581-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës, Kurti: Historia e Skënderbeut na inspiron me universalitetin


Kryeministri Albin Kurti përkujtoi sot ngjarjen historike të 2 marsit 1444, Besëlidhjen e Lezhës, dhe prijësin e saj, heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, shkruan KultPlus.

”Lavdi e përmotshme heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe trashëgimisë historike e politike të tij”, ka shkruar Kurti.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:

Duke dashur ta përkujtojmë historinë e përbashkimeve politike të shqiptarëve, sot e kujtojmë 581 vjetorin e Kuvendit të Lezhës.

Më 2 mars të vitit të largët 1444, në qytetin e Lezhës, u mblodhën në kuvend një mori fisnikësh arbër, nga dinastitë Arianiti, Topia, Dukagjini, Kastrioti, Zaharia, Spani, Gjurashi dhe të tjera familje bujarësh, me qëllim që t’i bashkonin forcat e tyre për t’i bërë ballë ekspansionit të osmanëve. Këshilli i Përgjithshëm i dalë nga ky Kuvend në Lezhë, e caktoi Gjergj Kastriotin Kapiten të Përgjithshëm, si prijës ushtarak të forcave të bashkuara të tyre. Vetëm tre muaj më parë, më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti i mbiquajtur Skënderbeu, e kishte ngritur flamurin e kryengritjes kundër osmanëve, duke shënuar fillimin e një epoke çerekshekullore të rezistencës së armatosur kundërosmane në Arbëri.

Gjatë tre dekadave të mesme të shekullit të XV, arbërit dhe Arbëria të udhëhequr nga Skënderbeu, u kthyen në një zonë të pathyeshme për osmanët, në rrugën e tyre drejt pushtimit të Evropës synuar përmes brigjeve të Italisë. Megjithëse në dekadat pasuese të gjitha trevat e banuara nga arbërit ranë në pushtimin osman dhe ishin pjesë e Perandorisë Osmane deri në fillim të shekullit XX, epoka e Skënderbeut dhe figura e tij, do t’u shërbenin shqiptarëve në të gjitha etapat e historisë së tyre për frymëzim e fuqizim, për krenari e bashkim.

Si gjatë shekullit XIX, kur rilindasit po e konceptonin dhe sendërtonin kombin shqiptar sipas modeleve moderne evropiane, ashtu edhe gjatë gjithë shekullit XX deri te lufta për çlirimin e Kosovës, sytë e shqiptarëve janë kthyer gjithmonë kah figura e lavdishme e Skënderbeut, Zotit të Arbërisë. Shkathtësia e tij si strateg ushtarak në njërën anë si dhe mençuria e tij si lider politik në anën tjetër, e bën Skënderbeun një fisnik shtetformues, me aftësi për të lidhur dhe mbajtur marrëdhënie diplomatike të balancuara me osmanët dhe venedikasit, si dhe aleanca me Papatin dhe me napolitanët e me sicilianët e Aragonës, me hungarezët e Janosh Huniadit sikur edhe me kroatët e Dubrovnikut. Andaj edhe sot, historia e Skënderbeut na inspiron me universalitetin e saj në të menduar e në të vepruar, në guxim e në maturi, në strategji dhe në patriotizëm. Për liri dhe për shtet, për aleanca të fuqishme dhe për progres historik.

Lavdi e përmotshme heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe trashëgimisë historike e politike të tij!/ KultPlus.com

581-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës, Begaj: Mesazhi historik i atij Kuvendi se ka humbur kurrë vlerën

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përkujtoi sot ngjarjen historike të 2 marsit 1444, Besëlidhjen e Lezhës, dhe prijësin e saj, heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, duke risjellë në vëmendjen e të gjithë shqiptarëve se mesazhi historik i Kuvendit të Lezhës, “Bashkimi bën fuqinë”, nuk e ka humbur kurrë rëndësinë e tij.

“581 vite më parë, nën udhëheqësinë e Gjergj Kastriotit, u mbajt Kuvendi i Lezhës, i cili shënoi krijimin e një aleance të fuqishme politike e ushtarake për t’iu kundërvënë pushtimit e mbrojtur trojet e të pareve”, shkruan Begaj në një postim në Facebook.

Mesazhi historik që vjen nga Kuvendi i Lezhës, “Bashkimi bën fuqinë”, nuk e ka humbur asnjëherë vlerën dhe rëndësinë e tij. Shqipëria bëhet më e fortë, më e sigurt dhe më e begatë nga kontributi i gjithsecilit, nga bashkimi i energjive pozitive të të gjithë shqiptarëve, kudo ata janë./ KultPlus.com

581 vite nga Besëlidhja e Lezhës, krijimi i një Besëlidhjeje Arbërore në krye me Skënderbeun

Më 2 mars 1444, në katedralen e kishës së Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot gjendet memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt Besëlidhja e Lezhës, shkruan KultPlus. 

Ajo përbën një nga momentet më të ndritura të rezistencës antiosmane, në mesin e shekullit të XV, pasi ishte bashkimi i parë politik e ushtarak mbarëshqiptar i njohur në historinë e Shqipërisë.

Vendimet e kuvendit ishin:

1. Krijimi i një Besëlidhjeje Arbërore me në krye Skënderbeun.
2. Formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm.
3. Krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.
Besëlidhja e Lezhës ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar dhe të traditës shtetërore të shqiptarëve./KultPlus.com

Përkujtohet Besëlidhja e Lezhës

Sot, Muzeu Historik Kombëtar ka përkujtuar Besëlidhjen e Lezhës, përcjell KultPlus.

578 vite më parë, më 2 mars 1444, në katedralen e kishës së Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot gjendet memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt “Besëlidhja e Lezhës”. Ajo përbën një nga momentet më të ndritura të rezistencës antiosmane, në mesin e shekullit të XV, pasi ishte bashkimi i parë politik e ushtarak mbarëshqiptar i njohur në historinë e Shqipërisë.

Vendimet e kuvendit ishin:

  1. Krijimi i një Besëlidhjeje Arbërore me në krye Skënderbeun.
  2. Formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm.
  3. Krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.
    Besëlidhja e Lezhës ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar dhe të traditës shtetërore të shqiptarëve.

/ KultPlus.com

Albin Kurti nga Lezha: Është koha që populli shqiptar të përfaqësohet me njerëzit më të mirë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidat nga Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti nga Lezha me rastin e 577-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, deklaroi se liderët politikë duhet të veprojnë e të mendojnë sikurse do të vepronte e mendonte heroi kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeu dhe dëshmorët e luftës së fundit të Kosovës.

“Sot më 2 mars teksa shënojmë përvjetorin e Besëlidhjes së Lezhës të besëlidhjes që është akt politik, publik i besatimit, i lidhjes së dëshirës së përbashkët, ne duhet të mendojmë e të veprojmë, duke menduar se si do të mendonin e do të vepronin nga Skënderbeu te Rilindasit tanë e deri te luftëtarët e dëshmorët ne veçanti të luftës së fundit në Kosovë”, tha Kurti.

Ai po ashtu deklaroi se tani shqiptarët duhet të përfaqësohen nga njerëzit më të mirë në mënyrë që të vijë përparimi i gjithmbarshëm.

“Duhet të ndjekim pishtarin që është bartur gjatë historisë nga brezi në brez në mënyrë që populli shqiptar të përfaqësohet me njerëzit më të mirë dhe në këtë mënyrë krizën e shumëfishtë qe e ka pllakosur ta bëjë me zhvillim e përparim të gjithanshëm. Sot këtu te flamuri kombëtar te Besëlidhja e Lezhës zotohemi për angazhim të përhershëm”, nënvizoi Kurti. / indeksonline / KultPlus.com

Kur Gjergj Kastrioti bindi princat shqiptarë të pajtohen

Një nga ndodhitë më të rëndësishme në kohën kur Skënderbeu erdhi në Arbëri ka qenë edhe Beslidhja e Lezhës, aty ku u kërkua që Arbëria të bashkohej dhe mos të luftohej më kundur njëri- tjetrit, po kundër një armiku të përbashkët, Perandorisë Osmane.

Thirrësi dhe drejtuesi i këtij kuvendi ishte padyshim Gjergj Kastrioti, biri i vogël i Gjon Kastrtiotit, që ishte larguar nga oborri i Perandorisë Osmane për të ardhur e për të çliruar trojet e tij, dheun e të parëve.

2 marsi i 1444 është njëra prej datave më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, pa dyshim se është edhe Besëlidhja e Lezhës, e njohur edhe si “Lidhja Shqiptare e Lezhës”, Kuvendi i Lezhës, apo Liga e Princërve Shqiptarë.

Besëlidhja e Lezhës u mblodh më 2 mars 1444, në Katedralen e Shën Nikollës, në Lezhë. Organizatorë të kuvendit ishin prijësi i Principatës së Kastriotëve Gjergj Kastrioti. Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë principatave të vendeve të Ballkanit e më gjerë të njohura si toka të Perandorisë së Bizantit.

Princërit më të dëgjuar që morën pjesë ishin këta: Gjergj Arianiti; Andrea Topia (Thopia), Stërnip i Karol Thopisë, princ i krahinës midis Krujës dhe Durrësit, i shoqëruar nga dy djemtë e tij dhe nga i nipi Tanush Topia; Teodor Korona Muzaka, princ i Beratit dhe disa princër të tjerë të Myzeqesë; Gjergj Stres Balsha, princ i krahinës midis Krujës dhe Lezhës; Pal dhe Nikollë Dukagjini, principata e të cilëve zgjatej nga Drini në Kosovë gjer në kufi të Serbisë; Lek Zaharia Altisferi, princ i Danjës; Pjetër Spani, princ i Malësive të Shoshit e të Shalës i shoqëruar nga të katër djemtë e tij; Lek Dushmani, princ i Zadrimës; Stefan Çernojeviçi, princ i Malit të Zi. Veç këtyre u mblodhën në Kuvend edhe përfaqësues të republikës së Venedikut si vëzhgues.

Krijimi i një Besëlidhje mbarëshqiptare ishte bërë mbi principe të gjuhës, dokeve dhe traditave të veçanta, në krye me Skënderbeun. Besëlidhja parashihte formimin një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si Kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Ushtria e Besëlidhjes u krijua e përbërë nga repartet e bujarëve shqiptarë dhe Garda personale e Skënderbeut.

Të gjithë princërit u zotuan të përkrahnin me ushtarë, ushqime dhe para, me qëllim për t’u mbrojtur kundër Sulltan Muratit të Dytë. Të ardhurat e ushtrisë së Besëlidhjes, në vit, vinin nga pagesat e princërve të principatave.

Lidhja e Lezhës ishte një aleancë politike ushtarake e cila bazohej në vendimet me shumicë nga kuvendi duke respektuar sundimin e fisnikëve në tokat e tyre. Sipas marrëveshjes armiqësitë mbi zotërimi e tokave do të ndaleshin apo do të i paraqiteshin lidhjes e cila me vendime në bazë të shumicës do ti zgjidhte.

Kjo arrihej me lehtësi pasi që të gjithë fisnikët pjesëmarrës apo anëtarë të Lidhjes së Lezhës forcat e tyre ushtarake i kishin vënë nën komandën e Gjergj Kastriotit i cili ato sipas marrëveshjes do të i fuste në përdorim vetëm kundër ushtrive kërcënuese të anëtarëve të Lidhjes.

Lidhja e Lezhës në historinë shqiptare shënon një hap përpara bashkimit të tokave shqiptare në një shtet të përqendruar, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare.

Mbi parimet e Lidhjes së Lezhës, katër shekuj më vonë ishte themeluar edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Besëlidhje të tjera autentike kombëtare, të cilat bazoheshin në kodeksin shqiptar të organizimit për mbijetesë në kushte dhe rrethana të caktuara të historisë. /konica.al/ KultPlus.com