Akademiku Artan Fuga, pas akuzave se po synon ta shkrijë
Akademinë e Shkencave të Shqipërisë me atë të Malit të Zi e Maqedonisë, i ka
dërguar një letër publike Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama ku
kërkon të thirret për sqarime e më pas të shkarkohet ministrja e Arsimit, Besa
Sahini. “Duke synuar kthimin e tyre “në një të vetme”, qytetarja Besa Shahini
flet edhe për të gjithë rajonin. Ideja e bërë publike sot është një provokacion
gjeopolitik”,- thotë ai në letrën e hapur.
STATUSI I ARTAN FUGES
Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Shqipëria në punë të
vet, qytetarja Besa Shahini në punë të vet!
——–
Letër publike:
Presidentit të Republikës zotit Ilir Meta !
Kryetarit të Këshillit të Ministrave, zotit Edi Rama !
Kryetarit të Komisionit të Sigurisë të Kuvendit të
Shqipërisë!
Po Ju drejtohem me shqetësim të thellë intelektual dhe qytetar lidhur me një deklaratë të papritur të Ministres të arsimit, rinisë dhe sporteve të Republikës të Shqipërisë, qytetares Besa Shahini, bërë sot, më datë 10 maj 2019, e cila në profilin e një rrjeti social deklaron se : “Do të jem edhe unë pjesë e këtij debati ku do të paraqes idenë time për të vendosur në ligj bazat e fillimit të një përafrimi të akademive shqiptare në rajon me synim integrimin në një të vetme.”
Eshtë e çuditshme sepse në asnjë platformë politike të
partive parlamentare, të qeverisë, e së cilës ajo është pjesë, e Kushtetutës të
Shqipërisë, nuk ekziston ndonjë platformë që t’a justifikojë qytetaren Besa
Shahini si ministre e këtij shteti, të punojë për realizimin e një ideje të
tillë!
Madje as në Bashkimin Europian nuk kërkohet shkrirja në një
të vetme e agjencive publike të shteteve të veçanta anëtare!
Në këtë mënyrë, në pikën kulmore të punimeve të komisionit
kuvendor për reformimin e akademisë të shkencave të Shqipërisë, qytetarja Besa
Shahini, në funksionin e ministres, që ka për detyrë ligjore të zhvillojë
identitetin e institucioneve të arësimit dhe të shkencës dhe të agjencive
publike që funksionojnë ligjërisht në shtetin e Shqipërisë, deklaron se punon
kundër kësaj mëvetësie, pra punon në të kundërt të betimit të saj si ministre!
Me megalomani kjo ide nënkupton se është qytetarja Besa
Shahini që pa konsultuar komunitetin e akademikëve dhe universitarëve që janë
qytetarë të shtetit të Shqipërisë, pa konsultuar as programin e qeverisë e së
cilës ajo është pjesë, pa respektuar as Kushtetutën e Shqipërisë së cilës ka
pranuar t’i shërbejë, po punoka për zhbërjen e mëvetësive të akademisë të
shkencave të Shqipërisë, madje shkon edhe më larg, a thua se varet prej saj,
edhe zhbërjen e mëvetësisë të akademisë të shkencave të Kosovës dhe më gjerë.
Duke synuar kthimin e tyre “në një të vetme”, qytetarja Besa
Shahini flet edhe për të gjithë rajonin.
Ideja e bërë publike sot është një provokacion gjeopolitik.
Cilat janë akademitë e tjera të shkencave shqiptare në rajon
veç asaj të Kosovës?
Akademikët shqiptarë në rajon kanë fituar të drejtën e të
pasurit në mënyrë dinjitoze të vendeve në akademinë e shkencave të Maqedonisë
dhe në atë të Malit të Zi. Si parim, edhe në Akademinë e shkencave të Serbisë.
Cfarë nënkupton deklarata e qytetares Besa Shahini? Që akademikët shqiptarë të
braktisin këto akademi shkencash dhe të krijojnë akademitë e tyre të shkencave
në shtetet përkatëse duke u vetëizoluar? Apo nënkupton që në fund të procesit
të ideuar prej saj, akademia e shkencave e Shqipërisë, ajo e Kosovës, të
integrohen “në një të vetme” me atë të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të
Zi?! Apo ideja e saj është që shqiptarët në cilindo nga këto shtete të ish
Jugosllavisë të krijojnë akademi shkencash mbi baza etnike dhe pastaj të
integrohen me akademinë e Shqipërisë?!
Të gjitha mundësitë që mund të nënkuptojë ideja që e
“lumturoka” qytetaren ministre Besa Shahini janë absurde, më së paku, por edhe
të mbrapshta, dhe çojnë pikërisht në zhbërjen e akademisë të shkencave të
Shqipërisë duke e çuar atë drejt shkrirjes të identitetit të vet institucional
si bartëse e misionit për të cilën është krijuar.
Parë rrezikshmërinë dhe dëmin e këtyre pohimeve të shkruara
të zezë mbi të bardhë, si edhe sabotimin që po i bën prej muajsh procesit të
reformimit të akademisë të shkencave të Shqipërisë ministria e arësimit, lind
dyshimi i qartë se shkaku më i thellë qenka pikërisht strategjia e zonjës
qytetare ministre Besa Shahini.
Nisur nga këtej unë ju ftoj zotërinj të nderuar, si
autoritete që keni përgjegjësinë kryesore për ruajtjen e sovranitetit të
institucioneve publike të vendit, ta thërrisni për sqarime publike këtë antare
të qeverisë, dhe nëse ajo nuk akomodohet me Kushtetutën e Shqipërisë, me
platformën ligjore të qeverisë, të realizoni shkarkimin e saj pa humbur kohë!
Bersa Shahini në punë të vet, Shqipëria, kombi shqiptar,
Akademia e shkencave e Shqipërisë dhe e Kosovës në punën e tyre!
Me respekt qytetar,
Artan Fuga
Akademik