence” nga Tchaikovsky.

Sihana Badivuku, drejtoreshë e festivalit, tregon se me këtë edicion të 18-të fokusi po kthehet kah rinia dhe instrumentistët e rinj, pasi po mbushen gati dy dekada të festivalit dhe tanimë tek publiku është krijuar një edukatë për muzikën klasike.

“Në fakt ne po i përgatisim gjeneratat e reja, sepse janë pjekur kushtet dhe kanë ardhur kuadrot e reja muzikore, njëjtë sikur Andi Duraku i cili sonte ishte i magjishëm por edhe na përfaqësoi denjësisht në Filarmoninë e Berlinit” tregon Sihana për KultPlus.

“Është megjithatë mëkat që festivalet e tilla po përkrahen në mënyrë modeste edhe sot, sepse unë ende i qëndroj parimit të edicionit të parë, se Kosovës duhet t`i vie era Evropë, dhe po punojmë në atë aspekt me të gjithë ekipin por edhe artistët e ftuar në festival” tregon Badivuku.

Festivali Kamerfest do të vazhdojë sonte, me 19 tetor, në ora 20:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare me lojën e Frano Lufit dhe Klevis Gjergjit nga Shqipëria, për të sjellë veprat e Verdit, Schubertit, Mozartit por edhe këngët e ndryshme popullore shqiptare. / KultPlus.com

RRIPAK nominon Besa Luzhën për ministre të Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re

Rrjeti i Institucione të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK, nëpërmjet një komunikate ka njoftuar që ka nominuar Besa Luzhën për ministre të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në Qeverinë e re, shkruan KultPlus.

Më poshtë mund të lexoni të plotë komunikatën e këtij rrjeti.

Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK nominon Besa Luzhën të marrë përgjegjësinë e udhëheqjes së Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës me kumtesën e datës 23.06.2017 ka vlerësuar fushatën parazgjedhore dhe procesin zgjedhor, por mbi të gjitha ka vlerësuar pjekurinë e treguar nga populli i Kosovës në këtë proces të rëndësishëm shoqëror dhe politik.
Edhe në këtë proces, RRIPAK ka vërejtur mungesën e plotë dhe të theksuar të kapacitetit të nevojshëm të partive politike dhe koalicioneve parazgjedhore që t’i përgjigjen sfidave dhe të shfaqin kapacitet dhe njohuri për gjendjen aktuale në fushën e artit dhe kulturës, t’i njohin nevojat dhe potencialin e artit dhe kulturës, si pjesë e rëndësishme e shoqërisë civile, për ndikimin që arti dhe kultura ka në zhvillimet shoqërore, politike dhe ekonomike, marrëdhënjet ndërkombëtare dhe procesin e njohjes së Republikës së Kosovës dhe Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës.
RRIPAK duke i pasë parasysh edhe dobësitë e treguara në administrimin e këtij dikasteri qeveritar në periudhën e kaluar, si dhe dobësitë e mangësitë e treguara në diskutimet publike dhe programet zgjedhore të partive politike për këtë fushë, ka vlerësuar që pa përfshirjen dhe marrjen e përgjegjësisë nga mekanizmat dhe profesionistët e dëshmuar dhe të pavarur të institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, si pjesë e shoqërisë civile, nuk mund të ketë zhvillim të kësaj fushe të rëndësishme dhe këtij dikasteri qeveritar.
RRIPAK vlerëson që për zhvillimin e kësaj fushe të rëndësishme dhe këtij dikasteri qeveritar duhet të krijohet një paradigmë e re për artin dhe kulturën në Kosovë.
RRIPAK vlerëson që për krijimin e një paradigme të re për artin dhe kulturën në Kosovë dhe krijimin e një momenti të ri të zhvillimit, Ministria e Kulturës duhet të reformohet, dhe në këtë proces kjo Ministri duhet të udhëhiqet nga përfaqësues të dëshmuar dhe të pavarur të shoqërisë civile, të cilët mbështeten në këtë punë nga institucionet e artit dhe kulturës, aristët individual, shoqëria civile, partitë politike dhe partnerët ndërkombëtarë.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës në procesin e konsultimit të gjerë për të krijuar një mjedis të përshtatshëm formal, ligjor dhe funksional për punën e institucioneve të pavarura dhe publike të artit dhe kulturës, zhvillimin e veprimtarisë së lirë shoqërore dhe artistike, demokratizmin dhe reformimin e politikave të artit dhe kulturës në Republikën e Kosovës, vlerëson mbështetjen e institucioneve anëtare dhe institucineve publike, të gatshme për të ndërvepruar në këtë proces dhe për mbështetjen e RRIPAK-ut për përgjegjësinë e marrë për procesin.
RRIPAK vlerëson mbështetjen e treguar të institucioneve të tjera të pavarura të artit dhe kulturës dhe artistëve individual të gatshëm për të marrë pjesë dhe përgjegjësi në këtë proces.
RRIPAK vlerëson mbështetjen e treguar të mekanizmave të tjerë të shoqërisë civile në Kosovë dhe partnerëve ndërkombëtarë të përkushtuar për zhvillimet progresive shoqërore në Republikën e Kosovës.
RRIPAK në këtë proces të konsultimit të gjerë vlerëson mbështetjen e institucioneve të vendeve të rajonit të gatshme për t’i bashkërenduar veprimet në këtë proces, dhe për të zhvilluar raporte të reja të bashkëpunimit ndërshtetëror dhe ndërinstitucional.
Si rezultat dhe rrjedhojë e këtij procesi të konsultimit të gjerë, si dhe shqyrtimit të zgjidhjeve më të mira kadrovike, me anë të kësaj kumtese, Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës fton Besa Luzhën të marrë përgjegjësinë për udhëheqjen e Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Me këtë kumtesë, Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës i drejtohet partive politike parlamentare dhe koalicioneve parazgjedhore që ishin pjesë e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës të vitit 2017, dhe të nominuarëve për të udhëhequr me Qeverinë e Kosovës, që të mbështesin delegimin dhe zgjedhjen e Besa Luzhës për Ministre të Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Besa Luzha është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës. Ka magjistruar në Pedagogjinë e Muzikës dhe ka doktoruar në Edukim në Universitetin e Londrës.
Luzha ka qënë organizatorja kryesore e festivalit të parë të pavarur klasik në Kosovë, edicionit të parë të Kammerfest (2000), dhe është sekretare gjenerale e Kosovo Chopin Association, që me sukses ka organizuar festivalin ndërkombëtar Chopin Piano Fest Prishtina (2010-2017).
Besa Luzha është aktiviste e dalluar e shoqërisë civile në Kosovë, në vazhdimësi e angazhuar në proceset shoqërore, me nisma me ndikim në zhvillimet e rëndësishme kulturore, shoqërore dhe politike në Kosovë. Që nga viti 2000 punon si kordinatore e programeve në Zyrën e Prishtinës të Fondacionin Friedrich-Ebert.
RRIPAK vlerëson që me zgjedhjen e Besa Luzhës, si përfaqësuese e deleguar e shoqërisë civile dhe instituconeve të pavarura të artit dhe kulturës për Ministre të Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, do të krijohen rrethana të reja zhvillimi në art dhe kulturë dhe shoqëri në Republikën e Kosovës, si dhe do të krijohen kushte për zgjidhje bashkëkohore strukturore që i përgjigjen nevojës urgjente të reformimit të strukturës dhe rolit të Ministrisë së Kulturës, reformimit dhe fuqizimit të institucioneve publike, fuqizimit të institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, si dhe krijimit të mekanizmave të rinj bashkëkohor që mbështësin dhe fuqizojnë kapacitetet ekzistuese, stimulojnë dhe krijojnë mundësi të reja të zhvillimit dhe mbështetjes të artit dhe kulturës në Kosovë.
RRIPAK vlerson që zgjedhja e Besa Luzhës, si e deleguar e shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës për Ministre të Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës do të dëshmonte përgjegjësinë politike, vizionin dhe vullnetin politik për të përfshirë mekanizmat dhe kapacitetin e dëshmuar të shoqërisë civile në zhvillimet e rëndësishme në vend dhe përkushtimin politik të udhëheqësve politik për zhvillimin e papenguar të kësaj fushe të rëndësishme të aktivitetit të lirë shoqëror, si dhe tërheqjen nga ndikimi politik dhe kontrolli partiak në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës vlerëson që zgjedhja e Besa Luzhës, si përfaqësuesese e deleguar e shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës për Ministre të Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës do të përfshinte Republikën e Kosovës në zhvillimet e reja progresive që kanë ndodhur dhe janë duke ndodhur në vendet e rajonit, dhe do të kishte ndikim të madh pozitiv në procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në UNESCO.
Me zgjedhjen Ministre të Kulturës të përfaqësueses së deleguar të shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, Qeveria e re Republikës së Kosovës i bashkohet zhvillimeve aktuale në Republikën e Maqedonisë, zhvillimeve në Republikën e Malit të Zi dhe proceseve zhvillimore në Republikën e Shqipërisë.
Ministër i ri i Kulturës në Republikën e Maqedonisë është zgjedhur aktivisti i shquar i shoqërisë civile dhe punëtori i skenës së pavarur të artit dhe kulturës Robert Alagjozovski, i ftuar nga Kryeministri Zaev të marrë përgjegjësi për reformin e këtij dikasteri qeveritar. Ministër i ri i Kulturës në Republikën e Malit të Zi është zgjedhur, producenti i sukseshëm Janko Ljumoviq, i cili ka inicuar reformimin e nevojshëm të institucioneve publike dhe krijimin e mekanizmave për fuqizimin e instituciuoneve të pavarura të artit dhe kulturës në Malin e Zi. Ministre në Qeverinë Rama dhe Ministre në detyrë në Republikën e Shqipërisë është Mirela Kumbaro, punëtore e dalluar e kulturës dhe shoqërisë civile në Shqipëri. Ajo është ftuar nga Kryeministri Rama të marrë përgjegjësi për reformin dhe fuqizimin e këtij dikasteri qeveritar në Republikën e Shqipërisë. Si rrjedhojë Republika e Shqipërisë sot është fuqishëm e pozicionuar në rajon dhe proceset ndërkombëtare për zhvillimet në art dhe kulturë dhe për ndikimin e këtyre proceseve në marrëdheniet ndërkombëtare. Ministrja Kumbaro për punën e saj para pak kohësh është dekoruar me Medaljen e Republikës nga Republika e Francës.
RRIPAK vëren që këto lëvizje në rajon mund të krahasohen me lëvizjet dhe reformat e thella progresive në legjislacionin dhe strukturën e Ministrisë së Kulturës dhe krijimin e mekanizmave të domosdoshëm për mbështetjen e artit dhe kulturës në Republikën e Sllovenisë, që janë zbatuar nga përfshirja strategjike e skenës së pavarur të artit dhe kulturës në krijimin e legjislacionit dhe udhëheqjen e Ministrisë së Kulturës nga personalitete të dëshmuara të artit dhe kulturës nga shoqëria civile. Republika e Sllovenisë ka trashëgimi të njëjtë politike me Republikën e Kosovës, të dy shtete dikur pjesë e Jugosllavisë Socialiste dhe pjesë e një sistemi të përbashkët politik, në të cilin arti dhe kultura janë mbajtur të kontrolluara nën ndikimin politik dhe partiak të politikanëve. Si pasojë e reformave dhe krijimit të mekanizmave që mbajnë politikanët larg ndikimit në art dhe kulturë, Republika e Sllovenisë është aktualisht vendi më i zhvilluar në rajon në raport me legjislacionin, investimet dhe transparencën e administrimit të fondeve publike dhe institucionet e sukseshme publike dhe të pavarura të artit dhe kuturës dhe artistëve individual. Republika e Sllovenisë me ligj të veçantë mbron Interesin Nacional në Art dhe Kulturë.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Kulturës vlerëson që fusha e artit dhe kulturës duhet të trajtohet si interes vital nacional i Republikës së Kosovës dhe fushë e pavarur nga ndikimi partiak dhe politik, si parakusht dhe zgjidhje e domosdoshme dhe e vetme për të krijuar moment të ri zhvillimi për artin, kulturën dhe shoqërinë në Kosovë, për të fuqizuar dhe mbrojtur institucionet publike të artit dhe kulturës, për të fuqizuar potencialin e artistëve individualë dhe institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, për të siguruar mbështetje në vend, rajon dhe arenën ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, duke përfshirë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO.
RRIPAK në këtë proces njeh dhe vlerëson hapat e mëhërshëm politik të ndërmarrë në Republikën e Kosovës, që nga viti 2000, që për synim kanë pasur krijimin e politikave të reja në art dhe kulturë, fuqizimin e institucioneve publike dhe të pavarura të artit dhe kulturës dhe rritjen e ndikimit të artit dhe kulturës në zhvillimet shoqërore në Republikën e Kosovës dhe marrëdhëniet ndërkommbëtare.
RRIPAK vlerëson edhe vendimin e Kryetarëve të Komunave që në mandatin aktual udhëheqjen e drejtorive të kulturës e kanë deleguar te profesionistë të dëshmuar të artit dhe kulturës dhe të shoqërisë civile dhe që politikat dhe zhvillimet në komunat rrespektive t’i mbështësin në bashkëpunimin me mekanizmat e institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës është themeluar për të krijuar një mjedis të përshtatshëm formal, ligjor dhe funksional për punën e institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, zhvillimin e veprimtarisë së lirë shoqërore dhe artistike, demokratizmin dhe reformimin e politikave të artit dhe kulturës të institucioneve të pushtetit lokal dhe qendror në Kosovë.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës për këtë proces të ri kërkon mbështetjen nga opinioni publik për nominimin dhe mbështetjen e Besa Luzhës si e deleguar e shoqërisë civile dhe instituconeve të pavarura të artit dhe kulturës për të marrë përgjegjësinë e Ministres së Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës i bën thirrje Kryetarit të Kosovës që të bëhet pjesë e procesit, të investojë kapacitetin kushtetues të Zyrës së Kryetarit të Kosovës në procesin e reformimit të këtij dikasteri qeveritar dhe të ndihmojnë që ky proces të ketë sukses.
RRIPAK i bën thirrje mekanizmave të bashkësisë ndërkombëtarë në Republikën e Kosovës dhe Zyres së Përfaqësueses së Posaçme të Bashkimit Evropian në Kosovë, që të bëhen pjesë e procesit të reformimit të këtij dikasteri dhe politikave publike në art dhe kulturë në Republikën e Kosovës, të investojnë kapacitetet e tyre në këtë proces dhe të ndihmojnë këtë proces.
RRIPAK – Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës këtë proces, delegimin dhe zgjedhjen e përfaqësueses të shoqërisë civile në këtë pozitë udhëheqëse, për marrjen e përgjëgjësisë së përbashkët dhe për investimin e kapaciteteve të përbashkëta shoqërore për zhvillimin e sektorit të artit dhe kulturës, e sheh si parakusht që Kosova të prijë në rajon për politikat e reja publike në këtë sektor me ndikim në zhvillimet shoqërore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës vlerëson artin dhe kulturën si fushë të interesit nacional të Republikës së Kosovës që ka ndikim të rëndësishëm në zhvillimet shoqërore, ekonomike dhe politike në vend dhe ndikim të pazëvendësueshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
UNESCO e njeh kulturën si nxitës të zhvillimit, për shkak se kultura fuqizon njerëzit me kapacitete për të marrë përgjegjësinë për procesin e zhvillimit të tyre.
Institucionet anëtare të Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK janë: ALBANIADA, ARS KOSOVA, ANSAMBLI ATTACCA, ESTA KOSOVA, FESTIVALI 9/11, FESTIVALI DAM, FESTIVALI PIANISTI I RI, FESTIVALI PRIFEST, FESTIVALI REDO, FESTIVALI SKENA UP, FESTIVALI FRYMA E RE, FRABAC, GALERIA EXPO ART 40, GALERIA QAHILI, GALERIA OPEN ART, INICIATIVA E HISTORISË GOJORE, KOSOVO ARCHITECTURE FOUNDATION, LAMBDALAMBDALAMBDA, PRISHTINA JAZZ FESTIVAL, QENDRA KOSOVARE PËR MUZIKEN E RE / FESTIVALI REMUSICA, SHOQATA KOSOVARE CHOPIN, SHKAS SYTHI / ETNO FEST, STACION – QENDRA PËR ART BASHKËKOHOR PRISHTINË, TEATRI URBAN PRISHTINË, CULTURAL HERITAGE WITHOUT BORDERS / TRASHËGIMIA KULTURORE PA KUFI (CHwB), URBANIAK, VARG e VI, QENDRA PER ART BASHKEKOHOR GJILAN, VIART.
Sekretariati dhe selia e RRIPAK gjendet në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, Rruga Zija Prishtina, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovë.